Vetë ka qenë fajtuer, njikohsisht âsht dashunue në dy vajza. Në Lulen dhe n’Afërditën. Dhe nuk ka dijtë cilën don mâ tepër.
Të dyja i ka dashtë njisoj: shum.
Lulja e Afërdita kanë qenë në nji klasë me tê. Ato kanë qenë shoqe të mira ndërmjet vedi. Sikurse mund të jenë vajzat derisa mos të futet në mes ndonji mashkull. Këto të dyja kanë qenë para nji rreziku të tillë. Me u prishë njena me tjetrën. Mos me folë.
Por ai nuk ishte i vendosun. Nuk mundte me i përqëndrue ndjenjat vetëm në njenën. Nuk ia mbërrinte kurrsesi me e dashtë vetëm “gjysën”.
Lulja âsht “gjysa” e Afërditës, mendonte ai. Dhe Afërdita “gjysa” e asaj. E unë si mund ta due vetëm njenën , kur të dyja, vetëm të dyja janë – nji. Le të jetë cilado prej tyne: Lulja ose Afërdita. Por, të dyja më nji.
Megjithatê, e dinte se zgjidhje tjetër nuk ka: ose njena, ose tjetra. Me të dyja, si dëshironte ai, njikohsisht nuk mund të vejë kunorë. Ose Lulen ose Afërditën. Mirëpo, cilën?
Përkah natyra, ato ndryshojshin shum njena prej tjetrës. Dhe âsht çudi e madhe se si mund të shkojshin bashkë, kur aq pak përkojshin ndërmjet veti.
Kurdoherë e gatshme me qeshë me zâ, “prej zemre”, me u mahitë, me këcye, me luejtë, me u gjindë në shoqni të mashkujve, me qenë e lirë me ata, me i ngacmue ngapak, Lulja ishte mjaft vajzë e llastueme. Por edhe e bukur. Zeshkane. Me sy të zi, të thellë. Sy – “si të dreqit”, i kanë thanë. Sy sherr.
Afërdita, përkundra, ka qenë disi e mbyllun në vete. Ka pasë njifarë krenarije në të mbajtun dhe në të paraqitun. “Ka zotnillëk Afërdita” – flitshin për tê shokët e klasës. “Edhe pse nuk âsht aq e bukur sa Sysherrja”.
Ajo ka qenë e matun. E zgjuet. Inteligjente. Ka lexue shum. Dhe intresohej për gjana mâ thellë. Lulja i merrte sipërfaqsisht. “Jeta âsht e shkurtë” – ka qenë maksima e saj. “Nga jeta duhet grabitë sa mâ shum. Nuk kemi shum kohë me filozofue!” Mandej – qeshte. Sidomos me sytë sherr.
Ai e donte të qeshunën e saj, por respektonte pamasë matunin e Afërditës; i pëlqente natyra e çelun e Lules, por adhuronte krenarin dhe qëndrimin e Afërditës; ishte dashunue tepër n’ata sy sherr, por lakmonte inteligjencën e Afërditës, zgjuetsin e saj.
Me dashtë vetëm Lulen, mendonte ai, kurr nuk ia fali vetit gabimin pse kam lëshue Afërditën. E me dashunue Afërditën, si mund të harrohet Lulja? Me ata sy të saj? Plot shend e gëzim. Rini. Ajo bukuri!
Bashkë kanë shkue në shetina. Që ë tre. Bashkë kanë dalë në korzo, në mbramje. Bashkë kanë shkue në kino. Çdo film e kanë shique sëbashku.
Deri në maturë.
Mandej, nji ditë. Lulja e Afërdita i kanë thanë”:
“Na fal, por sot mbasdite nuk do të shkojmë në kino. Jemi të thirruna te nji shoqe.”
At mbasdite ka shkue vetëm në kino.
Në kino ka pá Lulen dhe Afërditën.
Krah-për-krah me dy mashkuj të pashëm.
(Nga përmbledhja “Vija e vrragë”, 1966)/ KultPlus.com
Jeta dhe vepra e shkrimtarit të ndjerë, Ramiz Kelmendit, sonte u përkujtua në aktivitetin e pestë me radhë në kuadër të projektit “Ora e Shkrimtarit 2” nga PEN Qendra e Kosovës të mbajtur në KultPlus Caffe Gallery, me ç’rast në këtë mbrëmje letrare u shpalosën jo vetëm analizat e ndryshme letrare por edhe momentet nga më të përzemërta të të pranishmëve që kishin ndarë me shkrimtarin, shkruan KultPlus.
