Në laboratorin e restaurimit të veprave të artit pranë Muzeut të Ikonografisë “Onufri” në Berat ka përfunduar procesi i ndërhyrjes restauruese në dy ikona të fondit.
Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat bën të ditur se përgjatë muajve shtator – tetor 2020 sipas projektit të hartuar nga specialisti restaurator u finalizua restaurimi i dy ikonave pjesë e fondit të Muzeut të Ikonografisë “Onufri”.
Ikona “Shën Maria me Krishtin dhe shenjtorë” e vitit 1851 me autor anonim dhe ikona “Shpërfytyrimi” e shek – XIX atribuar mjeshtërve të familjes Çetiri janë vepra që i janë shtuar fondit të Muzeut të Ikonografisë “Onufri” në vitin 2017.
Ikonat paraqisnin shumë problematika në avancim të cilat rrezikonin ekzistencën e tyre, si: dëmtim suporti (sfungjerosje), rënie dhe humbje të grundit, dëmtim, plasaritje dhe abrasion të pelikulës piktorike, gufime dhe xhepa bosh dhe depozitime papastërtish të qëndrueshme.

Ikonat karakterizoheshin në përgjithësi nga një pelikul pikorike dhe grund i dobët teknikisht e cila nga dita në ditë degradonte.
Pas ndërhyrjes restauruese u arrit rezultati i dëshiruar, tashmë veprat rezultojnë tërësisht të konsoliduara dhe me një paraqitje më të plotë falë integrimit piktorik.
Këto ikona që sigurisht pasurojnë koleksionin e Muzeut të Ikonografisë “Onufri” do t’i shtohen linjës ekspozuese të tij për t’ju ofruar vizitorëve.
Muzeu Kombëtar Onufri është përshtatur në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986. Katedralja është e rindërtuar në vitin 1797 dhe është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pas-bizantine në qytetin e Beratit.
Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh, pjesë e fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë dhe të qytetit të Beratit, ku 106 objekte janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike. Ikonat janë realizuar nga piktorët ikonografë shqiptarë, që u përkasin shekujve XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpataraku dhe Çetirët (Gjergji, Johani, Naumi, Nikolla dhe Gjergji i riu), si dhe nga shumë piktorë të tjerë anonimë. Gdhendjet në dru të katedrales janë realizuar nga mjeshtrat Naum Ngjela nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit në shekullin e XIX. /atsh / KultPlus.com

