Reshat Ameti me ekspozitë në Kroaci

Në muzeun “Mimara” në Zagreb sot do të hapet ekspozita e artistit Reshat Ameti e titulluar “Në kërkim të dritës”, e cila në kryeqytetin kroat do të jetë e hapur deri më 22 tetor.

Ekspozita do të prezantojë tre cikle përmbledhëse të veprave të krijuara në dhjetë vitet e fundit: “Nga tradita”, “Gjeomteria lirike” dhe “Dialogu”.

Për pikturat e tij, historiania e artit, Iva Kerbler me rastin e ekspozitës, në katalog shkruan se Ameti është një nga ata piktorë të cilëve piktura u është aventurë, pasion dhe eksperiment, i cili kërkimin e vet e orienton drejt mundësive të reja të pikturës dhe këtë e bën me një lehtësi tipike të tij.

“Atë nuk e intereson efekti sipërfaqësor, dekortiv i pikturës, ai hyn thellë, në artikulimin e ndërlikuar të pikturës, duke ndërtuar kompozicionin i cili buron nga maniri i tij spontan i pikturimit, me ç’rast instalon një armaturë të fortë në pikturë, edhe atë pa dallim nëse ka të bëjë kur ai butë i fut pigmentet në pëlhurë. Në pikturat e tija shikuesi identifikon një peizazh imagjinar dhe ai njëkohësisht është edhe tokësor edhe qiellor…”, shkruan Kerbler.

Reshat Ameti (1964) ka diplomuar në Fakultetin e Artit Figurativ në Shkup, në klasën e Ana Temkovës. Tani ai punon si profesor i pikturës në Universitetin Shtetëror të Tetovës. Ameti ka pasur shumë ekspozita personale, ka marrë pjesë në mbi 200 ekspozita grupore vendore dhe ndërkombëtare dhe është fitues i shumë çmimeve./ KultPlus.com