“Pa vend” me regji të Samir Karahodës përzgjedhet edhe në festivalin numër një të filmit të shkurtër në Skoci

Filmi “Pa vend” me regji të Samir Karahodës përzgjedhet edhe në festivalin numër një të filmit të shkurtër në Skoci, përcjell KultPlus.

“Pa vend” do të shfaqet në Festivalin e Filmit të Shkurtër në Glasgow.

Kjo do të jetë edhe premiera skoceze për ‘Pa vend’. Ndërkaq, festivali do të mbahet nga 23-27 mars në Glasgow, Skoci.

Filmi “Pa vend” i zhanrit docu-fiction përcjellë përpjekjet e vazhdueshme të Jetonit dhe Ermeganit të udhëhequr nga trajneri i tyre Rifati që të mbajnë sportin e ping pongut gjallë duke zhvilluar gjenerata të reja të ping pongistëve. / KultPlus.com

Filmi ”Pa Vend” triumfon në Sundance Film Festival, fiton çmimin për filmin më të mirë të shkurtër


Filmi kosovar ”Pa Vend” triumfon në Sundance Film Festival.

“Pa Vend” nga Samir Karahoda fiton çmimin e jurisë si filmi më i mirë i shkurtër dokumentarë në edicionin e vitit 2022 të Festivalit të Filmit Sundance.

Juria e filmave të shkurtër përbëhet nga: Penelope Bartlett, Kevin Jerome Everson, dhe Blackhorse Lowe.

Ata deklaruan motivacionin: “Xhiruar dhe montuar me mjeshtëri, me një ndjeshmëri sfilitëse që e bën atë pothuajse të ndihet si film narrativ, ky vëzhgim delikat, i saktë i një komuniteti të vendosur për të pasur sukses dhe të shkëlqejë në sportin e tyre të dashur, pavarësisht mungesës së burimeve, apo edhe një vendi për t’u mbledhur për lojë, flet fuqishëm për qëndrueshmërinë njerëzore.”

Kjo konsiderohet si një sukses tjetër i jashtëzakonshëm në kinematografinë kosovare. / KultPlus.com

Regjisori Samir Karahoda ftohet të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit

Regjisori i njohur kosovar Samir Karahoda është ftuar të bëhet pjesë e Akademisë Evropiane të Filmit.

Filmi dokumentar i shkurtër ‘Në mes’ ishte debutimi i tij regjisorial, i cili në 2019 shfaqi premierën botërore në Berlinale si filmi i parë kosovar që konkurroi në këtë festival. ‘Në mes’ ishte gjithashtu edhe kandidat për çmimin e Akademisë Evropiane të Filmit EFA në 2019. ‘Pa vend’ është filmi i tij i dytë me metrazh të shkurtër i cili shfaqi premierën në konkurencën zyrtare në Festivalin e Filmit në Kanë në 2021 dhe prej nga u shpërblye me nominim për çmimin e Akademisë Evropiane EFA për filmin më të mirë evropian.

Në shtator 2021, ‘Pa vend’ fitoi çmimin ‘IMDb Pro shortcuts’ si filmi më i mirë i shkurtër në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto.

Samir Karahoda në vitin 2019 është shpërblyer me çmimin vjetor të kinematografisë nga Ministria e Kulturës.

Akademia Evropiane e Filmit u themelua më 1989 si Shoqëri Evropiane e Kinemasë nga presidenti i saj i parë Ingmar Bergman dhe 40 kineast të tjerë për të çuar para interesat e industrisë evropiane të filmit. Synimet e Akademisë janë të ndajë njohuritë dhe të edukojë audiencën e të gjitha moshave rreth kinemasë evropiane. EFA momentalisht numëron rreth 4200 anëtarë nga lëmi të ndryshme të kinematografisë. Samiri i bashkohet grupit të rreth 20 kinestëve kosovar tashmë anëtarë të EFA-s. / KultPlus.com