Receta e rakisë rreth vitit 1820 me alfabetin e Todhrit (FOTO)

Shkruan: Yll Rugova

Historia e alfabetete origjinale të shqipes që njihet shumë pak.

Në Arkivin Qëndror të Shtetit në Tiranë, në mesin e qindra fletëve në gjuhën shqipe të shkruara me alfabete origjinale janë edhe disa shënime nga Simon Kazanxhiu me receta të kohës mes viteve 1821 dhe 1830. Mes tyre është edhe kjo faqe me këshilla në formë recete për të përmirësuar shijen e rakisë së bërë në shtëpi. Të dhënat e Simon Kazanxhiut në AQSH gjenden në dosjen me emrin e tij dhe janë transliteruar që më parë nga Qamil Haxhihasani dhe më pas nga Robert Elsie. Po e japim këtu të transliteruar recetën e rakisë (f. 50v) me shtesë të shenjave të pikësimit për lehtësim leximi nga ana jonë:

Kur të jetë rakij e keqe qi të ket er e të mos pihet, të marrish drun e plepit t’egër ja drun e laithis, nonjanën këcosh, e ta djegish e të bahet thingill. Pra, atë thingjill ta shtypish, pra, se ta shtypish të marrësh atë rakiin e keqe qi ka er e s’pihet e ta shtijesh në nji imbik ene ti shtijesh atë thingjill të shtypun mrenda më imbikt bashk me atë raki të keqe e ta baish. Nenjiher ajo rakii del e mir, ene ma si vjene era.

Thëngjilli nga druri i plepit të egër ose druri i lajthisë qenka zgjidhja për të hequr erën e keqe të rakisë. Këtë dhe shumë faqe të tjera me alfabete origjinale të shqipe kam pasur mundësi ti kem përpara në forma të ndryshme gjatë kërkimeve mes vitit 2020 dhe 2022 për librin Tipografia shqiptare 1555–1912 që po botohet këto ditë. Ka qenë befasi që pikërisht me alfabetin e Theodhor Haxhifilipit kishte me qindra faqe të shkruara nga autor të ndryshëm, kryesisht në Elbasan për qëllime komunikimi mes vete, për të dhëna familjare, për të dhëna të sipërmarrjes, për shënime shkollore etj. Shënime të vjetra me alfabetin e Todhrit ka edhe në Bibliotekën e Vjenës, e në disa arkiva private familjare.

Prej fundit të viteve 1600 deri në fund të viteve 1800 janë shpikur jo më pak se 7 alfabete origjinale për të shkruar gjuhën shqipe. Këto alfabete vijnë kryesisht nga rajoni i Shqipërisë së mesme, në trekëndëshin Elbasan, Korçë, Berat. Më i vjetri prej tyre është zbuluar në manastirin e Shën Gjonit në Elbasan dhe mbijeton vetëm përmes një fletoreje të vogël me 58 faqe që njihet si Anonimi i Elbasanit. Alfabete të tjera të shpikura në periudhën e përmenduj janë edhe: alfabeti i Kodikut të Beratit (rreth 1780), alfabeti i Todhrit (rreth 1780), alfabeti i Vellarës (rreth 1800), alfabeti i Veqilharxhit (rreth 1825) Vaso Beut (rreth 1840), alfabeti i Tasinit (1878). Prej këtyre përhapjen më të madhe e kishte alfabeti i Todhrit, pas gjasash i shpikur nga mësuesi Theodhor Haxhifilipi nga lagjja Kala në Elbasan. Shkrimi më i vjetër me këtë alfabet mban datën 1780, kurse më i vonshmi është nga fillimi i shekullit të 20të.

Në librin Tipografia shqiptare 1555–1912 trajtohet historia e procesit të realizimit tipografik të shkrimeve në gjuhën shqipe nga shtypshkronja e Mesharit në Venedik e deri te shtypshkronjat shqiptare të periudhës së rilindjes kombëtare. Në këtë mes ka qenë e vështirë të anashkalohet edhe fenomeni shumë karakterist i shpikjes së alfabeteve, të cilat në shumicën e rasteve janë përdorur vetëm në formë dorëshkrimi, pa parë dritën e shtypit. Mes alfabeteve origjinale të shqipes, vetëm alfabeti i Todhrit dhe ai i Naum Veqilharxhit janë gdhendur për shtyp tipografik. Vështirësia e prodhimit të germave nga çeliku e plumbi ka bërë që rilindasit të përzgjedhin një alfabet me bazë germash latine për të shkruar gjuhën shqipe. / KultPlus.com