Poeti Sadik Bejko thurte vargje nën thembrën e regjimit komunist: Pluhuri i qymyrit më mbuloi për gjashtë vite

Era Berisha

Ishte 22 nëntori i këtij viti dhe acari kishte shungulluar rijetësimin e përhershëm në Prishtinë. Rrebeshi i shiut më shoqëroi gjatë gjithë rrugës për të takuar një nga personat më të veçantë në jetën time. E gjeta të ulur në karrigen e Galerisë së KultPlus, të përqendruar kryekëput në telefonin e tij që e përdorte disi me vështirësi. Nuk e shqetësova menjëherë pasi që doja të ngrohesha pak nga ai i ftohti që më kishte hyrë gjerë në palcë të shpirtit. Kaluan disa minuta dhe vendosa që t’i afrohem e t’i prezantohem se kush jam. U përshëndetëm me një shtrëngim duarsh, të tilla ato që kishin përjetuar çmos. I dallova që në prekjen e parë – ishin duar të skalitura prej rrufeve të jetës.

Figura e poetit Sadik Bejko mu qartësua para syve, ndërsa sytë e tij disi mbanin një portret prej fëmije, mbushur plot shpresë. Po ta shihje nga jashtë, dukej si një njeri i zakonshëm, por shpirti i tij atë ditë më foli shumë. U hap si pena ngjyrë zezë mbi fleta të bardha. Ashtu ish edhe jeta e tij; bardhezi.

Në një intervistë për KultPlus, një nga poetët më të shquar të Shqipërisë, Sadik Bejko, ka rrëfyer shumë. Poezia për të është frymë dhe ai ka vazhduar të frymojë edhe atëherë kur të shkruaje poezi nën një regjim komunist ishte pak a shumë sikurse të mbinin lule të egra në një fushë betoni. Kundërshtimi i tij i qetë kishte lulëzuar në një mënyrë të atillë që i falte jetë vargjeve të lira. Heshtja e tij i përkiste një ritmi lirik që bazohej komplet mbi një natyrë meditative. Shtypja u bë metaforë, mbikëqyrja një nëntekst. Pëlhura e frikës e kishte kapur atë për krahësh. Ai u internua nga regjimi komunist për vargjet e guximshme që pëshpëritnin për shpirtin njerëzor. Sikurse shumë shkrimtarë, edhe ai u dënua për nxitje dhe përhapjen e kulturës borgjeze në Festivalin e Njëmbëdhjetë të Këngës më 1972.

Parimet shtetërore të cenonin derisa të zhvishnin edhe ashtin. Ishte një realitet i ashpër për shumëkënd, që ndaloi kreativitetin e shumicës. Duhej t’i përuleshe me fytyrë në tokë atij autoriteti. Është një luftë për të ruajtur shpirtin njerëzor kur ideologji specifike kërkojnë fshirjen e individualitetit. Por qëndrueshmëria e pastër i bënte ballë censurës. Poezia e Bejkos ka bartur peshën e shtypjes, duke e lejuar atë që të fluturojë deri në qiellin e pakufishëm, një qiell që në realitet, ai e shihte rrallë.

Që në atë kohë ishte shpallur në kundërshtim me disa nga parimet shtetërore. Tekstet e tij nxitën dyshime të forta në autoritetin e lartë të asaj kohe, por teksti i këngës “Një kujtim nga deti” me interpretim nga Lefter Agora, i solli edhe dënimin me punë të rënda në minierë për gjashtë vite me radhë të jetës së tij. Brenda asaj miniere, çdo natë, poeti Bejko përdorte dorën për të shkruar poezi dhe çdo ditë përdorte po atë dorë për të rrënuar thellë brenda minierës.

Por, e vërteta nuk mund të heshtë kurrë. Shpirti i tij luftarak ishte ai që nuk e pranoi dorëzimin, ndonëse prangat e jetës donin ta shtypnin fortë. Fjalët e tij u bënë si dallga uji në shkretëtirë dhe u dorgjën në vargje. Rebelimi i tij shfaqej në gjakosjet e duarve që preknin gurë të palëkundur. Është vështirë të ëndërrosh kur tunelet e atij vendi kishin hapësirë vetëm sa për të futur trupin apo kur errësira bëhet pjesë e pandashme e përditshmërisë. Ishte një dënim i dhënë kundër guximit për të ëndërruar. Megjithatë, gjatë disa netëve, poeti Bejko i gdhendte vargjet në kujtesë e herë të tjera shkruante rreshta që zgjonin zjarre poetike. Ai gërvishte nga çasti në çast copëza shprese.

Ishte vetëm 31 vjeç kur pluhuri i qymyrit iu ngjitë në lëkurë, por, ai qymyr, ajo aromë që iu bë pjesë e pandashme e jetës, nuk ia errësoi dritën e imagjinatës së tij. Dinjiteti i tij nuk iu përkul hijes së jetës. Ai udhëtoi përtej mureve mbytëse edhe kur trupi i tij i mavijosur donte pushim. Sikurse në poezitë e tij, ai thurte histori lirie, dashurie, që i jepnin forcë zemrës së tij që nuk rreshti dot së shkruari. Edhe pse ky kapitull e qëndisi poetin Bejko ndryshe, me ndihmën e disa miqve dhe shkrimtarit Ismail Kadare, arriti që të dilte nga aty dhe t’i rikthehej përsëri arsimit dhe pasionit, e që sipas vetë poetit Bejko, nëse atëherë shteti donte të bënte një spastrim, as Zoti nuk do të mundte ta shpëtonte dot, e jo më Kadareja.

Përderisa kujton fëmijërinë e tij që e konsideron si të mirë, poeti Bejko na tregoi se si nisi të shkruante poezi si fëmijë në shkollën tetë vjeçare.

Poezitë i kam shkruar sipas motiveve të këngës popullore në fillim fare. Pastaj, duke u rritur, në shkollën e mesme pedagogjike në Elbasan, kishim një rreth letrar. Në atë rreth letrar gjithmonë më inkurajonte mësuesi i letërsisë. Ne na bënte anëtar të bibliotekës. Ne i shkruanim me dorë, profesori i zgjidhte dhe ishte një gazetë e shkollës në të cilën publikoheshin poezitë tona. Aty, fillova të ndërgjegjësohesha që isha i aftë të shkruaja poezi. Kisha filluar të lexoja autorë/poetë të rëndësishëm në bibliotekë dhe mund të them se isha nxënësi më i mirë në klasë për letërsi. Letërsia në një farë mënyre u bë pasion pastaj. E kam vështirë ta kujtoj poezinë e parë sepse as nuk jam ulur ta shkruaj. E kam shkruar në kujtimet e mia. Ishte një këngë popullore e thjeshtë dhe nuk e regjistrova askund. Atëherë si fëmijë mendoja se poezitë nuk mund të shkruheshin dhe besoja se ato ekzistojnë si këngë në ajër. Këngët këndohen në mjedis dhe unë nuk guxoja të mendoja se poezia ime do të bëhej këngë. Ishte diçka fëmijërore”, thotë ai, i cili tutje tregon se disa nga poezitë më të mira pati filluar t’i shkruante nga viti i fundit i shkollës së mesme, të cilat më vonë edhe i regjistroi diku. Pastaj, në Shkollën e Lartë, nisi t’i botonte poezitë nëpër gazeta.

Poezia e tij e parë e botuar gjeti dritën në janarin e vitit 1965 në gazetën Drita. Në atë vit, nisi t’i botonte disa cikle me poezi dhe kështu pastaj i filloi dëshira për të qenë në një radhë me poetët e tjerë të moshës.

