Alarm i rremë për bombë në Rektoratin e UP-së

Policia e Kosovës bëri të ditur se pas kontrolleve të kryera në hapësirën e Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, alarmi për mjete shpërthyese ka rezultuar të jetë i rremë.

Më herët gjatë ditës, Policia e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se rreth orës 12:00 kanë pranuar informatën se dyshohet për shpërthime të mundshme në Rektoratin e UP-së.

“Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike”, thanë nga Policia e Kosovës./ KultPlus.com

Alarm për bombë, rrethohet përsëri Rektorati

Lajmin për alarmin e ka konfrimuar zëdhënësja e policisë së Kosovës, Flora Ahmeti.

“Rreth orës 12:00 është pranuar informata për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Rektoratin e Universitetit “Hasan Prishtina” në Prishtinë. Informacionet e para flasin se kanosja e dyshimtë ka ardhur përmes postës elektronike. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situaten”.

Hidhet baltë mbi objektin e Rektoratit: Kjo është fytyra e vërtetë e Universitetit

Aktivistët e Organizatës për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) dhe të organizatës “Admovere” sot kanë pasur një aksion para Rektoratit të UP-së ku me këtë rast edhe kanë hedhur baltë mbi objektin e Rektoratit të UP-së. Kjo reagim vjen me arsyetimin se Këshilli i Etikës nuk po e zbaton kodin e Etikës dhe e arsyeton plagjiaturën.

Shkëlzen Gashi nga Admovere ka thënë se Këshilli i Etikës i ka hedhur poshtë dy raste të plagjiaturës të profesorëve universitar të cilat kjo organizatë i ka adresuar në Rektorat. Sipas tij, pas këtij veprimi të Këshillit të Etikës, ekzistenca e këtij Këshilli është krejt e panevojshme.

Ndërkaq, drejtori i ORCA-s, Rron Gjinovci ka thënë se deri në shkarkimin e Këshillit të Etikës nuk do të ndalen me aksione.

“Nuk do ta lejojmë që Këshilli i Etikës apo kushdo tjetër të bëjë shaka me ne përmes përgjigjeve absurde se nuk paskan kompetencë apo të bëjë shaka me cilësinë në universitet, prandaj sot, veç e fillojmë vargun e aksioneve, takimeve me organizata studentore, organizata të shoqërisë civile, medie e hisedarë të tjerë relevant, në mënyrë që ditët dhe javët në vazhdim të organizohemi për çkapjen e Universitetit nga mosdija nën kërkesat për: Shkarkimin e menjëhershëm të Këshillit të Etikës; Formimin e një komisioni për verifikimin e plagjiaturave; Formimin e një komisioni për verifikimin e të gjithë titujve akademikë”, është thënë mes tjerash.

Më 21 shtator 2018, ADMOVERE publikoi raportin «STAFI AKADEMIK I UP-SË – studimet, angazhimet tjera, plagjiaturat, vlerësimet dhe përpjesa staf-studentë». Një prej qëllimeve të këtij raporti ishte edhe radhitja e të gjitha rasteve të plagjiaturave të pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së, për të cilat është raportuar në media përgjatë viteve, që nga vetë themelimi i UP-së (raporti mund të shkarkohet në: http://admovere.org/stafi-akademik-i-up-se/).

Gati një muaj pas publikimit të këtij raporti, më 15 tetor 2018, në emisionin «Puls» të KTV-së, të organizuar pikërisht për këtë temë, Rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema, kërkoi nga drejtori ekzekutiv i ADMOVERE-s dhe njëri prej autorëve të raportit, Shkëlzen Gashi, që të gjitha dëshmitë për pretendimet për plagjiatura të pjesëtarëve të stafit akademik të UP-së, t’i dërgojë në instancat përkatëse të UP-së, duke u zotuar publikisht se do të nisë menjëherë procedurë në Këshillin e Etikës të UP-së (emisioni mund të shikohet në: https://www.youtube.com/watch?v=YtL-9v5t8To).

