Incident në shënimin e 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (VIDEO)

Gjatë fjalimit të saj të paplanifikuar për nder të 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, i doli telashe me kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj.

Pasi tha disa fjalë në foltore, kryeministri u nis drejt saj dhe e kapi me forcë për dore duke i kërkuar që të largohet prej aty.

“Urdhno” – i tha zonja teksa kryeministri u nis drejt saj.

“Me gjithë respektin për ju, por vazhdon ceremonia” – i tha kryeministri asaj, teksa e kapi me forcë për dorës dhe u mundua ta largonte. Zonja i reagoi kryeministrit duke i thënë se nuk mund të sillet ashtu me të.

“Mos me kap kështu…, ti nuk mundesh…” – vazhdoi reagimin ajo.

Kryeministri vazhdonte insistimin e tij për ta larguar, përderisa zonja mbahej për foltores dhe duke refuzuar. Kryeministri kërkoi ndihmën e sigurimit, të cilët me forcë e larguan zonjën nga aty.

“Shiqoni, vazhdon ceremonia në bazë të programit…” – tha tutje kryeministri, përcjell Insajderi.

Zonja dëgjohej edhe më tutje tek refuzonte veprimin e kryeministrit dhe të pjesëtarëve të sigurimit.

“Turp i madh…” – tha ajo.

Ceremonia për shënimin e 140 vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit vazhdoi edhe më tutje me fjalimet e tjera që ishin të parapara në protokoll./ KultPlus.com

Haradinaj: Arbëreshët e Italisë kanë qenë gjithnjë burim frymëzimi për shqiptarët

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë qëndrimit në Itali, zhvilloi sot një takim të veçantë me përfaqësuesit e arbëreshëve të atjeshëm.

Haradinaj “vlerësoi lartë angazhimet e tyre të pareshtura për të ruajtur dhe kultivuar identitetin kombëtar shqiptar”, bën të ditur një njoftim nga Qeveria.

Haradinaj tha se arbëreshët e Italisë kanë qenë gjithnjë burim frymëzimi dhe fuqie për gjithë shqiptarët.

“Kosova po i bashkohet familjes së popujve evropian dhe kjo i forcon edhe më shumë lidhjet tona shpirtërore dhe kombëtare”, tha kryeministri Haradinaj.

Me qëllim të ruajtjes së kulturës dhe fuqizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe arbëreshëve në Itali, Haradinaj ftoi përfaqësuesit e organizatave kulturore arbëreshe që të vizitojnë sa më shpesh Kosovën.

“Për mua është një moment domethënës qëndrimi me ju sot. Ju e keni mbijetu ndër shekuj identitetin, gjuhën, vlerat shqiptare dhe kristiane, të trashëguara që atëherë. Dëshiroj të ju them se ne ju çmojmë shumë”, tha Kryeministri Haradinaj në një bashkëbisedim me arbëreshët e Italisë por edhe kosovarë që prej kohësh jetojnë në Itali.

Kryeministri po ashtu tha se marrëdhëniet me komunitetin arbëreshë të Italisë janë shumë të rëndësishme, dhe në këtë drejtim shqiptarët duhet t’i intensifikojnë ato, me qëllim ruajtjen e kësaj pasurie kulturore e kombëtare, por edhe kultivimin e miqësisë së ndërsjellë.

Haradinaj vizitoi edhe Kishën Katolike Abreshe Shën Thanasi dhe Kolegjin Grek, ku u njoftua për së afërmi me vlerën historike dhe kulturore të këtyre dy monumenteve nga intelektuali arbëresh Domenico Morelli. / KultPlus.com

Haradinaj për BBC: Ne jemi popull i Nënë Terezës, Skënderbeut, Rita Orës e Dua Lipës

Në emisionin e njohur të BBC “Hard Talk” Ramush Haradinaj është pyetur nga gazetari Stephen Sackur nëse Kosova përballet me paragjykime nga vendet e Bashkimit Europian, për faktin se shumica e popullsisë i takon besimit islam.

Haradinaj ka dhënë një përgjigje të vendosur duke thënë “jo”.

“Ata evropianët e dinë se kush jemi. Ne jemi popull i Nënë Terezës, Skënderbeut, Rita Orës, Dua Lipës” ka thënë Haradinaj.

