Nga sot qytetarët mund të raportojnë degradimin mjedisor online

Sot, Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) në bashkëpunim me dymbëdhjetë organizata partnere lansoi platformën digjitale që promovon aktivizmin e gjelbër në komunitet, www.kdi-green.org. Me lansimin e kësaj web-platforme, të gjithë qytetarët e vendit nga sot do të kenë një mjet shtesë në dispozicion për të shpërfaqur dhe raportuar rastet e degradimit të mjedisit në lagjet e tyre dhe në hapësirat publike ku ata gravitojnë.

Ndërsa institucionet lokale e qendrore do t’a kenë një hartë të problemeve mjedisore, ku janë të vizuelizuara rastet e ndotjes së ajrit, tokës, lumenjve, deponitë ilegale, shkatërrimi i pyjeve, betonizimi i hapësirës së gjelbër – të gjitha të raportuara në kohë reale.

Si një instrument që do të nxisë komunikimin e qytetarëve me komunat, platforma përveç që do të rrisë ndërgjegjësimin e qytetarëve për të qenë aktiv në luftimin e degradimit mjedisor do të shërbejë edhe si katalizator i zgjidhjes së këtyre problemeve nga institucionet lokale dhe qendrore.

“Gjatë muajve të fundit, KDI në bashkëpunim me 12 organizata lokale përmes vizitave në terren kanë identifikuar dhe dokumentuar dhjetëra zona natyrore të degraduara si pasojë e  hedhjes së paligjshme të mbeturinave e mbetjeve inerte, shpyllëzimit të pakontrolluar e derdhjes së ujërave të zeza dhe kimikateve në lumenj e liqene në dymbëdhjetë komuna të Kosovës. Gjatë këtyre vizitave u grumbulluan fakte që dëshmojnë për nivel alarmant të ndotjeve mjedisore dhe u dëgjuan rrëfime të qytetarëve që jetojnë afër mbi efektin e këtyre ndotjeve në jetën e tyre të përditshme. Vizita si kjo, por edhe ndotje tjera që po ndodhin gjithandej Kosovës ngrisin nevojën për intervenim urgjent nga institucionet në mënyrë që të evitohet rreziku publik nga këto degradime“, theksoi Ardian Muçaj nga KDI.

Për më tepër, Kosova në kuadër të Procesit të Berlinit dhe të integrimit në Bashkimin Evropian, përmes nënshkrimit të Deklaratës së Sofies është zotuar për përmbushjen e Agjendës së Gjelbër 2030 e cila kërkon që vendi të përafrojë politikat e saj drejt tranzicionit të gjelbër, politikave të qëndrueshme mjedisore, klimatike e të energjisë në mënyre që të rritet mirëqenia e qytetarëve dhe të mbrohet mjedisi.

Valon Raka nga OJQ mjedisore „Gjethi“ theksoi se “ky projekt po n’a mundëson që t’i qasemi ndotjeve në mënyrë më analitike, t’i dokumentojmë ato dhe t’u japim zë komuniteteve që po preken çdo ditë nga efektet, shpesh edhe “të panjohura” të ndotjeve”. Ai poashtu përmendi incidencën e statistikat shëndetësore që po shkaktohen nga ndotja e lumit dhe ndotja e ajrit në zonën e Kaçanikut ku ai vepron.
 
Ndërsa, Gentiana Zeqiri nga OJQ “Iniciativa Qytetare Skenderaj“, duke iu referuar vizitave në terren për të parë degradimet mjedisore të shkaktuara nga faktori njeri dhe fatkeqësitë natyrore, siç ishin vërshimet e janarit të vitit 2023, vendosi theksin në dëmtimin e shtratit të lumit Klina dhe në deponinë e mbetjeve inerte afër fushës ndihmëse KF Drenica. Lidhur me këto probleme, Gentiana tha që kanë filluar të punojnë me zyrtarët komunalë në mënyrë që ato të adresohen.
 
Në fund, Antoneta Zhjeqi nga “Qendra për Politika dhe Avokim“ u fokusua në problemet mjedisore me të cilat ballafaqohet kryeqyteti, duke vënë theksin në zhvillimin e hovshëm të qytetit dhe në menaxhimin jo të mirë të mbeturinave, apo ngecjeve në planifikimin urban si faktorët kyç që i kontribuojnë ndotjes. Vizitat në terren mundësuan identifikimin e deponive ilegale në Shkabaj dhe në Kodrën e Trimave, të cilat strehojnë mbetje toksike me efekt negativ në shëndetin e banorëve përreth.
 