Por, që kjo dashuri që i lindi qysh fëmijë t’i shndërrohej gjatë jetës në diçka ndëshkuese, nuk e kishte menduar aspak. Poeti Bejko më pas kujton pjesëmarrjen e tij si redaktor për poezinë/këngën në Radio Televizionin e Shqipërisë. Këngët e shkruara nga ai në Festivalin e Njëmbëdhjetë lidheshin ngushtë me pasionin e tij.

Atëherë doli nevoja për një redaktor të poezisë sepse mendonin që do të duhej të forcoheshin poezitë që bëheshin këngë për festival. Prodhoheshin gjatë gjithë dymbëdhjetë muajve poezi, dhe unë i redaktoja, shkruaja. Por, më tepër dhe bëhesha miq me shumë nga ta në Tiranë dhe i ftoja që të merrnin pjesë me tekstet e tyre, e disa të tjerë afroheshin vetë. Unë kisha qenë edhe në edicionet paraprake të festivalit, mirëpo tek i njëmbëdhjeti më kujtohet se kisha tre tekste”, thotë ai.

Teksti i parë ishte me Françesk Radin, një tekst që fliste për trishtimin e luftës që bëhej në Vietnam. Ajo ishte luftë e dëmshme për shumëkënd. Konsiderohej se ishte këngë lirike që fliste për një grup djemsh që kanë dalë nga liqeni i Tiranës e po këndojnë kur nga radioja dëgjojnë bombat duke rënë. Pra, ishte një poezi e lehtë por si një lloj proteste e fshehur në të njëjtën kohë.

Kënga e dytë ishte një poezi e vetë poetit Bejko të cilën e kishte pëlqyer shumë kompozitori i shquar Kujtim Laro. Ata punonim bashkë dhe poezitë i lexonin bashkë dhe poezia e Bejkos doli në këngë dhe titulli iu vendos me emrin “Një degë e blertë”.

Pastaj, kënga e tretë ishte një kujtim nga deti dhe në poezi/këngë kujtohej mrekullia e detit, bukuria e vajzave. Prapë, ishte një këngë lirike por muzika e lehtë të tilla i donte poezitë. Atë e këndoi një këngëtar nga Saranda, Lefter Agora.

Sipas poetit Bejko, ishte fat i madh që të tri këto këngë të futen në Festivalin e Njëmbëdhjetë.

“Nga të gjitha këto, preferoja këngën ‘Një degë e blertë’. Ajo lindi nga një histori e imja sepse ishte shkruar si poezi për të fejuarën time e cila pastaj u bë gruaja ime që është sot. Ishte një kënaqësi e madhe sepse atë ditë, ajo ishte në sallë dhe e ka ndjekë drejtpërdrejt poezinë dedikuar asaj. Çdo njeri që punon në një zyrë, kërkon që të jetë i suksesshëm si punonjës, pra të fitojë dashurinë e shefave por edhe audiencës. Nuk kisha ndërmend t’i vihesha kundër regjimit. Çdo njeri që punon në një zyrë, nuk ka ndërmend ta rrëzojë Qeverinë. Neve na thanë atëherë që “Ju e sfiduat shtetin”, mirëpo ne nuk ishim të atillë. Doja thjeshtë të fejohesha, të isha njeri i mirë, doja që miqtë e mi t’i pëlqenin këngët që shkruaja. Isha i ri dhe mendoja që të kaloja një jetë të mirë. Ajo që erdhi pastaj qe një fatkeqësi. Mund të thuhet se ka qenë si një rrufe në qiell të kthjellët sepse s’kisha bërë gjë, dhe nuk kisha në mend të bëja diçka kundër regjimit të asaj kohe”, thotë ai.

Atë vit, poeti Bejko kishte tri ngjarje të rëndësishme. E para ishte fejesa me gruan, e dyta qe festivali i njëmbëdhjetë ku pati sukses me tri këngë si dhe e treta ishte krijimi i librit “Rrënjët”, i cili u prit shumë mirë. Ai është një libër që edhe sot mbahet ndër librat themelorë të krijimtarisë së tij.

“Këto ngjarje për një njeri të thjeshtë që ka punuar një punë të thjeshtë, nuk mund të ketë asnjë mision kundër shtetit. Por, neve kështu na gjykuan. Dhe, na gjykuan pa të drejtë. Thanë për arsye se në atë kohë, këngët që nuk ishin politike, këngët që nuk bënin propagandën e shtetit, quheshin këngë sfiduese për shtetin. Edhe në atë kohë, dhe tani, nuk e mendoj që ishte e drejtë. Gjithë shkrimtarët e mëdhenj kanë shkruar poezi lirike për natyrën, për detin, bukurinë, dashurinë. Këto janë motive të përjetshme. Por, ndryshe i gjykuan. Gjykimi ishte shumë i rëndë. Normalisht ka pasur të tjerë që kanë pësuar më shumë e më keq nga unë. Sherif Merdani, këngëtari që këndonte këngët që ia jepnin, u burgos pa të drejtë. Atëherë shteti të drejtonte se çfarë të këndosh, ku ta këndosh dhe kur ta këndosh, dhe Sherifi këtë punë bënte. Një regjisor tjetër që ishte personalitet i lartë, kishte bërë disa nga spektaklet më të bukura në Tiranë. Punoi shumë por e hoqën nga puna dhe e burgosën. Pas burgut, u bë bojaxhi dhe lyente mure deri në 91-shin. Gruaja e tij po ashtu nuk performoi më në skenë. Pati piktorë që vranë vetën, pra ishte një periudhë ku shumë personalitete”, rrëfen ai.

Dhe, në atë kohë gjithçka u përmbys. Ai u dënua gjashtë vite në minierë, një periudhë e rëndë për të. U internua nga regjimi komunist për vargjet e guximshme lirike që nuk përkonin asnjëherë me partinë, ndërsa shumë poetë të tjerë e bënin dhe kjo ishte një rrugë shpëtimi për ta. Ai beson se e njëjta gjë do të ndodhte edhe nëse ai do i thurte lavde partisë, pasi që, nëse shteti të piketonte, atëherë nuk mund të kishe asnjë shpëtim.

“Të gjithë shkrimtarët në një sistem të dhunës siç ishte ai, duhet të dinë të përshtaten me sistemin. Në këto punë që bënim, ne secili do të duhej patjetër që t’i thurnim diçka regjimit. Tani në mendjen time, mendoj se nuk kam ditur të jem shumë diplomat, i lakueshëm pas kohës. Unë nuk jam nga ata që mburrem se nuk e doja komunizmin, jo. Mendoj se duhej ta gëzoja jetën time dhe ashtu kanë bërë shumë të tjerë të cilët e kanë kapërcyer gardhin. Nga ana tjetër, ajo koha etiketonte disa njerëz dhe i dënonte. Edhe sikur të bëja këngët më të bukura për partinë, nëse ata prapë do më etiketonin, ata prapë do të më dënonin. Atëherë vetëm një teatër ekzistonte dhe të gjitha këngët kontrolloheshin para se të këndoheshin. “Ky nuk është i yni, këtë gjë duhet ta sakrifikojmë”, thoshin ata. Sakrifica, dënimet, dhuna, bëheshin për të ngjallë terror, dhe për t’i vënë në rresht të tjerët që të kishin frikë të punonin. Pra, mendoj se nuk kam bërë mirë që nuk kam shkruar për partinë, por nga ana tjetër, edhe sikur ta bëja, mund të dilje i kryqëzuar. Dhe unë nuk e dija pse u dënova. Ata thjeshtë më shënjestruan”, tregon Bejko.

Plotë gjashtë vite të jetës, poeti Bejko i kaloi poshtë tokës. Dhe ai nuk ishte aspak i përgatitur për aso punë, ngaqë nuk ishte njeri që kishte bërë ndonjëherë punë të rënda fizike. Ishte jashtëzakonisht e vështirë për të, një goditje që e rëndoi shumë fizikisht dhe emocionalisht, e që si e thotë edhe ai vetë; ia mori nderin.

