Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar pamje nga atmosfera festive në Korçë.
Duket sikur qytetarët atje po e shijojnë këtë periudhë të vitit.
“Dhjetori i festave, Korçë”, ka shkruar Rama krahas pamjeve të publikuara.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka publikuar pamje nga atmosfera festive në Korçë.
Duket sikur qytetarët atje po e shijojnë këtë periudhë të vitit.
“Dhjetori i festave, Korçë”, ka shkruar Rama krahas pamjeve të publikuara.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga atraksionet e Dibrës.
Kreu i qeverisë u shpreh se në Dibër natyra ka skalitur thesare të relievit malor.
Maja e bardhë e Korabit që është fillimi i konturit të peizazhit të Dibrës që ceket në krye të telajos natyrore, për të vijuar me linjat gjarpëruese të Drinit të Zi e bëjnë këtë trevë një kryevepër natyrore për turistët.
Turistët magjepsen pas Korabit për bukurinë që ka, shtigjet malore atraktive, pamjet madhështore, të rralla, rruga drejt ujëvarës dhe shtegu, duke ndjekur Drinin e Zi.
Korabi është mali më i lartë në Shqipëri. I përshtatshëm për ecje malore duke filluar nga maja e Korabit, fshati turistik i Radomirës, fusha e Korabit dhe në bjeshkën e Gramës, stanet e Kaloshëve, në Rabdishtin turistik, me Hinosken e shtëpitë pritëse të Fidallarëve dhe nëpër Valivar në malin e Kërcinit dhe shumë atraksione natyrore dhe kulturore në zonën e Maqellarës.
Ujëvara në bjeshkë e Tanushës
Ujëvara në bjeshkët e Tanushës ndodhet pas malit të Zimurit dhe Skertecit në zonën e Rekës së Maqedonisë së Veriut, shumë afër fshatrave të Zagradit, Cerjanit dhe Rabdishtit, pjesë e shtigjeve turistike të vargmalit të Korabit.
Drini i Zi
Drini i Zi, së bashku me luginat e mëdha përreth, është një zonë jashtëzakonisht e bukur e Shqipërisë, e cila kryesisht mbetet për t’u eksploruar.
Drini i Zi buron nga liqeni i Ohrit në Maqedoninë e Veriut dhe kalon nëpër qarkun e Dibrës deri në qytetin e Kukësit, në kufirin shqiptar.
Aty ai bashkohet me Drinin e Bardhë dhe dy lumenjtë bëhen një, duke formuar lumin Drin, i cili derdhet në Adriatik.
Në pikën ku lumi kapriçioz nuk mund të ndjekë rrjedhën e tij natyrore, vizitori ka shansin të shijojë plotësisht atë dhe peizazhin e tij të mrekullueshëm përreth.
Këtu, aventurierët kanë mundësinë për të çarë me traget në shtratin e gjerë të lumit Drin. Aktualisht, si rezultat i kësaj hapësire të gjerë, rafting në këtë vend të veçantë është i sigurt dhe vështirë se lodh, duke e bërë atë një vend ideal për të komunikuar me natyrën, duke shijuar këtë sport të këndshëm ujor.
Derisa hyn në Shqipëri, Drini i Zi ndahet në dy degë të mëdha të dallueshme që rrjedhin përgjatë periferi të Dibrës, rrethin më të afërt të këtij lumi. Vendasit e Peshkopisë janë me fat që i kanë themelet e qytetit të tyre në brigjet e këtij lumi.
Në të vërtetë, Drini i Zi ka qenë bujar për këtë popullsi, pasi, përgjatë luginave të këtij rajoni, ku rrjedha e lumit ulet, Drini i Zi kthehet në një plazh të mrekullueshëm. Si i tillë, gjatë sezonit të verës, vendasit gëzojnë këtë oaz plazhi të krijuar nga lumi. Në Fushë-Muhurr, ju mund të gjeni plazh me të njëjtin emër, që ndodhet vetëm 25 minuta larg nga Peshkopia.
Çfarë tjetër e bën këtë lumë edhe më tërheqës? Entuziastët e peshkimit lokal do t’ju tregojnë se ata mund të kalojnë orë pafund duke peshkuar në ujërat e Drinit të Zi.
Ndër llojet e peshkut, më të njohurit këtu, janë krapi, trofta dhe ngjala. Përpara se të niseni në eksplorimin tuaj të Drinit të Zi, duhet të ndaleni nga ndonjë nga qendrat e informacionit turistik në Peshkopi për të marrë udhëzues praktikë nga shumë atraksione të njohura në natyrë dhe destinacione të këtij rajoni të bukur.
Në anën tjetër, Korbi sheh malin e Dejës që është nga malet e mesme më të larta në vend, shqyhet për bukuri të rrallë natyrore dhe shoqërohet për jetë nga mali i Runjës, Fusha e Pelave dhe Lura që ndjekë vargmalin e saj me mrekullitë natyrore të liqeve të saj të rrallë./atsh/ KultPlus.com
Shpendët shtegtarë “pushtuan” liqenin e Shkodrës, duke dhuruar spektakël në ditët e fundit të nëntorit.
