Të hënën mbrëma u shfaq reportazhi për rinovimin e katit të parë të objektit “Gërmia”, dhe transformimin e hapësirës në galerinë në të cilën sot ekspozohet dokumentimi i rezistencës mbi një dekadëshe civile dhe të armatosur të Kosovës, deri në lirinë e saj, përmes Reporting House.
“Reportazhi dhe organizimi i mbrëmshëm në veçanti iu dedikua të gjithë punëtorëve të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) që punuan në rinovimin e kësaj hapësire dhe kthimin e saj për komunitet, si dhe bashkëpunëtorëve institucional, dhe partnerëve që mbështetën realizimin e Reporting House, një nga ta edhe Ministria e Kulturës”, bëhet e ditur një njoftimin e Ministrisë e cila në këtë mbrëmje u përfaqësua nga zëvendësministrja, Daulina Osmani.
Reportazh i gazetarit francez Robert Vaucher botuar në gazetën franceze “L’Ilustration”:
Lufta Parë Botërore e vuri Shqipërinë për herë të parë nën vëzhgimin dhe interesin e drejtë për së drejtë të Fuqive të Mëdha. Territoret shqiptare kishin qenë dhe më parë nën vëzhgimin dhe interesat gjeostrategjike të Fuqive të Mëdha të paktën që nga Lidhja e Prizrenit por kësaj radhe ushtritë dhe shërbimet e tyre mbështetëse ishin të pranishme në territorin e Shqipërisë të krijuar nga Fuqitë e Mëdha në 29 korrik 1913. Për këtë arsye dëshmitë arkivore të kësaj kohe marrin një rëndësi të veçantë pasi janë dëshmi që paraqesin ngjarjet, balancën e forcave si dhe japin informacion të drejtë për së drejtë për popullsinë dhe jetën sociale. Përpos këtyre dokumentave arkivore ka dhe dëshmi të tjera të rëndësishme si reportazhe gazetash, letra ushtarësh të dërguara nga fronti apo dhe libra udhëtimesh , përshtypjesh dhe mbresash.
Një informacion shumë i rëndësishëm për Luftën e Parë Botërore, zonën e pushtimit italian dhe francez janë reportazhet e gazetarit të famshëm francez, korrospodentit të gazetës së famshme france “Le Ilustration” Robert Vaucher ( 1890-1977). Më 1910, ai shkoi të studionte për Shkencat Tregtare në Shkollën kombetare greke të gjuhëve e të tregtisë në Kostandinopojë nga ku filloi të dërgonte artikujt e tij te pare per Svicera Liberale. Shumë shpejt u gjend ne Romë në shërbim të agjencisë Stefani. “L’Illustration”, gazeta e famshme franceze, i besoi atij një post si korrespondent lufte, dhe nga viti 1914 – 1919, detyra e korrospodentit do e çonte nga Dardanelet në Serbi, në Shqipëri dhe në fund në Rusi. Në këtë të fundit ai nuk nguroi të transmetonte mesazhe konfidenciale për llogari të Francës, gjë qe do t’i kushtonte, sepse do te denoncohej nga bolshevikët si agjent i imperializmit francez. Si korrospodent lufte në Shqipëri ai raportoi nga Vlora, Tepelena, Gjirokastra, Leskoviku e Korça. Edhe pse nuk ishte një njohës i mirë i terrenit më parë apo edhe pse qe shkolluar në një shkollë greke në të cilat mësohej se territoret shqiptare të Shqipërisë së Jugut i përkisnin Greqisë, Robert Vaucher raportoi dhe shkroi shkrime që tregojnë për një etikë profesionale dhe shumë afër realitetit. Reportazhi që po botojmë është nga hyrja e trupave italianë në Tepelenë pikërisht në ditën e Krishtlindjeve në 25 dhjetor 1916. Deri pak më parë Tepelena si dhe disa territore të tjera ishin mbajtur pushtuar nga forcat greke dhe ishin bërë shesh luftimi mes çetave patriotike dhe terrorit të mbjellë gjithandej nga Legjionet te shenjta greke të organizuara kryesisht me të burgosur dhe luftëtarë nga Kreta. Voucher rrëfen edhe për Ali Pashën dhe kontaktet e tij me Napoleonin dhe trupat franceze në Korfuz, masakrën e Hormovës të organizuar nga grekët dhe Tepelenën e djegur nuk ngurron ta quajë një Pompe modern. Në rrëfimin etij ndihet keqardhja dhe ndjesia për ti qendruar afër realitetit por nuk mungon dhe gjuha e tipit kolonialist kur shqyrton veprimet e Ali Pashës ndaj francezëve si motive kusarie dhe në përgjigjen e ashpër të Napoelonit e shikon si të vetmen rrugë që duhet përdorur për të komunikuar me popuj të tillë. Po kështu ndihet një dozë romantizmi kur banorët ë Hormovës i konsideron si ushtarët e Skënderbeut të masakruar nga turqit, kur dihet e Hormova u shkatërrua në 1784 nga Ali Pasha Tepelena. Zona e pushtimit italian, gjatë Luftës së Parë Botërore përfshinte krahinat përreth Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Përmetit, Kolonjës e Tepelenës, të cilat përbënin një zonë me rëndësi strategjike për Italinë. Qytetet që bënin pjesë në zonën e pushtimit italian ishin kryesisht qytete të vogla, përveç Gjirokastrës e cila numëronte rreth 11.000 banorë, popullsia e qyteteve të tjera nuk ishte më shumë se 5 mijë secili. Administrimi i qyteteve dhe zonave rreth tyre ishte me dorë të hekurt, përsa i përket marrjes së vendimeve administrative, por shumë më efektiv se ai i mëparshëm osman, përsa i përket krijimit të një kulture administrative, që do të vendosej në themelet e shtetit shqiptar pas viteve 20’.
Një eskursion në Tepelenë
Tepelenë, 25 dhjetor 1916
Kuajt tanë rrëshqasin në kalldremet e lagështa të Gjirokastrës. Sapo u gdhi dhe ne zhytemi në mjegullën përgjatë rrugës më zhavorr duke iu drejtuar Drinos. Fshatrat janë të vendosura në shpatet e maleve, në luginë ku nuk mund të banohet sepse përmbyten shumë shpesh. Shpesh herë duhet të kalojmë përrenjtë, degë të Drinos dhe në fund kuajt tanë zhyten deri në gjoks në këtë lumë. Sidoqoftë, kalorësit e eskortës sonë luajnë me vështirësitë, ata i përkasin një shkolle të mirë. Gjenerali Komandant i Shqipërise Jugore është një kalorës i aftë. Gjatë disa ditëve të kaluara me atë, unë munda të vlerësoj guximin e tij dhe pa hezitim ndonjëherë e ndjek në udhëtimet e tij. Do të më kujtohen gjatë disa prej shkëmbenjve që iu ngjitëm me kal. Ndërsa patkonjtë e kafshëve tona rrëshqasin mbi gurin e lagësht, duke bërë shkëndija. Pasi kaluam per herë të fundit Drinon në një urë të vjetër guri gungaç, rruga ndjek një grykë të ngushtë e piktoreske, pastaj papritmas të shpie në guaskën e thellë te Tepelenës në pjesën e poshtme të së cilës Vjosa shkarkon ujrat e baltosura. Dikur, Tepelena i ngjante një qyteti të fortë me kalanë e saj te lashtë te Ali Pashës së Janinës, muret mbrojtës dhe të lartë të së cilës zbresin pothuajse deri në lumë. Këto mure janë e vetmja gjurmë e mbetur e fuqisë së pashait të tmerrshëm që, me dinakërinë e tij, i krijoi shumë vështirësi gjeneraleve francezë H, dhe këtë e raporton M. A. Boppe, Ministri i Francës pranë qeverisë, në veprën e tij magjepsese: Shqipëria dhe Napoleoni. Perandori, i lodhur nga tradhtia e tij, urdhëronte më 15 mars 1811, Dukën e Cadores: “Bëjeni, ju lutem, një deklaratë nga mua pëe Pashain i Janinës. Ju do e njoftoni atë që me herën e parë që ai të parandalojë furnizimin e Korfuzit dhe të refuzojë kalimin e bagëtive dhe të ushqimeve te destinuara për këtë vend, unë do t’i shpall luftë atij. Butësia dhe mirësjellja nuk kanë asnjë vlerë pranë një njeriu të kalibrit të këtij kusari”. Napoleoni, duke përdorur rrugën e vështirë, fitoi kauzën e tij. Ky është një mësim që kurrë nuk duhet lënë pas dore në këto vende. Kur trupat italiane, pas kalimit te shumë fshatrave gërmadhe mbërriten ne Tepelenë, ushtarët shprehen një britmë gëzimi. Më në fund, pas kaq shumë vështirësive, ata gjetën një qytet të vogël, ku mund të jetojnë në një mënyrë më pak primitive se e maleve që ata kishin përshkuar Por ç’e do! Ishte vetëm një iluzion. Legjionet e shenjta* e kishin shndrruar Tepelenën në hi. Vetëm dy shtëpi kishin shpëtuar: njëra prej tyre kishte shërbyer si kazermë për ushtarët grekë, dhe tjera, si banesë e komandantit të tyre. Në këtë Pompé modern, aleatët tanë gjetën vetëm ca ciganë , pasi njéri ata mund të kishin vetëm emrin. Ata jetonin në rrënojat si kafshë në strofkat e tyre dhe ushqeheshin me bimë. Gratë që u sollën dru italianëve dhe refuzuan monedhat prej ari që iu ofruan si shpërblim, duke mos kuptuar aspak se për çfarë ato copa të vogla prej metali të pangrenshëm mund të përdoreshin. Aktualisht iu shpërndame bukë dhe miell me të cilat ato bëjnë galeta.
