Vdes Joel Schumacher, regjisori i mirënjohur i dy filmave “Batman”

Joel Schumacher, regjisori i dy filmave “Batman” dhe i filmit “Gjenerata e Humbur”, vdiq nga kanceri në moshën 80-vjeçare, njoftuan personat përgjegjës për komunikimin.

Schumacher, që e nisi karrierën e tij si kostumograf, para se të bëhej një emër i madh në Hollywood, vdiq paqësisht në Nju Jork, pas një viti luftë kundër kancerit”, thanë ata në një deklaratë.

“Zjarri i Shën Elmos” (1985) ishte suksesi i parë i Schumacher-it si regjisor.

Atë e ndoqën “Gjenerata e Humbur” (1987) dhe “Përvoja e Ndaluar” (1990), përpara se të niste seritë “Batman” për Warner Bros, “Batman Forever” (1995) dhe “Batman and Robin” (1997)./atsh / KultPlus.com

Regjisori Fisnik Maxhuni, pjesë e “Talenteve të Berlinales”

Ky aktivitet që zhvillohet në kuadrin e festivalit të madh të filmit në Berlin  bashkon  255 profesionistë të filmit nga 86 vende.

Me flokë që ia merr era, syze heksagonale dielli, me pallto të gjatë e të zezë dhe me valixhen e madhe ngjyrë argjendi: Fisniku, thjesht, ka stil. Ne e takojmë, kur ai sapo ka zbritur në kryeqytetin gjerman. Kështu e përshkruan gazeta zvicerane në gjuhën frënge “20 Mimutes” të riun shqiptar me qëndrim në Zvicër.

Regjisori 30-vjeçar nga Zvicra është përzgjedhur për të marrë pjesë në “Talentet e  Berlinales”. Ky aktivitet që zhvillohet në kuadrin e festivalit të madh të filmit në Berlin  bashkon  255 profesionistë të filmit nga 86 vende, transmeton albinfo.ch. Pjesëmarrësve në këtë ngjarje u mundësohet të shkëmbejnë mendime dhe të vendosin kontakte të dobishme për profesionin e tyre.

Fisnik Maxhuni është i lindur në Kosovë ndërsa në Zvicër ka ardhur si fëmijë. Është rritur në Neuchâtel dhe pas një Masteri të kryer në Londër, ai ka marrë edhe një Master të dytë të kinemasë midis ECAL dhe HEAD, përcjell albinfo.ch.

Kush dëshiron të dijë më shumë përse Fisniku kishte filluar të bënte filma, çfarë bën ai në Berlinale, cilin projekt është duke e preokupuar aktualisht etj., mund të mësojë duke e shikuar videon në linkun më poshtë (në gjuhën frënge). / KultPlus.com

https://www.20min.ch/ro/sortir/cinema/story/Un-realisateur-suisse-selectionne-a-Berlin-15915452

“Kinemaja është mënyra më e mirë për të hyrë në garë me Zotin”

Thënie nga Federico Fellini

Federico Fellini ka qenë një skenarist italian i njohur ndërkombtarisht.

Fellini konsiderohet gjerësisht si një prej kineastëve më të shquar dhe më me ndikim në historinë e kinemasë.

Fitues i katër Academy Awards për filmin më të mirë të huaj për punën e tij si regjisor, ai në vitin 1993 u nderua me çmimin Oskar për arritjet gjatë jetës.

Fitues dy herë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Moskë ([1963 dhe 1987). Felini ka marrë edhe Palmën e Artë në Festivalin e Filmit në Kanë në vitin 1960 dhe Luanin e Artë për arritjet gjatë jetës në Festivalin e Filmit të Venecias në vitin 1985 .

Fellini la vepra të paharrueshme por edhe plot satirë mbuluar me një melankoli delikate, një stil që karakterizohet nga ëndrrat dhe vizionet e autorit.