BBC, kreun e Qeverisë së Kosovës e ka përballur me temën e radikalizmit dhe kosovarët që në zonat e konfliktit kanë shkuar në numër të madh. Haradinaj ka theksuar se për shqiptarët nuk është primar identifikimi me fenë, por me kombin./KultPlus.com

Ramush Haradinaj uron Ismail Kadarenë në 82 vjetorin e lindjes

Sot feston datëlindjen shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare. Me këtë rast, kanë nisur urimet edhe nga politikanët shqiptarë, shkruan KultPlus.

Ndër ta është edhe kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, i cili ndër të tjera në këtë urim, ka thënë se dëshiron që Ismail Kadare lexuesve t’i japë ende perla nga arti i tij i madh letrar.

“I dashur Ismail Kadare,
Me rastin e ditëlindjes Suaj të 82-të, pranoni urimet e mia të ngrohta për shëndet të mirë.
Dëshiroj që lexuesit t’i japësh ende perla nga arti Yt i madh letrar, kurse familjes shumë dashuri e ngrohtësi.
Vepra Juaj madhore do t’i mbijetojë shekujt, kurse fjala Jote e fuqishme në mbështetje të kauzës së lirisë së Kosovës do t’u shërbejë brezave si kujtesë se nuk ishim vetëm.
I dashur Kadare,
Urime datëlindja dhe festofsh edhe shumë të tjera, i rrethuar me familjen, miqtë dhe librat.
RH”, ka shkruar Haradinaj./ KultPlus.com

Ramush Haradinaj: Shqiptarët e kanë dhënë provimin si popull, duke iu dalur në ndihmë hebrenjve

Kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj ka kujtuar hebrenjtë, në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit, shkruan KultPlus.

“Si në çdo vend të botës edhe në Kosovë, në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit kujtohet tragjedia e Luftës së Dytë Botërore, dhembjet e mëdha njerëzore dhe fati i hebrenjve viktimë të asaj lufte. Me kujtimin e tragjedive të së kaluarës dërgojmë porosi, që të gjithë jemi vigjilentë, që asnjëherë mos t’i përsëriten njerëzimit ngjarje të tilla.

Shqiptarët asokohe e kanë dhënë provimin si popull, duke iu dalur në ndihmë hebrenjve. Si Kosovë me ndjeshmëri i kujtojmë dhembjet që sjellë lufta, sepse i kemi ende të freskëta plagët e tragjedisë sonë.
Respekt për të gjitha jetërat, që në mënyrë të padrejtë janë marrë në tragjeditë e të kaluarës!”, ka shkruar Haradinaj./KultPlus.com

Haradinaj: Shuarja e Çapriqit, humbje e madhe për letërsinë shqiptare

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka shprehur ngushëllime për vdekjen e profesorit Basri Çapriqi.

Haradinaj ka shkruar se vdekja e Çapriqit është humbje e madhe për letërsinë, kulturën dhe publicistiken shqiptare.

“Me dhembje mora lajmin për vdekjen e hershme të profesorit Basri Çapriqi. Shuarja e Basri Çapriqit, njeriut të letrave shqipe, është humbje e madhe për letërsinë, kulturën dhe publicistiken shqiptare. Universiteti i Prishtinës ka humbur një punëtor të madh, një njeri të vlerave mbarëkombëtare dhe një studiues e poet të njohur në botë. Në këto çaste të dhimbjes jemi me familjen Çapriqi dhe me miqtë e tij. Të qoftë i lehtë dheu dhe u prehsh në paqe Basri Çapriqi”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.

Çapriqi ndërroi jetë të dielën në moshën 58-vjeçare./ KultPlus.com

HAVEIT – recetë për kryeministrin Haradinaj

Në fillim është receta:

1 enë me miell
Kanuni i Lekë Dukagjinit
1 palë doreza
1 t`hollues
10 unaza për secilin gisht të duarve
1 shkrepsë
Plin për pjekjen e Kanunit derisa masa të shndërrohet në lëngun e zi.

Me shumë finesë, Kanuni zihet. Puna e grupit artistik HAVEIT me titullin ‘Tager’ bëhet këtë fillimvit më aktuale kur kujtojmë Kanunin.

Kanuni i Lekë Dukagjinit është një produkt moral, ligjor, shoqëror i cili gëzon respekt dhe hapësirë në shoqërinë kosovare. Produktet morale e ligjore të cilat e shtypin gruan duhet të gatuhen e hidhen jo veç për 8 Mars por për çdo ditë.

