Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku sot ka pritur në takim ekipin kampion aktual të futsallit në Kosovë, FC Prishtina 01, shkruan KultPlus.
Ministri Çeku, pjesëtarët e FC Prishtina 01, i ka përgëzuar për suksesin e fundit ndërkombëtar, ku është kualifikuar në mesin e 16 ekipeve më të mira të Ligës së Kampionëve.
“Ministri Çeku ka pritur sot në kabinet ekipin kampion aktual të futsallit në Kosovë FC Prishtina 01, të kryesuar nga kryetari i klubit Bledion Bryma.
Bashkë folën për sukseset e klubit dhe sportit të futsallit në Kosovë, për zhvillimet aktuale në sport, ndërsa Ministri i përgëzoi për suksesin e fundit ndërkombëtar.
FC Prishtina 01 është kualifikuar në mesin e 16 ekipeve më të mira të Ligës së Kampionëve, pas triumfit si e para në grupin kualifikues. Në fazën ‘Elite Round’, do të përballen me kampionët e Portugalisë, Benfica, Kairat Almaty të Kazakistanit dhe Doboveci i Sllovenisë.
Ata kanë fituar të drejtën e organizimit të ndeshjeve të këtij grupi në Prishtinë, dhe në vendin tonë prej 29 nëntor deri më 3 dhjetor do të zhvillohet një tjetër ngjarje e madhe ndërkombëtare”, thuhet në njoftim./KultPlus.com