Fillimisht, moderatori Haqif Mulliqi, nisi takimin letrar me fjalimin e tij duke folur fillimisht për jetën e shkrimtarit e më pas duke ndarë edhe ndodhi nga kujtesa e tij me të.
“Ramiz Kelmendi ka qenë një satirist, një tregimtar, ka shkruar radiodrama, është shquar si bashkë skenarist i filmit “Gjurmë të bardha” me Ekrem Kryeziun, ka shkruar romane, profesor i Universitetit, pra njihet si një personalitet kompleks. Ai ishte edhe një përkthyes i jashtëzakonshëm, i pasionuar me emrat më të shquar të letërsisë botërore”, thotë Mulliqi.
Gjithashtu, i pranishëm në këtë ngjarje për të folur më thellësisht për botimin e Kelmendit, të titulluar “Nga ditari im”, ishte edhe shkrimtari Ibrahim Kadriu.
“Emri i Ramiz Kelmendit me dekada ka gjetur hapësirë në të gjitha gazetat dhe revistat tona dhe në raftet e bibliotekave me aq shumë libra origjinal dhe përkthime. Ai paraqet një individualitet të veçantë si krijues e pedagog, duke dëshmuar individualitetin me kreativitet dhe angazhime organizative në krye të edicionit botues të “Rilindjes”, në teatër dhe së fundi si themelues i shkollës së gazetarisë nga e cila kanë dalë kuadro që u bënë kontribuues të mjeteve të informimit. Kur përmend edicionin botues, më kujtohen vitet e fundit të gjashtëdhjetave kur, falë angazhimit të drejtpërdrejt të Ramiz Kelmendit, u pasuruan bibliotekat tona me botimet e Tiranës pikërisht në kohën kur ende merrte frymë politika e etiketimit të botimeve të Shqipërisë”, thotë Kadriu.
Sipas tij, libri “Nga ditari im” si i tillë ka vlerë të shumëfishtë, meqë ngërthehet përmes rrëfimeve të “huazuara” në periudhën kohore prej dekadave, rrëfime që janë të pasuruar me referenca, por edhe me nuanca të asaj përditshmërie që na ndihmojnë ta kuptojmë atë realitet të hidhur përmes së cilit, autorit, i është dashur të kapërcejë gjithnjë me frikën e të ndjekurit.
“Duke lexuar Ditarin, duke shëtitur bashkë me autorin rrugëve kah kishte kaluar ai, më erdhi një si qortim për veten, se nuk e kisha njohur sa duhet, se pata fat (me këtë lexim) ta njihja më të plotë, sado që gjatë këtyre pesë dekadave prej kur këmbenim mendimet dhe përvojat, e kisha të qartë portretin e këtij krijuesi, si figurë komplete e letrave shqipe. Asaj njohjes sime paraprake, faqet e ditarit të tij, i erdhën si dëshmi për të deshifruar shumëçka biografike në veprat e shkrimtarit”, thotë Kadriu.
Për Kadriun, libri “Nga ditari im”, përkundër dilemës së autorit, të shkruhej apo të mos shkruhej, që e thotë në parathënie, është fat që, megjithëkëtë, është shkruar dhe, para lexuesve, del edhe si roman, edhe si dramë, edhe si tragjedi, por edhe si komedi. Për të gjitha këto zhanre ky ‘Ditar’ ka brumë të mjaftueshëm dhe, me atë brumë, i ndihmon teorisë mbi individualitetin e shkrimtarit si protagonist e veprave të veta.
“Kur e kemi parasysh Ditarin, na vjen keq që aq shumë tema të shtruara në faqet e këtij libri në mënyrë fragmentare, nuk janë realizuar si vepra (të tjera) të veçanta. Ndoshta për këtë ka ndikuar tërheqja, për një kohë të gjatë, e shkrimtarit nga shkrimi, e që mund të kuptohej si revoltë për shkak të ndodhurave politike përmes dhunës mbi shqiptarët. Largimi nga krijimi i këtij autori, prandaj, mund të kuptohet edhe si varfërim i letrave shqipe, por ja që, në moshë të shtyrë të autorit, na erdhi botimi: Nga ditari im”, përfundon Kadriu.