Me ardhjen e mbrëmjes, duhet të hipim në kuaj dhe të rifillojme rrugën për Gjirokaster. Nata bie shpejt, një nate e shkëlqyer Krishtlindjeje, e butë dhe e qetë. Ngado mbizotëron heshtja. Ndonjëherë, duke kaluar pranë një poste, ne shohim zjarre të mëdha rreth të cilave ushtarët janë të grupuar. Ne kemi kaluar tashmë më shumë se 70 kilometra, kuajt tanë të lodhur nuk vazhdojnë më. Me vijne ndermend të gjitha skenat e tmerrit që u zhvilluan në këtë vend, per tragjedinë e Hormovës, fshati shqiptar në të cilën, ka katërqind vjet, që gjatë pushtimit turk, muslimanët masakruan gjithë banorët e njohur si (të krishterë si të gjithë ushtarët e Skenderbeut) dhe konvertuan me forcë në Islamizëm gratë dhe fëmijët. Kur grekët u rikthyen, tre vjet më parë, ata u bënë shqiptareve myslimane një trajtim pak më të ndryshëm – hakmarrje me së shumti të urryer që goditën pasardhësit e këtyre të krishterëve të vrarë nga turqit!/Dorian Koci/KultPlus.com
Bukuritë natyrore dhe historike të Shqipërisë vijojnë të tërheqin vëmendjen e medieve ndërkombëtare.
Këtë herë, kanali britanik Channel 14, ka transmetuar një reportazh mbi thesaret e tokës që promovon Shqipërinë turistike.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga xhirimet nëpër Shqipëri të Bettany Hughes, e cila gjatë kësaj fundjave transmetoi në kanalin britanik Channel4, për miliona shikues, “Mrekullitë e Shqipërisë”.
“Bettany do të rikthehet sërish në Tiranë për të marrë pjesë në FESTAForum që e organizojmë në 3-5 prill”, theksoi Kumbaro.
Hughes ftoi turistët të eksplorojnë bukuritë e Shqipërisë, që nga qytetet mahnitëse romake, te arkeologjia e mesjetës së hershme, nga xhevahiret e qytetërimit Osman, deri te bunkerët brutalë komunistë.
Vizitorët e huaj në shkurt 2023 janë rritur me 54% krahasuar me shkurtin e kaluar, ndërsa për dy muajt e parë të këtij viti, mbi 686 mijë vizitorë të huaj kanë frekuentuar Shqipërinë, ose 74% më shumë se e njëjta periudhë në vitin 2022.
Në shkurt të 2022 vendi ynë u vizitua nga 200 997 turistë të huaj, në shkurt të 2023 nga 309 325 turistë të huaj, pra 54% më shumë se vitin e kaluar. Ndërsa në janar- shkurt të 2022 u vizitua nga 395 234 dhe në janar-shkurt 2023 686 536 turistë të huaj, pra 74% më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar.
Shqipëria është e pasur me bukuri natyrore, si peizazhet malore dhe bregdeti mahnitës, të cilat i gjejmë shpesh edhe në guidat e revistat më prestigjioze në botë. Por, përveç këtyre, një vend të veçantë po zë gjithnjë e më shumë turizmi kulturor, ku muzetë dhe kalatë e shumta anembanë Shqipërisë po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj./ atsh / KultPlus.com
Mbi kërkimet mbi kostumet arbëreshe të Kundisës janë bërë shumë kërkime por vetëm disa prej tyre kanë dhënë një kontribut të madh. Le të përmendim këtu Rosa Cuccia Genevose, si edhe mësuesit Tommasa Guerin me kolegen e saj Giuseppina Cuccia, papas Nino Cuccia etj.
Isha ulur pranë një bari tek sheshi Umberto I duke marrë informacione mbi arbëreshët e Kuntizës, ku ndodhet edhe shtpia Genovese, një nga familjet më me zë në Kundisë. Më thonë që familja e saj ka në përdorim një arkiv privat ku flitet për një kostum Kundisës së vitit 1717. Familja është trasferuar, por dikush më thotë që ka ardhur Vajza e Rosa Cuccia Genovese, e quajtur Maria, me profesion avokate, banuese në Veri të Italisë,e cila nuk harronte rrënjët e saj dhe zbriste do vit në Kundisë.
Një prej arbëreshëve Spera Francesco, kishte numrin e telefonit të saj dhe kështu u lidhem menjëherë me zonjën Maria Cuccia. Më bëri përshtypje disponibiliteti i saj, gadishmëria për të bashkëpunuar.
Ishte jashtë qendrës, dhe përgjigja e saj ishte: Per 10 minuta jam aty.
Na gjen tek sheshi dhe me buzën në gaz. Na përshëndet, në vështrimin e saj ishte dashuria e gjakut të shprishur, krenaria e të qenit arbëresh, dhe më furnizon me materiale që familja e saj ruante në arkiv.
Bejmë disa foto të dorëshkrimeve që dispononin. Jena traktate noterile, dokumenta të Corte civile të Kundisës, dokumenta të cilat i përkasin viteve nga 1615 deri në vitet 1800. Janë të ruajtura me shume kujdes dhe të lexueshme. Na jep librin që nëna e saj kishte shkruar dhe komentuar dhe pershëndetemi që të dali një libër në gjuhën shqipe mbi Kundisën që ne banorët ta kemi në komodinat tona.
Shfeltojmë materialet
Më tërheq kapitulli Marrveshjet e Martesës (Capituli matrimoniali).
Midis shumë marrveshjeve ishte edhe një akt që i përket martesës Rosalia Musacchia, 16 vjeçe, vajza legitime e Teodoro e Geltrude Musacchia nga njëra anë dhe Pietro Macaluso, bir legjitim i Giovanni dhe Caterina Macaluso, dhe mban datën 23 janar 1706. Gjithësej janë 5 fletë, dhe preëizohet që martesa do të zhvillohet “ alla greca grecaria” shprehje kjo që spjegohet me një instrument dhënë në aktin 1717: secundum morem, rithum ed consuetudines greco rum seuverius, secundum leges et iura communia vulgariter dicta alla greca grecaria”
Një akt tjetër akt ku flitet në mënyrë të qart për një martesë “ more graecorum” me detaje dhe informacione mbi kostumin e Kundisës është ai i vitit 1719.Dokumenti në fjalë, ndryshe nga dokumentat shkruar në latinisht sipas rregullave notarile, ështe përpiluar prej familjarëve të nuses dhe dhëndrit, ku shprehet qart edhe mënyra e tyre të të qenit, të vepruarit si edhe të menduarit, si edhe martesa “alla greca grecaria” dhe kontrata ishte e bërë midis dhendrit dhe babait të nuses.
Paja martesore e viti 1719
8 funde; nga të cilat 3 prej tyre të qendisura me ar, ndërsa 5 të tjera të përditshme
3 cajuli Një e qëndisur, dhe 2 të tjera me tesut kadife dhe garnitur kremi
2 palë mëngë; një palë kadife dhe një palë me lesh.
2 sqepi me garnitur të punur me fije ari të hollë
1 vello puro mëndafshi dhe punuar me fije të hollë floriri.
2 breza të qendisura dhe me një togëz argjendi
2 fodette ( fustane, pelerina) njëra me me copë të hollë dhe tjetra e përditshme leshi
Për sa i përket acesorit të fundit që janë Fodetta, shprehur në djalektin sicilian, e cila kompeton garderpën e gruas arbëreshe dhe është baze e garderopës dimërore. Në rastet gala vishej fundi me shumë pala, i gjerë disi i fryrë. “Vestito di panna” i përket periudhës së rinashimentale
Flitet për një martese, me tesute të çmuara, me ar e argjend, me dekorime por edhe me një madheshti aktit të martesës, ku martesa duhet të tregojë ragun e lart, krenari dhe mirqenie por edhe shkëlqim, martesa këto që edhe sot janë karakteristik e popullit arbëror.
Jo më kot nënat arbëreshe të Kundisës uronin:
“Vafshë e veshur si Ulliri e qiparisi”
Nëna e nuses uron vajzën e saj me këto fjalë:
Shtofshë e burofshë sa rërë ka dejti e sa illëzja (yje) ka qiellia( qielli)
Ky urim ishte urim i trashgimnisë, për të qenë fertile e të shtojë farë e fisin arbëror, që kjo farë mos të zhduket.
Ndërsa cifti i sapo martuar kalon nëpër rrugë, disa fëmijë tundin “ flammeli” (tip flamujsh), dhe hedhin në rrugën që ata përshkruajnë kripë dhe e bukë, veprim që e shoqërojnë me këto fjalë:
Ju buroftë e mira si buka e si kripa.
Shprehje ku përmbledh kodin moral të asaj kohe dhe shoqërie. Kjo derë e re që po hapet ti degjohet zëri i mirë, “Fama dhe voce” . Në vijim kostum i grave i veshur në 1800 në Contessa Entellina,( kolleksione Private) burim Rosa Cuccia Genovese
Kostumi i burrave
Si në shumë krahinat e Kalabrisë ku kostumi i burrave nuk është njohur, në Kundisë kërkuesja e botës arbëreshe e R. C. Genovese, na njeh në arkivin e saj me një analoge “ giambra in sete verde”, qendisur me flori dhe i përket viti 1840. Kostum ky përdorur në Contessa Entellina.
Në vijim analogu i kostumit lartpërmendur.
Kostumi arbëresh e krijuar nga nxënësit e shkollës
Nga mesuesja Tommasa Guarino mësojmë se një tjetër studiues që u interesua mbi kërkimet e kostumeve arbëreshe të Contessa Entellina\ Kundisa ishte edhe papas Nino Cuccia, i cili interpellon që kostumi më antik i Kundisës është e Familje Mulè, të cilët deri në fillim të shekullit XX ishin në Kundisë dhe më vonë u trasferuan në Palermo. Por deri më sot nuk gjenden gjurmë të kësaj familje në Palermo. Nga kërkimet që janë bërë nuk janë gjetur gjurmë të kostumit të Kundisës para shek të XX.
Në vitin 1937 vjen në Contessa Entellina\Kundisa, suor Giuliana Cusimano nga Piana degli albanesi dhe i lind dëshira që të krijoi një kostum arbëresh dhe si rrjedhoi krijuan edeh disa familje të tjera njò prej tyre kishte edhe Filomena Cuccia . Thuhet që kostumin më të heshme i viti 1935 ka qenë veshur nga zonja Vita Lo Iacono , e cila ishte e njejtë me atë të Piana degli Albanesi. Imitime të tilla vazhduan të krijonin rreth viteve 50.