“Mora vesh që regjimi kishte një problem me mua, kishte një armiqësi me mua. Shteti nuk më donte dhe kjo ishte një gjë shumë e keqe për mua. Atëherë nuk ekzistonte mundësia që të largoheshe dhe s’kishte çfarë të bëje. Goditja është poshtërim. Kur një njeri ka një punë të mrekullueshme, dhe të të heqin nga aty për të bërë një punë ndëshkuese, është diçka që të poshtëron, të merr nderin, të nëpërkëmb. Kur dilja ndonjëherë jashtë, ishte një autobus urban i qytetit dhe dalloja që njerëzit nuk uleshin në karrige afër meje, sikurse kisha ndonjë sëmundje të rëndë. Unë s’i vë faj njerëzve por atëherë ashtu ishte. Kishin frikë nga unë. Pra, kur vajta në një qytet, isha si një dele e zezë. Ishte një dënim moral, por ishte edhe dënim fizik”, thotë ai, i cili tutje tregon se minierat e qymyrgurit atëherë ishin të atij lloji që duheshe të punoje me duar e me këmbë shtrirë, sikurse ata skllevërit që portretizohen nëpër filma.

Atij i merrej fryma nga ajo aromë që i hynte gjithkund nga poshtë e lartë. Duhej të lahej fortë, me sapun, dhe ai kujton se atëherë bënte ftohtë e binte shpesh borë, dhe nuk kishte asnjë mundësi që ai ti terte flokët e lagura. Por, disi e përballonte këtë gjendje të rëndë morale dhe fizike.

Libri i parë me poezi, “Rrënjët”, 1972.

Në ndërkohë, ai na rrëfen se para dënimit, kishte shumë njerëz që e dashuronin poezinë e tij dhe ai më së miri u identifikua me librin “Rrënjët”. Shteti i atëhershëm kishte mundësinë që të të quante edhe njeriun e tij po donte. Dhe, kishte atë fuqi që ta merrte çdokënd nën pronën e vetë.

“Shteti e qonte librin në çdo bibliotekë, edhe tek fshati më i largët. E qonte në biblioteka të reparteve ushtarake dhe papritur libri kishte një tirazh me pesë mijë kopje. Sot, mezi bëhen pesëqind kopje për një libër. Njerëzit e kishin lexuar dhe e kishin pëlqyer poezinë time. Nuk ishte poezi politike, por e lehtë, meditative, lirike. Ishte poezi e qetë dhe kjo lloj poezie iu hyri në zemër njerëzve. Pati njerëz që thoshin pastaj “shikojeni autorin e librit “Rrënjët”. Nuk është ndonjë mrekulli, por në atë klimë që doli libri, si në një kundërshtim me poezitë e forta, u mbajt si libër i mirë”, thotë Bejko.

Ndëshkimet për shkrimtarë të ndryshëm kanë qenë të njëpasnjëshme që kanë rezultuar deri në vetëvrasje por edhe vrasje nga shteti. Ka të tjerë që kanë bërë burgje. Shkrimtari Bejko, pothuajse, e konsideron veten me fat që është gjallë, por, prapë ai dënim e rëndoi shumë rëndë.

“Unë nuk jam prej guri, jam njeri dhe kam pasur momentet e mia të ligështimit. Ka pasur momente që kam humb ekuilibrin tim. Por, pata miq që më ndihmuan të dalë nga miniera. Kur shteti të piketonte, nuk të lëshonte. Kishte dënime të shumta, nga një shkallë në tjetrën. Puna ime ishte pa afat. Vajtja ime atje ishte me shumë rrezik. Këto ishin shkalla e parë për tu futur në burg dhe kjo të linte në një ankth dhe një pikëpyetje për fatin e familjes tënde. Njeriu ndonjëherë duhet të presë që të ndryshojë fati, pastaj fati ndryshoi. Unë në atë kohë, gjithçka mund të bëja, por nëse shteti nuk hiqte dorë nga ty, ti s’mund të shpëtoje dot”, thotë ai.

Telegrami i dërguar me rastin e lindjes së djalit

Në ndërkohë, po bëhesha gati ta pyesja se si e murr lajmin për lindjen e djalit, dhe në atë çast poetit Bejko i cingëroi telefoni. Po e thërriste djali i tij, për të parë se çfarë po bënte babai. Ndala regjistrimin e zërit dhe po mendoja për çudirat që ndodhin në jetë, të cilat dinë të vijnë në momentet më të rralla, e krijojnë kujtime të paharrueshme. E tillë qe kjo që u krijua atë natë. Poeti Bejko mbylli telefonin dhe dukej se u kuptuam me sy se kjo që ndodhi nuk duhej kaluar pa u diskutuar.

Vazhduam tutje diskutimin në të cilin ishim thelluar shumë. Poeti Bejko fliste me duar, rrëfente me sy. Dukej se kujtimet i vinin valë-valë dhe e rrethonin qenien e tij para meje. Shpesh, ia shihja sytë e përlotur por që asnjëherë nuk e lëshuan folenë e tyre. Zëri i tij i thellë vazhdoi tregimin tutje.

Ishte 15 shkurt, data në të cilën kishte lindur djali i parë i poetit Bejko dhe lajmin ai e mori nëpërmjet një telegrami, një moment për të cilin ai pati kushtuar edhe një poezi. Është evidente që poezia e tij buron nga brendësia dhe çasti.

“Ishte muaji i parë në minierë dhe isha akoma i paskalitur për punën aty. Më dhembnin shumë krahët sepse përpara kisha vënë në punë muskujt për lapsin, tani vëra në punë muskujt për minierë. Flisja gjithmonë me gruan e cila ishte në një hotel. Atëherë duhej të bëhej një lajmthirrje që të tregonim se do të bisedonim në telefon. Nëna e saj i rrinte pranë gruas sime. Mund ta kisha marr që në fillim, e të kisha ikur bashkë me të, por ajo kishte një rrezik, pasi që në muajin e fundit të shtatzënisë nuk duhej të lëvizte. Andaj, duhej të rrinte në Tiranë derisa të lindte. Atëherë vajti nëna e saj me të dhe qëndruan në hotel. Mbaj mend se ishte muaji shkurt dhe kishin filluar të dalin lulet e bajames në luginën në Tepelenë dhe kam shkruar një poezi që tregonte për mallin tim për të. Por, i ynë është gëzimi dhe gëzimin duhet ta pranojmë, por edhe hallet, vuajtjet, të këqijat janë të tonat. Njeriu duhet që t’i pranojë të mirat e kësaj bote por duhet t’i pranojë edhe të këqijat. E gjitha varet sesa të fortë jemi dhe sa fuqi kemi brenda për t’i kaluar ato. Kështu që e prisja djalin me këto lloj mendimesh dhe atë ditë më 15 shkurt kur më lindi djali, binte një shi si sonte këtu. E zymtë ishte dita. Vajta në postë për të bërë një telefonatë dhe mora një telegram ku mora vesh se më lindi djali. U habita. Kishte rënë errësira por isha shumë i lumtur. Nuk mund të flisja dot në telefon atë natë por kisha tre shokë në dhomë dhe rrugës u futa në një market dhe bleva dy shishe me pije, bleva çokollata e biskota. Kërceja nëpër pellgje me ujëra si i dehur dhe nuk i kontrolloja ndjenjat. Isha në eufori”, rrëfen Bejko.

Nga ana tjetër, zorshëm mori lejen për të parë djalin, të cilin e ka mbajtur gjatë gjithë udhës në tren për në Gjirokastër pas lindjes. I lodhur nga puna në minierë dhe krahët e tij të rraskapitur në atë moment ishin zhdukur nga dëshira për ta mbajtur sa më afër djalin e tij.

