Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se “cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive”.
Kur na ndajnë vetëm pak orë nga ndeshja Shqipëri-Spanjë, e vlefshme për EURO2024, Rama u shpreh se “askush nuk do ta besonte me mendje – me zemër tjetër punë – që në ndeshjen e tretë të grupit në EURO2024, Shqipëria do të ishte ende në lojë e që ndërkohë do të ishte e treta, jo e fundit në atë që është quajtur botërisht si “grupi i vdekjes”.
“Forca shqipe! Eksperienca shumë më e madhe e rivalëve në dy ndeshjet e para bëri të sajën kundër nesh, se përndryshe pozicioni ynë sot mund të kishte qenë edhe më i favorshëm. Po ky është futbolli dhe çdo pishman i sotëm është eksperiencë për të nesërmen”, u shpreh Rama.
Sot, vijoi ai, përballemi me skuadrën më të frikshme të grupit në një mision që në letër është 100 % i pamundur.
“Por topi është i rrumbullakët dhe në darkë të 12 lojtarët kuqezinj, ata në fushë dhe lojtari ynë i 12-të në shkallët e stadiumit, një ndër më fantastikët e këtij Europiani, nuk kanë absolutisht asgjë për të humbur, po vetëm duhet të luajnë e ta shijojnë deri në fund këtë moment magjik që kanë krijuar vetë”, shtoi Kryeministri.
Rama theksoi se “cilidoqoftë rezultati i ndeshjes me Spanjën, Kombëtarja jonë e re do të dalë me kokën lart e me një eksperiencë shumë të çmuar në nivelet më të larta sportive, e cila do t’i shërbejë që të rritet, të fitojë besimin dhe personalitetin e domosdoshëm për t’u përballur me sukses në sfidat e këtyre niveleve, duke na dhuruar të tjera kënaqësi të veçanta si kjo e EURO2024-ës”./atsh/ KultPlus.com
Një ekspozitë personale në mes të kryeqytetit francez! Galeria Marian Goodman do të paraqesë për artdashësit veprat e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.
Pjesë e krijimeve janë vizatime në letër, letra muri, skulptura qeramike dhe një qendisje me dorë. Kjo krijimtari tregon afërsinë e artistit me ngjyrën, e cila ka qenë thelbësore për Ramën si në karrierën e tij politike, ashtu edhe në veprimtarinë artistike, me aftësinë për të përcjellë elemente të psikikës, por edhe potencialin e saj për të ndryshuar perceptimet tona dhe për të gjallëruar, shkruan Galeria Marian Goodman, në një prezantim për këtë ekspozitë, që çelet në Parisin ky politikani jetoi në vitet ’90.
Për Ramën, vizatimi buron nga “nevoja për të gjetur një ekuilibër midis shikimit të brendshëm dhe shikimit të jashtëm”. Në vizatime automatike të cilat fokusohen në mendjen e pandërgjegjshme, me qëllim për të përmirësuar aftësitë e tij të përqendrimit dhe të dëgjimit, Rama vizaton gjatë takimeve dhe telefonatave në zyrën e tij.
“Di që vizatimet janë pjesë e punës sime. Bëhet fjalë për punën dhe është si diçka brenda meje që përpiqet t’i shpëtojë punës kornizë”, shprehet kryeministri.
Vizatimet përbëhen nga kompozime komplekse, të bëra me ngjyra të ndezura që mbulojnë pjesërisht letra të printuara A4, me shënime apo oraret e takimeve ditore.
Në njoftimin për mediat, Galeria Marian Goodman tregon se si ngjyrat që sot janë në tavolinën e kreut të qeverisë shqiptare, dikur, kur Rama drejtonte bashkinë e Tiranës, u bënë pjesë e një projekti ambicioz për rilyerjen me shumë ngjyra të fasadave të ndërtesave.
Duke u ndalur më tej te qeramika, shpjegohet se Rama realizon punimet në studion e tij jashtë Kryeministrisë gjatë kohës së lirë.
Ekspozita hapet për publikun të shtunën, në 8 qershor./tch/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë sot një takim në Theth me përfaqësuesit e agroturizmit që operojnë atje, ku do të prezantojë paketën e re të mbështetjes për investime në alpe.
I shoqëruar nga ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali dhe kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, Kryeministri u ndal fillimisht në Bunin e Bajraktarit të cilin e cilësoi, Ballkonin e Perëndisë.
Në një videomesazh nga Buni i Bajraktarit, Rama bëri të ditur se “do të diskutojë me ata të cilët kanë hapur dyert dhe e kanë kthyer Thethin në një destinacion europian turistik, për paketën e re të mbështetjes për investimet në këto male”.
Rama tha se kjo paketë do t’u hapë rrugën të gjithë atyre që i kanë lënë këto male në kërkim të një jete më të mirë dhe që kanë punuar dhe punojnë pa pushim duke kursyer.
“Kursimet e tyre mund t’i investojnë në tokat e të parëve me një lehtësi të plotë, pa pasur më ato hallet e pafundme të zinxhirit të pronave dhe pa pasur as nevojë të kalojë në të gjithë atë procedurë që kërkon firmat e të gjithëve që janë shpërndarë lart e poshtë. Me një mbështetje të fuqishme qoftë në aspektin e dhënies së lejeve për të rihapur shtëpitë e të parëve, për të ndërtuar agroturizmat, për të fituar shumë më tepër se sa fitojnë nga puna e lodhshme në shërbim të të tjerëve atje ku janë”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se kjo do t’i japë mundësi ekonomisë që të fuqizohet edhe më shumë, falë turizmit dhe falë miliona e miliona turistëve që po mësyjnë në Shqipëri.
“Janë edhe më shumë turistë këtë vit se 10 milionë të vitit të shkuar, që do të thotë shumë më tepër të ardhura, shumë më tepër konsum, punë për të gjithë zinxhirin e prodhimeve të vendit, mbi të gjitha shumë më tepër krenari për Shqipërinë”, tha Rama.
Ndërsa Spiropali nënvizoi zhvillimin që ka marrë zona e Alpeve.
“Këtu jemi në qendrën e Alpeve, pak më vonë do të shkojmë në Theth dhe do t’i biem përqark gjithë kësaj unaze, që si asnjëherë ka marrë një zhvillim të ri dhe besoj do të sjellë jo vetëm më shumë turistë, por edhe më shumë begati për gjithë banorët e kësaj zone”, tha ajo.
Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci bëri të ditur se do të fillojë loti i dytë i rrugës së Dukagjinit, shumë i mirëpritur nga banorët e zonës. “Sot makineritë janë atje, na presin të fillojmë komandën për të bërë edhe 30 km rrugë të tjera”, tha ai.