Kostumi realizuar në 1970\1990
Në vitin shkollor 1978\79 mësueset e shkollës elementare Gjergj Kastrioti; Cuccia Giuseppina dhe Guarino Tommasa marrin një nismë të krijonin kostumin e Kundisës. Qëllimi ishte të rizgjonin identitetin. Kështu fillojnë kërkimet, duke iu rikthyer sunduqeve, por edhe duke bërë kërkime në terren. U morën shumë informacione nga të moshuarit e asaj kohe se çfar ruanin në kujtesën e tyre.
Tommasa, na thotë që shkak për krijimin e kostumit ishte jo vetëm ideja e ringjalljes së etnisë arbëreshe, ruajtja errënjëve, por sa herë që shikoja një foto ku gjyshja ime ishte e veshur me një kostum, të cilin akoma e ruaj në sunduk, më shtynte kurioziteti por edhe një detyrim moral, që ne si komunitet të kishim kostumin tonë si pjesa tjetër e arbëreshëve të Italisë. Kostumi në fjalë ishte një veshje fundi i viteve 1800.
Fustani ishte ngjyrë vjollcë e celur, me një garnitur dhe një tantellë, brënda në sunduk kishte një “ korse- corpetto” shumë aderente, me të njejtën ngjyrë të cilën gjyshja ime e vishte në raste të veçanta.
Kërkimet për krijimin e kostumit u bënë edhe tek personat e vjetër në moshë ku dolën fjalor si; Xhipuni, çerri, xhëllonja, vanterja që korrespondojnë me pjesët përbërse të të gjithave kostumeve arbëreshe në territorin italian.
Tommasa rrëfen se kishte edhe kolegen e saj, Mësuesja Giuseppina, e cila që nga ana tjetër interesohej dhe zbulon që në shtëpi, vjerri i saj Giuseppe Lo Iacono nga viti 1912 -1920 ishte mësues në Vlorë dhe kishte sjellë prej andej një xhaketë, elegante karakteristike e krahinës jugore.
Duke mos patur shumë elemente, dhe një konfuzion, mësueset Tommasa dhe Giuseppina kërkuan ndihmen e e Prof Raffaello Piraino docent në Akademmia belle Arti të Palermos, skenograf dhe kostumista, kishin bërë takim edhe me dott. Trapani della Pettina, atëherë ishte President i Istitutit për mbrojtjen e historisë dhe traditat siciliane iu përgjigjet se; Kostumi që vishet në Pallazzo Adriano dhe në Mezzoiuso mund të jetë edhe ai i Contessa Entellinës\ Kuntisa.
Në vitin shkollor 1997/98 u krijua edhe grupi shkollor folklorik “Brinjat”. Me rastin e “Rishikimit XVI kulturor dhe folkloristik për rritjen e pakicave etnike”, të mbajtur në Contessa Entellina më 30 maj 2009, pas krahasimeve dhe afiniteteve , mori përsipër barrën e dëshirës për të krijuar, njëherë e përgjithmonë, kostume më të hollësishme dhe të dokumentuara nga pikëpamja kulturore, si për zgjedhjen e ngjyrës, për pëlhurën ashtu edhe për modelin për të gjitha vajzat që i përkasin grupit folklorik “Brinjat
Lidhur me bërjen e kostumit arbëreshë të Contessa Entellina, u morën parasysh shkrimet e shkrimtarëve arbëreshë, si N.Chetta dhe A.Dara, dhe gjithashtu të J. Houel; për qëndisjet u përdorën disa dëshmi të marra nga Shqipëria në shekullin e kaluar, për atë që ekziston edhe sot në muzetë e vendeve arbëreshe dhe shqiptare, veçanërisht të Gjirokastrës dhe Greqisë së Atikës dhe Epirit. Ekzistojnë dy versione të kostumit Arbëreshë të Contessa Entellina: një me një jelek dhe një këmishë me mëngë të gjata siç përshkruhet në pikturat e Huel, një me një këmishë më pak të spikatur, por me një xhaketë të qëndisur me shkëlqim me shqiponjën me dy koka në anën e pasme. Arritur në këtë pikë mësueset Giuseppina dhe Tommasa krijuan kostumet: si ato të përditshme ashtu edhe Gala.. Më në fund ia arritën qëllimit. Të gjithë bashkë ndërtuan Kostumet si të përtditshme ashtu edhe kostumin Gala. Në Foto Maria Luisa me kostumin e Kundisës realizar nga mësueset, dhe Vicenco Cilluffo me kostumin fustannella në jug të Shqipërisë .
Ku gjetët mbështetjen financiare për të bërë kostumet arbëreshe?
Në vitet kur punoja unë egzistonte akoma koncepti i “idealit” dhe dhe familjet i kishim mbështetëse të mëdha, ishin të gatshme. Më vjen për të qeshur edhe sot, kur ditën e karnavaleve me maskë dhe në rolin e zingerës kërkoja lek. Me ato të ardhurat blemë copën më të shtrenjë, kostumit Gala . Kriter tjetër që mbajtëm për të krijuar kostumin ishte afërsia që ne kishim me dialektin e Gjirokastrës. Nga ana fonetike e folura e Contessa Entellina\ Kundisa afrohet shumë me të tyren. Prandaj edhe ky kostum ka shumë ngjashmëri me atë të Lunxherisë .
Pasi kompletuan kostumin e të rriturve, ato krijuan edhe kostumin e burrave, marrë nga modeli shqiptar. Qeleshja, jeleku, këmisha, pantallona-benevreke
Këto mësuese nuk u ndalën sepse krijuan grupin artistik të shkollës, ku merrnin pjesë edhe mësuesja e letërsisë Rosalia Scaturro, krijuan grupin e baletit me drejtuesen Valnea Zottino, dhe më vonë kur krijuan edhe kostumet me të mëdhenjtë pjesëmarrëse ishte edhe një nga sartat më të dëgjuara në Palermo Goppi e cila i sygjëronte që kostumet të dilnin sa më të sakta në bazë të kërkimeve të tyre, një ndihmë të madhe iu kishte dhënë edhe Papas Nicolò Cuccia.
Për punën e këtyre mësueseve pati vëmëndjen edhe të mediave
Për këto mësuese të palodhura si Tommasa Guarino e Giuseppina Cuccia, mbi punën e tyre shkroi edhe shtypi.
Gazeta “Shkëndija” organ dyjavore arsimore pedagogjike dhe shoqërore, iu dedikua artikullin “Ngjallim dashurinë për mëmëdheun, ndërsa në Kosovë me titullin “Shtojme dashurinë për gjuhën amëtare”.
Shkruan gazeta “ Katundi ynë”, revista “ Lidhja”. Por edhe shtypi “ Sicilia”
Interessante ishte trasmetimi i valve “ Radio Entella arbëreshe” ku një rubrikë të veçantë e kishte shkolla dhe punimet e aktivitetet e tyre. Ajo periudhë-thotë Tomasina- ishte periudha më artë e epokës sime. Nuk ndjenim lodhje vetëm pasioni dhe dashuri për të bërë diçka të bukur për Horën tonë. /shqiptarja/ KultPlus.com
Elizabeth Gowing rrëfen udhëtimin e saj në Veri të Shqipërisë, në Kukësin ku mblidhen lule, bimë medicinale të cilat janë të pasqyruara në kremrat e bukurisë së kompanive ndërkombëtare. Për BBC Travel ajo rrëfen bisedat me disa prej grave që punojnë në majën e maleve, eksportin, kërkesat dhe një vizitë në shtëpinë e një prej tyre: ‘Ekziston një thënie e tmerrshme nga Kanuni i rregullave tradicionale të Shqipërisë: “gruaja është një plaçkë për t’u përdorur mirë”. Por këtu, gratë me shamitë e tyre dhe gërshetat e gjata të zeza ishin ato që i përdornin mirë plaçkat.’
Nga Elizabeth Gowing
Ndërsa bimët e egra shqiptare kërkohen ndërkombëtarisht, industria ofron mundësi të mëdha ekonomike dhe pavarësi për gra si Donika Musaj në Kukës.
Ishte një fillim i nxituar për udhëtimin tim të mëngjesit, dhe ndërkohë po kërkoja ndonjë krem kundër diellit. Hipa në autobus, po largohesha nga qyteti shqiptar i Kukësit dhe më kishin paralajmëruar se do të ishte dy orë udhëtim me ‘turbullira’. Autobusi ishte i mbushur me njerëz. Pasagjerët kishin lëkurë të pastër dhe strukturë të shkëlqyeshme të kockave, që jam mësuar të shoh tek burrat dhe gratë e rajoneve malore të veriut të Shqipërisë, por bagazhet e tyre më befasuan.
Ekziston një thënie e tmerrshme nga Kanuni i rregullave tradicionale të Shqipërisë: “gruaja është një plaçkë për t’u përdorur mirë”. Por këtu, gratë me shamitë e tyre dhe gërshetat e gjata të zeza ishin ato që i përdornin mirë plaçkat. Pranë meje, një grua kishte një trajstë me bukë të bardhë të freskët, sapo kishte dalë nga furra. Para saj ishte gruaja që dëgjova duke debatuar me shoferin për vendosjen e një çarçafi të madh me kërcej dhe lule, disa prej të cilave kishin mbushur dyshemenë e autobusit.
Për fat të mirë dhe për kureshtinë time, njoha gruan e cila mu prezantua si Gruaja e Naimit. Ishte eksperte e bimëve dhe e zonja e çarçafit që po kthehej në shtëpi nga Kukësi. Më tregoi se tashmë bimët kërkoheshin pa kërcell dhe këto të fundit ua jepte dhenve kur kthehej në shtëpi.
Bimët që kishte mbledhur ishin medicinale dhe janë pjesë e një tregu të madh ndërkombëtar. Më tregoi lulen e verdhë që njihej si lulja e gishtit, pasi sapo ta merrje në duar mblidhej si gishtat e dorës. Një euro për kilogram ishte.
