Sopranoja Adelina Paloja me koncertin recital ‘Eternal Echoes’ hap edicionin  e shtatë të ‘Prishtina International Vocal Festival’

Sopranoja e njohur Adelina Paloja vjen me koncertin recital “Eternal Echoes”, i cili njëkohësisht shënon edhe hapjen e edicionit të shtatë të “Prishtina International Vocal Festival”.

Sopranoja Paloja është shprehur tejet emocionuese për këtë rrugëtim unik të karrierës së saj, të cilin do ta sjell nën shoqërimin e pianistes Lirika Pula Kasapolli dhe me kuartetin “Amati String Quartet”.

““Do të interpretoj një repertor të përzgjedhur me kujdes e dashuri, duke sjellë tingujt e shpirtit tim në shoqërimin e pianistës sonë të shkëlqyer Lirika Pula Kasapolli dhe kuartetit me artistet e reja mrekullueshme Amati String Quartet. Ky recital do të jetë një bashkim i zërave në mes artisteve, ku muzika do të jehojë edhe si shënim i ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit në muajin rozë”, është shprehur sopranoja Paloja.

Koncerti “Eternal Echoes” mbahet nesër, më 14 Tetor, në ora 19:00, në Amfiteatrin e ri të Bibliotekës Universitare./ KultPlus.com

Sopranoja Jeta Çitaku mbrëmë me koncert recital, solli si mesazh reflektimin e paqes së artistit

Vjollca Duraku
Fotografitë: Arben Llapashtica

Sopranoja Jeta Çitaku, të martën mbrëma, u paraqit para audiencës me një koncert recital me vepra botërore kryesisht, që erdh si një përmbledhje e punës së saj të madhe ndër vite, koncert ky që në sytë e publikut e ngriti sopranon në tjetër nivel, shkruan KultPlus.

Ambienti i errët ku dominonte ngjyra e zezë, vende-vende e përzier edhe nga ngjyra e kuqe, i jepte ngjarjes një ton më serioz qysh në hyrje të sallës koncertale, që këtë herë ishte improvizuar në Atelienë e Pallatit të Rinisë.

Artistë, kolegë, familjarë e artdashës në përgjithësi, me padurim po e prisnin fillimin e koncertit të sopranos Çitaku e cila pas pak u paraqit në skenë së bashku me pianistin Misbah Kaçamaku. Ndërsa, skenës me dukje shumë serioze deri atëherë i ishin shtuar edhe dritat me ngjyrë të bardhë, mirëpo shkëlqimin ia dha vetëm aura e sopranos Çitaku e cila të veshur pati një fustan vezullues të bardhë.

“Ma rendi pur contento” e Vincenzo Bellinit  ishte vepra me të cilën filloi koncerti recital, nën përcjelljen e tingujve jo shumë të lartë të pianos. Ndërsa zëri i saj ishte ai që audiencën e vendosi në frekuenca qetësie, që me vëmendje ndiqnin çdo detaj të performancës.

Kurse interpretimi i veprës “Agimet Shqiptare” nga Avni Mula, ishte një pikë interpretuese që sopranoja Çitaku e ndjeu më ndryshe, me më shumë emocione, këto të cilat shumë lehtë u transmetuan edhe te publiku.

Pjesë e këtij koncerti ishte edhe maestro Josif Gjipali i cili po ashtu para publikut u paraqit me disa nga veprat e të kompozitorëve më të njohur botëror. “Brindisi”, e Guiseppe Verdit e cila erdh si pikë interpretuese duo mes sopranos Çitaku dhe tenorit Josif Gjipali ishte një kombinim perfekt për të cilën pati gjithashtu shumë reagim nga ana e publikut.

Pjesë e programit të këtij koncerti ishin veprat: “Malinconia”, “Ninfa Gentile”, “Quando verra quel di” të Vincenzo Bellinit, “Porgi amor” nga Wolfgang Mozart, “Agimet Shqiptare” të Avni Mulës, “Tu che di gel sei cinta” “Nessun Dorma”, “Vissi d’arte” të Giacomo Puccini, “Parigi o cara”, “Brindisi”, “Timor di me…d’ amor sullali rose”, “Ave maria piena di grazia” të Giuseppe  Verdit, dhe “Pouruquoi me reveille” të Jules Massenet.

Krejt në fund të koncertit në një prononcim për KultPlus, tenori Gjipali u shpreh shumë i lumtur që ishte pjesë e këtij koncerti, sipas tij me një program të kompletuar, që i prek të gjitha fazat e një këngëtari që do të rritet.

“Ishte vërtetë një kënaqësi që isha sonte në këtë koncert, por një kënaqësi e vërtetë, jo një batutë shabllon nga ato që thuhen gjithmonë. Kisha vërtetë emocion për të parë progresin e Jetës, dhe vërtetë ngela shumë i kënaqur dhe shumë i emocionuar nga performanca e saj. Ishte vërtetë një kënaqësi”, ka thënë tenori Gjipali.

Ndërsa sopranoja Jeta Çitaku, nën ndikimin e emocioneve të shumta, tha se ndihej e nderuar nga reagimet e publikut, të cilët i dhanë mesazhin për punën e madhe që ajo kishte realizuar.

“Jam shumë e lumtur, shumë e nderuar që koncerti u mirëprit me duartrokitje dhe ovacione të ngrohta, kur artisti shpalos punën, artin, botën shpirtërore, mendoj që publiku e mirëpret, e ndien të bashkëngjitet në gjithë momentet që t’i po jeton në skenë”, ka thënë sopranoja Çitaku.

