Kosova refuzon kërkesën e Serbisë për rastin e Banjskës

Ministria e Drejtësisë e Kosovës ka thënë të mërkurën se kërkesa e Serbisë për të siguruar informacione për sulmin në Banjskë të Zveçanit, një vit më parë, është në kundërshtim me disa pika të Ligjit për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, dhe në bazë të ligjeve të Kosovës, vetëm organet gjyqësore të Kosovës kanë juridiksion t’i gjykojnë çështjet që pretendohet se janë kryer brenda territorit të vendit.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i armatosur serb e ka sulmuar Policinë e Kosovës në Banjskë, duke lënë të vrarë zyrtarin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjakun.

Në shkëmbim e sipër të zjarrit janë vrarë edhe tre sulmues serbë.

Përgjegjësinë për sulmin – që Kosova e konsideron terrorist – e ka marrë ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili tani besohet se është në Serbi.

Hetimet për këtë rast po kryhen në Kosovë nga Prokuroria Speciale, dhe burimet e Radios Evropa e Lirë brenda këtij institucioni, kanë thënë se para vjeshtës pritet të ngrihet një aktakuzë në rastin Banjska.

Hetime për këtë rast po kryen edhe Prokuroria e Lartë në Beograd, e cila ka kërkuar informacione në Kosovë për rastin Banjska, përmes Misionit të Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit, EULEX.

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka konfirmuar javë më parë për Radion Evropa e Lirë se e ka pranuar kërkesën e autoriteteve të Serbisë dhe ua ka përcjellë autoriteteve të Kosovës.

Në reagimin e Ministrisë së Drejtësisë është përmendur që Kosova nuk ka marrë asnjëherë përgjigje nga Serbia, në kërkesën e bërë në tetor të vitit të kaluar, “për dorëzimin e kriminelëve në mënyrë që ata të përgjigjen para drejtësisë në Republikën e Kosovës”.

Kjo ministri ka bërë thirrje për një kryerjen e një hetimi ndërkombëtar për, siç ka thënë, “bazat e trajnimit të terroristëve në territorin e Serbisë, përfshirjen e Serbisë në financim dhe furnizim me armatim të terroristëve”.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, më 14 gusht se, Kosova mund të ndihmojë në mbajtjen e Radoiçiqit përgjegjës për veprën penale.

Sa e di unë dhe zyrtarët serbë kanë folur për këtë, ata kanë parashtruar kërkesë zyrtare përmes kanaleve zyrtare për ndihmë juridike reciproke, që t’ju sigurohen provat që iu duhen për ta ndjekur penalisht z. Radoiçiq, të cilat i kanë autoritetet kosovare. Sërish, në baza politike, do të shpresoja që Qeveria e Kosovës t’i përgjigjet kësaj kërkese, sepse dëshironi që të siguroni që të ketë ndjekje penale dhe që z. Radoiçiq, si dhe të tjerët që ishin të përfshirë, të japin përgjegjësi për veprën e tyre kriminale”, ka thënë Hovenier.

Mekanizmi ndërkombëtar u ka bërë thirrje disa herë autoriteteve në Serbi që t’i mbajnë përgjegjës të gjithë ata që kanë përgjegjësi për këtë rast.

NATO: Aktualisht kemi prezencë të mjaftueshme në Kosovë

Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO) tha se nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare nga Kosova për shtimin e numrit të trupave në misionin e saj, KFOR.

Një zyrtar i NATO-s i tha Radios Evropa e Lirë se KFOR-i aktualisht ka kapacitetet e nevojshme për të ofruar siguri dhe lëvizje të lirë për të gjithë qytetarët, bazuar në mandatin që ka.

“KFOR-i mbetet plotësisht i aftë për të përmbushur misionin në përputhje me mandatin e tij të Kombeve të Bashkuara”, tha zyrtari i NATO-s.

Ky qëndrim pason thirrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili kërkoi që NATO-ja të shtojë numrin e trupave paqeruajtëse në Kosovë, pas tensioneve të fundit me Serbinë.

“Një rritje substanciale e ushtarëve të NATO-s dhe pajisjeve ushtarake në shtetin tonë do të përmirësonte sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, tha Kurti për gazetën gjermane, Die Welt më 1 janar.

I pyetur nëse NATO-ja do ta shqyrtonte një kërkesë eventuale zyrtare të Qeverisë së Kosovës për shtimin e kapaciteteve, zyrtari i NATO-s tha se “çdo ndryshim në prezencën e NATO-s bazohet në rrethana dhe kushte të caktuara”.

“Trupat e KFOR-it po monitorojnë nga afër situatën në terren dhe janë plotësisht të përgatitura për të ndërhyrë nëse stabiliteti, siguria dhe liria e lëvizjes janë në rrezik”, tha zyrtari i NATO-s për REL-in.

Duke iu referuar thirrjes së kryeministrit Kurti, ky zyrtar tha se NATO-ja ka qenë e përkushtuar për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor për dekada dhe se misioni i KFOR-it, me afro 4.000 trupa, është “demonstrimi më i prekshëm i këtij angazhimi”.

Forcat e misionit paqeruajtës i NATO-s në Kosovë, KFOR, u vendosën në Kosovë pas përfundimit të luftës më 1999 me synim që të garantojnë sigurinë.

Qeveria: Rritja e prezencës së KFOR-it, spraps planet serbo-ruse

Ditë më parë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për gazetën gjermane “Die Welt”, tha se rritja e prezencës ushtarake të KFOR-it në Kosovë do të kontribuonte në sigurinë dhe paqen në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Qeveria e Kosovës tha se kërkesa e kryeministrit lidhet me “situatën e krijuar pas ngritjes së 16 barrikadave në katër komunat në veri të vendit nga grupe kriminale atje, përfshirjes së personave me lidhje direkte apo indirekte me ‘Wagner’ dhe ‘Ujqit e Natës’ dhe deklaratave kërcënuese të Serbisë”.

“Prania shtesë e NATO-s në Kosovë spraps planet e errëta Beograd-Moskë për Ballkanin Perëndimor”, thanë nga Qeveria për Radion Evropa e Lirë.

Ekzekutivi shtoi se rritja e prezencës së KFOR-it, do të ishte mundësi e mirë për rritje e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të përbashkëta./ KultPlus.com

REL: Kosova, vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor

Kosova ka zënë vendin e 64’t në një listë prej 179 vendesh të botës, për nivelin e demokracisë.

Shteti më i ri i Evropës, sipas listës së publikuar nga Radio Evropa e Lirë, është vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor, transmeton KultPlus.

Pas Kosovës pozicionohet Maqedonia e Veriut, që ka zënë vendin e 71’të, dhe Bosnja e Hercegovina, që pozicionet e 83’ta.

Shtetet tjera të Ballkanit Perëndimor, si Shqipëria, Mali i Zi, dhe Serbia, janë listuar si vende autokratike.

Shqipëria është renditur e 87’ta, Mali i Zi i 99’ti, ndërkaq Serbia e 139’ta.

Nga shtetet tjera ballkanike, Kroacia është vlerësuar si shtet demokratik, duke zënë vendin e 55’të, ndërsa më së miri qëndron Sllovenia, në pozitën e 34’t. / KultPlus.com