Një tjetër kishte mbledhur lule murrizi. Unë ndërkohë po mësoja më shumë, edhe për fshatin. Të gjitha lulet që këta koleksionistë mblodhën, përfundimisht u larguan nga malet dhe zbritën në Kukës për t’u shitur për eksport. Fshati i njohur si Çaj është tipik për pjesën më të madhe të Shqipërisë, është 77% malor dhe përfiton nga një klimë dhe tokë mesdhetare me fare pak ndotje kimike.
Të gjithë këta faktorë i bëjnë bimët e mbledhura të egra shqiptare veçanërisht të kërkuara ndërkombëtarisht. Industria ofron mundësi të mëdha ekonomike për gratë që ishin në autobusin tim, megjithëse të korrat e tyre duhet të përmbushin standardet ndërkombëtare si p.sh. të mos kenë shumë material të papërdorshëm – si kërcell.
Kur mbërrita në shtëpinë e familjes së Donika Musaj, “Bujtina Musaj”, shpresoja se mund të përshëndetesha me nënshkrimin “çaj mali”, një pije qetësuese, e verdhë si drita e llambës, që është bërë nga bima, Sideritis syriaca. Në vend të kësaj më shërbyen një tisane më të errët, të bërë nga boronicat e thata. “Ne kemi mbledhur 100 kg boronicë vitin e kaluar,” tha Musaj ndërsa piva lëngun e antioksidantëve me kënaqësi.
Kjo familje dhe ato të përfaqësuara në autobus ishin vetëm disa nga më shumë se 100,000 familje shqiptare të përfshira në kultivimin ose korrjen e bimëve medicinale dhe aromatike. Në të gjithë vendin, kjo është afërsisht një në çdo shtatë shtëpi të lidhura me këtë sektor, i cili gjeneron deri në 28 milion dollarë në eksporte. Midis viteve 2018 dhe 2019.
“Eja të shohësh”, tha Musaj dhe më çoi lart për të më treguar kontributin e fundit në atë tonazh të madh bimësh. Ballkoni i saj i sipërm dukej si livadh. Kishte bërë një qilim me lëpusha që thahen në ajrin e ngrohtë të verës. Ajo i kishte lidhur dhe nuk kishte rrezik të binin.
Nga Kukësi, përmes ndërmjetësuesve dhe eksportuesve, bimët e tyre shkonin në kompanitë jashtë vendit që janë të uritura për një cilësi të mirë të primula veris. Përdoren si toners, serume dhe maska sysh me epitete si “shkëlqim” dhe “përsosje e lëkurës”, “shkëlqyes” ose “anti-plakje”, por ato produkte që ne shohim në revistat tona të bukurisë varen nga procesi i tharjes në këto ballkone shqiptare. Mendova për kremin që vura këtë mëngjes dhe pyeta veten se sa orë u desh për ta bërë.
Ndërsa udhëtoja edhe më në veri të Shqipërisë, në anë të rrugës gjeta një grup tjetër grash me çehre të freskëta që tërhiqnin gjethet. Ata thanë se kishin udhëtuar nga një fshat aty pranë i quajtur Gruemirë – emri përkthehet si “Grua e Mirë”. Ata ishin duke punuar me helikrium dhe unë pyeta nëse mund t’u bëja një fotografi.
“Po, por të lutem më bëj të dukem bukur”, tha me buzëqeshje njëra prej tyre. A i detyrohesha ta bëja? Në fakt e kishte në dorë sekretin e bukurisë.
*Autorja Elizabeth Gowing prej vitit 2006 jeton në Kosovë. Ajo është autore e librave “Udhëtime në Gjak dhe Mjaltë”, “Edith dhe unë”, “Gruaja e Zgjedhësit të Plehrave”, “The Thread Silver” dhe “Pozicionet e Nuk ka gjasa në vende të papritura”.
Ajo flet rrjedhshëm shqip dhe është përkthyese e biografisë së Adem Demacit dhe të kujtimeve të Hasan Prishtinës për kryengritjen e vitit 1912. Ajo është gjithashtu një kontribuese e rregullt e programit ‘Nga Korrespondenti ynë Vetë’ i Radio 4.
Në vitin 2016 Presidenti i Kosovës i dha asaj medaljen “Nënë Tereza” për Punë Humanitare dhe në 2017 kryeministrja Theresa May i dha asaj çmimin ‘Pika e Dritës’ për vullnetarët në të gjithë botën. / diasporashqiptare.al / KultPlus.com
Shiu pranveror, shoqëruesi ynë i veçantë në hyrje të kufirit të Shqipërisë kishte kapluar atmosferën në një mbizotërim të lehtë të pikave të cilat binin lehtësisht mbi dritaret tona e që njëkohësisht pamjet e bukura të reve kishin zënë tërësisht vendin e tyre në qiell, por ketë herë jo në formën e tyre të zakonshme, por ato frymonin në hapësirën personale të maleve të larta të cilat jepnin një përshtypje se po bashkoheshin dy botë krejtësisht të ndryshme në një mjegullinë të vetme që nuk po i dukej as fundi e as fillimi, shkruan KultPlus.
Tokat e shtrira e të punuara në vija dëshmonin se bujqësia është aq e pasur ku së bashku me natyrën që posedonte një gjelbërim herë të errët, herë të çelur e herë një e gjelbër e pa identifikuar dhe shtigjet e vogla të rrezeve që depërtonin pingul vende-vende në shkëmbinjtë përreth, në një ndërlidhje me trazirën e ëmbël të shiut dhe lulet shumëngjyrëshe të cilat dalloheshin akoma më shumë kur ngjyra e tyre gjallërohej nën pikat e shiut, këtë peizazh në hyrje të Shqipërisë e bënte akoma më të bukur për ta shijuar e sidomos kur vrojtohet behari që po binte dalëngadalë mbi një fund që ishte e pamundur ta kapje.
Ndalesa jonë e parë në qytetin e Durrësit, i vendosur në brigjet e detit Adriatik dhe i cili jo vetëm që ka një histori të jashtëzakonshme por ngërthen në vete imazhe të veçanta ku pas çdo blloku të banesave në një shtrirje të gjerë mund të admirohet pamja e detit e cila nga larg dukej se sapo kishte filluar shkëlqimin e portretit në një përndritje të ngrohtë por që në të vërtetë nga afër këto valë dinake sa vinin e u rritnin në një epërsi vrazhdësie që shkrihej në breg duke formuar një ikonografi të tyre dhe duke na dhënë një iluzion se këto valë të cilat përplaseshin sa andej e këtej, kanë jetë dhe po njëlloj si kujtimi ynë për dikë, edhe ato jetojnë në përjetësi.
Ndërsa, në mesditë atëherë kur dielli bëhet gati për ta lëshuar fronin e tij, në një tingëllimë mjalti që po ngjyroste kanvasin e zakonshëm të qiellit të kaltër në një ngjyrë rozë e cila po jetësohej përnjëherë duke pikturuar kështu ndjenja entuziaste me një pendë delikate në një spikatje mbretërore që na kishte zënë rob në mbështjelljen magnetizuese të perëndimit. Ndërkohë , aty pranë, siç pamë mund të zhvillohen edhe sporte të ndryshme si ‘kitesurfing’.
Tani, nisja për në qytetin e Vlorës, qyteti bregdetar në jugperëndim të Shqipërisë, na zuri në një adrenalinë të këngëve shqiptare që si dukej na bëri gati për atë se çfarë do të pasonte më vonë. Hyrja e këtij qyteti i cili ka përballë një mal shtatë lart që ishte prezent në çdo kënd ku sytë arrinin të shihnin dhe së bashku me shtëpitë e boshatisura që dhuronin kënaqësi estetike, rrugicat e ngushta me kalldrëm, dyqanet e vogla të vendosura radhazi në dy anët e rrugës të mbushura me suvenire, palmat që nga larg shtriheshin në pëllëmbë të dorës, e shndërronin Vlorën në një klithmë renesance të antikitetit klasik, aty ku parajsa e shtatë magjepset e rrëmbehet pas mëkatit ngazëllues të ekstazës mistike.
Ecjet përgjatë qytetit të Vlorës, shijimi i ushqimit tradicional në gërshetim me atë detar dhe italian, pemët e vendosura në një vijë vertikale, dashamirësia e vlonjatëve, plazhet e shumta, monumentet kulturore, brigjet e pakrahasueshme, deti trazues e tufat e kafshëve që dilnin papritmas në një befasi të dëlirë si dhe përmes peizazheve të këndshme, mund të përjetohen në një rilindje njerëzore ku zgjuarsia, bukuria dhe e vërteta përjetohen në një afsh lirik.
Gjatë ecjes në këtë qytet unik, një kafene mjaft e veçantë e cila dallohet direkt përballë teatrit ‘Petro Marko’, aty ku u shënua historia e themelimit të Teatrit Profesionist të Dramës, e titulluar me emrin ‘Poema Bistro’, ofronte një rehati përmes soditjes së dizajnit bohem, shijimit të ushqimit tradicional, duke filluar nga mishi i pulës me patate dhe qofte, salca e djathit dhe qepëve, buka me vaj ulliri dhe erëza, djathërat e ndryshëm, sallama e pjekur në skarë, makarona, qofte, sallatat e deri tek verërat diversive e në veçanti e bardha që papritmas të bënte pas vetes. Ndërkohë , për të apasionuarit e pianos, për ata që personalisht nuk kanë pasur mundësi ta ndjejnë magjinë që instrumenti sjell, ekzistonte mundësia që të krijonin një interpretim çasti që lehtësisht mbahet mend në rrënjën surreale të kujtimeve.
Gjithashtu, hapja zyrtare e sezonit turistik veror në Vlorë u shënua me koncertin nga artistët si: Marsela Çibukaj, Bruno dhe Klajdi Haruni. Ky koncert mblodhi rreth vetes qytetarë dhe vizitorë të shumtë duke nisur nga moshat më të vogla e deri tek të moshuarit që po shijonin këngët shqiptare duke kërcyer e argëtuar jashtë mase. Malli për të parë një turmë të tillë i gjeti edhe banorët e shtëpive të afërta në ballkonet e dritaret e tyre duke dëgjuar këngë të vjetra shqipe ku ndër to ishte edhe kënga ‘E dehun jam’ nga bilbili i Kosovës Nexhmije Pagarusha, këngë kjo që në brendësinë tonë solli një qetësi shpirtërore.