Tutje, prozatori, përkthyesi dhe publicisti, Binak Kelmendi foli rreth publicistikës tek shkrimtari Ramiz Kelmendi, duke e cilësuar atë si rilindës i edicionit, rilindës i publicistikës dhe rilindës i përpjekjeve nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Ramiz Kelmendi ka qenë rilindas i “Rilindjes”. Rilindas i edicionit, Rilindas i publicistikës. Dhe Rilindas i përpjekjeve nacionale për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Them se ka qenë rilindas i “Rilindjes” pasi që dy periudha të jetës së vet ia kushtoi kësaj gazete. Fillimin e parë në këtë gazetë e nisi në vitin e largët 1947. Këtë e pohon ai vetë, Ramizi, kur thotë se: unë gazetar jam vetëm dy vjet më i ri se “Rilindja”; kjo lindi më 12 shkurt 1945, e unë botova shkrimin tim më të parë në këtë gazetë – dy vjet më vonë”, thotë Kelmendi.
Sipas tij, “Letra prej Ulgini” është një korrespondencë e sajuar e gazetarit Ramiz me dy rezidentë të Ulqinit (Muho Ficigi- Muharrem Fici dhe Hajro Doçiqit-Hajrudin Doçit) njohës shumë të mirë të situatës politike dhe të gjendjes së përgjithshme shoqërore të shqiptarëve në Kosovë e në Mal të Zi.
“Është evidente se “Letra pre Ulqini”, tejkalon krejtësisht konturat e rëndomta gazetarore, e do të thosha edhe ato publicistike jo vetëm të kohës kur është shkruar, fundi i viteve të gjashtëdhjeta. Si e tillë ajo mbetet një dëshmi me interes për zhvillimet te shqiptarët në ish-Jugosllavi që nuk ishte veçse një Serbi e madhe me apetite të pashuara për kolonizim e mbisundim ndaj të tjerëve dhe në veçanti me aspirata të qarta antishqiptare. Në fakt, “Letra prej Ulqini”, është një kronikë me frymë e me shpirt e një periudhe katandisëse në Kosovë”, thotë ai.
Për Kelmendin, vepra tjetër “Fytyra dhe turinj” është një përmbledhje polemikash e rilindasit publicist ku Kelmendi, duke u marrë me historikun e polemikës në letrat shqipe, ka përzgjedhur dhe ka analizuar polemika autorësh të njohur shqiptarë që nga mesjeta dhe deri në vitet e 70-ta të shekullit të shkuar.
“Kelmendi jo vetëm shkroi e bëri një kohë të gjatë gazetari. Ai e krijoi edhe shkollën e vet te gazetarisë me emrin “Faik Konica” e cila veproi deri pas çlirimit. Një kohë e botoi edh gazetën “Gazetari’. Ramiz është Rilindas i Edicionit ose i asaj që e njohim si Shtëpia Botuese e Rilindjes. Në kohën e qëndrimit të tij në Edicion, si kryeredaktor, Ramizi theu murin e madh që ekzistonte ndaj librave të botuar në Shqipëri duke sjellë dhe ribotuar në Kosovë tituj që deri në atë kohë konsideroheshin mollë e ndaluar. Pavarësisht se pa prozën e tij, romaneske e tregimtare, pa udhëpërshkrimet e tij, pa dramat dhe pa publicistikën e tij, letërsia, kultura dhe arti ynë, do të ishin shumë më të varfër ”, përfundon Kelmendi.
I pranishëm në këtë takim ishte edhe shkrimtari, Daut Demaku, i cili foli para pjesëmarrësve për gjuhën unike të shkrimtarit Kelmendi dhe magjinë e tij të të shkruarit.
“Mendoj se vendlindja e shkrimtarit është ka flitet gjuha e tij. Nëse flasim për art, duhet të flitet për magjinë e mençurisë së shkrimit. Nuk besoj se ka në letërsinë shqipe ajo idila erotike, ajo magjia e dashurisë, më shumë se sa në prozën e Ramizit. Ajo që më dhemb shumë, është se nuk po kemi fuqi institucionale e as të iniciativave të shoqërisë civile që të fshijmë pluhurin asaj gjenerate që i ka paraprirë Pavarësisë së Kosovës me të gjitha. Kur e sheh Ramizin, e sheh madhështinë e një rruge që ka shtruar në një mënyrë shumë të bukur artistike. Vajza është më e bukur në jetën e vet kur bëhet nuse, e shkrimtari Kelmendi, gjuhën e ka pasur nuse”, thotë Demaku.
Sipas tij, promovimi i librave të tij për brezat e ri do të ishte një krenari serioze kombëtare ku secili do të thoshte: “I lumi unë që jam shqiptar se paskam pasur dikë para meje të këtij niveli.”
