Me 50 dollarë e 50 fjalë, Shqipe Malushi ishte nisur për në Amerikë (FOTO)

Shkruan: Elion Kollçaku

Shqipe Malushi, një vajzë pejane, në moshën 14 vjeçare vendos që të ikë nga Kosova për të ndjekur ëndrrën e saj.
Shqipja e përshkruan veten si fëmijë shumë rebel dhe jo shumë të rehatueshëm, duke mos e duruar asnjë lloj rregulli. “Rregullorja për mua ishte vuajtje, ishte vdekje, ishte dhimbje dhe dikush me më thënë çka me bo, nuk më hynte në kry.”- thotë Shqipja.
Ajo e rezistonte traditën. Tradita sipas saj ishte që vajza duhet ta bëjë “këtë”, vajza s’duhet të flasë, vajza duhet të pushojë, vajza duhet të jetë e urtë, s’duhet t’ia kthejë akujt fjalën, s’duhet të bëjë çka do vetë. “Djali ishte i privilegjuar e vajza e nënshtruar. Unë e kam luftuar këtë dukuri.”- shton ajo.

Në moshën 14 vjeçare, ajo e lexon në një revistë që Tom Xhonsi, një këngëtar me famë botërore, iu ndihmon jetimëve të talentuar, dhe e fikson këtë fjali. Ajo e konsideronte veten jetime, pasi i kishte vdekur babai, edhe menjëherë aty e bën planin që të shkojë ta takojë. Ia vjedh nënës pasaportën, edhe i vjedh para gjyshit, pesë mijë marka në atë kohë.
“I shtina në çantë të shkollës, edhe u maskova. E mora taksin me stil të James Bondit, e shtina një jastëk në bark që me u dok shtatzënë. U vesha me të zeza. E qita shaminë, si fotografia e nënës edhe i kalova tri shtete, ish- Jugosllavinë, Bullgarinë edhe mbërriva në Turqi. Nëna e kish vizën e Turqisë. S’kisha ku me dalë tjetër, përpos mes Turqisë.”- tregon Shqipja. Ajo ishte në rrugë për takuar Tom Xhonsin, që i ndihmonte jetimët e talentuar.
Në Turqi, shkoi në hotel, e duke shëtitur i harxhoi paratë. Një muaj qëndroi në Turqi, e nuk mund të shkonte deri në Angli, pasi nuk kishte vizë.

Familja e kuptuanqë pasaporta mungon e që nuk ka pasë mundësi të dalë më larg se Turqia. E gjetën taksisitin, angazhuan Interpolin dhe nisën kërkimin.
“Unë nuk jam ajo femra që ka ikë me u martu. Jam femra e parë që kam ikë me bo diçka, me u bo dikushi. Kjo ishte më zi se me shku te burri. Me shku pas ëndrrave, pas diçkaje që nuk ekziston. Për këta ishte tmerr se u jepte shembull vajzave të tjera, se çka mund të bëjnë, edhe ishte mbledhur krejt qyteti me diskutu.”- e përshkruan Shqipja arsyen kryesore të ikjes së saj. Kjo u bë çështje shumë e madhe. Taksisti tregoi për hotelin ku ekishte lënë, policia u bë gati ta merrte dhe e çuan në ambasadë të ish- Jugosllavisë. Ish- ambasadori i tha që do ta çojë me aeroplan deri në Beograd. Ajo iu ktheu se do të kërcente nga aeroplani, me ç’rast ambasadori i tha se qenke shumë e rrezikshme e nuk guxojmë të të lëshojmë të shkosh.
Atëherë, e futën në burg, derisa erdhën ta marrin nëna me xhaxhain. Gjatë rrugës për në Kosovë, ajo frikësohej se do ta vrisnin, mirëpo dënimi për të ishte heshtja.
Gjashtë muaj askush në qytet nuk i foli. Madje, edhe kur donte të përgjigjej në pyetjet e mësuesit në shkollë, ai nuk ia jepte fjalën.
Pas një viti, kriza kaloi dhe me përfundim të shkollës së mesme, ajo shkoi në Beograd që të studionte. “Fillova të studioj Farmacinë, si baba, por nuk ma deshti zemra shkencën dhe e lashë. Vitin tjetër, studiova Psikologji, por e lashë edhe atë. Studiova edhe Frëngjishten një vit, e lashë edhe atë. Katër vjet kam hulumtu çka me studiu, dhe në fund vendosa të studioj Albanologji.”- tregon duke qeshur Shqipja.

Me 50 dollarë e 50 fjalë, Shqipe Malushi ishte nisur për në Amerikë

“Amerikën e kam pasë ëndërr, qysh ka dalë televizioni i parë. Prej Miki Mausit kur e kam pa, kam dashtë me e gjetë Miki Mausin edhe lumturinë. Me qenë gjithmonë e buzëqeshur si Miki Mausi, dhe t’u e ëndërru, e imagjinoja Hollivudin, të bëhem aktore. Ato ëndrra prej moshës 7 vjeçare i kam mbill, edhe vetëm për ato mendoja.”- tregon Shqipja.
Kur u bë njëzet e pesë vjeçe, e përfundoi fakultetin në Beograd. “More, sa e kam kry fakultetin, u shpall një konkurs me shku në Amerikë si studente, për tre muaj me punu gjatë verës, edhe unë u regjistrova në të vetmin vend të hapur. E kam ditë që s’kthehem mo kurrë.”- shton ajo.
Ishte 20 qershori i vitit 1980, kur Shqipja shkoi në Nju Jork, dhe fillimisht punoi në një hotel të pensionistëve çifutë. Aty filloi aventura e Shqipes, eksperienca e saj. Prej një fëmije që është rritur me shërbëtore u shndërrua në një person në shërbim të të tjerëve.
“Prapë, edhe ajo mënyrë e jetës time nuk më ka pëlqyer. Unë e kam pasë biçikletën e parë, kukullën e parë nga Italia, rroba speciale që qepeshin për mua, motrën e vëllain. Por, nuk e kisha lirinë që doja.”- tregon Shqipja për jetën në Kosovë.