Kurse, aty ku shtrihet prehri i shkëmbinjve që rrahet ëmbëlsisht nga tundimi i dallgëve manipuluese, ndodhet edhe vija bregdetare e Vlorës e pasuruar me ujërat e detit të kristaltë që ngjason me atë të ‘Côte d’Azure’ në Francë, pikërisht për arsye se ky peizazh ofron paroksizëm poetik, një burim frymëzimi ku krahnori i zjarrmisë pushon nën hijen modeste shpirtërore.
Gadishulli i Karaburunit ka formën e një harku në një gjatësi rreth 15 km që përqafon një peizazh natyror me bregdetin e përthyer, lëndinat e vogla që zbresin deri poshtë, gjiret e shumta dhe të fshehura, kullotat e pasura dhe gëlqerorët e periudhës së paleogjenit ku shikuesi lehtësisht përmes një udhëtimi me anije, mund ta admirojë këtë copëz gjigande e cila pranon puthjet e shumta të ujit përreth. Ndërkohë, në skajin veriperëndimor të Karaburunit, ndodhet Kepi i Gjuhëzës, pika më perëndimore e Shqipërisë ku është e vendosur shpella e Haxhi Alisë, aty ku rrezet e diellit nuk kanë prekur asnjëherë dhe syri i njeriut humbet në lartësinë dhe bukurinë e mahnitshme të saj që duket sikur zotëron një errësirë e cila frymon si gjurmë e vazhdueshme e këtij Gadishulli.
Ky port është i mbushur me anije të vogla të cilat pushonin afër bregdetit në një vijë çoroditëse, ofronin një pamje ku edhe shkrepja e fotografisë më të bukur nuk do të mund ta përçonte emocionin e huazuar për pak çaste nga soditja e bukurive natyrore dhe fluturimit të shpendëve që formonin një trajektore lëvizëse në horizontin përvëlues të venitjes që fishket në papërfytyrësinë e çiltër.
Ky udhëtim që i bashkoi gazetarët e Kosovës për një eksplorim të veçantë, na dërgoi për qëndrim dhe vizitë në disa hotele që ndodhen në qytetin e Vlorës, si: Albanian Star Hotel, Harmonia Hotels Group, Regina Garden Hotel dhe Kraal Hotel. Ndërsa, i pranishëm me ne gjatë gjithë udhëtimit ishte edhe drejtori Azem Bujupi nga portali ”Trip to Albania”, i cili do të hapet zyrtarisht më 30 maj të këtij viti.
Po ashtu, kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli në një prononcim për të gjitha mediat kosovare të pranishme është shprehur se në muajt në vazhdim asgjë nuk do të duket më njëlloj në Vlorë.
“Ne kemi bërë një projekt të ri me Qeverinë Shqiptare dhe Fondin Shqiptar të Zhvillimit që do të ndërrohet tërësisht zona e plazhit të vjetër. Kur unë kam qenë fëmijë, ajo që ishte zona e prindërve dhe gjyshërve tanë, ishte pikërisht kjo këtu”, thotë Leli.
Sipas tij, pandemia gjunjëzoi globin por shqiptarët qëndruan bashkë për të mbajtur gjallë ekonominë e turizmit sepse të gjitha investimet që bëhen kanë nevojë për klientë dhe klientët kanë nevojë për mikpritje, shërbime dhe atraksione të vërteta në vijën bregdetare të Vlorës.
Në fund të këtij udhëtimi është nënshkruar edhe një marrëveshje bashkëpunimi nga portali ‘Trip to Albania’ dhe Bashkisë së Vlorës ku synohet promovimi masiv.
Aktivitetet e ndërmarra nga ky udhëtim janë mundësuar nga ’’Trip to Albania’’ dhe Asociaconi i Gazetarëve të Kosovës.
E themeluar në shekullin VI p.e.s., fillimisht me emrin Aulona, Vlora është qytet i lashtë ku është shpallur Deklarata e Pavarësisë shqiptare më 28 nëntor 1912 dhe konsiderohet si njëri nga portet kryesore të Shqipërisë dhe qyteti më i rëndësishëm ekonomik dhe kulturor i Shqipërisë jugperëndimore, andaj turizmi në këtë pjesë është joshja kryesore për një vizitë në tërë Shqipërinë që pasuri dominuese e ka natyrën dhe historinë. / KultPlus.com
Historia e lashtë e saj dhe burrat e mëdhenj që ajo nxorri në shekuj, të përshkruar me aq mjeshtëri nga kronikanët e huaj, si Evla Celebi, e më pas Pukvili e Bajroni, apo bukuritë përrallore të shumë qyteteve piktoreske dhe krahinave të saj nga jugu në veri, kalatë madhështore mijravjeçare, njerëzit e mrekullueshëm e bujarë me kostumet e tyre karakteristike, dhe kushedi sa çfarë tjetër që ai kishte dëgjuar për vëndin e shqipeve, e shtynë gazetarin rumun, Vlad Vanteanu, që më 1934-ën, të ndërmerrte një udhëtim të gjatë në të gjitha krahinat dhe qyetet e Shqipërisë.
Dhe më pas i mahnitur nga ato që pa, të shkruante disa reportazhe në gazetën “Cuvantul” të Bukureshtit ku ai punonte. Nga ato impresione e mbresa të hedhura me mjeshtëri në reportazhet e tij, ne kemi përzgjedhur për botim ato ku ai flet për Beratin e Gjirokastrën, të cilat po i botojmë të plota dhe pa asnjë shkurtim, në versionin origjinal ashtu siç u përkthyen dhe botuan plot 86 vjet më parë, në gazetën “Besa” të Tiranës, me pronar e botues, Fiqri Rusin.
Reportazhi i gazetarit rumun: “Berati, Margaritar i Shqipërisë qendrore”
Një nga të bukurat qytete të Shqipërisë, me pamje shqiptare të posaçme sikurse edhe Gjinokastra në juglindje, është Berati. Pozita e këtyre dy qyteteve është nga më piktoresket. Berati është shtruarë në rrëzë të maleve të Tomorrit, që është më i larti në Shqipërinë e Mesme e që ka një lartësi mbi 2.500 metra. Është Olimbi shqiptar me perëndi legjendare në të cilën shëtisnin në verë me qindra të krisherë dhe muahamedanë. Ky është themli i qytetit i cili në lindje dominohet edhe prej malit Sinia, prej afro 1.200 metra lartësi, kurse nga anët e tjera rrethohet prej kodrash të nalta që arriojnë pothuaj se 1000 metra. Në këtë rreth është shtrirë Berati, jo në tatëpjetën e lumit Osum i cili ka bërë vend brënda midis kodrave, por në dy krahët e maleve që rrethojën lumin. Një pozitë kjo që s’mund të jetë më e bukur. Mos sigurimi i kohëve të vjetra të hershme e donte që qytetet të largoheshin nga fushat. Prandaj në qytete gjejmë qytete që s’kanë histori. Shqipëria që as një herë ka qenë sunduar me të vërtetë, por gjithnjë në luftë duhet të siguronte qytetet e katundet prej armikut dyke i ngrehur ata nëpër male dhe kodra të paprekshme sikurse janë instaluar qytetet: Durrës, Krujë, Gjinokastër dhe Tepelenë, ku është kalaja e Ali Pashës që eternizohet prej Byron-it në “Child Harold”. Në rast se qytetet instalohen në majë të një bregu që mund të preken kollaj ose në tatëpjeta, mbronin me kalara madhështore e të forta si ajo e Shkodrës, e Alessio-s ose Berati. Këto qytete janë ndonjëherë aq shumë të ngjitura prej mureve të maleve se shkëmbijtë shumë herë mvaren mbi ta dhe si në Cattaro hedhin hijen e tyre mbi qytet.
“Shtëpitë e bardha me qeparize, të mahnitëshme”!
Në këtë mënyrë edhe Berati ngreh shtëpitë në lartësitë që rrethojnë lumin Osum. Në rrëzë të djathtë ngrehet i tmerrshëm mbi qytet një mal i thatë të cilin Osumi e pret duke e ndarë nga mali Zhitom me të cilën kish qenë i bashkuarë. Këndej lumi ka formuar një udhë të ngushtë dhe mbi mal është ngrehur që në kohën e Bizantinëvet një kala e madhe prej një farë Mihail Commnenu sikur thotë tradita. Turqit e quanin qytetin Arnaut Beligrad, d.m.th. qytet i bardhë i shqiptarëvet. Ky emër i përshtatet. Të dy kodrat e nalta që sbresin mbi lumë janë të mbuluara me shtëpi me kate, të bardha ose të bojatisura me trëndafil ose boj qiell të hapur dyke u dukur si pika të bardha midis errësirës së qeparizevet. Ngrihen lart njera mbi tjetrën dhe duken sikur formojnë shkallë mbi të cilat mund të hipësh gjer në majë të kodrës. Aty këtu nga qiparisat dalin nja dhjetë minare të mprehta të xhamive të vjetra sikurse edhe majat e të pesë kishave orthodhokse. Karakteristikë e shtëpive të Beratit sikurse edhe t’atyre të Shqipëris së Jugës, përgjithësisht janë dritoret e shumta dhe ballkonet e mëdhenjë me xhame të mbyllura me mure gjer lart (veranda). Shtëpitë dyke qenë të rradhitura e të ngritura njera mbi tjetrën, mbrëmanet dritoret e tyre ndritin gjithë tatëpjetën. Sheh dritat që ngrihen prej poshti lart gjer sa bashkohen me ndriçimin e hyjve. Këtë pamje të vetme ta japin të dy të përpjetat që ngrihen njera kundër tjetrës. Dyke ardhur nga qyteti i vogël i Lushnje, shkon më parë në lagjen më të re që është ngritur në një shesh të gjerë që ka qenë shtrati i vjetër i lumit Osum, derdhja e të cilit u rregullua. Kjo lagje është caktuar të marrë një zhvillim modern. Këtu shohim një kopsht Englez dhe një shkollë industriale shumë moderne, instalimi i së cilës ka kushtuar 35 millona lei.