Kryeministri u shpreh: “Ka edhe një tjetër plan shumë ambicioz, por do ta mbajmë për një moment sekret dhe surprizë për shkodranët dhe Shkodërlocen, që tani me krahët e rilindjes do të fluturojë lart e më lart dhe do të kthehet në atë lartësi të cilën e kanë dashur dhe kënduar poetët e vetë të jashtëzakonshëm”./atsh/KultPlus.com
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë të ditur se sa turistë i pati shteti shqitparë për tre muajt e parë të vitit 2024.
Ai, me anë të një postimi në Facebook, tha se pati një rekord të vizitorëve në muzetë kombëtare.
“54,721 turistë kanë vizituar muzetë kombëtarë në periudhën janar-mars 2024, 122% më shumë krahasuar me vitin 2023, falë edhe rritjes së fortë të turizmit e cila vazhdon”, ka thënë Rama.
Agroturizmi “Max Mavrud” në Leskovik është një tjetër investim i ngritur me ndihmën e qeverisë përmes programeve të Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural.
Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale foto nga kjo pikë agroturistike, ku shijohet vera e mirë e kantinës dhe natyra e bukur.
“Bukuritë magjepsëse mes maleve të Leskovikut, ku agroturizmi Max Mavrud është kthyer në një destinacion i shumëkërkuar”, shkruan Rama.
Agroturizëm “Max Mavrud” në Leskovik është një destinacion ku mund të shijohet vera e mirë e kantinës dhe natyra e bukur e malësisë së jugut të Shqipërisë.
Një sipërmarrje private e nisur në vitin 2010 dhe e ndihmuar nga qeveria përmes programeve të AZHBR, kjo kantinë prodhon një ndër verërat e mira shqiptare, me 16 hektarë vreshta mbjellë në një terren malor, të harmonizuar nga një kombinim varietetesh të rrushit Mavrud, Merlot, Pinot Noir, Debine e Bardhë, Debine e Zezë dhe Perla.
Transformimi i zonave rurale në peizazhe atraktive, ka nxitur krijimin e agroturizmit si një model të ri të zhvillimit rural në Shqipëri.
Programi i qeverisë për bujqësinë ka në fokus të zhvillojë fshatin dhe turizmin rural nëpërmjet mekanizmave mbështetës, për rritjen e aktiviteteve agroturistike dhe bujtinave, që janë bërë atraksione me interes të veçantë për vizitorët dhe turistët e shumtë që i frekuentojnë ato në çdo stinë të vitit./atsh/ KultPlus.com
Me 131 vota për dhe 29 vota kundër Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës (KiE), votoi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë ndër më të rëndësishme evropiane.
Pas këtij vendimi ka reaguar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili e quajti hap historik.
“Urime, urime, urime nga zemra Kosovës dhe faleminderit të gjithë miqve e partnerëve në Asamblenë Parlamentare, që na mbështetën në hedhjen e këtij hapi të drejtë, i cili i dha Kosovës çka i takonte dhe i bëri nder vetë Këshillit të Europës”, u shpreh Rama.
“Tani hapi i fundit historik në maj, në Komitetin e Ministrave, ku të gjithë duhet të bëjnë të vetmen gjë të duhur”.
“Vulosjen e këtij anëtarësimi pa të cilin mozaikut europian të Këshillit të Europës i mungon një gur i pamohueshëm dhe i pazëvendësueshëm. Forca Kosovë”.
Varkat turistike janë sot një realitet në Liqenin e Shkodrës, duke rikthyer lundrimin në këtë pasuri të të gjithëve.
Pranë molit të Shirokës janë ankoruar tashmë dy varkat e para turistike me kapacitet 33 vende secila që janë një mundësi për vizitorët për të shijuar magjinë e liqenit më të madh në Ballkan.
Kryeministri Edi Rama publikoi sot pamjet nga udhëtimi i dy varkave turistike mbi Liqenin e Shkodrës, teksa i cilësoi edhe si dallëndyshet e para të linjës bashkiake të lundrimit turistik.
“Dallëndyshet e para të linjës bashkiake të lundrimit turistik janë rikthyer këtë pranverë në Liqenin e kryeqytetit të Veriut pas viteve ‘30 të shekullit të shkuar, falë mbështetjes së Fondit Shqiptar të Zhvillimit për bashkinë e rilindur të Shkodrës”, u shpreh kryeministri Rama.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, me rastin e vdekjes së aktores Shirine Morina ka ngushëlluar familjarët e saj dhe gjithë komunitetin artistik.
Kryetari Rama u shpreh se Shirine Morina ishte një aktore e madhe, e cila la gjurmë në botën e artit tonë.
Më poshtë gjeni shkrimin e plot
“Shirine ishte një aktore e madhe, e cila la një gjurmë në botën e artit tonë. Nga performancat e saj të jashtëzakonshme dhe të shumta në teatër, tek rolet memorabël në emisione të dashura në RTP dhe deri tek pranitë e saj të spikatura në seriale vendore, ajo shkëlqeu çdo herë.
Shirine Morina do të mbahet mend si një artiste e madhe e vendit, e cila ndriçoi skenën me talentin dhe pasionin e saj. Qoftë i përjetshëm kujtimi i saj”, është shprehur Kryetari Rama./KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau foto nga qyteti i Fierit, i zbukuruar nga çelja e luleve në këtë pranverë.
Kumbullat e kuqe të mbjella në rrugë kryesore tashmë kanë sjellë ngjyra e freski në qytet. Shëtitorja pranë lumit Gjanica në qytetin e Fierit është kthyer në një ambient shplodhës për qytetarët.
Projekti për rehabilitimin e Gjanicës synoi valorizimin e brigjeve të lumit, përmes gjelbërimit. Në projektin u përfshinë edhe sistemimi i ujërave të zeza dhe ujërave të shiut në zonën e shtratit të lumit, rehabilitimi mjedisor i lumit dhe krijimi i një peizazhi rekreativ për shtratin e lumit.
Po ashtu, u siguruan rrjete rrugore të mirëlidhura për këmbësorët, hapësira publike dhe në tërësi, një peizazh i përmirësuar infrastrukturor.
Lumi Gjanica, dikur një mrekulli natyrore, për shumë vite u keqpërdor nga bizneset, të cilat e shndërruan atë në një vendgrumbullim plehrash dhe hidrokarburesh.
Lumi Gjanica, me një gjatësi prej 42 km, buron nga Mallakastra dhe përshkon qytetin e Fierit. Ai është degë e Semanit dhe buron nga pjesa jugore e malit të Shpiragut, përshkon gjithë trevën e Mallakastrës, kalon mes përmes qytetit të Fierit dhe derdhet në Seman, në afërsi të Mbrostarit./atsh/KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka publikuar projektin fitues për koncept-dizajnin e kopshtit të ri në Lagjen Mati 1.
Kryetari Rama ka thënë se kryeqyteti po fillon një epokë të re me ambiente edukative moderne, ku fëmijët do të përgatiten jo vetëm në rrafshin edukativ, por edhe në atë social dhe emocional.