Në Amerikë i pa dallimet racore, etnike e ato në mes të religjioneve. Ishte një ndërrim fatal për të. Ajo tregon se amerikanët të shohin për dy minuta e të harrojnë për dy minuta dhe se e kanë memorien shumë të shkurtë. Amerika për të ka qenë shumë e vështirë, sepse ka filluar prej zeros. Me 50 dollarë dhe me 50 fjalë në gjuhën angleze që i ka ditur, ka shkuar në Amerikë.
Mësimin që e ka marrë nga pronarja e hotelit ku ka punuar, ka qenë të mësohet të thotë “jo”, dhe Shqipes iu deshën 38 vite ta mësonte këtë gjë.
“Kur kam shkuar në Amerikë, kam filluar me e deshtë dhe me e ruajt traditën e familjes time, që e kam luftuar. Atëherë, e kam kuptuar çka do të thotë t’i ruash vlerat, me pasë sjelljen e mirë e mirëkuptim me të tjerët, mikpritjen.”- tregon Shqipja e sytë i mbushen me lot.

Misionet e Shqipes në vendet më të rrezikshme në botë

Shqipja, për momentin po punon me gratë në Indi, për ngritjen e vetëdijes kundër dhunës dhe vetëdijësimin në aftësitë e udhëheqësisë dhe menaxhimit nëpër kompani dhe ministri të ndryshme në Indi.
“Për shkak se Nëna Terezë e ka çelë derën, unë shumë më lehtë po e kam, se po e dinë prej kah po vij. Edhe po e dinë, po thonë ‘E kemi pasë Nënën Terezë, vjen nga vendi yt’. Shpesh më kanë sjellë dhurata simbolike si falënderim. Janë të kujdesshëm tepër. Mikpritja e tyre, e tejkalon mikpritjen tonë.”- tregon me një qeshje në buzë Shqipja.
Vitin e kaluar ka qenë me mision në Irak, por për një periudhë të shkurtër. Në Irak, Shqipja tregon se nuk ka qenë shumë rehat, pasi ISIS ka qenë disa kilometra larg nga vendi ku ajo qëndronte. Njerëzit ishin shumë të tensionuar, dhe kishin nevojë të madhe për përkrahje dhe motivim. “Tash po tentoj me shku prapë, me pa a muj apo nuk muj me qëndru më gjatë në Irak.”
Shqipja tregon se në Afganistan shkon symbyllurazi, dhe nuk e ndjen aspak frikën, edhe pse ka qëndruar në vende ku bombat binin e kishte eksplodime të vazhdueshme.
“Krejt ato i pranojsha me njëfarë zemërgjerësie, iu jepja përkrahje familjeve kur iu vriteshin familjarët. Në këto raste mundohesh, edhe pse nuk ke fjalë, shkon edhe qan me ta, se s’ke çfarë t’i thuash një nëne që i humbë të dy fëmijët përnjëherë.”

Ndërkohë, para dhe pas luftës në Kosovë, ajo ka bashkëpunuar me organizatën “Motrat Qiriazi” dhe organizata të tjera, duke mbledhur fonde. Gjatë luftës ka ardhur në Shqipëri dhe ka shpërndarë fonde e ka qëndruar nëpër kampe duke realizuar konsulta psiko- sociale.
“Nuk e harroj kurrë një femër që kishte humbë mendjen, ishte në spital mental. Ajo, njëzet e shtatë vetë të familjes së vet i ka shti në dhe me duar të veta, në bahçe. Veç i kish shpëtu djalin edhe çikën e vogël, që i ka fsheh ndër llavabo. Kur flisja me të, kishte momente kthjellësie, kishte momente të humbjes, edhe më pat zënë shumë keq se lypte fëmijët me ia pru me i pa. Doja t’ia sillja fëmijët se mendoja se do të kthjellej kur i sheh, por kampi italian ku ishin fëmijët nuk linte t’i sillte që të mos traumatizoheshin ata. Nuk e di ç’ka ndodhur me këtë rast më kurrë.”- tregon iu dridhur zëri.
Rastet që ajo i ka përjetuar, nuk janë aspak të lehta. E ka shumë të vështirë edhe si këshilluese kur nuk ka se si t’iu ndihmojë personave të traumatizuar, por vetëm qan bashkë me ta. Ka qarë, sepse ka parë raste shumë të rënda, njerëz që vuajnë e kanë vuajtur.
Shqipja, gjithashtu, është edhe shkrimtare, e njohur më së shumti për vëllimin e saj poetik “Për ty”, që i dedikohet Kosovës së viteve të 90-ta. Madje, edhe orën letrare që e ka zhvilluar e kujton me lot në sy, në një lokal të errët plotësisht, i mbështjellë edhe me peshqirë që të mos shihej asgjë nga jashtë, përveç disa qirinjve brenda, pasi ishte koha e orës policore, më ‘95.
Kjo është Shqipja e misioneve të luftërave e pasluftërave, e ëndrrës amerikane, e shkrimeve por edhe e luftës për një botë më të mirë./ KultPlus.com