‘Tre tenorët’ ndriçojnë qiellin e Prishtinës në koncertin ‘Rame Lahaj & Friends’

Flonja Haxhaj

Mbrëmë, në sheshin  ‘Skënderbeu’ në Prishtinë, u mbajt koncerti ‘Rame Lahaj & Friends’, një gala mbrëmje e veçantë që përmbylli Festivalin Ndërkombëtar të Operës ‘Rame Lahaj International Opera Festival’. Kjo mbrëmje e magjishme mblodhi së bashku tre tenorë të famshëm: Rame Lahaj, Charles Castronovo dhe Murat Karahan, përcjellë nga Orkestra e Operës së Kosovës që u drejtua nga dirigjenti Sascha Goetzel, shkruan KultPlus.

Koncerti nisi me një interpretim të shkëlqyer të ‘Ouverture’ të Rossinit nga Orkestra e Operës drejtuar nga Goetzel. Ky fillim energjik dhe emocionues e përgatiti skenën për një natë të mbushur me muzikë të bukur dhe interpretime të mrekullueshme.

Rame Lahaj hapi pjesën solo të koncertit me veprat shqiptare, ‘Moj e bukura More’, ‘N’mes dashurive’ dhe ‘Hej ju male’, të cilat u pritën me duartrokitje të ngrohta dhe emocionuese nga publiku, duke dëshmuar edhe një herë për talentin dhe përkushtimin e tij ndaj muzikës shqiptare.

Pas Lahaj, në skenë u ngjit tenori i njohur amerikan, Charles Castronovo, i cili solli një interpretim të fuqishëm dhe emocional të ‘Una furtiva lagrima’ nga Donizetti. Performanca e tij u mirëprit me entuziazëm dhe vlerësime të larta nga të pranishmit, duke shtuar një tjetër dimension të pasur në mbrëmjen gala.

Më pas, mbrëmja vazhdoi me performancën e tenorit turk, Murat Karahan,i cili u paraqit me një interpretim të mrekullueshëm të ‘E la solita storia del pastore’ nga Cilea. Zëri i tij i fuqishëm dhe teknika e përsosur e tij solli një atmosferë të veçantë dhe të paharrueshme në sheshin ‘Skënderbeu’.

Mbrëmja vazhdoi me interpretimet e veprave ‘Farandole’, ‘O souveain, o juge, o pere’, ‘Non piangere Liu’,’Nessun dorma’,’Prelude’, ‘Ch’ella mi creda’, ‘E lucevan le stelle’,’Canta pe ‘me’,’Tu, ca nun chiagne’,’Core n’grato’ dhe  ’My way’.

E teksa mbrëmjes po i vinte fundi, tre tenorët u ngjitën bashkë në skenë për të performuar së bashku veprat e radhës ku fillimisht Lahaj dhe Castronovo interpretuan veprën ‘Lolita’ të Peccias. Pas kësaj u interpretua vepra ‘Senede Galmaz’ nga Murat Karahan dhe Rame Lahaj.

Rame Lahaj solli më tutje nostalgji në publik me interpretimin e këngës ‘Pranvera në Prishtinë’, këngë kjo që përcolli emocione të pafund në publik.

Mbrëmja ‘Rame Lahaj & Friends’ u përmbyll mjestërisht me performancën e përbashkët të tre tenorëve, orkestrës dhe dirigjentit Goetzel, të cilët interpretua veprën ‘Torna a Surrieno’.

Pas koncertit, për KultPlus foli tenori Charles Castronovo, i cili thotë se u mrekullua nga mikpritja që iu bë në Kosovë.

“Jam shumë i lumtur, me këtë super energji, me një publik të tillë dhe në një ambient të hapur, kjo mbrëmje ishte përfekte. Unë isha shumë i lumtur,i emocionuar, por edhe me një energji të mirë që më dha publiku këtu e për këtë mezi pres që të kthehem prapë. Mendoj që gjëja më e madhe që do e marr me vete është ngrohtësia që më dhaë njerëzit në Kosovë, u mirëprita sikur të isha një anëtar i familjes që nuk ishte ardhur që një kohë të gjatë dhe për mua kjo është gjëja më e rëndësishme e këtij rrugëtimi”, u shpreh Castrovo.

Pasi bëri bashkë një numër të madh instrumentistësh, pas koncertit për KultPlus foli edhe dirigjenti Sascha Goetzel i cili theksoi rëndësinë e muzikës në bashkimin e njerëzve.

“Muzika vërtet na bashkon, e sot ne patëm shumë kombësi në publik dhe shumë kombësi në skenë. Pashë në audiencë e edhe skenë  gjithashtu te orkestra tek rridhnin ca lot. Bëhet fjalë për një institucion të ri e cila ka plot ëndrra, beson në të ardhmen e  saj, të vendit të tyre, janë zëri që prezantojnë çfarë në të vërtetë është Kosova, dhe kjo më bën shumë të nderuar që më zgjodhën të jem pjesë e këtij koncerti”, u shpreh Goetzel.

“U ndjeva shumë i lumtur përpara këtij publiku të mrekullueshëm me të cilët patëm një lidhje të përkryer, u ndjeva në Kosovë si të isha në shtëpinë time. Njerëzit, qëndrimet, pozitiviteti, mikpritja , ushqimi , më bënë që të ndjehem si në shtëpinë time. Koncerti ishte i mrekullueshëm, do të doja të rikthehem sërish në Kosovë.  Rame Lahaj është një mik i imi i vjetër, Charles Castronovo është një tenor i mrekullueshëm,  po ashtu edhe dirigjenti Sascha Goetzel ëstë mik i imi, të gjithë së bashku e bëmë një ekip të mrekullueshëm . Ishte një sinergji e mrekullueshme, mes nesh, oskestrës dhe publikut.”, u shpreh Karahan, duke shtuar më tutje se u ndje i vlerësuar nga duartrokitjet e shumta që mori nga publiku.

Ndërkaq, ju kujtojme që festivali ‘Rame Lahaj International Opera Festival’ u mbajt nga 21 korrik deri më 2 gusht dhe këtë vit erdhi me moton ‘T’knoft zemra’./KultPlus.com