Kryeministri Edi Rama ndau këtë mëngjes pamje të zogjve shtegtarë mbi liqen.
“Një fluturim mbi liqenin e Shkodrës”, shkruan Rama.
Fauna e liqenit të Shkodrës është e shumëllojshme dhe e pasur me 45 lloje peshqish e 270 lloje shpendësh. Këto shpendë përbëjnë 87% të gjithë Ornitofaunës të Shqipërisë.
Një perlë e kësaj pasurie është pa dyshim pelikani, zogu më i madh në Europë. Pika më e thellë e liqenit është rreth 45 metra. Në skajin juglindor shtrihet qyteti i Shkodrës, nga i cili ka marrë edhe emrin./atsh/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama, në takimin me shqiptarët në Selanik, njoftoi se është përgatitur një kërkesë për qeverinë greke, që të rishikojë vendimin për të ndaluar hyrjen e gazetarit të Top Channel, Marin Mema, në Greqi.
Duke theksuar se Marin Mema nuk ka bërë asgjë tjetër veçse punën si gazetar, ai e cilëson vendimin e 12 viteve më parë një masë ekstreme dhe antidemokratike.
“Kemi një kërkesë që do ta dorëzojmë që nesër për rishikimin e një vendimi absurd 12 vite më parë për të ndaluar gazetarin Marin Mema që të hyjë në Greqi. Marin Mema nuk ka kryer asnjë krim, s’ka bërë asgjë më shumë apo më pak se sa punën si gazetar, i apasionuar pas gjurmës së shqiptarëve. Nëse qëndrimi i tij është i ndryshëm nga kushdo që ka marrë vendimin absurd për ta ndaluar të hyjë në një vend në BE, ku s’mund të jetë kurrë një shkak për t’i hequr një gazetari lirinë europiane të lëvizjes. Kjo është një masë ekstreme, antidemokratike, antidemokrate”, u shpreh kryeministri.
Në vitin 2012, gazetari Marin Mema u shpall i rrezikshëm për sigurinë kombëtare në Greqi dhe për këtë arsye pengohet që të hyjë në territorin grek.
Vendimi dhe ndalimi i gazetarit erdhi pas disa temave të realizuara prej tij në rubrikën “Shqipëria Tjetër” kushtuar çështjes kombëtare shqiptare, tema që lidhen me trashëgiminë e çamëve në Greqi në fshatin Margëlliç, në Gumenicë dhe në Filat. Por edhe emisioni kushtuar Papa Kristo Negovanit dhe pasardhësve të tij në fshatin Negovan, brenda territorit grek./ Top Channel/ Kultplus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama u takua sot me shqiptarët e Selanikut.
Në fjalën e tij, Rama tha se vogëlushëve shqiptarë të Greqisë do të iu mundësohet mësimi i gjuhës amtare me tetë mësuese nga 50 që janë gjithsej, njofton Klankosova.tv.
“Pas takimit në Athinë, do te na ndihmojnë të iu qëndrojmë më pranë fëmijëve tuaj për mësimin e gjuhës shqipe. Janë këtu në Selanik, tetë nga 50 mësuesit e parë të rinj të gjuhës shqipe, me të cilët Ministria jonë e Arsimit do të lidhë kontratë pune për t’iu shërbyer dhe mësuar gjuhën tonë amtare vogëlushëve shqiptarë në Greqi. Dhe siç mund ta merrni me mend, janë tetë gra”, tha Rama.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar pamje nga natyra e mrekullueshme e Zvërnecit, duke ftuar qytetarët dhe turistët që të eksplorojnë bukuritë e fshehura të Shqipërisë.
Në postimin e tij, Rama shprehet: “Eksploruesit gjejnë çdo ditë shtigje të reja për të parë kartolinat befasuese të natyrës që ka Shqipëria ngado.”
Zvërneci është një nga destinacionet natyrore që tërheq gjithnjë e më shumë vizitorë me bukuritë e tij unike, dhe kryeministri Rama vlerëson angazhimin për të promovuar këtë trashëgimi natyrore të rrallë që ofron Shqipëria.
Zvërneci, 14 km larg qytetit të Vlorës, është kthyer vitet e fundit në një ndër pikat turistike më të vizituara. Pas investimeve të fundit dhe ndërtimit të urës, turistë të shumtë zgjedhin të kalojnë në çdo stinë ditët me diell në ishullin e bukur, brenda Lagunës së Nartës.
Përveç bukurisë natyrore që Zvërneci ka, interes të veçantë paraqet për vizitorët Manastiri i Shën Mërisë, i cili ndodhet në ishullin e Zvërnecit dhe ku mund të shkohet me një urë të ngushtë këmbësorësh prej druri. Manastiri është një ndërtim tipik bizantin i ndërtuar në shek. X pas Krishtit.
