Kryebashkiaku i Vlorës takon akademikun Qosja: Festën e Pavarësisë do ta gëzojmë në Vlorë

Kryetari i bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, zhvilloi në Prishtinë një takim me akademikun Rexhep Qosja.

“Nuk ndodh përditë të ndash kohën me një njeri të rrallë si Profesor Rexhep Qosja, historiani i letërsisë shqipe dhe krijuesi i disa prej nocioneve e terminologjive themelore të saj. Standardolog i gjuhës shqipe, kulturolog dhe personaliteti më me ndikim në historinë e re shqiptare, Qosja, ishte për mua, takimi më mbresëlënës, jo vetëm në Kosovë”, – theksoi Leli.

Kryebashkiaku Leli u shpreh se “gjatë vizitës time, veç kënaqësisë së bisedës, mora edhe premtimin se këtë nëntor, Festën e Pavarësisë, nëse Covid-19 nuk do të na pengojë, do ta gëzojmë së bashku në Vlorë. /atsh/ KultPlus.com

“Nuk është kjo kohë e mëshirës dhe e dashurisë, kjo është kohë e sundimit të dhunës”

Rexhep Qosja

Beselami

Ç’është nderi! Ç’është nderi kur duhet
të vdesësh! Një fjalë e marrë, por e
madhe! Ngushëllim i vogël para fundit
të pa skaj. Njerëzit e mençëm janë
fatkëqij se të tjerët ndjehen të vegjël
skaj tyre. E vogëlsia e ka xhelozinë e
madhe dhe urrejtjen e pazgjedhur. Le
të bëhet i fortë dhe i pamëshirshëm
se me mëshirën nuk mbërrin askund,
s’ia del me askënd, s’fiton asgjë. Nuk
është kjo kohë e mëshirës dhe e
dashurisë. Kjo është kohë e sundimit
të dhunës. Me të i çel dyert, që s’i çel
mendja dhe i shtrin poshtë grushtet
e urrejtjes. Nuk ka tjetër ligj. Mëshira
është harruar kur në dorë janë marrë
mburoja, shigjeta dhe shpata. Me të
përcjellim vetëm të vdekurit.

Rexhep Qosja
Drama “Beselam pse më flijojnë”
/ KultPlus.com

Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova e Idriz Ajeti në një fotografi të vetme

Në këtë fotografi, të shpalosur me rastin e 50-vjetorit të rithemelimit të Institutit Albanologjik të Prishtinës, i shohim tok në një tribunë shkencore Rexhep Qosjen, Ibrahim Rugovën dhe Idriz Ajetin.

“Vitet kur këta tre mendimtarë ishin pjesë të stafit shkencor të IAP-it, padyshim se mund të cilësohen si vite të arta të këtij institucioni akedemik, kur pa as më të voglën mëdyshje IAP-i ishte kryeqendra e studimeve albanologjike”, pati shkruar në profilin e tij studiuesi i letërsisë Adil Olluri.

Sipas tij, viti 2017 ishte tejet i begatshëm për Institutin Albanologjik, meqë nga punonjësit e tij shkencorë u botuan një sërë veprash.

“Punonjësit e tij shkencorë ishin të pranishëm në shumë konferenca shkencore kombëtare e ndërkombëtare. Ky vit i dha shenjat e një rikthimi të IAP-it në vendin që i takon. Pra, të rikthimit të sigurtë në një qendër kryesore të studimeve dhe mendimit shqiptar. Viti 2018 qoftë i begatshëm për të gjithë dashamirësit e librit dhe albanologjisë”, kishte shkruar Olluri. / KultPlus.com

Rexhep Qosja publikon romanin ‘Të fshehtat e treguara’

Sot, Rexhep Qosja feston 84 vjetorin e lindjes, ndërkaq pikërisht në këtë 84 vjetor ai ka publikuar romanin e tij të pestë që mban titullin ‘Të fshehtat e treguara’.

Akoma nuk është bërë e ditur se çfarë saktësisht trajtohet në roman, mirëpo Rexhep Qosja njihet si një shkrimtar i shquar i letërsisë shqipe, veprat e të cilit gjithmonë kanë rezultuar tejet të suksesshme.

Fol shkurt, sa më shkurt
Kudo e kurdo në dritë e në terr është mirë të flasësh shkurt!
sa më shkurt sidomos me prokurorët e rinj
sa më shkurt me gjykatësit e vjetër
shkurt me priftërinjtë e çdo feje
shkurt me profesorët e zgjuar
shkurt me mjekët e çmuar
dhe me gratë e hirta
mëse u flet gjatë
ta kthejnë shkurt
shumë shkurt
dhe bosh
bosh
bo
sh!’
, thuhet në pasthënien e romanit.

Vlen të ceket se Rexhep Qosja është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera. / KultPlus.com

Rexhep Qosja sot feston datëlindjen e 84-të

Akademiku i njohur shqiptar Rexhep Qosja sot feston datëlindjen e 84-të. Ai ka lindur më 25 qershor 1936 në Vuthaj te Kelmendit, Malit të Zi, shkruan KultPlus.

Katër klasat e para të fillores i kreu në Vuthaj, kurse gjysmëmaturën në Guci.Shkollën normale e mbaroi në Prishtinë. Më 1964 diplomoi në degën Gjuhë-letërsi të Universitetit të Prishtinës. Studimet pasuniversitare i kreu në Universitetin e Beogradit, Beograd ku në vitin 1971 mori titullin “Doktor i shkencave filologjike” me temën “Asdreni-jeta dhe veprat”. Ishte punonjës shkencor në Institutin Albanologjik të Universitetit të Prishtinës dhe drejtor i këtij Instituti prej vitit 1972 deri më 1981.

Është autor i mbi tridhjetë librave me studime për letërsinë dhe kritikë letrare, prozë artistike, tregime, romane dhe drama, publicistikë e shkrime polemike Ka botuar recensione, vështrime, artikuj, sprova, trajtesa e studime në revista shkencore e letrare, duke trajtuar në to çështje të veçanta të letërsisë shqipe dhe të krijimtarisë letrare në përgjithësi. Disa punime dhe vepra të tij janë përkthyer në gjuhë të tjera.

Për krijimtarinë shkencore e letrare është çmuar me: Shpërblimin e qytetit të Prishtinës, më 1968; me Shpërblimin Krahinor të Dhjetorit më 1969; me dy shpërblime të SHSH të Kosovës, më 1972 dhe 1974 dhe me Shpërblimin e RS të Serbisë – 7 Korriku, më 1975, me Çmimin “Pjetër Bogdani”, 2010 për romanin “Bijt e askujt”, Gjilani Çmimin letrar- Beqir Musliu, më 22 qershor 2012 ia dorëzoi akademikut Rexhep Qosja . Ai është marrë edhe me veprimtari politike; në periudhën 1998-2000 drejtoi një parti politike në Kosovë. Në vitin 2000 kryetari i Republikës së Shqipërisë i dha çmimin “Nderi i Kombit”. Qosja është anëtarë i rregullt i ASHA të Kosovës./ KultPlus.com

Rexhep Qosja për Moikom Zeqon: Ti ishe bibliotekë e madhe kombëtare e botërore

Studiuesi dhe shkrimtari i mirënjohur, Moikom Zeqo ka ndërruar jetë dje në mëngjes, në moshën 71-vjeçare, duke humbur kështu betejën me sëmundjen e rëndë. Vdekja e tillë ka pikëlluar të gjithë ata që e njohën e deshën artin e tij. Akademiku Rexhep Qosja ka ndarë sot dhimbjen e tij për humbjen e mikut me fjalë të ndjera e vlerësime të shumta për këtë figurë që sipas tij dallonte shumë nga të tjerët.

Postimi i plotë i Qosjës:

Moikom Moikom

Na le!

Na le papritmas!

Na le shpejt!

Nuk e prisnim shkuarjen tënde!

Më trondite me këtë shkuarje të papritur!

Shumica prej nesh, miqve tu, që ishim më të moshuar se ti, dhe jo vetëm pse ishim më të moshuar ishim kandidatë për t’u bërë para teje “deputetë” të atij parlamenti në të cilin e përfundojnë jetën të gjithë njerëzit, që kanë hyrë në këtë jetë.

Ti nuk kishe drojën prej atij parlamenti. Në kujtesën tënde madhështore kishte zënë vend të përhershëm edhe mendimi i filozofit Imanuel Kant: vdekjes më së shumti i frikësohen njerëzit e parëndësishëm.

I dashur Moikom, Ti nuk iu frikësove në asnjë çast vdekjes. Dhe për arsyen se nuk iu frikësove vdekjes punove deri në ditën e fundit, punove ditë e natë, pa u lodhur, pa menduar se njeriu mund të vdesë edhe prej punës së pandërprerë mendore, se: mund të vdesësh e mund të të vdesin!

Ti, Moikom i dashur, ishe i rëndësishëm, shumë i rëndësishëm, për shumë arsye. Ishe i rëndësishëm pse kishe dhunti të madhe krijuese. Dhuntinë tënde të madhe krijuese e shquanin dy prirje të jashtëzakonshme: prirja poetike e shprehur edhe në eseistiken tënde shumë të shquar cilësisht dhe shumë të madhe vëllimisht edhe në studimet tua shkencore e arkeologjike.

Ti Moikom miku im, ishe i rëndësishëm sepse kishe shumë dije. Më shumë se asnjë intelektual, më shumë se asnjë krijues tjetër, më shumë se asnjë shkrimtar e asnjë studiues tjetër shqiptar. Ti ishe jo një enciklopedi e gjallë si të quanin shumica e kolegëve, mes të cilëve ashtu të kam quajtur edhe unë, ti ishe më shumë se aq! Ti ishe bibliotekë e madhe kombëtare e botërore. Duke i lexuar shkrimet tua, duke i lexuar veprat tua, ne, shumica e lexuesve tu, kemi mësuar shumë prej teje dhe kemi mësuar shumë prej teje qoftë edhe pse dijet tua thuheshin në mënyra të reja që s’thuhen ashtu në shkrimet e në veprat e krijuesve të tjerë të kohës tënde.

Ti, Moikom, ishe i veçantë, shumë i rëndësishëm si i veçantë, sepse nuk ishe si ne të tjerët, sepse dalloje prej nesh, dalloje me dhuntinë, dalloje me mbamendjen e jashtëzakonshme, dalloje me shpirtësinë e gjithanshme, dalloje me thellësinë mendimore e kuptimore, dalloje me shprehjen, dhe dalloje me estetikën dhe me figurshmërinë e asaj shprehjeje.