“Ura e Kurt Pashajt”
Më tutje sheh një urë të bukur sistem turk, shumë me gusto dhe të mbështetur mbi disa arkë të gjera që lidhin qytetin nga ana e djathtë e lumit me lagjen Goricë që ka kundrejt. Për këtë urë thuhet po ajo legjendë që dëgjova në Shkodër për ngrehjen e fortesës së Rozafat; që ura të mos rrëzohet ka qenë murosur brenda një grua. Dyke hyrë në qytet, anës kalasë gjendesh në një të vetmen rrugë të rëndësishme, Rruga Mbretnore që zgjatet anës lumit që prej urës së Kurt Pashait e deri tek Posta. Vetëm kjo rrugë dhe disa të tjera që dalin në të, formojnë lagjen tregtare ku janë instaluar autoritetet, sepse Berati është qëndër Prefekture. Vetëm kjo lagje tregtare mund të pranojë ndryshimet që parashikohen prej arhitektëvet dhe ingjinierëvet që rregullojnë në të gjithë Shqipërinë qytetet e rinj në vend të të vjetërvet. Prandaj këtu po gërmohet dheu për punime dhe kanalizime të ujit, këtu po ngrihen dhe do të ngrihen ndërtesa moderne. Por rrugat që ngjiten përpjetë ku është i pamundur një rregullim, mbeten të pacenuara dyke mbajtur kështu karakterin shqiptar dhe oriental.
“Berati, Antipatraeha apo Pulcheriopolis”
Berati që gjer tash është prekur vetëm pak prej kazmave t’ ingjinierëvet dhe arhitektëve ka mundur të ruajë fshehtësinë e qytetit shqiptar, por s’ka fituar dhe aq nga mirësitë e qytetërimit oksidental sepse i mungojnë komoditetet që qytetet e tjerë i kanë me tepricë. Kështu mungojnë hotelet; Sot Berati ka një hotel modern “Kolombo”, gjenë vetëm hane mjaft primitive, ndonëse në dhoma gjen shtrat dhe komodina. Fryma e qytetërimit që bëri një qytet tjetër Elbasanin, qytet i posaçëm shqiptar të ngrehi një hotel shumë modern që plotëson nevojat e oksidentëvet, nuk do të vonëojë të arrijë edhe në Berat. Hë për hë gjithë poezia e posaçme e qytetit është ruajtur. Mbi anë të mëngjër të lumit, mbi malin Shpirak, është ngritur lagjia e orthodhokse; Goricë, në të cilën banojnë shumë dhe ku duket kubeja e kishës së bukur. Dyke vërejtur historinë shohim se historianët edhe nuk kanë caktuar gjë mbi idenitifikimin e qytetit. Disa thonë se është fjala për kalanë e vjetër Antipatraea, për të cilën flet edhe Tit-liviu e çquar prej kohës së luftës parë Maqedhonjane, të tjerët gjejnë se është Pulcheriopolis i shekullit të V-të. Shkrimtarët bizantin e quajn qytetin në fjalë Belagrita, kurse sllavët, Beligrad, gjë që na bën të pandehim se qyteti është themeluar prej sllavëvet në themele më të vjetra bizantine ose Ilirianë. Sidoqoftë vetëm studimet e arheollogëve që këtu kanë material shumë të begatëshëm do të mundin të gjejnë të vërtetën.
“Kalaja e lashtë me mure veneciane”
Kalaja siç duket është bizantine, por muret që janë më këmbë, kolonat dhe kubet, për mbrojtje, janë veneciane. Mbas vizitës së lagjes, ngjitesh për në kala. Rrallë guxojnë shoferët të ngjitin makinën në të përpjetën e dredhur që shpie lart, por zotësia e shoferit t’onë që na ka gjezdisur nëpër të gjithë Shqipërinë dhe shumë herë na pa të trembur nga disa gremina, i kalon pengimet me sukses. Sa herë nuk e ngacmoja të famshmin shofer që quheshë Fadil Sopoti, dyke thënë: “Udha është e mirë, vetëm shoferi është i keq”. Më në fund arrijtëm lart, kalojmë nëpër dy porta me kube dhe gjendemi në një qëndër. Maqina duhet lënë këtu, sepse nuk mund të kalojë nëpër rrugët e ngushta të shtruara me gurë të mëdhenj e të lëmuar, të cilët që prej shumë kohësh nuk i ka shkelur potkoi i kalit. Bëjmë rrethimin e mureve me kollona dhe me kubera prej ku sheh poshtë thellë, gjithë qytetin. Pamje e këndëshme. Topa të vjetër të mëdha me mbishkrime veneciane dhe turke lëngojnë në qëndër dhe dhe nëpër muret dyke dhënë shkak fëmijvet të lozin luftazi. Këtu gjenden dhe disa burime e puse të fshehur nën tokë, për raste tradhëtije ose rrethimi. Dyke zbritur shumë shkallë të ngrëna, arim në një dhomë të gjerë e të naltë prej guri ku ndodhen burimet me ujë të ftohtë. Po me këtë formë gjenden sot edhe në Stamboll burime që prej kohës së byzantinëvet. Ngjitemi në një rrugë përpjetë kundrejt katedrales ku ësht dhe banesa e Peshkopit. Këtu admiron pastërtinë e rrugëvet e cila në qytet mungon. Shkojmë para shtëpivet të pastërta dhe me kopshte të bukura. Duke shëtitur, ky vend të bën përshtypje të çuditëshme se të transporton fantazinë në kohën e mesme, por menjëherë të del përpara shtylla me fije elektriku që zgjeten prej njërës shtëpi në tjetrën. Është pamje shum e bukur, kur shikon në mbrëmanet këtë pamje të ndriçuar me elektrik.
“Qyteti i Beratit më ngjan shumë me Monakon”
Në reportazhin e tij për qytetin e lashtë të Beratit, gazetari rumun, Vlad Vanteanu, midis të tjerash ka bërë një përshkrim edhe për kishat e shumta që ndodheshin sidomos në kalanë e tij dhe gjithë qytetin që i kujtonte Monakon. Lidhur me këtë, ai shkruan: “Kisha janë shumë, më shumë se 30 të grumbulluara në vëndin e ngushtë të kalasë, një pjesë e tyre janë krejt të shkatërruara. Kudo kube bizantine. Këto kisha të vjetra (njëra prej tyre që është prej shekullit të IX) thesarizojnë monumente të vërteta të artit bizantin shqiptar. Muret e brendshme të kishave janë të zografisura me styl bizantin, por për fat të keq vetëm disa janë ruajtur mirë, nga shkaku i kujdesjes së vogël t’autoritetit të vendit nuk janë ruajtur të gjitha. Të gjitha kishat janë plot piktura si edhe në Voskopojë që është qëndra e vjetër e arumunëve (vlleh) të Korçës. Disa shenjtor nga këto zografime janë të prezantuar në kostumet shqiptare. Kështu shohim në kishat e Sh’ Marisë, Shën Jan Pagëzmitarin të mveshur me një mbelerinë prej leshi prej bariu shqiptari. Të tjerë shenjëtorë përfaqësohen me të tjera hollësira të kostumeve shqiptare. Disa kisha vëndet e koravet,(ikonostase) i kanë të skulpturuara me shenja karakteristike të holla shqiptare. Në një kishë gjenden disa kollona me shenja romane. Këto kanë ardhur nga gërmadhat e kalavet të vjetar romane dhe greke. (Në të gjithë Shqipërinë takon kisha ose xhamia në të cilat sheh kolona ose gurë të vjetër styli që mbajnë kubetë). Këto kanë qenë të gjetura prej vëndasvet që i kanë çmuar bukuritë e tyre dhe prandaj i kanë përdorur për ngrehjen e kishave ose xhamive. Edhe në oborrin e një shtëpije të kalasë së Beratit duken të vëna në mure disa mermerr. Berati me kalanë e sajë të banueshme dyke pasur mbi një shkëmb udhëheqësit e krishterimit dhe t’autoritetit kishtar, e më tjetër anë qyteti tregtar që ngrihet nalt deri në majën e malit, më kujtoi Monakon”.
“Gjirokastra, si qytetet dalmate të Bosnjes”
Një tjetër qytet me fizionomi shumë karakteristike është Gjirokastra, që quhet prej grekërvet Argjirokastra. Është i ngrehur në greminat e të vjetërit emër Argjyrion ose ndofta në Panhotese; por identifikohet sigurisht me Adrianopolis-in të shekullit të V-të, për këtë datë kronikat shënojnë qenien e një peshkopi në këtë qytet. Gjinokstra gjendet në rrugën që shpije prej Tepelene në Janinën e Greqisë, atdheu i Ali Pashës, Shqiptar kryengritës që dëshironte të çrobërojë vëndin e tij nga sundimi i Turqisë. Pra jemi në tokë historike. Gjinokstra ka një pozitë shumë të çuditshme sepse është vendosur në pesë kënde të larta të malit Qar, me përrej të thellë në të cilat zbresin ujrat prej malesh. Këta përrej e përshkojnë dhe ndajnë qytetin në shumë lagje. Shtëpitë janë si dhe në Berat me kate të rradhitura mbi të përpjetat e malit Qar. Mbi të shumat janë bojë hiri nga shkaku i vjetërsisë së tyre. Janë të mbuluara me pllaka guri prandaj nga ky shkak e meriton emrin që i është dhënë: “qytet i hirosurë”. Vetëm pak shtëpi janë të reja dhe moderne. Boja e hirit predominon se shtohet edhe prej mungesës së gjelbërimit: në malin Qar nuk duket asnjë bimë veçse disa qepariza dhe plepa të izolluar. Pamjes i japin pak gjallëri minaret e holla dhe madhështore që duken midis qeparizavet. Ky qytet është krejt i ndryshëm nga qyteti që pamë gjer tani, por jo më pak interesant nga sa ngjan me disa qytete të maleve t’ona të Dalmacisë dhe Bosnjes. Pamja që shfaq ky qytet kur e shoh së poshtmi, prej rrugës që zgjatet përtej Drinos, është e ndryshme nga bukuritë e kandëshme të rrugës së gjelbëruar t’ë anës së mëngjër të Drinos. Para se të kalojmë kurben e fundit që të ngjitemi me maqinë mbi një të përpjetë që të shpije në qytet, ndalim që të shohim qytetin së poshtmi.
