Regjisori kanadez i filmit Norman Jewisonka vdekur në moshën 97-vjeçare, tha publicisti i tij, transmeton KultPlus.
Jewison, i cili u nominua tre herë për çmimin e Akademisë për regjinë më të mirë dhe mori një Oscar për arritje të jetës në vitin 1999, vdiq në shtëpinë e tij.
U konsiderua si një nga regjisorët më të rëndësishëm të katër dekadave të fundit të shekulli i 20-të. Ai u admirua gjerësisht për aftësinë e tij për të krijuar filma të fuqishëm në shumë zhanre të ndryshme.
Filmat e tij morën 46 nominime për çmimet Oscar dhe fituan 12 Oscar. “In the Heat of the Night”, me Sidney Poitier dhe Rod Steiger, fitoi Oscarin për filmin më të mirë për vitin 1967.
“Moonstruck” i Jewison i vitit 1987 u bë një nga komeditë romantike më të njohura të Hollivudit. Ai tregon historinë e një të veje nga Bruklini, të luajtur nga Cher, e cila pranon të martohet me një burrë që nuk e do dhe më pas bie në dashuri me vëllain e tij, të luajtur nga Nicolas Cage. Cher fitoi Oscarin për aktoren më të mirë për interpretimin e saj të guximshëm.
Udhëtimet e Jewison si i ri në Amerikën e viteve 1940 – duke parë racizëm ndikuan në filmat e tij, veçanërisht në tre dramat e tij, “In the Heat of the Night,” “A Soldier’s Story” (1984) and “The Hurricane” (1999), shkruan Reuters/ KultPlus.com
Regjisori gjeorgjian Otar Iosseliani, i njohur për filma si “Pastorale” dhe “Favorites of the Moon”, ka vdekur në moshën 89-vjeçare.
Vdekja e tij u njoftua nga miku i tij, fotografi, Yuri Rost, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.
I lindur në Bashkimin Sovjetik, Iosseliani e kaloi pjesën më të madhe të karrierës së tij në Francë, ku fitoi një audiencë më të gjerë duke bërë filma që ishin më kritikë të hapur ndaj vendit që kishte lënë.
Ai u përqendrua te përditshmëria, por me një stil të shkëputur dhe ndonjëherë sarkastik.
“Ne jemi të pikëlluar. Otar Iosseliani, regjisori i madh i filmit, një person i mrekullueshëm dhe miku im shumë i ngushtë, ka ikur”, ka shkruar Rost në kanalin e tij Telegram.
Kryeministri i Gjeorgjisë, Irakli Garibashvili tha se ishte thellësisht i pikëlluar nga lajmi i vdekjes së Iosselianit, duke e përshkruar atë si një “figurë të nderuar” të artit gjeorgjian./KlanKosova/KultPlus.com
Renis Hyka, është regjisori i ri shqiptar që momentalisht merr pjesë në Festivalin e Filmit në Sarajevë, i përzgjedhur në programin Talents Sarajevo, pjesë e CineLink Industry Days, i cili i kushtohet trajnimit të talenteve të filmit nga rajoni ynë, rritjes së tyre profesionale dhe krijimit të mundësive për bashkëpunim.
Emra të njohur të filmit ofrojnë gjatë takimeve me kineastët e rinj, ekperiencën dhe perspektivën e tyre mbi kinemanë.
Regjisori Hyka është mbështetur nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë vitin e kaluar si pjesë e Paktit për Universitetit për filmin e tij të diplomës “Rasti i çuditshëm i Teresitës”, ndërsa në 2023-shin është miratuar për mbështetje financiare nga QKK edhe projekti i tij për film të shkurtër “Furracaku”./atsh/KultPlus.com
Regjisori James Cameron është përfshirë në debatin në rritje mbi inteligjencës artificiale dhe rreziqet potenciale të cilat ajo mund t’i paraqesë në të ardhmen, duke e përmendur filmin e tij të vitit 1984, “The Terminator”.
Në një intervistë të re me CTV News, Cameron foli rreth motiveve të atyre që zhvillojnë teknologjinë, duke vënë në pikëpyetje nëse është për fitim apo për mbrojtje, pasi ai pranoi se kërcënimi i inteligjencës artificiale mund të paraqesë për njerëzimin ndërsa avancimet e mëtejshme po përhapen.
“Ju paralajmërova në 84-tën, dhe ju nuk dëgjuat”, tha ai. “Unë mendoj se armatimi i inteligjencës artificiale është rreziku më i madh, mendoj se ne do të futemi në ekuivalentin e një gare armësh bërthamore me inteligjencën artificiale, dhe nëse nuk e ndërtojmë atë, me siguri se do ta ndërtojnë të tjerët, dhe kështu atëherë situata do të përshkallëzohet”, shtoi tutje Cameron, raporton IGN.
“Ju mund të imagjinoni inteligjencën artificiale në një teatër dyluftimi. E gjithë teknologjia duke u luftuar nga kompjuterët me një shpejtësi që njerëzit nuk mund të ndërmjetësojnë më, dhe pastaj më nuk ka mundësi për të deeskaluar situatën”, deklaroi James Cameron.
Hollivudi aktualisht po mendon se si ta vendosë inteligjencën artificiale në duart e “zejtarëve” pas filmave dhe shfaqjeve televizive, pa hequr dorë nga zanatet e personave të përfshirë në proces.
Kjo temë ka çuar në një debat të nxehtë javëve të fundit pasi që Shoqata e Aktorëve të Ekranit – Federata Amerikane e Artistëve të Televizionit dhe Radios (SAF-AFTRA) dhe Shoqata e Shkrimtarëve të Amerikës (WAG) bashkuan forcat në një grevë historike, me të dy sindikatat që kërkojnë mbrojtje ndaj teknologjisë së inteligjencës artificiale.“Unë personalisht nuk besoj se një mendje pa trup që thjesht po ritransmeton atë që kanë thënë mendjet e tjera të mishëruara – për jetën që kanë pasur, për dashurinë, për gënjeshtrën, për frikën, për vdekshmërinë – dhe thjesht i bashkon të gjitha në një grup fjalësh dhe më pas e ritransmeton atë. Nuk besoj se ka diçka brenda saj që do të fitojë audiencë”, ishte komenti i regjisorit mbi lëvizjen e Hollivudit./alsatm/KultPlus.com
Regjisori Christopher Nolan e ka konfirmuar që nuk do të punojë në filma të tjerë pa mbaruar greva në Hollivud.
