Kronika e një krimi të paralajmëruar lufte…

Shkruan: Jusuf Buxhovi

Ka një ngjashmëri tematike midis veprës së shkrimtarit të madh Markez “Kronika e një vrasjeje të paralajmëruar” dhe veprës së ambasadorit William G. Walker “Reçak – historia e një krimi”, ndonëse e para, vrasja e një arabi në një ambient katolik të Amerikës Latine shfaqet ngjarje e imagjinuar, ndërsa kronika e Walkerit – shfaqet si dokument autentik i një krimi lufte, në një katund të Kosovës, të quajtur Reçak, të kryer nga forcat policore jugosllave më 15 janar të vitit 1999.

Ndonëse përmasat e krimit imagjinar te vepra e Markezit sillen rreth një arabi, që duhet të vritet pse është arab i vyeshëm dhe tejet i ndërgjegjshëm midis fanatikëve katolikë latinomerikanë, janë individuale, ndërsa ato në Reçak janë të përmasave kolektive (vriten 45 persona shumica të moshuar, gra dhe fëmijë) dhe të kryera nga forcat e policisë jugosllave, që të dy krimet kanë të përbashkët urrejtjen deri në shfarosje.

Referimi veprës së Markezit në raport me atë të një dokumentari të shkruar nga ambasadori William G. Walker, i cili kishte udhëhequr Misionin Verifikues në Kosovë (KVD) me mandatin e OSBE-së rreth një krimi të paralajmëruar në rrafshin imagjinativ dhe në atë dokumentar, lidhet me analogjinë e ngritjes së historisë së një krimi në përmasat botërore, madje edhe universale nga shkaku se ato ndodhin të paralajmëruara dhe të papenguara, sy botës, siç ndodh me vrasja imagjinare të arabit dhe me atë të banorëve shqiptarë të katundit malor të Reçakut.

Vrasja imagjinare e arabit të Markezit dhe ajo reale e katundarëve të Reçakut, megjithatë marrin epilogje të kundërta. Nëse në prozën e Markezit, vrasësi kryen një krim pa dënim, tek vrasja reale, ajo e Reçakut, krimi, megjithatë merr dënimin. Dhe ky dënim, vjen nga bashkësia ndërkombëtare, nga vendet e NATO-s, të drejtuara nga SHBA-të, të cilat, ndaj krimeve të luftës të soditëses së Milloshevqit nga Kroacia dhe Bosnja dhe Hercegovina, më në fund, nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999 përdorin bombat, me çka Kosova çlirohet na Serbia dhe vihet përkohësisht nën administrimin ndërkombëtar.

Në të vërtetë, historia e bombave që do të hedhen ndaj forcave policorë dhe ushtarake jugosllave në Kosovë dhe në disa pjesë të Serbisë, casus bellin e ka tek masakra e Reçakut, me të cilën duhej t’i jepej fund një lufte që kishte vu në shënjestër shfarosjen e një popullate me mjetet e luftës, siç ishte ajo e Kosovës. Leximi me vëmendje i rrëfimit të ambasadorit Walker rreth ngjarjeve që i paraprinë masakrës së Reçakut si dhe gjatë masakrës kur ai pa hezituar, pra pa pritur ekspertizat dhe veprimet tjera, më 16 janar, në konferencë për shtyp ngjarjen e Reçakut e kishte vlerësuar krim lufte, ishin thirrje NATO-s për bombardim. Kjo shihet nga biseda e ambasadorit Walker me sekretarin gjeneral të NATO-s Solanën dhe zonjën Olbrajt, kur thotë “bombardim”!

I gjithë rrëfimi dokumentar i Walkerit në libër që mund të thuhet se mbështetet mbi kërkesën-klithmë “Bombardim”, në ato dy javë dramatike, paraqet përkushtimin e jashtëzakonshëm profesional, por mbi të gjitha moral, të një misionari, i cili është i vetëdijshëm se nëse Millosheviqi, këtë herë, do të shpëtonte pa bomba, atëherë, ai do të vazhdonte zbatimin e planit të tij për dëbimin e shqiptarëve të Kosovës nga trojet e tyre etnike, me çka sendërtohej njëra ndër pikat kryesore të projekteve hegjemoniste serbomëdha të filluara me “Naçertanjen” dhe të vazhduara me Memorandumin e Çubrilloviqit dhe atë të fundit të Qosiqit nga vitit 1986 nën firmën e Akademisë Serbe dhe Arteve dhe të Shkencave në bashkëveprim me Kishën Ortodokse Serbe. “Megjithatë, kjo masakër, ku jo më shumë se dyzet e pesë fshatarë shqiptarë u ekzekutuan , u kthye në një pikë historike kthimi, sepse ofroi prova të qarta të asaj që Millosheviqi do të bënte nëse do t’i jepej liri e mëtejshme veprimi.” Për Walkerin, “ekspozimi i madh mediatik botëror ndaj kësaj masakre të vetme u bë shkëndija që ndezi përpjekjet amerikane, evropiane dhe ruse për të gjetur një zgjidhje paqësore, duke çuar kështu në Konferencën e Rambujesë”, por kur “të gjitha përpjekjet në këtë drejtim dështuan, kërcënimi i ndërhyrjes së NATO-s u bënë të domosdoshme për të parandaluar një Srebrebicë dhe shumë Reçake të tjera”.