“Problemi ishte se mua më quanin të dënuar rëndë, sikurse kisha bërë ndonjë gjë të madhe. Dhe shefat e mi më shkonin me sy të keq. Kur kërkova leje për të parë djalin, nuk ma dhanë. Më thanë që duhej të shkoja të merrja leje në degën e policisë dhe i thashë që nuk jam njeri i dënuar nga policia e as nga gjyqi. Iu luta atyre dhe i thashë që jam në dorën e tyre dhe nëse nuk më leni atëherë do iki nga puna. Më së fundi, më dhanë leje pas shumë kërkesave. Ishte një gjë atëherë që gruan pas lindjes, nuk e nxirrnin dot pas shtatë ditëve. Atë ditë që vajta, e morëm bashkë gruan me nënën e saj. Shkuam në një hotel dhe aty kishte pak ngrohje, ishte mirë. Të nesërmen u nisëm sepse nuk kishte rrugëdalje tjetër. Unë nuk kisha para të merrja një taksi. Atëherë një taksi kushtonte sa një pagë mujore. Asnjëherë s’kam qenë njeri parali. E vendosëm të iknim nga Tirana në Ballsh. Aty doli për të na marr një mik dhe ai kishte makinat e tipit që kishin vetëm tre vende. Ishte vjehrra që hyri përpara, ishte gruaja që e zinte makina dhe e zëri gjumi menjëherë prapa. Pastaj, udhës për në Gjirokastër, gruaja ime ishte e lodhur shumë dhe unë mbaja djalin në gjoks me dy duar. Atëherë nuk kishim ndonjë shportë për ta mbajtur. Kështu shkuam deri në qytetin e Gjirokastër pas gjashtë orëve. Sigurisht, ishim të gëzuar por edhe shumë të lodhur. Doja ta bëja të lumtur gruan time por nuk e bëra dot. Ky është një peng i imi”, tregon ai.

Familja e Sadik Bejkos

Gjithashtu, ajo se çka u bë një frymëzim i tij i përhershëm për të qenë krijues i poezisë, ka qenë shtytja e shkrimtarit Sterjo Spasse, i cili para se të hynte poeti Bejko në minierë, i kishte thënë që duhet të vazhdonte të shkruante gjatë tërë jetës. I kishte thënë që poezinë duhej ta kapi edhe kur ai mendon se ai ka rënë shumë poshtë.

“Unë e kisha mik dhe ai ishte një njeri që më donte shumë. Ishim lidhur shumë pasi që djali i tij më kishte mua shok klase në Shkollën e Lartë. Aty u bëmë miq. Ai më tha: “Shiko, ti pësove fatkeqësi por jeta është e bukur prapë. Poezia ekziston prapë. Mirësia ekziston prapë. Mos e errëso veten. Mos i shiko të këqijat e kësaj bote por shiko poezinë, bukurinë e mirësinë. Duhet të kapesh nga e mira, se po u kape nga e keqja, keq të shkon.” Kjo për mua ishte shumë frymëzuese pasi që ka shumë njerëz të cilëve iu errësohet jeta dhe shohin vetëm anën e zezë”, thotë Bejko.

Brenda punës në minierë, poeti Bejko ka potencuar se e ka parë vdekjen me sy në çdo moment. Sipas tij, minierat janë vende të këqija. Ai kujton rastet kur edhe ka qenë i bllokuar komplet. Mban mend që hapësira ka qenë afro një metër dhe lartësia afro gjysmë-metri.

“Njëri sup takonte tavanin dhe tjetri sup takonte dyshemenë. Mezi ecën. Në moment bllokohesh aty dhe nëse aty nuk e ke mendje, mund të ndodhë asfiksimi, e edhe vdekja. Pra, duhet të marrësh frymë, të qetësohesh, pastaj mundësisht, me pak ndihmë nga ndonjë shok, të dalësh nga ajo situatë. Janë disa situata të tilla në minierë. Unë kam parë punëtorë me eksperiencë që fillonin të ulërinin keq, me një zë jonjerëzor. Ishte një zë i egër prej bishe dhe gati sa s’qanin burrat. Duhej t’i flisje shumë atyre pasi që na trishtonin edhe ne të tjerëve. Pra, miniera është një vend i vështirësive që ta merr frymën. Mund të të bjerrë një bllok guri e të të zinte. Kjo më ka ndodhur dhe mua disa herë. Pranë meje, kam parë njeri që ka lënë krahun aty. Kam parë tjetrin që i ka rënë blloku në mes të trupit dhe nuk është bërë më njeri. Kam pasur fat që unë kam shpëtuar. Ata të gjithë kanë qenë më të shkathët se unë, kishin shumë reflekse por unë isha një gjë e ngathët në atë punë. Fati më ka ruajtur mua”, thotë ai.

Frida Bejko dhe Sadik Bejko, kur ai punonte në minierë si minator

Në ndërkohë, bashkëshortes së poetit Bejko i thanë se duhej të ndahej nga ai. Por, ajo nuk hoqi dorë dhe u “dënua” gjithashtu për shkak se zgjodhi të jetë në një rrugëtim me të. Megjithatë, poeti Bejko nuk ndalej së reshturi për të treguar admirimin, guximin, forcën dhe dashurinë që ajo kishte për të, dhe anasjelltas.

“Gruas time i kanë thënë zyrtarisht që të ndahej prej meje. Ka vajtur të kërkuar punë por i thanë që për të punuar duhet ta lësh burrin. Në Tiranë i thanë lëre burrin dhe rri në Tiranë pasi që ajo nuk ishte e dënuar. Vajti pastaj në Gjirokastër tek qyteti i saj, nëna e saj ishte mësuese dhe babai i saj i ndjerë kishte qenë luftëtar partizan dhe ishte i njohur aty. Ata ishin qytetarë të atij qyteti dhe në këto qytetet e vogla, familjet njihen me njëra-tjetrën dhe aty kërkoi punë. I kërkonin që të më linte mua por ajo nuk më la. Ka kërkuar punë prapë dhe iu thoshte atyre se nuk mund ta linin një nënë me fëmijë, pa bukë. Atëherë e quan të punonte në një ndërmarrje si normiste ku gratë bënin triko, bluza. Atje ajo maste punën sa punonte dhe merrte rrogën por ishte me zbritje shumë ajo rrogë sepse i thoshin që ajo s’kishte arsim profesional, ndonëse ajo kishte arsim të lartë, por jo adekuat për atë vend. Atë punë e bëri për trembëdhjetë vite dhe pastaj me ndërhyrje të miqve, mezi filloi punën në bibliotekën e qytetit të Gjirokastrës. Unë jam i lumtur për këtë sepse e di që në atë kohën e Enver Hoxhës, shumë ushtarakë, gjeneralë, shkrimtarë, kanë prishur familjet e veta. Edhe fëmijët t’i mohonin. Por, për fatin tim të mirë, gruaja ime qëlloi tjetër”, tregon Bejko.

Gazeta “Drita” nëntor 1972, 5 poezi për dashurinë, kur duhet të shkruaje për partinë

Për të shpëtuar nga miniera, poetit Bejko i thanë të trokasë në derën e Kadaresë. Ai trokiti në kohën kur Kadare ishte drejt kulmit të suksesit dhe ai nëpërmjet miqve të tij i ndihmoi poetit Bejko që të dilte nga aty. Por, ata veçse njiheshin, ngaqë poezinë e parë të poetit Bejko, e ka botuar Kadareja në gazetën Drita. Kadare ishte redaktori kryesor i gazetës dhe sa herë që poeti Bejko ka vajtur atje, ai ia ka botuar poezitë.

