Mbrëmjen e së shtunës, tenori kosovar me famë botërore, Ramë Lahaj, u ngjit në skenë për koncertin e tij në Prishtinë. Por, këtë koncert nuk e përfundoi siç kishte planifikuar, pasi dy orë para se të dilte para publikut, atij i vdiq e ëma. E aktori i njohur kosovar, Çun Lajçi, ka treguar se e ka pasur historinë e ngjashme me të Lahajt.
Lajçi ka komentuar në një postim të Lahajt në Facebook, ku ka thënë se në vitin 1972 derisa po dilte në skenë për të luajtur shfaqjen “Hamleti”, i kishte ardhur lajmi se i ka vdekur nëna.
Lajçi thotë se për këtë nuk iu kishte treguar as kolegëve, pasi salla ishte e mbushur me shikues të cilët kishin shkuar për ta parë shfaqjen.
“Eh more artist! S’ma beson, por po ta them, se njisoj si ty me pati vdekë nana me 1972. Isha tue dalë n’skenë me luejt Halmetin kur mora lajmin, si ti “sot t’ vdiq nana”. Nuk u tregova kolegve, sepse salla ishte përplot shikues. Dola dhe e luejta shfaqjen, e pastaj mora rrogë natën për Pejë! Oh sa ta njoh dhimbjen artist, por bahu i fortë se nanat na ikin gjithmonë pa na e hequr mallin!”, ka shkruar Lajçi.
Ndryshe, nëna e tenorit Ramë Lahaj, Hale Lahaj, vdiq të shtunën në moshën 77-vjeçare./Kultplus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, i cili kishte ndjekur nga afër koncertin e tenorit shqiptar Ramë Lahaj, lajmin nga vet Lahaj, se nëna i kishte vdekur dy orë para se të fillonte koncerti, kryeministri Kurti e krahason me romanin “I huaji” nga Albert Kamy.
KultPlus ju sjell të plotë reagimin e kryeministrit Kurti mbi emocionet e kësaj mbrëmje artistike.
“Nëna vdiq sot”, kështu e mbylli koncertin mbrëmë Ramë Lahaj, njësoj siç e fillon Albert Kamy romanin e tij të famshëm “I huaji”.
Në sheshin “Skënderbeu”, në Prishtinë, Ramë Lahaj&Friends na mblodhën për të na dhuruar emocione rrënqethëse. 13 vepra, 7 performues, një orkestër e tërë.
Filloi me “Bareshën” e Rexho Mulliqit, pastaj “Granada”, “Nemico della patria?!”, “Tacea La Notte Placida… Di Tale Amor”, “La forza del destino”, “Dio, che nell’alma infondere”, “Për ty Atdhe”, “Për mu paska ken kismet”, “E lucevan le stelle”, “Time to say goodbye”, “Non ti scordar di me”, “O moj e bukura Arbëri” dhe “O vendi im”.
Vlera të larta muzikore dëgjuam mbrëmë. Përveç Ramës sonë ishin edhe Simone Piazzola, Lana Kos, Xhelal Bakraqi, Isaneli e Arditi dhe Adhurim Grezda.
Pas një viti të mundimshëm, jeta ka filluar t’i rimerr ngjyrat e saj. Interesimi i madh i qytetarëve mbrëmë është edhe thirrje për aktivitete të tjera kulturore e artistike./ KultPlus.com
Ngjyrat operistike të zërave që të lënë pa mend por të mbushura me emocione nga më të ndryshmet e që depërtojnë përtej lëkurës së njeriut për të arrirë në thellësinë e fshehur të tij, aty ku rrahjet e zemrës buçojnë furishëm teksa valëviten mes vete si një harmoni melodish, erdhi pikërisht nga mbizotërimi i tre zërave botërorë si: tenori Ramë Lahaj, sopranoja Lana Kos dhe baritoni Simone Piazzola, të cilët nën dirigjimin e veçantë të italianit Antonello Allemandi, mbrëmë atmosfera në sheshin ‘Skënderbeu’ u pushtua nga madhështia e zërave artistik, që porsi një ylber lëkundeshin në ngjyra diversive e magjishëm ndërlidheshin me tingujt e instrumenteve të cilat u gjallëruan nga Orkestra e Filharmonisë së Kosovës, me ç’rast koncerti ‘Ramë Lahaj & Friends’ në kuadër të edicionit të parë të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”, pikturoi Prishtinën me ndjenja aq të fuqishme sa që gjurmën e pashlyeshme nuk do të donte ta zëvendësonte askush, shkruan KultPlus.
Zogjtë me vallëzimin e cicërimave të tyre, flladi i butë i netëve verore, dritat e ngrohta lartë në qiell, shushurimat e melodive që lehtas dëgjoheshin nga instrumentet e të cilat po bëheshin gati të ringjallen përsëri, dhe sytë e kalimtarëve që kthenin kokën për të njëqindtën herë për të shikuar se çfarë po ndodhte, ishin këto veçanti të bukura që po shoqëronin çdo njeri fiks një orë para se magjia operistike të zinte vendin kryesor në skenën gjigande të vendosur përballë audiencës. E gjysma e karrigeve tashmë ishin të mbushura plot teksa një varg njerëzish që nuk po i dihej fundi, me padurim po prisnin radhën për të hyrë brenda e disa të tjerë preferonin të shfrytëzonin shkallët e Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Ora shënoi 20:40 e duke filluar nga karriget e kuqe në fillim, të katërtat e të zezat mu në mes e deri tek ato të bardhat në fund, publiku tashmë kishte mbushur çdo hapësirë të mundshme për të shijuar atë që pas pak minutash do të fillonte e që në vete ngërtheheshin surprizat e shumta të njëpasnjëshme. Ndonëse qetësia absolute në një ambient të tillë është tejet e paimagjinuar, në publik mbizotëroi respekti i madh kur lëvizja e parë e dirigjentit të njohur italian, Antonello Allemandi papritmas theu pritjen e publikut e Orkestra e Filharmonisë së Kosovës filloi jetësimin e instrumenteve diversive të cilat qysh në sekondën e parë u shndërruan në trupa të dytë në skenë krahas instrumentistëve, lëvizjet e së cilëve për bazë kishin ashpërsinë e ëmbël që vërehej lehtësisht gjer në fund të audiencës.
Pas interpretimit të mahnitshëm e tejet emocionues të veprës ‘Baresha’, që shënoi fillimin e koncertit e njëkohësisht nderoi lartë ikonën, Nexhmije Pagarusha, në skenë doli tenori shqiptar Ramë Lahaj, i cili u mirëprit me duartrokitjet e publikut që pas disa sekondave pushuan për t’i dhënë rastin të marrë fjalën. Ai filloi me një fjalim të shkurtër, dukë falënderuar të pranishmit për pjesëmarrjen e tyre që me padurim prisnin magjinë e zërit të tij, e gjithashtu për të shprehur se Nexhmija gjithmonë do të mbetet në zemrat e çdo kujt, teksa fotografitë e saj lëshoheshin anash si një rrjedhë e bukur kujtimesh.
Një artist me famë ndërkombëtare që ka prekur skenat e mëdha botërore, Ramë Lahaj mu në mesin e Prishtinës të mbushur me artdashës e krijues artistik, me një qëndrim pingul në skenë e me një orkestër të tërë prapa tij, zëri i tij i cili posedonte nota të larta në çast zgjoi terqethët e qenies njerëzore që po përjetonin timbrin shkëlqyes të vokalit të tij unik, me ç’rast tingujt e këngës spanjolle u interpretuan në një mënyrë aq mbresëlënëse sa që kur zëri i tenorit arriti deri në kulm, ishte publiku ai që shikonte e dëgjonte me entuziazëm majën shurdhuese të talentit që Lahaj me një mjeshtëri madhështore e derdhte nga brendësia shpirtërore e tij.
Pas këtij interpretimi, në skenë performuan ndaras edhe dy yje botërore si baritoni Simone Piazzola dhe sopranoja Lana Kos. Piazzola i veshur në të zezë në një kostum klasik, interpretoi veprën ‘Nemico della patria’ e sopranoja Kos u shfaq me një fustan të bardhë duke dhënë një iluzion se një engjëll i bardhë sapo kishte shkelur këtë skenë magjepsëse e po këndonte pikërisht për publikun kosovar.