Gjatë kësaj jave, kasti i filmit Oppenheimer, me regji pikërisht të Nolanit, u largua nga premiera në Mbretërinë e Bashkuara, posa filloi edhe greva e aktorëve të cilët iu bashkuan skenaristëve.
Bordi i SAG-AFTRA-së (Shoqata e Aktorëve të Ekranit dhe Federata Amerikane e Artistëve të Televizionit dhe Radios) e që është sindikata më e madhe hollivudiane që përfaqëson 160 mijë aktorë dhe performues, votoi unanimisht për të grevuar, sipas the Los Angeles Times.
I pyetur gjatë një interviste për BBC News nëse do të punësojë sa të jetë greva ai tha: “Absolutisht që jo”.
“Është shumë e rëndësishme që të gjithë e kuptojnë që është një moment shumë kyç në lidhjen midis punëtorëve dhe Hollivudit”, ka thënë Nolani.
“Kjo nuk ka të bëjë me mua, e as me aktorët në filmat e mi”./KlanKosova/KultPlus.com
Regjisori i famshëm James Cameron nuk është vetëm një nga regjisorët më të suksesshëm të Hollivudit të të gjitha kohërave, por gjithashtu një adhurues i eksplorimit të detit të thellë, shkrun CNN.
Këto rrugë u kryqëzuan në dy nga hitet e tij më të mëdha, “Avatar” dhe “Titanic”.
Ndërsa Cameron nuk ka komentuar publikisht mbi kërkimin aktual për vizituesin e Titanikut ”OceanGate Tour” me pesë njerëz në bord, ai personalisht ka bërë 33 zhytje në vendin e mbytjes së Titanikut.
Cameron deklaroi në vitin 2009 se nuk ishte një romancë në bordin e Titanikut që e frymëzoi atë të bënte filmin e tij të suksesshëm të vitit 1997.
“E bëra Titanikun sepse doja të zhytesha në anije të mbytur, jo sepse doja veçanërisht të bëja filmin”, kishte deklaruar ai.
“Titaniku ishte mali Everest i mbytjeve të anijeve dhe si zhytës doja ta bëja siç duhe. Kur dëgjova se persona të tjerë kishin menduar të realizonin diçka për Titanikun thashë se më duhet të bëj një film hollivudian”, shtoi Cameron.
Cameron e sheh kinemanë e tij dhe eksplorimin e detit si të lidhura me njëra tjetrën.
“Unë mendoj se është detyra e eksploruesit të shkojë dhe të jetë në skajin më të largët të përvojës njerëzore dhe pastaj të kthehet dhe të tregojë atë histori”, theksoi ai.
“Unë e quaj dëshmi. Unë jam dëshmitar i një mrekullie që është atje poshtë gjatë gjithë kohës”, theksoi Cameron. / atsh / KultPlus.com
Aktori dhe regjisori i njohur shqiptar Anastas Nika ka ndërruar jetë në moshën 63-vjeçare.
Nika vuante nga një sëmundje e rëndë tash e një vit, por pavarësisht donacioneve të mbledhura për shërimin e tij, Nika nuk ia ka dalë të jetojë.
Lajmin për ndarjen nga jeta të artistit e ka bërë të ditur djali i tij Enea përmes një postimi në Facebook.
Nika ka ndërruar jetë në spital në Athinë, derisa varrimi i të ndjerit do të bëhet nesër në orën 13 në varrezat e Sarandës.
Nika ka realizuar rreth 130 role në skenë, kinema dhe televizion, si dhe ka shkruar e shfaqur në skenë mbi 70 vepra e shfaqje të gjinive të ndryshme letrare./KlanKosova/KultPlus.com
Është ndarë nga jeta në moshën 89 vjeçare aktori dhe regjisori i njohur Pirro Mani.
Mani lindi në Korçë më 14 Prill 1932 për t’u shquar si një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar.
Mani ka qenë një nga personalitetet më të shquar në historinë e teatrit shqiptar. Regjisor dhe pedagog i shkëlqyer, për 25 vjet ka punuar në Teatrin Kombëtar.
Studioi në Institutin Shtetëror të Artit Teatror, GITIS, në Moskë. Pas kthimit në atdhe u emërua regjisor i Teatrit “A. Z. Çajupi”, Korçë, të cilin e drejtoi me sukses për rreth tetë vjet.
Në karrierën e tij artistike numëron mbi 80 shfaqje. Është nderuar me shumë çmime. Ka qenë mjeshtër i regjisë e skenave masive, njohës i thellë i mizanskenës. S
Ka fituar shumë çmime dhe është nderuar me titullin e lartë “Artist i popullit”. / KultPlus.com
Regjisori i njohur korean, Kim Ki-duk ka vdekur si pasojë e ndërlikimeve nga Covid-19, shkruan KultPlus.
59 vjeçari ishte nga Korea e Jugut dhe kishte arritur suksese të shumta në fushën kinematografike.
Kim ishte një nga drejtuesit e parë të frymës së re koreane që pushtoi skenën ndërkombëtare, duke shfaqur drama tronditëse, përfshirë “The Isle” në 2000 dhe “Spring, Summer, Fall, Winter and Spring” në 2003.
Filmat e tij kanë marrë shumë çmime nëpër festivale, duke e bërë atë një nga regjisorët më të rëndësishëm bashkëkohorë aziatikë të filmit. Ai ka arritur të fitoj çmime në festivalin e Venecias, të Berlinit dhe shumë vende të tjera.
Vepra e tij ka shënuar një histori të rëndësishme për kinematografinë koreane. / KultPlus.com
Kanë kaluar 20 vjet nga ndarja e regjisorit dhe aktorit të njohur shqiptar, Petrit Llanaj, autorit të dhjetëra filmave, i cili konsiderohet si gjeniu i filmit artistik shqiptar.
Llanaj famën e arriti me filmat e tij të suksesshëm si; “Njësiti gueril”, “Dëshmorët e monumenteve”, “Fijet që priten”, “Ngadhënjim mbi vdekjen”, “Ndërgjegjja” e shumë filma të tjerë të njohur, ku dhe ka interpretuar në rolin kryesor.