Dy javë pas këtij debati televiziv, më 31 tetor 2018, ADMOVERE deponoi në Këshillin e Etikës dokumentacionin me dëshmitë e plagjiaturave për dy pjesëtarë të stafit akademik të UP-së, prof. dr. Mejdi Bektashi dhe prof. dr. Arsim Morina, si dy prej 16 rasteve më flagrante të plagjiaturës të publikuara në raportin e sipërpërmendur. Tek pas një viti, më 12 nëntor 2019, Këshilli i Etikës së UP-së mori vendim që të hedhë poshtë të dy denoncimet, ndonëse një vendim të tillë do të duhej ta merrte më së largu pas 70 ditëve, e jo pas 377 ditëve. Kjo zvarritje bëhet edhe më e çuditshme kur kihet parasysh se denoncimet e ADMOVERE-s janë hedhë poshtë për arsye procedurale dhe mungesë të kompetencës.

Për rastin Mejdi Bektashi, Këshilli i Etikës pohon se kjo çështje është mbyllur dhe për këtë i referohet një vendimi të ish Rektorit të UP-së, prof. dr. Enver Hasani, të datës 10 maj 2007, i cili thotë se libri i Bektashit nuk është plagjiat. Këshilli i Etikës duhet ta ketë parasysh se ky vendim i ish Rektorit të UP-së prof. dr. Enver Hasani thotë se libri i Bektashit nuk është plagjiat në kuptim të vendimit të Senatit të Universitetit të Prishtinës nr. 112, datë 12 janar 2007 mbi mbrojtjen e pronësisë intelektuale. E ky vendim i Senatit përcakton se vetëm librat e vjedhur mbi 70% nga i njëjti burim, konsiderohen plagjiaturë.

Këshilli i Etikës nuk do të duhej t’u referohej këtyre dy vendimeve të Senatit të UP-së të vitit 2007, por dokumenteve vijuese që mbizotërojnë ndaj këtyre vendimeve, e mbi të cilat edhe funksionon ky këshill:

– «Kodit të Etikës të Stafit Akademik të Universitetit të Prishtinës», të miratuar më 19 korrik 2013, neni 10 i të cilit e konsideron të papranueshme shkeljen e standardeve të ndershmërisë intelektuale, që do të thotë keqpërdorimin e qëllimshëm të shkrimeve, hulumtimeve dhe gjetjeve të të tjerëve (https://www.uni-pr.edu/inc/doc/KodiEtik1.pdf); dhe

– «Rregullores për Masat dhe Procedurat Disiplinore ndaj Personelit Akademik të Universitetit të Prishtinës», të miratuar më 11 prill 2017, në nenin gjashtë të së cilës thuhet se shkelje të rënda konsiderohen, veç të tjerash, edhe shkelja e rëndë e të drejtës së autorit dhe e etikës në publikimet shkencore, e për shkeljet e rënda, parashihet mes tjerash revokimi i gradës shkencore dhe ndërprerja e marrëdhënies së punës (https://www.uni-pr.edu/…/AD34598C-9D62-4DC8-9D68-6DAF237722…).

Ndërkaq, për rastin Arsim Morina, vendimi i Këshillit të Etikës pohon se nuk është në mandatin dhe as në mundësinë e këtij këshillit që të zhvillojë hetime ose të ndërmarrë nisma komplekse për verifikime të pretendimeve që mund të ngriten për cenime të të drejtave autoriale në tekstet universitare ngushtë të specializuara. Këtë detyrë, sipas Këshillit të Etikës, do të mund ta ushtronte më së miri një komision i pavarur dhe profesional, e për këtë duhet të vendosë Senati i UP-së.

ADMOVERE është thellësisht e tronditur dhe e zhgënjyer me këto dy vendime të Këshillit të Etikës të UP-së, sepse tashmë është krejt e qartë se Këshilli i Etikës është organ që nuk e zbaton Kodin e Etikës, dhe, për më keq, e arsyeton plagjiaturën. Rrjedhimisht, pas këtyre dy vendimeve, ekzistenca e mëtejmë e Këshillit të Etikës është krejt e panevojshme. / KultPlus.com