Dhe vajzat e HAVEIT po e gatuajnë e po e bëjnë copë copë Kanunin edhe kur këtë performancë ia dedikojnë kryeministrit Ramush Haradinaj.

Haradinaj njihet për ‘funksionalizimin’ e rregullave kanunore në disa raste. Në vitin 2015-të, Ramush Haradinaj – i njëjti që para disa javësh shkaktoi skandal pasi e rriti rrogën e tij në 3 mijë euro, kërcënoi me Kanun Murat Mehën. Në dhjetor të vitit 2017-të, Haradinaj tha se duke u thirrur në Kanun ai gjuan me armë nëpër oda, aty ku kërkohet e ku ka arsye për festë, shkruan KultPlus.

“Tag Kryeministrit” thotë përshkrimi i punës nga HAVEIT, që thumbon jo pak kësaj here Haradinajn.

HAVEIT gjithmonë ka dalë kundër politikave të Kanunit të cilat e kanë degraduar pozitën e gruas në shoqëri, e për më tepër, kanë shtypur çdo dritë dhe shkëndijë se gjinia femërore do të mund të ketë jetë me të mirë ndonjëherë. c

Kur vjen puna tek Ramush Haradinaj, jo pak njerëz në rrjete sociale i drejtohen atij me “Kanuni”, ndoshta sot personi që më së shumti e implementon normat e vjetra shqiptare, në kontekstin aktual.

TAGER është realizuar me 8 mars të vitit 2015-të, me rastin e festës së gruas. / KultPlus.com

Nën patronazhin e kryeministrit Haradinaj, orë letrare për Gjergj Kastriotin Skënderbeun

Nën patronazhin e kryeministrit Ramush Haradinaj, më 15 janar, me fillim nga ora 16:00 në Bibliotekën Kombëtare “Pjetër Bogdani” në Prishtinë, organizohet ora e madhe letrare kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, shkruan KultPlus.

Më titullin “Ora e Gjergjit” e iniciuar nga Lidhja e Krijuesve Shqiptarë në Mërgatë, ftohen të gjithë krijuesit nga bota e emigracionit dhe të gjithë ata që kanë dëshirë që të marrin pjesë në këtë manifestim të rëndësisë së veçantë.

Pra më 15 janar me fillim nga ora 16:00 në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, mbahet “Ora e Gjergjit”, kushtuar Gjergj Kastriotit-Skënderbeut./ KultPlus.com

“Kravata, këmisha, para e qorapa”- ta ndihmojmë kryeministrin (FOTO)

Përballë objektit të qeverisë ka nisur aksioni simbolik ‘humanitar’ me moton “Kryeministër na po vim met ndihmu”, përmes së cilit njerëz ‘të vullnetit të mirë’ po ndihmojnë kryeministri Ramush Haradinaj.

Kravata, këmisha, para e qorapa po i dhurohen Haradinajt, për shkaka se ia ka rritur pagën vetes qindpërqind, e që tani e merr 2950 euro. Në një emision televiziv Haradinaj ka thënë se duhet të blejë këmisha dhe kravata dhe si kryeministër nuk mund të dal gjithqysh.

Një profesor ka dhuruar një kimik, në shënjë protestë për deklaratën e Haradinajt, me të cilin tha se mund ta nënshkruaj demarkacionin.

“Kravata, këmisha, para e qorapa” – ta ndihmojmë kryeministrin. Përballë objektit të qeverisë ka nisur aksioni simbolik ‘humanitar’ me moton “Kryeministër na po vim met ndihmu”, përmes së cilit njerëz ‘të vullnetit të mirë’ po ndihmojnë kryeministri Ramush Haradinaj.

Kravata, këmisha, para e qorapa po i dhurohen Haradinajt, për shkaka se ia ka rritur pagën vetes qindpërqind, e që tani e merr 2950 euro.

Në një emision televiziv Haradinaj ka thënë se duhet të blejë këmisha dhe kravata dhe si kryeministër nuk mund të dal gjithqysh. Një profesor ka dhuruar një kimik, në shënjë protestë për deklaratën e Haradinajt, me të cilin tha se mund ta nënshkruaj demarkacionin, shkruan insajderi.
“Nga mllefi ndaj deklaratës së tij, po e dhuroj këtë kimik, le ta nënshkruaj demarkacionin”.