Ka bashkëpunuar me aktorë të mëdhenj shqiptar si; Demir Hyskja, Roza Anagnosti, Fitim Makashi, Sandër Prosi, Ferdinand Radi, Reshat Arbana, Kadri Roshi, Timo Flloko, etj. Karrierën e ka zhvilluar, jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë, sidomos në Itali e Amerikë, ku ka bashkëpunuar me regjisorë të huaj. Llanaj gjithmonë do të kujtohet nga miqtë e tij, jo vetëm si një regjisor e aktor i suksesshëm, por edhe si njeriu me botë të madhe, që nuk reshti asnjëherë së ndihmuari njerëzit në nevojë.
Në filmat e tij gjithmonë është paraqitur energjik, i fuqishëm, i gjallë, si dhe ka ditur gjithmonë ti transmetojë emocion për publikun. Ai njihej gjithashtu për forcën interpretative dhe për atë krijuese. Për herë të parë ka dalë në skenë me dramën “Zbutësi i kryeneçes”, me të cilin ka mbrojtur diplomën shkëlqyeshëm, ku kishte edhe rolin kryesor. Është regjisor i filmave dhe dokumentarëve; “Një udhëtim i vështirë”, “Përsëri pranverë”, “Kur ndahesh nga shokët”, “Troku”, etj. Ai lindi në Vlorë, në një familje me tradita të larta patriotike, morale e shoqërore.
Firmën e Petrit Llanajt, si aktor dhe si regjisor e mbajnë shumë filma të tjerë artistikë. Ai kreu studimet universitare në Akademinë e Arteve, për Dramaturgji. Nga viti ‘80 e deri sa doli në pension ka punuar si regjisor në Kinostudio. Regjisori dhe aktori Petrit Llanaj ndërroi jetë në 3 nëntor të vitit 2000. /atsh/ KultPlus.com
Regjisori Besim Ugzmajli, në shfaqjen e tij “Kontrolli dhe makina e dashurisë”, ka sjell një sprovë teatrore të lirimit nga kontrolli totalitar duke promovuar një teatër sa filozofik po aq edhe kosmologjik
Nga Afrim Demiri
Ferizaj, nëntor:- Për regjisorët teksti dramatik mbetet forma e veçantë e leximit skenik. Një sprovë kjo, që ata shpesh i çon në eksperimente të ndryshme dhe në përshtatje të pashmangshme. Por kur ndodh që regjisori të inskenon tekstin e dramës së vet, atëherë ky lexim mbase bëhet me kompleks. Kjo i ka ngjarë regjisorit Besim Ugzmajli në shfaqjen e tij të fundit “Kontrolli dhe makina e dashurisë”, e cila pati fatin të punohet gjatë kohës së pandemisë dhe premiera të jepet në rrethana të veçanta pandemike. Por këto ditë u dha për publikun në kuadër të Festivalit, Kosovo Theater Showcase 2020, të organizuar nga Qendra Multimedia. Duke qenë autor i tekstit dhe njëkohësisht regjisor, Ugazmajli, ka sjell një sprovë teatrore të lirimit nga kontrolli totalitar, duke promovuar një teatër sa filozofik po aq edhe kosmologjik. Çka e bën këtë shfaqje kaq komplekse? E shtrirë në mes rrafsheve të ekzistencës dhe të fanti-shkencës së sofistikuar, personazhet prej karaktereve tradicionale është dashtë të transformohen në ato jotradicionale dhe kështu ata herë fluturojnë në Udhën e Qumështit e herë bëhen pjesë e Zoobotës. Dmth, Makro dhe Mikro bota dalin në skenë të pandara, gjë që i jep shfaqjes një element shumë aktual. Por kur në dramë fillon të zë vend psikoanaliza dhe të shfaqen elemente edhe të egoizmit, sadizmit etj., kompleksiviteti i saj edhe më shumë theksohet. Pastaj kontrolli dhe testimi ndaj dashurisë deri tek embrioni si dhe elementet e kuantizmit i sjell në një vend të gjitha teoritë mbi të vertetën absolute. Këtu fillojnë të shfaqen konturat e një teatri filozofik si dhe atij kosmologjik. Skena sikur ndahet në një simetri boshtërore: pjesa ballore bartë lojen idilike të dashurisë së çiftit, të cilën e pret në prapavijë, ekipi i kontrollit i doktorit i cili do të matë të vërtetën e dashurisë së tyre. Nën një atmosferë të ankthit frankeshtajnian cenohet liria e individit deri në mohim të qenies së tij njerëzore dhe të drejtës për të dashuruar. Në të vërtetë teatri filozofik tek ne pak apo aspak ka zënë fill, një teatër në të cilin do të duhej që idetë ekzistenciale të barteshin deri tek publiku nëpërmjet gjuhës skenike, kurse për teatrin kosmologjik të mos flasim. Siç dihet qysh në teatrin grek kanë zënë fill këto qasje, duke i ndërlidhur me kultin e besimit në Dionisin, si zoti i vegjetacionit, e verërave si dhe shfaqjet që iu kushtoheshin qenieve qiellore deri në respektim të zotrave. Mirëpo ky lloj teatri është demitizuar me demitizimin e miteve, duke i lënë vend më shumë qasjeve të absurdit dhe atyre ekzistenciale. Por në përgjithësi në hapësirat tona teatrore, teatri filozofik nuk ka provokuar shumë regjisorët.
Shikuar nga ky aspekt drama e Ugzamajlit është një risi në vete dhe shpreh një potencial të fuqishëm të reflektimit dhe të krijimit të situateve të përballjes në këtë Universin tonë të quajtur rastësisht njerëzor.
Në fillim nga dialogjet e thukta shikuesit mund t’i jetë dukur një tekst për të cilën është e ngushtë skena e teatrit, por pastaj krijohen skena, ku me anë të efekteve të dritës që ishin në funksion të një skenografie të padukshme e fusnin shikuesin brenda shfaqjes. Me këtë rast ndodhte një copëzim i ideve nga ato më fundamentale mbi ekzistencën, sa antropologjike po aq edhe sociologjike të njeriut.