“Kalja madhështore e ngritur nga inxhinerët francezë”
Një kala madhështore e ngrehur prej ingjinjerësh francezë për Ali Pashanë e Janinës, predominon qytetin. Muret që e rrethojnë kalanë edhe sot janë të mirë. Kjo kala asht e transformuese prej shtetit në burg. Maqina fillon të ngjitet në një të përpjetë të rrezikshme. Shpresojm se në qytet rrugët do të jenë të drejta por u gënjyem, se ato janë të dredhura dhe të përpjeta sikurse edhe në pjacën e madhe përpara prefekturës. Kur hymë në qytet nuk duket aq keq. Tregtia është shumë e zhvilluar prandaj në të gjitha anët e rrugës ka shumë kallaballëk. Shumica janë të veshur me kostume karakteristike të ksaj krahine që ngjan me kostumet greke. Një fustanellë të bardhë me shumë pala, tirq, opinga, majat e të cilave mbarojnë me një xhufkë, jelek shqiptar dhe qylaf. Kështu janë veshur katundarët e rrethit që vijnë në treg për blerje dhe shitje. Kudo sheh magazina sepse tregtia është në lulzim; Gjinokastra lidh një pjesë të Shqipërisë me skelën e Sarandës që është në detin Jonio. Ulica (rrugë, shënimi ynë) të ngushta të formuara prej shkallësh që lidhin një rrugë me tjetrënë që ndodhet më lart, kanë një bukuri piktoreske të posaçme. Të shtruara me gurë të madhejë, ulicat përshkojn nëpër oborre, nëpër strehët e shtëpive, ndënë galeria e ndënë pjergulla që zgjaten prej një shtëpie në tjetrën kundrejt, duke u ngjitur me shkallë si në Raguzë. Kalon me maqinë nëpër rrugë të shtruara, anës përrenjëve të thellë dhe çuditesh si mund të bëhet udhëtimi me karroca në këto vende. Asgjë nuk është vënë që të pengojë karrocierin ose shoferin për të mos rënë në përrua të tmershëm, me gabimin më të vogël. Pamë një vend ku ish rrëzuar një maqinë në përrua dhe prandaj që n’ atë moment këshillojmë shoferin t’onë që të ketë mëndjen, por ay na qetëson duke na thënë: “Jam shqiptar trim dhe sportist”. Rrugë të drejta pothuaj nuk ekzistojnë, të gjitha janë shumë a pak të dredhura dhe të pjerrta.
“Qyteti që ka dhe aeroplan”
Shtëpitë më të bukura me dy apo tre kate banohen prej bejlerësh. Disa nga këto shtëpitë e Gjinokastrës si dhe shumë shtëpi përgjithsisht të jugës së Shqipërisë të bëjnë përshtypjen e fortesave duke pasur formën e kullave të mbrojtura jo vetëm prej pozitës së tyre natyrale por edhe prej forcimeve artificiale, prandaj janë me të vërtetë fortesa. Gjinokastra asht kryeqytet i Epirit Shqiptar dhe qëndra e një Episkopit. Gjysma e popullsisë së rrethit është rritur me kulturë greke, por karakteri i qytetit është shqiptar, jo vtëm nga pamja, por edhe përgjithësisht nga arkitektura, nga shpirti që dominon në të. Këtu vazhdojnë më shumë shkolla sepse Gjinokastra, Korça dhe Shkodra, janë tre qytetet e Shqipërisë që kanë më shumë shkolla dhe më pak analfabetë. Prej këtij qyteti mund të marrësh aeroplanë për në Tiranë ose Vlorë. Është një nga qytetet e Shqipërisë që është pajosur me spital të madh. Ky qytet çquhet edhe nga sendet t’ artit Shqiptar që ruhen sidomos me skulpturë të hollë në dru. I denjë për të kujtuar është edhe depoja e madhe e ujit e ngrehur prej Ali Pashë Tepelenës që sjell ujin prej maleve të Sopotit. Sot është e shkattëruar por kollonat e larta të depos që janë më të larta se ato Romane që kam parë në Francë predominojnë. Ajo që më dëshpëroj më tepër në këtë qytet trheqës dhe piktoresk ish gjendja e hoteleve. Në sa i përket hygjenës, pastërtia dhe edukatën, popullit i mbetet shumë për të bërë, janë të mbeturat e shekujve të sundimit turk kur të gjithë dridheshin të kishin vende të kujdesura e të pastra, sa herë që pamja bëhej më e mirë, shtoheshin taksat. Por përgjithësisht kur hynë nëpër shtëpitë, qoftë dhe të vobegtëve, konstaton kujdes të çquar për pastërti.
Vanteanu: “Grekët vrisnin, digjnin dhe shkatërronin katunde të tëra dhe përpjekjet e Greqisë për të aneksuar Gjirokastrën”
Në reportazhin e tij për qytetin e gurtë të Gjirokastrës, gazetari rumun, Dr. Vlad Vanteanu, është ndalur gjat dhe në përpjekjet e Greqisë për të aneksuar Gjirokastrën. Lidhur me këtë, në shkrimin e tij ai shkruan: “Në historinë e Shqipërisë, Gjinokstra, është njohur me provën e Greqisë të vitit 1914 që të ndajë këtë vend të bukur nga Shqipëria që sapo kish fituar indipendencën, dyke krijuar një republikë Greko-Shqiptare nën kryesinë e një ish-ministri grek. Qëllimi ish që më pastaj këtë vend t’ia bashkonin Greqisë. Në vitin 1917, gjenerali italian, Ferrero, në Gjirnokastër promovojë indipendencën e Shqipërisë, duke përfshirë dh këtë vend. Të gjitha vuajtjet e shqiptarëvet dhe t’arumunevet (vlleht) që hiqnin gjer në atë kohë prej grekëvet muarrën fund, por pushtimet e grekëvet vazhdojnë. Ata vrisnin dhe shkatërronin, digjnin katunde dhe qyete, kishin për qëllim të çduknin nga Shqipëria e Jugët elementin shqiptar dhe arumun që në këtë mënyrë më vonë të mundnin të proklamonin Jugun si vend të banuar prej grekësh. Edhe një qytet më piktoresk të maleve t’Epirit shqiptar, Leskoviku (qytet i preferuar për shëtitje prej shqiptarëve të pasur), që sot asht gërmadhë. Këtu kam dëgjuar për tmerrimet e mëdha që kanë bërë grekët. Vetë një njeri me kompetencë, arumun nga elita e Korçës, z. Ballamaqi, që rrjedh prej familjes kreshnike arumune e cila u shkatërrua prej grekëvet, tregon masakrat. Prej Gjinokastre një rrugë shumë piktoreske-ndonëse e rrezikshm të shpije në Sarandë, piktoreske sepse zgjatet gjatë Drinos e cila më anën e mëngjër ka qytete dhe katunde të ngjitura me shkëmbenjë, në maje të maleve si fole të vërteta zhgabash. Më anë të djathtë të lumit duken katundet”./ Memorie.al/ KultPlus.com
Media botërore ka bërë një reportazh për të gjitha femrat shqiptare që prodhojnë reçipeta për të gjithë femrat e Europës. Në këto pamje shihet puna e të gjitha femrave shqiptare që bëjnë për 8 orë në ditë në fabrikat ku ato punojnë, për të bërë gati mallin që do të eksportohet në të gjithë Europën.
Shkrimi i plotë
Pak njerëz në Europë u kushtojnë vëmendje prejardhjes së veshjeve të brendshemev të tyre. Kështu ndodhi edhe për Elizabeth Gowing, deri në momentin që ajo bëri një vizitë në një fabrikë të prodhimit të veshjeve të brendshme për gra në Shqipëri. Sutjenat në një tavolinë dhe ca copëza mëndafshi. “A jam në një bordello apo dhomën e gjumit të një të riu,”- pyeti ajo.
“Kur erdha në Shqipëri më paralajmëruan se mund të përfundojë në një nëntokë lehtësisht, por kjo nuk ishte ajo çka unë kam pritur. Është një hapësirë e ajrosur dhe e ndriçuar industriale ku 40 punëtorë kanë për qëllim kombinimin e detajeve intime që përbëjnë ndërresa të përsosura,”- thotë Gowing për BBC.
Një tavolinë është e mbushur me lule për sutjena. Një thes në afërsi ka trëndafil ngjyrë rozë për t’u qepur si dekoratë mbi to. Një grua po kontrollon elastiken e thurur në një mënyrë që në çdo kontekst tjetër të mund të konsiderohet shumë e papërshtatshme për veshje. Ajo është një ndër 3,000 punëtorët në industrinë e tekstilit në veriun e Shqipërisë.
“Pavarësisht se imponon kulturën e saj kishtare dhe ilire, pak romake, pastaj veneciane, Shkodra ka një të kaluar të shquar letrare. Por megjithë trashëgiminë e saj të lartë kulturore dhe reputacionin për intelektualitetin në bulevardet e pemëve të qytetit, tani është në krye të prodhimit të veshjeve të brendshme,”- shkruan BBC.
Shkodra ka një traditë të gjatë të katolicizmit të devotshëm dhe kjo lidhje kulturore me Italinë forcon marrëdhënien me konsumatorin kryesor të Shqipërisë. Mirela, pronarja e fabrikës që po viziton, flet rrjedhshëm italishten. “Nëntëdhjetë e pesë përqind e tyre janë gra,”- thotë ajo duke folur për punëtoret e saj, dhe shton me një qesh: “Njerëzit nuk mund ta shohin veten duke bërë këtë lloj pune”. Më shumë se gjysma e bizneseve në Shqipëri janë në pronësi të femrave si kjo./ vizore.al
Të këndosh këngën “I’ll Be Your Mirror’, nga The Velvet Underground, së bashku me dhjetëra njerëz shumicën e të cilëve asnjëherë më parë nuk i ke takuar, por që i pranon ashtu siç janë, gjersa reflektoni së bashku për atë që jeni, kjo është fuqia e DokuFes-it dhe ajo që shënoi edhe hapjen e këtij edicionit të XVII.