Nga ana tjetër këshilltari i Haradinajt Halil Matoshi ka dal afër aksionit të cilëve u ka dorëzuar raportin e punës 100 ditore. Edhe atij iu dhurua një kravatë.

Organizatori i kësaj protestë artistike, Kushtrim Mehmeti, tha se janë organizuar për t`i siguruar kryeministrit kravata dhe këmisha, në mënyrë që të mos shqetësohet për këtë çështje.

“Kërkojm nga kryeministri me ul pagën se për krevata e kmisha ja sigurojm na. Edhe numrin e zëvendësministrave më ulë, se për ckado që ka nevojë popullin mbrapa e ka bile edhe me ia shty kerrin e me ja ndrru rrotat nëse ka nevojë”, tha ai. “Për qikaq sa kemi mundësi skemi me lane kryeministrin me heke për sot e 700 vjet”.

204 kravata janë mbledhur deri tani për kryeministrin Haradinaj, nesër i dorëzohen (FOTO)

“S’mundem gjithqysh me dalë, obligona për një kravatë, një kmishë”, ishte një ndër fjalitë që tha kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, pas reagimeve të shumta që dolën kur ai ngriti pagën e tij rreth 100% të asaj që e kishte dhe tani merr 2950 euro në muaj.

Kjo inspiroi artistin Kushtrim Mehmeti që të nis iniciativën për mbledhjen e kravatave që nesër të martën e 26 dhjetorit të ia dërgojnë kryeministrit Haradinaj në qeveri.

Dje ishte dita kur u përhap shumë lajmi për t’i ‘ndihmuar kryeministrit Haradinaj’ përmes eventit “Apel për ndihmë”, kësisoj brenda 24 orëve janë mbledh gjithsej 204 kravat, shkruan KultPlus.

Kravatat do të vendosen në rrethojat e qeverisë, ndërsa protesta artistike mbahet të martën më 26 dhjetor me fillim nga ora 12:00./ KultPlus.com

“Apel për ndihmë”, nis mbledhja e kravatave që do i dërgohen kryeministrit Ramush Haradinaj

“S’mundem gjithqysh me dalë, obligona për një kravatë, një kmishë”, ishte një ndër fjalitë që tha kryeministri i Republikës së Kosovës Ramush Haradinaj, pas reagimeve të shumta që dolën kur ai ngriti pagën e tij rreth 100% të asaj që e kishte dhe tani merr 2950 euro në muaj.

Kjo revoltoi qytetarët e padyshim edhe artistët kosovarë. Një ndër ta është regjisori Kushtrim Mehmeti, i cili tashmë ka ngrit një iniciativë me titull “Apel për ndihmë”, ku njëkohësisht kjo do të jetë edhe një protestë artistike që vjen të martën mu para objektit të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Mehmeti, për KultPlus dha detajet në lidhje me këtë protestë artistike, së cilës tashmë veç kanë nis të i përgjigjen qytetarët e Kosovës.

“Realisht filloi si nevojë e reagimit qytetarë për ngritjen e pagave, e unë si artist mendova që me ba një iniciativë kreative që mundet me kanë edhe artistike por edhe me dërgu mesazhin në vendin e duhur. Apeli fillojë si “shaka” por me interesimin e njerëzve atëherë u mobilizuam që ta shtyjmë deri në fund. Apeli im tash është që të martën njerëz të vullnetit të mirë të shkojmë dhe t’i dërgojmë kravatat kryeministrit”, tha për KultPlus, Kushtrim Mehmeti.

Kravatat do të vendosen në rrethojat e qeverisë, ndërsa protesta artistike mbahet të martën më 26 dhjetor me fillim nga ora 12:00./ KultPlus.com

Besart Vllahinja letër publike për kryeministrin Haradinaj, kërkon kthimin e artefakteve nga Serbia

Drejtori në Drejtorinë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Besart Vllahinja, sot nëpërmjet në letre publike, u ka bërë thirrje Kryeministrit të Republikës së Kosovës-Ramush Haradinaj dhe ministrit të Ministrisë së Punëve të Jashtme-Behgjet Pacolli, që të iniciojnë riatdhesimin e aseteve të trashëgimisë kulturore të Kosovës, shkruan KultPlus.