Ndërtimi i tij, historia, gojëdhënat e bëjnë këtë resurs tërheqës në çdo stinë të vitit./ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në konferencën për shtyp pas takimit me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen ka thënë se Shqipëria është një vend që zgjohet dorë për dore me BE-në dhe SHBA-në.
Ai është shprehur se shqiptarët unanimisht kanë vendosur që t’i përkasë Bashkimit Evropian dhe sipas tij, nuk ka asnjë rrugë tjetër, përcjell Klankosova.tv.
“Lajmi i mirë për Shqipërinë dhe për shqiptarët jo sot po prej kohësh është që Shqipëria nuk është një ishull i shkëputur nga bota dhe nuk është as një vend në këtë kontinent që ka bërë ndonjë zgjedhje që ia lejon të qëndrojë dhe me kurriz nga Evropa”.
“Shqipëria është një vend që gdhihet në mëngjes dorë për dore me Bashkimin Evropian dhe me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ecën çdo ditë krahë për krahë me aleatët e vet strategjikë dhe në fund të ditës dëgjon vlerësimet e tyre merr rekomandimet e tyre dhe të nesërmen rizgjohet për të vazhduar të ecë, sepse Shqipëria, për faktin se shqiptarët unanimisht kanë vendosur përfundimisht që t’i përkasë Bashkimit Evropian, nuk ka asnjë rrugë tjetër”.
“Nëse të interesuarit në politikën e brendshme kanë opinione të caktuara, kjo është pjesë e të jetuarit në një vend të lirë, por nëse opinione të caktuara vënë në pikëpyetje reformat dhe rezultatet e tyre të cilat dhe për shkak të të cilave ne i ulëm në tryezë me Bashkimin Evropian, atëherë problemi nuk është as i imi, as i shqiptarëve, as i Bashkimit Evropian dhe i asnjë partneri tjetër, kështuqë Shqipëria patjetër që ka akoma shumë male për të kapërcyer, derisa të arrijë në majën më të lartë që është maja e anëtarësimit, në duam ta arrijmë atë majë brenda kësaj dekade, që do të thotë në duam që brenda kësaj dekade të jemi gati”, është shprehur Rama.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Paketa e Maleve” është një program komplet i ri për të mbështetur të gjithë ata që janë jashtë dhe që duan ndihmë për të investuar në shtëpitë e tyre për t’i kthyer në sipërmarrje biznesi turistik.
Në një takim me kryebashkiakët në Kryeministri për bashkëpunimet në interes të komunitetit për të diskutuar për platformat e dialogut, emergjencat civile dhe ndihmat sociale, Rama u ndal fillimisht tek lejet për ndërtim që janë nevoja imediate të qytetarëve që jetojnë, sidomos në zonat rurale dhe që duan të shtojnë një dhomë, të rregullojnë ҫatinë etj, proces që e cilësoi pozitiv.
Por, shtoi Rama, “ndihma juaj për të identifikuar dhe për neutralizuar ҫdo lloj punonjësi policie që ju shfaqet, nëpër avlli qytetarëve, familjeve që jetojnë në fshat është shumë e ҫmuar”.
Sepse, theksoi Kryeministri, “fatkeqësisht ky fenomen, ka ardhur duke u zvogëluar, por është problem, akoma është problem, që iu shkojnë për një avlli dhe iu rrinë tek koka dhe kuptohet pse. “Jo e ke lejen, jo s’e ke lejen””.
Rama theksoi se ky fenomen duhet të ndalohet totalisht.
“Besoj që shumë shpejt gjatë këtij muaji ne do të prezantojmë atë që e kemi quajtur “Paketa e Maleve”. Është një program komplet i ri për të mbështetur të gjithë ata që janë jashtë dhe që duan ndihmë për të investuar në shtëpitë e tyre për t’i kthyer në sipërmarrje biznesi turistik. Kur them jashtë, ata që janë në emigracion, apo ata që janë në Tiranë dhe kanë një pasuri atje. Është një paketë besoj pozitive sepse kemi punuar që të mos jetë një gjë pak, por është goxha domethënëse dhe patjetër që është një paketë që duhet ta përdorni ju në kuptimin që duhet ta shfrytëzoni për të inkurajuar më shumë dhe për t’i dhënë më shumë shtysë atyre që e kanë me 2 mendje”, u shpreh Rama.
Në takimin me kryebashkiakët, Rama foli edhe për rritjen e pagave të punonjësve të pushtetit vendor, që e cilësoi edhe meritë të tyre./atsh/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ka uruar studentët dhe pedagogët për nisjen e vitit të ri akademik 2024-2025.
Në një video të studentëve dhe ministres së Arsimit Ogerta Manastirliu nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës, Rama shkruan: “Suksese studentëve të cilët ulen sot për herë të parë në auditorët e universitetit dhe atyre që tashmë e kanë nisur këtë rrugëtim, si dhe trupës së pedagogëve në këtë vit të ri akademik”.
