Vazhdon protesta për rastin e 11 vjeçares: Nëse shteti nuk përgjigjet, ne do radikalizojmë rezistencën

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka njoftuar se protesta për rastin e dhunimit të 11 vjeçares në Prishtinë, po vazhdon dhe kjo do të ndodhë derisa shteti nuk përgjigjet. Madje ata janë shprehur senesë nuk marrin përgjigje do ta radikalizojnë rezistencën.

“Dje, pas më shumë se shtatë orë protestë, përfaqësues/e të zyrës së Kryeministrit dolën për të dëgjuar kërkesat tona. Të pranishme/ëm ishin: Luan Dalipi, Rozafa Kelmendi, Përparim Kryeziu dhe Arta Berisha. Ne e dhamë fjalën e fundit që kjo Qeveri ka kohë deri të premten të zotohet se do të nisë punën për kërkesat tona ose ne do të thërrasim prapë protestë gjithëpopullore”, thuhet në njoftim.

Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka renditur edhe kërkesat për të cilat presin përgjigje.

Kërkesat mbesin këto:

1. Legalizimin e përdorimit dhe shpërndarjen e gazit irritues për vetëmbrojtje (pepper spray);
2. Shkarkim të gjykatësve që kanë dhënë dënime nën minimalen e lejuar me ligj dhe që kanë zbutur dënimet nën minimumin kohëzgjatjes së dënimit për dhuniminpër rastet e dhunës seksuale ndaj vajzave dhe grave;
3. Shkarkim të zyrtarëve policorë dhe prokurorëve për neglizhimin e rasteve të dhunës me bazë gjinore ndaj grave;
4. Krijimin e mekanizmave efektivë të cilat e trajtojnë me dinjitet të mbijetuarave të dhunës seksuale;
5. Futjen e lëndës së edukatës seksuale në shkolla

“Nëse Qeveria nuk na përgjigjet dhe ne nuk marrim garancion për sigurinë tonë, rezistenca jonë veç sa do të radikalizohet. Ne nuk do të lejojmë që asnjë vajzë e grua të jetojë nën dhunë e frikë”, thuhet tutje. / KultPlus.com

Protesta në 12:00, aktivistja Demolli: Bartësit e institucioneve të mos na bashkohen, ata duhet të japin llogari

Përdhunimi i një 11-vjeçareje nga pesë persona në Prishtinë e ka indinjuar shoqërinë. Sot në mesditë në kryeqytet do të protestohet kundër dhunës ndaj vajzave dhe grave.

Luljeta Demolli nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, të martën në T7 kërkoi pjesëmarrje të madhe në këtë protestë, pasi tha se kjo “është mënyra e vetme t’u themi institucioneve që nuk tolerojmë më”. Ajo kërkoi që krerët e institucioneve të mos i bashkohen protestës, raporton Gazeta Express.

“Jo nuk e kemi ftuar [Presidenten Vjosa Osmani]. Dhe mirë është të mos na bashkangjiten sepse institucionet janë në pozitë që duhet të japin llogaridhënie. Krejt shteti duhet të punojë atje ku e ka vendin. Ne jemi në rrugë”, tha ajo.

“Sepse po na qesin në pozitë të keqe. Po vijnë si qytetarë të thjeshtë. Një ministre nuk është qytetare e thjeshtë; ka përgjegjësi, llogaridhënie. Një ministër s’ka nevojë të na dalë te dera të na presë, sepse nuk është qytetar i thjeshtë, është i veshur me petkun e ministrit, është një përgjegjësi e madhe mbi të”, theksoi Demolli.

Ajo tha se “nuk na duhen njerëz për të vajtuar”.

Protesta e organizuar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile QKSGj, YIHR, QIPS, QIKA dhe CEL Kosovo nis në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Protesta i përmban kërkesat për mbrojtje dhe siguri nga shteti për vajzat dhe gratë; trajtim të drejtë të rasteve të dhunës ndaj grave, si dhe legalizimin e përdorimit të gazit irritues (pepper spray) për vetëmbrojtje. Këtë të fundit, organizatorët e cilësuan si kërkesën kryesore./ KultPlus.com

Pas dhunimit të 11 vjeçares, mbahet takimi i Grupit të Përgjigjes Emergjente

Me ftesë të zëvendësministres së Drejtësisë, Nita Shala, sot u mblodh Grupi i Përgjigjes Emergjente.

Përfaqësues nga Policia e Kosovës, Prokuroria, Mbrojtësit e viktimave, Punëtorët social, Gjykata dhe Ministria e Punëve të Brendshme ishin prezentë në këtë takim, ku më pas, zëvendësministrja Shala, njëherit Koorinatore Nacionale Kundër Dhunës në Familje, iu adresua mediave përmes një prononcimi lidhur me qëllimin e këtij takimi.

“Ndajmë shqetësimin lidhur me rastin e dhunimit të vajzës në Prishtinë.

Konfirmojmë ndërmarrjen e veprimeve institucionale sipas parashikimeve ligjore. Sa i takon të dyshuarve, informojmë se janë arrestuar katër prej tyre dhe i dyshuari i pestë, tashmë i identifikuar, është në kërkim. Me kërkesë të Prokurorit të rastit, dy të arrestuarve të parë iu është caktuar masa e paraburgimit për 30 ditë. Seanca për paraburgim lidhur me dy të dysharit tjerë të arrestuar pritet të zhvillohet brenda afateve të parashikuara ligjore. Është ofruar mbrojtja e të dëmtuarës dhe shërbimet adekuate mbështetëse”, u shpreh Shala.

Nisur nga ndjeshmëria e rastit, duke qenë se kemi të bëjmë me të mitur, Shala ka kërkuar mirëkuptimin e gjithësecilit sa i takon detajeve mbi rastin. E një rëndësie të posaçme është mbrojtja e integritetit të të miturve në procedurë.

“Konfirmojmë gatishmërinë e secilit institucion përgjegjës për ndërmarrjen e të gjithë veprimeve, konform legjislacionit në fuqi.

Qeveria do të krijojë një Komision Profesional, i cili do të analizojë dhe rekomandojë veprime konkrete në vijim.

Komisioni do të bëjë:

Një hulumtim kriminologjik të faktorëve që çojnë në kryerjen e veprimeve tilla;

Përgjigjet institucionale ndaj rasteve të abuzimit me të mitur;

Zhvillimi i procedurës dhe epilogu i rasteve të kësaj natyre si rezultat i veprimeve të prokurorisë dhe gjykatave në Republikën e Kosovës, për një periudhë 5 vjeçare.

Fëmijët e vajzat tona kanë të drejtë të jetojnë të lira prej dhunës. Jemi të vetëdijshëm për obligimin institucional për të garantuar që të njejtat të shkojnë pa frikë të dhunimit në shkollë, punë a kudo nëpër hapësirat publike”.

Zëvendësministrja Shala theksoi se Grupi do të rimblidhet sërish brenda kësaj jave. / KultPlus.com