“Ramë Lahaj International Opera Festival”, ka njoftuar se që nga data 21 korrik deri më 2 gusht do të mbahen pesë mbrëmje muzikore, në këtë edicion të “Ramë Lahaj International Opera Festival”.
Festivali do të mbahet nën moton “T’knoft zemra”, dhe do të hapet me mbrëmjen “Nexhmije Pagarusha”, dedikuar muzikës shqipe.
Ndërsa, përmbyllja e festivalit do të bëhet me Gala Night – Rame Lahaj & Friends.
“Shënoni datat në kalendar! Pesë mbrëmje muzikore ju presin në këtë edicion që fillon me 21 Korrik dhe përmbyllet më 2 Gusht. Nën moton ‘T’knoft zemra’ sivjet festivalin e hapim me mbrëmjen ‘Nexhmije Pagarusha’ dedikuar muzikës shqipe dhe do ta përmbyllim me Gala Night – Rame Lahaj & Friends”, thuhet në njoftim./KultPlus.com
Tenori i njohur shqiptar, Ramë Lahaj, së shpejti do të mbajë koncertin e tij të parë të plotë në Shqipëri.
“Ramë Lahaj & Friends” do të performojnë më 8 qershor, në Shkodër.
Për përformancën e tij kanë njoftuar edhe nga Bashkia e Shkodrës, të cilët anë shprehur se Ramë Lahaj ka zgjedhur Shkodrën për koncertin e tij, si një qytet që e dashuron kulturën dhe muzikën.
“Tenori Ramë Lahaj, i cili është ngjitur në disa prej skenave më prestigjioze të botës, ka zgjedhur jo rastësisht Shkodrën për koncertin e tij, si një qytet që e dashuron kulturën dhe muzikën në të gjitha format e saj”, thuhet në njoftimin e Bashkisë Shkodër.
Tenori Lahaj konsiderohet si një ndër artistët e parë kosovarë të operës, që ka interpretuar në teatrot më të mëdha të botës, duke ndarë skenën me legjenda të operës si Placido Domingo, që më vonë e nderoi atë me çmimin e Konkursit Botëror të Operës “Operalia”.
“Së shpejti në Shkodër locen që na ka dhanë përherë veç dashni… mirupafshim!”, ka shkruar vetë Ramë Lahaj në rrjete sociale./KultPlus.com
Tenori i njohur shqiptar, Rame Lahaj, pavarësisht ngarkesës së përgatitjeve të festivalit i cili është në prag të nisjes së edicionit të 3-të me radhë, ka gjetur kohë të bëjë një vizitë shumë të veçantë, shkruan KultPlus.
Tenori Lahaj, ditën e sotme ka vizituar Shtëpinë e të Moshuarve në Prishtinë dhe ka shfrytëzuar rastin t’i ftojë që të bashkohen në festivalin RLIOF.
Kjo ftesë, padyshim që është mirëpritur nga të moshuarit pasi është një iniciativë jashtëzakonisht e mirë për të ju dhënë atyre mundësi që të bëhen pjesë e organizimeve të ndryshme në vend.
“Pavarësisht ngarkesës së përgatitjeve të festivalit, posaçërisht Gala Mbrëmjes që mbahet këtë të diel më 23 Korrik në Sheshin e Prishtinës, asesi nuk mund të mos vija deri tek Shtëpia e të Moshuarve, për t’i vizituar e për t’i ftuar të na bashkohen në festival. Këto shtëpi janë shtëpi të Zotit ku akomodohen ma të dashtunit e ma të mirët e shoqërisë sonë.
Marrë parasysh rrugëtimin sfidues të kombit tonë, traditën e kulturën, karshi dinamikës së madhe të jetës moderne, ne e kemi obligim moral që asnjëherë mos ta humbasim fokusin nga këto shtëpi të bekume”, shprehet Lahaj duke bërë thirrje që t’i mbajmë sa më mirë e të kujdesemi sa më shumë për këtë kategori të shoqërisë.
“T’i mbajmë sa më mirë e të kujdesemi sa më shumë për to.
E ju miq, i paçi me shëndet e jetë të gjatë ma të dashtunit tuaj, kudo e sado larg që mund t’i keni. Përqafime”, shkruan tenori Lahaj.
