Rekord botëror, 500 ditë e mbyllur në shpellë

Një grua spanjolle ka arritur të përfundojë sfidën e pabesueshme që i kishte vënë vetes: qëndrimi për 500 ditë brenda një shpelle.

Beatriz Flamini qëndroi e izoluar në një shpellë të Granadës, pa asnjë kontakt me botën e jashtme, që nga data 20 nëntor 2021, duke vendosur kështu një rekord botëror.

Gjithsesi, ashtu siç ka shpjeguar vetë në Instagram dy ditë përpara se ta niste këtë sfidë, “një ekip i madh teknik” e ka ndihmuar për sigurinë e kësaj eksperience.

Qëndrimi në shpellë prej 500 ditësh mund të përjetohet përmes një dokumentari të quajtur “TimeCave”, pasi aventurierja ka rrëfyer dita-ditës se si ka qenë sfida e saj përmes regjistrimeve të bëra me një kamerë GoPro.

Sipas gazetës “Ideal”, gjatë kësaj kohe, aventurieres i janë dashur rreth një ton e gjysmë material dhe ushqim për të mbijetuar në shpellë, përveç 1000 litrave ujë. 500 ditë në të cilat aventurierja ka shfrytëzuar gjithashtu mundësinë për të lexuar afro 60 libra, në një sfidë ku kanë marrë pjesë edhe Universiteti i Granadës dhe Universiteti i Almerisë./ a2cnn / KultPlus.com

Suedezja 103-vjeçare thyen rekordin botëror të hedhjes me parashutë

Një grua suedeze 103-vjeçare ka thyer rekordin botëror të hedhjes me parashutë, dje pasdite pranë Motala, rreth 200 kilometra në jugperëndim të Stokholmit.

Një video nga transmetuesi suedez “SVT” tregoi Rut Larsson duke zbritur butësisht në tokë nën një qiell blu të ndritshëm, ku po prisnin ndihmësit e saj.

Një përfaqësues i Librit të Rekordeve Botërore “Guinness” ishte dëshmitar i ngjarjes.

Larsson, e cila është nga qyteti i Mjolby, tha se i pëlqente ndjenja e zbritjes nga qielli, pavarësisht nga shikimi i saj i dobët. Ajo tha se nuk kishte shfaqur shenja ankthi para ngjarjes, pasi edhe më parë kishte bërë një hedhje të ngjashme në vitin 2019.

103-vjeçarja theu rekordin e mbajtur nga amerikanja Kathryn Hodges, e cila u hodh nga një aeroplan i vogël pranë Seattle në gusht të 2019, në moshën 103 vjeç e 129 ditë. / KultPlus.com