REDO Design fillon sonte, mbi 300 profesionistë të dizajnit grafik vijnë në Prishtinë

Sot fillon edicioni i 9-të i REDO, ngjarjes vjetore ndërkombëtare që mbledhë në Prishtinë dizajnerë nga e gjithë bota për një “shëtitje” mbi temën e dizajnit grafik. Sonte, nga ora 20:00-22:00 do të ketë prezantim nga Alush Gashi dhe Julie Peeters, përcjellë KultPlus.

Po të njëjtën ditë, nga ora 19:00, hapet ekspozita TEST PRESS nga Henk Groenendijk, ku paraqet një përmbledhje të punimeve/posterëve të studentëve të Rietveld Akademie, në Holandë, gjatë një periudhe më shumë se 20 vjeçare. Programi i natës vazhdon në Kino Armata nga ora 22:00-23:00, me performancë nga TETRIS.

Nga sot deri të dielën, do të ketë prezantime, librari lëvizëse, ekspozitë, performancë muzikore. Vlen të përmendet se të shtunën, nga ora 23:00, në Sallën e Kuqe, në bashkëpunim me SERVIS, do të performojë KRIS BAHA. Performanca muzikore do të vazhdojë me LOLINA (Inga Copeland), Leo Lumezi, Genc Elezaj.

Prishtina tani është në listën e qendrave të rëndësishme të diskutimit të dizajnit grafik në skenën botërore. Gjatë REDO, mbi 300 profesionistë nga shkollat dhe institucionet më me influencë në dizajn grafik nga e mbarë bota, e vizitojnë dhe përjetojnë Prishtinën për 3 ditë.

REDO në edicionin e shtatë mbështetet nga Komuna e Prishtinës, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ambasada e Holandës në Prishtinë, Culture for Change – Programi i Zyrës së BE në Prishtinë, që implementohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe Institut, Fondacioni “Unë e Du Kosovën”, IPKO Foundation, Swiss Arts Council Pro Helvetia. Partnerët: Kino Armata, Biblioteka Kombëtare e Kosovës, Kosovo Architecture Foundation (KAF).

REDO është një ngjarje treditore në lëvizje që bashkon dizajnerët nga e gjithë bota të kontribuojnë në krijimin e diskursit rreth çështjeve dhe praktikave aktuale të dizajnit grafik. Përmes një serie diskutimesh, punëtorive, librarisë dhe udhërrëfimeve në qytet, REDO ofron mundësi që dizajnerët të bëhen bashkë në dhe përreth qytetit të Prishtinës.

REDO mbahet nga data 11-13 tetor. Për programin e plotë: www.redoprishtina.com / KultPlus.com