Sipas Walkerit, koha nga kërcënimi ndërkombëtar MIlosheviqit, Rambujeja e deri tek bombardimet, nxori në pah edhe faktorët që ishin frenues përbrenda misionit verifikues që ai e drejtonte. Ndër ta, përmendet ndihmësi i tij, francezi Keller, i cili, gjatë gjithë kohës përpuqej që të minimizonte veprimet luftarake të policisë serbe dhe të paraqiste UÇK-në si nxitëse të luftës, meqë sipas francezit UÇK-ja provokonte. Ajo që paraqet kulmin e veprimeve proserbe të francezit Keller, lidhet me atë se ai ishte kundër vlerësimit të Walkerit që e dha në konferencën për shtyp më 16 janar kur masakrën e Reçakut e quajti “krim kundër njerëzimit të ushtruar nga forcat policore jugosllave”. Sipas Walkerit, Kelleri, kërkonte që të pritej vlerësimi i hetuesve jugosllavë dhe autopsia, gjë që ato kishin për qëllim që masakra të vlerësohej si konflikt midis forcave policore jugosllave dhe pjesëtarëve të UÇK-së, të provokuar nga UÇK-ja, dy ditë më parë me vrasjen e tre policëve afër Shtimjes.

Duke iu referuar mosmarrëveshjeve me francezin Keller rreth vlerësimeve në konferencën për shtyp pa ekspertizë dhe qëndrimin e gjykatës jugosllave për ngjarjen, që dihej se si do të ishin, pra në përputhje me direktivat e Millosheviqit se Reçaku ka qenë “përgjigje nga provokimet e terroristëve të UÇK-së”, Walker thotë se “kure përshkrova masakrën në Reçak si një krim kundër njerëzimit, thjesht po bëja detyrën time si drejtues i misionit më të madh në terren të OSBE-së, me një mandat për të mbrojtur të drejtat njerëzore dhe civile të popullsisë së Kosovës. Nëse nuk do të kisha folur përballë një mizorie kaq flagrante, atëherë cili është qëllimi i një misioni të tillë? Kur përballesh me një njeri si Millosheviqi, ishte e domosdoshme që asnjë sfidë të mos lihej pa përgjigje. Të kthesh shikimin nga ana tjetër, të pranosh shpjegime absurde për aktet e tmerrshme të njerëzve të tij, të dukesh i pavendosur për të reaguar shpejt dhe me forcë, do të interpretohej si dobësi dhe mundësi vendosmërie. Kjo do të kishte inkurajuar sjelljen më të keqe”.

Në fund, mund të thuhet pa hezitim, se libri i Walkerit “Reçaku – historia e një krimi lufte”, i botuar çerek shekulli pas ndodhjes së kësaj masakre, paraqet një dëshmi ndër më autentiket e krimeve të organizuar të forcave policore dhe ushtarake jugosllave që kishin për qëllim ta finalizonin spastrimin etnik të Kosovës e me këtë ta legjitimonin ndërkombëtarisht një krim të paralajmëruar, të ngjashëm me atë të prozës së Markezit. Ishte fat, që në krye të një misioni ndërkombëtar në ato rrethana tejet kritike, u gjend një William G. Walker, që detyrimeve profesionale që kishte ua atribuoi aspektin moral, që rëndom politika e përjashton.

William G. Walker: “Reçak – historia e një krimi”, botoi “Dukagjini”, Prishtinë, 2024, faqe 376./ KultPlus.com

‘Disa e kanë kishën, disa xhaminë e disa tyrben, por ne duhet të kthehemi kah Amerika që të falemi”

Dje në fshatin Reçak të Shtimës është përkujtuar 20 vjetori i masakrës që bëri kthesë në historinë e Kosovës.

Smajl Dalipi është një nga banorët që e kujton Reçakun e para njëzetë vitesh, një ditë pas masakrës kur ai së bashku me banorët e tjerë kishin ndjekur William Walker për në “Gropën e Bebushit”, ku kishin parë me sytë e tyre trupat e masakruar nga forcat serbe.

Dje për KultPlus, Dalipi tha se ajo që kishte ndodhur në Reçak dy dekada më parë, i kishte lënë për disa ditë pa ngrënë dhe pa fjetur. “Tri ditë nuk kemi hëngër bukë”, tregon Dalipi.