Krejt në fund, nën atmosferën e ngrohtë të rrethuar me muzikë shqiptare, të pranishmit vazhdonin të ndanin kujtime të tyre të cilat mbase edhe do të mbahen mend deri në frymën e fundit të qenies njerëzore.
Ndërkaq, ‘Ora e Shkrimtarit 2’ do të mbahet deri më 16 nëntor, ku çdo të martë dhe të enjte në KultPlus Caffe Gallery, duke filluar nga ora 17:00, do të përkujtohen edhe shkrimtarë të tjerë si Rrahman Dedaj dhe Musa Ramadani. / KultPlus.com
Nuk dihet se për cilin libër bëhet fjalë, por në rrjetet sociale ka filluar të shpërndahet një fotografi e nxjerrë nga një libër i teksteve shkollore, ku bëhet fjalë për një tregim të shkrimtarit të njohur kosovar Ramiz Kelmendi, shkruan KultPlus.
Po në këtë tekst shkollor, në vend të fotogarfisë së shkrimtarit Ramiz Kelmendit është vendosur fotografia e një Ramiz Kelmendi tjetër, atij të biznesmenit.
Tregimi “Në Oslo” me autor të shkrimtarit Kelmendi është ilustruar me atë të Ramiz Kelmendit, që njihet në Kosovë si pronar i Elkos./KultPlus.com
Ibrahim Rugova cilësohet si figura historike e Kosovës, që pati rol kyç në shtetndërtimin e vendit.
Krahas që mbeti në histori si një president historik, ai ka qenë i njohur edhe si një akademik e intelektual i rrallë.
Ibrahim Rugova si i tillë ka qenë edhe shumë i lidhur me këngën tradicionale shqiptare.
KultPlus sot ju sjellë një fotografi të përbashkët të Ibrahim Rugovës së bashku me intelektualin tjetër të madh Ramiz Kelmendin.
Me fytyrat e tyre të buzëqeshura, ata shihen teksa ndjekin ritmin e valles. / KultPlus.com
Kur e kujtoj baben, ajo qe me ban me mendue asht ku e ka burimin kreativiteti: ne talent apo ne nxanje?
Talenti a asht i lindun apo asht i nxanun? Msohet?
Ne familjen tone para Ramizit nuk kishim njerez te shkolluem. Kishim njerez qe kane dijte me fitue dhe me mbijetue.
Ramizi, baba jem, me 15 vjet, ne vitin 1945, e shkruen nji poezi fatale per lirine dhe e boton fletushken “Drita e Lirise” me grupin patriotik te Pejes, e cila u shpall antijugosllave edhe antikomuniste.
Ishte grupi qe po gjykohej bashke me Marije Shllakun dhe bashkeluftaret e saj per idene e bashkimit te Kosoves me Shqipnine mbas Luftes se Dyte Botnore.
Ali Shukrija, prokurori qe po i gjykonte, nuk ka besue se ate vjershe mundet me shkrue nji djal rugovci me 15 vjet. Ishte koha kur ne Kosove 95 perqind e popullates ishte analfabete. Ali Shukrija kerkon prej Ramizit ne gjykimin publik qe u mbajt ne Prizren, me pranue se poezine e ka shkrue mesuesi i tij Isak Çavolli, sepse donin me e burgos per idete e tij. Por Ramizi kambengul se e ka shkrue ai.
Nuk vonoi dhe fakti se Ramizi shkruen dhe shkruen bukur u deshmue me krejt karrieren e tij, e cila filloi me fletushken antikomuniste “Drita e Lirise” dhe perfundoi me nji opus letrar pa te cilin nuk kuptohet Kosova e mbas Luftes se Dyte Botnore, e as kryeqyteti i saj – Prishtina.
E tha per bukuri shkrimtarja Natasha Lako, qe Ramiz Kelmendi ishte “njeri i kryeqyteteve”. Themelues i Prishtines kryeqytet, bashke me krejt gjeneraten e tij, sepse asht kultura, fryma ajo qe nji qytet e ban me qene kryeqytet.
Ky gjykim ne Prizren, ku u dhane edhe denime me vdekje ndaj Marijes dhe bashkeluftareve te saj, dhe burg per krejt grupin e Pejes, diqysh e ban Ramizin me u formue nen hijen e ndjekjes. Ai shkruente a thue se çdo çast dikush mundet me e kerkue dhe me e burgos. Ndoshta kjo edhe e ka ba me pase nji opus letrar aq te begate.