Sheshi kumbonte nga turma e brohoritjet e duartrokitjet e publikut që tashmë ishin bërë pjesë kyçe e çdo vepre të performuar dukë lënë gjurmë në atmosferën e krijuar kurse nuk munguan as video prezantimet e dedikuara për atdheun e mërgimtarët që shfaqeshin anash skenës e që ringjallnin kujtime e zgjonin emocione të veçanta e të ndryshme për qytetarët e Kosovës. Ndërkaq, pas përfundimit të këtyre videove që shikoheshin me admirimin e syve të pranishëm, tenori Lahaj bëri të ditur se një surprizë e vogël pas pak momentesh, nuk do të jetë më e tillë.
Përpara audiencës që nuk po ngopej dot me madhështinë e këtyre talenteve e tek të cilët gjithmonë vërehej uria e tyre për të dëgjuar hyjnizimin operistik të gërshetuar me simfoniken e Orkestrës së Kosovës, doli tenori i njohur botëror, Xhelal Bakraqi. Dëshmia se dashuria e papërmbajtur për operën e dëshira e madhe për ti dhuruar publikut tonë një natë që do ngelet në kujtesën tonë e ku harresa nuk vihej në pyetje, u shpalos mbrëmë më së miri nga vetë Bakraqi i cili pushtoi skenën me një timbër të jashtëzakonshëm, teksa duart e dirigjentit Allemando dhuronin imazhin e një dallëndysheje, krahët e të cilit përplaseshin në një harmoni të lëvizjeve të shpejta, precize e shumë delikate.
Në këtë natë e cila solli së bashku tenorin Lahaj, sopranon Kos dhe baritonin Piazzola, nuk do të kishte kuptim nëse të tretë së bashku nuk do të gërshetonin talentin e tyre në një tingëllimë të vetme e që në të vërtetë interpretimi i tyre së bashku pushtoi tërë Prishtinën duke kapluar zemrat e të pranishmëve në guaskën e ngjyrave të zërit që lehtësisht jehonte në qiellin e hapur të qytetit e depërtonin deri në mbulojën e shpirtit të publikut që kishte kohë pa dëgjuar një koncert të tillë të papërsëritshëm.
Ndërkohë, vepra e titulluar ‘O moj e bukura Arbëri’ nga Adhurim Grezda dhe Endrit Xerxa erdhi në një frymë të shumëpritur nga publiku që po adhuronte muzikën shqipe e edhe më shumë kur këndohej nga këta shqiptar të cilët prekin skenën botërore por rikthehen sërish në vendin e tyre për të performuar me sukses të plotë një program të pasur në përmbajtje e që pothuajse ulërinte në veshin e çdo kujt duke lënë momente të ngulitura thellë në shpirtin e publikut. Por kjo natë e cila në secilin moment frymonte copëza magjike, u përmbyll më herët, për arsye se tenori Lahaj në skenë bëri të ditur se dy orë para se koncerti të fillonte, nëna e tij fatkeqësisht kishe vdekur por dashuria e tij e madhe për të interpretuar para publikut kosovar nuk e ndaloi atë që të mos e anulonte koncertin.
Pas këtij lajmërimi të paparashikuar, gulçimet në publik ishin në numër të madh e lotët e tyre përcilleshin me duartrokitjet nga më të zjarrta që një njeriu mund ti përjetonte ndonjëherë në jetë. Andaj, programi i plotë i planifikuar nuk u interpretua por që ky koncert i cili filloi me emocione të hareshme e u mbyll me ndjenja të papërshkruara, vendosi përkufizimin e saktë se talenti i tenorit Ramë Lahaj kalon përtej çdo limiti e shpresa se një artist i tillë të rikthehet çdo vit në Prishtinë u vulos dukshëm në zemrën e secilës qenie njerëzore të pranishme.
Për të treguar më shumë rreth natë së mbrëmshme, për KultPlus foli tenori Xhelal Bakraqi.
“Ka qenë një natë e mrekullueshme, nuk e mbaj mend që ka pasur ndonjëherë kaq shumë njerëz në Prishtinë. Me të vërtetë ka qenë një koncert shumë i mirë andaj edhe unë u mundova ta dhuroj maksimumin nga vetja për të kënaqur të gjithë këta mysafirë sonte. Të gjitha veprat ishin të bukura sepse këngëtari e ngjall secilën vepër e edhe Orkestra më ka pëlqyer shumë. Por, në fund Lahaj na brengosi të gjithëve, por artistët gjithmonë janë pajtuar me të mirën e të keqën”, thotë Bakraqi.
Sipas tij, publiku është gjithmonë ai që lë më së shumti përshtypje sepse pa publik nuk ka performancë e tërheqja mes të dyjave është tejet e madhe.
Ndërsa, drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari për KultPlus e cilësoi këtë natë tejet të veçantë meqë për herë të parë po organizohet një festival operistik ku pjesë e tij është Filharmonia e Kosovës.
“Orkestra simfonike ka realizuar një program të larmishëm operistik dhe ajo se cka më ka bërë përshtypje është dëshmia se Prishtina e kombi ynë ka kulturë. Mbi 2,500 ulëse së bashku me shkallët e Teatrit dhe përqendrimi i jashtëzakonshëm nga orkestra e solistëve, tregon për një nivel të jashtëzakonshëm që seriozisht komuniteti artistik duhet ta ketë parasysh se tashmë mund të llogaritet një seriozitet i organizimit të koncerteve të muzikës klasike”, thotë Jashari.
Sipas tij, ajo se çfarë muzika klasike interpreton nuk është thjeshtë vetëm për 400 njerëz por për mijëra njerëz.
“Përcjellja me vëmendje e krejt publikut prezent në çdo moment dhe mos lëshimi i koncertit nga asnjë person, është arritja më e madhe krahas fillimit të një festivali mjaft të rëndësishëm e cila koincidon me fillimin e themelimit të institucionit të Operës së fundmi nga Qeveria e Kosovës”, përfundon Jashari për KultPlus.
Kjo ngjarje vjen si bashkëpunim ndërinstitucional në mes të Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Filharmoninë e Kosovës. / KultPlus.com
Tenori i shquar Ramë Lahaj ka mbajtur më shkurt koncertin në Prishtinë, pasi njoftoi se i ka vdekur nëna.
Këtë e tha para publikut, duke thënë se nuk e interpretoi as 1/3 e programit.
“Ju kërkoj falje që duhet me mbyll më herët. As 1/3 e koncertit nuk ishte, sepse dy orë para koncertit ka ndërruar jetë personi më i dashur për mua, nëna, por s’desha ta anuloj”, ka deklaruar ai para të pranishmëve.
Festivali Operistik i titulluar ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’, një festival i muzikës operistike, këtë vit po shënon edicionin e tij të parë në Kosovë. Festivali i parë në llojin e vet erdhi si pasojë e ëndrrës së kamotshme të tenorit Lahaj, i cili si fëmijë gjeti veten në mesin e një lufte kurse tani po realizon ëndrrën për organizimin e një festivali që përfaqëson artin lirik dhe krijon një ure lidhëse mes artistëve të mrekullueshëm vendor dhe atyre ndërkombëtarë. Pikënisja kryesore e festivalit ‘RLIOF’ është bazuar në situatën e zhvillimit të artit lirik në Kosovë dhe nga dëshira e etja e madhe për të pasur një institucion i cili jo vetëm formon por edhe shfaq mundësinë e performimit të brezit të ri por që në të njëjtën kohë krijon një traditë të artit lirik në Kosovë, shkruan KultPlus.
Sot në një konferencë për media në hotelin ‘Opera’ në Prishtinë, të pranishëm ishin tenori shqiptar Ramë Lahaj, dirigjenti Antonello Allemandi, sopranoja Lana Kos dhe baritoni Simone Piazzola, për të shpalosur më shumë rreth përvojës së tyre për mbajtjen e një koncerti që përfshin një program të larmishëm të veprave diversive italiane të cilat konsiderohen mjaft të thella në stil, e që nesër këta artistë të skenave botërore do të performojnë së bashku në koncertin e titulluar ‘Ramë Lahaj & Friends’, koncert ky që shënon fundin e edicionit të parë të festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”.