“Ai më ka nxitur për të shkruar poezi gjithmonë. Janë të shkruara lajmet se pse Sadik Bejko nuk po e bën dot një libër. Kisha vështirësi për të botuar libër. Kisha atë marrinë time për të mos shkruar poezi politike. Duhej të bëja poezi politike që të më botohej libri por unë gjeta një rast shumë të mirë tjetër për të botuar librin tim. Në vitet 71’- 73’ ishte periudha e liberalizmit dhe u hoqën kërkesat e rënda politike. Libri im doli në këtë situatë dhe e kam botuar prapë librin me redaktim dhe me heqjen e dy-tri poezive. Dhe është e rrallë që librat e asaj kohe të ribotoheshin prapë në këtë kohë. Qe e tillë sepse e botuan në një moment që nuk pagova harraq. Kadareja sigurisht ka qenë njeriu që më ka ndihmuar për këtë punë. Nga të gjithë redaksitë e Tiranës të asaj kohe, u bë një spastrim, disa nuk u kthyen më kurrë. Dhe në atë periudhë nuk na shpëtonte dot Zoti, e jo më Kadareja. Dhe, tani pas gjashtë vitesh, unë prapë s’doja të shkoja tek ai por miqtë e mi insistuan që unë të shkoja. Më quan tek dera e tij dhe ata i trokitën në derë, më thanë t’i kërkoja ndihmë se ndryshe do mbetesha në minierë. Ata ikën dhe doli Kadareja e më ftoi brenda. Më pyeti për shëndetin e për punët. Ai bëri dy-tri telefonata të rëndësishme me drejtuesit e Kuvendit Popullor. Njëri nga ta ishte miku i Kadaresë. Mua në ndërkohë më kishin hequr të drejtën e profesorit në arsim dhe Kadareja ndërhyri prapë dhe më qoi në arsim. Ajo ishte kohë peripecish. Ishte e vështirë shumë”, thotë Bejko.

Sipas tij, dalja nga miniera u bë nëpërmjet një lutjeje të thjeshtë. Poetit Bejko i thanë që të largohet nga ai vend, mirëpo pikëpyetjet e shumta iu futën në kokë, dhe ato ishin të mëdha.

Pyesja veten cila është e ardhmja ime. Menjëherë vajta në zyrën e Kuadrit, aty ku janë të gjitha dokumentet. I them atij punonjësit se u lirova nga miniera. Doja ta kisha dosjen time e Kuadrit me notat e mia të Shkollës së Lartë dhe gjithë punët që kisha bërë deri në atë kohë. Më thanë mua se s’kisha kuadër, s’kisha dosje. Më thanë shko nga këtu. Nuk dija ku të shkoja. Kisha humbur shumë. Ikja nga miniera por ishte një pikëpyetje tjetër se ku do shkoja pastaj”, tregon tutje ai, i cili më pastaj dalëngadalë iu rikthye jetës, dhe u fut në arsim me pak vonesë.

Sadik Bejko në periudhën e minierës

Libri për poetin Bejko mbetet një arratisje nga dënimet që ai i përjetoi, përfshirë këtu edhe vitet 1967-69 kur ka qenë ushtar në brigadë pune. Ushtarët e brigadës së punës, ishin bij të atyre familjeve që quheshin armik i popullit. Ushtari i brigadës së punës nuk mbante pushkë, por kazmë e lopatë e punonte në fermë, si bujk. Më 1967 nga drejtor shkolle e poet, e çuan ushtar bujk në afërsi të qytetit Burrel.

Për atë periudhë ai pati botuar një cikël me poezi për kohën që ka kaluar aty, dhe pastaj u pat shpërblyer edhe me një çmim kombëtar.

“Edhe ushtria ime ka qenë një gjë tronditëse për mua. Kam vajtur tek ata të cilëve iu kishin pushkatuar baballarët dhe ishin të njohur si armiq të popullit. Unë vajta të punoja me ta. Isha drejtor shkolle në Berat, kisha mik Kadarenë dhe rrinim çdo pasdite bashkë. U habita që vajta atje por unë kam pasur një lloj force. Aty ku isha bëra disa poezi por ato nuk ishin më të fortat, ishin ushtarake, për miqësinë në minierë, për ndarjen nga gruaja e familja, për ndarjen nga vendlindja. Ishin poezi njerëzore dhe ishin rreth shtatë poezi të tilla. Ishte bërë një konkurs aty pasi që ishte 25 vjetori i krijimit të Ushtrisë. Konkursi kërkonte një cikël poezish dhe aplikova aty me shkrim dore, në një zarf me një pullë. Më thërret komisari i gjithë fermës së Veriut në Burrel, i cili qe i vetmi që kishte televizor në gjithë vendin. Ai ishte i mirë dhe bënte punën e vetë. Unë isha një ushtar i thjeshtë atëherë por fitova çmimin kombëtar. Megjithatë, në vështirësi u bë ajo punë. Gjeta forcën në vështirësi për të bërë poezi”, rrëfen Bejko.

Dhe tashmë që i kemi ardhur fundit të kësaj interviste, poeti Bejko ka shpalosur se momentalisht e ka një libër në “thes”, por për të cilin akoma nuk dëshiron të tregojë shumë.

“Libri është si ai fëmija në bark, që kur të lind, do i vendoset emri. Do të shkojë të trokasë nëpër dyert e shtëpive botuese në Tiranë dhe kush të ma hap, do e them merre”, më përgjigjet Bejko me një ton humori, që në disa momente gjatë kësaj interviste, e shfaqte krejt natyrshëm.

Tashmë kur ne e realizuam këtë intervistë, ai ka qenë i pranishëm në Kosovë dhe me mua ka ndarë një paralele mes vuajtjeve të Shqipërisë, Kosovës dhe konceptit të lirisë.

“Vuajtjet tona kanë qenë të karakterit shoqëror të një pushteti distopik të dhunshëm, të mbrapshtë që i merrte frymën një populli dhe i hiqte lirinë, të ardhmen dhe të drejtën për të jetuar si njeri. E varfëronte, e terrorizonte dhe ndëshkonte njerëz pa faj, një nga ta jam unë. Kosova ishte tjetër. Kishte mungesë të lirisë dhe ishte e pushtuar nga regjimi serb. Dërgonte policinë me dhunë, vriste njerëz. Bënte gjyqe politike, bënte spastrime të njerëzve. Ishte regjim represiv. Kosova e ka pasur jashtëzakonisht më të rëndë nga ne. Ne e pësonim nga i yni dhe Kosova e ka pësuar nga tjetër njeri”, thotë ai.

Sipas tij, vuajtjet e Kosovës nuk mund të krahasohen me ato të Shqipërisë, dhe ai e konsideronte fat të madh që në këtë moshë ka ardhur në Kosovë, ngaqë si i ri e ëndërronte të vinte mirëpo rrethanat nuk ia mundësuan.

Krejt në fund të intervistës, biseduam më gjerë rreth letërsisë në Kosovë. Poetit Bejko i pëlqen shumë Ali Podrimja, të cilin edhe e ka pasur mik të mirë. Ai po ashtu ka përmendur edhe shkrimtarët e tjerë si: Azem Shkreli, Eqrem Basha, Sali Bashota, Ibrahim Kadriu e Mehmet Kraja. Ndërsa, e përfunduam bisedën mbi madhështinë që qëndron prapa poezive të Martin Camajt./ KultPlus.com

Procesi gjyqësor i komunistëve, kundër “spiunazhit amerikan”

Më 18 shtator 1947, regjimi komunist orkestroi një proces gjyqësor kundër “çadrës” së spiunazhit amerikan në Shqipëri. 

Qe vendosur që të zhvilloheshin dy gjyqe, një i hapur dhe një i mbyllur “për gjykimin e disa elementëve armiq, mbeturina të fashizmit, të spiunazhit të huaj, fraksionistë..etj, si edhe mbi qëndrimin dhe masat ndaj atyre teknikëve që dalin të implikuar në procesin gjyqësor”. 