Për arsye se ishe ndryshe prej të tjerëve, se dalloje prej të tjerëve, unë kisha kënaqësinë të të fusja në “Antologjinë e lirikës shqipe”, të ribotuar në vitin 1979, kur ti s’kishe më shumë se 30 vjet, e në të cilën ishin përfshirë gjithsej tridhjetë e një poetë lirikë shqiptarë. Çka do Moikom Zeqo aq i ri në antologjinë e lirikës shqipe më pyesnin kolegë, studiues të letërsisë dhe poetë të përfshirë në atë antologji. Moikom Zeqo ti ishe aty, në këtë antologji, sepse dalloje prej të gjithëve, e antologjitë duhet të jenë vepra jo të autorëve që me mendime e shprehje i shëmbëllejnë njëri tjetrit, por vepra në të cilat përfaqësohen autorë që me mendime e me shprehje dallojnë prej njëri tjetrit, përgjigjesha.

Megjithëse aq i rëndësishëm, megjithëse aq i veçantë, megjithëse aq shumë rrezatues me mbamendjen tënde, me mendimoren tënde, me veprën tënde në jetën kulturore shqiptare, megjithëse poet e studiues njëkohësisht, ti shkove përgjithmonë duke mos gëzuar njohjet që meritonin dhuntia dhe krijimtaria jote prej atyre institucioneve shtetërore dhe shkencore e artistike, që janë të shpallura të ligjshme për t’ua dhuruar atyre që i meritojnë këto njohje. Ti, Moikom ishe i rëndësishëm, ishe shumë i rëndësishëm, sepse rëndësia e dhuntisë sate, rëndësia e krijimtarisë sate nuk varej prej njohjeve zyrtare po prej teje, – prej asaj dhuntie dhe prej asaj krijimtarie.

Të kemi mbetur borxh edhe ne, kolegët e miqtë, por në Panteon nuk e çojnë krijuesin njohjet, në Panteon e çojnë krijuesin Dhuntia e tij, Vepra e tij, pasuria e Shpirtësisë së tij, rëndësia e përgjithshme e Mendimores së tij. E vepra jote do të nderonte çdo institucion të dijes e të artit.

E ti Moikom prej sot do të jesh i vendosur përgjithmonë në Panteonin e historisë së popullit shqiptar.

Lavdia jote historike, Moikom, le të jetë ngushëllim për bashkëshorten tënde, për fëmijët e tu, për kolegët tu të Akademisë Shqiptare të Arteve e të Shkencave anëtar i së cilës ishe, për të gjithë lexuesit tu të cilët aq shumë të deshën e të nderuan. / KultPlus.com

Çka kanë shqiptarët e që nuk ka Evropa?

Shkruan: Rexhep Qosja

Emisioni “Fshatrat e Shqipërisë” i televizionit Top Channel, shumë i rëndësishëm që për Shqipërinë e për shqiptarët të mësohet edhe çka s’ dihet sa duhet e ndoshta as si duhet, më nxiti sot të them edhe atë që e kam shkruar para disa vitesh.

Evropa ka shumë e shumëçka që s’e kanë pasur kurrë dhe as nuk e kanë sot shqiptarët. Por, shqiptarët kanë pasur dhe kanë diçka që Evropa s’e ka pasur kurrë dhe s’e ka as sot.

Evropa ka pasur dhe ka mirëqenie të madhe lëndore e kulturore. Por, shqiptarët kanë pasur e kanë dy madhështi të jashtëzakonshme shpirtërore: kanë dy familje të mëdha që vunë themelet e dy shteteve të tyre të sotme.

Shqiptarët kanë familjen madhështore të Frashëriotëve. Kanë:

Abdyl Frashërin – diplomatin dhe shtetarin e madh, që me diplomacinë dhe me politikën e tij shtetare bëri Shqipërinë e ardhshme.

Naim Frashërin – vëllanë e tij, poetin e madh kombëtar, që bëri veprën e madhe poetike e historike të Kombit shqiptar e të Shqipërisë së sotme e të ardhshme.

Sami Frashërin – vëllanë e Abdylit e Naimit, ideologun e madh kombëtar, i cili bëri programin kombëtar sipas të cilit u ndërtua Shqipëria, shteti i ardhshëm kombëtar shqiptar.

Evropa ka shumë e shumëçka që s’e kanë pasur kurrë dhe s’e kanë ende shqiptarët, por shqiptarët kanë familjen e madhe, historike të Jasharajve: kanë kryefamiljarin e madh Shaban Jasharin dhe të bijtë e tij, heronjtë e lavdishëm, Adem dhe Hamëz Jasharin me anëtarët e familjeve të tyre.

Evropa ka pasur e ka shumëçka që s’e kanë pasur shqiptarët, por shqiptarët, ja, kanë dy familje të mëdha që me emrat e tyre, me sakrificat e tyre madhështore, me etikën e tyre vunë themelet e shtetit të tyre: familjen e Frashëriotëve me tre bijtë e saj: Abdylin, Naimin e Samiun dhe familjen e Jasharajve që me sakrificën e lavdishme, heroike të të gjithë anëtarëve të saj me të rinj e të vjetër, me të vegjël e të mëdhenj – të kryefamiljarit, të bijve, të bijave, të grave, të nipërve e të mbesave e vunë jetën në themelet e shtetit të ardhshëm të Kosovës, në të vërtetë të Kosovës së bashkuar me Shqipërinë.

Shqiptarët s’kanë pasur e s’kanë ende shumëçka që jetën e evropianëve e bën të pasur, të mirëqenë; por shqiptarët kanë diçka që s’e ka pasur dhe s’e ka Evropa e madhe e cila aq përparim i ka sjellë njerëzimit me mendjen e saj: s’e ka madhështinë e dy familjeve shqiptare të cilat me sakrificat e tyre të lavdishme vunë themelet shpirtërore, ideologjike, morale, kombëtare të Kombit të tyre siç janë Frashëriotët dhe Jasharajt.

Evropa, pra, ka shumë e shumëçka që e bën të dalluar në krejt Botën, por Evropa nuk ka pasur kurrë e nuk ka as sot tre vëllezër siç ishin e janë Abdyl, Naim e Sami Frashëri, të cilët idealin e tyre madhështor “të bëjmë shqiptarin e të bëjmë Shqipërinë” e bënë njëmendësi.

Evropa, pra, ka shumë e shumëçka që e bën të dalluar në krejt Botën, por Evropa nuk e ka pasur kurrë dhe nuk e ka as sot një familje të madhe historike që për Kombin e vet u sakrifikua njëkohësisht, njëherësh, aq vendosmërisht, aq etikisht, aq madhërishëm siç u sakrifikuan Adem dhe Hamëz Jashari me familjen e tyre

Kjo është e veçanta e madhe, e lavdishme, madhështore me të cilën shqiptarët bëhen të veçantë me historinë e të veçantë me dinjitetin në historinë e përbashkët evropiane. /KultPlus.com

Qosja: Mohimi i gjuhës letrare është çështje politike

Gjuhës Shqipe dhe Gjuhën Letrare Shqipe të vitit 1972? Ju keni qene vetë i pranishëm në punimet e këtij kongresi. A pati ndikime të politikës aktuale për caktimin e bazës së formimit të gjuhës?

Formimi i gjuhës që e përdorin gjithë pjesëtarët e një kombi, për dallim prej gjuhës dialektore që e përdorin vetëm disa nga pjesëtarët e atij kombi, te secili popull ka shënuar shkallën më të lartë të zhvillimit e qytetërimit të tij. Nuk jemi përjashtim, apo jo? Kongresi i Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe dhe krijimi i Gjuhës Letrare shënon shkallën më të lartë në zhvillimin e qytetërimit tonë. Gjuha letrare është e arritura më e çmuar e procesit historik të zhvillimit të vetëdijes të popullit shqiptar, të kulturës, të letërsisë e të gjuhës së tij.

Në këtë bisedë që po bëni ju me gjuhëtarë e shkrimtarë për Kongresin e Drejtshkrimit janë dëgjuar mendime pohuese se ka pasur dhe mohuese se nuk ka pasur ndikime të tilla. Unë nuk mund ta di a ka pasur ndikim të politikës në përcaktimin e bazës së gjuhës letrare. Por, unë jam i bindur se ka pasur ndikime të udhëheqjes së shtetit shqiptar në mbajtjen e kongresit, e kjo d.m.th. edhe në formimin e Gjuhës Letrare Shqipe. Dhe kjo, për mendimin tim, është e kuptueshme. Do të ishte e pakuptueshme dhe, në një mënyrë, e panatyrshme, po të mos kishte pasur ndikim të tillë. Gjuha letrare s’është çështje vetëm e gjuhëtarëve, por është çështje e krejt një populli, e krejt një shoqërie. Një filozof gjerman e ka thënë se gjuha është fenomen aq i rëndësishëm sa që nuk guxojmë t’ua lëmë në duar vetëm gjuhëtarëve. Gjuha i bashkon, por gjuha edhe mund t’i ndajë njerëzit. Shteti është fryt i përpjekjeve bashkuese në historinë e një populli. Dhe, gjuha letrare standarde është fryt i përpjekjeve bashkuese në historinë e një populli.

Nuk ka gjuhë letrare atje ku nuk ka shtet, më saktësisht, atje ku nuk ka vetëdije për shtetin, për të përbashkëtën institucionale. Nuk është e rastit që gjuhët letrare kryesisht janë krijuar në kohët kur janë shtuar faktorët që vendosin lidhjet e përbashkëta në jetën e popujve: komunikacioni, administrata, qyetetet e mëdha, universitetet, tregtia, librat, gazetat e të tjera. Dhe, nuk është e rastit pse vetëdija për një gjuhë të përbashkët, për Gjuhë Letrare Kombëtare, te shqiptarët fillon në kohën e Rilindjes, domethënë në kohën kur shquhet lëvizja për pavarësi dhe për forimimin e shtetit shqiptar. E di se nuk ka shtet në këtë botë, së paku qe dy shekuj, që nuk ka këmbëngulur për një gjuhë letrare, sepse ashtu lehtësohet funksioni i shtetit dhe ashtu lehtësohet bashkimi i kombit.

Çfarë roli luajtën në atë kohë gjuhëtarët nga Kosova në vendosjen e kritereve për Gjuhën Letrare Shqipe? A ka pasur argumente se kjo gjuhë është imponuar për të hequr dorë nga gegërishtja?

Të gjitha punët, gjuhësore, administrative, politike, për mbajtjen e Kongresit të Drejtshkrimit janë bërë në Tiranë, natyrisht. Gjuhëtarët nga Kosova nuk kanë mundur të luajnë farë roli të drejtpërdrejtë në vendosjen e kritereve për gjuhën letrare, sepse komunikimet me Shqipërinë ishin shumë të penguara prej pushtetit jugosllav. Por, gjuhëtarët nga Kosova, megjithatë, në masë të madhe e kanë nxitur, e kanë frymëzuar, e kanë ndihmuar vendosjen e atyre kritereve, së pari me Konsultën e Prishtinës, mbajtur në vitin 1968, e pastaj me përkrahjen e deklaruar të të gjithë intelektualëve kosovarë për krijimin e gjuhës letrare mbi kriteret që ishin shpallur. Atëherë nuk është dëgjuar zë kundër gjuhës letrare. Përkundrazi. Është dëgjuar përkrahje me entuziazëm të jashtëzakonshëm. Ne, për fat, nuk kemi menduar për gjuhën prej aspektit të dialektit. Ne kemi menduar për gjuhën letrare si pjesëtarë të një kombi, ashtu më në fund siç duhej të mendojmë edhe sot.

