Rexhep Qosja: Rëndësia e Kongresit të Manastirit për kombin shqiptar

Mes datave 14 dhe 22 nëntor të vitit 1908 është mbajtur Kongresi i Manastirit që kulmoi me caktimin e alfabetit të Gjuhës shqipe më 22 nëntor.

Në përvjetorin e kësaj date, është publikuar një dorëshkrim i akademikut Rexhep Qosja.

Përmes dorëshkrimit të tij, që e ka publikuar “Euronews Albania”, Qosja kujton përpjekjet dhe përkushtimin e delegatëve të këtij Kongresi, të cilët hodhën themelet për një identitet kulturor të qartë dhe të bashkuar.

Akademiku thekson se Kongresi i Manastirit është një ngjarje historike për kombin shqiptar, pasi i dha shqiptarëve për herë të parë një alfabet të standardizuar, si dhe ndërtoi politikën për krijimin e Gjuhës standarde në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe.

Dorëshkrimi i Rexhep Qosjes, sipas EuronewsAlbania:

Gati të gjitha veprat, monografitë, studimet, trajtesat dhe shkrimet për Kongresin e Manastirit, fillojnë me shprehjen e bindjes se ky Kongres është ngjarje shumë e rëndësishme e Kulturës dhe kombit shqiptar. Ka një varg arsyesh e të dhënash për një vlerësim të tillë të Kongresit të Manastirit, por megjithatë dy janë kryesoret.

E para, Kongresi i Manastirit është ngjarja historike që gjuhës shqipe, kombit shqiptar, ia solli një alfabet, alfabetin e bazuar në alfabetin latin.

E dyta, Kongresi i Manastirit është ngjarja që me alfabetin, me një alfabet dhe me qëndrimet e organizuesve të tij dhe delegatëve të zgjedhur prej viseve të ndryshme shqiptare ndërtoi politikën për krijimin e Gjuhës së përbashkët letrare, domethënë të Gjuhës standarde në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës shqipe, të mbajtur në Tiranë në vitin 1972.

Dy të arriturat e sipërtheksuara të Kongresit të Manastirit janë çështje të mëdha, më të mëdhatë të Gjuhës Shqipe.

Dy të arriturat e sipërtheksuara të Kongresit të Manastirit, duke qenë çështje të mëdha, më të mëdhatë e gjuhës shqipe, janë njëkohësisht çështje të Shkollës Kombëtare. Gjuha, alfabeti dhe Shkolla ishin dhe janë përbërës gjithëjetshëm e gjithëkohshëm të rëndësishëm të kulturës së çdo populli, prandaj edhe të Popullit shqiptar.

Në Kongresin e Manastirit do të merrnin pjesë 32 delegatë me të drejtë vote që përfaqësonin 26 qytete dhe shoqëri të ndryshme shqiptare, brenda dhe jashtë Atdheut.

Delegatët me të drejtë vote ishin shkrimtarë dhe publicistë të njohur, lëvrues të gjuhës shqipe, laikë e klerikë, veprimtarë të lëvizjes kombëtare.

Në mbledhjen e pasdites së parë të Kongresit do të zgjidhej Kryesia që do të udhëhiqte e drejtonte punimet e Kongresit. Kryetar i Kongresit u zgjodh Mithat Frashëri, nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi, ndërsa sekretarë Hilë Mosi, Thoma Avrami dhe Nyzhet Bej Vrioni.

Duke parë se sa e përbërë do të ishte zgjidhja e dëshiruar, e rëndësishme e gjithëjetshme e çështjes në fjalë, disa nga diskutuesit e quajtën të nevojshme të propozojnë që të krijohet një Komision, të cilit do t’i besohej vendimi për çështjen e alfabetit.

Komisioni do të përbëhej prej përfaqësuesve të alfabeteve të Stambollit, të “Bashkimit” e të “Agimit” dhe të disa publicistëve e intelektualëve të njohur. Komisionit iu besua me vota të fshehta vendimi për një alfabet të cilin delegatët e Kongresit zotoheshin se do ta pranonin detyrimisht si alfabet të përbashkët për të gjithë shqiptarët. Kryetar i Komisionit u caktua Gjergj Fishta, i cili mori numrin më të madh të votave.

Akademia e Shkencave të Shqipërisë uron akad. Rexhep Meidanin në 79-vjetorin e lindjes

Kryesia e Akademisë së Shkencave uroi sot akademik Rexhep Meidanit, “Gëzuar ditën e lindjes!”.

Akad. Rexhep Mediani është anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, anëtar i Asamblesë dhe dhe një nga mbështetësit e reformimit të saj. Ai është zgjedhur kryetar i bordit të Institutit Kombëtar të Fizikës, që u themelua këtë vit në ASHSH.