Akuzat ngriheshin kundër Harry Fultz-it, që sipas regjimit përdorte kontaktet e tij si drejtor i Shkollës Teknike, në kuadër të një aktiviteti spiunazhi. 

“Nga procesi dalin të implikuar shumë teknikë. Një kategori e tyre mund të futen edhe në burg. Një kategori duhet të këshillohet. Një kategori që mund të vëzhgohet. Njerëzit tonë duhet të përfitojnë për të krijuar agjentë. Ka nga ata që do të transferohen ose do të pushohen”, shkruhet në dokumentin e ruajtur në Arkivin Qendror të Shtetit.

Nëpërmjet tekstit ilustrues, mësohet se në përgatitjen e gjyqit do të përcaktohej edhe ndërmarrja e masave të karakterit politik. Nga punimet e gjyqit u dënuan me vdekje Beqir Çela, Riza Alizoti, Paollo Sagioti, Andrea Tarasconi, Sulo Klosi dhe Agathokli Xitomi./atsh/KultPlus.com

111 vjetori i lindjes së Sabiha Kasimatit, shkencëtarja shqiptare që u pushkatua nga regjimi komunist

Sot, përkujtojmë 111-vjetorin e lindjes të Sabiha Kasimatit (1912-1951, biologë dhe punonjëse shkencore.

Ajo lindi në Edrene (Adrianopol) të Turqisë Evropiane, në një familje nga Libohova. Më 1927 u kthye familjarisht në atdhe, u vendos në Korçë, dhe kreu Liceun Kombëtar. Punoi si mësuese në shkollën femërore të Korçës dhe në shkollën e mesme bujqësore amerikane të Kavajës (1931-1936).

Më 1936 filloi studimet e larta për biologji (dega e iktiologjisë) në Universitetin e Torinos. Më 1941 mbrojti doktoraturën dhe u kthye në atdhe. Punoi si mësuese e biologjisë në Institutin Femëror “Nëna Mbretëreshë” në Tiranë (1941-1945).

Gjatë vitit 1945 qëndroi për kurim në Torino. U kthye në atdhe dhe filloi punën si kërkuese shkencore në Institutin e Studimeve që me themelimin e tij (1946), ku u morr me studimin e peshqve të Shqipërisë.

Botoi disa artikuj shkencorë në revistën “Buletin i institutit të Shkencave”. Grumbulloi një material të pasur për iktiologjinë e Shqipërisë, mbi bazën e të cilit do të hartonte një monografi.

Më 20.02.1951 u arrestua lidhur me incidentin e bombës në ambasadën sovjetike bashkë me 21 persona të tjerë të arrestuar për të njëjtën ngjarje. U pushkatua pa u gjykuar, më 26.02.1951. / KultPlus.com

Havzi Nela, 35 vjet nga varja e poetit prej regjimit komunist

Në Shqipëri shënohet sot 35 vjetori i ekzekutimit për motive politike i poetit dhe mësuesit Havzi Nela. Ai u dënua me varje në litar më 10 gusht 1988 nga regjimi komunist, vetëm dy vjet para shembjes së diktaturës.

Në dokumentet për vrasjen e tij nënvizohet se ai “ishte armik i betuar i pushtetit komunist”.

Havzi Nela u burgos 21 vjet nga regjimi komunist dhe në fund u dënua me vdekje, sepse fliste hapur kundër ndalimit të fesë, kundër kolektivizimit dhe kooperativave në fshat.

Edhe pse kanë kaluar 35 vjet nga ekzekutimi i poetit dhe mësuesit Havzi Nela, bashkëshortja e tij, Lavdije Nela, ende i ka të hapura plagët e asaj humbje tragjike, ndërsa kujton me detaje përndjekjen e të shoqit, me të cilin jetoi vetëm 5 vjet.

“Ai më tha që i kishin ardhur shenja që do ta arrestonin pas ca debatesh në mbledhje me delegatë të partisë dhe se do të arratisej në Kosovë. Më tha se i vinte keq që po më shkaktonte vuajtje, por se nuk donte të më linte këtu, sepse me siguri do të më internonin. Në Topojan ku ishte mësues i dhanë kazmën të prishte xhaminë, por ai nuk pranoi. Gjithë nxënësit ishin aty bashkë me të. Nga ajo ditë nisi përndjekja haptas e tij”, thotë Lavdija.

Për krijimtarinë dhe jetën e tij tragjike kanë botuar libra disa autorë si Petrit Palushaj, Rexhep Shahu etj, ndërsa një monografi të plotë me dosjet e dënimeve të Havzi Nelës e ka botuar studiuesi Florin Zyberaj pas 5 vjet punë kërkimore. Ai thotë se Havzi Nela ishte një idealist i sinqertë dhe antikomunist.

“Havzi Nela doli hapur në mënyrë publike si kundërshtar i regjimit në mbledhjen e Shishtavecit, më 26 pril 1967. Ai foli kundër reformave që po ndërmerrte në atë kohë Partia e Punës. Ai doli hapur kundër prishjes së objekteve të kultit, kundër ndryshimit të veshjeve tradicionale, si dhe kundër kolektivizimit të pronave dhe pasurive në fshat”, thotë studiuesi Zyberaj.

Pas mbledhjeve dramatike në Shishtavec dhe Topojan, ku refuzoi autokritikat dhe përsëriti publikisht pikëpamjet e tij antikomuniste, Havzi Nela së bashku me të shoqen Lavdien u arratisën drejt Kosovës në pranverën e vitit 1967, por pas dhjetë ditësh, autoritetet kufitare jugosllave i kthejnë në Shqipëri si këmbim me të arratisurit nga Kosova.

“Në Prizren na mbajtën 10 ditë në një hotel dhe na morën në pyetje. Para se të na kthenin në Shqipëri na futën nëpër biruca për të parë Havziu se çfarë burgje të tmerrshme kishte atje. Policët na thanë se kemi marrëveshje e porosira nga Enver Hoxha, se edhe këtu mund t’i dënojmë ata që arratisen, por ju të dy, na thanë, do të shkoni në Shqipëri dhe ne do të marrim 10 kosovarë dhe do t’i vrasim këtej. Na shkëmbyen me 10 kosovarë”, thotë Lavdija.

Për këtë arratisje Lavdija u dënua me 10 vjet burgim, ndërsa Havziu 15 vjet burgim. Dënimit të parë iu shtuan edhe dënime të tjera dhe pas 21 vite burgimi, Havzi Nelën 54 vjeçar e dënuan me vdekje.

Lavdija thotë se ajo vet ishte në internim në kohën kur Havziun e varën në litar në mes të Kukësit.

“Shekulli XX dhe e varën poetin në mes të qytetit, sepse kërkoi fjalën e lirë, shtypin e lirë, që të mos prishen kishat dhe xhamiat, se kërkoi të mos diktohet rinia si të vishet, pse ka thënë “Populli po vuan, e mos ia merrni tokën, pasurinë, bagëtinë”. Ja për këto u dënua Havzi Nela”, thotë e shoqja Lavdija.

Drejtuesi i Unionit Mbarëkombëtar për Integrimin e të burgosurve dhe përndjekurve politikë, Besim Ndregjoni organizoi edhe këtë vit një tubim për të kujtuar Havzi Nelën.

Ai thotë se ky 35 vjetor i vrasjes së tij është një këmbanë alarmi për shoqërinë shqiptare, sepse liritë njerëzore që ai kërkonte ende mungojnë në Shqipëri, dhe se ende nuk është bërë dënimi dhe distancimi prej diktaturës.