E konceptuar nga Ugzmajli si një hapësirë skenike në të cilën aktorët hynë në skenë, e nuk dalin më, krijohej përshtypja se eksperimenti ndaj njerëzve deri në ndërhyrjen bio-gjenetike në ndërrimin e kujtesës së tyre ndodhte në një laborator, që hiç më pak mund të jetë vet kosmosi ynë. Këtu dalloheshin në rolet e tyre çifti i të dashuruarëve, por edhe çifti që dirigjonte tërë shfaqjen e cila shpesh vishej me nje tis argëtues dhe quhej si një shoë. “Ngjarja ne shfaqjen time mëton të ndodh në një hapësirë distopike postapokaliptike, prandaj mënyra e shkrimit ka qenë njëlloj imponimi për arsye të ruajtjes së logjikës përbrenda një hapësire ku morali i “mirënjohur” njerëzor vëhet në pikëpyetje”, është shprehur Ugzmajli, duke treguar se tekstin kishte filluar ta shkruaj më 2016. Intriga dramatike thurrej mbi fuqinë e kontrollit duke i dhënë kuptime fetishizuese makinës së dashurisë si deshifruese e ndjenjave të njerëzve. Kurse, pritja e rezultateve te testimeve krijonte nje paralele rasti me realitetin tonë të këtyre ditëve. Mbi këtë koncept totalitarizmi si formë e autoritarizmit shtrihet përtej ideologjisë dhe merr karakterin e sofistikuar të një neo-totalitarizmi nisur nga zgjerimi i eksperimenteve bio- gjenetike, në krijimin e njeriut teknologjik pa ndjenja , pa moral dhe pa kujtesë. Duke qenë regjisor filmi, Ugzmajli si zgjidhje skenike kishte ndërlidhë edhe video-xhirimet të cilat publikut i ktheheshin si një retrospektivë. Ky efekt i dha shfaqjes elemente multimediale dhe sfondin e skenës e kthente në një ekran i cili mund të shikohej edhe si një pasqyrë e ndërgjegjeve.
Po ashtu shfaqja fitonte edhe një element të misteriozitetit shpesh deri në ndjenja makabër kur shfaqeshin personazhet antropomorfe apo luhej me identitetin e personazheve duke u identifikuar me zog, me peshk apo me thnegla. Duke e mbështet gjithë fuqinë skenike në fjalën e shqiptuar, mbase shfaqja e Ugzmajlit mbetej anemike sa i përket lojës skenike dhe sikur bëhet përpjekje që kjo gjë të kompensohej me efekte të dritës. Gjithashtu zgjidhja për model të makinës së dashurisë, karrigia elektrike, sikur ofron një model të njohur të torturës, mbase në këtë rast është dashtë një zgjidhje më futuriste për ta përcjellë mesazhin futurist të gjithë shfaqjes. “Skenat tona janë shumë të varfura për të realizuar ide të cilat integrojnë aspekte të teknologjisë së lartë brenda konceptit skenik. Mirëpo ne shpeshherë detyrohemi që teatrin si konvencë, ta shtresojmë në konvencë që shpesh herë është e tepruar, kjo kryesisht për shkak se nuk kemi mjete të mjaftueshme teknike për ta prezentuar idenë sa më vizualisht”, shprehet Ugzmajli. Ai ishte kujdes që personazhet e dramës së vet t’i emërtoj me emra paksa të çuditshëm që shpesh tingëllonin larg kontekstit të shqipes, por në anën tjetër ngjashmërinë në mes tingëllimës së tyre Ugzmajli e arsyeton me faktin e depersonalizmit të tyre, një gjë që është qëllimi parësor i totalitarizmit.
Ela, Oso, DR. Guan, Zaza, Az, Oz, Ez, Alfa, Dode, Akuan dhe Rela ishin personazhet që u jetësuan artistikisht nga Uratë Shabani, Valdrin Osmani, Mevlan Saraçi, Blin Sylejmani, Dardanë Mehmeti, Gresë Gashi, Milot Salihu, Sherif Bega, Jajush Ramadani, Kushtrim Emërllahu, Leonora Hasani, Kushtrim Ugzmjali.
Puna me aktorët, nga regjisori Ugzmajli, kishte nxjerr në pah kapacitete të reja kreative të trupës së re teatrore të Ferizajt. Kjo shfaqje teatrore për regjisorin Ugzmajli, ishte një sprovë e re artistike pas shume sukseseve të tij në botën e filmit të shkurtër. / KultPlus.com
Regjisori Ben Apolloni ka reaguar sot në lidhje me ligjin për teatrot në Republikën e Kosovës që sipas tij është ligj diskriminues, përcjellë KultPlus.
Apolloni shkruan se ligji ka gabime dhe duhet të ndryshohet, në të kundërtën do të dëmtohet teatri dhe do të pengohet zhvillimi i artistëve.
Ky është postimi i tij i plotë:
Ligji për Teatrot, i Republikës së Kosovës, është Ligj diskriminues. Ai diskriminon shumicën e artistëve të teatrit. Sipas tij, në ansamblet rezidente të teatrove duhet të punësohen vetëm aktorët, kurse artistët tjerë, si: regjisorët, dramaturgët, skenografët, kostumografët, kompozitorët, koreografët, dizajnerët, make up artistët, … as që i bën hesap. Duket se ata që kanë hartuar Ligjin, nuk e kanë idenë se si funksionon teatri, si realizohet një shfaqje. Ata shohin vetëm aktorët në skenë ( edhe pse dyshoj se disa as që kanë parë ndonjëherë shfaqje) dhe mendojnë se aktorët janë ata që bëjnë shfaqjet. Por nuk kanë idenë se regjisori, dramaturgu, dhe artistët tjerë “të padukshëm”, janë në të vërtetë truri i teatrit, i shfaqjes. Ligji ka gabime, duhet të ndryshohet. Nëse nuk ndryshohet, do të dëmtohet teatri në Kosovë, do të pengohen artistët që të zhvillohen si duhet. / KultPlus.com
Ngaqë e dua shumë Shqiperinë, sa pas Amerikës e quaj atdheun tim të dytë, kurreshtja me shtyn që të lexoj jo vetem libra në gjuhën shqipe, që e kam mësuar me shumë deshirë, por të lundroj edhe në internet, për të ditur edhe më shumë për këtë vend të vogël në Gadishullin Ballkanik në jug të Evropës. Aty njhem edhe me inteketualë shqiptarë, që pas rrezimit te diktatuers 40-vjecare komuniste me 1992, jane përhapur nëpër botë, madje dhe në Amerikë. Disa prej tyre kanë arritur deri në portat e Holiwoodit, ‘i kanë hapur ato’ dhe ndodhen prej vitesh brenda tyre. Ata jane aktorë, kompozitorë madje dhe regjisorë. Një i tille është edhe Fatmir Doga. Fatmiri ka realizur deri me sot disa filma, në të cilët marrin pjesë aktorë me famë botërore, si Christoher McDonald, Siena Guilory, Stacy Keach, etj.