Ju kujtojmë që Gala Mbrëmja “Rame Lahaj & Friends” e cila do të mbahet më datë 23 korrik, nis rrugëtimin e pesë netëve muzikore të Festivalit Ndërkombëtar të Operas, festival ky që ka sjell në Kosovë emra të mëdhenj të botës operistike. / KultPlus.com
Rame Lahaj International Opera Festival ka kënaqësinë t`ju ftojë në konferencën e dytë për media, në të cilën do të diskutohet rreth natës Gala të festivalit.
Konferenca do të mbahet nesër, me 31 korrik, (e diele), prej orës 12:30, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare të Kosovës.
Të pranishëm në konferencë do të jenë:
Rame Lahaj – Tenor Përparim Rama – Kryetar i Prishtinës Valerio Galli – Dirigjent Pretty Yende – Soprano Franco Vassallo – Bariton Jean Bernard Thomas – Tenor Erza Muqolli – Këngëtare Anna Bondarenko – Soprano Ulpiana Aliaj – Koordinatore artistike e festivalit. /KultPlus.com
Arta Jashari, Zana Abazi, Mirlinda Koci, Klodjan Kaçani, Armand Likaj, Granit Musliu dhe Mennan Bërveniku kanë sjell mbrëmë një natë që gjurmët e saj i ka lënë të pashkoqitura nga kujtesa e gjithsecilit. Me një repertor të mrekullueshëm dhe vepra që erdhën për herë të parë në skenën tonë, nata e tretë në kuadër të “Ramë Lahaj International Opera Festival”, ka krijuar një urë lidhëse mes zërave sa të ndryshëm aq edhe energjik, që me fuqinë dhe vrullin e tyre jo të zakonshëm, kanë mbështjellë këtë natë që vjen dedikim ndaj ikonës së muzikës shqiptare, Nexhmije Pagarusha, shkruan KultPlus.
Fillimisht, ajo se çka dallohej qysh në hyrje të këtij koncerti ishte numri tejet i lartë i të pranishmëve të cilët kanë mbushur sallën qosh më qosh. As karriget e shtuara në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare nuk mjaftuan për t’i ulur të gjithë të pranishmit. Ndonëse qëndrimi në këmbë është tejet i lodhshëm, ishte publiku në pjesën e fundit ai që qëndroi nga nisja e këtij koncerti e deri në fund. Ndërkohë, nata e tretë e këtij festivali ka sjellë edhe disa ndryshime të vogla por që patën efektin e tyre. Reflektori në ngjyrë rozë në prapavijë veçse i ka shtuar hijeshi skenës, ndërkohë reflektorët në ngjyrën e portokalltë dhe verdhë që ishin të vendosura anash përgjatë hapësirës, i kanë dhënë një llojllojshmëri të bukur, dukjes në sallë. Në anën tjetër, ishin dritat e ngrohta përballë skenës dhe ato anash që kanë ndriçuar akoma më shumë vendin duke bërë që edhe veshjet e secilit interpretues të duken të mahnitshme.
Hapjen e kësaj mbrëmjeje të festivalit ‘RLIOF’ e nisi koordinatorja artistike e festivalit, Ulpiana Aliaj e cila u shpreh se kjo natë do ta ketë një repertor të mahnitshëm që publiku do ta shijojë.
“Jemi me të vërtetë të lumtur që sot e nderojmë një këngëtare e cila përfaqëson jo vetëm artin e të kënduarit por artin e magjisë së zërit të saj dhe gjithçkaje që ajo përfaqëson. Jemi të kënaqur që në këtë mbrëmje përveç të gjithave, festojmë sot edhe përvjetorin e kompozitorit Çesk Zadeja. Për nder të tij, për herë të parë në skenën tonë do të kemi prezantimin e një mori veprash që interpretohen nga artistët tanë të mrekullueshëm, zëra që përfaqësojnë denjësisht vendin tonë. Do të shijoni një larmi shumë të madhe të veprave që i përkasin këtij repertori shqiptar”, thotë ajo.
Të pranishmit dukshëm ishin të entuziazmuar për programin e veçantë që kishin mundësi ta shikonin ende pa nisur koncerti. Ndërkohë, para se melodia e parë të jehonte nëpër zemrën e secilit, ishte skena ajo që mori vëmendjen e plotë. E mbushur me mikrofona të ndryshme e të nevojshme për audion perfekte dhe pianon bardh e zi të vendosur sipër, skenës tash i mungonin vetëm artistët shqiptarë dhe zërat e tyre buçues dhe diversiv.
