Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ka shprehur shqetësimin lidhur me gjetjet e Raportit të Departamentit të Shtetit i SHBA-ve për Kosovën, në lidhje me kufizimet e padrejta në medie nga vetë pronarët e tyre dhe dhuna ose kërcënimet për dhunë në drejtim të gazetarëve, në raportin e publikuar për vitin 2020.
Raporti evidenton se disa zyrtarë publikë, politikanë, biznese dhe grupe fetare, u kanë bërë presion gazetarëve dhe përfaqësuesve të medieve që të mos publikonin artikuj dhe storje të caktuara.
Sipas raportit, mediet e pavarura në Kosovë ishin aktive dhe shprehën një larmi pikëpamjesh, përgjithësisht pa kufizime. Megjithatë, disa gazetarë janë ankuar se pronarët dhe menaxherët e medieve, i kanë penguar ata të publikonin ose transmetonin materiale që kritikonin qeverinë, partitë politike ose disa zyrtarë publikë.
“Në disa raste, pronarët e medieve thuhet se kërcënuan të largonin nga puna gazetarët nëse publikonin shkrime kritikuese. Gazetarët, gjithashtu u ankuan se pronarët e medieve i kanë penguar të raportonin për korrupsionin e nivelit të lartë të qeverisë”, thuhet më tej në raport.
AGK-ja vlerëson se gjetjet e këtij raporti duhet të jenë alarm për institucionet e vendit në funksion të krijimit të një ambienti më të mirë dhe të sigurt të të bërit gazetari. / KultPlus.com