Hartimi i Heroit Agim Ramadani (FOTO)

Sot, janë bërë 61 vite nga lindja e heroit të kombit, Agim Ramadani. Përveçse strateg i luftës, ai ka qenë edhe artist i lindur i cili ka krijuar piktura dhe poezi të shumta.

Në përvjetorin e tij të lindjes, KultPlus ju risjell hartimin e tij të shkollës së mesme, në të cilin profesoresha Shejnaze Elezi e ka notuar me 5 plus./ KultPlus.com

Dëshmorët kanë vetëm ditëlindje, 61 vite nga lindja e Agim Ramadanit

Sot janë bërë 61 vite nga lindja e Heroit të Kosovës Agim Ramadanit.

Agim Ramadani (3 Maj 1963 – 11 Prill 1999) i njohur ndryshe me nofkën “KATANA”, ishte njëri prej komandantëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si dhe komandant i Zonës së Koshares.

Gjatë luftës në Kosovë në vitin 1998, ai zhvilloi operacione të suksesshme ushtarake kundër forcave serbe përreth kufirit Kosovë–Shqipëri dhe ai gjithashtu mori pjesë në Betejën e përgjakshme të Koshares e cila u zhvillua më 9 Prill të vitit 1999, ku edhe ishte komandant i Brigadës 138 deri në ditën e rënies heroike të tij. Pas përfundimit të luftës, ai u shpall Hero i Kosovës.

Lindi më 3 Maj 1963 në fshatin Zhegër të Komunës së Gjilanit dhe ra dëshmor më 11 Prill 1999 në fshatin Koshare të Komunës së Gjakovës gjatë një luftimi ballë për ballë me forcat serbe.

Të parët e Familjes së tij ishin me prejardhje nga Malësia e Karadakut, pikërisht nga fshati Depcë afër Preshevës. Shkollimin Fillor e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën e Mesme Teknike në Gjilan në vitin 1980, dhe më pas e vazhdoi Akademinë Ushtarake–Drejtimi i Komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.

Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak dhe në Zvicër ku jetoi si emigrant politik dhe me fillimin e luftës në Kroaci, ai e braktisi ish–Armatën Jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 pranohet anëtarë nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.

Ndonëse e kishte të rregulluar statusin e emigrantit, Agim Ramadani në vitin 1998, iu përgjigj thirrjes së atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke i lënë në Zvicër gruan dhe tre fëmijët e tij.

Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet. Ishte i pari që shkuli gurin-piramidën-kufitare në Koshare.

Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur “Zharret”, ai ra dëshmor. Llogaritet si një nga heronjtë më të njohur të historisë së re shqiptare. Në Gjilan para Teatrit Kombëtar i është ngritur një shtatore, në të cilën janë komponuar të gjitha elementet artistike dhe luftarake të Agim Ramadanit–KATANËS./ KultPlus.com

Edhe një medalje për shtetin e Kosovës, atleti Muhamet Ramadani i bronztë në Kampionatin Evropian

Atleti Muhamet Ramadani ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian U-23 në Espoo të Finlandës, në disiplinën e hedhjes së gjyles, shkruan KultPlus.

Ramadani me një gjuajtje të jashtëzakonshme prej 19.20, ka arritur të siguroj vendin e tij në podium mes 15 garuesve tjerë.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një postimi në facebook ka thënë se suksesi i Ramadanit përfaqëson potencialin dhe talentin e sportistëve ë Kosovës, që po vazhdojnë të lënë gjurmë në skenën sportive ndërkombëtare.

“Suksesi i Ramadanit jo vetëm që shënon sukses për karrierën e tij, por gjithashtu përfaqëson potencialin dhe talentin e sportistëve tanë që po vazhdojnë të lënë gjurmë në skenën sportive ndërkombëtare”, thuhet në postimin e ministrisë në facebok/KultPlus.com