Promovohet numri i parë i “Revistës Arkeologjike”

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, promovoi sot, dy botime të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore.

Bëhet fjalë për numrin e parë të “Revistës Arkeologjike”, një botim që hedh dritë mbi punën e një prej sektorëve më të rëndësishëm në ruajtjen e trashëgimisë kulturore, që është Shërbimi Arkeologjik. Si dhe revistën “Monumentet”, në numrin e saj të 61-të, që është një dritare jo vetëm për njerëzit e fushës, që shkëmbejnë arritjet më të fundit me njëri-tjetrin, por edhe për studentët dhe një publik më të gjerë me interesa të posaçme për monumentet.

“Revista Arkeologjike” është rezultat i punës së Shërbimit  Arkeologjik, falë punës së të cilit arrihet zbulimi dhe shpëtimi i shumë gjetjeve arkeologjike në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe është e rëndësishme që ky aktivitet, zbulimet, dokumentimet, përfundimet të shkojnë edhe te publiku, jo vetëm ai i specializuar.

“Sa i përket “Monumenteve”, kjo revistë ka qenë një guidë në fushën e vet, falë drejtimit të prof. dr. Pirro Thomo dhe bashkëpunimit me emra të nderuar të trashëgimisë kulturore”, u shpreh ministrja.

“Mirënjohja për të gjithë bashkëpunëtorët e kësaj reviste, le të jetë një ftesë për më shumë pjesëmarrje në prezantimin e një pune të përbashkët në ruajtje të pasurisë sonë”, deklaroi Margariti gjatë eventit të mbajtur në sallën “Tefta Tashko Koço” të Ministrisë së Kulturës./atsh/ KultPlus.com