“Në thelb të konceptit të “Folesë” është të kuptuarit se ambienti luan rol thelbësor në zhvillimin e fëmiut. Është tanimë e dokumentar rëndësia e krijimit të një ambienti të sigurt, të cilin fëmiu e njeh, në rrënjosjen e ndjenjave të sigurisë dhe përkatësisë. Duke dizajnuar hapësira që u përgjajnë atyre të shtëpisë, ne kemi synuar që ta mbështesim zhvillimin kognitiv dhe emocional të fëmiut, duke bërë që dalja e tyre e parë midis të tjerëve të jetë më miqësore”, ka shkruar Rama.
Kryetari Rama ka treguar edhe filozofinë që qëndron prapa këtij projekti.
“Filozofia prapa dizajnit të “Folesë” ka në thelb krijimin e një kapërcimi pothuaj të pavërejtshëm midis rehatisë së shtëpisë dhe hapësirave edukative në çerdhe-kopsht. Çdo aspekt i dizajnit, përfshirë atë të brendshëm, që prej materialeve, formave dhe ngjyrave, është krijuar me kujdes ashtu që të krijojë idenë e përkatësisë dhe ngrohtësisë.
Jemi posaqërisht krenar që në një konkurencë ndërkombëtare koncepti i dy arkitektëve vendor fiton garën dhe vë gurthemelin e një epoke të re për arsimin dhe arkitekturën në kryeqytet.
Urime kopështit shumëngjyrësh të Matit”, ka thënë Kryetari Rama./KultPlus.com
Prestigjiozja italiane “Vanity Fair” i ka kushtuar një artikull të gjatë Tiranës, duke renditur 10 arsye pse duhet t’i kaloni pushimet në kryeqytetin shqiptar.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e gazetares Francesca Masotti, të botuar në “Vanity Fair”.
“Prestigjiozja italiane “Vanity Fair” i ka kushtuar një artikull kryeqytetit shqiptar, duke renditur 10 arsye pse duhet t’i kaloni pushimet në Tiranë, nga afërsia me Italinë, klima mesdhetare, muzetë origjinalë, përzierja unike e arkitekturës dhe një nga kuzhinat më të mira në Europën Jugore e të tjera arsye”, shkruan Rama.
Në artikullin e saj, Francesca Masotti e cilëson Tiranën, një qytet argëtues, të ri dhe me larmishmërinë gastronomike ndër më interesantet e Evropës Jugore.
10 arsye për të kaluar pushimet në Tiranë, nga Francesca Masotti
Edhe pse të shumtë janë ata që kanë kaluar pushimet verore atje, Shqipëria është ende një destinacion jashtë radarëve. Dhe kryeqyteti i saj, Tirana, është destinacioni ideal për një fundjavë ndryshe. Ka shumë arsye për ta zgjedhur atë: afërsia me Italinë, klima mesdhetare, muzetë origjinalë, përzierja unike e arkitekturës dhe një nga kuzhinat më të mira në Evropën Jugore. “Koncerte, ngjarje madhore, muzetë brenda bunkerëve, arti i rrugës kudo, restorante “gourmet” dhe një mori argëtimesh brenda dhe në periferi të qytetit. Tirana ka gjithçka që duhet për të mirëpritur vizitorët në çdo stinë të vitit”, thotë Ketrina Jarazi, drejtoreshë e Drejtorisë së Turizmit në bashkinë e Tiranës.
Vitin e kaluar Shqipëria tërhoqi mbi 10 milionë turistë (sipas asaj që raportohet nga Instat, instituti kombëtar shqiptar i statistikave) dhe shumica e tyre u ndalën edhe në Tiranë. Këtë vit shifrat, sipas statistikave, do të jenë edhe më të larta. Këtu janë dhjetë arsye të mira për të organizuar një udhëtim në Tiranë.
Qyteti është një përzierje unike e arkitekturës
Janë të paktë kryeqytetet në Evropë, ku brenda pak metrash mund të gjesh një kishë katolike, një kishë ortodokse dhe një xhami, ku në krah të ndërtesave të epokës komuniste gjenden ndërtesa të stilit italian, bunkerë dhe struktura tipike të një stili brutalist. Tirana është një prej tyre. Mjafton të ecësh nëpër rrugët e qendrës për të kuptuar menjëherë përzierjen unike të arkitekturës që karakterizon kryeqytetin kaotik shqiptar. Një kafe – po aq e mirë sa ajo italiane – në Kopshtin e Milleniumit, përgjatë Pedonales, pedonalja e këndshme në qendër, ose në kafenenë Opera në sheshin “Skënderbej” dhe më pas filloni të eksploroni Tiranën.
Në sheshin e madh, në qendër të të cilit ndodhet statuja e heroit kombëtar me të njëjtin emër nga vitet 1400 ndodhet Muzeu Kombëtar, Kulla e Sahatit, Teadri i Operas dhe Xhamia e Et’Hem Beut. Pak metra më tutje shfaqet Katedralja Ortodokse e Ngjalljes. Deri te Katedralja Katolike e Shën Palit dhe Xhamisë së Namazgjasë, më e madhja në Ballkan.
Është afër dhe lehtësisht e arritshme
Nëse deri para disa vitesh ishte e komplikuar dhe e kushtueshme të arrije në Tiranë, sot falë lidhjeve të shumta ajrore mund të arrish Shqipërinë në më pak se dy orë fluturim nga Italia. Linjat ajrore Wizzair, Ryanair, Ita Airways dhe Air Albania lidhin çdo ditë aeroportet kryesore italiane me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës “Nënë Tereza”, gjysmë ore larg qendrës së qytetit. Në Tiranë mund të udhëtoni gjatë gjithë vitit, falë klimës së butë. Periudha jashtë sezonit ju lejon të gjeni oferta të favorshme për fluturime dhe hotele, për të organizuar një udhëtim fundjave me buxhet të ulët në qytet.
Është e lirë
Edhe pse çmimet janë rritur edhe në Shqipëri vitet e fundit, për turistët që vijnë nga Italia pushimet në kryeqytetin shqiptar – dhe në përgjithësi në vend – janë ende të favorshme. Tirana, në fakt, krahasuar me kryeqytetet dhe qytetet e tjera, edhe në rajonin e Ballkanit, është ende e lirë. Sidomos kur bëhet fjalë për restorante, muze dhe hotele. Kostoja e biletave të hyrjes në muzetë kryesorë varion nga 3 € në 6 €. Për 50-60 € mund të flini në dhomë dyshe me mëngjes të përfshirë. Mes shumë të tjerësh, Hotel Mulaj pranë Piramidës, qendrës më të madhe multifunksionale në Ballkan, është një perlë e vogël me hapësira të bollshme dhe të dizenjuara. Nga ana tjetër, nëse jeni në kërkim të një akomodimi luksoz, The Crown Boutique Hotel me spa, restorant dhe një pamje mahnitëse të xhamisë së re, ose Marriott Tirana e re pranë Stadiumit Air Albania, janë adresat që duhet të shënoni në ditarin tuaj. Me 25-30 € mund të hani për dy në një restorant, porcione bujare. Kafeja? Kushton 1 € dhe nuk ka asgjë për t’i pasur zili atij italian.