Ishin 17 vepra që absolutisht kanë përthekuar këtë natë me magjinë që sollën nga momenti në moment. “Eja vashë”, “Romancë”, “N’mes dashurive”, “O ju male t’nalta”, “Mori e bukura e mërhitur”, “Kjo shtëpi me ballë në erë”, “Te kroni”, “Ndalu që të flasim”, “Doli dielli doli hana”, “Dy kupa”, “Aria e Kalorit”, “Oh ky tregim…”, “Zemër e dashur”, “Djaloshare”, “Mall”, “Fjalët e qiririt” “Aria e Plakut flokëbardhë”, erdhën njëra pas tjetrës dhe me to së bashku u shfaq edhe diversiteti i mahnitshëm i zërave të artistëve, intensiteti i së cilave ka dalë edhe jashtë katër mureve.
Sopranoja Arta Jashari, sopranoja Zana Abazi, sopranoja Mirlinda Koci, tenori Klodjan Kaçani, baritoni Armand Likaj, tenori Granit Musliu si dhe pianisti Mennan Bërveniku kanë ndezur flakë skenën me interpretimin e tyre të një repertori krejtësisht të mbushur me vepra shqiptare. Veprat e kompozitorëve si: Lola Gjoka, Çesk Zadeja, Prenk Jakova, Zef Çoba, Avni Mula, Endri Sina, Rauf Dhomi, Tonin Harapi, Pirro Çako e Limoz Dizdari, kanë ardhur në një mënyrë që as s’do përshkrim. Mjaftonte të dëgjoje ritmin në publik që herë pas here i bashkëngjitej tekstit të secilës këngë, për të kuptuar se ky koncert ka përçuar emocione të jashtëzakonshme.
Herë në dyshe e herë në solo, mbrëmja kulmoi me kryevepra të njëpasnjëshme. Dukja mbresëlënëse e tri sopranove si dhe prezenca skenike që dy tenorët, baritoni dhe pianisti posedonin, kanë bërë që çdo tingull e çdo melodi të bëhej dyfish edhe më e bukur e të ndjehej akoma edhe më shumë. Lëvizjet e duarve të tyre, lëvizjet e kokës në kahje të ndryshme në një gërshetim të pakrahasueshëm me vijën melodike që pianisti e sillte vazhdimisht në një mënyrë të pashoq, ka dëshmuar se skena kulturore në Kosovë ka një dashuri e pasion të paepur për mbrëmje të mirëfillta klasike.
Edicioni i dytë i këtij festivali dukshëm ka sjellë surpriza unike kësaj here, dhe mbrëmja e ditës së djeshme qe e tillë. Interaktiviteti mes artistëve, zërat gërshetues të tyre dhe shikimet e ëmbla që pasonin në skenë, ishin vetëm disa nga copëzat magjepsëse që këtë natë e bënë aq të afërt e aq të ngrohtë për audiencën. Dëshmi për këtë ishin edhe duartrokitjet e shumta e të zgjatura pas secilës këngë, e herë edhe ato që lëshoheshin pak para se kënga të gjente fundin e saj.
Krejt në fund, ishte tenori Ramë Lahaj që njëkohësisht është themeluesi i festivalit ‘RLIOF”, si dhe sopranoja e njohur Elbenita Kajtazi, ata të cilët iu bashkëngjiten skenës për të lënë gjurmën e fundit për këtë natë. Vepra “Lule Borë” nga gjithsej tetë artistë ngriti publikun në këmbë për një përmbyllje sa të lezetshme aq edhe të fuqishme. Fishkëllimat e zgjatura në shoqërimin e duartrokitjeve nga ana e publikut, ishin ato që dëgjoheshin më së shumti e kjo veçse solli edhe buzëqeshjet e artistëve në skenë, si një sinjal që puna e tyre e palodhshme do të mbetet gjithmonë e vlerësuar dhe do të mbahet mend përherë.
Baritoni Armand Likaj për KultPlus foli rreth emocioneve të tij pas një koncerti të tillë.
