Në çerdhen e artistëve të gjatë viteve të ’90-ta në Prishtinë, kafe/galerisë “Hani i 2 Robertëve”, pas 20 vjetësh mungesë u rikthye me ekspozitë, piktori suharekas Refki Gollopeni.
Tri cikle pikturash mbushnin muret plot disnivele që ka kafe/galleria “Hani i 2 Robertëve”. Në hyrje të priste një pikturë, që pasohej nga tri të tjera poashtu në hyrje të ciklit “Mbijetesa” ku piktori derdh ngjyrat për të krijuar dema në pozicione të ndryshme.
Cikli i dytë është ai i “Simfonisë së Dashurisë” që ka piktura të një formacioni muzikatësh që luajnë simfoninë e lumturisë në ngjyra t’dhezta që këto ditë dimri i dhanë jetë syve të atyre dhjetërave mysafirëve që kishin ardhur për ekspozitë. Pikturat e ciklit të tretë të ekspozuar, “Përtej ëndrrës” në një format të vogël shpërthenin më shumë se sa mund të shihte paragjykimi i madhësisë së tyre.
Përveç piktorit Gollopeni që u shpreh falënderues për pjesëmarrësit në këtë ekspozitë, kuratori i ekspozitës Fehmi Hoxha – FEHO tha se ka qenë padyshim e vështirë të zgjedh cilat piktura do të ekspozoheshin atë natë, pasi ekspozitat tjera po e presin Gollopenin.
“Me të vërtetë ka qenë pak problem me i zgjedh cilat piktura, pasi është dashtë t’i ruajmë disa piktura tjera për ekspozitën që do të jetë në Vienë”, zbuloi kuratori Feho, që poashtu ka nam të madh piktori.
Për veprat e Gollopenit me superlativë foli edhe Skënder Boshtrakaj.
Kjo ekspozitë ka karakter shitës, mirëpo me vlera më të ulëta monetare./ KultPlus.com