Rexhep Meidani ka lindur më 17 gusht të vitit 1944. “Ditёlindja e tij ёshtё njё moment i veçantë pёr ta falënderuar publikisht pёr kontributet dhe arritjet në jetёn e tij “, thuhet në njoftimin e Akademisë së Shkencave.

Akad. Rexhep Mediani ka kryer detyrën e tij të lartë president i Republikës së Shqipërisë në vitet e vështira të tranzicionit 1997–2002.

Në jetën profesionale si fizikan ai ka fituar të gjitha gradat shkencore dhe titujt akademikë, që nga doktorata tek titujt “profesor” dhe “akademik”. Ai bën pjesë në atë grup ekspertësh të shkencave të sakta me formim perëndimor dhe që u shfaqën me zotësi konkurruese cilësore në atë mjedis në një kohë kur vendi ishte i mbyllur dhe nuk e njihte konkurrencën si faktor lëvizës të shoqërisë.

Akademik Rexhep Meidani kreu shkollën e mesme dhe studimet e larta në Fakultetin e Shkencave Natyrore të Universitetit të Tiranës (1966).  U emërua pedagog në katedrën e fizikës në Universitetin e Tiranës (1966).

Kreu studimet pasuniversitare në Francë, në Universitetin e Kanës dhe në Universitetin “Paris XI”, ku mbrojti dhe doktoratën e ciklit të tretë në fizikën e trupave të ngurtë (1973-1976), ndërsa në Shqipëri përgatiti dhe një doktoraturë të dytë për gradën “doktor”. Vijoi veprimtarinë mësimore e kërkimore në Universitetin e Tiranës.

Si pedagog, përgjegjës katedre (1986-1990, 1992-1996) dhe dekan i Fakultetit të Shencave Natyrore (1988-1992), ka dhënë ndihmesë në zhvillimin e procesit mësimor e të veprimtarisë shkencore, sidomos në fushën e fizikës teorike (mekanikës kuantike, fizikës statike, fizikës së trupit të ngurtë etj.).

Me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri, Rexhep Meidani u aktivizua në jetën politike e shoqërore dhe dha ndihmesë në proceset demokratike që nisën në vend.

Në dhjetor 1990 u emërua kryetar i Komisionit Qendror të zgjedhjeve të para pluraliste. Në votimet e qershorit 1997 u zgjodh deputet në Kuvendin e Shqipërisë dhe në korrik 1997 u zgjodh President i Republikës së Shqipërisë, mandat të cilin e mbajti deri në vitin 2002.

Gjatë viteve 1986-1990 ka qenë anëtar i Komitetit për Mirëkuptimin Ballkanik dhe në vitet 1994-1996, Kryetar i Bordit të Qendrës Shqiptare të të Drejtave të Njeriut.

Rexhep Meidani është zgjedhur anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2003) dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë së Veriut (2015) dhe mban titullin “doctor honoris causa”, dhёnё nga Universiteti i Stambollit, i Selanikut, i Sofjes, i Romës, i Brixhportit (SHBA), i Portsmuthit (Angli), New York University i Tiranës etj. Është anëtar dhe anëtar nderi i institucioneve e organizmave të ndryshme, brenda e jashtë vendit, ndër të cilat mund të përmenden: Klubi i Madridit (Club of Madrid, Madrid, 2003); ICDC (Pragë, 2005); ICD (Berlin, 2011); NGIC (Baku, 2014); Bibliotheka Alexandrina (Egypt, 2015), etj.

Rexhep Meidani është vlerësuar me “Çmimin e Republikës”, me urdhrin “Naim Frashëri”, si dhe mjaft urdhra e medalje të dhëna nga institucione të vendeve të huaja./atsh/KultPlus.com

Fragment nga ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’

Fragment nga Rexhep Qosja

Natën, shpesh më zë ankthi, më kaplojnë djersë të ftohta, më del gjumi kohë e pa kohë, shoh ëndrra të këqija: bolla që dalin prej syve të tu dhe m’i vërsulen kërthizës, tigra, që duke kërcëllitur dhëmbët, më sulmojnë kokën; sorra dhe korba që janë kurdisur në kornizën e fotografisë sime dhe krrokasin, krrokasin, krrokasin, ndjellin zi dhe më shtien tmerrin. Sa shpesh më del përpara syri i Danjollit të Sherkës, i zmadhuar sa një disk, i shpuar në mjedis dhe do të m’i lexojë mendimet. Çohem atëherë, e shikoj derën a është e mbyllur mirë dhe e rrotulloj çelsin edhe një herë; që të mos hyjë Danjolli me syrin e tij. /KultPlus.com

