Filhamonia e Kosovës me ‘Rapsodi Shqiptare’ sjell për herë të parë një kompozim të Fan S. Nolit

Orkestra Filharmonike e Kosovës organizon koncert me ‘Rapsodi Shqiptare’ nga Fan S. Noli, duke shënuar kështu intepretimin e parë të një prej kompozimeve të Nolit, shkruan KultPlus.

Këtë mbrëmje do të interpretohet edhe premiera e “Koncert për Piano” nga kompozitorja Dafina Zeqiri – Nushi, me pjesëmarrjen e pianistit të shquar kosovar Misbah Kaçamaku.

Koncerti do të përmbyllet me Simfoninë e 3-të të Jean Sibelius-it, kjo pas interpretimit të Simfonisë së 1-rë dhe të 2-të vitin e shkuar.

Koncert i cili do të dirigjohet nga amerikani Gregory Charette, mbahet më 10 shkurt 2024, prej orës 20:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë./ KultPlus.com

Ka vdekur rapsodi i mirënjohur, Ali Krasniqi

Në moshën 84 vjeçare sot në orët e hershme të mëngjesit ka vdekur rapsodi i mirënjohur, Ali Ramadan Krasniqi nga Drenoci i Malishevës.

Këngëtari popullor Ali Krasniqi ka qenë njëri ndër rapsodët më të njohur në folklorin shqiptar.

Krasniqi së bashku me rapsodët Salih & Feriz Krasniqi për disa dekada kanë  kënduar së bashku, duke kultivuar  këngën popullore shqiptare.

Ali Krasniqi ka qenë i shquar për mënyrën e interpretimit dhe zërin e veçantë, në repertoarin e tij tashmë janë të arkivuara me qindra këngë popullore të cilat po trashëgohen edhe në gjeneratat e reja.

Ali Krasniqi ka një karrierë të këndimit më se 70 vjeçare përveç këngës nëpër oda  ka qenë i njohur edhe si mendimtar e tregimtar popullor.

Megjithëse kohëve të fundit në gjendje të rënduar shëndetësore Ali Krasniqi nuk pushoi së kënduari deri në momentet e fundit të jetës së tij. /KultPlus.com

Ndërron jetë Bib Kosova, rapsodi që shquhej për potencë dhe ëmbëlsi të zërit

Dje në Tetovë ka ndërruar jetë rapsodi Hebib Neziraj, i njohur si Bib Kosova.

Ai tash e mbi 10 vite po vuante nga një sëmundje e rëndë. Karierën e tij si këngëtar odash Bib Kosova e ka nisur në fund të viteve të 60-ta dhe ka qenë aktiv deri në vitin 2007.

Melosi i tij ka qenë i përafërt me të Augustin Ukajt, megjithatë, Bibi ka pasur origjinalitetin e vet të zërit, është shquar për potencë dhe ëmbëlsi të zërit, si rrallë ndonjë rapsod tjetër. Ka kënduar në grup me rapsodë të tjerë, por më së shumti me rapsodin e këngëtarin Sevdi Malsia.

Gjatë viteve të 80-ta, grupit të tij muzikor i është bashkuar edhe mjeshtri i njohur i harmonikës Murtezan Ferati. Bib Kosova, përpos në oda, ka qenë pjesmarrës edhe i dhjetra festivaleve e organizimeve muzikore. Përpos me grupin e tij, ai shpesh ka kënduar edhe me rapsodë të tjerë, ndër ta edhe me Augustin Ukajn, Osman Sefën, Shaban Baksin, Vllezërit Gashi dhe shumë të tjerë.

Bib Kosova ka qenë njëri ndër rapsodët më të njohur në trojet shqiptare dhe ka lënë pas një trashëgimi të pasur të këngëve rapsodike. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?v=kx-uDYy5gy4&ab_channel=AugustinUkaj

Filloi edicioni i 15-të i festivalit ‘’Rapsodia Shqiptare’’ në Skenderaj

Nën patronatin e kryetarit të komunës së Skenderajt Bekim Jashari, ka filluar edicioni i 15-të i festivalit të përvitshëm gjithëkombëtar ‘’Rapsodia Shqiptare’’, ku për tri ditë grupe e rapsodë nga trevat shqiptare do të garojnë me këngët e tyre folklorike, shkruan Ekonomia Online.

Hapjen e këtij festivali e bëri kryetari i komunës, Bekim Jashari i cili vlerësoi se ky festival është i një rëndësie të veçantë sepse sipas tij  këtu në një frymë konkurruese pasqyrohen këngë të shumta burimore si vlerë e trashëgimisë sonë kombëtare.

“Ruajta dhe kultivimi i kulturës sonë tradicionale është detyrë e secilit nga ne sepse duke ruajtur dhe promovuar kulturën tonë jo materiale ne nderojmë historinë tonë të lavdishme”, ka deklaruar kryetari Jashari.

Tutje Jashari ka thënë se  kultura jonë tradicionale e ruajtur me fanatizëm  me shekuj të tërë duhet të këtë një kujdes e vëmendje më të madhe institucionale, një promovim më të madh edhe nga mediat sepse  kjo është historia dhe identiteti jonë kombëtar.

Ai ka falënderuar rapsodët pjesëmarrës që me veprat e tyre po madhështojnë këtë festival.

Kryetari Jashari, për kontributin dhënë në zhvillimin e folklorit  ka ndarë një mirënjohje post mortum për rapsodin tashmë të ndjerë, Kadri Duraku.

Pjesën garuese të festivalit sonte, me këngën e tij e hapi fituesi i vitit të kaluar, Qëndrim Ajazi.

Festivali ‘’Rapsodia Shqiptare’’ do të zgjasë tri ditë,  me mbajtjen e natës finale në të cilën do të shpallet fituesi i festivalit.

Kujtojmë që ky festival organizohet në kuadër të festave të nëntorit, mirëpo këtë vit për shkak të tërmetit që ndodhi në Shqipëri,  grupi organizativ vendosi që të shtyhet për datat 28,29 dhe 30 dhjetor 2019. /KukltPlus.com