Kuzhina shqiptare është e shkëlqyer
Gastronomia është një nga arsyet e mira për të shkuar në Tiranë. Vitet e fundit, kuzhina shqiptare është zhvilluar me ritme të jashtëzakonshme, veçanërisht në kryeqytet. Propozimet e restoranteve variojnë nga pjatat tradicionale në menutë bashkëkohore, deri në një përzierje të suksesshme të të dyjave. Shumica e shefave të kuzhinës shqiptarë që kanë fituar përvojë në restorantet më të mira evropiane janë kthyer në vendlindje për të hapur restorantet e tyre. Ashtu si Padam nga shefi i mirënjohur Fundim Gjepali (gjithashtu kreu i Antico Arco në Romë) një ndalesë e paharrueshme në Tiranë, Mullixhiu nga Bledar Kola (që pas tij ka eksperiencë në Noma të Kopenhagës) me gatime tipike të Shqipërisë veriore dhe Brutal, tempull gastronomik i kryeqytetit shqiptar ku shefi i kuzhinës Gent Malaveci ofron pjata origjinale si tomahawk në stilin paella dhe tartare viçi me salcë kimchi. Për gatime më klasike – byrekë të shijshme të mbushura, qofte me erëza, tavë kosi me bazë mish qengji dhe kos, dhe fërgesë me gjizë të kripur, speca dhe domate – por të përgatitura në mënyrë origjinale, është restorant “Era” me dy adresa në qytet. Ai pranë stadiumit “Air Albania” është i preferuari ynë.
Nga ana tjetër, EOS Mezze Bar është një lokal modern me elementë dizajni dhe mbretërinë e mezeve: menuja përfshin mbi 40 meze të mrekullueshme, meze tipike të Mesdheut lindor, meze toke, deti dhe opsione vegjetariane. Përveç përzgjedhjes më të mirë të koktejeve në Tiranë.
Shembull i tolerancës fetare
Pavarësisht sundimit të gjatë osman – rreth 500 vjet – dhe shpalljes së ateizmit shtetëror gjatë diktaturës komuniste (me pasojë ndalimin e praktikimit të feve), Shqipëria, pavarësisht se është sot një shtet laik, është jashtëzakonisht tolerante ndaj të gjitha besimeve fetare. Në territorin e saj jetojnë myslimanë, të krishterë ortodoksë, të krishterë katolikë, hebrenj dhe bektashi. Tirana është gjithashtu shtëpia e Qendrës Botërore Bektashiane, një vend i paharrueshëm, unik në panoramën evropiane. Është një teqe e madhe me mozaikë hipnotizues prej mermeri, dhoma kushtuar adhurimit dhe një muze, në dhomat e së cilës tregohet historia e Bektashinjve, një vëllazëri islame me origjinë sufi, e themeluar në shekullin e 13-të.
Muze origjinalë për t’u vizituar
Disa nga muzetë më origjinalë të kontinentit të vjetër ndodhen në Shqipëri, në Tiranë. BunkArt1 është një muze i ndërtuar brenda një bunkeri gjigant anti-atomik në periferi të qytetit. Shtatë kate nën tokë ku tregohet historia e vendit nga pushtimi fashist italian e deri te komunizmi. Mirëpo, pikërisht në qendër, BunkArt2 – krijuar në dhomat e bunkerit të vjetër të Ministrisë së Brendshme – është ndalesa për të thelluar njohuritë tuaja për historinë e Shqipërisë komuniste gjatë viteve të diktaturës së Enver Hoxhës. Së fundmi, në ish-selinë e policisë sekrete, Shtëpia e Gjetheve, fituese e Çmimit Muzeor të Këshillit të Evropës i kushtohet veprimtarisë së spiunazhit gjatë diktaturës.
Shumë ngjarje për të shënuar në ditarin tuaj
Të mërzitur në Tiranë? E pamundur. Qyteti ishte Kryeqyteti Evropian i Rinisë në 2022, Kryeqyteti Evropian i Sportit 2023 dhe në 2025 do të jetë Kryeqyteti Kulturor Mesdhetar i Kulturës. Ka shumë ngjarje që zhvillohen gjatë gjithë vitit. Në maj, Festivali i Ditës së Ngjyrave shenjon ardhjen e verës. Në fillim të shtatorit, Mural Fest, kushtuar artit të rrugës, tërheq artistë nga e gjithë bota që krijojnë murale në fasadat e ndërtesave të kryeqytetit. Nëse doni kinematografinë, Festivali Ndërkombëtar i Filmit TIFF-Tirana, me vëmendje të veçantë për artistët e rajonit, është eventi për t’u shënuar në ditarin tuaj. Maratona e Tiranës tashmë prej disa vitesh është një ngjarje fikse në vjeshtë, prej disa vitesh. Festivali i Librit është eventi më i madh shqiptar kushtuar botës së botimeve dhe mbahet çdo vit në muajin nëntor. Në fund, në dhjetor, sheshi “Skënderbej” shndërrohet në një “qytet” të madh Krishtlindjesh me stenda ushqimore, shtëpi prej druri dhe lojëra.
Turizëm i tejskajshëm? Këtu (ende) nuk ekziston.
Jeni lodhur nga radhët e gjata kilometërshe përpara hyrjeve të muzeve, galerive dhe pikave turistike me interes? Jeni të lodhur nga nevoja për të nxituar për t’u futur në një klub apo për të pozuar për një selfie të zakonshme që është e gjitha bujë në Instagram? Atëherë Tirana është destinacioni ideal. Është qyteti ku mund të strehoheni për disa ditë, për t’i shpëtuar turmave. Një destinacion nën-turizmi i përkryer, Tirana është një kryeqytet i ri, jo i fryrë, që rezulton të jetë një surprizë. Një fundjavë këtu është një mundësi jo vetëm për të kursyer para dhe stres, por edhe për të zbuluar një qytet të ri në një mënyrë më të thelluar, etike dhe të ndërgjegjshme. A ka ende kuptim të vizitosh muzetë më të famshëm në botë me nxitim, pa e kuptuar domethënien e tyre, duke shmangur një mori turistësh, vetëm për t’u thënë miqve apo të afërmve që ke qenë atje? Për një herë, a nuk do të ishte më e përshtatshme t’i kushtonit kohën tuaj zbulimit të një muzeu më pak të njohur mbi historinë e një kombi, fare pranë Italisë, me të cilën ruan lidhje të thella historike dhe në një vend ku nuk ndihesh i huaj?