Më poshtë disa nga thëniet e njohura të regjisorit italian:

“Kinemaja është mënyra më e mirë për të hyrë në garë me Zotin.”
“Asgjë nuk dihet, gjithçka imagjinohet.”
“Një formë e ndryshme shprehjeje përbën një vizion të ndryshëm të jetës.”
“Nuk ka mbarim, nuk ka fillim. Ka vetëm një pasion të pafundmë për jetën.”
“Biznesi i kinemasë është makabër, grotesk: një përzierje midis ndeshjes së futbollit dhe bordellit.” /KultPlus.com

Edhe një regjisor kosovar nisë rrugëtimin e tij në politikë

Nismës Socialdemokrate nga sot i është bashkuar edhe regjisori i njohur, Ben Apolloni. Në mjediset e selisë qendrore, mirëseardhje z. Apolloni i kanë uruar kryetari Limaj, sekretari Sherifi dhe kryetari i degës sonë në Kaçanik, Agim Çaka. 


Kryetari Limaj falënderoi regjisorin e njohur që ka zgjedhur Nismën Socialdemokrate për ta dhënë kontributin e tij profesional. Ai tha se Nisma i ka dyert të hapura për të gjithë ata që vlerësojnë se mund ta japin kontributin e tyre në shërbim të vendit. 

“Te Nisma Socialdemokrate ju do ta keni gjithë hapësirën dhe mbështetjen e nevojshme. Nisma është parti e cila u rri afër njerëzve. Ne po tregojmë shembull se si qeveriset, si në nivel qendror, ashtu edhe në atë lokal”, tha Limaj.

Ndërsa regjisori Ben Apolloni, u shpreh për KultPlus se nuk është i kënaqur me vendin dhe se individët e zgjedhur në pozita nuk kanë shumë njohuri për vlerën e artit, andaj me synimin se do të ndryshoj për të mirë dhe do të ngrit vetëdijen qytetare dhe qeveritare për kulturë ka marrë vendimin përkatës së vetëm përmes politikës idetë e tij mund të shndërrohen veprime me rezultate të domosdoshme.

“Po, pas një kohe të gjatë që kam analizuar situatën në Kosovë, kam ardhur në përfundim që nuk mund të qëndrojmë  anash.  Ne të gjithë merremi me politikë (jemi qenie politike ka thënë Aristoteli), por këtu tek ne vetëm duke u angazhuar nëpër parti politike mund edhe t’i imponosh idetë tua. Unë nuk jam i kënaqur me gjendjen e vendit tim dhe dua ta ndryshoj. Këtë nuk kam mundur ta bëj përmes artit sepse njerëzit nëpër pozita nuk e dinë rëndësinë e artit, të kulturës dhe kam ardhur në përfundim që shtetin tonë të krijuar me shumë mund, ta marrim në dorë vetë, ne njerëzit që lexojmë, që shohim filma, që dëgjojmë muzikë… Shkurt e shqip ky vend ka nevojë për njerëz që mendojnë dhe veprojnë mirë dhe unë ketë gjë e bëj tërë kohën”.

Ben Apolloni ka mbaruar studimet për regji teatri dhe master për regji filmi në Universitetin e Prishtinës. Ka qenë për dy vjet anëtar i bordit të Qendrës Kinematografike të Kosovës (mars 2011 – shtator 2013) dhe nga janari deri në qershor 2016, zv/kryeredaktor e më pas kryeredaktor i revistës “Plisi” në Cyrih të Zvicrës, deri në shtator 2016. Ka realizuar disa filma të shkurtër si regjisor e skenarist, të shpërblyer me çmime të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare si dhe disa shfaqje nëpër teatro të ndryshme në Kosovë e Maqedoni./KultPlus.com

Në kujtim të Bekim Lumit, rrebelin që e përzunë nga provinca

Diku kah mbramja e 20 qershorit në një dhomë në fund të korridorit në të majtë kur futeshe në katin e dytë të Spitalit Amerikan në Prishtinë, shkova ta vizitojë një shok timin që kishte operuar krahun. Llaf pas llafi mora vesh se në dhomën përballë, luftonte Bekim Lumi me sëmundjen e keqe.

Shkruan: Uran Haxha

Dola n’korridor prej dhomës ku ishte shoku dhe thash të provoj me e pa mas një kohe relativisht të gjatë, që vetëm kisha komuniku virtualisht. Në korridor e takova motrën e tij të vogël. Dihej që ishte motra e tij, ngaqë kokërdhokët e syrit që i kishte dallues në fytyrën e tij Bekimi, ishin pothuajse të njëjtë te motra e tij. Fola me të pasi u prezantova. Mora vesh se çdo zhurmë në korridor i pengonte dhe e dëgjonte.

