Frymëzimi mund të vie kudo e kurdo prandaj dhe një artist asnjëherë nuk e di se nga do ti vie ideja për krijimin e tij të ardhshëm.
Remington Robinson nga Chagrin Falls, Ohio, nuk e ka menduar asnjëherë si ide krijimin e një arti të tillë pas transferimit në Boulder, Colorado. Si një artist me një pasion për pikturimin e maleve, Robinson pëlqen të kalojë kohë në natyrë dhe në një nga këto ekspedita frymëzuese, ai erdhi me një qasje të re brilante ndaj artit. Ai filloi të krijojë mini piktura marramendëse, të cilat zinin vendin në një kuti prej teneqeje “Altoids”.
“Kam parë dikë tjetër duke bërë diçka të ngjashme, dhe gradualisht edhe vetë fillova që të pikturoj gjëra më të vogla dhe më të vogla, derisa një ditë thash ‘pse jo?’. Prandaj fillova të bëja piktura të tilla. Kjo ka filluar rreth tre vite më parë”, ka thënë artisti për mediat e huaja, përcjellë KultPlus.
Nëse mendoni se pikturat mund të humbnin hijeshinë dhe vlerën e tyre kur futen në një kuti të vogël, duhet të shikoni veprat e artit të Robinsonit. Artisti arriti të kapte bukurinë e peizazheve pa e cenuar, pavarësisht nga madhësia e kufizuar e kanavacës së tij.
Artisti ka shpjeguar se frymëzimin për punën e tij e gjenë nga vetë natyra.
“Frymëzimi më i madh për punën time është vetë natyra. Unë konsideroj se çdo pikturë e vetme që prodhoj është një studim i ligjeve krijuese-natyrore që rregullojnë gjithë natyrën, të cilën unë e mësoj pjesërisht përmes përvojës sime, dhe pjesërisht nga një njohës dhe mësues imi shumë i veçantë, autori im më i preferuar zviceran ‘Billy’ Eduard Albert Meier. Meier ka shkruar mbi 60 libra që merren me natyrën e realitetit, shkakun dhe efektin. Gjersa unë jam duke pikturuar ndjej një soditje të thellë për gjërat të cilat ky autor i ka shkruar. Por edhe puna e Claude Monet dhe piktorëve të tjerë më jep motivim që unë të vazhdoj me artin tim dhe të përmirësohem çdo ditë e më shumë.”
Robinson për mediat e huaja ka thënë se realizimi i një pikture të tillë i merr 1 deri në 3 orë, megjithatë ka pasur raste kur i janë dashur edhe 6 orë për të përfunduar një pikturë të vogël. Ai gjithashtu ka shtuar se në të ardhmen dëshiron që të hulumtoj Evropën dhe të bëjë piktura edhe atje, ngase peizazhet e gjelbërta e kanë mahnitur çdoherë. / KultPlus.com