Ka zëra që gjuha letrare për 50 vjet nuk u familjarizua nga shqiptarët në Kosovë. Kjo, sipas tyre, ka sjellur dygjuhësinë. Si mendoni ju, sa është e vërtetë kjo tezë?

Sipas mendimi tim – kjo është tezë e rrejshme. Tek të gjithë popujt që kanë gjuhët letrare sot, përpos gjuhës standarde, në të folur, më pak a më shumë, përdoren edhe dialektet vendore. Duke u përgatitur për këtë bisedë me ju – unë lexova në librin e gjuhëtarit të njohur Oto Jespersen, “Njerëzimi i popullit dhe individi nga aspekti linguistik” se gjuha e gjermanëve të arsimuar, edhe sot, pak a shumë, pas aq shumë vitesh të krijimit të gjuhës letrare, është gjuhë dialektalisht e ngjyrosur. Dhe, nuk thuhet se gjuha standarde gjermane nuk është familjarizuar në Gjermani, Austri a në ndonjërën krahine gjermane. Çdokush që do t’i dëgjojë fëmijët dhe të rinjtë e Kosovës, në shkolla, fakultete, vendtubime të ndryshme, se sa lehtë, se sa natyrshëm e flasin Gjuhën Letrare Shqipe, do të bindet se sa mirë është familjarizuar ajo në Kosovë.

Sa janë të përgjegjshëm vetë gjuhëtarët në Kosovë, por edhe shtresa intelektuale në përgjithësi, në njësimin e Gjuhës Letrare Shqipe, si një gjuhë e vetme dhe e standardizuar?

Numri më i madh i gjuhëtarëve dhe klasa intelektuale pothuajse në përgjithësi, me ndonjë përjashtim të rrallë, e përkrahin Gjuhën Letrare Kombëtare, si gjuhë e vetme e standardizuar. Dhe, këtë e bëjnë me shumë përkushtim, e bëjnë me shumë përgjegjësi. Jam i bindur.

Ju jeni shkrimtar dhe autor i një sërë veprash letrare. Sa kanë ndikuar shkrimtarët kosovarë në pasurimin e gjuhës shqipe?

Rexhep Qosja: Besoj se kanë ndihmuar ndjeshëm, qoftë duke ia sjellë gjuhës letrare leksikun e viseve ku kanë lindur, qoftë duke trajtuar përmbajtje të reja, në trajta të reja moderen letrare që kërkojnë shprehje më të përbërë figurative e simbolike që doemos e pasuron gjuhën letrare në përgjithësi. Sot, profesor, janë një sërë mediash në gjuhën shqipe në Kosovë. A ndikojnë pozitivisht ato dhe auditori shkollor në Kosovë në përvetësimin e masës për përdorimin e një gjuhe të tillë? Rexhep Qosja: Mësuesit, arsimtarët e profesorët në Kosovë kanë bërë shumë dhe vazhdojnë të bëjnë shumë për përdorimin e gjuhës së përbashkët. Ata mund të quhen ajo shtresa profesionale së cilës ia detyrojnë ngritjen e kulturës gjuhësore të të rinjve të Kosovës. Edhe mediat kanë ushtuar dhe ushtrojnë ndikim pozitiv në ngulitjen e normës letrare gjuhësore. Për fat të keq, në media, natyrisht me pak përjashtime, gjuha është shumë e thjeshtësuar, e kthyer gjithnjë e më dukshëm në gjuhë zhargoni, në të cilën si edhe në politikë, zotërojnë disa fjalë, si për shembull fjalët: liria, pavarësia, demokracia, republika, që s’kanë lidhje me përmbajtjen kuptimore dhe me kontekstin që do t’i shpjegonte ato. Këtu kemi një paradoks të çuditshëm. Mediat e ndihmojnë përdorimin e gjuhës letrare me vetë faktin se e përdorin. Por, e ndihmojnë duke e varfëruar jashtëzakonisht shumë. Ngjet kështu sepse përmbajtja mbizotëruese e mediave tona janë politika, së cilës ato shumë përulshëm i shërbejnë, dhe argëtimi. Ngjet kështu sepse mediat, në mënyrë të veçantë mediat elektronike, tregojnë një disponim të vazhdueshëm kundërintelektual, sigurisht nën ndikimin e disa faktorëve që inteligjencinë vazhdojnë ta quajnë si në kohën e komunizimit, prodhuese të nacionalizmit.

Me pretendimin se gegërishtja është gjuhë shqipe dhe jo serbe, çfarë mendimi keni ju ose, cili është vlerësimi juaj se kujt i shërben përdorimi i saj sot dhe a duhet për disa sektorë të vendosen ligje në përdorimin e Gjuhës Letrare Shqipe?

Në një shoqëri demokratike çdokush mund ta flasë a ta shkruajë gjuhën që do, gjuhën letrare apo dialektin. Është çështje tjetër, ndërkaq, ne qoftë se dikush e mohon gjuhën e përbashkët letrare për hir të dialektit apo në qoftë se dikush e mohon gjuhën letrare kombëtare në emrin e dy të ashtuquajturave gjuhë dialektore letrare. Në një rast të tillë kemi të bëjmë me çështje serioze, jo gjuhësore, por, në radhë të parë, me çështje politike. Në Kosovë dhe në Shqipëri mund të dëgjohen individë që e mohojnë gjuhën e përbashkët dhe predikojnë veçimin dialektor. Ata janë të frymëzuar prej qarqesh politike në Prishtinë që përvjedhin idenë sipas së cilës Kosova karshi Shqipërisë duhet të zhvillohet si Austria karshi Gjermanisë dhe harrojnë se Gjermania dhe Austria, megjithatë, kanë një gjuhë letrare, Gjuhën Letrare Gjermane. Ata janë të frymëzuar, ma merr mendja, njëkohësisht edhe prej qarqesh të huaja politike që tradicionalisht janë përpjekur t’i ngatërrojnë punët e shqiptarëve. Të gjitha, thotë Gëte, janë të vdekshme, vetëm marrëzirat janë të pavdekshme.

Përpjekjet për rrënimin e gjuhës letrare mund të bëhen edhe ndonjë ditë, por janë të dështuara sepse janë prapakthime kundërhistorike që do të kishin pasoja shumë të mëdha. Sa i përket pjesës së dytë të pyetjes suaj se a duhet të vendosen ligje në disa sektorë në përdorimin e gjuhës, unë mund të them më sa vijon: përdorimi i gjuhës letrare është i rregulluar jo vetëm me marrëveshje, por edhe me ligje në vendet që kanë gjuhë të standardizuar, në administratë, arsim, shëndetësi, ushtri, në institucionet e shkencës e kulturës, në media, mund të përdoret vetëm gjuha e standardizuar. Kështu është edhe te ne, por në disa vende rregullimi i çështjeve të gjuhës letrare është çuar edhe më përpara. Në disa vende në ministritë e arsimit e të kulturës e në disa akademi të shkencave bëjnë kujdesin për kulturën e gjuhës në përgjithësi. Këto institucione caktojnë, fjala vjen, se cilat fjalë të huaja mund të përdoren në gjuhën standarde. Në Slloveni, për shembull, ekziston gjyqi i gjuhësisë që dënon shkeljet e normave të gjuhës letrare.

Profesor, çfarë do të thotë për ju si shkrimtar një shkrim i shkruar në gjuhë letrare dhe çfarë do të thotë një shkrim i shkruar në gegërisht?

Të shkruash në gjuhën letrare, sipas mendimit tim, së pari do të thotë të shkruash si njeri me kërkesa më të larta shpirtërore, kurse të shkruash në dialekt do të thotë të shkruash me kërkesa sado kudo më të rrudhura shpirtërore. Të shkruash në gjuhën letrare do të thotë të shkruash me mundësi më të mëdha të shprehjes gjuhësore e artistike, kurse të shkruash në dialekt do të thotë të shkruash me mundësi më të pakta të shprehjes gjuhësore e artistike. Të shkruash në gjuhen letrare do të thotë të shkruash për shumë më tepër lexues, për gjithë pjesëtarët e popullit të cilit i takon, kurse të shkruash në dialekt do të thotë të shkruash për më pak lexues, për pjesëtarët e atij dialekti. Të shkruash në dialekt do të thotë të vjetërohesh gjuhësisht më shpejt, kurse të shkruash në gjuhën e njësuar letrare do të thotë të shkruash për kohë shumë më të gjatë, në mos jo përgjithmonë. Ata që duan ta dënojnë vetën e të shkruajnë për më pak lexues e për kohë më të shkurtër duhet t’i përkujtojmë për këtë, por në asnjë mënyrë t’i pengojmë. Njeriu duhet të jetë i lirë të bëjë ç’të dojë me veten e tij. /KultPlus.com

Marrë nga libri: “Shansi gjerman dhe shqiptarët”

“Më dhemb shumë kur i shoh duart e shtrira që lypin lëmoshë”

Intelektuali i madh shqiptar Rexhep Qosja, në librin e tij “Vdekja më prej syve të tillë” ka shtjelluar disa mendime rreth jetës shoqërore dhe vdekjes.

KultPlus ju sjell një pjesë:

“Janë mbushur rrugët me lypës, kurse intelektualët nuk dinë të mendojnë tjetër gjë, pos të ndërtojnë shtëpi, të vrapojnë pas honorareve, të blejnë unaza të shtrenjta, gushore të arta, të ndjekin kurvat, të mblidhen nëpër gazmende, ta përgojojnë njëri tjetrin, t’ia qesin ndërkëmbësat shoqishoqit, t’ i bëjnë një mijë të zeza. Më dhemb shumë kur i shoh duart e shtrira që lypin lëmoshë…” /KultPlus.com

“Vdekja më vjen prej syve të tillë” e Rexhep Qosjes tashmë edhe në gjuhën italiane

Romani “Vdekja më vjen prej syve të tillë” i Rexhep Qosjes është botuar në Itali. Deri tani ky roman ka qenë i përkthyer në shtatë gjuhë.

Romanin në gjuhën italiane e ka përkthyer Anila Alhasa dhe e ka botuar Shtëpia Botuese “Egnatia”.

“Vdekja më vjen prej syve të tillë” (1974) është romani i parë postmodern i letërsisë shqipe dhe ndër veprat më të bukura të letërsisë sonë. Ismail Kadare, në parathënien që ia ka bërë botimit frengjisht të këtij romani, thotë: “Rexhep Qosja është shkrimtari më i madh ndër shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve të vendit, të cilët përbëjnë më shumë se gjysmën e kombit shqiptar (…) ‘Vdekja më vjen prej syve të tillë’ është një vepër me inspirim kafkian, një roman që prish qetësinë, një vepër që profetizon apokalipsin dhe një nga veprat më të mëdha të letërsisë shqiptare”. Ndërsa kritika franceze Rexhep Qosjen e ka quajtur Volter i Ballkanit dhe Kafka i Lindjes. Kritiku italian Anselmo Roveda shkruan se “Rexhep Qosja është një ndër mjeshtrit më të mëdhenj të letërsisë ballkanike dhe nismëtari i një tradite të re letrare shqiptare”.

