Jennifer Hudson me interpretim të mahnitshëm në filmin biografik “Respect”

Regjisori i filmit biografik të ikonës së muzikës Aretha Franklin, “Respect”, dhe aktorja protagoniste e këtij projekti, janë shprehur të entuziazmuar që koha e lansimit të filmit nëpër kinema është afruar, pas shtyrjes së datave disa herë si pasojë e pandemisë.

Në filmin “Respect”, aktorja dhe këngëtarja e njohur amerikane, Jennifer Hudson, vjen në rolin e mbretëreshës së ndjerë të muzikës ‘soul’. Regjinë e filmit e ka bërë Liesl Tommy, ndërsa skenari është shkruar nga, Tracey Scott Wilson.

Së fundmi është publikuar edhe trajleri i ri i filmit, i cili ia ofron botës pamjet e para të Hudsonit duke i performuar këngët klasike të Mbretëreshës së muzikës ‘soul’, si “Respect” dhe “(You Make Me Feel Like A) Natural Woman”.

Filmi e shtjellon historinë e fillimit të karrierës muzikore të Aretha Franklinit, e cila si fëmijë këndonte në korin e kishës së babait të saj, e deri tek arritja e majave të suksesit mbarëbotëror.

Krahas Hudsonit në film luajnë edhe aktorët, Forest Whitaker, Marlon Wayans, Mary J. Blige, Marc Maron, Titus Burgess dhe Tate Donovan.

Franklin, e cila vdiq më 2018-n nga kanceri në pankreas, në moshën 76-vjeçare, ishte pjesë e realizimit të filmit deri në momentet e fundit të jetës së saj. Ajo madje e kishte kërkuar angazhimin e Hudsonit për ta portretizuar atë në film.

Gjatë karrierës së saj të gjatë muzikore, Franklin i kishte fituar 18 shpërblime Grammy, si dhe ishte nominuar gjithsej 44 herë për këtë çmim.

“Respect” do të lansohet nëpër kinema nga 13 gushti i këtij viti. / KultPlus.com