Janë rreth 20 studentë të rinj që do të ulen për herë të parë në auditoret e universiteteve.Ministrja Manastirliu, duke iu drejtuar studentëve të vitit të parë dhe gjithë stafit akademik universitar, tha:
“Së bashku me studentët e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, që hyjnë këtë vit në vit të parë dhe me shokët e tyre që tashmë kanë nisur universitetin, dua t’ju uroj suksese mbi 20 mijë studentëve, të cilët nisin sot këtë rrugëtim drejt dijes dhe formimit të së ardhmes së tyre. Gjithashtu, dua të uroj stafin akademik dhe prindërit për rrugëtimin që nisin sot fëmijët tanë”, tha Manastirliu nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës./atsh/ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka thënë se vendet e vogla duhet të kenë miq.
Rama theksoi rëndësinë e miqësive strategjike për vendet e vogla si Shqipëria dhe Kosova, duke shtuar se mbajtja e këtyre marrëdhënieve është jetike për sigurinë dhe stabilitetin.
“Jemi shumë të vegjël për të fjetur të qetë, nëse nuk kemi miq të mëdhenj”, tha Rama, duke nënkuptuar që përkrahja ndërkombëtare është thelbësore për mbrojtjen e interesave kombëtare.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur se Kosova është pjesë e pandashme e realitetit ndërkombëtar dhe vend aspirant për anëtar të komunitetit euroatlantik.
Këto komente Rama i bëri gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ku tha se ata që përpiqen të heqin paralele mes Kosovës dhe zonave të pushtuara të Ukrainës, gabohen.
Ai gjithashtu u shpreh se Kosova nuk mund të mbahet peng nga askush dhe i bëri thirrje 5 shteteve të BE-së që ta njohin pavarësinë e saj.
“Çdo paralele e hequr artificialisht mes Kosovës dhe zonave të pushtuara të Ukrainës kanë për qëllim të shpërqëndrojnë këdo që është e mundur dhe opinionin publik ndërkombëtar, por kurrë nuk mund të zbehin të vërtetën, Kosova është tashmë pjesë e pandashme e realitetit ndërkombëtar, një anëtare e aspirantë e komunitetit euroatlantik, e nuk duhet të mbahet peng nga askush, me pretendime dhe justifikime të rreme, duke nisur nga grupi i 5 shteteve anëtare të BE-së që ende nuk e njohin Kosovën me të drejtë në çdo organizatë e forum ndërkombëtar”, tha Rama./Euronews.al/ KultPlus.com
Linda Rama, bashkëshortja e kryeministrit Edi Rama, ka dhënë një intervistë për revistën “Soon magazine”.
Ajo ka një aftësi thelbësore për të ndikuar mendimet nga një mendje në tjetrën. E pasionuar dhe e mirëarsimuar, Linda Rama është gjithmonë e motivuar nga ndjeshmëria ndaj grupeve më vulnerabël: grave, fëmijëve, kategorive më të brishta sociale, personave me aftësi të kufizuara, minoriteteve etj.
Fjalët e Lindës janë të freskëta e unike dhe kur ajo ju drejtohet, është si një ftesë për të ardhur dhe për të zbuluar Shqipërinë.
Më poshtë intervista e plotë e realizuar nga gazetari Mário de Castro.
Kush është Linda Rama, gruaja e Kryeministrit shqiptar, Edi Rama?
Linda është një ekonomiste, e diplomuar në vitin 1987 në Universitetin e Tiranës. Ajo ka një Master në Ekonomi nga Universiteti i New Yorkut dhe Universiteti Qendror Evropian (1993) dhe një Doktoratë në Shkencat Ekonomike (1996). Ka shërbyer si lektore në Financat Ndërkombëtare dhe Financat Publike në Universitetin e Tiranës, si dhe në Politikat Publike dhe Menaxhimin e Riskut Publik në Universitetin Evropian të Tiranës.
Nga viti 1993 deri në vitin 1999, Linda ishte Kryetare e Privatizimit të Kompanive të Mëdha dhe Strategjike dhe Drejtore e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Privatizimit, duke kontribuar ndjeshëm në reformën e privatizimit masiv dhe duke zhvilluar teknikat e privatizimit për kompanitë e mëdha dhe strategjike, përfshirë rindërtimin financiar dhe menaxhimin e riskut, si dhe themelimin e Regjistrit të Aksioneve dhe Tregut të Aksioneve të Tiranës.
Linda është bashkëthemeluese dhe një nga think tank-et e para në Shqipëri, të Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor (HDPC) dhe ka kontribuar për një kohë të gjatë në aktivitetet e saj. Ajo është autore, bashkë autore dhe eksperte në shumë studime, kërkime dhe dokumente politike në fushat e Qeverisjes, Zhvillimit Njerëzor, Tregut të Punës, Edukimit, Mirëqenies Sociale dhe Zhvillimit të Sektorit Privat në Shqipëri dhe rajonin përreth.
Linda Rama është gjithashtu një nga bashkëthemelueset e Aleancës Shqiptare për Fëmijët dhe avokate e nismës “Sky Say Yes For Children”, me një angazhim të gjatë në aktivizmin për çështjet e të drejtave të njeriut dhe shoqërisë civile, veçanërisht në lidhje me të drejtat e fëmijëve dhe grave.