Fillimisht, për të treguar më shumë rreth emocioneve të tij për këtë festival, foli tenori i njohur shqiptar, Ramë Lahaj.
“Për herë të parë po provojmë për të ndërtuar një platformë që është edukative para se gjithash. Koncerti është vetëm një plus, dëshira ka qenë gjithmonë për të shfrytëzuar të gjitha kontaktet dhe mundësitë që janë krijuar dhjetë vitet e karrierës time ku në bashkëpunim me institucionet dhe partnerët tonë që kanë shprehur gatishmërinë për të na mbështetur, të sjellim pedagogë të muzikës në Prishtinë. Po ashtu, besoj se festivali do të zgjerohet edhe jashtë specifikës së këndimit”, thotë Lahaj.
Sipas tij, është me rëndësi mbështetja e të gjitha institucioneve sepse në një farë forme, të gjithë janë përgjegjës për një platformë edukative dhe ai po shpresoj që të kuptohet se nisma të tilla për themelimin e teatrit të Operës, çdo lloj ndihme është e rëndësishme.
“Unë jam tejet i kënaqur që në këtë edicion të parë kemi pasur artistë si Jessica Nuccio, Davide Giusti, Korin e Pejës, e shumë artistë të tjerë. Ka qenë një platformë që për pak momente, muzika e atmosfera e mirë të merr me vete. Sigurisht është privilegj dhe kënaqësi që kemi zhvilluar një koncert me gjeneratën e re duke kaluar nëpër vështirësi të dyfishta, andaj është një ndjenjë e papërshkrueshme kur arrin ti ndihmosh e lumturosh sadopak ata fëmijë në punëtori dhe festival”, përfundon ai.
Tutje, për të treguar për provat me Orkestrën e Kosovës dhe ndjenjave të tij për interpretimin e parë në qytetin e Prishtinës, foli dirigjenti i njohur, Antonello Allemandi.
“Është hera e parë këtu në Kosovë dhe zbulova pak atë se çfarë shihja. Ekipi i cili më ka ftuar këtu është shumë miqësor dhe shumë profesional, e sidomos Ramë Lahaj me të cilin kam punuar në të kaluarën në Operë. E njihja prej shumë kohësh dhe jam shumë i kënaqur që më ka ftuar në këtë koncert. Programi është me të vërtetë një program shumë kërkues sepse ka stile shumë të ndryshme italiane të cilat janë shumë të thella në përmbajtje”, thotë Allemandi.
Sipas tij, atmosfera në prova me Orkestrën e Kosovës ka qenë shumë e mirë dhe ai është ndarë shumë i impresionuar me ndryshimet përgjatë tre ditëve të punës ku në fillim Orkestra ishte më simfonike por kjo konsiderohet normale pasi që janë 18 pjesë të ndryshme me të cilat duhet të jesh shumë i shpejt jo vetëm në lëvizje por edhe me mendje, për të performuar më së miri.
“Dita e parë ishte e vështirë por menjëherë në ditën e dytë e vërejta një përmirësim të jashtëzakonshëm në Orkestër dhe sot kemi bërë përsëri prova me këngëtarët, andaj ne kemi punuar shumë mirë dhe shpresoj se publikut do ti pëlqej shumë”, përfundon Allemadni.
Ndërkohë, për të treguar për ndjenjat para një koncerti të cilën ajo e konsideron të jashtëzakonshëm, foli sopranoja nga Kroacia, Lana Kos.
“Me të vërtetë kemi kaluar një kohë të mirë dhe ndjeva një progres të jashtëzakonshëm sot në prova. E koncerti që quhet ‘Ramë Lahaj& Friends’ nuk është i rastësishëm sepse ne me të vërtetë jemi shokë dhe në fakt kjo është një moment shumë emocionues për mua e andaj dua të falënderoj Ramën që më ka ftuar për këtë ngjarje shumë të bukur. Është një nder dhe luks i madh që jam këtu për të interpretuar sepse kemi qenë të heshtur për një kohë të gjatë dhe jemi shumë të uritur për të performuar e të jemi në skenë për të shpërndarë emocione dhe muzikë të bukur me interpretim live”, shpalos Kos.
Po ashtu, baritoni Simone Piazzola foli rreth mënyrës se si ky koncert dëshiron të sjell kulturë dhe se sa është e rëndësishme që emocionet e artistëve të transmetohen tek publiku.
“Është një nder i madh që jam këtu me juve, dua të falënderoj Ramën për ftesën e tij. Jemi njohur në Madrid dhe sigurisht që nisëm përnjëherë komunikimin dhe shpresoj se së shpejti do të mund të jem sërish në skenë me të. Është një nder i vërtetë sepse në këtë moment vërtetë historik dhe në një vështirësi të madhe, jemi këtu para një publiku. Mundësia që të transmetojmë emocionet tona ndaj juve është një gjë unike sepse është e rëndësishme që ti sjellim kulturë të gjithëve”, ka thënë Piazzola.
Ndërsa, drejtoresha artistike e festivalit “Ramë Lahaj International Opera Festival”, Ulpiana Aliaj, ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin në koncert.
“Ne jemi të lumtur që nisim me një nivel artistësh dhe ju ftoj të gjithëve të keni vëmendjen e duhur”, ka thënë Aliaj.
Kështu krejt në fund producentja, Besa Luzha tha se kapaciteti i ulëseve është rreth 3 mijë derisa ka bërë thirrje që të jenë të pranishëm të gjithë qytetarët edhe pse tashmë interesimi është mjaft i madh.
Në kuadër të “Ramë Lahaj International Opera Festival”, koncerti ‘Ramë Lahaj & Friends’ do të mbahet nesër në orën 20:30 në sheshin Skënderbeu në Prishtinë.
Kjo ngjarje vjen si bashkëpunim ndërinstitucional në mes të Komunës së Prishtinës, Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe në bashkëpunim të ngushtë me Filharmoninë e Kosovës./ KultPlus.com
Më 7 gusht, në sheshin Skëndërbeu në Prishtinë do të mbahet koncerti Rame Lahaj & Friends.
Përmes një postimi në Facebook, tenori ka njoftuar se koncerti që do të mbahet në kuadër të Rame Lahaj International Opera Festival do të fillojë nga ora 20:30, shkruan KultPlus.
“Kësaj radhe kemi miq artistë nga më të mirët e botës së operës. Përveç kësaj në ketë periudhë e kemi gjysmën tjetër të zemrës sonë, mërgatën e cila Kosovës i jep jetë gjatë gjithë verës, e ne na mungon gjatë gjithë vitit, andaj ejani të festojmë të gjithë së bashku”- shkruan Lahaj.
Për të gjithë ata që dëshirojnë ta ndjekin nga afër këtë koncert, biletat mudn tí marrin pranë biletarisë së Teatrit Kombëtar të Kosovës.
Lahaj tutje njofton se më datë 6 gusht nga ora 14:30 do të mbajë një konfernecë për media në hotel Opera në Prishtinë./KultPlus.com
Sonte me fillim nga ora 19:30 në Teatrin Kombëtar të Kosovës, “Ramë Lahaj Opera Festival” mban natën dedikim për Nexhmije Pagarushën.
Tenori shqiptar, Ramë Lahaj njoftoi se në këtë natë do ketë muzikë shqipe, ku yjet e lirikëve italian që janë sjellë enkas për të i dhënë madhështinë e duhur ikonës historike Nexhmije Pagarusha.
“Sado që gjendja e saj shëndetësorë ishte shumë e rënduar viteve të fundit, ajo nuk mungonte asnjëherë në ato pak koncerte që bëja në Prishtinë. Sa herë që kam ardhur në Kosovë mbas vizitës së nënës time kam shkuar dhe e kam pa edhe “Nanushin” zonjën e madhe të shekullit Nexhmije Pagarushën. Sigurisht që në festival nuk do mungonte kurrë një dedikim enkas për te”, shkroi Lahaj në Facebook.