Nga qyteti Almira në shtetin e Neë York-ut, ku jetoj, u lidha me telefon me Fatmir Dogën në Los Anxheles dhe nga biseda e përzemërt telefonike me të, bëra këtë interviste, në të cilën pershkruhet shkurtimisht rruga e tij, për të arritur në Hollywood.
Fatmir, faleminderit për kohën që më kushton. Edhe pse periudhë pandemie degjuam që ti je në një moment shumë i ngarkuar me projektet qe po përgatit te filmosh nga dita në ditë.
Kënaqësia është imja. Faleminderit shumë Carrie, që i kushtoni kohë dhe vemendje Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo që janë dhe që e quan atë atdheun tënd të dytë.
Ti ke lindur dhe je rritur ne Bulqizë, qytet i vogël minatorësh, i varfër në periudhën e diktaturës komuniste, i varfër edhe sot në periudhën e gjatë tranzitore dhe ende jo plotësisht demokratike. Kur të lindi dëshira të futeshe në labirinthet e artit kinematografik?
Po, jam lindur e rritur në një fshat shumë të bukura të Dibrës, ne veri-lindje të Shqipërise, që quhet Fushë Bulqizë. Aty filloi edhe karriera ime artistike. Në fillim, në shkollën fillore – 8 vjeçare si këngëtar, pastaj në shkollën e mesme në qytetin e Bulqizës, si aktor. Edhepse një province e varfër e Shqipërise së asaj kohe, jeta artistike atje ishte shumë aktive. Bënim prova çdo ditë të vitit, sepse merrnim pjesë në festivale e koncerte në çdo cep të Shqipërisë ku me modesti mund te them se edhe pata fituar shumë festivale të asaj kohe. Pasi mbarova shkollën e mesme, konkurova për në Akademinë e Arteve, dega dramaturgji, ku edhe fitova.
Kam dëgjuar nga miqtë e mi në Shqipëri se konkurset për pranimin në Akademinë e Arteve të Shqipërisë kanë qenë shumë të vështira. Mbase edhe më të vështirat në Evropën Lindore.
Të fitoje konkursin e Dramaturgjisë në ato kohë, ishte si te fitosh sot në këto konkurset si “America Got Talent” etj. Përfitoj nga rasti të them se fitorja e atij konkursi u kushtohet disa personave shumë të veçantë në jeten time, si Luba Shahini, Agim Demiri, Hajri Mandri dhe profesorit tim Timo Flloko, ‘one for the best albanian actor’, i cili besoi tek une dhe me përgatiti për të ‘tmerrshin’ konkurs dramaturgjie.
Si shumë të rinj shqiptarë, pas rrëzimit të regjimit komunist, le Shqipërinë dhe vajte në Itali. A mendove se duke ikur nga Shqipëria dhe duke u bërë emigrant në një vend të huaj, humbe shpresën per t’u bërë kineast?
Të rritesh në një diktature, është e tmerrshme. Çfarëdo lloj dikature të jetë ajo. Isha andoleshent dhe shikoja filma amerikanë qe vinin nga valet e kanaleve të televizioneve të ish-Jugosllavisë. Një veprim i tillë të kushtonte edhe vite burgu në komunizmin e çmendur shqiptar. Por jeta lulëzon edhe ne akullnaja dhe ne skutat e errëta në thellesi te oqeaneve. Pra, shikoja filmat dhe çuditërisht kisha një parandjenjë të habitshme se një ditë do të shkoja në Hollywood dhe do të futesha brenda atyre studiove ku bëheshin filmat. Ne 1992 ika nga Shqipëria në Itali me një qëllim të vetëm dhe te pakthyeshëm: T’ia kushtoja jetën karrierës artistike. Dhe atë bëra. Në atë fillim të viteve 90-të të shekullit të kaluar, italianët u treguan bujarë me ne, emigrantët . Por ligjet nuk ishin në favorin tonë. Fitova kinoprovën për filmin “Life is Beautiful” të Roberto Benigni-t dhe kur shkova ne sheshin e xhirimit, më thanë se nuk mund të merrja pjesë në film , sepse me mungonte një dokument. Ndonëse ne Itali kisha dokumente te rregullta dhe kisha leje pune, asaj kohe duhej te kishe një leje extra, per të punuar në entertainment. Aty e kuptova që për mua nuk kishte karrierë artistike në Itali.
Le më vonë Italinë, për të arritur në Kanada. Gjithnjë me dëshirën e hershne që të mos mbeteshe jashtë botës së filmit?
Po, vajta në Kanada dhe aty kam kaluar pjesën më të madhe të jetës sime. Kanadezët janë popull i mrekullueshem. Ata më hapen dyert dhe më bënë qytetar të tyre. Kam mësuar shumë nga Kanadaja dhe i jam shumë mirënjohes. Gjithashtu aty filloi dhe lulëzoi edhe karriera ime kinematografike.
A është e vërtetë se ke hapur gazetën dhe radion e parë shqiptare në Kanada?
Po. Në vitin 1998, sapo arrita ne Kanada, pashë qe komuniteti shqipar nuk kishte asnjë mënyrë si të informohej me lajme nga vendlindja. Kështu edhe me ndihmen e disa financuesve shqiptarë hapa gazetën ‘Albanian Time’, me tirazh 2000 kopie. Ishin kohë të vështira atëherë. S’kishte media ne internet si sot dhe Shqipëria ishte në një rremujë te madhe politike. Në Kosovë ishte gati të fillonte lufta. Kjo vazhdoi deri më 2008. Pastaj hapa edhe Radion ‘ILIRIA’, ku isha folës dhe drejtor artistik i saj. Ishte nje përvojë e re per mua dhe padyshim dhe kujtim shumë i bukur i jetës sime në Kanada.Gjithashtu aty filloi dhe lulezoi edhe karriera ime kinematografike.
Shumica e adhuruesve të ekranit ëndërrojnë ta shohin veten në Hollywood më shumë si aktorë, se sa si regjisore, sepse, mendoj, rruga për t’u bërë regjisor është më e vështirë?