Ai e ka të freskët takimin me Walkerin një ditë pas masakrës dhe e ruan si personazhin më të rëndësishëm për fshatin, dhe gjithë vendin.

“Walkerit duhet t’ia dimë të gjithë. Një njeri bjen e shpëton një shtet. Çdo shqiptar e ka orientimin e tij, disa e kanë kishën, disa xhaminë e disa tyrben por ne duhet të kthehemi kah Amerika që të falemi”, shprehet Dalipi për KultPlus.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999, ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprejes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi. Në këto momente mjaftë të rënda, fshatarët janë përpjekur të largohen nga fshati apo të gjejn një vendstrehim më të sigurt, por rrethimi i hekurt e ka bërë të pamundur një gjë të tillë. Sot Reçaku numëron 45 të vrarë nga kjo masakër.

Masakra e Reçakut cilësohet si pikë kthese për historinë e Kosovës, pasi që pamjet nga atje zgjuan ndërgjegjen ndërkombëtare për krimet që po ndodhnin në Kosovë. William Walker, shef i misionit të OSBE-së, mëngjesin e 16 janarit kishte marrë rrugën për në Reçak, ku kishte parë trupat e masakruar të banorëve të këtij fshati. Walker, pasi kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës, e kishte përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerëzimit.

Përmes kësaj masakre bota mori alarmin e fundit se duhej të ndërhyhej në Kosovë. Pas kësaj masakre u mobilizua edhe forca më e madhe ushtarake në botë – NATO, e cila rreth dy muaj më vonë nisi bombardimet kundër forcave serbe në Kosovë e në gjithë atë që quhej Jugosllavi./ KultPlus.com


Vajza nga Reçaku: Unë jam brezi që na ka rënë hise ta vazhdojmë jetën duke luftuar për ekzistencë

Nerxhivane Bilalli
Raçak

Ishte 15 janari i ftohtë i vitit 1999, koha kur Reçaku u ngroh me gjakun e shqiptarëve civil të pafajshëm e ndër ta edhe disa familjarë të mi, nga masakra e ushtarëve të Serbisë.

Kjo masakër do të trondiste vetë Wiliam Wolker-in dhe botën dhe duke dalë si dëshmi e gjallë e krimeve serbe në civilët e pafajshëm shqiptarë në Kosovë.

Unë isha atë kohë vec fëmijë që të bëhem një dëshmitare e dorës së parë të këtij gjenocidi, por akoma e ndjej në krahëror peshën e vuajtjeve të familjes sime. Vuajtje kjo që akoma vazhdoj ta kem nga ngjarjet dhe sfidat e që 20 vjet pas luftës.

Sot, vuajtjet Recakut po ia shton edhe zbrazja masive nga të rinjtë, nga papunësia, pa perspektiva dhe korrupsioni, ku drejt kësaj rruge po më shtynë edhe mua si një e diplomuar që 5 vite dhe e papunë. Jam një aplikuese e rregullt për punë, por assesi një e pranuar, pasi për një gjë të tillë duhet vetëm korrupsion.

Por kjo nuk është tema për të cilën dua të flasë. Thonë se pas luftës, jeta vazhdon me të mirat dhe të këqijat e saj. Jeta e përditshme nuk është luftë me armë, por është luftë për të mbetur gjallë, për të bërë punë të ndryshme, për t’u shkolluar, për të krijuar familje dhe për të rritur ata që vazhdojnë rrugën e brezave para nesh.

Do të thotë, unë jam brezi që na ka rënë hise ta vazhdojmë jetën duke luftuar për ekzistencë, duke u përpjekur të bëjmë shkollë, duke u kujdesur për ata që kishin nevojë në familje dhe më gjerë. Pra, unë i takoj atij brezi të rinisë së Raçakut, që jeta na ka vënë barrë të gjitha këto peripeci, pa marrë parasysh kemi pasur apo nuk kemi pasur mundësi.

Po bëhen pesë vjet që unë jam e diplomuar. Si gjithë brezi im, kam mbaruar studimet universitare, mirëpo që pesë vjet nuk është e mundur të gjejë punë. Të gjithë të diturit e botës kanë thënë se njeriu si qenie shoqërore nuk mund të realizohet plotësisht pa punë. Pra, pa pavarësinë ekonomike. Kurse unë dhe brezi im, edhe sot e gjithë ditën, njëzet vjet pas masakrës së Raçakut dhe pesë vjet pas përfundimit të studimeve, ende jemi barrë e jetës ekonomike të familjes.

Derisa zhvillohej Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ata që kishin marrë armët në Raçak ishin thuajse të gjithë të rinj dhe të reja.

Çka ka ndodhur me Raçakun dhe të rinjtë e tij pas njëzet vjetësh?