Veç kësaj, Rama ka njoftuar se sonte do jenë edhe artistet tanë të mrekullueshëm./KultPlus.com
Tenori i njohur shqiptar Ramë Lahaj do të prezantohet me një koncert në Maqedoninë e Veriut, shkruan KultPlus.
Ky koncert do të jetë nën përcjellje të Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut dhe do të jetë në shenjë të 20-të vjetorit të marrëveshjes së Ohrit.
Rama ka njoftuar se për këtë paraqitje ka marr ftesë nga zv. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Artan Grubi.
KultPlus ju sjell të plotë njoftimin e Lahaj.
Këto ditë me kënaqësi pranova ftesën nga Zv. Kryeministri i Maqedonisë se Veriut Z. Artan Grubi, ku folëm për shumë zhvillime kulturore dhe u pajtuam për një koncert të madh së bashku me filarmoninë e Maqedonisë për te festuar 20 vjetorin e marrëveshjes kornize te Ohrit.
Njëkohësisht shkuam ta vizitojmë së bashku edhe objektin e ri të filarmonisë së Maqedonisë së Veriut ku vërtet mu bë shumë qejfi për koleget dhe rëndësinë që ka ndërtimi i një salle të tillë dhe se sa shumë e gjallëron kulturën e një vendit.
Të dashur artdashës kam kënaqësinë të jem në mesin tuaj me datë 13 gusht 2021, se bashku me filarmoninë e Maqedonisë së Veriut për të manifestuar marrëveshjen që krijoj paqe ne Maqedoninë e Veriut./ KultPlus.com
Tenori shqiptar, Ramë Lahaj, për herë të parë po zgjerohet më tej, për të sjell festivalin e parë Operistik në Kosovë. Festivali do të jetë i pari në Kosovë dhe do të titullohet “Ramë Lahaj International Opera Festival”, përcjellë KultPlus.
Ndërkaq, sot, tenori i famshëm shqiptar ka bërë të ditur se skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me 4 gusht të këtij viti, do të mirëpres yllin e operas italiane, Davide Giusti.
“Ne kuader te RLIOF, sjellim yllin e operas italiane Davide Giusti ne Teatrin Kombetar te Kosoves, 4 Gusht 2021, ora 19:30. Edhe shume surpriza te tjera do t’i bejme te ditura se shpejti!”, ka shkruar Lahaj në Facebook. / KultPlus.com
Tenori shqiptar, Ramë Lahaj, për herë të parë po zgjerohet më tej, për të sjell festivalin e parë Operistik në Kosovë. Festivali do të jetë i pari në Kosovë dhe do të titullohet ”Ramë Lahaj International Opera Festival”, përcjellë KultPlus.
Ndërkaq, sot, tenori i famshëm shqiptar ka bërë të ditur se skena e Teatrit Kombëtar të Kosovës, me 4 gusht të këtij viti, do të mirëpres yllin e operas italiane, Jessica Nuccio.
”Ne kuader te RLIOF, sjellim yllin e operas italiane Jessica Nuccio ne Teatrin Kombetar te Kosoves, 4 Gusht 2021, ora 19:30. Edhe shume surpriza te tjera do t’i bejme te ditura se shpejti! Rame Lahaj Opera Festival Jessica Nuccio’‘, ka shkruar Lahaj në Facebook. / KultPlus.com
Tenori i njohur kosovar, Ramë Lahaj po e bën ëndrrën realitet duke organizuar në Kosovë festivalin “Rame Lahaj International Opera Festival.
Ky festival shënon sivjet edicionin e parë dhe ka për qëllim promovimin e Kosovës dhe artistët e saj në arenën ndërkombëtare, shkruan KultPlus.
Lahaj përmes një postimi në Facebook jep detaje për këtë festival duke thënë se lindi si nevojë për të krijuar një urë lidhëse në mes të skenës kosovare dhe asaj ndërkombëtare.
KultPlus ju sjell postimin e tij të plotë:
Festivali Ndërkombëtar “Rame Lahaj International Opera Festival “, lindi si nevojë për të krijuar një urë lidhëse mes skenës Kosovare dhe asaj ndërkombëtare.
Duke patur parasysh që Kosova dhe rajoni ka talentë të mrekullueshëm, ishte e domozdoshmeri një iniciativë e tillë e cila vjen si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë mes Komunes së Prishtinë, Ministrisë së Kultures dhe Filharmonise së Kosoves. Në 2019, të gjithë të përmendurit themeluan koncertin “Rame Lahaj & Friends “ me idenë per tu zhvilluar me tutje në një Festival dhe Fondacion në fokus të artistëve të rinj, të artit dhe të kulturës në përgjithësi por mbi të gjitha për të promovuar Kosovën dhe artistët e saj në arenën ndërkombëtare .
Rrugetimi i Z.Lahaj eshte krejt i pazakontë. Pas studimeve, ai nis krejt rastesisht eksperimentimin mbi muzikën në moshën 21 vjecare, për tu bërë më pas një nga tenorët më të spikatur për timbrikën e tij vokale dhe një nga këngëtarët më prominent në gjeneratën e tij.
Rame Lahaj është artisti i parë në Kosovën e para dhe të pas luftës, i cili ka performuar në skenat më të rëndësishme të arenës ndërkomëtare në botën e Operës, përkrah emrave të mëdhenj si legjendari i Operes Placido Domingo, i cili e ka vlerësuar me Cmimin e Festivalit më prestigjoz e më të rëndsishemë operistik “Operalia “ në 2016.
Në dekadën e parë të karrierës së tij ndërkombëtare, Z. Lahaj ka interpretuar në teatrot më prestigjioze si: Royal Opera House Covent Garden, Semperoper Dresden, Paris National Opera, Gran Teatre del Liceu, Los Angeles Opera, Teatro Real-Madrid, Deutsche Oper Berlin, Balshoi Theater Moscoë, Opera Australia, Royal Albert Hall, Opera Tel Aviv, Haus Fur Mozart – Salzburg, Arena di Verona, La Monnaie de Munt, Staatsoper Berlin, Staatsoper Hamburg, Polish National Opera, Hungarian State Opera, Oslo Opera House, Finnish National Opera, Teatro Massimo di Palermo, e të tjera.
Z. Lahaj është dekoruar me Medaljen e Presidentit të Republikës së Kosovës me rastin e 10 vjetorit të Pavarësisë, me motivin “Afrimi i Kosovës në Arenën Ndërkombëtare përmes Artit Operistik“. Ai është dekoruar edhe nga Kryeministri i Kosovës, me titullin “Gjergj Kastrioti Skenderbeu“ dhe njëherit ështe shpallur “Ambasador Global i Kulturës së Kosovës në Botë“. / KultPlus.com
Mjeshtëria dhe veçantia e një drame muzikore që zhdërvjellet nëpërmjet përbërjes vokale nën shoqërimin instrumental diversiv ku dëgjuesi futet në rrënjën e fundit të zërit interpretues që buron nga shpirti i një artisti, vokali i të cilit frymon herë në një botë romantike e herë tragjike e ndonjëherë edhe në atë humoristike duke përfunduar kështu në një rrëfim hyjnor të një zëri njerëzor, kësaj radhe shpaloset në festivalin ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’, i cili sjell interpretimin e artistëve ekskluzivë që vijnë nga skenat më të mëdha botërore si: ‘Metropolitan Opera’, ‘Teatro alla Scala’ dhe ‘Arena di Verona Festival’ së bashku me atë të tenorit shqiptarë Ramë Lahaj, në një koncert ku përveç përhumbjes në botën e artit lirik, nuk ka vend për asgjë tjetër, shkruan KultPlus.
Festivali Operistik i titulluar ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’, një festival i muzikës operistike, këtë vit shënon edicionin e tij të parë në Kosovë. Festivali i parë në llojin e vet erdhi si pasojë e ëndrrës së kamotshme të tenorit Lahaj, i cili si fëmijë gjeti veten në mesin e një lufte kurse tani po realizon ëndrrën për organzimin e një festivali që përfaqëson artin lirik dhe krijon një ure lidhëse mes artistëve të mrekullueshëm vendor dhe atyre ndërkombëtarë. Pikënisja kryesore e festivalit ‘RLIOF’ është bazuar në situatën e zhvillimit të artit lirik në Kosovë dhe nga dëshira e etja e madhe për të pasur një institucion i cili jo vetëm formon por edhe shfaq mundësinë e performimit të brezit të ri por që në të njëjtën kohë krijon një traditë të artit lirik në Kosovë.