**

Një kohë e shtrirë, të paktën në fillim, gati e varur dhe e lidhur fort me një botë antike plot legjenda e besime, nganjëherë edhe me paragjykime; një kohë që bëhet më pas më e shpejtë, e përpiktë, herë pas here klaustrofobike dhe dramatikisht afër së tashmes.

Një vend imagjinar, i largët por edhe qendror, unik; një qytet provincial por që është edhe kryeqendër për shoqërinë që e konsideron pikë referimi, politik e kulturor.

Një kohë e një vend letrar pas së cilës fshihen, pa u ruajtur edhe shumë, një kohë dhe një vend real: një qytet shqiptar, aq krenar sa edhe i shtypur, në Jugosllavinë e shekullit të kaluar, pak a shumë mes viteve 1950 e 1970.

Në këto koordinata kohe e vendi, gjejmë Xhezairin e Gjikës, njeri i letërsisë dhe i aspiratave të mëdha, dhe Danjollin e Sherkës, persekutues mendjengushtë, eksponent i policisë politike.

I pari është i izoluar dhe peng i ëndrrave të veta dhe i rrethanave në cilat ndodhet, i dyti, edhe pse është më shumë ngjallës frike se i respektuar, ka një pozicion të spikatur në shoqëri. Fatet e tyre të kundërta, e bashkë me to edhe fatet e shumë banorëve të Vajazanit, të cilat popullojnë romanin, gërshetohen dhe më pas ndërthuren me fatet e të një shoqërie të tërë përpara historisë.

Lind kështu një vepër letrare e vrullshme dhe turbulluese; vetëm në dukje drejtuar anës private dhe individuale, përmes ngjarjeve e lidhjeve edhe dashurore të Xhezairit; sepse, më pas, i tërë romani kthehet në një afresk social, në gjendje të nxjerrë në pah nga fat i një individi të veçantë, elemente të së përgjithshmes, deri edhe jashtë dimensioneve të kohës dhe të vendit. Pa u futur kësaj rradhe në detaje të analizës së veprës e të veprimatrisë së autorit – do të gjeni mendime të rëndësishme rreth këtyre (në fund të librit) – duhet theksuar që ky objekt letrar jo i zakonshëm – një sëri tregimesh që mund ose më mirë, duhen lexuar së bashku, si një roman – prezanton një fortesë (dhe një kryevepër) të letërsisë shprehëse shqiptare; ashtu si edhe autori i saj, Rexhep Qosja, prezanton një nga mjeshtërit e letërsisë ballkanike, nismëtar i një tradite të re letrare në letërsinë shqiptare.

Lexuesi italian, do të mundet më në fund të shijojë prozën e tij; një mënyrë tregimi që na sfidon nëpërmjet forcës së tematikave dhe të vetë strukturës së romanit, duke iu referuar vazhdimisht debateve kulturore dhe me gjuhën e tij të kërkuar dhe letrare, të rrallë e të vrullshme, që është në gjendje të alternojë regjistrat e gjuhës e në fund të përfshijë shumëllojshmërinë e formave të gjuhës – edhe falë dialogjeve, shprehjeve të mendimeve, krijimit të fjalëve të reja dhe ridimensionimin e leksikut, të shkronjave, të ëndrrave… Do të jetë një mundësi për të zbuluar një shkrimtar të çmuar në rang ndërkombëtar e për t’iu afruar kështu një klasiku të pashmangshëm të letërsisë shqiptare (Anselmo Roveda, gazetar, kritik letrar dhe shkrimtar). / KultPlus.com

”Jemi të tronditur për shkak të tragjedive që pësuan nënat, fëmijët, vajzat e reja e djemtë e rinj, në lule të rinisë”

Nga Rexhep Qosja

JEMI TË TRONDITUR

1.
Jemi të tronditur.

Të gjithë.

Jemi të tronditur, me shpirt e me mendje.

Të gjithë.

Të tronditur në këto ditë para e gjatë Ditës së madhe në historinë tonë- Ditës së Flamurit kombëtar e shpalljes së Shqipërisë shtet.

Të gjithë.

Të tronditur për shkak të gjithë atyre viktimave, të gjithë atyre të plagosurve, të gjithë atyre traumave që nuk kalojnë lehtë e shpejtë, për shkak të gjithë atyre dëmeve të mëdha lëndore, ekonomike, shoqërore e kulturore.

Jemi të tronditur për shkak të tragjedive që pësuan nënat, fëmijët, vajzat e reja e djemtë e rinj, në lule të rinisë.

Tronditja e shkaktuar kësaj here prej tërmetit të 26 nëntorit është tronditje që zgjat shumë. Dhe, zgjat shumë për shkak se pushton ndjenjat, pushton shpirtin, pushton ndërgjegjen e gjithë atyre që mendojnë përgjegjshëm.

Kjo është tronditje në të cilën përmblidhen ndjenja e mendime për historinë, për bashkëkohësinë dhe për ardhmërinë tonë, por edhe për historinë, bashkëkohësinë, ardhmërinë në përgjithësi. Kjo tronditje na nxit të vetëpyetemi:

A kemi mësuar krejt çka duhej prej historisë?

A e kemi vështruar dhe kuptuar sa e si duhet bashkëkohësinë?

A kemi menduar largpashëm për ardhmërinë?

2.
Në këtë gjendje tronditjesh mund të jesh i pushtuar edhe prej mendimesh kundër natyrës dhe me mendime të tilla t’i drejtohesh asaj:

Natyrë! Natyrë! Natyrë e mrekullueshme në këtë planet që i thonë Tokë, Tokë me bukuri të jashtëzakonshme që nuk mund të merren me mend në asnjë planet a trup tjetër qiellor. Na e ke bërë të mundshme jetën në hapësirat tua tokësore, ujore e ajrore. Pse kohë pas kohe po na e helmon jetën edhe me tragjedi, me tronditje, me pikëllime.

Përpos prej njerëzve, popujve, shteteve, fatkeqësitë, tronditjet po na vijnë edhe prej teje, Natyrë?!

Dhe po na vijnë me padrejtësi.

Hajde e mos e shpreh këtë mendim që nuk mund të mos thuhet këto ditë zie, kur i sheh arkivolet e tragjedisë dhe të pamëshirës natyrore!

Hajde e mos i shpreh këto mendime kur i sheh arkivolet dhe i dëgjon fjalët e medieve për tragjeditë që u mbyllën në ato arkivole:

Për tragjeditë e familjes Lala, të cilën e përbënte edhe Nëna me katër fëmijët, mes të cilëve binjakët dyvjeçarë, ndoshta ende duke u mëkuar nga qumështi i nënës.

Asnjë fjalë, asnjë figurë, asnjë mendim, asnjë pamje nuk është e mjaftueshme për të përshkruar, për të paraqitur gjithë tronditjen që na shkaktoi pamëshira tragjike me të cilën natyra e dënoi këtë nënë me katër fëmijët e saj, me binjakët e saj! Dhe të tjerët bashkëviktima me ta.

Hajde e mos i shpreh këto mendime kur i sheh arkivolet në të cilat u mbyllën tragjeditë e anëtarëve të familjeve Cara, Ndreu, Gregu, Vata, Reçi, Meçja. E të tjera, tragjeditë e të cilave na e copëtojnë zemrën.

Hajde mos i shpreh këto mendime kur i sheh arkivolet e dy vëllezërve kosovarë, Abazi, të valltares, të piktores, të studentes që donte të studionte arkitekturën e bëhej mjeke, të të rinjve të tjerë e të rejave të tjera që nuk pritën të provojnë të mirat e gëzimet që sjell pjekuria!

Por, hajde e mos e thuaj edhe një mendim tjetër që kë krejt nuk do e ngre kundër shqiptuesit të këtij mendimi: tronditjes që na ka pushtuar i kanë kontribuar disa njerëz, disa nga ata njerëz të zgjedhur gjatë 30 vjetëve tona për të krijuar institucionet e për të ngritur ekspertët që do të merreshin me të priturat e me të papriturat që mund të na sillte kur natyra e pamëshirshme e kur njëmendësia e keqkuptuar.

Dhe, këta njerëz i quajmë politikanë e shtetarë!

3.
Në këto ditë tronditjesh unë nuk mund të mos mendoj edhe për ato që kam parë e kam dëgjuar qe tridhjetë vjet në jetën partiake, politike, shtetërore shqiptare. E ato që dëgjoja dhe ato që shihja gjatë njëzet e katër orëve të ditës e të natës ishin e janë mosmarrëveshjet, zënkat, konfliktet, mosdurimet, urrejtjet e ndërsjella të forcave politike, në radhë të parë të prijësve politikë dhe të argatëve të tyre.

Deri në ditën e tërmetit tragjik nuk gjendej arsye, nuk gjendej mjet, nuk gjendej qëllim kombëtar, shoqëror, shtetëror a moral, më në fund njerëzor, që prijësit partiakë e shtetërorë të këtyre tridhjetë vjetëve do t’i bënte e do t’i detyronte , më në fund, të merreshin vesh. Jo.

E mosmarrëveshjet e tyre, mosdurimet e tyre, zënkat e tyre, konfliktet e tyre, privilegjet e tyre dhe lukset e tyre janë ndër arsyet e degdisjes së gati dy milionë shqiptarëve nga Shqipëria e Kosova në Botë gjatë10-15 vjetëve të fundit!

Tani, përnjëherë, pas tërmetit, pas fatkeqësisë natyrore, u pajtuan: gjetën atë që as këta e as ata paraardhësit e tyre nuk e gjenin kurrsesi më parë: u pajtuan!

Dhe, ai, kryetari partiak që qe sa vjet në Shqipëri, në Kosovë, në Ballkan, në Evropë e në SHBA flet vetëm për më të këqijat, më të ulëtat, më të poshtrat, më të zezat, më të krimshmet e Shqipërisë në politikën e atyre ndaj të cilëve është në opozitë, përnjëherë tha: me gjithë ndasitë që kemi, në nevojë jemi një komb! Por, Por!

Mendja e tij na mësoi se vetëm në nevojë, e jo edhe në tragjedi, vetëm në nevojë e jo edhe në gëzime, në nevojë e jo edhe në varfëri, jemi komb, jemi një komb!

Dhe kjo fjali megjithatë shumë shpejt u botua në rrjetet sociale të kundërshtarit politik – të të sulmuarit pa pushim shumëvjeçar!

Dhe, kështu u pajtuan! I pajtoi tragjedia e të varfërve! I pajtoi tragjedia e të shpërfillurve. I pajtoi tragjedia e të konsideruarve të tepërt! Por u pajtuan rrejshëm.

