Gili Hoxhaj
Amfiteatri i Ri i Bibliotekës Universitare në Prishtinë po mirëpriste një superyll të operës. Ardhja e tij këtu ishte si një dhuratë për publikun, i cili dukej që mezi kishte pritur ta dëgjoj për së afërmi zërin e tij që ka magjepsur teatrot më të mëdha botërore. Data e djeshme, që është në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Evropës, bëri që Kosova të jetë në agjendën e tenorit Lahaj, mes vendeve që zotërojnë sallat më të mira të operas.
Vendi ku performoi mbrëmë ai, është një nga të vetmet hapësira në Kosovë, ku mund të dëgjohen interpretues të huaj, që prezantohen para publikut të Kosovës. Dhe pikërisht në këtë skenë, kthehet një solist opere që është rritur në Kosovë, që prej këtu ka ushqyer ëndrrat e tij për skenën.
Ani pse kjo skenë nuk ishte e denjë për të, në krahasim me skenat ku ka jehuar zëri i tij, ishte publiku ai që e bënte dallimin. Në mesin e disa prej tyre ishte rritur, e një pjesë tjetër është rritur me ndjenjën e krenarisë për të.
Për ardhjen e tij në Kosovë, publiku ishte njoftuar ditë më parë. Me një shpejtësi të jashtëzakonshme ishin shitur biletat për këtë koncert. Para ambientit ku do të mbahej koncerti, kalimtarët e kanë parë të vendosur një poster që tregonte se brenda kësaj ndërtese, do të mund të dëgjojnë më afër se kurrë tenorin, Ramë Lahaj. Po aty ishte vendosur dhe një tapet i kuq, përmes së cilit depërtoje tek salla ku do të fillonte koncerti.
Një moment prapa, një vulë e madhe e suksesit të Ramë Lahaj kthehet para syve të publikut përmes ekranit prej nga ata ishin përqendruar, para se në skenë të vinte Ramë Lahaj. Është momenti kur Placido Domingo i dhuron çmimin prestigjioz “Operalia”, ku aty Lahaj ishte listuar në vendin e tretë. Mes ekranit bardh dhe zi, Ramë Lahaj e solli edhe mjeshtrin Placido Domingo me vete. Domingo thotë se Lahajn e cilëson si një nga fituesit më të mëdhenj të Operalias. Karriera e tij në muzikë filloi në një moshë të madhe, e rrugëtimin e tij në skenat më të mëdha botërore e filloi që nga viti 2012 e tutje, duke e bërë atë një nga emrat më të kërkuar. Kjo ishte dëshmi që Rama kishte punuar fort për t’i jetësuar ëndrrat e tij, ani pse, shkollimin fillor e të mesëm e kishte përfunduar në qytetin e Istogut, atje ku as sot nuk ekziston një shkollë profesionale e muzikës.
“Kur zëri ka kualitet, nuk ka rëndësi prej nga vjen”, thotë Domingo në videon kushtuar Ramë Lahajt. Skena të teatrove më të rëndësishme erdhën përmes ekranit që ndodhej prapa, ato në qendër kishin figurën e Ramë Lahajt. Ishte reflektimi më i mirë i emocionit që e ka lënë Lahaj në skenat e mëdha.
“Evropa në zemrën e tij, krenaria e Kosovës”, u titullua koncerti i mbrëmshëm, që po e kthente pas shumë vitesh Ramë Lahajn me koncert në Kosovë, tash me një bagazh të ngjeshur artistik. Kjo e kishte bërë edhe me kuptimplotë ardhjen e tij këtu, për të shënuar Ditën e Evropës. I gjithë koncerti u organizua nga Zyra së Bashkimit Evropian në Kosovë.
Dalja e Ramë Lahajt në skenë dhe duartrokitjet e publikut
Fotografitë nga skenat më të mëdha, kur bashkohen me zërin dhe prezencën e Ramë Lahajt në skenë, e fusin këtë mbrëmje në mesin e atyre më të rëndësishmeve për jetën kulturore në Kosovë. Ende pa u dëgjuar zëri i tij, dëgjohen fort duartrokitjet e publikut që kishin mbushur çdo hapësirë të sallës. Mes duartrokitjeve të fuqishme, tenori Ramë Lahaj bën hapat e parë në skenë. Salla ndriçohej anash nga një ndriçim i zbehtë, e në formë të rrumbullakët ndriçimi ishte përqendruar tek Lahaj e pianisti. Pranë pianos zë vend pianisti Alessandro Amoretti i cili do ta shoqëronte gjatë gjithë koncertit Lahajn. Me një precizitet e teknikë të saktë, publiku shijoi lojën e Amorettit i cili ishte i lumtur që mbrëmë e shoqëroi Lahajn, për të cilin pa asnjë ngurrim thotë se është një nga këngëtarë që ka shumë për t’i dhënë botës. Loja e tij që ishte më e theksuar, kur zëri i fuqishëm i Lahajt ndalej, plotësonte mjeshtërisht koncertin.