Dëshira e tejskajshme e tenorit Lahaj për të qenë jo vetëm një shtyllë mbështetëse por edhe për të dhënë kontributin e tij në një mënyrë shumë konkrete në formimin dhe strukturimin e një arti dhe një festivali të vërtetë mbarëkombëtarë, përtej këtyre kufijve në Kosovë, konsiderohet qëllimi, vullneti dhe shtysa kryesore për të nisur këtë festival. Po ashtu, dëshira e pakrahasueshme për paraqitjen ndaj të rinjve të talentuar të cilët dëshirojnë të kenë mundësinë e performimit dhe në të njëjtën kohë të ecin me hapin e kohës duke pasur parasysh se arti lirik përtej kufijve të Kosovës, ndodhet në një etapë zhvillimi shumë të emancipuar, është cilësuar si një prioritet që ky festival të arrijë të vendos një nivel ndërkombëtarë nëpërmjet strukturës së tij.
‘RLIOF’ në edicionin e tij të parë do të zgjasë përplot 10 ditë duke filluar nga 29 korrik deri më 7 gusht dhe vjen në formën e punëtorive mbi teknikat e këndimit dhe interpretimit operistik të cilat shihen si pjesa bazë dhe shtylla kryesore e festivalit për shkak se strukturimi dhe formimi profesional i brezit të ri në lirikën kosovare dhe ndërthurja mes brezit të ri dhe profesionistëve është shtyllë e themelimit të këtij festivali që do të zhvillohet në një kuadër 5 ditor. Ndërsa, koncerti i parë në qendër të festivalit do të jetë koncerti i titulluar ‘New Generation’ që mbahet në Teatrin Kombëtar më 3 gusht duke filluar nga ora 19:30, një mbrëmje dhe arenë përfaqësuese e talenteve të reja, e që do të vijë si rezultat i punës përgjatë 5 ditëve ku nëpërmjet profesorit të ftuar, Vito Brunetti, i cili është lidhur ngushtë si nga ana profesionale dhe nga ajo humane për të dhënë kontributin e tij për brezat e rinj, synohet të arrihet një formim profesional që tejkalon formimin akademik të një studenti apo artisti të ri për të vënë në pah çdo vlerë e detaje profesionale të tyre e të cilat vetëm artistët që ndajnë skenën, dinë ti ndajnë dhe ti zhvillojnë më tej. Andaj, studentët që marrin pjesë në punëtori ndahen në dëgjues dhe në aktivë për të performuar në këtë koncert.
Bashkëpunimi i rëndësishëm dhe i frytshëm me ‘Mascarade Opera Studio’ vjen me një strukturë tashmë tepër të konsoliduar e të vlefshme për hapin ndërmjet përfundimit të shkollimit dhe nisjes së karrierës për sa i përket talenteve të reja. Prandaj, talentet e reja që spikaten nga edicioni i parë në punëtori dhe nga koncerti ‘New Generation’, do të kenë mundësinë e fitimit të një burse të studimit nëpërmjet mbështetjes profesionale, ekonomike dhe sociale të ‘Mascarade Opera Studio’ që konsiderohet një investim i madh përshkak se në kushte të tilla, arti kërkon pikërisht këtë mbështeje për një artist të ri që përpara vetes ka një rrugëtim të gjatë e të vështirë. Është menduar se nga kjo mundësi e mirë, studentët do të kenë një pritshmëri konkrete.
Gjithashtu, përveç punëtorive dhe koncertit ‘New Generation’, më pas mbrëmjet do të pasohen me një mbrëmje shumë speciale të titulluar ‘Opera Night’ e cila vjen me datën 4 gusht, ku do të prezantohen emra të lirikës botërore që vijnë në skenën tonë të bashkangjitur nga artistët kosovarë dhe shqiptarë, të cilët do të performojnë përkrah tyre. Një bashkëpunim i tillë dëshmon për nivelin e profesionalizmit në këtë festival duke pasur parasysh se emrat e ftuar janë profesionistë të skenës e që i përkasin një karriere të shndërritshme dhe tani këta emra do të jenë pranë publikut kosovarë.
Pastaj, një event tepër i veçantë, përveç ‘Opera Night’, është menduar të jetë edhe emërtimi i një dedikimi special të të madhes e të pakrahasueshmes, Nexhmije Pagarausha. Festivali synon që kësaj ikone e një njeriu kaq meritor të artist kosovar e cila ka lënë një ndër kontributet më të shquara dhe më të vlefshme për atë se çka ajo përfaqëson, ti dhuroj një vend të merituar brenda strukturës së festivalit që do të përmbajë numra të spikatur dhe special që i përkasin repertorit të Pagarushës, e të cilat do të ngrihen në piedestalin e duhur duke ardhur në një formë strukturore të ngritur klasike por sigurisht pa prekur dhe pa cënuar asnjëherë identitetin muzikor të tyre. Ndërsa, përtej kësaj, mendohen të bashkëngjiten edhe numra të repertorit klasik shqiptarë për krijimin e një ndërthurje ndërmjet klasicizmit shqiptarë e kosovarë dhe atij botëror.
Krejt në fund, ‘RLIOF’ do të sjell mbrëmjen e fundit për këtë edicion, një mbrëmje që pikë kryesore ka përmbledhjen e gjithçkaje të bukur të eksperiencës dhe gjithçka se çfarë tenori Lahaj synon të arrijë nëpërmjet interpretimit të tij me datën 7 gusht. Ky koncert madhështor në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë e i cili titullohet ‘Ramë Lahaj&Friends’, do të sjell të ftuar special, muzikë shumëngjyrëshe, larmi klasike, profesionalizëm të vërtetë dhe natyrisht privilegjin e tenorit Lahaj që ai e posedon ndaj prezencës në vendin e tij.
Përpos shpalosjes së programit të këtij festivali, në një intervistë për KultPlus, drejtoresha artistike e festivalit ‘Ramë Lahaj International Opera Festival’, Ulpiana Aliaj, ka folur edhe për bashkëpunimin me mjeshtrin italian Vito Brunetti dhe rëndësinë për trajnimin e artistëve të rinj.
“Bashkëpunimi me maestron Vito Brunetti erdhi në një formë shumë të natyrshme dhe organike pasi tenori Lahaj ka qenë një ndër studentët e tij dhe sigurisht duke njohur prapavijën e tij profesionale dhe duke njohur emrat e rëndësishëm që kanë kaluar përmes klasës së tij, ishte zgjedhja ideale për të qenë ai pikërisht pjesë e puntorisë së parë në edicionin e parë të festivalit. Sigurisht që edukimi i brezit të ri është gjëja më e rëndësishme dhe hallka kryesore sepse kemi tendecën që me të vërtetë të përcjellim synimin dhe ndërtimin e festivalit”, thotë Aliaj.
Sipas saj, struktura e festivalit përmban një hapësirë shumë të gjerë dhe ndërthurja që është menduar ndërmjet profesionistëve dhe të rinjve është pikërisht ajo shtyllë që nxit më tepër brezin e ri për tu kultivuar dhe mbi të gjitha për të parë në mënyrë të drejtpërdrejtë nivelin por edhe dëshirën e rrugëtimin e secilit artist.
“Duke u nisur nga shembulli i tenorit Lahaj, se si ai ka nisur formimin, strukturimin e shkollimin e tij por edhe eksperiencën e tij skenike nga një vend kaq i vogël në thelb por shumë i madh në dije e për më tepër në art dhe talent, ai mbërrin në majat e skenave ndërkombëtare. Ky është edhe synimi i festivalit sepse artisti i ri ka një rrugëtim të gjatë dhe të vështirë për tu përballur, përtej asaj se çka ne shohim në skenë dhe kështu arrihet një sukses mëse i dukshëm, siç është në këtë rast, suksesi i tenorit Lahaj por edhe shumë artistëve të tjerë që tashmë janë emra të vlefshëm të skenës botërore”, ka thënë Aliaj.
