Gjirokastra jehonë në revistën kulturore amerikane “Aramco World”

Revista kulturore amerikane “Aramco World” ka publikuar një shkrim për qytetin e gurtë të Gjirokastrës.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale shkrimin e botuar në këtë revistë, ndërsa theksoi se “Gjirokastra është bërë jehonë edhe në revistat kulturore amerikane”.

“S’ka si nis më bukur dita me diell me Gjirokastrën e zemrës në ballinën e numrit të fundit të revistës kulturore amerikane Aramco World me përshkrimet për qytetin e gurtë me zemra të buta, me magjepsjen nga muret e kështjellës te rrugicat e kalldrëmta në të cilat jehon isoja e këngës polifonike përmes portreteve të ndjera gjatë Festivalit Folklorik”, theksoi Kumbaro.

Ministrja Kumbaro u shpreh se “ruajtja e kësaj trashëgimie të mbrojtur nga UNESCO si pasuri botërore, që buron nga shpirti e përshkohet nga lotët, siç thotë edhe i madhi Arjan Shehu është si një thirrje zërash të mjeshtërve të saj”.

Ndërsa ministrja e Kulturës, Elva Margariti tha se “Festivali Folklorik i Gjirokastrës 2023 nuk ishte një edicion i jashtëzakonshëm, por kartolina më e bukur, që mbartte shpirtin e një kombi, servirur nga Ministria e Kulturës. Jehona e tij ka kaluar kontinentet, këtë e dëshmon dhe revista amerikane Armco World, që përshkruan mbresat e jashtëzakonshme”.

Për 8 ditë e netë feste në Gjirokastër, qyteti i gurtë u kthye nga 24 qershori deri më 1 korrik të këtij viti në kryeqendrën kombëtare të promovimit të vlerave të folklorit dhe traditës, artistike dhe të trashëgimisë kulturore. Në edicionin e XI të Festivalit Folklorik të Gjirokastrës artistë nga i gjithë vendi, diaspora e më gjerë  performuan në këtë qytet. Risia e këtij festivali ishte numri i madh i të rinjve që interpretuan në Festivalin Folklorik Kombëtar në Gjirokastër duke dëshmuar se sa brezat e rinj e duan dhe e përqafojnë muzikën folklorike.Ndërkohë që Gjirokastra vijon të jetë edhe një nga qytetet më të vizituara nga turistët vendas e të huaj./ atsh / KultPus.com

Arbër Selmani dhe Vlora Konushevci botohen në revistën e njohur amerikane “Songs of Eretz Poetry Review”

Poezitë e dy autorëve të njohur nga Kosova, Arbër Selmanit dhe Vlora Konushevcit, janë botuar në revistën e njohur amerikane “Songs of Eretz Poetry Review”, misioni i të cilës është të sjellin pak më shumë poezi dhe art të mirë në botë, shkruan KultPlus.

Vlora Konushevci është bërë pjesë e revistës përmes tri poezive të saj në gjuhën angleze: “Fllanzat”, “Kokrra rrushi” dhe “Letër nga karantina”, ndërsa Arbër Selmani me poezinë “Kur vdiq baba”, një poezi e cila po pëlqehet jashtëzakonisht shumë nga lexuesit.

Ajo që i bën poezitë e kësaj reviste unike është se e paraqesin poetin po aq sa poezinë. Secila poezi paraqitet me mendime, çiftëzohet me vepra arti (me përjashtime të rralla si për poezitë konkrete), dhe shoqërohet me bio të poetit, shënime të poetit (nëse poeti dëshiron), nganjëherë edhe një shënim të një redaktuesi.

Revista Letrare “Songs of Eretz Poetry Review”, është krijuar në vitin 2014 në SHBA. Ajo ka publikuar poetë dhe autorë me letra kredenciale mbresëlënëse, duke përfshirë: Poetin Laureat aktual të Shtetit, tre ish-poetë laureat të shtetit, dy ish- poetë laureat lokal, fitues të Çmimit Brams Stoker, fitues të Çmimit Emerson, fitues të Çmimit Pushcart, fitues të Çmimit të Poezisë William Stafford etj.

Shumica e poetëve të botuar në këtë revistë letrare kanë publikuar botime në revista të tjera prestigjioze. Shumë prej tyre gjithashtu janë poetë tashmë me një bagazh të pasur letrar. Ndërkaq të tjerët janë poetë dhe shkrimtarë të ardhshëm, zëri i të cilëve sapo ka filluar të dëgjohet. Kjo revistë letrare përfshinë poetë dhe shkrimtarë nga të gjitha shtetet e ShBA-ve, ndërkaq nga arena ndërkombëtare poetë që kanë kontribuar në “Songs of Eretz Poetry Review”, janë nga: Australia, Kanada, Kina, Anglia, Franca, Greqia, India, Irlanda, Izraeli, Italia, Holanda, Zelanda e Re, Pakistani, Filipinet, Rusia, Skocia, Spanja, Turqia, Vietnami dhe tashmë edhe Kosova. / KultPlus.com