“Fatkeqësisht sot pas 32 vjet sistem demokratik shoqëria shqiptare është ende e ndarë në antikomunistë të persekutuar dhe në të privilegjuarit e diktaturës të cilët, gëzojnë gjithë përfitimet e demokracisë. Ndërsa xhelatët e diktaturës, ata që varën Havzi Nelën, nuk u përballën kurrë me drejtësinë, përkundrazi u stimuluan nga forcat politike dhe bënë karriera zyrtare, duke institucionalizuar urrejtjen politike ndaj klasës që kundërshtoi dktaturën komuniste”, thotë zoti Ndregjoni.

Biografi i Havzi Nelës thotë se pas arrestimit në shtëpinë e tij u sekuestruan 118 libra letrarë, historikë dhe politikë, që tregonin për dijet e tij të thella.

Kjo, beson ai, është arsyeja, që Havzi Nela u rebelua në kërkim të hapur të lirive dhe të drejtave të njeriut.

Ndërsa krijimtaria e pasur letrare e tij u zbulua pas vdekjes dhe i bën një vend nderi në radhën e poetëve shqiptarë.

“Në burgimin e gjatë Havziu shkoi nga burgu i Tiranës në atë të Elbasanit, në atë të Vlorës, nga Vlora në Spaç, nga Spaçi në Rrëshen, në Ballsh, në Qafë Bari si dhe në Arrën. Vuajti një kalvar të gjatë në burgje e kampe, dhe nga trupi i tij nuk kishte mbetur më asgjë, por vetëm idetë dhe mendimet e mbanin gjallë Havzi Nelën”, thotë studiuesi Zyberaj.

Regjimi komunist e mbylli dosjen e Havzi Nelës me urrejtje, gjak dhe terror.

Udhëheqësi i fundit i diktaturës komuniste, Ramiz Alia, i refuzoi kërkesat për falje jete. Ekzekutimi u krye më 10 gusht 1988 në Kukës, trupi i poetit qëndroi në qytet për të frikësuar njerëzit.

Ai u varros pa asnjë shenjë dalluese në një gropë të hapur për shtylla elektrike, madje u gjet pa kokë pas shumë vitesh.

Ekzekutimi i poetit Havzi Nelës u bë si sot 35 vjet më parë, megjithatë ajo tragjedi vazhdon të tronditë shoqërinë shqiptare.

Ai u shpall “Nderi i Kombit” nga Presidenti i Republikës dhe një shkollë në vendlindje mban emrin e tij. / KultPlus.com

Shkodra përfituese e projektit FARO për trashëgiminë e lënë nga regjimi komunist

Shkodra është një prej 8 bashkive nga vendet Europiane që është përfituese e projektit FARO “Trashëgimi të ndryshme në Qytetet Europiane – Krijimi i një rrëfimi të identiteteve të ndryshme europiane përmes pjesëmarrjes së qytetarëve”.

Kryetari i bashkisë Shkodër, Bardh Spahia, është shprehur në rrjetet sociale se kjo nismë merr një rëndësi të veçantë për vetë historinë afro 50 vjeçare që vendi ynë ka patur në diktaturë dhe bazuar në ato që u trashëguan nga ajo kohë.

“Objektet e ndërtuara nga regjimi komunist përfaqësojnë një mentalitet, dokumentojnë një kohë dhe histori të zymtë, për të cilën nuk duhet të flasin vetëm librat, por duhet ta kemi përpara syve edhe si dëshmi”, tha Spahia.

Shkodra është duke investuar në krijimin e hapësirave kulturore për të shpjeguar më mirë trashëgiminë e lënë nga regjimi komunist.

Jasho Minkov nënkryetar i bashkisë Dimitrovgrad dhe zëvendësdrejtor i Atrium, përgëzoi punën e bërë nga bashkia Shkodër.

Ai u shpreh se kemi të bëjmë me një tematike delikate siç është ajo e trashëgimisë disonante, pasi ka të bëjë me një temë që ende dhemb dhe krijon konflikt brenda komunitetit lokal. Kjo lloj trashëgimie nuk është e lehtë për t’u menaxhuar pasi ekziston një risk konstant për keqkuptime ose akuza për rishkrim të historisë, sa i përket regjimit që e la këtë trashëgimi./ atsh / KultPlus.com

“Pse qesh, je para trupit gjykues”, një grua përballë regjimit komunist

Kur vajza e saj e adoptuar e pyeste Meshan Çinin nëse ishte penduar për zgjedhjet që kishte bërë në jetë, 80 vjeçarja do i përgjigjej: “Njeriu në jetë zgjedh për t’u mbajtur mend për diçka. Dikush për pasuri, dikush për famë, dikush për aventurë. Unë doja të mbahem mend për besnikëri. Ia arrita qëllimit”.

Kjo është vetëm një copëz e historisë së një gruaje, jeta e të cilës mori të tatëpjetën që në rininë e saj për shkak të persekutimit të regjimit komunist. Historia e një gruaje, e cila pavarësisht të gjitha sprovave, vendosi të qëndrojë e fortë dhe nuk u thye nga vështirësitë e jashtëzakonshme që provoi përgjatë gjithë jetës.

HISTORIA

Meshan Çini u lind në vitin 1928 në Delvinë, në një familje patriotike dhe të pasur. Por shumë shpejt jeta e saj do të merrte të tatëpjetën me ardhjen në pushtet të regjimit komunist.

Në moshë të re ajo u fejua me Selman Ndreun, anëtar i një tjetër familje patriotike që luftoi për vendin. Por në vitet pas luftës, regjimi vendosi t’i arrestojë, internojë e torturojë anëtarët e familjes Ndreu.

TAKIMI NË BURG

Siç ka treguar vetë Meshani, ajo shkonte përherë në burg për të takuar të fejuarin, i cili i kishte thënë se nuk kishte pse të vinte më, duke patur parasysh se më e keqja mund të ndodhte edhe për të.

Edhe më thotë i fejuari im, Selmani: “Ke të drejtë të më lësh sepse je shumë e re”.

-Atë se çfarë do bëj, është punë për mua. Kam ardhur të të pyes, çfarë nevoje ke? Se të lë apo nuk të lë, është puna ime.

Në këtë kohë, Hito Çako (kolonel, pjesë e hetuesisë, por i njohur Mershanit) thotë…”do dënohet me 101 vjet, mund edhe të pushkatohet”.

-Po u dënua me 101, boll që të vete ta shikoj në derë të hekurit, thashë.

Unë deri në atë minutë nuk kisha menduar që do ta lë apo nuk do ta lë. Kur më tha Hito Çakoja që ta lija dhe “do ta dënojmë me 101 vite”, m’u mbush mendja që nuk do ta lë.

-Selman,- i thashë,- rri i qetë. Ç’nevojë ke, unë nuk të lë deri në vdekje.

-I kanë torturuar shumë. Kur dilte jorgani i tij, gjithë gjak. Në atë kohë thoshin “torturat e Koçi Xoxes”. Pasi i nxorën në gjyq, i dënuan, i çuan në burg në Kalanë e Gjirokastrës. Shkova i pashë. Ishin 11 vëllezër në burg, me gjithë këtë timin. Në Burrel, kam shkuar i kam parë, në Peshkopi po, në Tiranë po, gjithandej. 

ARRESTIMI I MERSHANIT

Në ‘52-shin isha në Kavajë, në shtëpi, me grip spanjoll. Venë te ajo që mbante librin e pasaportizimeve. Panë librin që isha unë atje. Djali i vogël i motrës thotë: Erdhën ata, pyetën për abllanë. Në orën 3.00 të natës, bie dera. “Deshëm pak Meshanin, sa për një pyetje, në Degën e Brendshme të Kavajës”. Unë u ngrita. Nuk më lanë as të krihesha. Hodha një rrobdishan mbi këmishën e natës dhe pallton sipër. Motra më ndiqte. “E sjellim ne”,- thanë ata.