Është afër detit
As 40 km nuk e ndajnë Tiranën nga Durrësi, një qytet me pamje nga Adriatiku dhe porti kryesor shqiptar. Nëse keni në dispozicion një ditë shtesë udhëtimi dhe dëshironi të kaloni disa orë në breg të detit është e lehtë të organizoni një udhëtim jashtë qytetit, duke filluar nga kryeqyteti. Durrësi është një nga qytetet më të vjetra të Mesdheut, me mbetje të shumta arkeologjike, ndër të cilat spikat Amfiteatri Romak, i ndërtuar midis shekujve I dhe II pas Krishtit, nën mbretërimin e Trajanit, i cili mund të strehonte mbi 20,000 njerëz. Një vizitë në qendrën historike dhe më pas direkt në plazh, edhe kur nuk është stina e nxehtë. Së pari, një ndalesë e shijshme në Sardi, një restorant peshku me një pamje magjepsëse të Adriatikut. Vlen të porositet përzierja e peshkut të papërpunuar, “paccheri alla pescatrice” dhe kallamarë të pjekur në zgarë. Durrësi ka plazhe të gjata me rërë të artë, me ujë të cekët dhe mjafton të lëvizësh disa kilometra nga qendra për të gjetur ujë të pastër dhe gjire sekrete ku të pushosh. Plazhi i Kallmit, një gji i pasur me faunë detare dhe ai i Kepit të Rodonit, një kep shkëmbor që del drejt detit Adriatik, me shkëmbinj dhe shkurre mesdhetare janë më të bukurit në zonë.
Shumë pranë natyrës
Pak minuta me makinë nga Tirana është gjithashtu e mundur të zhyteni në natyrën më të egër. Parku Kombëtar i Malit të Dajtit, 25 km në lindje të qendrës së Tiranës mund të arrihet me makinë, taksi ose përmes teleferikut Dajti Ekspress, i cili arrin në majë për rreth njëzet minuta. Është një parajsë për të apasionuarit e aktiviteteve në natyrë, argëtim në çdo stinë të vitit. Këtu ndodhet edhe Parku i Aventurave të Dajtit, një park aventure për të rritur dhe fëmijë, i krijuar në zemër të pyllit. Nëse preferoni më mirë ushqimin e mirë, sesa aktivitetet sportive, shumë pranë Tiranës ka plot struktura agroturizmi, ku mund të hani ushqime të shijshme vendase. Më e mira? Fustanella Farm dhe Kazerma e Cerenit, lëndë të para cilësore, përzierje shijesh dhe strukturash të lashta dhe bashkëkohore të rrethuara nga gjelbërimi. Vështirë të kërkosh më mirë./atsh/KultPlus.com
Prestigjiozja “Financial Times” i ka kushtuar një reportazh Shqipërisë, duke ndarë një përvojë unike të përjetimit nga udhëtarët e reporterët që kanë vizituar vendin tonë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale reportazhin e “Financial Times”, i cili sjell përjetime përmes qyteteve antike, rrënojave arkeologjike e objekteve të kultit, të staneve në malësi dhe të traditave shpirtërore.
“Reportazhi përcjell një stili jetese e mikpritjeje që për fat vendi ynë ende e ruan fort”, u shpreh Rama.
Përmes këtij reportazhi “Financial Times” përcjell një udhëtim në sitet e mbrojtura nga UNESCO, si Berati, Gjirokastra e Butrinti, përjetime nga Apolonia antike, jeta në zonat malore të vendit për t’u kthyer te zhvillimi i kryeqytetit, Tiranës.
“Vendi është magjepsës dhe i bukur, dhe njerëzit janë jashtëzakonisht miqësorë. Vendet antike si Butrinti dhe Apolonia kanë disa nga rrënojat më të bukura klasike në Mesdhe. Në brendësi, malet shpalosen në distanca të gjata, me qytetet e lashta osmane që komandonin luginat e tyre. Rrugët janë të mira, po ashtu dhe restorantet. Por, udhëtimi këtu ishte si nëpër dekada. Nganjëherë Shqipëria ndihej si Europa e stërgjyshërve tanë – karroca me kuaj, barinj që kullosin tufat, burra që korrin grurin me dorë dhe thithin bykun”, shkruan ndër të tjera “Financial Times”.
Për “Financial Times”, Tirana është një qytet më simpatik sesa thonë njerëzit për të.
“Ka kafene me tarraca në natyrë, një sallë të bukur koncertesh, një muze të madh arkeologjik dhe disa muze modernë tërheqës që katalogojnë idiotizmin dhe tmerret e periudhës komuniste. Por, isha i lumtur që dola nga qyteti në peizazhe të gjera rurale”, thuhet ndër të tjera në këtë reportazh./atsh/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ka folur sot për herë të parë edhe mbi projektin e paraqitur nga dhëndri i ish-Presidentit Trump lidhur me investimin e rreth 1 miliardë dollarë në ishullin e Sazanit dhe në Zvërnec.
Rama tha se ishulli ku do të investojë një nga firmat më prestigjoze të hotelerisë në botë, kthehet në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe.
Edi Rama:Këto ditë Jared Kushner, një sipërmarrës i madh amerikan dhe dhëndri i ish-Presidentit Trump shpalli publikisht ambicien për të investuar në dy sipërmarrje të mëdha në Shqipëri. Po ata që deri dje na tregonin Malin e Zi dhe Maqedoninë si shembuj të paarritshëm për zhvillimet në turizëm dhe investimet e huaja direkte, sot flasin për rrezikun që i kanoset Sazanit nga kthimi në një xhevahir i kurorës së artë të turizmit në Mesdhe. Delirojnë për rrezikun e shkatërrimit të një parku kombëtar imagjinar, të një zone të mbrojtur që e mbrojtur nuk ka qenë kurrë përveçse nga ushtarët e Enver Hoxhës që prisnin me dylbi zbarkimin e flotës së shtatë amerikane në Shqipëri dhe zbulojnë pastaj me rregull treshi se si doli në dritë arsyeja e errët për ndryshimet në ligjin e zonave të mbrojtura. Hija e ish-Presidentit amerikan dhe frika provinciale në fakt nga zemërimi i tij, ju kujtohet si thoshin atëherë për mua kur u zgjodh, po ja ku jam këtu sot, i pengon ata më gojështhururit që t’i bashkëngjiten këtyre zërave dhe të shohin rrufetë e akuzave dhe të shpifjeve në këtë rast, për mua djalin e paudhë që doli nga thesi i parave të Soros që kam hyrë në një mega aferë korruptive për djalin për shpirt të armikut më të betuar të Soros.