“Duke dashur dhe duke vlerësuar këtë festival operistik, për mua ishte një mbrëmje dhe eksperiencë shumë e bukur. Duke parë investimin që është bërë, duke parë angazhimet e një stafi fantastik, realisht më jep këtë përgjegjësi për të realizuar një koncert të tillë që besoj se treguesi më i mirë për këtë ishin duartrokitjet e publikut. Jam ndjerë gjithmonë mirë kur është përmendur emri i Nexhmije Pagarushës dhe unë kam pasur fatin dhe e them me krenari që e kam njohur edhe nga afër. E mbaj mend që diku duhet ta kem të regjistruar nga Akademia e Shkencave të një koncerti, përqafimin e saj që të ngroh”, shpalos Likaj.
Sipas tij, ai sa më shumë po rritet profesionalisht, po kupton vlerën e mirëfilltë të artit tonë dhe muzikës së artistëve shqiptarë.
“Unë mbrëmjen e hapa me një baladë të të madhit, profesorit tim Zef Çoba, pastaj kur interpretova pjesën e dytë ishte romanca aq e bukur, aria “Dasma arbëreshe” e po një emrit të madh siç është Rauf Dhomi, pastaj edhe dueti aq i dashur i Prenk Jakovës me sopranon Arta Jashari, dhe krejt në fund ishte vepra pak e dhimbshme por kështu ishte ideja e organizimit. Prania e shumë artistëve që sot përfaqësojnë Kosovën kudo në botë është e bukur dhe pa diskutim që ishim të nderuar gjithsecili nga ky publik e sidomos nga ata që qëndruan në këmbë për një kohë të gjatë dhe për këtë mendoj që duhet një vullnet i lartë e një dashuri që ky popull e ka dhe prandaj ky popull meriton shumë”, përfundon ai.
Po ashtu, tenori Granit Musliu tregoi rreth ndërveprimit me artistët e tjerë në këtë mbrëmje.
“Ka qenë një mbrëmje fantastike dhe të gjithë artistët jemi ndjerë shumë mirë. Është gjithmonë kënaqësi e madhe për të kënduar para një publiku shumë të ngrohtë kosovar dhe jemi shumë të lumtur që ky festival gjendet në Kosovë dhe fton artistë nga Kosova që të kthehen e të këndojnë për publikun e Kosovës në skenën kosovare. Me të gjithë artistët njihem personalisht dhe jam shumë i lumtur që të ndaj skenën me ta. Mbrëmja u bë edhe më e mirë sidomos kur kemi kënduar këngën e fundit por kryesisht veprat kanë qenë të kompozitorëve shqiptarë dhe natyrisht që është kënaqësi që të këndoj në gjuhën time. Zërat kosovarë dhe shqiptarë gjithmonë më kanë lënë përshtypje dhe e di që Kosova dhe Shqipëria ka zëra shumë të bukura e njëlloj vlen edhe për muzikantët. Fatkeqësisht kushtet nuk janë ideale mirëpo për mua kjo mbrëmje ishte një veçanti e madhe e sidomos duke pasur parasysh repertorin e mahnitshëm” , ka thënë ai.
Gjithashtu, sopranoja Mirlinda Koci ka thënë se është ndjerë e lumtur që ka kënduar në këtë natë dedikuar ndaj Nexhmije Pagarushës.
“Kjo mbrëmje ishte një ndjenjë shumë e veçantë. Jam shumë e lumtur që këndova sonte në natën e Nexhmije Pagarushës e sidomos edhe kur këndova vepra shqipe. U gëzova shumë për faktin që performova në mesin e artistëve shqiptarë të njohur. Pjesa ime e parë ka qenë që mua më ka fjet në zemër qysh prej kur kam filluar ta studiojë por gjithashtu edhe vepra “Fjalët e qiririt” që e këndoj kolegu Klodjan ishte shumë e veçantë. Sonte më ka lënë përshtypje publiku që ka qenë një numër i madh dhe kur dola për herë të parë në skenë, jam befasuar shumë dhe jam ndjerë shumë mirë që muzika klasike ndiqet dhe nga publiku”, thotë Koci.
Ndërsa, sopranoja kosovare Elbenita Kajtazi ka thënë për KultPlus se mbrëmje ishte një mrekulli më vete.
“Koncerti sonte ishte shumë i mirë. Ishte e mrekullueshme të shohësh shoqërinë tënde duke performuar në skenë e sidomos në pjesë shqiptare, kështu që jam ndjerë shumë bukur. Të gjitha veprat e interpretuara ishin shumë të mira dhe mua personalisht më pëlqeu shumë interpretimi i Zanës, i Mirlindës e natyrisht edhe i Artës. Ishte me të vërtetë një mrekulli dhe besoj që s’ka nder më të madh sesa kjo ndaj Nexhmijes. Vetë fakti që unë vij shumë rrallë në Kosovë, me i taku krejt përnjëherë është një përshtypje shumë e mirë”, ka thënë Kajtazi.