Më pas u afrova ngadalë tek dritarja e derës në dhomën e tij. Dhoma ishte e errët, pakëz dritat e aparaturave mjekësore e zbulonin profilin e tij. S’munda me hy me e pa, edhe me e mbajt atë pamje mend si pamjen e fundit të kontaktit me të. Motra e tij më tha se me zor po i shtyn ditët, e motrat medicinale më thanë se “ditët e fundit po i jeton”.

Fort u mërzita, amo bash fort u mërzita! E tash kur e mora vesh që ka ndërruar jetë, disi për 20 sekonda m’u sollën të gjitha kujtimet ndërmend.

Me Bekimin sa herë jemi pa n’Prishtinë gjithnjë i kemi nda disa minuta, kemi pi kafe vend e pa vend, kohë e pa kohë. Folshim në fillim pak për Suharekën, e tani herë për teatrin, herë për gazetarinë e çka jo tjetër. Ishim pasë njoftu në rrjete sociale, edhepse unë kisha shumë njohuri për punën që bën ai. Pasi kisha fillu me punu në disa media nacionale, Bekimit i kishin ra n’sy do shkrime të mijat, edhe një ditë më shkroi do fjalë të mira. Fort m’u ba qejfi. Nuk shkuan shumë ditë e u pamë bash para shtatores së Zahir Pajazitit. Ndejtëm ndoshta 3 orë në një kafe pranë duke mos u ndalë tu fol për Suharekën.

Më kujtohet që më pat thanë një përafërsisht kështu: “Suhareka është vendi i kujtimeve të mia të mira, por është provincë. Provinca të han, nuk t’len me shku nalt. Je kap mirë në Prishtinë e mos u kthe në provincë. Dije që është shumë me rëndësi me kalu provincialitetin. Unë kisha hjek shumë, por kam ardh’ herët. Uran ngom mu, mos u kthe pa naj zor”. Aty edhe m’u pat mbush mendja bukur shumë që mos me e pa të ardhmen time profesionale në Suharekë. Kohë më vonë u pata skuq kur më patë tregu për një drejtor kulture në Suharekë që i kishte thënë Bekimit: “mfal kush jeni ju?”, pasi që Beka i kishte thënë: “Unë jam i gatshëm me ju ndihmu nëse keni diçka”.

E Bekimi ka pasë një jetë plot aktive në Suharekë. Ai ka qenë djali i një mësuesi që kishte ardh nga Bllaca në Suharekë dhe kishin jetuar pranë Shtëpisë së sotme të Shëndetit. Bekimi si i ri kishte spikat në recitime e imitime. Një fqinje e imja tregonte se kur shkonte në shtëpinë e tyre për të ndejtë, si fëmijë i vogël njëherë ulej tek dera e dhomës “inqizonte” e tani i imitonte të gjithë aty ndërsy.

Ai në Shtëpinë e Kulturës recitonte dhe të gjithë e donin, siç dëshmohet në këtë fotografi që publikohet për herë të parë. E respektonte pa masë profesorin Ramadan Shala. Më 1979 edhe gazetat i kishin bërë profil si nxënës i dalluar në recitim e këngë. Dikur duke u rritë brenda tij ishte zgjuar fuqishëm dashuria për atdheun kombëtar – Shqipërinë.

Vjersha, këngë, veshje kuq e zi, parulla e gjëra të tilla bënte Bekimi. Mendja kreative i punonte mirë. Më trengonte se si disa e quanin “nacionalist”, “irredentist”, e besa-besë edhe “terrorist”. Për kuriozitet, disa prej atyre njerëzve ende normal rrugëve të Suharekës edhe sot.

Si tregonte vet ai, dikur me disa shokë iu mbushë mendja me dalë ilegalisht në Shqipëri. Kishin qenë një grup që u nisën ngadalë, e diku tek rruga që kthehet për Dragash në drejtim të Vërmicës, i kishte ndalë një plak. Këta e kishin pyetur më detajisht për kufirin dhe njëfarë forme ishin dekonspiruar. Por, siç thoshte vet Bekimi, “ishim të rinj me ditë që banorët e zonave kufitare punojnë gjithmonë për shtet”. Kishin organizu gënjeshtër dhe kishin përdorë pretekst se po shkonin për ta vizituar liqenin, që të shpëtonin nga policia.