Mund të them siç po them se pikërisht tani kur këta rreshta po i qes në shkrimin tim po dëgjoj sulmet e dy Sulmuesve të pandalshëm ndaj të Sulmuarit të gjithnjëshëm – kryeministrit Edi Rama! Dhe, po i shoh Sulmuesit duke u sjellë ndaj pasojave tragjike të tërmetit si qeveri e dytë e Shqipërisë, që e shpërfill, s’e pranon Qeverinë që zgjodhi populli! Dhe, Shqipëria e Abdyl Frashërit, Vaso Pashës e Ismail Qemalit na bëhet Shqipëri me dy qeveri të papajtueshmë në ditët paskajshëm pikëlluese, tronditëse në historinë e saj!

4.
Dua të shpresoj, dua të besoj se pas tërmetit të 26 nëntorit të vitit 2019 populli shqiptar do të jetë forcë politike me sy, me të cilët do të shohë më qartë se deri tash, forcë politike që e sheh qartë, që e kupton qartë gjendjen e vet, që e mendon qartë ardhmërinë e pasardhësve të vet, që mendon jo vetëm për premtimet e të priturat, si deri tani, por edhe për të papriturat natyrore, politike, shtetërore.

Njëmendësia aq e pritur, aq e ëndërruar, aq e dëshiruar na ka sjellë edhe shumë të papritura e shumë dëshpërime gjatë këtyre tridhjetë vjetëve. NA e solli edhe “qeverinë” e dytë në ditët më dhembjesjellëse!

Por, nuk jam pesimist.

Pesimist nuk mund të më bëjnë ata që postet politike i shfrytëzojnë për t’u qëndisur me miliona duke shfrytëzuar postet politike, ata që postet politike i shfrytëzojnë për t’u stolisur me vila në Gjirin e Lalzit e përgjatë bregdetit, në Brezovicë e Prevallë. Dhe jo vetëm. Jo. Kurrë.

Pas tronditjes sado e gjatë qoftë, që solli tërmeti, fatkeqësia, megjithatë, do të bëhet nxitje për forcim, për ngritje shpirtërore, etike, shoqërore, kombëtare, shtetërore.

Populli shqiptar, përpos gjatë këtyre tridhjetë vjetëve tranzicion, kurrë, në asnjë epokë a periudhë historike, nuk ishte pa figura historike si Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Jeronim De Rama, Konstandin Kristoforidhi, Pashko Vasa, Hoxha Tahsini, Jani Vreto, Abdyl Frashëri, Sami Frashëri, Naim Frashëri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Isa Boletini, që politikën e përdorën jo duke u pasuruar prej saj po duke u flijuar për Shqipërinë e për shqiptarët.

Durrësi, më i dëmtuari në tërmetin e 26 nëntorit, do ta marrë veten. Shumë tërmete ka përjetuar Durrësi: më 177 para erës sonë, më 334, 506, 1273, 1869, 1870, 1926, 1979… dhe shpejt e ka marrë veten. Ishte qytet i dëshiruar edhe prej të huajve, prej miqve dhe prej pushtuesve. Takimet me popuj të tjerë e kanë pasuruar kulturën e tij e qytetërimin e tij dhe e kanë shtuar lavdinë e tij historike e kombëtare. Fatkeqësinë e fundit natyrore, si edhe herët e tjera, Durrësi do ta përballojë, do ta mundë me dhuntinë e tij të madhe jetëkrijuese, gjallëruese ndërtimore e gjithëkombëtare.

Në sajë të dhuntive të Durrësit, në sajë të solidarësisë që treguan bashkatdhetarët kudo që janë sot e, sidomos, Kosova, shqiptarët e goditur prej tërmetit do të kenë gatishmëri e do të dinë të zbatojnë mësimet e rilindësve të mëdhenj të cilët me gjithë sakrificat e pamatshme e bënë Shqipërinë dhe e bënë shqiptarin: më të fortë, më të ngritur e më të zhvilluar në të gjitha pikëpamjet.

Fatkeqësia e 26 nëntorit do të përfundojë me fuqizim të përgjithshëm të shqiptarëve: të mundësive ndërtuese e krijuese.

E kuptueshme. Nuk është thënë pa dëshmi shumëshekullore se dhembjet e vuajtjet i bashkojnë njerëzit më shumë se gëzimet.

E tani për tani më e rëndësishmja është: të jemi – të gjithë me Durrësin, me Tiranën, me Thumanën e të gjitha qytetet, qytezat, fshatrat që i dëmtoi tërmeti, të jemi me ta me çka kemi, me çka mundemi e me çka dimë. Se ashtu do të jemi me shtetin amë, Shqipërinë, me Kosovën, me gjithë bashkëkombëtarët kudo ndodhen ata.

Prishtinë 26-29 nëntor 2019. / KultPlus.com

Qosja: Pas reagimeve kundër Komitetit të Nobelit, t’i hedhim një vështrim vetvetes

Shkruan: Rexhep Qosja

PAS REAGIMEVE KUNDËR KOMITETIT TË NOBELIT, T’I HEDHIM NJË VËSHTRIM VETVETES

Peter Handke!
Çmimi Nobel!

Qe më tepër se tri javë Peter Handke ishte emër shumë i shpeshtë në fjalorët e disa politikanëve, disa ministrave, disa deputetëve, disa diplomatëve, disa ambasadorëve, i kryetarëve e i kryeministrave dhe i disa shkrimtarëve tanë, mes të cilëve, me një deklaratë të shkurtër, të zbehtë, isha edhe unë.

Me Peter Handken unë jamë marrë, po ashtu shkurtimisht, edhe para luftës e në kohën e luftës sonë çlirimtare, kur shumica e atyre që tani u morën me të, ndoshta nuk ia kishin dëgjuar emrin.

Qe më tepër se tri javë Peter Handke u bë emri aq i shpeshtë në fjalorët politikë, diplomatikë, letrarë e shkencore të politikanëve, shtetarëve, shkrimtarëve e krijuesve tanë të tjerë sepse iu dha Çmimi Nobel.

Po të mos iu kishte dhënë ky Çmimi ai, Peter Handke, do të mbetej i panjohur, i harruar për gojëtarët tanë të përmendur, siç kishte qenë i harruar e i panjohur më parë me gjithë veprimtarinë e tij politike që tani po quhet veprimtari kriminale.

Sigurisht se nuk kam pasur mundësi të mësoj se sa u fol për Peter Handken e nobelizuar në kontinente e në vende të tjera, por, megjithatë, mund të them se në asnjë vend tjetër në Evropë e në kontinente të tjera, politikanët, shtetarët dhe diplomatët nuk i kushtuan kujdes siç i kushtuan politikanët, shtetarët, diplomatët, shkrimtarët, krijuesit tanë të tjerë dhe dy akademitë tona: ajo e shkencave e Shqipërisë dhe ajo e shkencave dhe e arteve e Kosovës!

Duket se politikanët, shtetarët, diplomatët, shkrimtarët, e krijuesit e tjerë dhe akademitë e shkencave dhe të shkencave e të arteve të vendeve të tjera kishin punë më të rëndësishme për të sotmen e të ardhmen e vendeve të tyre e të popujve të tyre sesa të merreshin me Peter Handken gjerë e gjatë. Politikanët, shtetarët, diplomatët e vendeve të tjera si duket u kujdesen të mos e shkelnin një parim të rëndësishëm, shumë të rëndësishëm, të demokracisë moderne: mospërzierjen e tyre politike, shtetërore e policore, në vlerat artistike të krijimtarisë shpirtërore dhe në lirinë e mendimit e të shprehjes të krijuesve letrarë, artistikë e shkencorë.

Peter Handke është poet, prozator, skenarist, përkthyes, që ka shkruar një numër veprash, që janë çmuar vepra me vlera artistike, të pangarkuara, domethënë të pacenuara, prej ideologjive dhe politikave totalitare, despotike, tiranike, diktatoriale.

Këto vepra të tij letrare artistike, siç mund të jetë menduar në Komitetin Nobel e në Akademinë Mbretërore të Suedisë, i kanë plotësuar tri kriteret, që përcaktojnë përzgjedhjen e veprave që do të çmohen me Çmimin Nobel, e që janë: e para, vlera letrare artistike, e dyta, risitë formale e strukturore dhe, e treta, humanizmi.

Por, këto tri vlera të veprës letrare artistike të Peter Handkes, të pacenuara nga veprimtaria e tij publike, politike para fillimit të luftës në ish Jugosllavinë, ai i njollosi mbasi filloi kjo luftë e, sidomos, mbasi kjo luftë u përshtri në Bosnjë e Hercegovinë e në Kosovë.

Duke e përkrahur Kryetarin e Jugosllavisë së shkurtuar (Serbia e Mali i Zi) e mandej, kryetar i Serbisë, kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviqin, duke pranuar të jetë dëshmitar mbrojtës i tij në Gjykatën e Hagës, duke mbajtur fjalim në varrimin e tij në Serbi, Peter Handke, si qytetar, si intelektual, si shkrimtar e harroi misionin e krijuesit letrar dhe përkrahu dhunën e terrorin e tij, krimet e luftës dhe krimet kundër njerëzimit që bëri regjimi i Millosheviqit, sidomos në Bosnjë e Hercegovinë e në Kosovë.

I përkrahu me gojë! I përkrahur me veprimtari politike! I përkrahu si gazetar e publicist!

Por, i përkrahu pa armë në dorë, i përkrahu ndryshe nga shkrimtari rus i quajtur Limonov, i cili serbët në Bosnjë i përkrahu duke u veshur në uniformë ushtarake e duke u armatosur me kallash!

Pavarësisht se duke përkrahur Millosheviqin dhe regjimin e tij hapur përkrahu dhunë, terror, krime lufte e krime kundër njerëzimit, dhe e turpëroi ashtu gjithë krijimtarinë e tij intelektuale, Peter Handke u “ngushëllua” dhe u përpoq të ngushëllojë edhe të tjerë se këtë përkrahje e shprehu në sajë të së drejtës së krijuesve të krijimtarisë shpirtërore për mendim e shprehje të lirë, të pandaluar, të pacensuruar!

Duke e pasur parasysh të drejtën e krijuesve, të cilët veprën e tyre letrare, pra thjesht letrare, nuk e kanë cenuar me përmbajtje, me ideologji e me politikë totalitare, tiranike, despotike, diktatoriale, ksenofobe a raciste, Komiteti Nobel dhe Akademia Mbretërore e Suedisë edhe ia dha çmimin Nobel Peter Handkes.

Ashtu siç e thonë disa teorikë, e theksoj, vetëm disa teorikë të letërsisë, ashtu edhe Akademia Mbretërore e Suedisë e shkëputi plotësisht veprën letrare artistike të Petër Handkes prej krijimtarisë dhe deklaratave të tij publike jashtëletrare!

