Ramadan Nishori është viktimë e dhunës seksuale nga forcat serbe, i cili sapo ka folë publikisht për këtë akt që e ka mbajtë në vete për 26 vjet me radhë.
Vasfije Krasniqi është gruaja e parë që ka folë publikisht për dhunimet nga forcat serbe, dhe edhe me këtë rast i është drejtuar me një letër mbështetëse Ramadan Nishorit. KultPlus ju sjell të plotë letrën e saj.
I dashur Ramadan,
E kujtoj qartë ditën kur më thirre për herë të parë, në vitin 2018, për të ndarë dhimbjen tënde me mua. Atëherë e ndjeva peshën e fjalëve tua dhe ashtu si atëherë, edhe sot, më kujtohen lotët e tu, lotë që flisnin më shumë se çdo fjalë. Në çdo bisedë tonën, në çdo takim, unë e ndjeja thirrjen tënde për drejtësi, për mirëkuptim, për shërim. Dhe atëherë, ashtu si sot, ta thashë me gjithë zemër: do të jem pranë teje, çdo ditë të jetës sime.
Do të jem përkrahja jote më e madhe, jo sepse më ke zgjedhur, por sepse e meriton. Dhimbja dhe vuajtja jote nuk janë vetëm e kaluara jote, por një barrë që ti e ke kthyer në forcë dhe në zë për të gjithë ata që nuk mund të flasin ende.
Të jetosh në një shoqëri kaq patriarkale, ku burrat mësohen të heshtin, ku dhimbja maskohet me forcë dhe ku plagët nuk pranohen – dhe të marrësh guximin të dalësh para botës dhe të flasësh për dhunën seksuale që ke përjetuar – është një akt që frymëzon. Është një dritë në një rrugë të errët. Ti je shembull për gjithë ne, në këtë vend, në këtë kohë.
Përkulem me respekt para forcës tënde, para vullnetit tënd për të mos u dorëzuar, për të luftuar për të vërtetën tënde. Faleminderit edhe familjes tënde, që u bë krah dhe mbështetje, që të qëndroi afër kur rruga ishte më e vështirë.
Ky rrugëtim, Ramadan, nuk është i lehtë. Është i mbushur me pengesa, me mosbesim, me stigma. Por është i domosdoshëm. Jo vetëm për ty, por për të gjithë ne. Shpresoj me gjithë zemër që shoqëria jonë të të trajtojë me respektin dhe dinjitetin që e meriton, dhe që shteti të njohë dhe të vlerësojë aktin tënd të guximshëm – sepse ajo që ke bërë ti sot është më shumë se rrëfim, është histori që do të ndryshojë jetë.
Me respekt dhe përqafim të ngrohtë,
Vasfije Krasniqi Goodman./ KultPlus.com