E vërteta që ka rëndësi në këtë mes nuk është se sa pa lidhje janë këto alarme për rrezikun që i kanoset natyrës shqiptare nga ndryshimet e ligjit të zonave të mbrojtura apo nga zbarkimi në Sazan i firmës më prestigjoze të hotelerisë në botë, e cila ka ndërtuar një dyzinë strukturash në zonat përrallore të UNESCO-s, në Azi dhe Lindjen e Mesme. E vërteta që ka rëndësi në këtë mes është që Shqipëria kampione e turizmit në rajon në 2030 nuk është një slogan për të ushqyer iluzionin e një të nesërme të ndritur, por një projekt gjeopolitik dhe ekonomik që po formësohet me plane dhe masa konkrete që krijojnë hapësirën e mundur për këtë zhvillim historik./topchanel/KultPlus.com
Gjirokastra turistike prezantohet në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit ITB Berlin, bashkë me qytete të tjera shqiptare nën sloganin “Albania All Senses”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale videon prezantuese të “Qytetit të gurtë” në Panairin e Berlinit, ku për tre ditë me radhë Shqipëria do të prezantojë më të mirën e ofertës turistike, me një axhendë të larmishme aktivitetesh, që do të kulmojnë me marrjen e “stafetës” si vendi i nderit për ITB BERLIN 2025.
E njohur më shumë si “Qyteti i gurtë”, Gjirokastra është sot një qendër me rëndësi në zhvillim e turizmit të trashëgimisë kulturore në Shqipëri.
Gjirokastra është përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s në vitin 2005, si një nga shembujt e mbijetuar në Ballkan të qyteteve tregtare të stilit osman.
Kjo përfshirje i ka bërë tashmë vlerat historike dhe kulturore të jenë pjesë e trashëgimisë botërore dhe që interesi të shtohet edhe jashtë kufijve.
Turistët që vizitojnë qytetin e gurtë mbeten përherë të mahnitur nga paketa e plotë turistike që u ofron qyteti dhe rrethinat përreth. Gjirokastra po renditet përherë e më shumë në qytetet elitare të turizmit shqiptar, duke thithur një numër gjithnjë në rritje të turistëve.
E njohur për shtëpitë e veta karakteristike, çatitë prej guri dhe muret e bardha, Gjirokastra është një nga pikat kryesore të turizmit në vend.
Pikat më të preferuara për t’u vizituar nga turistët janë Pazari karakteristik, Kalaja, muzeumet e qytetit, komplekset muzealë të Zekatëve, Skëndulajve, etj.
Jashtë vëmendjes të turistëve nuk ngelen edhe vlera të tilla si Parku Natyror i Viroit, siti arkeologjik i Antigonesë, por edhe resurset turistike në njësitë administrative. Tashmë guida turistike në Gjirokastër krahas qytetit të gurtë përfshin edhe udhëtimin apo qëndrimin një dhe disaditorë të turistëve në Lunxhëri, Cepo, Odrie, Antigone, etj./atsh/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama i është drejtuar me një letëmirënjohjeje Sekretarit Amerikan të Shtetit Antony Blinken, pas vizitës në Tiranë më 15 shkurt.
Përmes letrës, Rama shpreh ‘vlerësimin e thellë për të gjithë ata që mundësuan vizitën, veçanërisht Ambasadën Amerikane në Tiranë’, teksa vë theksin se Shqipëria ‘mbetet e përkushtuar për të mbështetur reformën shumë të nevojshme të shtetit të së drejtës si një bazë kritike e demokracisë shqiptare dhe një shtyllë jetike në përpjekjet për të luftuar korrupsionin’
Rama thotë se ka ardhur koha që Aleanca të thërrasë një Samit të plotë në Ballkanin Perëndimor, për herë të parë ndonjëherë. ‘Pas diskutimit tonë në Tiranë, dëshiroj të ritheksoj synimin e Shqipërisë për të pritur Samitin e NATO-s 2027, menjëherë pas atij që do të mbahet në vitin 2026, të cilin Turqia e ka ofruar bujarisht për të pritur’-thotë Rama.
Letra e plotë e Ramës drejtuar Blinken:
“Me vlerësim të thellë që ju shpreh mirënjohjen time të sinqertë për ju dhe delegacionin tuaj për vizitën tuaj në Tiranë më 15 shkurt. Gjithashtu do të doja të shpreh vlerësimin tim të thellë për të gjithë ata që mundësuan vizitën, veçanërisht Ambasadën Amerikane në Tiranë.
Më lejoni të përfitoj nga ky rast për të riafirmuar angazhimin e palëkundur të qeverisë shqiptare për aleancën tonë me Shtetet e Bashkuara dhe synimet tona të përbashkëta për promovimin e demokracisë, shtetit të së drejtës dhe të drejtave të njeriut.
Qeveria shqiptare mbetet e përkushtuar për të mbështetur reformën shumë të nevojshme të shtetit të së drejtës si një bazë kritike e demokracisë shqiptare dhe një shtyllë jetike në përpjekjet tona për të luftuar korrupsionin. Ne njohim gjithashtu rëndësinë e punës së bashku për të reformuar sektorë të tjerë kritikë të shoqërisë, të cilët janë thelbësorë për suksesin e rrugës së integrimit të Shqipërisë në BE.
Ndërsa përgatitemi për samitin e ardhshëm të NATO-s në DC, dëshiroj t’ju siguroj për angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për paqen dhe stabilitetin rajonal. Ne besojmë se është thelbësore të vazhdojmë të punojmë së bashku për të garantuar stabilitetin rajonal dhe për të zmbrapsur ndikimet e jashtme malinje, siç ndamë gjatë takimit tonë në Tiranë.
Besoj se ka ardhur koha që Aleanca të thërrasë një Samit të plotë në Ballkanin Perëndimor, për herë të parë ndonjëherë. Pas diskutimit tonë në Tiranë, dëshiroj të ritheksoj synimin e Shqipërisë për të pritur Samitin e NATO-s 2027, menjëherë pas atij që do të mbahet në vitin 2026, të cilin Turqia e ka ofruar bujarisht për të pritur.
Si një vend aleat, Shqipëria ka treguar gjithmonë përkushtimin e saj të palëkundur ndaj unitetit dhe vlerave të Aleancës. Duke ecur përpara për të pritur Samitin e NATO-s, ajo përsërit rolin e saj si fener i vlerave dhe qëllimit të Aleancës në këtë pjesë të Evropës.
Kjo ngjarje do të ishte me rëndësi historike dhe strategjike si për rajonin ashtu edhe për Aleancën. Do të përcillte mesazhin e fortë se rajoni është i një rëndësie strategjike për Aleancën.
Faleminderit përsëri, Sekretar Blinken, për vizitën tuaj në Tiranë dhe për mbështetjen tuaj të vazhdueshme në përpjekjet e Shqipërisë për të promovuar demokracinë dhe stabilitetin në rajon”-thuhet në letrën e Ramës./topchanel/KultPlus.com
Marrëveshjet e firmosura mes republikës së Turqisë dhe Shqipërisë:
Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Mjedisit, Urbanizimit dhe Ndryshimeve -Klimatike të Republikës së Turqisë për bashkëpunim ne fushën e mjedisit.
Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Republikës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë dhe Pyjeve të Republikës së Turqisë për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe zonave të mbrojtura.