“Ramë Lahaj International Opera Festival” gjatë këtij edicioni do të prezantojë edhe 2 koncerte të tjera në vazhdim. Nata e katërt e këtij festivali vjen më datë 28 korrik nën emërtimin “New Generation” në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare. / KultPlus.com
“Ramë Lahaj International Opera Festival”, festivali i parë Operistik në Kosovë po ngjallë emocione të forta te publiku. Artistët që do të jenë pjesë e këtij festivali, janë artistë të dëshmuar dhe me magjinë e tyre do ta përthekojnë secilën natë të këtij edicioni, shkruan KultPlus.
Themeluesi i këtij festivali, tenori i famshëm, Ramë Lahaj është kujdesur që të sjell sa më shumë veçanti e madje edhe të mbuloj zbrastësitë që ekzistojnë në skenën tonë muzikore.
Duke pas parasysh mungesën e madhe në Kosovë dhe rajon të një instrumenti shumë specifik siç është Harpa, RLIOF këtë vit po sjell në Prishtinë harpistin e shquar italian Antonio Ostuni i cili do t’i bashkohet Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në një mbrëmje gala “Rame Lahaj & Friends” dhe njëkohësisht do të mbajë një Masterclass 3 ditor me studentët e Harpës dhe Pianos.
Ndërkaq, sot në faqen zyrtare të festivalit është publikuar edhe një video ku shihet se Ostuni po mban një punëtori me pianistët dhe ata që kanë pak njohuri mbi harpën.
Më poshtë gjeni postimin e plotë:
Të studiosh harpë në Kosovë ose Shqipëri është e pamundur, pasi ky instrument nuk është pjesë e platformave edukative muzikore as në nivelin e shkollës së mesme e as në atë universitar akademik.
Duke e ditur rëndësinë e këtij instrumenti kaq specifik e delikat dhe të domosdoshëm për një orkestër të mirëfilltë, Rame Lahaj International Opera Festival ka sjellë në Kosovë harpistin Antonio Ostuni, i cili po e mban këtyre ditëve një masterclass me pianistët dhe ata që kanë pak njohuri mbi harpën. Ostuni është profesor i harpës në Conservatorio V.Bellini në Catania. Ai është poashtu pjesë e shumë orkestrave të rëndësishme. Ostuni vjen për herë të parë në Kosovë në kuadër të RLIOF dhe ne jemi shumë të lumtur që përpos masterclassit ai do t`i bashkangjitet Filharmonisë së Kosovës në Galanë finale të festivalit tonë, me 31 korrik. / KultPlus.com
Policia e Kosovës është njoftuar se një bombë është vendosur në kampusin universitar, përkatësisht në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë.
Mirëpo më vonë Policia e Kosovës njoftoi se ky alarm ishte i rremë
“Rreth orës 19:30 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Kompleksin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka deklaruar zëdhënësja e Policisë Flora Ahmeti. /KultPlus.com
Rame Lahaj International Opera Festival vazhdon me mbrëmjen e dytë të këtij edicioni.
Nesër prej orës 20:00, në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare në Prishtinë vjen nata e operës, me pjesëmarrjen e Erika Grimaldi – soprano, dhe Leonardo Caimi – tenor.
“Të dy artistët italianë e kanë begatuar festivalin tonë me profesionalizmin dhe karizmën e tyre skenike, dhe kanë përgatitur një repertor të fuqishëm muzikor të cilin nuk duhet ta humbisni”, thuhet në njoftim. /KultPlus.com
Nga data 21 korrik deri më 31 korrik do të mbahet koncerti Ndërkombëtar i Operës “Ramë Lahaj”, shkruan KultPlus.
Disa ditë pa filluar ky koncert, Lahaj ka ndarë fotografi të veçanta në rrjetin social “Facebook”, duke e lavdëruar dhe duke shfaqur dashurinë për Erza Muqollin.