Më vonë do ta përjashtonin prej Gjimnazit “Jeta e Re” në Suharekë, duke ia hedh dokumentat fytyrës, kështu thoshte Bekimi bukfalisht, dhe ai do të shkonte në Prishtinë. Kështu pavullnetshëm i iki Suharekës.

Vitet kishin kalu dhe Bekimi në kohën kur rrinim ishte profesor në Fakultetin e Arteve, teksa në teatër shkëlqente. Në
shfaqje i kam shku pothuajse gjithmonë dhe gjithmonë më kërkonte mendim për shfaqjen, që sinqerisht më bënte të ndjehesha shumë shumë mirë.

Unë nuk kam mbajt mësim me të, sepse nuk kam qenë student i atij fakulteti, por thonin se ka qenë shumë serioz në punë. Për lëshime gjithashtu thonin se nuk ka bërë. Këtë ma patë dëshmu, “Uran po vijnë kandidatë për studime në drejtim të regjisë e aktrimit prej Suharekës. Unë nuk mundem me intervenu, nuk vjen në shprehje. Unë ju kam ofru me i mbajt orë përforcuese me mua, po i bajnë disa e po lodhen. Intervenimi s’ka shanca te une”.

S’po zgjatem më shumë, po i mbaj disa kujtime për ndonjëherë tjetër.

P.S. Sot kërkova në telefon nëse e kisha numrin e tij ende, për kuriozitet. Aty e pata dhe do ta kem. S’di, s’mundem me e fshi. Bekimi ka qenë i veçantë dhe një shpirt rrebel!

Prehu në paqe Beko zemlaki (kështu u thirrshim me hajgare mes vete)!

Vdes Claude Lanzmann, regjisori i “Holokaustit”

Kineasti dhe shkrimtari francez, Claude Lanzmann, regjisor i dokumentarit të famshëm “Holokausti”, vdiq sot në moshën 92-vjeçare, bëri të ditur shtëpia e tij botuese.

“Claude Lanzmann vdiq sot në mëngjes në shtëpinë e tij. Ai ishte në gjendje të rënduar që prej disa ditësh”, theksoi një zëdhënës i ”Gallimard”.

Regjisori i “Holokaustit”, dokumentar i konsideruar i jashtëzakonshëm kushtuar shfarosjes së hebrenjve të Europës, Claude Lanzmann ka qenë gjithashtu gazetar, drejtor i revistës “Temps Modernes” dhe shkrimtar.

Mik i filozofit Jean-Paul Sartre, shok i Simone de Beauvoir, ai ishte një mbështetës i kauzës së Izraelit./ /ec/ a.jor. / KultPlus.com

Filmi ‘Recollection’ vjen të premten në Kinemanë ‘Jusuf Gërvalla’

Filmi ‘Recollection’ me regji të Art Haxhijakupi vjen në Kinema “Jusuf Gervalla” në Pejë, përcjellë KultPlus.

Filmi ‘Recollection’ është film eksperimental i prodhuar në vitin 2017 i cili vë në pah jetën e kosovarëve gjatë viteve 90-të krahas regjimit të Milosheviqit dhe superioritetit të atëhershëm të komunitetit serb në Kosovë.

Autori i filmit, Art Haxhijakupi, përdorë materiale nga arkiva familjare e viteve 90-të në Pejë duke ndërtuar një tregim të ndërlikuar përmes së cilit elemente nga historia e diskursit politik, pop kultura, nacionalizmi dhe ideali kombëtar ofrojnë një qasje të re ndaj interpretimit të së kaluarës dhe kujtesës kolektive. Temat e ndërlidhura të këtij filmi u themeluan dhe shtjelluan paraprakisht në kuadër të një projekti akademik gjatë viteve 2015-16, ndërsa në fillim të vitit 2017 u adaptuan në format filmik.

Ky film është shfaqur fillimisht në festivalin e filmit Dokufest në Kosovë, kurse së fundi u prezantua në Londër në kuadër të programit për studime shqiptare “Alexander Nash” në universitetin me renome botërore University College London.

‘Recollection’ vjen më datë 13 tetor prej orës 19:00 në Kinemanë “Jusuf Gervalla” në Pejë. /KultPlus.com

Karriera e regjisorit Steven Spielberg vjen në një dokumentar (VIDEO)

Steven Spielberg ka qenë një prej producentëve më të njohur e më të suksesshëm të Hollywoodit që nga fillimi i viteve ’70, tani, ai do të dalë para kamerave për të folur për karrierën e tij, në një dokumentar të ri të “HBO”-së, të titulluar “Spielberg”.