Politikanët, shtetarët, diplomatët, shkrimtarët, krijuesit tanë të tjerë dhe akademitë tona të shkencave dhe të shkencave e të arteve kërkuan prej asaj Akademie t’ia anulojë Çmimin Nobel Peter Handkes. Dhe, kur e bënë këtë kërkesë harruan diçka: harruan çka nuk do të duhej të harronin! Harruan se kjo Akademi nuk ia kishte anuluar Çmimin Nobel shkrimtarit të shquar norvegjez, Knut Hamsun, të cilit ky Çmim i ishte dhënë në vitin 1920, por ai në fillim të Luftës së Dytë Botërore kishte përkrahur me gojë e me dorë nazizmin dhe Hitlerin! Norvegjia e kishte shpallur tradhtar të Kombit, Knut Hamsunin, por, megjithatë, nuk e kishte pushkatuar.

Dhe harruan çka nuk do të duhej të harrohej: harruan se Akademia Mbretërore e Suedisë nuk ia kishte anuluar Çmimin Nobel për paqe kryeministres së Birmanisë, Aung San Suu Kyi, e cila, jo shumë kohë mbasi iu dha ky Çmim, mori pjesë në vrasjet masive dhe zhvendosjen e dhunshme të myslimanëve Rohinga prej Birmanisë!

Harruan dhe çka krejt tjetër nuk harruan politikanët, diplomatët, shkrimtarët, krijuesit tanë të tjerë dhe dy akademitë tona – Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës kur kërkuan t’i anulohet Çmimi Nobel Peter Handkes.

Harruan t’i lënë pak çaste të pushojnë Komitetin Nobel, Akademinë Mbretërore të Suedisë, Çmimin e saj Nobel dhe të nobelizuarin Peter Handke. T’i lënë shkurt të pushojnë ato tri institucione suedeze e austriakun e nobelizuar për letërsi dhe t’ia hedhin një sy të djeshmes dhe të sotmes sonë politike, letrare, shkencore, kulturore, dhe, natyrisht jetëshkrimeve, veprimeve, veprave të disa figurave tona politike, shtetërore, letrare, artistike, shkencore.

Sikur t’ua hidhnin syrin këtyre figurave tona politike e krijuese, kësaj të djeshmeje e kësaj të sotmeje tonë, atëherë do ta zvogëlonin sadopak retorikën kundër Akademisë Mbretërore të Suedisë e kundër Peter Handkes. Dhe, do ta zvogëlonin sadopak këtë retorikë sepse institucion të mëkatshëm si ajo Akademi suedeze që jep Çmimin Nobel dhe individë të mëkatshëm politikisht kur më pak e kur më shumë se një Peter Handke do të gjenin edhe në historinë tonë të djeshme e mund të jetë edhe në historinë tonë të sotme.

Deshën s’deshën gojëtarët tanë kundër Akademisë Mbretërore të Suedisë dhe Peter Handkes do të shihnin politikanë e shtetarë shqiptarë të mes dy luftërave botërore, që do të përkrahnin Benito Musolinin, do të shihnin politikanë e shtetarë të mëparshëm shqiptarë, por edhe ndonjë krijues që do të merrnin pjesë në institucionet shtetërore fashiste, që do të krijojë Duçeja në Shqipëri. E Duçeja, siç dihej, duke bërë dhunë e terror e krime lufte e krime kundër njerëzimit do të pushtojë Etiopinë, disa pjesë të tjera të Afrikës, e mandej Shqipërinë dhe do të bëjë lidhje politike, shtetërore e ushtarake me Hitlerin për pushtime më të gjera botërore! Gojëtarët tanë do të shihnin shkrimtarë shqiptarë, të çmuar, të adhuruar, të festuar e të stolisur me çmime të ndryshme se si e madhërojnë fashizmin dhe se si e bekojnë Zotin për pushtimin e Shqipërisë prej kryefashistit Duçe!

Dhe, më tej, gojëtarët tanë kundër Akademisë Mbretërore të Suedisë do të harrojnë që të kërkojnë që shkollave, universiteteve, shesheve, rrugëve, institucioneve tona të ndryshme shtetërore t’u hiqen emrat e atyre adhuruesve të fashizmit e atyre pjesëmarrësve në institucionet politike e shtetërore të pushtuesve fashistë!

Dhe, mbas kapitullimit të Italisë në vitin 1943 sytë e të mospajtuarve tanë me vendimin e Akademisë Mbretërore të Suedisë do të shihnin politikanë, shtetarë, shkrimtarë, krijues të tjerë shqiptarë se si e se sa do të përkrahnin nazizmin e Hitlerit, e Hitlerin si pushtues të ri të Shqipërisë e të Kosovës!

Dhe, më tej! Dhe, më tej, çka do të shihnin në të djeshmen e në të sotme tonë gojëtarët tanë që tani e tri javë e ankojnë fort fatin e sivjetmë të Çmimit Nobel për letërsi në vitin 2019.

Do të shihnin disa shkrimtarë të sotëm shqiptarë, shkrimtarë shqiptarë të pas Luftës së Dytë Botërore, shkrimtarë e krijues të tjerë se si me gojë, me penë e me të dy duart e përkrahnin Josif Visarianoviç Stalinin dhe ideologjinë e politikën e tij të quajtur stalinizëm. E gojëtarët që po kërkojnë që Akademia mëkatare mbretërore suedeze t’ia anulojë Çmimin Nobel Peter Handkes do të duhej të dinin se Stalini nuk ishte më pak dhunëtar e gjakatar se Milloshi, do të duhej të dinin se ai, Xhugashvilli, e kishte përgjakur Bashkimin Sovjetik me gjakun e shumë qytetarëve të kombësive të ndryshme të Bashkimit Sovjetik; se i kishte mbushur burgjet me shumë intelektualë, shkrimtarë, shkencëtarë, krijues të tjerë, kurse jo vetëm një bashkësi etnike jo ruse e kishte dëbuar prej tokës së vetë…!

Në qoftë se Peter Handke veprat e tij thjesht letrare artistike, nuk i ka “stolisur” me politikën dhe ideologjinë e Millosheviqit, por vetëm gazetarinë e publicistikën e tij, disa nga shkrimtarë tanë, qoftë edhe të sotëm, jo vetëm gazetarinë e publicistikën, po edhe veprat e tyre, sidomos veprat e tyre letrare, romanet, dhe tregimet, dhe dramat e tyre i kanë “stolisur” me emrin e Stalinit, me “gjeniun” e Stalinit, me stalinizmin, me diktaturën e tij e me vizionin diktatorial që kishte ai për ardhmërinë!

Hajde, dy fjalë t’i them edhe për politikën e të ashtuquajturit diferencim ideopolitik pas demonstratave të rinisë sonë studentore e shkollore në vitin 1981 e më vonë. Jo vetëm politikanët po edhe sa shkrimtari, sa krijuesi tjetër, sa studiuesi shkencor janë detyruar ta përkrahin atë diferencimin ideopolitik duke i quajtur ato demonstrata – atë Hyrje të madhe të lirisë dhe të pavarësisë së Kosovës, “kontrarevolucion, demonstrata armiqësore, kundër bashkim-vëllazërimit, që cenojnë rëndë të sotmen dhe të ardhmen e popullit shqiptar në Jugosllavinë socialiste vetëqeverisëse”. Por, do të gjenden disa shkrimtarë e krijues të tjerë që shkonin vullnetshëm në mbledhjet e organizatave bazë të Lidhjes së Komunistëve për t’i dënuar ato demonstrata të quajtura “kontrarevolucion” e për t’i treguar me gisht ata që nuk diferencoheshin! E Millosheviqi me policinë e tij do të përdorë shumë dhunë e terror në Kosovë për shuarjen e idealit të atyre të treguarve me gisht, të atyre demonstratave, për burgosjen, dënimin a vrasjen e pjesëmarrësve në ato demonstrata!

Hajde dy fjalë t’i them dhe për udhëheqjen shumëvjeçare të partisë më të madhe fituese në zgjedhjet që mbaheshin në Kosovë me lejen e Sllobodanit e nën kujdesin e policisë së tij dhe në zgjedhjet që do të mbahen edhe mbas kapitullimit politik e fizik të Sllobodanit. Në valën e dhunës, terrorit, krimeve të luftës e krimeve kundër njerëzimit, kryetari i kësaj partie më të madhe e më jetëgjatë të Kosovës do të bëjë marrëveshje më 28 prill të vitit 1999 me zbatuesin besnik të politikës së Milloshit, në atë kohë kryetar i Serbisë, Millan Millutinoviq, për krijimin e Qeverisë kuislinge shqiptare. Dhe kjo marrëveshje tradhtare do të nënshkruhet në ndërtesën e Kuvendit e të Qeverisë së dikurshme të Kosovës. Me atë rast solemn kryetari i partisë shqiptare do i çojë dhurata kriminelit Millan Millutinoviq!

I njëjti kryetar i partisë më të madhe shqiptare në Kosovë, jo shumë kohë pas nënshkrimit të Marrëveshjes tradhtare, kur ditët e Milloshit ishin të numëruara gjatë fushatës së bombardimeve nga forcat e NATO-s, do të shkojë në Beograd te Sllobodani dhe me të, në kabinetin e tij, do kalojnë në “bisedime paqësore” gjithë natën. Të nesërmen, i shoqëruar prej sigurimit të Sllobodanit, do të fluturojë për Itali prej Aeroportit të Beogradit! Dhe, atje, në Itali, do kërkojë ndërprerjen e fushatës së bombardimeve siç e kërkonte dhe Peter Handke! E të tjera të zeza dhe më të zeza! Dhe, këtë kryetar të partisë më të madhe shqiptare në Kosovë, partia e tij e tanishme me një pjesë të saj, e fosilizuar, e feston, e madhëron, e mbarëkombëtarizon, e përgjithëson me konferenca e kongrese dhe me përndjekje të atyre që për të mendojnë ndryshe!

Në qoftë se i mendojmë të gjitha këto që i thashë dhe disa të tjera që, megjithatë, nuk i thashë ende, besoj se do ta lëmë të qetë Akademinë Mbretërore të Suedisë, Komitetin Nobel, dhe do ta pushojmë vajin për Çmimin Nobel!

Në qoftë se pajtohemi me këtë propozim do të pajtohemi edhe me një propozim tjetër: do të pajtohemi se, se çmime të shumëçmuara të kohës së tyre nuk kanë marrë as Dante, as Bokaçio, as Servantesi, as Shekspiri, as Gëteja, as Balzaku, as Marsel Prusti, as Çarls Dikensi, as, as as! Se çmimin e sotëm Nobel nuk e kanë marrë as shkrimtari më i madh i kohës së tij Leon Tolstoi, as Henrik Ibzeni, as Xhejms Xhojsi, as Bernard Sho, as, as Andre Malro, as Horhe Luis Borhes, as Ignacio Silone, as Hulio Kortasari, as Nikos Kazanzakis. Por, o sa çudi, çmimi Nobel nuk i është dhënë as romansierit, teorikut e estetit më të madh botëror të gjysmës së dytë të shekullit 20 e të fillimit të shekullit 21, Umberto Ekos, por as shkrimtarëve të tjerë të mëdhenj botërorë Gilermo Kabrera Infantes, Filip Rotit, Mishel Turnies dhe Zhan d’ Ormesonit. As, as, as sa e sa shkrimtarëve të tjerë vërtet të mëdhenj. E megjithatë as ata e as adhuruesit e tyre s’vajtojnë për Çmimin Nobel e për çmime të tjera. Siç po vajtojmë ne! Ne!