Për Aliajn, përputhja e shumë kushteve për të krijuar një strukturë të tillë dhe për të zhvilluar një festival 10 ditor, sigurisht që është e nevojshme që të ekzistojnë garanci të plota, mbështetje por nevojitet edhe një vizion shumë i qartë profesional për ta realizuar atë.
Ndërsa, për artistët që vinë nga arena ndërkombëtare e që mbajnë emra prestigjioz të skenës dhe të cilët do të inerpretojnë në skenë së bashku me tenorin Lahaj në mbrëmjen e fundit të titulluar ‘Ramë Lahaj&Friends’, Aliaj për KultPlus tha se publiku kosovarë do të ketë mundësinë të prek e të ketë pranë vetes pikërisht këta këngëtarë që ndoshta deri në këto momente do ti mund ti shihnim e preknim vetëm nëpërmjet skenave dhe arenave ndërkombëtare.
“Fakti që ata vinë në Kosovë për miqësinë, respektin dhe dashamirësinë por edhe për dëshirën e tyre, tregon për një strukturë kaq të shëndoshë artistike, për arsye se në momentin që kemi prezantuar strukturën e festivalit dhe çka synohet, të gjithë kanë shprehur dashamirësinë për t’iu bashkangjitur tenorit Lahaj”, thotë Aliaj.
Por, tani Aliaj shpreson se gjithçka do të shkojë sipas planit sepse secila mbrëmje në festival ka patjetër një specifikë të veçantë dhe kjo jo më kot sepse ata dëshirojnë të lëvrojnë në një lamë më të gjerë për sa i përket spektrit klasik por mbi të gjitha, atij profesional. Ndërkohë, sipas saj dëshira që respekti dhe mikpritja tashmë e dëshmuar nga publiku kosovarë të jetë po njëlloj edhe kësaj here, është tejet e madhe.
Krejt në fund, Aliaj për KultPlus ka shpalosur edhe pritshmëritë e saj për këtë edicion.
“Prishtmëritë tona përkrah këtij festivali janë vërtetë të larta, kjo sepse ne nisemi shumë duke parë talentin, dëshirën dhe dashurinë për artin lirik që ndodhet në Kosovë. Sigurisht që duke u nisur nga figura e spikatur e asaj se cka përfaqëson Lahaj për artin lirik por mbi të gjitha për qytetarinë kosovare, duam që nëpërmjet këtij kontributi të vyer, me të cilin ne vërtetë po e bëjmë me shumë dashuri e shumë shpirt, të sjellim një realitet i cili duhet të vijë në rritje, pse jo në strukturimin dhe ngritjen e një institucioni të artit lirik siç është Teatri i Operës, një institucion që Kosova vërtetë e meriton, kështu që prishtmëritë tona janë vërtetë të larta”, përfundon Aliaj.
Ajo tutje ka potencuar dëshirën që nëpërmjet këtij institucioni të ngrehen baza të shëndosha për të zhvilluar më tej një art lirik elitar në Kosovë.
Andaj, të gjithë studentët e interesuar për punëtorinë ftohen të dërgojnë 2 audio/video materiale jo më të vjetra se 1 vit ne email-in: [email protected]. / KultPlus.com
Të gjithë studentët dhe artdashësit do të kenë mundësi të konsultohen dhe të shkëmbejnë ide rreth teknikës së të kënduarit me mjeshtrin Italian, Vito Maria Brunetti, në puntorinë që do të mbahet në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Kjo puntori do të mbahet në kuadër të festivalit “Rame Lahaj International Opera Festival” që është organizuar nga tenori Ramë Lahaj, shkruan KultPlus.
Lahaj në një postim në Facebook ka njoftuar se puntoria do të jetë e hapur nga data 29 korrik deri më 3 gusht, ku si rezultat dhe në përmbyllje do të zhvillohet koncerti i të rinjëve “New Generation”.
Postimi i plotë:
“Te dashur student ,kolege e ju artedashes, prej dates 29 Korrik deri me 3 Gusht ne Teatrin Kombetare te Kosoves ne Prishtine do te keni mundesine te punoni , konsultoheni dhe shkembeni ide / mendime rreth teknikes se te kenduarit me Mjeshtrin Italian Vito Maria Brunetti.
Puntoria eshte pa pagese pasi eshte platforme edukimi e mbeshtetjes nga Ministria e Kultures Rinise dhe Sporteve ,Komuna e Prishtines dhe Ministria e Jashtme dhe Diaspores .
Si rezultat dhe ne permbyllje te puntorise do te zhvillohet koncerti i te rinjve “ New Generation “ i cili do te mbahet po ashtu ne Teatrin Kombetare ne Daten 3 Gusht ne oren 19:30.
Tenori shqiptar, Ramë Lahaj, për herë të parë po zgjerohet më tej, për të sjell festivalin e parë Operistik në Kosovë. Festivali do të jetë i pari në Kosovë dhe do të titullohet ”Ramë Lahaj International Opera Festival”, përcjellë KultPlus.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Lahaj gjithashtu bëri të ditur se do të mbaj koncert në sheshin ‘Skënderbeu’ në Prishtinë në bashkëpunim me Filharmoninë e Kosovës.
Koncerti do të mbahet më datë 7 gusht të këtij viti.
“Një ëndërr e imja e kahmotëshme – krijimi i një ure lidhëse mes artistëve të mrekullueshëm vendor dhe atyre ndërkombëtar”, tha Lahaj.
KultPlus ju sjell njoftimin e tij të plotë:
Të dashur miq,
Jam tejet i lumtur të ju njoftoj se koncerti Rame Lahaj & Friends do të mbahet edhe këtë verë më datë 7 gusht 2021, në sheshin Skënderbeu në Prishtinë dhe në bashkëpunim të ngushtë me Filharmoninë e Kosovës.
E akoma më shumë më gëzon fakti që kjo iniciativë për herë të parë po zgjerohet më tej, për tu bërë festivali i parë Operistik në Kosovën e para dhe pas luftës, i quajtur Ramë Lahaj International Opera Festival.
Një ëndërr e imja e kahmotëshme – krijimi i një ure lidhëse mes artistëve të mrekullueshëm vendor dhe atyre ndërkombëtar.
Festivali RLIOF do të zgjasë përplotë 10 ditë (29 Korrik – 7 Gusht 2021), ku do të ketë punëtori mbi teknikat e këndimit dhe interpretimit operisitik. Festivali këtë vit do ketë disa koncerte, për të cilat do të njoftoheni gjatë ditëve në vijim.
Në punëtorinë 5 ditore të këtij viti për këngëtarët e rinjë e në karrierë do të kemi mjeshtrin italian Vito Maria Brunetti, i cili ka trajnuar artistët e mëdhenj të lirikës botërore.
Më të dalluarit e punëtorisë do të performojnë në Koncertin “New generation”, kurse studentët e dalluar të puntorisë do të përfitojnë bursa studimi brenda dhe jashtë vendit.
Të gjithë studentët e interesuar për punëtorinë ftohen të dërgojnë 2 audio/ video materiale jo më të vjetra se 1 vit ne email-in: [email protected]
Puntoria është e hapur për të gjithë ata që duan të dinë më shumë për artin operistik. Detajet rreth vendit dhe kohës së puntorisë, bashkë me infromatat mbi yjet pjesëmarrëse dhe mbrëmjet performuese të festivalit, do t’i bëjmë të ditur shumë shpejtë.
Tenori kosovar Rame Lahaj, në një intervistë për gazetën prestigjioze angleze, The Stage, ka folur rreth rrugëtimit jo fort të zakonshëm të tij ku si fëmijë, atë e gjeti lufta në mes të adoleshencës, kurse tani ai po planifikon të organizojë një festival në vendin e tij të lindjes, në Istog, shkruan KultPlus.
Trajnimi i tij muzikor nisi në moshën 21 vjeçare dhe tani tenori është shndërruar në një yll ndërkombëtar me suksese të njëpasnjëshme. Ndërsa, për rrugëtimin e tij të pazakontë në karrierë, dëshirën rreth hulumtimit të muzikës, realizimin e ëndrrës së madhe për të performuar në skenat më prestigjioze ndërkombëtare dhe ëndrra e radhës për të ngritur një festival operistik në vendlindje, janë këto vetëm disa aspekte të shpalosura në intervistën e dhënë për ‘The Stage’.