“Është një eksperiencë shumë interesante të jesh subjekt i një filmi, kur ke kaluar të gjithë karrierën duke kërkuar subjekte filmash. E papritur, je ti subjekti”, tha Steven Spielberg, regjisor.

Producenti ikonë, që qëndron pas sukseseve si “E.T. Jashtëtokësori”, “Shpëtoni ushtarin Ryan”, etj., rrëfen eksperiencën e tij në prodhimin e filmave dhe tregon sesi jeta e tij personale ndikonte në zgjedhjet kinematografike.

Ai shpjegon edhe sesi funksionon puna e tij. Spielberg mori pjesë në një premierë ekskluzive për yjet në studiot e kompanisë “Paramount”, i shoqëruar nga producentja e dokumentarit, Susan Lacy. “Nuk kishim folur për të më parë. Shkëlqimi i një artisti është të kuptosh artistin tjetër. Ai asnjëherë nuk më bëri asnjë pyetje. Nuk më pyeti se çfarë filmi po bëja. E ky është një nivel besimi që të lë pa fjalë”, thotë Susan Lacy, producente e dokumentarit.

Vlerësimet për regjisorin dhe producentin e madh të “Hollywood”-it vijnë edhe nga bashkëpunëtorët e tij. “Ai më ndryshoi jetën. Ky është ‘Hollywood’-i. Ai është njeriu që më punësoi mua. I pari! Ai krijoi një rol në ‘Shpëtoni ushtarin Ryan’, për mua”, tha Vin Diesel, aktor. / KultPlus.com

https://www.youtube.com/watch?time_continue=7&v=dSdSYmXCPXU

“The Pride” nga Edi Mehana, drama që shtjellon luftën, fenë dhe komunitetin LGBT

Aktori kosovar Edi Mehana, pas roleve të shumta në seriale dhe filma amerikanë, vendosi të sfidohet edhe prej një këndi tjetër, atij të regjisorit, shkruan KultPlus.

“The Pride”, është filmi i metrazhit të shkurtër i cili xhirimet i ka përfunduar në muajin gusht, por regjisori Mehana ka shpalosur për herë të parë për KultPlus sinopsisin e filmit.

Ky film i cili për skenaristë, ka Virtyt Kelmendin e Edi Mehana, është një dramë që shtjellon tematiken e luftës, fesë dhe LGBT.