LINDA RAMA, si mund ta shpjegosh këtë valë solidarizimi dhe interesi për Shqipërinë që po rritet jo vetëm në Evropë, por në mbarë botën? A ecin së bashku shqiptarët dhe solidariteti, dorë për dore?
Në këto 35 vjet tranzicioni, ne shqiptarët kemi arritur të përballojmë dy sfida historike: të hapim dyert e botës për veten tonë dhe të sjellim botën në derën tonë.
Faza e parë filloi në korrik 1990, kur mijëra shqiptarë mbushnin oborret e ambasadave në Tiranë dhe hipnin në anijet në Durrës për të shpëtuar nga izolimi komunist dhe varfëria. Më pas, për shumë vite, dhjetëra mijëra shqiptarë të tjerë çdo vit merrnin malet, detin dhe qiellin me padurim për të jetuar ëndrrën evropiane ose amerikane.
Përmes përpjekjeve të panumërta, ata arritën të fitonin të drejtën e qytetarisë në vendet që kishin zgjedhur të jetonin, duke përballuar male dhe dete paragjykimesh. Teorikisht, në vitin 1990, me rënien e izolimit komunist, Shqipëria hapi dyert e saj për botën. Të parët që erdhën ishin institucionet ndërkombëtare dhe disa të huaj që vinin për punë. Për më shumë se një çerek shekulli, turistët e vetëm në Shqipëri ishin shqiptarët që jetonin jashtë, kur vizitonin familjet e tyre, ose shqiptarët nga rajoni. Mbaj mend një bisedë mes kolegësh rreth vitit 2008, të shqetësuar që bota pothuajse nuk na njihte, dhe se çdo herë që përmendeshim në mediat ndërkombëtare, kjo ndodhte zakonisht për shkak të disa shkeljeve përtej kufirit. Po kërkonim mënyra për ta ndryshuar këtë imazh. Diskutuam gjate derisa një nga kolegët e mi tha: “Mos u përpiq të gjesh një zgjidhje; imazhi i Shqipërisë do të ndryshojë kur Shqipëria të ndryshojë.”
Shqipëria ka ndryshuar. Sot, Shqipëria është e vizitueshme, e reklamueshme dhe e jetueshme. Rritja e simpatisë dhe interesit për Shqipërinë në Evropë dhe në botë është rezultat i asaj që Shqipëria ofron sot: natyrë, histori, kulturë, shërbime, sport, argëtim, rehati, aventurë, infrastrukturë, arkitekturë, punë dhe siguri. Në Shqipëri, je i sigurt kudo dhe nuk ke arsye të ndihesh i pasigurt. Të sjellësh botën në derën e Shqipërisë dhe të bësh të njohur këtë vend të vogël në botë, besoj se ka qenë rrugëtimi më i paimagjinueshëm, më i vështirë dhe më i dhimbshëm i tranzicionit, që shënon gjithashtu fundin e izolimit ekstrem komunist. Deri para një dekade, ne ishim në rastin më të mirë një potencial; sot, jemi një realitet turistik me shumë mundësi të tjera ende të pashfrytëzuara. Ajo që ka ndodhur në dekadën e fundit është një produkt i prekshëm i vizionit zhvillimor të lidershipit politik dhe i punës së jashtëzakonshme të shqiptarëve, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, gjatë këtyre tre dekadave postkomuniste.
Si një grua e lindur dhe e rritur në Shqipëri, ju keni bërë një kalim të suksesshëm pas-komunist. Cila është vizioni juaj për të ardhmen e grave në Shqipëri?
Unë u rrita me një gjyshe që punonte me kohë të plotë në shtëpi, e cila investoi të gjithë talentin, inteligjencën dhe autoritetin e saj në familje, pa pasur kurrë mundësinë të provonte veten përtej atyre mureve. Nëna ime është gruaja tipike e realizmit socialist. Ajo punonte në punë dhe në shtëpi, pa e hequr kurrë vëmendjen dhe kujdesin për mirëqenien tonë, duke na inkurajuar të arsimohemi dhe duke na ushqyer ndjenjën e punës dhe përgjegjësisë. Jeta për gratë gjatë komunizmit ishte e vështirë dhe e mundimshme, deri në atë pikë sa çdo grua në ato dekada meritonte të quhej heroinë. Nëna ime ka bërë vetëm një punë gjatë gjithë jetës së saj, atë të zgjedhur nga shteti për të. Sot, duke e parë atë në të tetëdhjetat e saj, si arrin të shfrytëzojë të gjitha avantazhet që teknologjia ofron për informacionin, komunikimin dhe zgjidhjet, ndiej keqardhje që nuk pati mundësinë të zbulonte veten dhe të përdorte potencialin e saj të plotë. Megjithatë, ajo pati fatin të shihte vajzat e saj më të arsimuara se ajo, që bënin punën e zgjedhur prej tyre dhe jo atë që do të kishte zgjedhur shteti ose ideologjia për to, duke përballuar një tranzicion jashtëzakonisht të vështirë në çdo kuptim. Ndërsa për vajzën time dhe dy mbesat, spektri i të drejtave është i pakrahasueshëm, po ashtu si dhe mundësitë ku ato mund të lundrojnë dhe të jetojnë ëndrrat dhe pasionet e tyre. Ajo që përshkrova më sipër është zhvilluar në kontekste shumë komplekse dhe të vështira, me përpjekje gjigante për të arritur në botën e qytetëruar, duke luftuar çdo ditë me të kaluarën e komplikuar otomano-komuniste.