Zhvillimi i platformës u realizua në kuadër të projektit Promovimi i Aktivizmit të Gjelbër Komunitar me mbështetje të UNDEF./rtk/ KultPlus.com


 

Shën Petërburg – Krasniqi: Media rol të paanshëm në konfliktet botërore dhe raportuese e së vërtetës

Në panelin me temë ”A është media pjesëmarrëse apo vëzhguese e konflikteve botërore?”, në kuadër të Forumit Ndërkombëtar Ekonomik, zhvilluar në Shën Petërburg, ku ishin të pranishëm, Gary Pruitt, president i Associated Press (AP), Jose Manuel Sanz, drejtori i Marrëdhënieve me Jashtë i agjencisë spanjolle të lajmeve, EFE, Hiroki Sugita, drejtori ekzekutiv i agjencisë japoneze të lajmeve, Kyodo News, Fabrice Fries, shef ekzekutiv i agjencisë franceze të lajmeve, AFP dhe Sergei Mihajlov, drejtori i përgjithshëm i agjencisë ruse të lajmeve, TASS, drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi deklaroi se “media duhet të jetë vetëm raportuese e së vërtetës”.

Në sesionin për mediat, i moderuar nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i agjencisë ruse të lajmeve, TASS, Mihail Gusman, ku u diskutua mbi temën nëse media është pjesëmarrëse apo vëzhguese e konflikteve botërore, ishin të pranishëm drejtues dhe përfaqësues nga agjenci prestigjioze ndërkombëtare lajmesh.

Në fjalën e saj, drejtoresha e ATSH-së u shpreh se gjatë këtyre viteve ka ndryshuar koncepti “MassMedia”, duke nënvizuar se “MassMedia, mekanizmi i shpërndarjes së informacionit, nuk është më i përbërë nga burimet tradicionale si televizionet, radiot, revistat, gazetat dhe të ngjashme si këto”.

Krasniqi tha se “agjencitë tona e kanë ruajtur kursin e tyre. Por, të gjitha këto burime të reja, të përdorura në një mënyrë dashakeqe, më shumë se më parë, po kapen pas aftësisë për të manipuluar perceptimin e komunitetit ose kuptimin e asaj se çfarë është apo jo e rëndësishme”.

Për fat të keq, ne jetojmë ende në një botë me shumë konflikte, por për herë të parë, gjatë viteve të fundit, jemi bërë dëshmitarë të konflikteve në rritje, të krijuara nga lajmi i rremë. Sidomos në Ballkan, konfliktet shpesh janë ushqyer nga thashetheme të shtrembëruara”, u shpreh Krasniqi.

Për pjesëmarrësit, drejtoresha e ATSH-së solli në vëmendje nënshkrimin e Deklaratës së Tiranës, dhjetorin e kaluar, nga 13 agjenci lajmesh në Tiranë, me anë të së cilës u ra dakord për bashkëpunim në luftën e përbashkët kundër lajmit të rremë. “Ky është një hap i vogël përpara”, u shpreh Krasniqi, e cila e konsideroi të rëndësishëm faktin se duhet ecur përpara drejt një bashkëpunimi edhe më të madh në nivel global.

Por, lajmi i rremë është vetëm njëra anë e problemit. Keqinformimi në kohë konfliktesh është një problem që shkon edhe më thellë”, deklaroi drejtoresha e ATSH-së, duke nënvizuar se “keqinformimi ka qenë gjithmonë një pjesë thelbësore e konflikteve”.

Më tej, Krasniqi tha se “në epokën e medieve dixhitale, redaktorët kërkojnë gjithnjë e më shumë  ngjarje sipërfaqësore, që janë lehtësisht fitimprurëse nëpërmjet medieve sociale; çdo akt heroizmi, çdo histori që përfshin njerëz të famshëm, fëmijë e të tjerë, shpesh të paverifikuara ose madje të njëanshme, bazuar në interesa politike”.