Nuk mendoj se ka profesione të lehta dhe te vështira. E rëndësishme në jetë është që të besosh në vetvete dhe të bësh atë për të cilën ke talent. Përndryshe, çfarëdo që të bësh dhe kudo që të ndodhesh, do të jete e vështirë për ty.
Cili është filmi yt i parë dhe si u prit nga kritika?
Eh, filmi im i parë… Do të më duhej të flisja shumë për filmin tim të parë… Por me pak fjalë, filmi im i parë i kushtohet një familjeje emigrante, konkretisht një familjeje shqiptare, që ikën nga Shqipëria paskomuniste dhe emigron ne Kanada. Një tragjedi e vërtetë në shumë aspekte. Filmi titullohet “IN BETWEEN”. Dëgjoni, emigracioni është emigracion. Pavarësisht se për çfar motivesh e le vendlindjen, në momentin që ti ikën nga vendi yt, ti behesh “aktor” i një filmi dramatik, ku në shumicën e rasteve ky “film” fundin e ka tragjik. Fatkeqëshisht shqiptarët e mi të dashur i “luajne” edhe sot e kësaj dite këto role tragjike. Vendi boshatiset çdo ditë dhe ky fakt më pikëllon në shpirt.
Per sa i takon filmit mund të them pa frikë se ai pati sukses të vertetë. Kritika kanadeze ishte shumë miqësore me mua si shkrimtar dhe regjizor i filmit. Kur i kujtoj ato ditë, me mbushen sytë me lot… Edhe mediat në Shqipëri i kushtuan shumë vemendje filmit, ku luante ‘ikona’ e kinematografisë shqiptare, Timo Flloko, dhe muzika e fimit ishte nga kompozuar nga një prej gjigandeve të muzikës shqiptare, Limoz Dizdari, dhe orkestruar nga Orkesta e Radio Televizionit Shqiptar. Ky film gjithashtu fitoi ne Festivalin e Filmit në Romë, kurse ne Festivalin e Venezia fitoi çmim e publikut si “filmi i pare si regjizor”. U vlerësua gjithashtu edhe në shume festivale të tjera.
Në filmat që ke drejtuar, luajnë aktorë shumë të njohur, si Christopeh McDonald, Siena Guillory, Stacy Ketch, Michael Madson Rachel Hunter etj. Ndër ta eshte edhe aktorja shqiptare Masiela Lusha, e njohur në shumë filma amerikanë. Këta aktorë mendon se i ka tërhequr tematika e skenarëve të tu që kanë pranuar të marrin pjese në filma, apo kanë pasur besim tek ti si regjizor?
Pjesëmarrja e aktorëve të famshëm në një film, është shumë komplekse. Futen në lojë shumë faktorë, deri sa të arrish te pjesëmarria e tyre në një film; por ajo më kryesorja është besimi te regjizori. Regjizori është ai që do ta bëjë filmin të mirë ose të keq. Prandaj, të gjithë yjet e kinemasë, siç përmende dhe ti, kërkojnë takim me regjizorin e filmit, para se të nënshkruajnë kontratën me producentët. Kjo ka ndodhur edhe në rastin tim. Jam krenar të them se krahas aktoreve të njohur amerikanë që u përmendën më sipër, në filmat e mi kanë marrë pjesë aktorë shqiptarë si Timo Flloko, Masiela Lusha, krenaria shqiptare ne Hollywood, miku im Herion Mustafaraj etj. Kam bashkëpunuar edhe me një tjetër talent, për të cilin jo ende nuk degjohet shumë në media. Ky është kompozitori i filmave, Aldo Shllaku nga Shqipëria.
A mendon se një ditë Hollywoodi mund të relaizojë një film me temë shqiptare, duke ditur se populli juaj ka histori të lavdishme në lufteë kundër pushtuesve dhe histori tragjike gjatë diktaturës komuniste, me burgje dhe kampe përqendrimi?
Hollywood-i është si një kompani mega-gjigande dhe nuk merret me tema historiko-politike të një vendi ose të një vendi tjeter. Realizimi e filmave eshte thjesht biznes. Nëse një studio filmike mendon se një skenar do të sjellë fitime po të behet film, e financon menjëherë , pa e vrarë mendjen se tema është shqiptare, italiane apo japoneze.
The tani pyetja më interesante dhe shpresoj qe të na japësh ndonjë lajm exclusiv në lidhje me projektin qe po punon në këtë moment.
Po të mos kishte ndodhur pandemia, tani do të isha në sheshin e xhirimit. Kam nënshkruar një kontratë me kompaninë BACKYARD FILMS, për të bërë regjinë e një filmi të mrekullueshem që do të distribuohet nga LIONSGATE. Filmi quhet “A horse with no name” (Western, Action, Thriller) dhe jam i dashuruar me atë skenar të shkruar nga Ron Althoff. Kemi dy aktorë shumë të famshëm për rolet kryesore.
A mund të na thoni se si quhen?
Po. Andy Garcia dhe Thomas Jane. Jemi ne negociata edhe me dy aktore te tjere qe se shpejti do konfirmohen. Filmimet do të bëhen këtu në Kaliforni. Por janë shtyrë për në tetor, kuptohet, me shpresën që pandemia të mos përkeqësohet. Kam nëmshkruar për të bërë regjinë edhe të dy filmave të tjerë me kompanine AVAIL ENTERTAIMENT. Konkretisht per filmin “Duplicate Machine” (Action, Adventure, Comedy) të skenaristit Frank Mora, gjithashtu dhe për një skenar timin, që titullohet “THE WEIGHT OF LIFE”, një dramë thriller, që është skenari im i zemres. Të tre këta me të cilët do të jem i zënë deri në vitin 2023, filma realizohen për LIONSGATE.
Fatmir ky është një lajm shumë i mirë dhe gëzohem shumë për ty. Po, si arrite të nënshkruash për 3 filma njeri pas tjetrit?
Në fakt nuk është një gjë e zakonshme që ndodh çdo ditë në biznesin e filmave. Siç përmenda më sipër, kam kaluar shume vite pune ne Kanada dhe kam njohur shumë investitorë filmash, që kanë parë punet e mia të meparshme, i kanë pëlqyer dhe më kanë kërkuar që projektet e mia të ardhshme si regjisor të m’i financojnë ata, dhe në çdo film të ketë nje ose më shumë aktorë të njohur.