Çmimet, si po shohim, sot, shumë më shpesh po jepen për angazhimet e letrarizuara politike të shkrimtarëve sesa për vlerat artistike të veprave.

Hajde, prandaj, t’i ndalim vajtimet e padinjitetshme rreth e rrotull Çmimit Nobel, t’i lëmë rehat Suedinë, Komitetin e Nobelit dhe Akademinë Mbretërore Suedeze dhe të mendojmë për tjetër çka: të mendojmë se si të parandalojmë shkaqet që po rrënojnë kohezionin shoqëror e mbarëkombëtar të popullit shqiptar – korrupsionin, nepotizmin, krimin e organizuar, padrejtësitë, papunësinë, varfërinë e madhe të një pjese të madhe të popullit, privilegjet dhe lukset e arrivistëve ndërgjegjeshuar, në të vërtetë të pandërgjegje, që kanë pushtuar pothuaj të gjithë sektorët e jetës sonë, dhe konfliktet e pandalshme disavjeçare të forcave politike!

Hajde, hajde, t’i parandalojmë këto të këqija shkatërruese të qenies sonë se vetëm me parandalimin e tyre do të ndalim degdisjen e të rinjve tanë, të ardhmërisë sonë nëpër rrugët e botës! / KultPlus.com

“Vdekja na duhet si buka, si uji, si kripa, si dashuria”


Intelektuali dhe shkrimtari nga Kosova, Rexhep Qosja, në libri e tij “Vdekja më prej syve të tillë” ka dhënë disa mendime rreth jetës shoqërore dhe vdekjes si një proces i pashmangshëm natyror, shkruan KultPlus.com

“Janë mbushur rrugët me lypës, kurse intelektualët nuk dinë të mendojnë tjetër gjë, pos të ndërtojnë shtëpi, të vrapojnë pas honorareve, të blejnë unaza të shtrenjta, gushore të arta, të ndjekin kurvat, të mblidhen nëpër gazmende, ta përgojojnë njëri tjetrin, t’ ia qesin ndërkëmbësat shoqishoqit, t’ i bëjnë një mijë të zeza. Më dhemb shumë kur i shoh duart e shtrira që lypin lëmoshë…”

“Pse njeriu është i dënuar të vdesë dhe, më në fund, a është dënim për njeriun Vdekja? Njeriu nuk vdes pse e vret dashuria ndaj Njeriut! Njeriu nuk vdes pse e vret dashuria ndaj Atdheut! Njeriu nuk vdes pse e vret dashuria ndaj të Bukurës! Njeriu nuk vdes pse e harron Jetën! Njeriu nuk vdes për shkak se mund ta vrasë çfarëdo dashurie tjetër! Merreni me mend se çka do të bëhej sikur mos të vdisnin njerëzit dhe mos të cofshin shtazët! Toka do të behej aq e rëndë saqë do të fundosej prej peshës së vet. Krijesat e gjalla vdesin apo cofin për arsye se natyra duhet të çlirohet prej tepricës së vet. Duke iu frikësuar Vdekjes njerëzit më pak rrejnë, më pak vjedhin, më pak spiunojnë, më pak vrasin dhe më shumë dashurojnë.

Besoj ngulmërisht se njeriu kot lufton kundër Vdekjes; kjo është luftë e pakuptimtë, sepse është luftë kundër mikut më të madh të njeriut. Vdekja na duhet si buka, si uji, si kripa, si dashuria.

“Njeriu, shpesh, shikon dhe nuk sheh, sepse, si i thonë një fjale, nuk shihet me sy por me mend…”

“…bukuria nuk është shprehje vetëm e vijave të jashtme, e harmonisë kualitative dhe kuantitative të tyre; bukuria është sinteza e formës dhe e përmbajtjes; edhe pse një grua- mos të flasim për mashkullin që s’çmohet për nga bukuria -mund të duket e bukur në pamje, posa të shqiptojë ndonjë fjalë, mund të na duket e shëmtuar ose pse flet diçka të marrë ose pse e ka zërin e keq ose pse s’ka ritëm estetik të fjalisë ose pse e ka intonacionin e çrregulluar ose, më në fund, për ndonjë arsye tjetër, të brendshme, që s’arrijmë ta shpjegojmë kollaj. Bukuria mund të vejë pushtet mbi njeriun vetëm në qoftë se është e tërësishme, domethënë në qoftë se nëpër pamjen e jashtme rrezaton një pasuri të brendshme.”

Rexhep Qosja, “Vdekja me vjen prej syve te tille”.

Rexhep Qosja: Dekorimi i urrejtësit racist

Akademik Rexhep Qosja përmes një  statusi në  Facebook ka reaguar ndaj fjalimit të poetit serb Gojko Gjogo.

Më 27 qershor të këtij viti në Graçanicë, me rastin e dhënies së Çmimit “Kryqi i artë i knjaz Llazarit”, që jepet çdo vit në përkujtim të Vidovdanit – të disfatës serbe në Kosovë në vitin 1389, ai kishte mbajtur një  fjalim racist, shovinist dhe kundërshqiptar.

Postimi i plotë  i Qosjes:

“Në një moment historik, kur kral Petri, më 1913, në Deçan, e ndezi atë qiriun e madh të dylltë, të cilin, siç na mëson kujtimorja, mbretëresha Milica e la për t’iu dhuruar atij që do të hakmerret për Kosovën, serbët naivisht besuan se robërisë shekullore i erdhi fundi, se u plotësua fati i ynë dhe se rilindi mbretëria e car Dushanit. Të verbuar nga shkëlqimi i armëve tona, ata nuk kuptuan se shqiptarët e islamizuar, të rehatuar në trojet serbe, janë turq më të tmerrshëm se turqit. Duke mos pasur në çka të mbështeten, ata nuk u zhvilluan lartësueshëm, por u zgjeruan rrafshueshëm, të bindur se zgjerimi i tillë, i bërë me bindjen se të kujt janë dhentë e tij është edhe bjeshka, u jep të drejtë që të përvetësojnë tokat tona. Harruan mendjelehtë se ky “ligj natyror” nuk zbatohet në shoqërinë e qytetëruar.

Kështu një popull pakëz i njohur, pjesëtarët e të cilit kishin bisht maceje ose qeni, dhie ose kali, dhe s’e dallonin sheqerin prej borës, siç i përshkruanin dikur hulumtuesit dhe shkencëtarët gjermanë, mbasi u dëbuan turqit, “doli prej pyllit” dhe u paraqit në skenën politike botërore. Dhe, fuqitë e mëdha evropiane, duke pasur parasysh punët dhe interesat e veta, këtij populli “bishtak” i ndihmuan që të krijojë shtetin e vet.

Por, shqiptarët nuk ishin të kënaqur me këtë shtet, prandaj edhe nuk hoqën dorë prej programit kombëtar, prej projektit të quajtur “Shqipëria e Madhe”, që përfshin edhe një pjesë të madhe të hapësirës etnike serbe -gjithë vatrën tonë kosovare.

Në këtë mënyrë ky rrëfim i njohur historik u dramatizua. Dhe u ndez zjarri mes dy popujve, zjarr që, kur më i vogël e kur më i madh, po qitte flakë përgjatë një shekulli…

Para dy dhjetëvjetëshave ky zjarr mori flakë aq të madhe saqë ne u rrezikuam të digjemi në të.

Gjysma e botës iu turr Serbisë dhe në tokën tonë të shenjtë me luftë u krijua edhe një gjysmështet shqiptar..

Të bijtë e atyre shqiptarëve të vjetër, që s’kanë ardhur prej pyllit ballkanik, por prej parapyllit evropian, nuk janë të pajisur ndoshta me bisht shtaze, por me disa veçanti shtazarake…
Këta djegin e rrënojnë kisha e manastire, gropojnë zemra e u nxjerrin sy njerëzve të gjallë. Këta jo njerëz, kufomavjedhës, i prishin varret dhe vatrat tona, i asgjësojnë rrënjët tona me qëllim që të shuajnë dhe kujtesën tonë. Këtë strategji kombëtare raciste, shqiptarët, me pajtimin e mentorëve të tyre, pa kurrfarë pengesash po e realizojnë para syve të krejt botës.

Parashteti s’do të bëhet shtet. Serbia mund të jetë e shkelur, por kurrë e mundur, thotë (thoshte) Gavrillo Principi…

Mua më lartëson Kryqi i artë i knjazit të lavdishëm, që ma dhuruat, kurse ju po përkuleni nën Kryqin e rëndë të Shpëtimtarit, në të cilin dushmanët duan t’u shqyejnë. Ju jeni vëllezërit e betimit, në ju qëndron mbretëria. Le t’ju ndihmojë i Madhi Zot!”

Ky tekst është fjalim i mbajtur në oborrin e Kishës së Graçanicës me rastin e dhënies së Çmimit “Kryqi i artë i knjaz Llazarit”, që jepet çdo vit në përkujtim të Vidovdanit – të disfatës serbe në Kosovë në vitin 1389.

Këto në të vërtetë janë disa fragmente të atij fjalimi që më 27 qershor të këtij viti i tha në oborrin e lulëzuar të Kishës mesjetare të Graçanicës, afër, shumë afër Prishtinës, poeti i shumëçmuar dhe shumë herë i dekoruar në Serbi, Gojko Gjogo.

Që e tha Gojko Gjogo këtë fjalim me përmbajtje nacionaliste, raciste, shoviniste kundërshqiptare, që e tregojnë fragmentet që po ua paraqes këtu lexuesve shqiptarë, nuk është gjë e çuditshme: fjalimet, shkrimet, deklaratat, veprat letrare, veprat historike, veprat publicistike me përmbajtje të tillë, me politikë e ideologji të tillë, raciste, shoviniste, fyese ndaj shqiptarëve kanë një traditë më tepër se 150 vjeçare në jetën e në kulturën serbe. E çuditshme është se këtë fjalim ai e tha në Graçanicë, në Kishën e lavdishme të Graçanicës! E çuditshme është që këtë fjalim e tha Gojko Gjogo në Graçanicë ku, krahas disa institucioneve shtetërore serbe të Serbisë, funksionojnë edhe disa institucione shtetërore të Kosovës!