Marrëveshje ndërmjet KM të RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë mbi statusin e zyrës së koordinimit të programit TIKA Tirana.
Marrëveshje kuadër ushtarake ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë.
Memorandum Mirëkuptimi ndërmjet Qeverisë së RSH dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë në Fushat e Medias dhe Komunikimit për komunikimin dhe informimin publik.
Protokoll Bashkëpunimi midis Korporatës Turke të Radio Televizionit dhe Radio Televizionit Shqiptar./topchanel/KultPlus.com
Kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka shprehur ngushëllime me rastin e vdekjes së imazhit të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore Lili Cingu, shkruan KultPlus.
Kryeministri Rama ka thënë se vdekja e Lili Cingut ka lënë të zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare.
“LAMTUMIRË
Ikja e Lili Cingut lë zbrazur fronin e mbretëreshës së valles shqiptare
U prehtë në paqe”, ka deklaruar Rama përmes një shkrimi në facebook/KultPlus.com
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka ndarë mirënjohje për kameramanin, Sylejman Kllokoqi, i cili më 15 janar 1999, ka xhiruar dhe pasqyruar të vërtetën e Masakrës së Reçakut, në të cilën mbetën të vrarë 45 civil.
Përmes një postimi në facbook kryetari Rama tha se pamjet e Kllokoqit u bënë dëshmi për zbardhjen e të vërtetës para botës.
Më poshtë gjeni postimin e plotë të kryetarit Rama në facebook:
PËR GUXIMIN, TRIMËRINË, PROFESIONALIZMIN NË PASQYRIMIN E SË VËRTETËS, MIRËNJOHJE PËR KAMERAMANIN SYLEJMAN KLLOKOQI
Më 15 janar 1999, Sylejman Kllokoqi me guxim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm xhiroi pamjet tronditëse të Masakrës në Reçak të Shtimes, ku 45 civilë u vranë në mënyrë brutale nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe.
Ky akt barbar u dënua ndërkombëtarisht, dhe pamjet e tij u bënë dëshmi e pakundërshtueshme që zbardhi të vërtetën përpara botës.
Realitetin e ashpër në Kosovë, horrorin e krimit mbi njerëzit tanë të pafajshëm e pa me sytë e vetë, ambasadori i OSBE-së, William Walker, i cili përmes pamjeve të xhiruara nga Sylejman Kllokoqi e të transmetuara nga agjencia botërore e lajmeve, Associated Press, i tregoi botës për krimet e rënda ndaj civilëve në Kosovë. Zëri i z.Walker dhe e vërteta e masakrës së Reçakut patën ndikimin e duhur për të ndalur spastrimin etnik që ishte duke iu bërë popullit tonë.
Sylejman Kllokoqi , me punën dhe guximin tënd, ke shkruar një faqe të rëndësishme në historinë tonë./KultPlus.com
Prestigjiozja franceze “Le Figaro” përshkruan Shqipërinë si një ndër destinacionet e fundit sekrete në Evropë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot shkrimin e “Le Figaro” i cili i bën jehonë Shqipërisë turistike.
Kryeministri u shpreh se “është fantastike nisja e vitit 2024 për Shqipërinë që vazhdon të jetë në listën e vendeve europiane më atraktive për t’u vizituar”.
“Pas CNN, tani prestigjozja franceze “Le Figaro” përshkruan Shqipërinë si një ndër destinacionet e fundit sekrete në Evropë mes plazheve të bruzta me rërë të bardhë, qyteteve të lashta historike dhe Vjosës, Parkut të parë Kombëtar të një lumi të egër”, tha Rama.
Kryeministri bëri po ashtu të ditur se 127 mijë turistë francezë zbuluan vendin tonë gjatë vitit 2023, duke konsoliduar hartën e tregjeve nga Evropa Perëndimore./atsh/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau mëngjesin e sotëm pamje nga festimet në qytetin e Shkodrës.
Rama uroi ditë të mbarë “me zemrën e hapur dritash për festa të Shkodrës, ku hapen para njerëzisë edhe lidhjet e dashnisë”, siç shkroi ai në rrjetet sociale.
Edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci ndau pamje nga festa ku të pranishmit shijuan muzikën e këngëtarëve Kamela Islamaj dhe Keli Band.
Në këtë festë nuk mungoi edhe një propozim për martesë, ku Egzoni dhe Elesa kurorëzuan dashurinë e tyre në Shkodër. Ajo i tha po, në mes të festës./atsh/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në Asamblenë e Zgjeruar të Partisë Socialiste në Dibër, u ndal tek turizmi, duke theksuar se ambicia është të kemi 20 apo 30 milionë turistë.
Sipas Ramës, turizmi është një industri e cila ka nevojë për burime njerëzore dhe në këtë drejtim ai u bëri apel prindërve të nxisin fëmijët e tyre drejt arsimit profesional, si rruga më e mirë për t’i siguruar një të ardhme fëmijëve të tyre.
“Këtu është hapur një derë e re oportunitetesh për turizmin për të gjithë, pasi është eksporti më i madh, që s’ke nevojë ta marrësh mallin nga këtu e ta çosh matanë detit, por të vinë ata këtu te ty. S’ka nevojë të prodhosh ushqim, çfarëdo qoftë, domate, apo ku ta di unë, dhe thua po dal poshtë t’i shes. Jo. Ti prodhon, i mban e i han turisti atje te ty. Dhe turizmi po kthehet në një industri dhe këtë vit deri tani kemi arritur 9 milionë turistë, në fund të dhjetorit mund të jenë 10 milionë turistë dhe ambicia jonë është 20 milionë, apo dhe 30 milionë turistë, nuk ka limit këtu”, tha Rama.
Por sipas tij, kusht është shërbimi, dhe ky sektor kërkon arsim profesional.
“Ana tjetër janë shërbimet, njerëzit me formim profesional. Është një zinxhir i tërë shërbimesh. Jo vetëm ai që hap hotelin dhe bujtinën, por ata që punojnë për të gjithë zinxhirin. Është fatkeqësi shumë e madhe që ua bëjmë fëmijëve, pa dashje apo nga dëshira e mirë, që i çojmë në gjimnaz apo universitet, për t’i lënë si pulë pa kokë në rrugë, pa asnjë zanat. Jo të gjithë mund të bëhen shkencëtarë, mjekë, juristë, ekonomistë etj., dhe s’ka nevojë për kaq shumë. Por shumëkush mund të bëhet zanatçi”, tha Rama.
“Dhe të marrësh një fëmijë, i cili s’i ka rezultatet ekselente, i cili i ka 5, 6, 7, dhe ta çosh në gjimnaz, është ta marrësh në qafë. Nëse atij fëmije i jep një shkollë profesionale, zanat, i jep mundësi që nesër të ketë jo vetëm një çelës për t’i hapur derën punës së tij, por edhe mundësinë për të hapur një biznes të vogël, që mund të bëhet i madh”, tha kryeministri.