Pra, për t’iu përgjigjur pyetjes kryesore të këtij sesioni, nëse mediet duhet të jenë vëzhguese apo pjesëmarrëse, mediet nuk duhet të marrin asnjë rol të tillë. Media duhet të jetë raportuese, raportuese e së vërtetës. Në përpjekje për t’u pasuruar nga konfliktet ndërkombëtare, media bëhet fajtore për përkeqësimin e shumë prej tyre dhe në disa raste ndodh që nuk reagon për konfliktet që nuk kanë interes për audiencën e gjerë. Kjo duhet të ndryshojë”, deklaroi Krasniqi në Shën Petërburg.

Ajo nënvizoi se “mediet duhet të flasin, nuk duhet të përfshihen, por duhet të thonë të vërtetën. Përndryshe, bëjmë më shumë dëm sesa dobi”.

Më tej, Krasniqi  u shpreh se “ndonëse zhvillimi i teknologjisë ka mundësuar që media të ketë më shumë ndikim se më parë, ne duhet të kthehemi prapa në kohë dhe të gjejmë standardin e artë të këtij profesioni”.

Përkundër përparimit të padiskutueshëm, thelbi i një historie duhet të jetë i njëjtë, një raportim i verifikuar, i balancuar dhe profesional. Ne duhet ta përqafojmë ndryshimin, por pa harruar parimet tona”, nënvizoi drejtoresha e ATSH-së.

Duke qenë një besimtare e zjarrtë e bashkëpunimit, besoj se në agimin e një epoke të re për median, ne duhet të koordinohemi më shumë me njëri-tjetrin, të mësojmë nga historitë e suksesit dhe të kontribuojmë për zhvillimin e njëri-tjetrit”, deklaroi Krasniqi duke shtuar se “Tolstoi besonte se, të gjithë mendonin për ndryshimin e botës, por vetëm disa mendonin të ndryshonin veten”.

Ne duhet të modernizohemi, të ecim me hapin e teknologjisë, por ne duhet ta bëjmë këtë gjë pa hequr dorë nga qëllimet tona”, theksoi ajo.

Krasniqi nënvizoi se “media nuk duhet të mjaftohet me një vrojtim të thjeshtë, por duhet të jetë gjithmonë besnike ndaj së vërtetës. Ky është shërbimi më i mirë, nga shërbimet e vetme që duhet të ndërmarrim”.

Gjithashtu, në cilësinë e pushtetit të katërt”, tha ajo ”ne mund të kontribuojmë në zgjidhjen e konflikteve”.

Në përfundim, Krasniqi deklaroi se qëllimi kryesor për agjencitë e lajmeve është që ato duhet të jenë lajmëtare të së vërtetës, si në kohë lufte, ashtu dhe në kohë paqeje.

Ajo solli në vëmendje e të pranishmëve faktin se që në shekullin XIV Shqipëria udhëhiqej nga një përmbledhje ligjesh që u kanë dhënë formë vlerave të shqiptarëve për një kohë shumë të gjatë, ku në asnjë rrethanë, lajmëtari nuk mund të prekej.

Por, nga ana tjetër, i dërguari ishte i lidhur me kodin e nderit për të thënë gjithmonë të vërtetën. Përndryshe, ai do të turpëronte veten. Gjërat kanë evoluar, ka kaluar shumë kohë, por nëse më lejoni të bëj një paralelizëm, qëllimi i parë dhe më kryesor për agjencitë tona është që ato duhet të jenë lajmëtare të së vërtetës, në kohë lufte dhe në kohë paqeje”, përfundoi drejtoresha e Përgjithshme e ATSH-së, Armela Krasniqi.

Në këtë panel, u diskutua se si media ndikon të çështjet politike dhe në konfliktet në vende të ndryshme si edhe për parandalimin e përhapjes së lajmeve të rreme që janë shndërruar në një problem kyç në botën moderne.

Drejtuesit e agjencive, folën për rëndësinë e diversifikimit të aktiviteteve të agjencive të lajmeve dhe për një luftë të përbashkët kundër medieve  që çorientojnë shoqërinë me anë të përhapjes së lajmeve të rreme.

Forumi Ndërkombëtar Ekonomik i Shën Petërburgut mbledh çdo vit pjesëmarrës nga 120 vende të botës, përfshirë shefa shtetesh, liderë politikë, kryeministra, ministra dhe guvernatorë. /KultPlus/