Vllahinja, përmes kësaj letre të publikuar edhe në rrjetin social Facebook, i bëri thirrje qeverisë që këto asete të Kosovës të cilat padrejtësisht janë përvetësuar nga autoritetet e Beogradit.

“Ju bëj thirrje të iniconi kthimin e këtij thesari kulturor e historik, i cili realisht i takon Shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet ndër të tjera në letrën e Vllahinjës.

Në vijim, KultPlus, po sjellë të plotë Letrën Publike të drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës-Besart Vllahinja:

LETËR PUBLIKE
I nderuar Kryeministër i Republikës së Kosovës, z. Ramush Haradinaj,
I nderuar zv. Kryeministër dhe Ministër i Punëve të Jashtme, z. Behgjet Pacolli,

Ju drejtoj këtë letër publike në cilësinë e Drejtorit të Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës dhe si qytetar i Prishtinës, duke respektuar Kushtetutën e Republikës së Kosovës, përkatësisht Neni 9, ku trajtohet [Trashëgimia Kulturore dhe Fetare] “Republika e Kosovës siguron ruajtjen dhe mbrojtjen e trashëgimisë së vet kulturore dhe fetare”, nën përgjegjësinë morale e shoqërore dhe arsyeshmërinë e kontributit për riatdhesimin e aseteve të trashëgimisë kulturore të cilat padrejtësisht janë përvetësuar nga autoritetet e Beogradit tash e tetëmbëdhjetë vjet, duke numëruar këtu momentin prej fillimit të hapjes së gjoja ekspozitës përgjatë periudhës së luftës në vendin tonë në vitet 1998 respektivisht 1999.

Më lejoni të përkujtoj faktet të cilat kanë përcjellë këtë histori të dhimbshme.
Në vitin 1998, në emër të ekspozimit të artefakteve dhe objekteve etnologjike dhe arkeologjike nga Muzeu i Prishtinës, në galerinë e Akademisë së Shkencave dhe Arteve Serbe është realizuar ekspozita e ashtuquajtur: “Thesaret Arkeologjike të Kosovës dhe Metohisë: Nga periudha e Neolitit deri në Mesjetën e Hershme”.

Nga të gjitha këto asete, e që sipas vlerësimit të ekspertëve, për nga numri përllogaritet të arrijnë afërsisht 2000 objekte materiale, deri më tani është kthyer vetëm “Hyjnesha në Fron”, simbol të cilin me krenari e mbanë edhe Komuna e Prishtinës.

Sfondi kohor dhe historik kur artefaktet janë larguar nga asokohe Muzeu i Prishtinës, fondin e të cilit e kanë pasuruar artefaktet arkeologjike nga e gjithë Kosova, na bën’ të kuptojmë që “ekspozita e trashëgimisë kulturore” do të shërbente, në njërën anë si pararojë e politikave të përvetësimit të fakteve dhe historisë dhe në anën tjetër si politikë për konsum ditor i regjimit në Beograd.

Meqenëse, Konventat Ndërkombëtare dhe Protokollet të cilat e rregullojnë sferën e trashëgimisë kulturore lejojnë lëvizjen e aseteve të trashëgimisë kulturore, kur kjo është e mundshme, të drejtë të cilën fatkeqësisht autoritet asokohe e kanë shfrytëzuar, përmes kësaj letre publike Ju bëj thirrje të iniconi kthimin e këtij thesari kulturor e historik, i cili realisht i takon Shtetit të Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Duke konsideruar faktin që rrëmbimi i artefakteve nga Muzeu i Prishtinës është zhvilluar në periudhë lufte, konsideroj që, ndërmjet tjerash materiali dhe rruga për zgjidhjen e çështjes të trajtohet përmes Konventës së Hagës për Mbrojtjen e Aseteve Kulturore në Rastet e Konflikteve të Armatosura (The Hague Convention for the Protection of Cultural Property in the Event of Armed Conflict) e hartuar më 14 Maj 1954, përkatësisht dy protokollet e saj hartuar më 1954 dhe 1999.

Sipas të dhënave të UNESCO, Republika Socialiste Federative e Jugosllavisë është njëra nga shtetet firmëtare të Konventës, kurse Serbia në vitin 2001 ka depozituar njoftimin për suksesion, për çka edhe ligjërisht merret përgjegjëse.
Në deklarimet publike të autoriteteve përkatëse në Beograd, përmendet që artefaktet fizike, pjesë e ekspozitës në fjalë, nuk konservohen dhe mirëmbahen sipas normave, praktikave dhe standardeve ndërkombëtare.

