Prej 20 vjetësh, me orë të tëra Mehreme Halili e shikon vendin ku u vra djali i saj

Prej 20 vjetësh, me orë të tëra Mehreme Halili, tani 85 vjeçe qëndron pranë dritares së shtëpisë. Ajo e shikon vendin ku u vra djali i saj, Skënderi, i cili ishte 30 vjeç.

Ai ishte ndër të parët që u vra nga forcat policore në Reçak. Momenti më i vështirë në jetën e Mehremes është kur burri i saj i tregoi se djalin ia kishin vrarë.  

Së bashku me trupat e të vrarëve të tjerë edhe trupi i djalit të Mehremes, u mor nga forcat serbe dhe  u mbajt për më shumë se tri javë në morgun e Prishtinës. Në ditën e varrimit, Mehremja nuk u lejua ta shoh trupin e djalit. të saj.

Në orët e hershme të mëngjesit të datës 15 janar 1999 ashtu siç ishte planifikuar në Beograd, fshati Reçak u zgjua i rrethuar nga formacionet e policisë speciale, militare dhe paramilitare serbe të shoqëruar edhe me mjete të shumta të motorizuara. Sipas dëshmitarëve që kanë mbijetuar krimin, aty rreth orës 6.30 minuta forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të granatojnë fshatin, prej vendeve të quajtura „Pishat“, „Gështenjat“, „Rrasa e Çallakut“ dhe nga „Çesta“ përmbi Reçak. Pas ndërprejes së granatimeve forcat kriminale serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet shtëpi për shtëpi.

Më 15 janar 1999, në këtë ditë të kobshme, në Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua. / KultPlus.com

Gjuha Shqipe e katërta në tabelën e rrugës që lidh Memorialin e Reçakut dhe Kullën e Lirisë

Rruga shtrihet nga Kompleksi Memorial i Reçakut deri te “Kulla e Lirisë”, punimet e saj janë bërë nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk).

Në Komunën e Shtimes e cila ndodhet në pjesën qendrore të Kosovës, ditë më parë u bë hapja e rrugës së ndërtuar duke filluar nga Kompleksi Memorial i Reçakut deri te “Kulla e Lirisë”, punimet e së cilës janë bërë nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk).

Kjo rrugë e re, e cila lidh dy vende të rëndësishme për Komunën e Shtimes, atë të Kompleksit Memorial të Reçakut dhe “Kullës së Lirisë”, aty ku janë masakruar 45 civilë nga forcat serbe në vitin 1999, është hapur nga Kryesia e Këshillit Turk në Kosovë (KFOR-i Turk) në bashkëpunim me komunën.

Mirëpo ajo që i ka lënë përshtypje ish-kryeredaktores së gazetës “Zëri”, tani anëtare e Partisë Demokratike të Kosovës, Arbana Xharrës, është tabela njoftuese.

“Reçak, 26.07.2018, në inagurimin e rrugës dhe të Kullës, gjuha shqipe e katërta. Në këtë zonë ku u zhvilluan luftimet më të ashpra nga UÇK. Mjerim!”, është reagimi i saj në një postim në Facebook.

Rruga ka një gjatësi prej afro 1,5 kilometrash dhe punimet për hapjen e saj kanë nisur më 11 prill të vitit 2018.

Në hapjen e kësaj rruge morën pjesë kryetari i Komunës së Shtimes, Naim Ismajli, komandanti i KFOR-it Turk në Kosovë, koloneli Cem Sinan Barım, përfaqësuesit komunal, të Forcave të Sigurisë së Kosovës si dhe banorë të Shtimes./KultPlus.com

Tmerri i Reçakut përmes fotografive, Woker e përshkruante si krim kundër njerizimit (FOTO)

Masakra e Reçakut njihet si një nga masakrat më të trishtueshme që njeh historia e luftës në Kosovë. Më 15 janar 1999, në fshatin e Shtimes, forcat serbe kryen një masakër të tmerrshme kundër banorëve të këtij fshati, duke mos kursyer as të moshuar, gra e fëmijë, shkruan KultPlus.