Postimi i plotë:
“E kam marrë në krah dhe e kam përqafu sa herë më asht’ dhanë mundësia, kur kemi qenë në ngjarje të përbashkëta. E kam shtrëngu fort se asht’ vetë dashnia. Për Erzën, kritika botërore thotë se ajo të rrënqethë trupin kur këndon. Nuk ka se si të jetë ndryshe; rrënjët e saj janë nga Drenica, vatra më e vujtun në Kosovë. Në zanin e saj krejt natyrshëm ndjehet krenaria, dhimbja, vuajtja dhe fitorja jonë.
Erza e ka pasë fatin të rritet e të shkollohet në Evropë, në sistemet më të mira edukative, ndërsa ne në Kosovë kemi plot talente që sot nuk e kanë një mundësi të tillë. Po mbledhemi të gjithë së bashku jo veç për ta festu suksesin e Erzës bashkë me mërgatën tonë, por edhe të ndihmojmë me donacione përmes shitjes së biletave për këtë koncert unik, duke mbështetur talentet e reja që nuk kanë mundësi financiare.
Miq, nuk kam dashtë kurrë që ju të paguani për koncertet e mia, andaj edhe festivali është i hapur dhe pa pagesë. Mirëpo, në mbrëmjen gala kemi vendosur të mbledhim fonde përmes shitjes së biletave, për ata studentë të cilët nuk mund t`ja dalin vetë. Me biletën që do ta bleni, jo vetëm do ta përjetoni një koncert krejt unik në sheshin e qytetit, shoqëruar me artistë e yje nga e mbarë bota, si kurrë më parë, por edhe do të mbështesni talentet e Kosovës.
Faleminderit për respektin, dashninë e besimin që ma dhuroni, përherë.
I juaji, Ramë Lahaj”, thuhet në postimin e tij. /KultPlus.com
Pavarësia e Kosovës këtë vit u shënua me shumë aktivitete të veçanta edhe në Dubai.
Në kuadër të “Expo 2020 Dubai” u mbajt ceremonia qëndrore për nder të ditës së pavarësisë, ku morën pjesë Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, zëvendësministrja e MKRS, Daulina Osmani, Ambasadori i Republikës së Kosovës në EBA, Xhabir Hamiti, Ministri i Ndërmarrësisë i Emirateve të Bashkuara Arabe, Ahmad bin Abdullah Humaid Belhoul Al Falasi, përfaqësues të institucioneve të EBA-s dhe shumë personalitete të jetës kulturore e ekonomike.
Përgjatë kësaj dite në një ngjarjeve më të mëdha botërore përmes artit dhe muzikës u prezantua kultura shqiptare.
Aktivitetet kuturore të organizuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës ishin të shumta, përfshirë këtu performancën nga Ansambli Kombëtar i këngëve dhe valleve “SHOTA” dhe koncerti “The Voice of Independent Kosova” nga tenori me famë botërore Ramë Lahaj shoqëruar nga Ulpiana Aliaj-Soprano dhe Ugo Mahieux- Piano.
Fotografitë janë realizuar nga Arben Llapashtica. /KultPlus.com
Tenori i famshëm kosovar, Ramë Lahaj do të mbajë një koncert në Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Amfiteatrin Milenium në Dubai, përcjell KultPlus.
Kjo gjë është bërë e ditur nga Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.
Ajo ka thënë se të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët tanë në Kosovë, që duan të jenë pjesë e kësaj feste, ftohen ti marrin biletat falas për të hyrë në ”EXPO 2020 Dubai” me 17 shkurt 2022.
Përmes një postimi në llogarinë zyrtare në “Twitter”, Lahaj ka thënë se ka ftuar të gjithë shqiptarët që të bashkohen në koncertin “Zëri i Kosovës së pavarur”, i cili do të mbahet në Dubai.
“Të nderuar, Kosova për herë të parë bëhet pjesë e ekspozitës botërore Expo Dubai 2020. Prandaj kemi kënaqësinë t’ju ftojmë të gjithëve në koncertin “Zëri i Kosovës së Pavarur” në Amfiteatrin Millenium të Dubait me fillim nga ora 21:30”, shkruan tenori i njohur kosovar.
Në këtë ekspozitë botërore, në të cilën marrin pjesë 192 shtete, me pritshmëri të afër 25 milionë vizitorëve, gjatë periudhës 1 tetor 2021 – 31 mars 2022, Republika e Kosovës është duke i prezantuar dhe promovuar vlerat e saj në arenën ndërkombëtare, e që janë pjesë e temës botërore të Expo 2020 “Lidhja e Mendjeve dhe Krijimi i të Ardhmës”. /KultPlus.com