Del në ankand revolveri me të cilin u vetëvra Van Gogh

Revolveri i tipit, Lefaucheux që Vincent Van Gogh përdori për t’i dhënë fund jetës së tij më 27 korrik 1890 në Auvers-sur-Oise do të dalë në ankand, të mërkurën në Paris, në hotel ”Drouot’’.

Do të jetë shtëpia e ankandeve  ‘’AuctionArt – Rémy Le Fur’’ e cila do të prezantojë për shitje armën famëkeqe të kalibrit 7 mm. Megjithëse autenticiteti ndoshta nuk do të provohet zyrtarisht, origjina është cilësuar e sigurtë. Revolveri llogaritet mes vlerës 40 000 deri në 60 000 euro.

Pas një qëndrimi për rreth dy vite në Jug, Vincent Van Gogh u vendos më 20 maj 1890 në Auvers-sur-Oise, me këshillën e të vëllait Theo. Doktor Paul Gachet, një mik i piktorëve impresionistë, u kujdes në atë kohë për artistin holandez, i cili kishte përjetuar kriza të shpeshta psikologjike. Van Gogh, i cili mori me qira një dhomë tek pronari i hanit, Arthur Ravoux, ishte në atë periudhë në kulmin e artit të tij. Ai mund të pikturonte më shumë se një pikturë në ditë.

Ditën e dielë, më 27 korrik 1890, piktori mori udhën drejt një fushë aty pranë, ngriti këmishën dhe qëlloi veten në gjoks, me armën që e kishte marrë hua nga i zoti i hanit. Revolveri i shpëton nga duart dhe ai bie në tokë pa ndenja.  Ai përmendet rreth mbrëmjes, i plagosur dhe merr rrugën drejt hanit. Pavarësisht kujdesit të doktor Gachet, Vincent Van Gogh vdiq, pas dy ditë në agoni, përcjell Atsh.

Arma e paraqitur në Drouot u gjet rreth vitit 1960 nga një fermer dhe iu dorëzua prindërve të pronarit aktual të hanit Ravoux. Revolveri u ekspozua në Muzeun Van Gogh në Amsterdam në vitin 2016