Ai ishte pak i preokupuem me ndjekjen, me ndjeksit…me ata ‘shtate persona qe e ndjekin autorin’. I mendonte te shemtuem, agjenta, qe gjithmone e survejojne, qe e dijne çka o ka ban.
Kur mbas shume vjete i kam kallxue se nji nga ata qe e kane ndjeke dhe e kane ‘mbulue’ nuk ka qene i shemtuem e as serb, po ka qene miku i tij ma i afert, “esmer”, ai nuk e besonte ne fillim. Ja kishin thane edhe tjeret, por ai nuk donte me besue. U zhgenjye shume, por nuk e nderpreu komunikimin me te.
Dhe ketu vijme te ajo qe Ramizin e ka dallue: intelegjenca e tij emocionale.
Ai i ka dasht njerezit. Ka besue ne ta. Depertonte lehte ne zemrat e tyne, ne intimitet. Nuk e ka pase per zor me jau thane fjalet e mira. Ndoshta i zhveshun nga ambiciet politike, ai i shihte njerezit nga ana e tyne e mire…nuk i interesonte kafsha politike mbrenda tyne. Prandaj edhe ata e donin.
Ai i shprehte emocionet, nuk ka dijte me i mshef…
Aq i dalluem u ba ne fjalet e tij te mira sa e ftojshin me i thane fjalet e fundit ne vdekjen e miqve te tij, te cilat familjet i ruejn edhe sot e kesaj dite. Ai dinte me ta thane fjalen e mire. Fjalen e dashtun. Fjalen e respektit. Diçka kaq e rralle sot.
Nji mik i tij tha me nji moment, kaq bukur po i shkruen Ramizi fjalet e fundit, sa po kam deshire me vdeke, qe Ramizi me m’i thane fjalet e fundit.
Dhe nese ka nji fjale qe e perkufizon Ramizin asht fjala – dashni!
Ne familje, sot mbas 1 viti prejse nuk asht me ne, jemi plot mall e kujtime, jemi te lumtun qe ishte i joni, dhe krenar qe sot i takon te gjitheve.
Familjarë, miq, shokë e kolegë përkujtuan sot njëvjetorin e vdekjes së profesorit, publicistit e shkrimtarit Ramiz Kelmendi.
Me këtë rast, në një kënd të “Ringsit”, ku Kelmendi kaloi shumë çaste në dhjetë vitet e fundit në kafen e vet të preferuar e me miq e shokë, u vendos edhe portreti i tij në bronz, punim i skulptorit të njohur kosovar Veli Balkçori.
Nën portretin e tij janë gdhendur fjalët “Ramiz Kelmendi – (1930) shkrimtari erudit nga 11 janari 2017 i mungon këtij këndi në “Rings”, të cilin e madhëroi aq shumë vite me praninë e tij”, shkruan Koha.net. Në këtë njëvjetor të vdekjes së Kelmendit, kujtime për shkrimtarin shpalosën miq, shokë e krijues ndërsa u recituan edhe disa poezi kushtuar të ndjerit./ KultPlus.com
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Karriera” dhe shpalljen e fituesve të konkursit “Vangjush Gambeta” për gazetarët e ekonomisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptar (UGSH).
Me këtë rast Haradinaj ndau çmimin “Karriera”, shkrimtarit, publicistit dhe gazetarit tashmë të ndjerë Ramiz Kelmendi, si përfaqësues dhe kontribuues në shumë gjurmë për më tepër se 60 vjet në gazetarinë shqiptare dhe themelues i shkollës së parë të gazetarisë shqiptare në periudhën e pas okupimit në Kosovë.
“Ramizin e kam njohur dhe e kam pasur mik, kam kaluar shumë kohë të mirë së bashku, ai ka qenë i ri në shpirt”, tha kryeministri me rastin e ndarjes së këtij çmimi.
Po ashtu, në këtë ceremoni kryeministri Haradinaj tha se është një mundësi që t’i bashkohet diskutimit për ekonominë dhe informalitetin , një punë e mirë që e bënë Unioni i Gazetarëve Shqiptar dhe kryetari Aleksandër Çipa.
“Temat që keni nxjerrë janë tema të rëndësishme, dhe besoj shumë që trajtimi i këtyre temave nga ju e ka një domethënie të madhe. Secili nga perspektiva që ka, po ashtu e ka edhe një zgjidhje si ta me ndryshojë gjendja në informalitet, ose në plot tema tjera të cilat mund të jenë të dobishme kur bashkohen këto perspektiva”, tha kryeministri. / KultPlus.com