Më lanë përjashta, te Dega e Brendshme, deri në 7.00 sa erdhi kryetari i Degës, Banush Veliu. “Do ikim deri në Durrës!” Thotë motra: “Do vij dhe unë”.

“Jo, do ta bie unë”, tha ai. Më morën me tren, jo me xhips sepse nuk donin të binin në sy sepse më njihte gjithë Kavaja, vajzë shumë e re, që ndjek burrin burgjeve, më njihnin njerëzit. Shkuam në Degën e Brendshme, kryetar dege ka qenë Jashar Kazimati, hetuesi im ishte Sotir Xharja. Sekretar: Vesel Damsi.

Më futi në zyrë. -Mirëmëngjes, i thashë unë.

-Je e arrestuar!-ai.

Unë u mbështeta te muri. U mpiva e gjitha. U shtanga. Pse të isha e arrestuar? E dija që nuk kisha bërë asgjë.

Më bëri ca pyetje. “Në birucë”,- thotë. Unë isha e sëmurë. Atje biruca gjithë ujë. I bija derës. Kërkoja të shkoja në tualet. –“Aty ta bësh!” Vetëm se nuk qava ndonjëherë, nuk ua bëra qejfin. Më rrahën në hetuesi. Ishte shumë kriminel hetuesi im. Një fjalë, një grusht. Një fjalë një grusht. Kur më goditi te veshi që më çau timpanin, donte të më godiste në fytyrë, ktheva kokën, më goditi këtu, m’u nxi menjëherë syri.

Katër muaj hetuesi.

PËRBALLJA PARA GJYKATËS

Dola në gjyq. Kisha avokat sepse më kishte sjellë motra. I thashë: Çfarë kemi?

Ai më tha: Rrezikun tënd një fije floku e ndan.

-Do më pushkatojnë?-i thashë. Ika u ula në vend. Dëgjoja nga prapa personelin e gjykatës: Pu, pu gjynah si do e dënojnë këtë kreaturë!

Unë mblodha veten dhe mendova: “Shiko Meshan, siç t’i kanë vënë të gjithë titujt e mirë, mba dhe trimërinë!” Dhe qëndrova e fortë. Filloi seanca. Thotë: Ke qenë me profesion peshkatare? Unë qesha me ironi. -Pse qesh? Je para trupit gjykues.- Po, i thashë, unë as nuk i kam parë peshkatarët, jo të jem vetë peshkatare.

-Ti,- tha- nusja e djalit të Cen Elezit, ti, krushqi me Hysni Demën, ka qenë komandant i përgjithshëm, dibran, u arratis, burrin e motrës, Syrja Golja, dibran dhe ai, në burg. M’i numëroi. Vajzën e Shefqet Vërlacit, shoqe të ngushtë.

-Të gjithë këta më kanë gjetur, s’i kam gjetur unë, i thashë.

Filloi seanca. Pretenca 25 vjet burg.

-Ç’kërkon,- tha,- për herën e fundit?

-Asnjë gjë, thashë. Deshën të kërkoja mëshirë. Siç më thoshte hetuesi: Fol, se po të thuash të vërtetën, nga ne do kesh privilegje. I thashë: Aq sa vihet gjarpri në gji, aq besohet fjala juaj.

Po këtë parrullë, ku e gjete?-më thanë.

Më lindi tani spontanisht,- u thashë.

Vendimi: 20 vjet burg

Nuk kërkova mëshirë. 20 vjet burg, sekuestrim i pasurive të tundshme, të patundshme. Po ku kisha unë? Të gjitha m’i kishin marrë, edhe rrobat e trupit dhe orën e dorës që e kisha në shtëpi.

I fejuari i Meshanit doli para saj nga burgu dhe u internua në Llakatund. Kur mësoi për burgosjen e saj u sëmur dhe ndërroi pak vite më vonë. Meshani ende nuk kishte dalë nga burgu kur i erdhi letra se Selmani kishte vdekur.

Një vit më vonë ajo del prej burgut (viti 1963).

“Unë kudo që të veja duhet të lajmëroja të plotfuqishmin që sot jam te filani se po të mos lajmëroja, do i  hidhnin gjobë të zotit të shtëpisë. Unë kudo që veja, nuk lajmëroja, shkoja fshehurazi. Rrija në Mëzez, te Nishtullat, në Tiranë, dhomë me baltë pa tavan, në Yzberisht. Qepja. Me lagjen e kisha mirë, grurë.

Në ’91-shin, vij në Delvinë, sepse më kërkonin një dëshmi kur kishte vdekur babai im, për një pronë që kishim në Greqi. Atje mora vesh sesi arratiseshin”-tregonte Mershani.

Meshani nuk u martua kurrë. Adoptoi një vajzë dhe pjesën e mbetur të jetës e lidhi me të. Fillimisht u largua në Greqi e më pas u nis drejt Kanadasë, atje ku kishte një vëlla që ishte arratisur dekada më parë përmes Jugosllavisë. Takimi i tyre, pas dekadash, është kujtuar nga vajza e Meshanit, Edlira, e cila tregonte se e ëma ishte me paterica pasi kishte thyer këmbën në një aksident, ndërsa i vëllai, Jaho, ishte në karrocë për shkak të moshës së thyer.

Meshani u shua në Kanada në vitin 2017, e lumtur dhe pa pengje në jetën e saj. Kur e bija e pyeste nëse ishte penduar, ajo i përgjigjej: “Njeriu në jetë zgjedh për t’u mbajtur mend për diçka. Dikush për pasuri, dikush për famë, dikush për aventurë. Unë doja të mbahem mend për besnikëri. Ia arrita qëllimit”./ Kujto.al / KultPlus.com

“Muaji i Kujtesës”, ekspozohen objekte personale të të përndjekurve nga regjimi komunist

Muzeu Historik Kombëtar në kuadër të “Muajit të Kujtesës”, të iniciuar nga Ministria e Kulturës, organizoi një ekspozitë me objekte personale të personave që kanë vuajtur nga regjimi komunist si edhe me piktura të Lekë Tasit.

Në këtë aktivitet me karakter historiko-përkujtimor ishin të pranishëm drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, autori Lekë Tasi, si dhe shumë pjesëmarrës nga fusha të ndryshme si gazetarë, artistë, historianë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, falënderoi së pari Lekë Tasin për dëshmitë që ai ka lënë në librin e tij të njohur “Grabiani rrëzë kodrave”, ku tregohet një nga historitë më të dhimbshme të persekutimit komunist, është ajo e vërtetë jo fort e largët, që është përjetuar, është jeta e atyre familjeve që vuajtën në Shqipëri.

Nga ana e tij, Tasi foli rreth librit të tij “Grabjani rrëzë kodrave”, ku rrëfeu ngjarje, që ka përjetuar gjatë viteve të internimit.

Ai tha se libri pasqyron një realitet të zi e të hidhur, që shumë shqiptarë vetëm kanë dëgjuar. Libri është një pasqyrë e gjallë, me të vërteta tronditëse, që asnjëherë ata që i kanë provuar s’kanë për t’i harruar, çka të mban të mbërthyer e gjithë ankth, për episodet nga jeta reale, të paraqitura rrjedhshëm, thjesht e me një të vërtetë absolute, në atë realitet aq të dhimbshëm e të tmerrshëm.

Muaji shkurt është caktuar si “Muaji i Kujtesës”, për shkak të atyre ngjarjeve, që do të ndryshonin rrjedhën e historisë shqiptare, prandaj këto aktivitete janë jo vetëm për të kujtuar, por edhe për t’u solidarizuar, ndaj ngjarjeve që na kanë prekur të gjithëve. /atsh / KultPlus.com