Në kuadër të ReMusica, mbrëmë ReNew ka sjellur në natën e tretë kitaristin Diar Aliu dhe grupin “Trio Elogio”, me në krye Petrit Çekun. ReNew është program që ka shërbyer si skenë për promovimin e artistëve të talentuar kosovarë.
Diar Aliu, me disa interpretime mbrëmë e me tinguj të qetë nga kitara e tij, bëri që salla të mbushej dhe u shpërblye me duartrokitje të shumta, pas çdo interpretimi. Mbrëmja filloi pak minuta pas orës 19:00, ku nën dritën që po e përcjellte vetëm Aliun, filloi menjëherë me interpretimin e parë, që ishte “Grande Ouverture” nga Mauro Giuliani.
Pas duartrokitjeve të shumta nga publiku, kitaristi i ri vazhdoi me një program nga Federico Moreno Torroba, duke interpretuar disa këngë të tij si “Castillos de Espana”, “Alcaniz”, “Siguenza” e “Torija”.
Tutje, ai vazhdoi të interpretonte këngë të Mario Castelnuovo, Krzyztof Penderecki e Heitor Villa-Lobos. Pikërisht kur u mendua se Aliu e përfundoi interpretimin, ai u kthye sërish për interpretimin e fundit, mirëpo këtë radhë bashkë me Kuartatin Harkor Amati, që është formuar në vitin 2023 dhe përbëhet nga vajzat e talentuara si Fjolla Koxha dhe Eliona Raqi në violinë, Alkesta Gllogjani në violë dhe Donjeta Cërmjani në violonçelo. Vajzat janë bashkuar për të promovuar muzikën kamertale me një nivel të lartë cilësie. Kuarteti ka performuar në ngjarje të rëndësishme dhe duan të ndajnë enërgjinë pozitive dhe unitetin e tingujve të tyre me publikun.
Pas performimit te tyre, programi i Diar Aliut perfundoi me shumë duartrokitje, lavdata e shumë përshendetje nga publiku për të, duke vazhduar edhe me fotografi.
Në një pauzë prej 5 minutash para se të fillonte koncerti i dytë, KultPlus pati mundësinë që të realizonte një bisedë të shkurtër me Aliun. Ai tha se ishte shumë i lumtur që ishte pjesë e ReMusica dhe ishte një emocion shumë i madh, duke shtuar se edhe përgatitjet kanë shkuar shumë mirë.
“Kam qenë shumë entuziast për festivalin ReMusica dhe kemi bërë prova edhe me Kuartetin, ka qenë një eksperiencë shumë e mirë para festivalit edhe gjatë koncertit”, është shprehur kitaristi Aliu.
Tutje ai tha se ishte hera e tij e parë si solist në Remusica dhe që ishte pjesë e koncerteve në mbrëmje. Ai tha se ishte një eksperiencë që nuk do ta harroj kurrë.
Ndërsa, për projektet që do e shohim tani e tutje, Aliu nuk shpalosi asgjë, duke thënë se nuk i dihet me çfarë projekti do të merret. Aliu është kitarist i shquar klasik, që aktualisht studion në Universitetin e Muzikës dhe Arteve Skenike në Graz të Austrisë. Gjatë karrierës 10-vjeçare ai ka fituar çmime prestigjioze në Greqi, Kosovë, Mal të Zi, Bullgari, Turqi, Austri e Gjermani.
Ndërsa, mbrëmja vazhdoi me koncertin e dytë të mbrëmjes, ku performuan “Trio Elegio”, që është nje grup që u themelua në vitin 2009 nga Petrit Çeku, Pedro Ribeiro Rodrigues dhe Tomislav Vukšić, muzicientë që kanë përfunduar Akademinë e Muzikës në Zagreb. Trio Elogio u mirëpriten me shumë entuziazëm nga publiku, duke filluar menjëherë me programin e tyre, fillimisht me një interpretim të Wolfgang Amadeus Mozart, duke vazhduar më pas me disa interpretime të Bruno Vlahek. Pastaj, ata vazhduan me “Follow the Star” nga Stephen Schubert.
Ndërsa, programin vendosën që ta përmbyllin me “Four Impromptus” nga Franz Schubert. Grupi Trio Elogio kanë performuar në festivale të mëdha ndërkombëtare si Grachtenfestival, Wonderfeel (Holandë), Festival Internacional de Musica de Marvao, Cistermusica (Portugali), Kyburgiade (Zvicër) dhe Alpenarte (Austri), në festivale te muzikWs dhe seri koncertesh në të gjithë Kroacine si Zagreb Kom, Festivali Veror i Dubrovnikut, Mbrëmjet Muzikore në Shën Donat, Festivali i Muzikes Samobor, Mbrëmjet Muzikore të Osorit dhe Tribuna Muzikore në Osijek. Ata kanë arritur bashkëpunime te suksesshme me muzicientë të njohur, përfshirë Santiago Canon Valencia, Sara Ferrandez, Gili Schëarzman, Filip Mercep, Ivana Kuljeric Bilic dhe Sebastian Manz. Trio Elogio është fitues i mimit “Milka Trnina” të Shoqates Kroate të Artistëve të Muzikës për arritjen më të mirë muzikore në vitin 2022./KultPlus.com