Duke konsideruar këtu autoritetin Tuaj dhe gatishmërinë për gjetjen e një zgjidhjeje juridike, e në rastin tjetër edhe diplomatike në kuptim të gjetjes së zgjidhjes duke ndjekur modelin përmes protokollit të nënshkruar nga ana e Kroacisë dhe Serbisë në vitin 2012, të cilit i parapriu procesi gjyqësor i nisur nga Kroacia në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, besoj fuqishëm për rezultatin pozitiv dhe të shpejtë.

Me dashamirësi dhe urimin për suksesin e nismës,

Besart Vllahinja,
Drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës

Haradinaj: Do të nisim ndërtimin e Pallatit të Operas dhe Baletit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj ka pritur në takim, violinistin shqiptar Shkëlzen Doli, më të cilin ka biseduar për proceset që po i kalon Kosova drejt afirmimit të plotë të subjektivitetit ndërkombëtar, shkruan KultPlus.

“Është kënaqësi e veçantë të takosh artistët kulmorë, të cilët vendin tonë e ngrisin në majat e artit botëror! Prita në takim violinistin më famë botërore, anëtarin e Filharmonisë së Vjenës, Shkëlzen Doli, i cili ka shkëlqyer në koncertet kudo që është paraqitur.

Me artistin Doli biseduam për proceset që po i kalon Kosova drejt afirmimit të plotë të subjektivitetit ndërkombëtar. U zotova se artistët do të gjëjnë kurdoherë mbështetje tek Qeveria e Kosovës dhe në këtë kontekst, sa më shpejt që na lejojnë rrethanat financiare, do të nisim ndërtimin e Pallatit të Operas dhe Baletit”, ka shkruar Haradinaj./KultPlus.com

Shtëpia e Flamurit në Korçë hapet nesër, takohen dy Qeveritë: Rama e Haradinaj

Shtëpia e Flamurit në Korçë është gati për tu hapur ditën e nesërme. Madje ajo do të promovohet së pari nga mbledhja e përbashkët e dy qeverive, Shqipëri-Kosovë. Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka postuar këto foto të transformimit pas djegies e rrënimit shkruan se Ministria e Kulturës të cilën ajo po e drejton edhe në këtë mandat të dytë, e mbajti premtimin dhe e ndërtoi.

“Në 2013, premtuam që do e rindërtojmë, sepse është një ndërtesë shumë e rëndësishme historie për Korçën dhe për Shqipërinë, për Kombin dhe për Kulturën. Ministria e Kulturës e mbajti premtimin, e ndërtoi! Sonte ajo është gati, për të hapur dyert për të parën herë nesër, për qeverisjen e përbashkët Shqipëri-Kosovë dhe më pas për t’u kthyer në një qendër kulture e për kulturën”,- shkruan ministrja Kumbaro.
Kumbaro nuk lë pa përmendur edhe kalvarin e gjatë të shkatërrimeve e lënies në harresë nga shteti deri në vitin 2013, ku siç shkruan ministrja e Kulturës “hetimi nuk bëhej kurrë për “mungesë provash”./KultPlus.com

Edi Rama e Ramush Haradinaj do të shpallin zyrtarisht llogon e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut

Në dy ditë mbledhje të përbashkët, qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës do të firmosin 4 marrëveshje. Axhenda tashmë është gati.

Qeveritë e Tiranës dhe Prishtinës, do të takohen të hënën dhe të martën, më datë 27 dhe 28 nëntor, në Korçë dhe Vlorë.
Mbledhja e përbashkët do të nisë në orën 16:00 të së hënës dhe në orën 17:15 do të mbahet ceremonia e nënshkrimit të marrëveshjeve ndërqeveritare, e cila do të pasohet nga një konferencë e përbashkët e dy kryeministrave, Rama dhe Haradinaj.

Të dy delegacionet do të zhvendosen në ditën e pavarësisë, në qytetin e Vlorës, ku në mesditë do të organizohet ceremonia e ngritjes së Flamurit në sheshin e “Pavarësia”.
Pas ceremonisë, do të shpallet zyrtarisht edhe logoja e vitit mbarëkombëtar të Gjergj Kastriot Skënderbeut, shkruan 27.al.