Ke ndonjë gjë tjetër për të shtuar??
Edhe nje herë të falenderoj për interesimin dhe përkushtimin tëd ndaj Shqipërise dhe shqiptarëve. Nëse këtë interviste do ta botosh ne mediat shqiptare, dua të shtoj këto radhë: Nuk jam pro shkrimeve dhe lavdërimeve nëpër gazeta, sidomos kur thuhet se ky ose ai ka pushtuar Hollywoodin ose tjetër gjigand amerikan, dhe do të doja qe kjo intervistë të mos keqinterpretohej si e tillë. Mjaft me mendjemadhësinë e një pjese të shqiptarëve që jetojnë jasht atdheut dhe quajnë veten ‘specialë’ dhe ata që jetojnë në Shqipëri, të rëndomtë. /voal.ch /KultPlus.com
Regjisori, skenaristi dhe producenti i njohur hollywoodian, J.J. Abrams dhe bashkëshortja e tij, kanë vendosur t’i dhurojnë 10 milionë dollar për fushatat anti-racizmit përgjatë pesë vjetëve të ardhshme.
Regjisori i filmave “Star Trek” dhe bashkëshortja e tij, Katie McGrath, janë zotuar ta dhurojnë këtë shumë të madhe të parave përmes kompanisë së Abramsit, “Bad Robot” dhe fondacionit të tyre bamirës “Katie McGrath and J.J. Abrams Family Foundation”, me qëllim që t’i ndihmojnë organizatat e përkushtuara në betejën kundër racizmit dhe ndërtimin e një shteti të drejtë për të gjithë, transmeton Koha.
Çifti fillimisht do t’i investojë nga 200 mijë dollarë për secilën prej organizatave në fjalë: “Black Futures Lab”, “Black Lives Matter LA”, “Community Coalition”, “Equal Justice Initiative” dhe “Know Your Rights”.
Në një deklaratë të lëshuar nga kompania “Bad Robot”, shkruhej: “Ne jemi falënderues ndaj shumë dijetarëve, aktivistëve, organizatorëve dhe liderëve në luftën e tyre ndaj padrejtësive sistematike në shtetin tonë. Pikërisht këta persona e kanë aftësinë dhe planin e duhur, për ta arritur një bashkim më të përkryer dhe të drejtë. Në këto kohëra delikate, fjalët qojnë shumë peshë, të dëgjuarit është shumë me rëndësi si dhe kërkohet investim. Neglizhenca dhe abuzimi shekullorë ndaj motrave dhe vëllezërve tanë zezak, mund të adresohet vetëm me anë të investimeve të shkallëzuara. Madje, si popull në tërësi, jemi vonuar tej mase në këtë drejtim. Prandaj, kemi vendosur t’i dhurojmë 10 milionë dollarë përgjatë pesë vjetëve të ardhshme, për organizatat të cilët janë të përkushtuara në ndërtimin e një shteti të drejtë për të gjithë.”
Thirrjes së regjisorit J.J. Abrams për të dhuruar në këtë kauzë, i janë bashkuar edhe yje të tjerë të showbizit të tillë si këngëtarët, The Weeknd dhe Harry Styles.
The Weeknd i ka dhuruar 200 mijë dollarë për organizatën “Black Lives Matter Global Network”, 200 mijë për fondacionin e Colin Kaepernickut “Know Your Rights” dhe 100 mijë dollarë për organizatën “National Bail Out”.
Harry Styles gjithashtu ka kontribuar në këtë organizatë e cila i ndihmon protestuesit e arrestuar, që ta paguajnë shumën e caktuar të lirimit me kusht. /KultPlus.com
Regjisori Gëzim Kame gjatë një interviste televizive tha sot se që pas viteve ’90 kanë filluar kërkesat për një teatër të ri. Sipas tij, nevoja për ndërtimin e një teatri të ri ka qenë një kërkesë e hershme e aktorëve dhe regjisorëve.
Regjisori Kame i cili ka qenë edhe drejtor i këtij teatri tregon edhe një moment kur mori premtimin nga ish-presidenti Sali Berisha.“Unë mbaj mend, që kam qenë i ftuar në ambasadën Bullgare në 1996, në grupin e njerëzve që ishim aty, ishte dhe presidenti i asaj kohe Sali Berisha dhe kryeministri Aleksandër Meksi dhe personalitete të tjera. Ndërkohë presidenti kalon pranë meje, njiheshim, na respekton shumë si artistë, më jep dorën, më pyet si je Gëzim? Dhe shfrytëzova rastin, i thashë: Çfarë do bëjmë me atë teatrin tonë? Do ta bëjmë, më tha. Do bëjmë një takim, e pyeta. Patjetër me tha, “edhe unë e mendoj që nuk rrihet në atë teatër”. Edhe iku, vazhdoi punën e tij” ,-tha Kame, i cili më tej kujtoi dhe një takim me ish-kryeministrin Fatos Nano, për të njëjtën kërkesë, ndërtimin e një tetari të ri.
“Unë po flas për historikun si ka filluar kjo punë. Po atë vit, pas një muaj ishte festat e 28-29 nëntorit, dhe ishim në Pallatin e Brigadave, kur me thërret Fatos Nano, dhe thotë do ta ndërtoni teatrin, i thashë, po. Me pyeti sa kushton, i thashë parashikimet janë për 12 milionë dollarë. Mirë tha bëjmë një bast, nëse ju gjeni 12 milionë dollarë, do futem unë si shtet me 10 milionë dollarë. I thashë po e ke të humbur bastin, ne i nxjerrim shumë shpejt ato. Ai më dha dorën, e bëri si ata fëmijët, e preu bastin Agim Zajmi. Më tha e ke të humbur, dhe sigurisht e kisha të humbur, sepse ai nuk e dëshironte këtë gjë”, -tha Kame.
Pas këtyre, ai tregon për ish-ministrin e Kulturës Edi Rama. “Edi Rama në funksionin e ministrit të Kulturës ka ardhur me Kadri Roshin , prej krahu dhe ka mbledhur gjithë kolektivin e teatrit dhe ka thënë: Kur t’ i vijë koha, do e bëjmë, t’ i gjejmë lekët. Ajo sallë që u rrënua pardje quhej salla Kadri Roshi. Kadri Roshi ka qenë një ndër të parët që ka qenë për shembjen e këtij teatri se është turp”,- shprehet Kame. /KultPlus.com
Regjisori i njohur Pirro Milkani rrëfen nga vetizolimi në shtëpinë e tij, se këto ditë të vështira do të kalojnë, por duhet durim. Ai gjithashtu si rrallëherë për “ReportTV” rrëfen se 100 vite më parë gripi spanjoll i mori jetën gjyshit të tij.
