Suedezja 103-vjeçare thyen rekordin botëror të hedhjes me parashutë

Një grua suedeze 103-vjeçare ka thyer rekordin botëror të hedhjes me parashutë, dje pasdite pranë Motala, rreth 200 kilometra në jugperëndim të Stokholmit.

Një video nga transmetuesi suedez “SVT” tregoi Rut Larsson duke zbritur butësisht në tokë nën një qiell blu të ndritshëm, ku po prisnin ndihmësit e saj.

Një përfaqësues i Librit të Rekordeve Botërore “Guinness” ishte dëshmitar i ngjarjes.

Larsson, e cila është nga qyteti i Mjolby, tha se i pëlqente ndjenja e zbritjes nga qielli, pavarësisht nga shikimi i saj i dobët. Ajo tha se nuk kishte shfaqur shenja ankthi para ngjarjes, pasi edhe më parë kishte bërë një hedhje të ngjashme në vitin 2019.

103-vjeçarja theu rekordin e mbajtur nga amerikanja Kathryn Hodges, e cila u hodh nga një aeroplan i vogël pranë Seattle në gusht të 2019, në moshën 103 vjeç e 129 ditë. / KultPlus.com

Arbnora Fejza synon të thyejë sërish rekordin Guinnes, kësaj radhe me Flamurin e Kosovës

Kosova është bërë pjesë e librit të famshëm të rekordeve Guinnes për disa herë me radhë falë punës së artistëve të ndryshëm, shkruan KultPlus.

Arbnora Fejza-Idrizi nga komuna e Skenderajt, deri më tani gëzon dy rekorde Guinnes, por kjo nuk e ka bërë që ajo të ndalet, e kundërta, i ka dhënë motiv për një punim edhe më gjigand.

Arbnora tashmë ka bërë të ditur përmes faqes së saj në Facebook se ka filluar punën për sfidën e radhës për rekordin botëror Guinnes.

Kësaj radhe po krijon mozaikun më të madh të punuar nga letra, apo siç njihet, stili origami me flamurin e Republikës së Kosovës.

Ajo ka thënë për KultPlus se këtë rekord e dëshiron si dhuratë për shtetin e Kosovës për nderë të Pavarësisë.

“Pasi jam mbajtëse e dy rekordeve të veçanta, ëndrra ime ishte të realizoj një rekord edhe më gjigand. Dëshiroj që për nder të Pavarësisë të kem një rekord dhuratë për shtetin e Kosovës, “Flamurin e Kosovës “mbi 1200m2”, ka treguar Arbnora.

Me këtë rekord, Fejza-Idrizi do të përfaqësoj gjimnazin “Hamëz Jashari”.

“Po synoj të fitoj pasi këtë rekord për momentin e mbanë një shkollë në Mongoli.

Krejt për fund, Arbnora ka falënderuar Komunën e Skënderajt, Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Kompaninë “Meka” për mbështetjen e ofruar për këtë punim. / KultPlus.com