Pas axhendës së ditës, dy delegacionet do të nisen për në Tiranë, ku do të marrin pjesë në pritjen që organizohet nga Presidenti i Republikës, me rastin e festës kombëtare. Edhe qeveria e Kosovës ka shpallur ditën e 28 nëntorit, si festë kombëtare dhe ditën e shqiptarëve./KultPlus.com

Ramush Haradinaj ndau çmimin “Karriera” për shkrimtarin Ramiz Kelmendi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve “Karriera” dhe shpalljen e fituesve të konkursit “Vangjush Gambeta” për gazetarët e ekonomisë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, të organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptar (UGSH).

Me këtë rast Haradinaj ndau çmimin “Karriera”, shkrimtarit, publicistit dhe gazetarit tashmë të ndjerë Ramiz Kelmendi, si përfaqësues dhe kontribuues në shumë gjurmë për më tepër se 60 vjet në gazetarinë shqiptare dhe themelues i shkollës së parë të gazetarisë shqiptare në periudhën e pas okupimit në Kosovë.

“Ramizin e kam njohur dhe e kam pasur mik, kam kaluar shumë kohë të mirë së bashku, ai ka qenë i ri në shpirt”, tha kryeministri me rastin e ndarjes së këtij çmimi.

Po ashtu, në këtë ceremoni kryeministri Haradinaj tha se është një mundësi që t’i bashkohet diskutimit për ekonominë dhe informalitetin , një punë e mirë që e bënë Unioni i Gazetarëve Shqiptar dhe kryetari Aleksandër Çipa.

“Temat që keni nxjerrë janë tema të rëndësishme, dhe besoj shumë që trajtimi i këtyre temave nga ju e ka një domethënie të madhe. Secili nga perspektiva që ka, po ashtu e ka edhe një zgjidhje si ta me ndryshojë gjendja në informalitet, ose në plot tema tjera të cilat mund të jenë të dobishme kur bashkohen këto perspektiva”, tha kryeministri.
/ KultPlus.com

Ramush Haradinaj: Shqiptarët edhe pse ishin më meritorët për shpëtimin e shumë hebrenjve nga Ballkani, nuk ngarendën pas dekoratave

Në Ditën Ndërkombëtare kundër Fashizmit dhe Antisemitizmit kujtojmë dhe reflektojmë një natë, e cila njihet si “Nata e Kristaltë”, e 9 nëntorit të vitit 1938, në Gjermani. Kjo natë gdhiu me thyerjen e xhamave të mijëra dyqaneve hebreje, djegien e qindra sinagogave, shkatërrimin e varrezave dhe vrasjen e qindra hebrenjve të pafajshëm.

Kjo ishte një hyrje në tragjedinë e madhe njerëzore e njohur si Holokaust, shkaktuar nga regjimi fashist i Hitlerit.

Edhe pse populli shqiptarë në atë kohë ishte në gjendje të rëndë për vete dhe kishte kohë të gjatë në okupim dhe vuajtje, por i njohur me virtytet e larta të bujarisë, mikpritjes, solidaritetit dhe humanizmit, e tregoi veten edhe në ato momente tejet dramatike, nëpër të cilat kaloi populli hebre gjatë Luftës së II Botërore. Shqiptarët, si në Kosovë, Shqipëri dhe kudo që ishin, morën rreziqe të mëdha mbi supe për të shpëtuar qindra familje hebreje, të cilat u depërtuan nga vende të ndryshme.
Është pranuar botërisht fakti, se derisa në shumë vende harta e ngulimeve hebreje tkurrej, vetëm në tokat shqiptare prezenca zgjerohej. Pra, ishin shqiptarët, ata që hapën dyert e tyre, hapën zemrat e tyre dhe strehuan shumë hebrenj, të cilëve edhe ua dhanë besën dhe as me çmimin e jetës nuk i dorëzuan.
Shqiptarët e Kosovës aso kohe dhanë provimin e tyre, por në traditën, kulturën dhe unin tonë si popull, është një vlerë e pashkruar, që mikut mos t’ia përmendim të mirën që ia dhamë në një moment të caktuar kur ai ka nevojë.