Sot, ende ka vajza dhe gra që përballen me pasojat e kësaj të kaluare, por gjithashtu ekziston një ushtri e madhe vajzash dhe grash të angazhuara në arsim, shëndetësi, shërbime sociale, drejtësi, art e kulturë, deri në nivelet më të larta të administratës publike, qeverisjes dhe politikbërjes. Një përparim kaq i qartë dhe një forcë kaq e madhe e kësaj ushtrie më bën të besoj se të gjitha vajzat dhe gratë e së ardhmes do të kenë kaluar pragun e nënshtrimit dhe do të jenë të afta të krijojnë jetën që zgjedhin, dhe jo atë që është zgjedhur për to. Ndërkohë, asnjë vizion për të ardhmen e grave nuk mund të ndahet nga vizioni për të ardhmen e djemve. Ka ardhur koha të flasim njësoj për të ardhmen e vajzave dhe djemve./atsh/ KultPlus.com
Kalaja e Rozafës është atraksioni kryesor i qytetit të Shkodrës që tërheq mijëra vizitorë çdo vit, ndërsa ngrihet në një zonë dominuese dhe me trashëgimi të pasur.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga kalaja e Rozafës dhe muzeu, të mbushur me vizitorë.
Kalaja e Rozafës në Shkodër ka mirëpritur vizitorë të shumtë vendas dhe të huaj, të moshave të ndryshme, ndërsa janë organizuar një sërë aktivitetesh për trashëgiminë historike.
Rikualifikimi i kalasë së Rozafës përmes ndriçimit, një investim i Ministrisë së Kulturës, e ka kthyer atë në një atraksion turistik, të vizitueshëm për turistët vendas dhe të huaj edhe në mbrëmje.
Kalaja e Rozafës ngrihet mbi një kodër shkëmbore në perëndim të qytetit, e rrethuar nga ujërat e tre lumenjve: Drinit, Bunës dhe Kirit. E ndërtuar gjatë Mbretërisë Ilire, ajo përfaqësohet nga një legjendë që tregon mbajtjen e një premtimi, të Besës legjendare./atsh/ KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka bërë të ditur se Vjosa është afër që të bëhet pjesë e trashëgimisë së mbrojtur botërore.
Kjo pasi, sipas Ramës ekspertët e misionit të UNESCO-s po vijojnë punën në terren mbi përgatitjen e dosjes për këtë, përcjell Kalnkosova.tv.
“Vjosa në UNESCO – Puna po vazhdon – Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura së bashku me ekspertët e misionit të UNESCO-s po vijojnë punën në terren mbi përgatitjen e dosjes për ta bërë Vjosën pjesë të trashëgimisë së mbrojtur botërore, duke vlerësuar nga afër mozaikun e saj si një prej ekosistemeve më unikë në Evropë dhe duke bërë pjesë të diskutimeve edhe banorët e bizneset e zonës”, ka shkruar kryeministri./
TF1, kanali më i shikuar televiziv i Francës e ndër më të njohurit në Evropë, i ka kushtuar një reportazh të gjatë Shqipërisë turistike.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot në rrjetet sociale reportazhin e kanalit televiziv francez, ndërsa u shpreh se Shqipëria po fiton përditë statusin e ri të një destinacioni turistik të shumëkërkuar.
“Me fjalë e imazhe të pamendueshme deri disa vjet më parë, kur Shqipëria hynte në ekranet franceze vetëm për ndonjë lajm a fjalë të keqe, si një stereotip i negatives në median ndërkombëtare, për një vend të keqtrajtuar gjatë që sot po fiton përditë statusin e ri të një destinacioni turistik të shumëkërkuar, ku vazhdon një transformim i pandalshëm”, u shpreh Rama për reportazhin.
Me titullin “Riviera tjetër: Bumi i turizmit në Shqipëri”, televizioni i njohur francez, TF1 i ka kushtuar një dokumentar hovit të madh turistik të viteve të fundit të Shqipërisë.
Ndërsa e konsideron vendin “një Eldorado për turizmin në Evropë”, reportazhi i TF1 thekson se udhëtarë nga e gjithë bota tërhiqen nga çmimet ende të ulëta.