Sot 19 vite pas, ky fshat numëron 45 varre nga kjo masakër. Masakra e Reçakut ishte vetëm një prej shumë të tjerave që po kryheshin gjithandej në Kosovë nga forcat serbe.

Përmes kësaj masakre bota mori alarmin e fundit se duhej të ndërhyhej në Kosovë. Pas kësaj masakre u mobilizua edhe forca më e madhe ushtarake në botë – NATO, e cila rreth dy muaj më vonë nisi bombardimet kundër forcave serbe në Kosovë e në gjithë atë që quhej Jugosllavi. Kjo fushatë e bombardimeve nga ajri dhe lufta e UÇK-së nga toka rezultuan me tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe përfundimin e luftës në qershor të vitit 1999.

Ndërkaq, shefi i misionit të OSBE-së, Wiliam Walker kishte shkuar në vendin e krimit shumë shpejt dhe kishte drejtuar gishtin nga lugina e masakrës duke e përcaktuar krimin me tri fjalë: krim kundër njerizimit.

Woker pasi vizitojë fshatin u ngjitë lartë te Gropa e Bebushit dhe derisa po i afrohej luginës së ngushtë u tmerruar kur i pa kufomat e tre burrave të moshuar dhe në ato momente deklaroi: “Për nga pamja duket si ekzekutim. Duket se njerëzit pa kurrfarë vlere për jetët e njerëzve kanë vrarë këta njerëz, që mua me duken si bujq, si punëtorë, si fshatarë, që definitivisht nuk kanë merituar të vdesin kështu..”

Më pastaj Woker vazhdoi rrugën drejt luginës së vdekjes, ku po qëndronin të shtrirë me duar të shtangur e trupa të sakatosur kufomat tjera të civilëve të ekzekutuar barbarisht.
“T´i shohësh kufomat kështu me fytyra të shkatërruara, që si duket janë bërë nga armët që janë mbajtur afër kokave të tyre, t´i shohësh 15 në një gropë, dhe në një mënyrë të ekzekutuar, mendoj se më nevojiten disa minuta para se të përcaktohem se çka dua të them”, pohoi Woker. Dhe, menjëherë në konferencën me gazetarë pa ngurrim ai deklaroi “Nga ajo që pashë nuk ngurroj të përshkruaj ndodhinë si masakër dhe krim kundër njerëzimit…kjo është ngjarja më trishtuese në jetën time…”. /KultPlus.com

Në përvjetorin e masakrës së Reçakut mbahet akademi përkujtimore

Në përvjetorin e Masakrës së Reçakut sot do të mbahet akademi përkujtimore në Shtëpinë e Kulturës në Shtime.

Akademia, e cila nis në ora 11:00, mbahet nën patronatin e presidentit Hashim Thaçi, i cili do të bëjë homazhe në Kompleksin Përkujtimor në Reçak.
Më 15 janar 1999, në këtë fshat të Shtimes, forcat serbe kryen një masakër të llahtarshme kundër popullatës civile, gjatë të cilës nuk u kursyen të moshuar, gra e fëmijë. 45 banorë të fshatit u vranë 19 vjet më parë.

Masakra e Reçakut ishte vetëm një prej shumë të tjerave që po kryheshin gjithandej në Kosovë nga forcat serbe. Mirëpo, kjo masakër alarmoi komunitetin ndërkombëtar, duke vënë në lëvizje edhe forcën më të madhe ushtarake në botë – NATO-n, e cila rreth dy muaj më vonë nisi bombardimet kundër forcave serbe në Kosovë e në gjithë atë që quhej Jugosllavi.

Kjo fushatë e bombardimeve nga ajri dhe lufta e UÇK-së nga toka rezultuan me tërheqjen e trupave serbe nga Kosova dhe përfundimin e luftës në qershor të vitit 1999.