Vajza e ish-sekretares amerikane të Shtetit Madeline Albright, Alice Albright, ka ardhur në Kosovë në cilësinë e drejtoreshës së Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), ndërsa do të jetë pjesë e një varg aktivitetesh të organizuara nga Fondacioni i Mileniumit të Kosovës.
Sot në mëngjes, Alice Albright ishte pjesë e përurimit të tri ndërtesave të renovuara në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe kryetari i Prishtinës Përparim Rama.
Bashkëpunimi në mes të MCC-së dhe Kosovës ka nisur në vitin 2017 me nënshkrimin e marrëveshjes për investimin e 49 milionë eurove në vend.
“Që nga viti 2004 MCC në bashkëpunim me 40 shtetet e botës i kanë ndihmuar gjithandej në botë për të shtyrë përpara rritjen ekonomike dhe zvogëlimin e varfërisë… MCC me Kosovën ka bashkëpunuar që nga viti 2017 kur kemi bërë nënshkrimin e marrëveshjeve, me Kosovën kemi punuar bashkërisht në furnizim në energji elektrike, në sundim të ligjit etj”, tha Albright.
Ambasadori amerikan Jeffrey Hovenier, tha se ShBA-ja do ta ndihmojë Kosovën në kapërcimin e krizës energjetike.
“Siç e dini kriza e energjisë që po ndodhë në botë është duke ndodhur edhe në Kosovë. Natyrisht ShBA është duke ndihmuar Kosovën. Këtu kemi një partneritet te fuqishëm, shpresojmë që banorët do ta keni një dimër më të ngrohtë”.
Ai shtoi se MCC ka investuar me 60 për qind për renovimin e soliterave, komuna e Prishtinës 30 për qind dhe banorët 10 për qind.
Ndërkaq kryetari i Prishtinës Përparim Rama, tha se pret që investime të ngjashme të bëhen edhe në ndërtesa të tjera të kryeqytetit.
MCC ka ndarë 11 milionë euro për kursimin e energjisë në Kosovë.
Puna në soliterat e Prishtinës, pritet të përfundojë pas dy javës javësh. / KultPlus.com