Sipas Edit në këtë film bëhet fjalë për një familje e cila në krye të saj ka Gjeneralin Truman, babai i tre fëmijëve memec, invalid lufte që qëndron në karrocë, ai asesi nuk mund të pajtohet me fatin e djalit të tij Christian i cili që 5 vite është zhdukur në luftë në Middle East. Edhe pas telegramit nga ushtria që djali i tij është i vdekur ai ende beson se Christian është gjallë, sa që fillon të shkruaj letra në emër të djalit të tij dhe i shtyn miqtë e tij t’i lexojnë letrat për t’i bindur se Christian është gjallë. Ray, djali i dytë i Gjeneralit, është një homoseksual i dashuruar në dashnorin e motrës së tij Xhesikës. Ray fillon një konflikt me Priftin, kumbarën e tij, kur ai rrëfen tek prifti temën e homoseksualizmit dhe gjithçka kalon në konflikt fizik në mes Ray dhe priftit. Ray fillon lidhjen e tij të fshehtë me Kevinin dashnorin e motrës së tij. Xhesika ende pa u shëruar mirë nga depresioni prej vdekjes së nënës dhe zhdukjes së vëllait në lufte ajo hynë në depresion të thellë kur e kupton se Kevin e ka tradhtuar me vëllain e saj Ray. Kthimi i Christian-it i gjallë në shtëpi i cili 5 vite i ka kaluar nëpër kampe si rob lufte është momenti më i lumtur i familjes Truman. Por traumat e luftës e ndjekin tërë kohen Christian. Christian kthehet si njeri tjetër, me një bindje tjetër fetare. Ai vjen me një besim të një feje tjetër dhe kohe pas kohe fillon ti pëshpërit dovat në gjuhën Arabe. Shpesh në kokën e tij i shfaqen pamjet duke u falur si rob lufte në qelin e burgut. Ai beson se dovat arabe e kanë shpëtuar nga lufta. Christian asesi nuk mund të pajtohet kur e kupton se vëllai i tij Ray është homoseksual dhe është në lidhje me dashnorin e motrës Kevin. Homoseksualizmi për të është mëkat i pa falshëm që Zoti nuk ia fal njeriut. Ai tërë kohen sillet me një snajper del në gjueti duke gjuajtur thi të egër. Traumat e luftës nuk e lënë të qetë për asnjë çast. Ai shpesh i shikon me dylbi të snajperit Ray dhe Kevinin duke ecur dorë për dore nëpër livadh duke vrapuar e duke puthur njëri tjetrin, dhe pyet veten “përse luftuam për të drejtat e LGBT, për flamur të ylberit, gjersa në anën tjetër me dylbi të snajperit shikon motrën e tij Xhesikën të shkatërruar në depresion të thellë. Traumat e luftës nuk ndalen ç’do zhurmë që dëgjohet Christianin e kthen në kohën e luftës. Ai qëndron në gjueti duke pritur thinjtë e egër. Ai gjithmonë e mban në shënjestër të dylbisë Ray-in duke ia shikuar tatuan me flamur të ylberit në qafë. Modeli i një aeroplani të vogël që e kontrollon Kevin me dirigjues Christianin e kthen në kohë të luftës. Chrsitian humbe i tëri. Atij fillojnë ti shfaqen skenat e tmerrshme të luftës, zërat e fëmijëve duke klithur, grat duke vrapuar me fëmijë, zhurma e avionëve të luftës e traumatizojnë keq sa që ai e drejton snajperin nga aeroplani i Kevinit, sytë fillojnë ti errësohen ai lëviz me snajper për një çast i shfaqet flamuri LGBT, gjuan dhe e qëllon Ray-in. Ray bie në tokë dhe e lëshon prej dorës Xhiten me flamur të LGBT e cila fluturon lart në qiell.

Në këtë film me rolet e tyre luajnë aktorët: Charles Tiedje, Dominic Capone, Doug Mcdade, Chris Maher, Gabija Guzauskaite, James Fuller, Kenny Lone Eagle, Harold Dennis, Luis Centeno e Edi Mehana. / KultPlus.com

“Me dasht’, Me dasht’, Me dasht’” shfaqet në kryeqytet

Tre personazhe të ndryshme që sjellin përmes 90 minutave “Me dasht’, Me dasht’, Me dasht’” apo “To Want, To Need, To Love”, filmin dokumentar të regjisorit të ri Ilir Hasanaj, shkruan KultPlus.

Ky film i cili mori çmimin e audiencës në edicionin e sivjetmë të DokuFest, më 29 shtator vjen në Prishtinë.

Arbër Salihu, Edona Vatoci dhe Genc Hasanaj janë personazhet që shpalosin jetën e tyre private në këtë film. Filmi më 29 shtator me fillim nga ora 20:00 do të shfaqet në Termokiss në kryeqytet./ KultPlus.com

Ben Apolloni me shfaqjen ‘Natë misterioze’ në teatrin ‘Aleksandër Moisiu’

Teatri “Aleksandër Moisiu” në Durrës kësaj radhe do të mirëpres një shfaqje të re dhe shumë të veçantë, provat për të cilën tashmë veç kanë filluar, shkruan KultPlus.

Bëhet fjalë për shfaqjen “Natë misterioze” të autorit Ferdinand Hysi, e të cilën në skenë do ta sjellë regjisor nga Kosova Ben Apolloni.

Drama, rrëfen për një takim misterioz të katër personazheve që nuk e dinë se kush janë dhe janë në kërkim të identitetit. E kjo i bën që të shkojnë në një vend misterioz, në një shtëpi misterioze dhe të takohen me personazhe tjerë, që janë shumë misterioz. Se a do të zgjidhen gjithë këto mistere të një nate, mbetet të shihet në premierë.

Shtatë personazhet e kësaj drame do t’i sjellin në skenë aktorët: Suela Bako, Mimoza Marjanaku, Xhejni Fama, Amos Muji Zaharia, Gjergj Doçi, Marvin Tafaj dhe Ervin Doko.

Për datën e premierës ende nuk është vendosur, por KultPlus do të ju njoftoj me kohë. / KultPlus.com