“Ujëra të kristalta, hotele elegantë buzë plazhit, kuzhinë e rafinuar dhe një ndjenjë e vërtetë mikpritjeje, Shqipëria na çon në një drejtim tjetër. Brenda pak vitesh, Shqipëria, një ish-diktaturë që nuk kishte reputacion të mirë është kthyer në një Eldorado për turizmin në Evropë. Të tërhequr nga çmimet ende të ulëta, udhëtarët vijnë nga e gjithë bota. Ishin 10 milionë vitin e kaluar, dy herë më shumë se dy vjet më parë, një dhuratë nga perëndia për shumë shqiptarë pas disa vitesh të krizës ekonomike”, vijon dokumentari i realizuar nga Mélanie Gallard.
”Të gjitha këto plazhe të bukura, këto limane të vogla, u japin vërtet kënaqësi të madhe këtyre pushuesve që zgjedhin Shqipërinë për të kaluar disa ditë pushimi… 300 kilometra vijë bregdetare dhe ujëra të pastra si kristali deri në 27 gradë Celsius në gusht. Shqipëria ka një tjetër pasuri, kuzhinën e saj, e bollshme e me çmime të favorshme”, vijon gazetarja.
Kryeministri Edi Rama ndau sot foto nga flamingot në lagunën e Nartës.
Flamingot janë shpendë që migrojnë në vendet e ngrohta dhe parapëlqejnë ujëra të kripura dhe të cekëta, ku gjejnë ushqimin e tyre të zgjedhur. Në vendin tonë habitati i këtij lloji është laguna e Nartës, Karavastasë, por edhe liqeni i Pogradecit.
Flamingot ngrihen në ajër në grup dhe fluturojnë me qindra kilometra gjatë periudhës së shtegtimit.
Fluturimi bëhet duke formuar radhë të gjata ose në formë V-je, derisa të arrijnë në vendmbërritjen e tyre – një liqen me ujë të kripur, që është vend i shkëlqyer për të ngritur folenë e për të rritur të vegjlit.
Vitet e fundit, këta zogj parapëlqejnë mjaft nga habitatet në Shqipëri në zonat e mbrojtura, ku gjejnë kushte të përshtatshme.
Kryeministri Edi Rama ka përgëzuar avokaten Eva Buzo e cila ia doli që të përshkojë me not Itali-Shqipëri.
“Një histori mbresëlënëse ajo e Eva Buzos, avokatja shqiptare, e cila ka shënuar një rekord në not duke përshkruar 92 km nga brigjet e Italisë deri në Vlorë.
Një udhëtim në ujë prej 34 orësh për Evën, e cila sfidën e lënë në mes vitin e kaluar, u rikthye për ta përfunduar këtë vit, me një forcë fizike dhe psikologjike të jashtëzakonshme”, shkruan Rama.
Gjithnjë e më shumë turistë po shkojnë drejt Thethit, vizitorë vendas e të huaj, duke eksploruar një nga zonat më të bukura në vend.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot në rrjetin social Facebook disa foto të mrekullueshme nga Thethi në këto ditë gushti, duke e cilësuar si “parajsë tokësore”.
Thethi që pret sot qindra e mijëra turistë ofron për ta kisha, kulla ngujimi, shkolla, muze etnografik dhe qendër historike.
Thethi ka një histori 2800 vjeçare, muza e studiuesve të huaj që prej vitit 1905, në 1966 është shpallur Park Kombëtare dhe me qendër historike që prej vitit 2017.
Ngritja e një muzeu për njohjen e trashëgimisë kulturore, natyra dhe historia e bjeshkëve është një tjetër pikë e projektit zhvillimor që qeveria dhe bashkia e Shkodrës ka për Thethin.
Ndërhyrja në rrjetin elektrik, rruga dhe projektet kulturore, të gjitha këto ndërhyrje, së bashku me paketën e madhe të qeverisë për malet do ta bëjnë Thethin një destinacion cilësor elitar dhe turistik./atsh/ KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me suksesin e Shqipërisë në Lojërat Olimpike Paris 2024, ku mundësi Islam Dudaev siguroi medaljen e dytë të bronztë për Shqipërinë.
Rama thotë se kush di të gëzohet, duhet të gëzohet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve.
“Ja edhe medalja e dytë olimpike në historinë tonë. Kush di të gëzohet le të gëzohet me shumicën dërrmuese të shqiptarëve. Kujt nuk di të gëzohet le t’ia njohim meritën e hudhrës që ia mban larg Shqipërisë syrin e keq”, shkruan Rama në Facebook.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama është shprehur falënderues ndaj Chermen Valiev, i cili ia fitoi vendit medaljen e parë olimpike.
Rama përmes një postimi në Facebook, u shpreh se Shqipërisë jo vetëm që nuk i ikin më talentet sportive, po talente të lindura gjetkë e zgjedhin si atdheun e dytë për t’u stërvitur në kushte optimale e për t’u ngjitur në majat e botës, përcjell Klankosova.tv.
