Sot 95 vite më parë ka lindur revolucionisti dhe autori argjentinas Ernesto (Che) Guevara, një figurë mjaft e njohur e shekullit XX-të, shkruan KultPlus.
Ernesto (Che) Guevara- i njohur edhe si Komandant Che ka lindur më 14 qershor 1928, në Rosario dhe ka vdekur më 9 tetor 1967 në La Hinguera, në Bolivi. Ishte revolucionar, shkrimtar dhe guerilas marksist argjentinas dhe hero i komunistëve të Amerikës Latine, si dhe një figurë e njohur e shekullit të 20-të.
Nofkën “Che” e mori nga bashkëluftëtarët komunistë kubanë në Meksikë, sepse përdorte shpesh, si çdo argjentinas, fjalën “Che”, diçka e ngjashme si thirrja “Hej” e shqipes.
Guevara mori pjesë në revolucionin komunist kuban në krah të Fidel Kastros në vitin 1959, për rrëzimin e regjimit të diktatorit të atëhershëm Batista dhe vendosjen e diktaturës komuniste të Fidel Kastros.
Ernesto Guevara ishte fëmija i Celia de la Serna-s dhe Ernesto Guevara Lynch-it. Che Guevara kaloi në pavdekshmëri dhe u bë legjendë dhe simbol për miliona të rinj komunistë në botë. Fjala e tij më e preferuar ishte : Hasta La Victoria Siempre! (Deri në fitoren përgjithmonë!).
Për komunistët, figura e tij ishte ajo e një njeriu që nuk mposhtet kurrë përpara çdo të keqeje që mund t’i vijë, dhe lufton deri në fund për idealet e tij; për antikomunistët figura e tij ishte ajo e një komunisti të dhunshëm, vrasës brutal e i pamëshirshëm, që ekzekutonte me dorën e tij ata që e kundërshtonin.
Gjatë viteve 1945 – 1952 u transferua në Buenos Aires bashkë me familjen e tij, për të vazhduar shkollën e lartë për mjekësi. Në vitin 1952 në moshën 23 vjeçare vendosi të bëjë udhëtimin e tij të parë (rreth 4.500 km) për të vizituar kontinentin e Amerikës së Jugut bashkë me mikun e tij Alberto Granado.
Në vitin 1953 u diplomua në mjekësi dhe vendosi të bëjë një udhëtim tjetër, këtë herë me një shok tjetër, Calica Ferrer. Fillon të interesohet për politikën dhe filloi t’u afrohet ideve marksiste.
Gjatë viteve 1954-1956 u njoh me Hilda Gadea, me të cilën më pas u martua në vitin 1956. Më vonë kaloi në Meksikë, ku u njoh me Fidel Kastron.
Gjatë viteve 1957-1958 u krijua kolona e dytë revolucionare me Fidel Kastron, e cila mori pjesë në pushtimin e Siera Maesta-s dhe në sulmin e Santa Clara-s.
Gjatë viteve 1959-1960 u bë qytetar kuban dhe mori pjesë në qeverinë e Kastros si ministër i industrisë dhe president i Bankës Kombëtare.
Gjatë viteve 1961-1964 mori pjesë në konferencën e shteteve amerikane në Punta del Este.
Vihet në komandë të mbrojtjes gjatë krizës së Gjirit të Derrave.
Merr pjesë në Moskë për festimet e përvjetorit të 47-të të Revolucionit Socialist të Tetorit.
Merr pjesë në asamblenë e OKB-së në New York. Me ketë rast i jep një intervistë televizionit amerikan (CBS). Niset për një udhëtim në Afrikë.
1965-në mars rikthehet në Kubë dhe del për të fundit herë në publik. Më 1 prill në një letër dërguar Kastros deklaron arsyet e tij për largimin nga Kuba. Më pas, në mënyrë të fshehtë, largohet për në Kongo. Pas gjashtë muajsh kthehet përsëri në Kubë. Atje përgatit një plan për të sjellë revolucionin në Bolivi.
1966-Me një emër të rremë shkon nëBolivi. Atje fillon të shkruajë “Ditarin”.
1967-Lufta guerile në Bolivi nuk pati mbështetje nga Partia Komuniste boliviane dhe nga popullsia vendase, ushtria boliviane po e ndiqte Guevarën dhe më 8 tetor plagoset dhe kapet nga ushtria boliviane. Më 9 tetor, vritet dhe varroset në një vend sekret në Vallegrande, Trupi i tij gjendet më 1997 dhe rivarroset në Kubë më të gjitha nderimet dhe ceremonitë që u rezervohen heronjve./KultPlus.com