Lista Serbe e refuzon propozimin e KFOR’it që të qëndrojë në fuqi masa e reciprocitetit të targave

Subjekti politik përfaqësues i pakicës serbe në Kuvendin e Kosovës, Lista Serbe, nëpërmjet një deklarate të lëshuar ka thënë se iu është refuzuar propozimi komandantit të KFOR’it, Franco Federici.

Ky i fundit iu propozoi që të zëvendësohet Njësiti Special i Kosovës me trupat e misionit paqeruajtës në pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, si dhe të qëndrojë vendimi i Qeverisë së Kosovës për masën e reciprocitetit të targave.

“Në konsultim me qytetarët tanë, ne njëzëri e hodhëm poshtë këtë propozim. Populli ynë dhe ne, përfaqësuesit e tij, nuk jemi gati të pajtohemi me synimin e Prishtinës për të na futur në geto dhe për të hequr të drejtën e lirisë së lëvizjes, e cila është vlera e Evropës moderne. Ajo duhej të zbatohej edhe për serbët në këtë zone”, tha Lista Serbe në një deklaratë, raporton agjencia e lajmeve ‘Beta’.

Partia e serbëve në Kuvend e ka quajtur të njëanshëm vendimin e Qeverisë së Kosovës për zbatimin e masës së reciprocitetit të targave, duke kërkuar nga Qeveria Kurti që të zbrapset nga ky vendim.

Ndërkaq, përgjatë ditës së djeshme Komandanti i KFOR’it ka njoftuar se ka biseduar me serbët në veri për ndërprerje të protestave.

“KFOR-i ka marrë hapa të mëtutjeshëm në terren, duke shtuar patrullimet përgjatë rrugëve kryesore të prekura nga bllokimet dhe duke vendosur njësitë e veta edhe në pikat e kalimit kufitar në Jarinjë e Bërnjak, në përputhje me mandatin e tij, që vjen nga Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së e vitit 1999. KFOR-i gjithashtu ka zhvilluar bisedime, me të gjitha palët e përfshira, për ndërprerjen e protestave në veri të Kosovës. Masat e marra, më herët të diskutuara nga Komandanti i KFOR-it me të gjitha institucionet e Kosovës dhe me kryetarët e komunave veriore, kanë për qëllim favorizimin e një deeskalimi të shpejtë të tensioneve të krijuara javën e fundit dhe rikthimin e një mjedisi të siguirtë dhe lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë”, është cituar të ketë thënë Frederici.

KFOR-i gjatë ditës së djeshme ka bërë të ditur se e ka rritur numrin dhe kohëzgjatjen e patrullimeve rutinore në veri të Kosovës./KultPlus.com

Presidentja Osmani për reciprocitetin e targave: Asnjë kërcënim nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për zbatimin e ligjit

Presidentja, Vjosa Osmani ka thënë se Kosova sot ka zbatuar në plotësi marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel, të cilat Serbia i ka injoruar dhe po vazhdon të mos i zbatojë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Osmani theksoi se reciprociteti në çështjen e targave, për të cilën kanë nënshkruar të dyja palët në Bruksel, nuk mund të shihet si veprim tensionues e i njëanshëm, por veprim drejt zbatimit të marrëveshjeve të cilën do të duhej ta kërkonte edhe vet BE-ja.

“Serbia është ajo që ka vepruar në mënyrë të njëanshme nga viti 2016 e në shkelje të marrëveshjeve të Brukselit, e jo Kosova”, tha Osmani.

Tutje shtoi se strukturat ilegale serbe, të financuara e që marrin urdhra nga shteti i Serbisë, po ndërmarrin veprime jo vetëm në kundërshtim me marrëveshjet e Brukselit, por edhe që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe stabilitetin e rajonit.

“Për më tepër, Serbia, sipas logjikës së pandryshuar të së kaluarës, po i shfrytëzon edhe institucionet shtetërore serbe për ta kërcënuar vendin tonë”, u shpreh Osmani.

Më tej tha se asnjë lloj kërcënimi nga Serbia nuk e ndalon vendosmërinë tonë për të jetësuar zbatimin e ligjit, në përputhje me obligimet tona ndërkombëtare, për të mirën e të gjithë qytetarëve të Republikës, pa dallim etnie.

“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve është ndërmarrë si rezultat i përfundimit të marrëveshjeve të vitit 2011 dhe 2016 për lirinë e lëvizjes së qytetarëve mes dy shteteve. Rrjedhimisht, vendimi siguron trajtim të barabartë dhe të lëvizjes së lirë të qytetarëve të të dyja vendeve. Vendimi është pranuar dhe po zbatohet me përpikëri në të gjitha pikat kufitare, me përjashtim të dy pikave në veri, në të cilat serbët lokalë po keqpërdoren nga Qeveria serbe dhe strukturat ilegale atje”, vazhdoi Osmani.

Presidentja ka ftuar Bashkimin Evropian që të ushtrojë presion mbi qeverinë e Serbisë që të ndalojë menjëherë provokimet ndaj Kosovës dhe keqpërdorimin për qëllime politike të qytetarëve serbë të Kosovës.

“Politika destabilizuese e Serbisë në Kosovë dhe në rajon dhe qëllimet e tyre hegjemoniste për të ashtuquajturën ‘botë serbe’ janë rikthim në logjikën e tyre të viteve ’90, e cila ka sjellë shumë viktima në rajonin tonë”, tha në fund Osmani./KultPlus.com