Ajo më tutje shtoi se përmbajtja e këtij koncerti si mesazh specifik pati reflektimin e paqes së artistit.

“Çdo koncert është moment feste, është moment reflektimi i punës. Sigurisht arti vet, substanca, përmbajtja e tij është të reflektojë paqe të bëj njerëzit shpirtërisht të jenë të përmbushur dhe për ca momente të jetojnë në një magji tingujsh, të ikin nga realiteti që shpesh di të jetë jo i lehtë dhe i zymtë, sidomos ku ne jemi”, ka thënë  sopranoja.

Përzgjedhja e programit sipas sopranos ishte bërë në bashkëpunim me profesorin Josif Gjipali, me të cilin gjatë rritjes së saj si artiste kishte bashkëpunuar vazhdimisht.

“Programi është përzgjedhur me kujdes, unë vazhdimisht jam konsultuar me profesorin Gjipali. Maestro Gjipalit ka vite që zërin ia kam besuar në kuptimin e trajtimit ngaqë është një nga profesionet më delikate, andaj nuk rresht asnjëherë së kërkuari dhe kur jemi te kërkimi na duhet gjithmonë një vesh i dytë, një vesh muzikor i cili ka kaluar në skenat më të mëdha evropiane e më gjerë, dhe për mua është nder që sonte koncertoi për publikun e Prishtinës dhe koncertuam së bashku po ashtu”, ka thënë më tej  sopranoja Çitaku duke paralajmëruar edhe projekte të tjera të radhës./ KultPlus.com

Petrit Çeku me recital live nga dhoma: Ndjehem sikur ishim bashkë në ato momente

Pothuajse në gjithë botën janë ndalur të gjitha aktivitetet kulturore e artistike për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme që është krijuar me rastin e shpërndarjes së Koronavirusit. Italianët, aty ku virusi u shpërnda në masë të madhe, duke qenë në karantinë, janë munduar të gjejnë mënyra të ndryshme se si të argëtohen dhe ta mposhtin panikun nga ky virus. Duke dalë në ballkone atë bënë muzikë e kënduan, duke i dhënë mesazh gjithë botës se jeta duhet shijuar në çdo mënyrë, shkruan KultPlus.

Por, një veprim të jashtëzakonshëm e ka bërë edhe kitaristi shqiptar Petrit Çeku.

Ai ka zgjedhur një tjetër formë, që përmes artit të tij të jetë më afër njerëzve në këto kohë të vështira.

Duke qenë i izoluar në banesën e tij në Zagreb, ai ka vendosur të mbajë një recital me veprat e Schubertit.

 Në një lidhje Live në Facebook ai ka arritur të mbledhë një numër të madh njerëzish në recitalin e tij më të veçantë ndonjëherë. Për gati gjysmë ore, ai solli gjashtë vepra të kompozitorit austriak Franz Peter Schubert. Nga gjithë sallat e mëdha që ka shkelur Çeku, dhoma e tij dukej sikur ishte një hapësirë ideale për atë recital e sikur atij po i jepte qetësinë e botës.

Ai përmes një statusi në Facebook, falënderoi të gjithë ata që e përcjellën recitalin e tij, duke potencuar faktin se ishin pothuajse 10 mijë njerëz nga e gjithë bota që e shikuan Live recitalin e tij të vogël.

“Ndjehem sikur ishim bashkë në ato momente. Të mos harrojmë se megjithëse jemi të bllokuar në shtëpitë tona, ne jemi bashkë në këtë”, ka shkruar Petriti në Facebook. / KultPlus.com

https://www.facebook.com/petritcekuguitar/videos/212469509813559/UzpfSTY4MTcwNjA3MTozMDYwNjExMjk0OTk0MTQ6MTA6MDoxNTg1NzI0Mzk5OjY2NzY0OTI3OTI5NDc2NzY0NzE/

Kitaristi Drilon Çoçaj me koncert recital në Suedi

Kitaristi kosovar Drilon Çoçaj, pas disa prezantimeve që pati në vendlindje, tashmë do të mbajë një koncert recital në qytetin e Boras të Suedisë, shkruan KultPlus.

Përpos koncertit Çoçaj ku do të mbajë masterclassin për kitaristët e shkollës së qytetit. Ndërsa në koncertin solo veprat që do t’i luaj janë nga kompozitorë të ndryshëm si Bach, Sor, Legnani dhe Ponce.

Këto aktivitete organizohen nga qytetit i Boras, shkolla e artit të qytetit dhe shoqata e shqiptarëve në Suedi If Dardania./ KultPlus.com

Pranvera Hoxha sot me koncert recital në Tiranë

Pianistja Pranvera Hoxha Bryma, sot më 24 dhjetor në Muzeun Kombëtar në Sallën Unesco në Tiranë, sjellë koncertin recital me vepra spanjolle për piano, shkruan KultPlus.

Mysafir i koncertit do të jetë Dardan Osmanaj, ndërsa mbrëmja me muzikë spanjollë është mbështetur nga Komuna e Prishtinës dhe MKRS.

Pranvera Hoxha Bryma ka diplomuar për piano në Akademinë e Arteve të Bukura dega piano te profesoreshe Anita Tartari. Studimet master i ka përfunduar në Fakultetin e arteve dhe muzikës në Shkup, Maqedoni te profesor Todor Svetiev. Punon në fakultetin e arteve në Universitetin e Prishtinës, si korepetitore e krasëve të flautës dhe klarinetës. Ajo poashtu është profesoreshë e pianos në Shkollën e Muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë./ KultPlus.com