Për shekuj me radhë në Vietnam, kremtohej “Dao Mau”, ose adhurimi i Nënës Perëndeshë, që konsiderohej një burim force dhe frymëzimi shpirtëror.
Përgjatë viteve, feja është zbehur, por praktikat e saj, kohët e fundit, kanë parë një ringjallje pas shpalljes nga UNESCO në 2016, si trashëgimi kulturore jomateriale.
Në Hanoi, udhëtarët mund të ndjekin një pjesë të këtyre shfaqjeve të ritualeve, që portretizojnë një praktikë të quajtur “hau dong”, një lloj rituali i posedimit të shpirtit. “Adhurimi i perëndeshave nëna është një besim popullor në Vietnam. Ka kohë që ekziston. Vietnami është një vend bujqësor, kështu që adhurimi i perëndeshave të bujqësisë është i zakonshëm”, tha për CNN Travel kreu i studimeve fetare të Vietnamit, transmeton KultPlus.
Përkushtuar ndaj hyjnive femra, adhurimi i Nënës Hyjneshë nisi në shekullin e 16-të si kundërshtim ndaj ideve dhe lëvizjeve që i shihnin gratë të nënshtruara dhe pasive në shoqëri.
Gjatë këtyre ceremonive, gratë vishen me kostume shumëngjyrëshe, i bëjnë dhurata Budës, interpretojnë valle popullore dhe i bëjnë lutje perëndeshave të zbresin dhe të zotërojnë trupat e tyre. Kur shpirtrat besohet se kanë hyrë në trupat e tyre, ata thonë se ndryshojnë personalitet dhe të gjitha veprimet dhe fjalët thuhet se janë ato të shpirtit. Në këtë mënyrë, sipas kësaj besëtytnie këto shpirtra do t’i bekojnë ata me shëndet, shpresë, lumturi dhe fat të mirë.
Konsideruar një ceremoni supersticioni gjatë sundimit komunist, “hau dong” ishte i ndaluar deri në 1987. Me kalimin e viteve, rituali është modernizuar me një fluks praktikuesish të rinj, të cilët jo gjithmonë ndjekin zakonet e lashta. / KultPlus.com