Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin e restaurimit të Kalasë së Prezës në kushte të emergjencës, pas tërmetit të 26 nëntorit.
Projekti i hartuar nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore parashikon ndërhyrje konservuese dhe restauruese në elementët konstruktivë të kullës së sahatit në kala.
Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të veri-jugut. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë e cila përforcohet nëpër qoshe me katër kulla që kanë planimetri rrethore.
Kalaja e Prezës është një kala tipike mesjetare. Lulëzimin më të madh e ka pasur në shekullin XV, por të dhëna të ndryshme i kanë shtyrë të mendojnë specialistët, se duhet të jetë ndërtuar që andej nga shekulli XIII – XIV. Kalaja ka planimetri katërkëndore me brinjë 80 x 50 m.
Kalaja e Prezës u dëmtua nga tërmeti i 26 nëntori 2019 e cila do t’i nënshtrohet rikonstruksionit pas miratimit të projektit për Rindërtim në fazë emergjente.
Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore mirëpret çdo bashkëpunim dhe mbështetje që kontribuon në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore. /KultPlus.com