Lahaj e bëri këtë të ditur përmes një postimi në rrjetin social facebook, ku është shprehur mjaft i lumtur që ai ka përmbushur dekadën e tij të parë të karrierës ndërkombëtare në Operën Mbretërore të Anglisë e tutje ka treguar për ëndrrën e tij që pritet ta realizojë.
“Intervista për gazetën prestigjioze angleze, The Stage, ku folëm për rrugëtimin jo fort të zakonshëm të një fëmijë, që lufta e gjeti në mes të adoleshencës.
Se si, dëshirën për të hulumtuar rreth muzikës e filloi në moshën 21 vjeçare e deri tek realizimi i ëndrrës së madhe për të performuar në skenat më prestigjioze ndërkombëtare deri tek ëndrra e radhës për të ngritur një festival operistik në vendlindje”, shkruan Lahaj.
Tutje në dekadën e tij të parë të karrierës ndërkombëtare, gjithë suksesin ia dedikon nënës së tij.
“Krenarinë mund ta ndjejnë vetëm ata që pavarësisht vështirësive dhe sfidave të jetës kanë këmbëngulur dhe realizuar premtimin që ia kishin bërë vetës. Këtë dekade dhe debutim të rëndësishëm ia dedikoj nënës time duke ju përulur asaj dhe të gjitha nënave shqiptare për edukatën e dhënë pavarësisht periudhave të vështira që kemi kaluar”, shkruan Ramë Lahaj. / KultPlus.com
Tenori shqiptar, Ramë Lahaj, do të luaj rolin kryesor në operën ‘La Bohème’, që do të shfaqet këtë muaj në ‘Royal Opera House’, në Londër, shkruan KultPlus.
Opera ku Lahaj luan rolin e Rodolfos do të shfaqet më 25 qershor.
Opera ‘La Bohème’ ka të bëjë me historinë tragjike të dashurisë së Mimí dhe Rodolfo, të vendosur në Paris e vitit 1830./ KultPlus.com
Ministri i Kulturës Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku është takuar gjatë ditës së sotme me tenorin nga Kosova me famë ndërkombëtare, Rame Lahaj, shkruan KultPlus.
Lahaj i cili në takim ishte së bashku me Besa Luzhën diskutoi me ministrin mbi artin dhe kulturën, e në veçanti skenën muzikore Kosovare.
Në njoftimin e bërë nga Ministra e Kulturës tregohet se Lahaj ka ofruar ndihmë institucioneve të Kosovës për të kontribuar në ndërtimin e mëtejmë dhe avancimin e skenës muzikore dhe operistike në Kosovë.
Më poshtë mund të lexoni njoftimin e plotë:
Takim me tenorin Ramë Lahaj
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte kënaqësinë të priste në takim tenorin nga Kosova me famë ndërkombëtare, z. Ramë Lahaj, i cili u shoqërua nga Prof. Besa Luzha.
Këngëtari i skenave operistike botërore u prit nga Ministri Çeku dhe këshilltari i tij, Liburn Jupolli. Bashkë biseduan mbi artin dhe kulturën, në veçanti mbi skenën muzikore në Kosovë.
Shprehim falenderim ndaj z. Lahaj i cili i ofroi ndihmë institucioneve qendrore të Kosovës të kontribuojë në ndërtimin e mëtejmë dhe avancimin e skenës muzikore dhe operistike në Kosovë. Kabineti i Ministrit dhe ai do të vazhdojnë të mbajnë kontakt për bashkëpunim më të afërt në të ardhmen./ KultPlus.com
Komuna e Prishtinës – juria profesionale për Konkurs projektimi, adaptimi i kompleksit ish-Gërmia për sallë koncertale ka vlerësuar projektet që ishin në garë duke vlerësuar si më të mirin Grupin e operatorëve: Kengo Kuma and as INC, O.U.D. Architects, Ahmet Topbas Muhendislik, Akim Muhendislik, Enmar Engineering, Ses Goruntu Produkiyon hizmetleri me shifër 6636, shkruan KultPlus.
Për projektin e sallës koncentrale, ka reaguar tenori me famë botëore Ramë Lahaj, i cili përmes një statusi në rrjetin social Facebook ka theksuar se ndjehet i irrituar për faktin se do të ruhet objekti ”Gërmia”, pasi siç thekson tutje ai, ky objekt nuk përfaqëson asgjë.
Më poshtë gjeni statusin e plotë të Lahajt.
Më gëzon tej mase fakti që Prishtina do të bëhet me një sallë koncertale, për të cilën realisht jemi vonuar.
Me irriton fakti që është bërë shumë presion që të ruhet objekti Gërmia që s’ka asnjë vlerë dhe nuk përfaqëson bash asgjë hiç, por që për taksirat na e jep një sallë të improvizuar e t’arnuar bash si do shtëpi t’djeguna t’pasluftës e t’renovuara që kurrë rahat n’to s’bohesh.
Na janë dashur pritje 20 vjet që BE-ja të na e financojë një sallë koncertale se vet edhe 40 vjet të tjera s’e kishim bo tu e pasë parasysh vetëdijesimin e politikes për artin. Udhëheqësve që ende shkojnë në ahengje ku ‘qitet me allti’.
Jam i irrituar e jo dakord, si profesionist që i kam parë e përformuar në sallat më prestigjioze të botës në të katër kontinentet. Jam i irrituar se s’kemi nevojë për një objekt gjysmak e të improvizuar. Meqë kemi fatin e mbështetjes për një projekt kaq madhor e të rëndësishëm atëherë duhet të mendojmë dhe studiojmë mirë atë në çdo aspekt.
E kam potencuar disa herë që ne na duhet një objekt adekuat me disa salla e galeri universale në kuptimin qe t’i kemi të gjitha artet në të, andaj na duhet një sallë e mirëfilltë e jo e improvizuar marrë parasysh që në vet s’ia dolëm ta bëjmë t’u e pasë parasysh realitetin e 20 vjetëve të fundit.
Po i bëj thirrje edhe njëherë, Komunës së Prishtinës, që në qoftë se nuk është e mundur që objekti Gërmia të rrënohet e të ndertohet një qendër e re kulturore, atëherë te gjendet një lokacion që ka qasje të mirë dhe të kemi një qendër artesh funksionale. / KultPlus.com
Rame Lahaj është rikthyer pas më shumë se një viti në skenën e operas australiane për të risjell në skenë shfaqjen e Traviatas, shkruan KultPlus.
Lajmi është bërë i ditur nga vetë Lahaj nëpërmjet një postimi në Facebook i cili ka shkruar se në skenë është rikthyer më fuqishëm se kurrë më parë.
Tutje tenori ka shtuar se i ka munguar skena sepse jeta është aty ku adrenalina arrin kulminacionin.
Më poshtë mund të lexoni statusin e tij të plotë:
Mbrëmë pas më shumë se një viti pauzë, të shtyrë për shkak të pandemisë, përsëri në skenë si Alfredo ne La Traviata… por kësaj radhe më fuqishëm se kurrë dhe me një produksion ëndrrash sikurse ky i Operas Australiane.
Më kishte marrë malli e më kishte munguar skena, sepse është jetë aty ku adrenalina arrin kulminacionin. Me këto fotografi do të doja të përçoja një dritë të fortë shprese, sepse pandeminë do ta mposhtim, ngase është thjesht çështje kohe. Deri atëherë bëni kujdes, vendosni maskën e mbani distancën atje ku është e nevojshme sepse kështu ruajmë dhe mbrojmë më të dashurit tanë.
Shumë dashni nga vendi më i bukur i planetit, Sydney Australia./ KultPlus.com
Mbrëmë pas më shumë se një viti pauzë, të shtyrë për shkak të pandemisë, përsëri në skenë si Alfredo ne…
Faqja e Opera Australia i ka dedikuar një përshkrim këngëtarit të njohur shqiptar Rame Lahaj.