“Ata që hapin biznese nuk janë shkencëtarë, por njerëz që kanë talente të çajnë rrugën në një fushë tjetër. Përse atëherë shoqëria dhe qeveria të mos i japi mundësi këtyre personave të marrin zanate, pasi kush ka një zanat nuk është asnjëherë vetëm”, tha Rama.
“Rreziku më i madh që përballemi është të mos kemi mundësi të plotësojmë kërkesat e kësaj industrie për shkak të burimeve njerëzore të pakualifikuara. Duket një gjë e lehtë se po hapim një hotel, por pjesa kryesore është shërbimi”, tha Rama.
Ai u bëri apel prindërve që t’i drejtojnë fëmijët e tyre drejt arsimit profesional.
“Këtu takova nxënës të mirë të shkollës profesionale që lidhet me kodimin dhe këta pa mbaruar shkollën do punojnë nga këtu për jashtë vendit”, tha Rama./atsh/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot “deri disa vite përpara do na duhej një kurajo e jashtëzakonshme për të imagjinuar që në 2023 do të arrinim që pa ardhur akoma nëntori dhe dhjetori të kishim 9 milionë turistë dhe me gjasë nëse ritmi do të vazhdojë kështu do t’i afrohemi 10 milionë turistëve”.
Në fjalën e tij në Asamblenë e Zgjeruar e Partisë Socialiste në Pogradec, Rama tha se “10 milionë turistë janë një mundësi e re e jashtëzakonshme në aspektin ekonomik për të gjitha familjet”.
“Ju keni qenë vetë dëshmitarë të këtij viti jo vetëm Korça e Pogradeci, por edhe të gjitha bashkitë e tjera të qarkut kanë pritur shumë më tepër se çdo herë tjetër turistë të huaj”, u shpreh Rama.
“Fakti që turistët ikin me përshtypjet më të mira duhet të na bëjë të mendojmë që të tjerë do të kthehen edhe më të shumtë në numër. Ne jemi një vend shumë i vogël në skenën e madhe të botës, do të kemi mundësinë të presim çdo vit e gjithmonë më shumë turistë që do të thotë më shumë konsumatorë, më shumë njerëz që kanë nevojë të ushqehen, të flenë, të blejnë për të marrë kujtime me vete”, nënvizoi Rama.
E gjitha kjo, vijoi Rama, është një zinxhir i tërë prodhimi e shërbimesh ku të gjithë po të duan mund të përfshihen se nuk ka asnjë cep të Shqipërisë nga bregu i detit deri në majë të maleve që nuk ka fuqi që të tërheqë vizitorë e turistë.
“Kjo do të thotë që për ekonominë familjare në Shqipëri ka lindur një mundësi e re e madhe, për prodhuesit shqiptarë ata që janë në ara, në tokat bujqësore apo ata që përpunojnë prodhimet bujqësore e blegtorale, apo në artizanat apo në të gjithë zinxhirin e shërbimeve ata që bëjnë transport apo që presin në bujtina, hotele apo shtëpi është mundësi për të fituar më shumë e më shumë”, tha Rama.
Më tej, Kryeministri Rama theksoi se “po mbyllet një vit dhe bëhemi gati për një tjetër vit me sfida të rëndësishme, por edhe me një numër mundësish të reja që i kemi krijuar në funksion të njerëzve, komuniteteve, vendit”.
“Vazhdojmë me një numër mbresëlënës turistësh edhe në këtë periudhë të vitit që na tregoi që Shqipëria është ngritur në një nivel tjetër dhe që është një destinacion turistik jo vetëm sepse ne mendojmë kështu apo pse disa të tjerë mendojnë kështu, por sepse e gjithë bota na shikon kështu”, tha ai.
Fakti, shtoi Rama, që edhe pas sezonit veror vazhdojmë të kemi numra inkurajues të turistëve që vijnë në Shqipëri është diçka që duhet të na japë shumë kurajo për vitin e ardhshëm./atsh/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau sot një shkrim të “National Geographic Travel” që rekomandon Alpet Shqiptare si destinacion për t’u vizituar në 2024-ën.
Në artikullin e botuar nga “National Geographic Travel” theksohet se, “udhëtarët, që kërkojnë diçka më ndryshe nga aventurat e tyre të mëparshme evropiane po shikojnë gjithnjë e më shumë drejt Shqipërisë. Vendi ballkanik po tërheq një numër në rritje vizitorësh falë brigjeve të tij në Adriatik dhe Jon, të kaluarës intriguese osmane dhe komuniste dhe skenës relativisht të sapolindur të turizmit”.
“Të zhytura në brendësi të veriut, Alpet Shqiptare janë një e pjesë e rëndësishme e turizmit shqiptar. Bjeshkët e Nemuna, kjo mbretëri e majave të thepisura karstike është një ëndërr për alpinistët, ku rrëqebujt enden nëpër pyjet e bredhit dhe lulet e egra mbulojnë sipërfaqen e luginës. Ata që kërkojnë të eksplorojnë shtigjet sfiduese të rajonit mund të bëhen pjese e një turneu tetëditor, i cili ofron një itinerar që përfshin udhëtime nëpër shtigjet malore, shtëpitë tradicionale dhe një vizitë në fshatin e Thethit, duke përfshirë edhe ecje në Majat e Ballkanit. Shqipëria është gjithashtu më e aksesueshme se kurrë falë një sërë linjash të reja ajrore”, thuhet në artikull./atsh/KultPlus.com
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale shkrimin e medias së njohur australiane “The Sydney Morning Herald” për turizmin e Shqipërisë.
“Perlat e Shqipërisë turistike jehojnë edhe në Australi me “The Sydney Morning Herald””, shkruan kryeministri Rama.
Rama thekson se, “The Sydney Morning Herald”, na vendos në listën e vendeve të cilat duhen zbuluar sa më shpejt për qytetet unike si Gjirokastra, për alpet, rivierën, dhe vendet me vlera arkeologjike”, teksa publikon linkun e këtij reportazhi: https://www.smh.com.au/…/amazing-and-crowd-free-12-of…
Reportazhi dedikur turzimit shqiptar, i publikuar në gazetën e përditshme “The Sydney Morning Herald”, që botohet në Sidnej, përmes një përshkrimi pikant, të destimacioneve historike, turistike dhe jetës mesdhetare në vendin tonë, i jep përgjegje pyetjes, pse do të shkoja në Shqipëri?.
Kjo pikë e re e nxehtë e pushimeve ka një vijë bregdetare të Adriatikut, kështjella mesjetare, rrënojat e lashta greke dhe romake dhe një brendësi tepër të thyer. Lonely Planet e renditi atë në listën e saj “Më të mirat në udhëtime” në 2023″, shkruan ndër të tjera “The Sydney Morning Herald”./atsh/KultPlus.com