“Unë jam pasqyra jote, reflekto çfarë ti je, në rast se nuk e di,
Unë do të jem era, shiu dhe perëndimi i dellit,
Drita e shtëpisë që të tregon se je në shtëpi”, janë fjalët që i kanë shqiptuar dhjetëra persona në ambient të hapur të Kino Lumbardhi, të premten.
E ftesës së festivalit “Eja, ashtu qysh je”, po i përgjigjen një numër i madh i vizitorëve. Në ekranin e vendosur nga festivali te Shatërvani, numri i vizitorëve shënoi 1 mijë e 300 mbrëmjen e kaluar, në ditën e dytë të festivalit.
Të gjithë ata kanë ardhur për të qenë pjesë e DokuFest-it dhe programit të tij të larmishëm ku do shfaqen më shumë se 250 filma. Përveç filmave, vizitorët do shijojnë shfaqjet, bisedat, ekspozitat dhe koncertet, do kënaqen me art por njëkohësisht edhe do reflektojnë përmes mediumeve të ndryshme mbi veten dhe ambientin.
Në një situatë kur thjeshtë të duhet të marrësh frymë dhe të reflektosh, sigurisht qyteti i Prizrenit është i duhur. Një qytet ku bota moderne dhe ajo antike gërshetohen shumë bukur me njëra tjetrën, qytet në të cilin mund ta gjejë veten çdo kush, falë laramanisë që ofron.
Fillimisht ajo që duhet të zgjedhësh është lartësia mbidetare në të cilën dëshiron që të qëndrosh dhe të reflektosh. Kështu në qoftë se dëshironi që të jeni 525 m. mbi nivelin e detit, duhet që të ngjiteni të Kalaja e Prizrenit, 15 minutave ecje në këmbë nëpër rrugicën që lidhë qytetin me Kalanë. Me të arritur, për shkak të ecjes, frymëmarrja juaj për disa sekonda mund të jetë më e thellë pasi që organizmi juaj do ketë nevojë për më shumë oksigjen, por ju, ka shumë gjasa të mos i kushtoni vëmendje pasi që pamja e qytetit, i cili reflekton si një pasqyrë drejt jush, do jetë e paharrueshme. Gjersa qëndroni të Kala, vend i cili është shndërruar në kinema do jeni po ashtu në vëmendjen e kalimtarëve në qytet të cilët në muret e kalasë lexojnë mbishkrimin “AS WE ARE”, pjesë e instalacionit të festivalit.
Në anën tjetër përgjatë Lumbadhit të Prizrenit, “Lumbardhi outdoor” dhe “Kino n’lum” janë bërë zgjedhje për shumë vizitorë, të cilët po përcjellin filmat. Veçanërisht në ‘Kino n’lum’ zhurma që krijon rrjedhja e lumit po gërshetohet me filmat të cilët janë duke u shfaqur aty. Rrjedha e lumit po krijon njëkohësisht edhe një freski, e për ata të cilët kjo nuk mjafton një pijë dhe disa grimëtësira për të ngrënë gjersa përcjellin filmat janë ideal.
Mirëpo kur dielli fillon që të perëndojë ajo që duhet që të bëni është që të vazhdoni tek Platoja “DokuKino”.
Perëndimi i diellit është një njoftim se aty shfaqja e filmave do të fillojë shumë shpejtë. Kështu kuadrot e filmave gërshetohen shumë bukur me ngjyrën e kuqërremtë, e të arit, të cilat fillojnë që të shfaqen në qiell. Një pamje e mrekullueshme për të marrë fryme thellë dhe reflektuar. E meqenëse qyteti është i rrethuar me xhamia të ndërtuar në kohën e Perandorisë Osmane atëherë thirrja e ezanit do bëhet pjesë e filmit po ashtu.
Më të përfunduar filmi vëmendja e vizitorëve kthehet te Rruga e Çarshisë. Vendi i cili prezanton më së miri laramanin e qyteti dhe shijet e ndryshme të vizitorëve. Lokalet e shumta të vendosura në këtë rrugë janë çdo natë të stërmbushura nga vizitorët. Disa marrin miqtë dhe ndalojnë për një birrë, të tjerët për një kafe turke, e njohur për shijen e veçantë, e të tjerët të uritur shijojnë një byrek apo qebapët. Sigurisht që një fluks i tillë ndikon pozitivisht të prizrenasit të cilët kanë hapur dyqane të ndryshme, kafeteri e lokale.
Një e veçantë tjetër e vizitorëve të cilët bredhin rrugëve me kalldrëm të Prizrenit është se shumica e tyre janë vizitorët të huaj. Ndërsa një pjesë e tyre janë edhe filmbërës, aktorë, muzikantë, e artistë të ndryshëm të cilët janë të lidhur me kinematografinë dhe me festivalin. Disa vijnë për të prezantuar punën e tyre gjersa shpalose në festival, e të tjerët për ta shijuar atë që po prezantohet. Prandaj rrugëve të kalldrëmit arrin të takosh edhe artistët edhe nga Kosova.
Kur ora shënon 24:00 në qytetin e Prizrenit akoma nuk ka gjumë, kjo pasi që edhe jeta e natës është e pranishme përmes performancave të bendeve dhe artistë të ndryshëm të cilët perfomojnë në skenën “ANDRRA”. Vizitorët gjatë kësaj kohë drejtohen drejt “Marashit” ku shijojnë muzikë deri në orët e para të mëngjesit. Për të vazhduar përsëri një ditë tjetër reflektuese duke zbuluar prurjet e reja të këtij edicioni të DokuFestit.
Në mëngjes, trokitja e rrotave të valixhes, nëpër rrugët e kalldrëmit në kërkim të shtëpive për të qëndruar është zhurma paralajmëruese për vendasit se në lagjen e tyre po hyn edhe një vizitor i ri. Kështu mikpritës i-ja e shtëpisë, me një buzëqeshje në fytyrë i drejton mysafirët e saj në dhomën e tyre, të cilën e ka lëshuar për vizitorët e festivalit.
E veçanta e këtyre rrugëve këtë vit për dallim nga vitet e kaluar është se trungu i pemëve të vendosura gjatë rrugëve është mbështjell me punime dore të realizuara nga gratë e qyteti. Punimet këtë vit kanë zëvendësuar njoftimet e ndryshme të cilat më parë janë ngjitur nëpër pemë. Kështu përmes kësaj performance të titulluar “Drunjtë e pastër” është promovuar punë e grave të qytetit por njëkohësisht është vënë theksi mbi rëndësinë që ka ambienti.
Një veprim i tillë e ka bërë qytetin edhe më të dashur për vizitorët të cilët gjersa kalojnë rrugës i veshtojnë më kujdes edhe këto punime. Mirëpo, kjo është gërshetuar shumë bukur edhe me programin “Green Dox”, të festivalit.
Në këtë rrotacion i cili do zgjasë nëntë ditë aq sa zgjatë edhe festivali, 3-11 gusht, çdokush do mund të gjejë diçka të veçantë në Prizren. Mund të jetë diçka shumë e thjeshtë, ndoshta edhe një pikturë e Prizrenit të vjetër, e varur në murin e dhomës suaj, e ngjashme me timen në shtëpinë e zonjës Tyrkan Opoja. Pikturë të cilën një mik i familjes ia dhuroi bashkëshortit të saj të ndjerë, si shenjë respekti dhe falënderimi pasi që ishte pediatër i fëmijës së të tij.
Gjithçka mund të jetë nxitje për të reflektuar, për aq kohë sa ju jeni vetvetja, ashtu qysh jeni, kokëfortë, të guximshëm, të frikësuar, të sinqertë, krenarë, të thjeshtë, të komplikuar, të lirë, të mrekullueshëm…/KultPlus.com
Një grup gazetarësh izraelitë kanë realizuar së fundmi një reportazh në fshatin turistik të Thethit. Duke e cilësuar një vend magjik, në reportazh përshkruhet mënyra e jetesës në Theth, kultura e trashëguar, gojëdhënat, eposi, por mbi të gjitha kulinaria vendase.
Gazetarët kanë bujtur në kullat e malësorëve, kanë ndjekur nga afër amvisat vendase teksa përgatisnin ushqimet tradicionale të kësaj zone.
Gazetarët janë befasuar nga disa virtyte të veçanta të zonës që janë ruajtur ende në këtë zonë të largët të Shqipërisë. Vet zona e Thethit gjendet në qendër të vendbanimeve të hershme të Labeatëve. Thethi është vendbanim shumë i hershëm duke u bazuar në të dhënat historike dhe zbulimet arkeologjike.
Thethi për herë të parë shfaqet i dokumentuar në Defterin e regjistrimit të sanxhakut të Shkodrës, në vitin 1485, me emrin Fusha dhe në atë kohë kishte vetëm 7 shtëpi të mëdha. Me kalimin e viteve që nga viti 1968 e në vazhdim, u hapen disa qendra të tjera turistike dhe do të ndërtohen godina, hotele e shumë objekte të tjera, që do të prisnin vizitorë të shumtë nga e gjithë Shqipëria dhe Evropa Lindore për 35 vjet rresht.
Kapaciteti i sezonit veror ishte mesatarisht deri në 600 vetë dhe në dimër mbi 400 vetë, mesatarisht 1 pushues për 1 banor. Në vitin 1976, Thethi shpallet “Park Kombëtar””. Sot është një nga pikat turistike më të frekuentuara nga vendasit dhe turistët e huaj. Aty ndodhen hotele dhe bujtina që presin dhe strehojnë vizitorët dhe pushuesit.
Bukuritë e papërsëritshme të këtij fshati malor në zemër të Alpeve Shqiptare e bëjnë Thethin që të zërë një vend të rëndësishëm në natyrën dhe turizmin shqiptar. Duke u nisur nga veçoritë e tij dhe nga vendndodhja pranë kufirit, Parku Kombëtar i Thethit është pjesë e një parku ndërballkanik të quajtur Parku i Paqes, ku përfshihen territore edhe nga Kosova dhe Mali i Zi, përcjell ATSH./ KultPlus.com