‘Të paktën’ nga Raymond Carver
Dua të zgjohem herët edhe një mëngjes tjetër,
para se të lindë dielli. Para zogjëve, madje.
Dua të shpëlaj fytyrën me ujë të ftohtë
dhe të ulem në tavolinën e punës
kur dita të zbardhë dhe tymi
nis të dalë nga oxhakët
e shtëpive të tjera.
Dua të shoh dallgët të plasen
mbi këtë plazh shkëmbor, jo thjesht t’i dëgjoj
tek plasen siç bëj unë natën në gjumë.
Dua të shoh sërish anijet
të kalojnë përmes Ngushticës, si vijnë nga
çdo vend i botës që laget me det –
transportues të vjetër mallrash që mezi lëvizin,
si dhe lundrues të rinj dhe të shpejtë
me ngjyra të llojllojshme nën diell
që çajnë ujërat teksa kalojnë.
Dua t’i mbaj nën vëzhgim.
Edhe varkën e vogël që brazdon
ujin mes anijeve
si kapitenerinë e portit pranë farit.
Dua të shoh ta zbresin dikë nga anija
dhe të hipin dikë tjetër mbi kuvertë.
Dua ta shpenzoj ditën duke parë gjithë këto të ndodhin
dhe të nxjerr përfundimet e mia.
S’më pëlqen të dukem i pangopur – më takon
të jem mirënjohës për sa kam.
Por dua të zgjohem herët edhe një mëngjes tjetër, të paktën.
E të shkoj tek cepi im me një filxhan kafe dhe te pres.
Veç të pres, që të shoh se ç’do të ndodhë.
Përktheu: Edon Qesari / KultPlus.com