“Medalja e Parë Olimpike në historinë tonë është një lajm që flet shumë për punën e Komitetit të Rilindur Olimpik Shqiptar nën drejtimin e Fidel Yllit; për të vërtetën që Shqipërisë jo nuk i ikin më talentet sportive të lindura këtu, po talente të lindura gjetkë e zgjedhin si atdheun e dytë për t’u stërvitur në kushte optimale e për t’u ngjitur në majat e botës; si edhe për fillimin e një historie të re, që në vite do të sjellë fryte të tjera të gëzueshme falë lëvizjes masive sportive për fëmijët dhe investimeve masive në palestra e në infrastrukturë sportive që do të vazhdojnë. Faleminderit Kampion”, shkruan kryeministri shqiptar.
Shqipëria asnjëherë më parë përgjatë historisë së saj në Lojrat Olimpike nuk kishte fituar ndonjë medalje, por tani, me ditën e sotme të 10 gushtit, historia po rishkruhet.
Kosova nuk u kthye duarthatë nga Lojërat Olimpike “Paris 2024”.
E për këtë u përkujdesën dy xhudistet Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu.
Krasniqi e mori të argjendtën, kurse Fazliu të bronztën, duke ngritur në pesë numrin e përgjithshëm të medaljeve nga pjesëmarrjet në tri olimpiada, raporton Klankosova.tv.
Me këtë rast, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh krenar për këtë arritje të xhudsteve tona.
Rama tha se ato “po e nderojnë Kosovën botërisht”.
“I lumtur dhe krenar që jam miku juaj, e që ju nderoni Kosovën botërisht dhe i shërbeni edhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë”, tha kreu i qeverisë shqiptare transmeton Klankosova.tv.
Sporti i xhudos në krye me trajnerin Driton Kuka, po ashtu i ka edhe tri medalje të arta olimpike.
Në “Tokyo 2020”, dy të arta i rrëmbyen Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.
Kurse, në debutimin e Kosovës, në “Rio 2016” ishte mbretëresha Majlinda Kelmendi ajo që ia solli vendit këtë sukses, duke trasuar rrugën për sukseset e tjera të xhudos kosovare.
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se transporti publik të jetë falas për të gjithë ata që marrin pjesë në “Sunny Hill Festival”.
Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që transporti për të gjithë pjesëmarrësit do të jetë falas nga data 25 deri më 28 korrik.
Njoftimi i plotë:
VENDIM!Të gjithë pjesëmarrësit e “Sunny Hill Festival” LIROHEN nga pagesa e transportit publik.
Pra të gjithë ju që doni të shkoni në këtë festival, do të mund të udhëtoni falas me autobusë të Trafiku Urban Prishtinë nga data 25 deri më 28 korrik.
Nisja bëhet nga ora 17:00 te parkingu i Pallatit të Rinisë, dhe transport do të ketë deri në orën 05:00 të mëngjesit. Pra mund të shkoni e ktheheni nga festivali me autobusë të Trafikut Urban, falas.
Velipoja, rreth 30 minuta nga qyteti i Shkodrës, edhe këtë sezon veror ka tërhequr një numër të lartë pushuesish.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga ky plazh, ku mund të shijosh detin e pastër, rërën e imët dhe të pasur me jod.
Kjo zonë e pasur me një hapësirë të gjelbër, ofron një kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën. Nën hijen e pemëve të larta dhe të rrethuar nga një bimësi e shumëllojshme do të keni mundësi të vëzhgoni natyrën dhe bukurinë e saj.
Për të gjithë të pasionuarit pas shëtitjeve në natyrë, kjo perlë e zonës ju ofron një aventurë interesante në ajrin e pastër, ku do ta gjeni veten të zhytur në një oaz të gjelbër.
Kjo zonë shquhet për tradita dhe histori të hershme, me fermerë dhe peshkatarë të zot, mikpritës të njohur në të gjithë Shqipërinë. Velipoja përfshihet në zonën që quhet Peizazhi Ujor-Tokësor i Mbrojtur dhe në të do të gjeni edhe rezervatin natyror, i cili kohët e fundit po shihet si një opsion për zhvillimin e turizmit.
Grykëderdhja e Bunës, pjesë e këtij peizazhi, ofron një natyrë të pasur, uji dhe bimësia i japin një panoramë këtij plazhi të vogël që e bëjnë edhe më të veçantë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka publikuar pamje ta Shkollës së Arteve Pamore e cila pritet të ndërtohet në Kryeqytet, nga ku edhe ka potencuar se me ndërtimin e kësaj shkolle do të arrihen nivele të reja të arsimimit artistik duke ndihmuar nxënësit të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë.
Kryetari Rama ka thënë se në këtë hapsirë sipas tij të dinjitetshme për nxënësit e talentuar, do të fillohet me ndërtimin e shkollës së muzikës.
“Hapësira të dinjitetshme për nxënësit tanë shumë të talentuar të cilët do të mësojnë në super ambiente, në shkollën e arteve pamore dhe performuese në Prishtinë.
Të premten vizituam terrenin ku do të ndërtohen objektet, duke filluar me shkollën e muzikës.
Me ndërtimin e kësaj shkolle ne do të arrijmë nivele të reja të arsimimit artistik duke ndihmuar nxënësit të zhvillojnë potencialin e tyre të plotë”, ka shkruar Rama në facebook./ KultPlus.com