Kur Ramë Lahaj vjen në skenë, me një buzëqeshje ndeshet me qindra sy që janë drejtuar drejt tij. Kur zëri i tij fillon rrugëtimin muzikor të mbrëmjes, publiku mezi mban frymën deri në fund të veprës, për t’i përplasur fort duart. Ai solli vepra të repertorit të cilat i ka punuar më parë mirëpo edhe disa vepra në të cilat është duke punuar aktualisht. Arie të njohura botërore, përmes zërit të tij bënin që publiku prishtinas ta përjetonte nivelin më të lart artistik të muzikës klasike. Veprat e kompozitorëve më të njohur italian për opera, si Giacmo Puccini, Giuseppe Verdi, Ernesto De Curtis erdhën mbrëmë tek publiku. Dramaticiteti i tyre, e ndjeshmëria e veprave shtriheshin në zërin e lëvizjet e Lahajt, që lëvizte trupin bashkë me zërin e tij brenda skenës. Zëri i tij jo rrallë herë gjatë mbrëmjes dukej se po arrinte kulmin. Me një përjetim më të veçantë u prit vepra “Agimet shqiptare”. Ishte vepra e vetme shqip që mbrëmë erdhi përmes zërit të Lahajt.
“Trualli im shqiptar me gjallëron, me bën krenar, sa jam krenar, sa jam krenar”, që vinte mrekullisht përmes Lahajt, ngjalli fort emocionet e publikut, i cili pas veprës shpejt ngrihet në këmbë, për ta nderuar interpretimin e tij me duartrokitje.
Lahaj vendos dorën në njerën anë të gjoksit, e përkulet pranë tyre, për t’u ndarë për pak minuta nga ta. Nga perdet e zeza, ai kthehet kësaj here pa sako. Momentet e para, i drejton sytë lart, mbështet dorën në njërin skaj të pianos e pastaj lëviz. Shpesh i mbledh duart pranë gjoksit, e ndonjëherë vetëm njërën dorë e lë varur lart e me ngadalësi e ofron pranë vetes. Shpesh herë duart i bashkoheshin pranë fytyrës, e zgjateshin më larg trupit. Është i vetëm një rast kur këmba e tij përplaset fort në skenë. Shikimi i tij, ashtu si zëri shtriheshin në çdo pjesë të sallës. Derisa shikonte publikun, ai tundte kokën në shenjë mirënjohje nga emocioni që i dhuronin.
Para interpretimit të parafundit, drejt tij ngjitet Nexhmije Pagarusha që në duar mban buqetën me lule. Lahaj zbret me shpejtësi pranë saj. Ky takim mes tyre gjatë koncertit, krijoi një nga momentet me emocionuese të mbrëmjes. Publiku po duartrokiste dhe këtë bashkim të dy zërave që janë ngulitur fort në historinë e muzikës shqiptare.
“O sole mio”, e “Di Capua” mbylli mbrëmjen. Pasi që Lahaj e pianisti Amoretti bashkonin muzikalitetin e tyre përmes interpretimit të veprave, ata në fund të tyre bashkonin duart, e përshëndetnin publikun. Lahaj nga skena largohet duke kënduar, duke lënë publikun të magjepsur nga zëri i tij. Mes urimeve, përqafimeve e fotografive me Ramë Lahajn, publiku largohet nga salla.
Besa Luzha dhe Marigona Qerkezi për Ramë Lahajn
Profesoresha Besa Luzha tha se ndihet e kënaqur që Ramë Lahaj po shënon Ditën e Evropës dhe me këtë koncert edhe dëshmohet që Kosova ka vlera evropiane. Ajo tha se Ramën e bën më të jashtëzakonshëm fakti që edhe pse nuk ka pasur shkollimin e gjatë dhe të mirëfilltë muzikor.
“Prej një vendi siç është Istogu nuk i ka marrë mendja dikujt që del një Mario Lanza i Kosovës”, shprehet Luzha.
Luzha tha se Lahaj po e mahnit Evropën me artin e tij, e vazhdimisht duhet të përmendet fakti që vjen nga një vend që s’numëron as edhe një sallë të operës e baletit.
“Ne gjithmonë po trajtohemi si një vend që po kërkon mëshirë prej Evropës por ne duhet që sa më shumë ta promovojnë faktin se ne i sjellim vlera Evropës. Përveç vajzave e djemve të rinj si fuqi punëtore, ne Evropës i sjellim edhe talentë të tillë si Rama që i mbush sallat evropiane të operës e baletit, edhe pse ne nuk e kemi një të tillë”, u shpreh Luzha për KultPlus.
Sopranoja e njohur nga Kosova, Marigona Qerkezi, e cila së fundmi është pranuar në një ndër garat më prestigjioze në konkursin famshëm operistik “Operalia”, pikërisht nga kjo garë prej nga edhe Lahaj ka marrë çmimin e madh, tha se ndihet shumë krenare me sukseset e tij edhe për faktin që e ka mik dhe për faktin që ai prezantohet kudo me prejardhjen e tij, e që ndikon edhe në përmirësimin e imazhit të vendit.
“Ramën e kam shumë mik, jam shumë krenare me të si personalisht ashtu dhe me faktin që po na bën krenar neve si shtet dhe komb. Jemi me fat që Rama kudo që shkon tregon se është nga vendi ynë, kështu që dhe imazhi i vendit përmirësohet. Rama është një këngëtar i shkëlqyeshëm, kur mbyll sytë ke përshtypjen se po dëgjon një superyll të historisë se operas dhe kur hap sytë e sheh që është miku yt, është gëzim i dyfishtë”, u shpreh Qerkezi për KultPlus.
Lahaj, i cili këtyre ditëve po qëndron në Kosovë me ftesë të Ambasadores Nataliya Apostolova, sot do të mbajë një ligjëratë dhe një masterklasë në kuadër të aktiviteteve të Ditës së Evropës 2018. Masterklasa fillon nga ora 15:00, në Amfiteatrin e Ri të Bibliotekës Universitare në Prishtinë . / KultPlus.com