Angelina Jolie është parë të enjten në Romë, teksa ka vizituar pacientët ukrainas në Spitalin e Fëmijëve, raportoi Reuters.
Aktorja e famshme hollivudiane, e cila është edhe ambasadore e Kombeve të Bashkuara, është njohur nga afër me problemet shëndetësore të fëmijëve që kanë ikur nga lufta në Ukrainë.
Jolie ka qenë vazhdimisht e angazhuar në rolin e ambasadores duke vizituar çdo herë refugjatë në vatra të ndryshme të krizave në botë.
Pas vitesh shërbimi të përkushtuar ndaj UNHCR-së dhe kauzës së refugjatëve, Angelina Jolie u emërua e dërguar speciale në prill të vitit 2012./ KultPlus.com
Arkitektit japonez, Shigeru Ban, fitues i çmimit prestigjioz Pritzker në 2014, ka krijuar struktura akomodimi prej kartoni në një qendër pritjeje në Paris, për t’ju mundësuar refugjatëve ukrainas privatësi gjatë qëndrimit aty përkohësisht.
“Njerëzit nuk mund të pushojnë siç duhet nëse nuk ka privatësi” shprehet Ban, ndaj ka ngritur aty strukturat e tij të famshme.
“Kam mbi 27 vjet që punoj në zonat e fatkeqësive. Gjithmonë njerëzit duhet të evakuohen pas fatkeqësive natyrore në hapësira të mëdha si kjo qendër, por nuk ka privatësi. Njerëzit nuk mund të pushojnë mirë nëse nuk ka privatësi, kështu që unë kam zhvilluar këtë sistem me letër të ricikluar dhe kartonë. Është shumë i lirë dhe gjithashtu i lehtë për t’u ndërtuar shpejt, dhe materiali është i disponueshëm pothuajse kudo në botë”, tha arkitekti Shigeru Ban.
Ndërsa përgjegjësja për pritjen e refugjatëve, Sihem Habchi, tha se po punohet me Kryqin e kuq për strehimin e përkohshëm të e refugjatëve ukrainas.
“Këtu jemi në qendrën Paradis, e cila ka marrë emrin nga gjimnazi Paradis, që u vu në dispozicion nga Këshilli i Qytetit për të pritur njerëzit që ikin nga Ukraina. Ne punojmë me Kryqin e Kuq dhe në këtë qendër presim kryesisht fëmijë, gra dhe të moshuar. Një pjesë e tyre kanë nevojë për ndihmë mjekësore. Por ka edhe fëmijë që janë shumë dinamikë, ka lodra gjithandej këtu, kështu që sapo mbërrijnë, luajnë, kërcejnë dhe bëhet kënd lojërash”.
Edhe nënkryetar i bashkisë së Parisit, Arnaud Ngatcha, e falënderoi arkitektin japonez, i cili me këto struktura ndihmon refugjatët për të gjetur hapësirën e tyre private dhe intimitetin e tyre. / KultPlus.com
Familjeve në Britaninë e Madhe do t’u ofrohen 350 £ në muaj për të hapur shtëpitë e tyre për ukrainasit që ikin nga lufta. Skema e qeverisë “Homes for Ukraine” u bën thirrje njerëzve që t’i ofrojnë një dhomë rezervë ose një pronë të zbrazët një refugjati për një periudhë prej të paktën gjashtë muajsh, shkruan BBC.
Por Këshilli i Refugjatëve tha se ishte i shqetësuar për nivelin e mbështetjes për njerëzit e traumatizuar nga lufta. Laburistët akuzuan qeverinë për “zvarritje” mbi krizën.
Më shumë se 2.5 milionë njerëz janë larguar nga Ukraina për shkak të pushtimit të Rusisë, në atë që OKB-ja e ka quajtur kriza e refugjatëve me rritjen më të shpejtë që nga Lufta e Dytë Botërore.
Qeveria është përballur me kritika – përfshirë edhe nga vetë deputetët e saj – për shpejtësinë dhe shkallën e reagimit të saj.
Ministrat e parë të Skocisë dhe Uellsit i kanë shkruar qeverisë së Westminsterit për t’i propozuar që kombet e tyre të shkojnë më tej, duke vepruar si “super sponsorë” për të ofruar strehim të përkohshëm për refugjatët dhe për t’u mundësuar atyre që të vijnë më shpejt në MB.
Duke shpallur skemën e re, Sekretari i Nivelimit, Michael Gove u bëri thirrje njerëzve që të bashkohen me “përpjekjet kombëtare” dhe t’u japin një shtëpi të sigurt atyre në nevojë.
Aplikimet do të bëhen online, me sponsorët dhe refugjatët që duhet të kalojnë një procedurë verifikimi të Home Office. Sponsori do të merrte një pagesë “faleminderit” prej 350 £ në muaj.
Duke prezantuar planin, Gove tha: “Kriza në Ukrainë ka dërguar valë tronditëse në të gjithë botën pasi qindra mijëra njerëz të pafajshëm janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, duke lënë pas gjithçka që dinë dhe duan.
Britania e Bashkuar qëndron pas Ukrainës në orën e saj më të errët dhe publiku britanik e kupton nevojën për të çuar sa më shpejt njerëz në sigurinë tonë”.
Ministrja e Parë e Skocisë, Nicola Sturgeon dhe homologu i saj në Uells, Mark Drakeford, bënë thirrje që të hiqen të gjitha kërkesat për viza për shtetasit ukrainas dhe i kërkuan qeverisë të japë më shumë qartësi se si do të funksionojë skema.
Ata thanë se bërja “super sponsorë” do t’i lejonte të dy kombet të merrnin refugjatët më shpejt dhe t’u jepnin atyre akses në mbrojtje dhe shërbime ndërkohë që gjendej një sponsor afatgjatë.
Shifrat më të fundit tregojnë se vetëm 1000 refugjatëve u është dhënë viza në Mbretërinë e Bashkuar – dhe vetëm ata me lidhje familjare kanë qenë në gjendje të bëjnë një aplikim, nëpërmjet Skemës Familjare të Ukrainës.
Më shumë se 20,000 ukrainas kanë filluar aplikimet dhe kryeministri Boris Johnson sugjeroi që Mbretëria e Bashkuar mund të pranojë 200,000 refugjatë.
Bashkimi Evropian po u lejon ukrainasve qëndrim trevjeçar pa vizë, por Britania e Madhe thotë se kontrollet në hyrje janë thelbësore për sigurinë./ KultPlus.com