Ai është rikthyer pas një viti në Australi për të risjell në skenë shfaqjen e Traviatas. Një bashkëpunim me Operan Australiane që erdhi një vit më parë si një kundërpërgjigje e artit ndaj pandemisë.
Teksti i plotë
Rame Lahaj ka lindur në Istog në Kosovë, dhe tashmë konsiderohet si një nga këngëtarët më të spikatur të brezit të tij. Suksesi i tij i parë i madh ishte debutimi i tij në Opera Shtetërore Hungareze në Budapest në 2011 me rolin e Macduff / Macbeth. Në 2016 Rame Lahaj ishte fitues i çmimit në konkursin Operalia të Placido Domingo.
Projektet e tij më të fundit dhe të ardhshëm përfshijnë debutime në shtëpi si Pinkerton / Madama Butterfly në Gran Teatre de Liceu de Barcelona, Nemorino / L’elisir d’Amore në Teatro Real de Madrid, Alfredo / La Traviata në Los Angeles Opera me James Conlon dhe në Royal Opera House Covent Garden. Përfshihen gjithashtu: kthimi në teatrin Bolshoi për Alfredo / La Traviata dhe Rodolfo / La Bohème, Alfredo / La Traviata në Staatsoper unter den Linden Berlin, Opera Australia dhe në Deutsche Oper am Rhein, Rodolfo / La Bohème në Operën Kombëtare Hungareze dhe në Teatro Comunale di Bologna me Vick dhe Ciampa, Bruckner: Te Deum in C major (25 ’) në Borusan Stamboll Filarmonia, kremtimi i 100 vjetorit të Operës Kombëtare Letoneze si dhe disa Koncerte Galà.
Angazhimet më të suksesshme në 2017/18 përfshijnë Alfredo / La Traviata me Placido Domingo në Operën Kombëtare të Parisit dhe në Bolshoi në Moskë me Sokhiev, ku ai interpretoi gjithashtu Rodolfo / La Bohème, Duca / Rigoletto në Operën Kombëtare Finlandeze në Helsinki dhe me Kasper Holten në Malmoe, një Koncert “Nata Verdi” të Operës në Arena di Verona si dhe turne koncertesh ndërkombëtare, ndër të tjera me Angela Gheorghiu në Koreja e Jugut dhe në Meksikë me Orquestra Filarmonica de Jalisco.
Sukseet kryesore në sezonin 2016/17 përfshijnë Edgardo / Lucia di Lammermoor në Operën Kombëtare të Parisit, rolin kryesor të Faustit në Tel Aviv, Duca / Rigoletto me McVickar në Festivalin e Operës Savonlinna si dhe koncerte në Londër dhe Meksikë pranë Placido Domingo.
Në 2014/15 dhe 2015/16 ai interpretoi Duca di Mantova / Rigoletto në Haus für Mozart në Salzburg, Duca di Mantova / Rigoletto dhe Alfredo / La Traviata në Operën Kombëtare Polake në Varshavë, Alfredo / La Traviata në Opera Australia në Sidnei, Rodolfo / La Bohème në Teatro Verdi në Trieste, Pinkerton / Madama Butterfly në Festivalin Puçini Torre del Lago dhe në Opera Las Palmas. Ai gjithashtu përuroi sallën e re të koncertit ‘Amber’ në Letoni së bashku me sopranon Marina Rebeka.
Në 2014 Rame Lahaj bëri debutimet në shtëpinë e tij si Duca di Mantova / Rigoletto në La Monnaie de Bruxelles, si Alfredo / La Traviata në Operën Shtetërore të Hamburgut dhe si Duca di Mantova / Rigoletto në Deutsche Oper Berlin. Në sezonin 2013/2014 artisti ishte gjithashtu në Semperoper Dresden si Duca di Mantova / Rigoletto, Alfredo / La Traviata dhe Rodolfo / La Bohème. Për më tepër, ai interpretoi Rodolfo / La Bohème në Royal Albert Hall në Londër.
Në vitin 2012 ai interpretoi Rodolfo / La Bohème në Francë në National Opéra de Montpellier. Debutimi i tij italian doli të jetë një sukses i madh me interpretimin e Rigoletto në rolin e Duca di Mantova në Teatro Massimo di Palermo./ KultPlus.com
Ramë Lahaj rikthehet pas një viti në Australi për të risjell në skenë shfaqjen e Traviatas, shkruan KultPlus.
Një bashkëpunim me Operan Australiane që erdhi një vit më parë si një kundërpërgjigje e artit ndaj pandemisë. Tashmë në Australi nuk ka asnjë rast pozitiv me COVID-19 dhe jeta vijon normalisht.
“Tash një vit në Sydney, në përiudhën e njejtë shfaqjen e Traviatas pothuajse e kishim gati kur pandemia rrënoi gjithçka. Jam me fat që u riktheva pas një viti për ta realizuar po të njejtin produksion me Operan Australiane si kundërpërgjjgje ndaj pandemisë, që arti nuk dorëzohet pavarësisht sfidave të çfarëdo natyre e kohe. I lumtur të shoh që Australia e sidomos Sydney ka 0 raste me COVID-19 muajt e fundit ndërkaq jeta vazhdon normalisht. Më kishte marrë malli të jetoj pa maskë e masa që kufizojnë rutinën tonë elementare. Sa do të doja që edhe pjesa tjetër e botës të kishte menaxhuar pandeminë biles pak si Australia”, shkruan Lahaj./ KultPlus.com
Tenori shqiptar Ramë Lahaj ka nisur provat përgatitore për shfaqjen e tij të radhës, ku pas rreth një muaji do të jetë pjesë e kastit të operës “La Traviata” në Gjirin e Sidneit.
“Pak më shumë se një muaj deri në hapjen e natës së parë, artistët tanë më në fund janë përsëri në punë, gati për të sjellë në jetë operën më të preferuar në botë, në mjedisin më të bukur të Sidneit.” – citohet nga përfaqësuesi i Operës së qytetit të Sidneit në Australi.
Në moshën 21-vjeçare nisi stërvitjen profesionale muzikore dhe një vit më vonë filloi studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë, ku dhe u diplomua si nxënësi më i dalluar në vitin 2008.
Në moshën 21-vjeçare, tenori i ardhshëm nisi të ushtrohej në muzikë. Skena gjermane ishte ajo që do të mundësonte tenorin që të tregonte performancën e tij. Tenori erdhi me një rol tjetër të rëndësishëm për repertorin e tij, rolin e Rodolfos në opera (La boheme | La Boheme) në Dortmund. / KultPlus.com
Tenori i njohur shqiptar, Rame Lahaj, shquhet për një zë të jashtëzakonshëm dhe tekste e muzikë që përherë mbajnë mesazhe brenda tyre, shkruan KultPlus.
KultPlus sonte ju sjellë këngën,‘Khtehu rini’, këngë kjo tejet emocionuese që vjen si dedikim për të rinjt e vendit, si një thirrje për të mos lënë vendin.
Tenori i njohur shqiptar dhe shumë i dashur për publikun, Ramë Lahaj ka reaguar sot përmes një statusi në facebook duke shprehur urimet e tij për zgjedhjet e djeshme dhe njëkohësisht duke shpresuar në ndryshimin që pritet të ndodhë në vendin ton, shkruan KultPlus.
Ndër të tjera ai shpreson që ky mobilizim i qytetarëve të sjell rezultate e mbi të gjitha të ndëshkojë të gjithë ata kaubojtë e kapadaitë që sillen si pronarë institucionesh e jo si udhëheqës të tyre.
“ Urime ndryshimi që e deshëm të gjithë!
Çka më gëzon tej mase, është forca dhe mobilizimi qytetar për t’i ndëshkuar të gjithë kaubojtë e kapadaitë që sillen si pronarë institucionesh e jo si udhëheqës të tyre, për të mirën e qytetarit dhe kombit.
Një falenderim i veçantë për mergaten tonë të mrekullueshme që gjithmonë dhe çdo kohë tregon se është pjesa më e rëndësishme e kombit, duke e dhënë kontributin më të madh në luftë e paqe.
Gëzuar të gjithëve e na priftë e mbara”, ka shkruar Lahaj. / KultPlus.com