Prandaj, shqiptarët edhe pse ishin më meritorët për shpëtimin e shumë hebrenjve nga Ballkani, pas mbarimit të luftës nuk ngarendën pas dekoratave apo pas çfarëdo kërkese tjetër me aktin e tyre të drejtë që kishin bërë.

Mirëpo, e vërteta dhe faktet mbesin, janë prezentë dhe, këto të vërteta dhe fakte i ruajnë edhe në kujtime njerëzit tanë, por edhe ata që u pritën dhe u pranuan nga shqiptarët.
Sot, kam kënaqësinë, që me rastin e shënimit të “Natës së Kristaltë” së bashku me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve dhe Shoqatës “Acta Non Verba” nga Shkupi, të hapim ekspozitën dhe të promovojmë librin dokumentar “Rrugëtimi” nga autorët Skender Asani dhe Albert Rama.

Besojmë që përmes punës së tyre hulumtuese dhe shkencore, do të dalin në shesh të vërteta të reja lidhur me kontributin e shqiptarëve në këtë kauzë të drejtë.Besojmë se kjo është mënyra më e mirë për të demonstruar vullnetin tonë përkrah popujve të qytetëruar të botës për kujtimin e luftës ndërkombëtare kundër fashizmit dhe antisemitizmit.Jemi rreshtuar në taborin e civilizimeve të botës, për të dhënë mesazhe paqeje dhe harmonie mes popujve, pavarësisht racës, gjuhës, fesë apo kombit.
I kujtojmë bashkë ato ngjarje të së kaluarës, në mënyrë që ato të mos përsëriten më kurrë./KultPlus.com

Haradinaj u premton status ligjor Ansamblit “Rugova”

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, priti sot në takim Ansamblin Folklorik Autokton “Rugova”, të cilët e uruan atë për zgjedhjen në krye të Qeverisë së vendit.

Udhëheqësit e AFA “Rugova” theksuan se në mungesë të statusit ligjor të Ansamblit, rrezikohet ruajtja e kësaj trashëgimie, këngët, vallet, lojërat, por edhe veshjet tradicionale, që janë tipike për trevën e Rugovës, dhe me këtë do të pësonte trashëgimia kulturore e vendit.

Haradinaj, duke e vlerësuar lartë si thesar të trashëgimisë kulturore shqiptare, premtoi se Qeveria të cilën e udhëheq do të ndërmarr të gjitha veprimet konform ligjeve në fuqi për rregullimin shumë të shpejtë të statusit të tyre ligjor.

Përfaqësuesit e Ansamblit “Rugova” theksuan se sfidë e tyre thelbësore është që ta ruajnë e kultivojnë, si dhe ta shpijnë më tej ndër breza këtë trashëgimi që është begati kulturore jo vetëm e Kosovës, porse e të gjithë shqiptarëve. / KultPlus.com

Haradinaj: ‘Viti i Skënderbeut’ do të bashkojë edhe më tej shqiptarët

Nën kryesinë e dy kryeministrave, Edi Rama i Shqipërisë, dhe Ramush Haradinaj, i Kosovës, në Tiranë është mbajtur sot takimi i parë inaugurues i Komisionit për organizimin e Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit – Skënderbeut.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj është shprehur i kënaqur që një organizim i tillë do të bashkojë edhe më tej shqiptarët.

Viti i Skënderbeut do të nisë me mbledhjen e dy qeverive më 27 nëntor e vijon të nesërmen më 28 nëntor në 105 vjetorin e Pavarësisë. Kryeministri Rama e quajti këtë vit si motiv për të ripërtërirë lidhjet me njëri-tjetrin dhe si një yll orientues të rrugës së përbashkët, në funksion të një të ardhme të merituar për të gjithë shqiptarët.

“Nuk kishte se si sot, teksa kryeministri i Kosovës e nderon Shqipërinë me vizitën e tij zyrtare, mos të nguteshim që të çelnim siparin e përpjekjes së përbashkët për konkretizim të një viti simbolik që e duam të favorshëm dhe frymëzues për të gjithë shqiptarët, viti nën shenjën e paperëndueshme të Gjergj Kastriotit- Skënderbeut” tha kryeministri Rama.

Nën kujdesin simbolik të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, Viti i Skënderbeut do të bëjë bashkë në aktivitete të ndryshme botën akademike e universitare të dy shteteve, por edhe të vendeve të tjera ku jetojnë shqiptarët. /KultPlus.com