Fragment nga “Vdekja më vjen prej syve të tillë”

Natën, shpesh më zë ankthi, më kaplojnë djersë të ftohta, më del gjumi kohë e pa kohë, shoh ëndrra të këqija: bolla që dalin prej syve të tu dhe m’i vërsulen kërthizës, tigra, që duke kërcëllitur dhëmbët, më sulmojnë kokën; sorra dhe korba që janë kurdisur në kornizën e fotografisë sime dhe krrokasin, krrokasin, krrokasin, ndjellin zi dhe më shtien tmerrin. Sa shpesh më del përpara syri i Danjollit të Sherkës, i zmadhuar sa një disk, i shpuar në mjedis dhe do të m’i lexojë mendimet. Çohem atëherë, e shikoj derën a është e mbyllur mirë dhe e rrotulloj çelsin edhe një herë; që të mos hyjë Danjolli me syrin e tij. /KultPlus.com

Profili i Qosjes një ditë pas moshës 83 vjeçe

Nga Berat Dakaj

Rexhep Qosja (1936), i cili nga shumë studiues është konsideruar dhe konsiderohet erudit, është shkrimtari më i njohur në Kosovë. Ka bërë emër të historianit e të studiuesit të letërsisë pasi ka botuar dhjetëra libra të kësaj natyre: Vazhdimësi, Panteoni i rralluar, Asdreni: jeta dhe vepra, Prej tipologjisë deri te periodizimi, Shkrimtarë dhe periudha, Prej letërsisë romantike deri te letërsia moderne, Anatomia e kulturës, Episodet letrare, Dialog me shkrimtarë, Nocione të reja albanologjike, Kritika letrare, Historia e letërsisë shqipe: Romantizmi 1, Historia e letërsisë shqipe: Romantizmi 2, Historia e letërsisë shqipe: Romantizmi 3, Porosia e madhe, Tri mënyra të shkrimit shqip, Semantika e ndry-shimeve historiko-letrare; edhe të shkrimtarit, pasi i ka shkruar: Antologjia e lirikës shqipe, I ringjalluri i penduar, Mite të zhveshura, I ringjalluri i penduar, Vdekja më vjen prej syve të tillë, Një dashuri dhe shtatë faje, Nata është dita jonë, Bijtë e askujt 1, Bijtë e askujt 2; edhe të historianit e të publicistit: Shpërngulja e shqiptarëve nga Kosova, Çështja shqiptare – historia dhe politika, Programet serbe për shpërnguljen e shqiptarëve, Paqja e përgjakshme, Tronditja e shekullit 1, Tronditja e shekullit 2, Rilindja e dytë;Populli i ndaluar, Strategjia e bashkimit shqiptar, Ligjërime paravajtëse, Fjalor demo-kratik, Demokracia e shpërdorur, Intelektualët, etika dhe politika; edhe të polemistit: Populli i ndaluar,Strategjia e bashkimit shqiptar,Çështja shqiptare: historia dhe politika,Morfologjia e një fushate, Ideologjia e shpërbërjes, Realiteti i shpërfillur, Të vërtetat e vonuara; edhe të kronikanit Dëshmitar në kohë historike etj. Disa prej këtyre veprave, veçanërisht artistike (romanet e dramat), i janë përkthyer në gjuhën gjermane, franceze, arabe, kroate, holandeze, serbe. Fatkeqësisht, sa ka merituar, ka depërtuar në pak gjuhë të botërore.

Veprimtarinë artistike të Rexhep Qosjes studiuesit, meqë s’kanë mundur ta nxjerrin një paralele me shkrimtarët e tjerë shqiptarë, e kanë krahasuar me të Kafkës, të Rusoit, të Volterit, të Zolës, të Eliotit. E kanë krahasuar e i kanë dhënë këto epitete: Kafka i lindjes, Volteri i Ballkanit, Shkrimtari më i mirë shqiptar jashtë trungut shqiptar,kapedan i shqiptarizmës… etj. Ndërkaq, duke bërë një krahasim të veprave të tij me të shkrimtarëve shqiptarë, ai pa dyshim se është një ndër më të shquarit e letërsisë dhe kulturës sonë dhe i krahasueshëm shpeshherë, për shkak të nivelit estetik dhe stilistik e temave të reja në veprat artistike e, i kundërshtueshëm, për shkak të pikëpamjeve të tyre kombëtare, vetëm me Ismail Kadarenë. Ndërkaq, për nivelin e studimit e të prodhimit, të librave të shumtë, e kanë krahasuar me punën e një akademie të tërë e të institucioneve e instituteve shkencore dhe historike. /KultPlus