Është ngritur Kompleksi përkujtimor për viktimat dhe të rënët e Raçakut, por ai po rrënohet çdo ditë e më shumë. Sepse, nëse komuna apo kush duhet të kujdeset për vendet ku janë krijuar shenjat e lirisë sonë, nuk ka mundësi të punësojë një punëtorë që do të mirëmbante Kompleksin përkujtimor, është e kuptueshme se ai shkatërrohet ngadalë, siç në të vërtetë po shkatërrohet. Kjo ngjarje tragjike dhe krenare e Raçakut kujtohet vetëm një herë në vit, më 15 janar, ditën kur ka ndodhur masakra. Pas kësaj dite çdo gjë vazhdon me të vjetrën. Nëse pas kësaj dite e viziton Raçakun, e sheh se nuk ka më rini. Ata kanë marrë rrugët e botës në sy, sepse askush nuk kujdeset për punësimin e tyre. Kot mbaron fakultetin, kot kryen profesione të ndryshme, kot bën përpjekje të gjesh ndonjë vend pune sa për ekzistencë. Edhe kur ndonjëherë mund të hapet ndonjë konkurs për ndonjë vend pune, gjasat për të gjetur punë janë shumë, shumë të vogla. Kur interesohesh dhe pyet pse nuk jam pranuar, zyrtarë të ndryshëm të thonë, se vendi i punës është plotësuar me një minoritar. Prandaj, në këtë pamundësi për të siguruar ekzistencën me punën tënde, të rinjtë e Raçakut kanë marrë botën në sy, me letra e pa letra, me ryshfet, apo pa të, me para të dhëna në dorë, apo pa to. Me rëndësi është se ata më nuk janë në Raçak. Sot, pasi kryhet dita e përkujtimit të masakrës së Raçakut, pasi të shpërndahen ata që kanë ardhur për të na vizituar, e sheh se Raçaku ka mbetur i heshtur sepse mungon gjallëria e at gjallëri normal që e bëjn rinia. Ata kanë ikur nga vendlindja, sepse edhe pas diplomimit në ndonjë universitet, nuk gjen askund punë.

Do të thotë, nëse e shohim jetën e këtyre njëzet vjetëve realisht, në Raçak nuk ka investuar askush, përveç në ndërtimin e Kompleksit përkujtimor. Prandaj që të mos bëhemi barrë e familjeve tona, rinia  kanë marrë udhët e europës për të siguruar ekzistencën e tyre jetësore.

Duke ju kërkuar ndjesë që solla këto shqetësime para jush, ju kujtoj edhe një herë se jeta e njeriut nuk e ka vetëm një ditë, siç është dita e 15 janarit kur përkujtohet masakra e Raçakut. Jeta e të rinjve të Raçakut, nuk ka kuptim vetëm me një ditë përkujtimore, ajo është jetë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, vetëm kur krijohen mundësitë që secili të realizohet si pjesëtar i shoqërisë me punën dhe djersën e vet. /KultPlus.com

Raçak, më 15 janar 2019 

Walker në mes të Washingtonit e dëgjon këngën e Reçakut (VIDEO)

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, në mes të Washingtonit po i dëgjon tingujt e këngës së Reçakut e kënduar nga vëllezërit Isufi.

Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar masakrën e Reçakut si krim kundër njerëzimit.

Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar.


Sipas dëshmitarëve, aty rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.

Masakra e Reçakut tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën. Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocid të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviq.

Gjesti i madh që kishte bërë Eliza Hoxha për fëmijët e Reçakut në vitin 1999 (VIDEO)

Pikërisht në këtë periudhë që jemi sot, këngëtarja Eliza Hoxha në vitin 1999 kishte bërë një gjest mjaft human për fëmijët e Reçakut.

Disa muaj pas çlirimit dhe pas masakrës që hapi sytë e gjithë botës, këngëtarja Eliza Hoxha kishte organizuar një aksion humanitar në prag të festave të fundvitit të vitit 99 për fëmijët në Reçak, shkruan Magazina.al

Në atë kohë Eliza ishte studente e Akademisë së Arteve dhe bashkë me disa studentë të tjerë kishte organizuar shpërndarjen e dhuratave për fëmijët në Reçak, të cilët ende i kishin të freskëta kujtimet e luftës.

“Nga paratë që kemi grumbulluar kemi blerë 2500 dhurata. Kjo është gjëja më e vogël që mund të bëjmë për këta fëmijë, sepse të gjithë e dimë se nuk mund t’i kthejmë prindërit, shtëpitë dhe të gjitha gjërat e tjera që ata humbën gjatë luftës, kështu gjërat që mund të bëjmë janë të sjellim më shumë lumturi dhe gëzim ” kishte thënë Eliza për mediat e huaja./ KultPlus.com