Ju përshëndes të gjithë ju që jeni në shtëpi, por edhe ata që luftojnë kundër këtij infeksioni të poshtër. Hymë në javën e tretë të këtij vetizolimi dhe mund të them se duhet të kemi durim, se është për të mirën tonë, të fëmijëve tanë, të nipërve edhe të mbesave tona.
Do ta kapërcejmë këtë fatkeqësi, çdo gjë ka një fillim dhe një fund. Bota ka parë edhe fatkeqësi më të rënda. Edhe kjo sëmundje e poshtër, ky infeksion i keq, ky mikrob i pabesë, një ditë do të marrë fund.
LEXO EDHE: Milkani, Esat Musliu e Arben Skënderi akuzojnë SUADA-n për abuzime me tarifat e të Drejtave të Autorit Çuditërisht 100 vjet më parë ndodhi një katastrofë e tmerrshme në të gjithë globin, gripi spanjoll mori 50 milionë jetë njerëzish, në Spanja, Europë, Amerikë, por edhe në Shqipëri. Arriti deri në Vithkuq, në një fshat malor të Korccës me ajër të pastër, me çdo gjë të mirë. I mori jetën gjyshit tim, e la mamanë time jetime, që dhjetë vjecc. Por mos të harrojmë që shkenca ka avancuar dhe nuk mund të përsëritet ajo që ndodhi me gripin spanjoll. Do të ketë natyrisht viktima, por do të dalë shumë shpejt dhe antidoti, ilaçi, mjekimi i duhur, edhe ne do t’i rikthehemi përsëri jetës. Bota ka kaluar kriza të mëdha! Edhe njeriu, krijesa më inteligjente e botës, që i ka bërë globit shumë të këqija, dhe prandaj ndonjëherë edhe e pëson edhe ndëshkohet, ka kaluar gjëra të tmerrshme, por në këto ndodhi të tmerrshme, sicc ishte Lufta e Dytë Botore, ku vdiqën miliona njerëz dolën në pah gjestet edhe veprimet më thelbësore, më pozitive të njeriut që do të mbijetojë me dinjitet. Leningradi i atëhershëm, San Petërsburgu i sotëm jetoi për 900 ditë i rrethuar nga nazistët gjermanë me heroizëm, me dinjitet e përballoi atë luftë me shumë sakrifica. Edhe kjo luftë, ky dinjitet e frymëzoi Shostakovichin të kompozoi simfoninë e shtatë, të Leningradit, simfoninë më të gjatë në historinë botërore, që kishte edhe një piano. Të gjitha instrumentet partiturat, orkestrantët edhe pianoja u çuan me aeroplanë në Leningradin e rrethuar. Njerëzit që kishin kohë në këtë rrethim e duartrokitën këtë koncert madhështor. Falë heroizmit të leningradasve edhe talentit të jashtëzakonshëm të Shostakovich, që ka lënë një muzikë të mrekullueshme. Pikërisht në këto ditë vëmendja jonë është kthyer tek ata që punojnë natë e ditë, mjekët, tek Dritan kalo, policët, tek ata që na furnizojnë me ushqime edhe ne lehtësojnë qëndrimin brenda. Duhet të kemi besim se çdo e keqe ka një fund. /KultPlus.com
Kinematografia botërore ka marrë një lajm të hidhur. Regjisori i njohur, Robert Evans është ndarë nga jeta në moshën 89-vjeçare. Vdekja e tij u konfirmua nga publicisti, Monique Moss dhe më pas nga familjarët e tij.
Kreu i studiove kinematografike të Hollywoodit gjatë viteve ‘70, u bë i njohur për publikun në filmat “Kumbara” dhe “Qyteti kinez”.
Evans njihet edhe si personi që shpëtoi “Paramount Studios” nga katastrofa, nëpërmjet shfaqjes së shumë filmave të suksesshëm, si edhe për mënyrën e tij të jashtëzakonshme të jetesës, karakterizuar nga shpenzimet e luksit, kokaina dhe shtatë martesa, përcjell Koha Jonë raportimet.
Ali McGraë, e cila u martua me Evans në 1969 para se ta linte atë për aktorin Steve McQueen, tha se ai do të “mbahet mend si një gjigant”. Në mesin e grave tjera me të cilat ishte i martuar Evans ishte edhe ylli i “Dinastisë”, Catherine Oxenberg, me të cilën ishte i martuar për dhjetë vjet. / KultPlus.com
Është ndarë nga jeta ditën e sotme, regjisori i njohur Gjergj Xhuvani.
Xhuvani ndërroi jetë në një spital në Romë në moshën
56-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë.
Këtë vit pritej dhe premiera e filmit të tij të ri ‘Liqeni
im’. Ai ishte gjithashtu, autori i filmave të suksesshëm pas viteve ‘90, ndër
të cilët “Lindje, Perëndim, Lindje”, “I dashur Armik” dhe “Dashuria e Fundit”.
Xhuvani do të përkujtohet si një nga artistët më të spikatur të kinematografisë shqiptare./Gazeta Liberale / KultPlus.com
Regjisori rus i dramës Loveless, Andrey Zvyagintsev, ka fituar çmimin më të mirë në Festivalin e Filmit në Londër, tri vjet pasi filmi i tij i mëparshëm, Leviathan, fitoi të njëjtin çmim.
Drejtori i festivalit, Clare Stewart, tha se filmi paraqet një çifti kaq të humbur në jetën e tyre sa ata nuk e vërejnë se djali i tyre mungon “është një metaforë e fuqishme për atë që po ndodh me shumë fëmijë në mbarë botën”.
Filmi Loveless, tregon për një çift që përjeton një divorc të vështirë kur djali i tyre 12-vjeçar zhduket.
Drejtori britanik Andrea Arnold, kryetari i panelit gjykues, tha që Loveless, e ktheu një histori të familjes në “një tragjedi universale”, shkruan Insajderi. Ky çmim u nda gjatë edicionit të 61-të të Festivalit të Filmit në Londër./ KultPlus.com