Dhe, më tej, e çuditshme është se këtë fjalim Gojko Gjogo e mbajti më 27 qershor, dy ditë para tubimit të një numri të dukshëm serbësh te monumenti i Trimave serbë në Gazimestan dhe e mbajti si parafjalë të fjalëve politike, nacionaliste, që do të dëgjohen në atë tubim, me të cilin u shënua 630 vjetori i ngritjes serbe në nivelin e popullit qiellor pas disfatës së knjaz Llazarit në ballafaqimin luftarak me sulltan Muratin.
E shpreh çuditjen time pse fjalimi në fjalë u mbajt ku u mbajt dhe kur u mbajt dhe pse u mbajt jo pse me këtë çuditje do të shprehja kërkesën për ndalimin e atij fjalimi. Jo. Jo. Kam qenë, jam e do të jem gjithmonë kundër ndalimeve e kufizimeve të mendimit e të shprehje së lirë, qoftë edhe si ato të Gojko Gjokos në Graçanicë më 27.6.2019 dhe jo vetëm në Graçanicë, po edhe kudo tjetër, madje edhe në Qeverinë e Kosovës, pa qenë të ndëshkuara siç ndodhi në Qeverinë tonë ku për paraqitje çështë e vërteta të padrejta mospajtuese me qëndrimet e Qeverisë së Kosovës u ndëshkuan me shkarkim prej kësaj qeverie dy ministra serbë!

Por, shpreha çuditjen time me atë fjalim për një arsye tjetër: për arsye se Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës, Kryesia e Kosovës, me gjithë numrin gati kinez, gati rus, gati indian a brazilian të këshilltarëve e informuesve të tjerë të tyre, si duket, s’morën vesh asgjë kur duhej për atë fjalim, nuk e lexuan kur duhej të lexohej megjithëse ai u botua në disa revista e gazeta serbe, megjithëse ai u pa e u lexua në disa ambasada në Prishtinë e shumë kund tjetër!

Dhe, e shpreha çuditjen time me atë fjalim që shpreh politikën dhe ideologjinë e djeshme e të sotme të Serbisë ndaj Kosovës, ndaj shqiptarëve, ndaj Shqipërisë pse institucionet shtetërore të Kosovës nuk e quajtën të nevojshme që t’i thonë kur duhej ndonjë këshilltari, shkrimtari, mercenari – akademik të Seksionit të Gjuhës e të Letërsisë të ASHAK-ut të tyre a ndonjë mercenari kryetar nga ata tre kryetarët e ASHAK-ut që qe 25 vjet e përdorin si shtëpi private atë ASHAK të shkretë, që të shprehë mospajtimin e shtetit të Kosovës me përdorimin e Kishës së Graçanicës e të Komunës së Graçanicës si tribunë raciste, shoviniste dhe fyese ndaj Kombit shqiptar.

Por, por nuk kanë kohë për mospajtim të tillë as sundimtarët e as mercenarët e tyre. Janë të zënë me punë më të frytshme për veten e tyre e më të mjerueshme për vetë Kosovën!

Janë të zënë sundimtarët tanë dhe çerekakademikët e tyre të mercenarizuar me pajtimin që t’i dhurohen Malit të Zi disa mija hektarë tokë me rëndësi ekonomike e gjeostrategjike, por, por jo edhe me mospajtimin me sovranitetin shtetëror serb të komunës së Graçanicës e të Kishës së Graçanicës në shtetin e Kosovës! / KultPlus.com

Kujtimet e Qosjes, takimi që u fsheh me kancelarin Shrëder dhe biseda e ndotur

“Dëshmitar në kohë historike” i Rexhep Qosjes ka mbërritur në vëllimin e tij të 8. Në fokus është viti 1999 dhe ngjarjet e një viti të gjatë e jetik për Kosovën. Botimi në tërësi përfshin ditarët e tij që nga viti 1966 deri më 2014-ën dhe mbajnë siglën e “Toenës”. Në ditar akademiku Rexhep Qosja trajton ngjarje, çështje, personalitete, probleme, dukuri, procese shoqërore, politike, letrare, artistike, shkencore, filozofike e kulturore, para së gjithash në Kosovë e në Shqipëri, por edhe në Jugosllavi e në botë. Në një fragment të vëllimit të VIII që po botojmë sot, në fokus është muaji korrik i 20 viteve më parë.

Në Kosovë kanë hyrë trupat paqeruajtëse dhe udhëheqës të Europës takojnë politikanë lokalë për të diskutuar problemet e dala nga pas luftës, qytetet e shkatërrua dhe nevojat e ngutshme. Vetë Qosja takon në ditë të ndryshme politikanin shqiptar Sabri Godo, një diplomat francez, përfaqësuesin e Misionit amerikan në Prishtinë Lari Rosin, gjeneralin britanik, Majkël Xhekson dhe ndalet gjatë te takimi me kancelarin gjerman Shrëder, moment i cili nuk u shfaq në media 20 vite më parë dhe as u përmend. Ai ka kritikat e veta për kryeministrin e atëhershëm dhe presidentin e sotëm në Kosovë, Hashim Thaçi dhe për debatin “e ulët” që ai dhe Edita Tahiri bënë para kancelarit gjerman.

Nga Rexhep Qosja

21.7.1999
E mërkurë.
Është fundi i korrikut.
Është një ditë nga më të shpeshtat brenda një viti: as dritë e kthjellët e as terr i vranët.
Lexoj librin me ngjarje dhe anekdota nga jeta e njerëzve të shquar – krijues, shtetarë, politikanë e komandantë, që ka botuar ‘Toena’. Përkthimi, ndërkaq, mund të ishte më i mirë se ç’është.
Pasdite në orën 16 u takova me një diplomat francez, përfaqësues i Ministrisë së Jashtme të Francës. Takohemi në zyrën time në Institutin Albanologjik.
Është vapë e padurueshme.
Ky diplomat, sipas të gjitha gjasave, është dërguar tek unë prej Bernard Kushnerit dhe është dërguar me qëllim për të më testuar nëse jam a s’jam i përshtatshëm, e kjo i përshtatshëm domethënë i përdorshëm, për të qenë anëtar i Këshillit Kalimtar të Kosovës, që e drejton ai, Bernard Kushneri. Diskutimi im në mbledhjen e fundit të këtij Këshilli e ka bërë të dyshojë se do të pajtohem me të gjitha ato që duhet të bëjë ky Këshill për të ringjallur “bashkim-vëllazërimin” jugosllav edhe pas luftës çlirimtare dhe pas bombardimeve të NATO-s në Kosovë e Serbi. Diplomati francez m’i bëri tri pyetje:

E para, si e parashoh të ardhmen e UÇK-së?
e dyta, çka mendoj për serbët në Kosovë dhe
e treta, a jam i gatshëm të shkoj në takimet popullore edhe me prijësit serbë në Këshillin Kalimtar?
Në pyetjen e parë, iu përgjigja: Me luftën e saj, çlirimtare, UÇK-ja është bërë organizatë e madhe, shumë e rëndësishme e kjo domethënë historike, në Kosovë. Tani për tani ajo do të jetë e shndërruar (transformuar) jo pse ne dëshirojmë ashtu, por pse ashtu po kërkojnë faktorët ndërkombëtarë.
Në pyetjen e dytë iu përgjigja: serbët që nuk kanë bërë krime gjatë luftës duhet të trajtohen si gjithë qytetarët e Kosovës, si shqiptarët e të tjerët, me të gjitha të drejtat e njeriut, të drejtat qytetare dhe demokratike.
Në pyetjen e tretë, iu përgjigja me një po dhe iu përgjigja kështu shkurt sepse nuk mund t’ia bëja qejfin edhe vetes edhe atij.
Në mbrëmje, diku rreth orës 18, në shtëpi më erdhi delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë, në krye me mikun tim shumë të çmuar, Sabri Godo. Gjatë bisedës munda të vërej se Sabri Godo nuk ishte ai Sabriu që kisha njohur në Tiranë gjatë prillit, majit e qershorit të këtij viti. Luante një rol që nuk ia kisha njohur gjatë atyre muajve! Pas disa minutash bisede, Sabriu më thotë se unë, si duket, po ndikoja në qëndrimet e përfaqësuesit të OSBE-së në Kosovë, Dan Everts, ndaj LDK-së dhe në fund të këtij konstatimi më bëri edhe pyetjen:
– E ke mik ti Evertsin?
Më bëri këtë pyetje thuajse kishte harruar plotësisht se së paku dhjetë herë më kishte thënë gjatë takimeve që kishim në Vilën 31 se Dan Evertsi ishte miku im që më çmonte shumë.
Më rrëzon përtokë kjo pyetje e Sabri Godos!
Përnjëherë para syve të mi del jo Sabri Godo i vitit 1999, por Sabri Godo i janarit e shkurtit të vitit 1992, kur më premtoi po nuk erdhi në Kuvendin e Pajtimit Kombëtar në Tiranë.
Ishte ky një Sabri Godo makiavelist.
Më pikëlloi ky mendim që për të ia thashë unit tim të dytë.
E doja dhe e çmoja Sabriun e sivjetmë, të vitit 1999, por jo Sabriun e vitit 1992.
Kush e di edhe sa dëshpërime do të përjetoj në këtë punë politike në qoftë se më lënë mendtë e kresë dhe vazhdoj të merrem edhe ndonjë vit me të!
I ftoj për drekë, nesër, në shtëpinë time.
– Jemi të ftuar prej Qeverisë së Përkohshme, – më përgjigjet Sabri Godo.
I përcolla deri te dera e oborrit.
– Dua të shihemi nesër, – më tha të vogël Sabriu, derisa po lamtumireshim.
E dija se nuk do të shiheshim: ai nuk do të mund të takohej nesër me mua sepse frikësohej prej deputetëve të Partisë Demokratike dhe të Legalitetit që ishin në përbërjen e delegacionit. Prania e tyre në delegacion e kishte bërë Sabri Godon të më bënte edhe pyetjen lidhur me Dan Evertsin dhe LDK-në, domethënë e kishte bërë të tregohej makiavelist.

22.7.1999
U takova me përfaqësuesin e Misionit amerikan në Prishtinë, intelektualin me emrin bukurtingëllues, Lari Rosin.
Bisedojmë në zyrën e Hydajet Hysenit në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës. Është i pranishëm edhe Hydajeti.
Bisedojmë për mjaft çështje të përtashme.
Flasim shkoqur, pa ngurrime.
Flasim thuajse ishim të bindur se edhe ai do të pajtohej plotësisht me të gjitha që do të thoshim unë dhe Hydajeti.
E ai, Lari Rosini, vërtet u pajtua me ato që thamë.
Vërejmë se ka dallime në qëndrimet e tij me qëndrimet e Bernard Kushnerit dhe të diplomatëve të tjerë francezë dhe gjermanë.
Amerikanët dhe britanikët më hapur dhe më vendosmërisht mbajnë anën tonë sesa ndërkombëtarët e tjerë në Kosovë apo jashtë Kosovës. Francezët dhe gjermanët, ndërkaq, mbajnë njëkohësisht anën tonë dhe anën e serbëve!
– Do të kujdesemi, – tha, – që gishtërinjtë e Jugosllavisë (së mbetur) të mos përzihen në Kosovë.
U ndamë me përzemërsi të veçantë me Lari Rosinin.
Pasdite takohem, në shtëpinë time, me këshilltarin politik të komandantit britanik në Kosovë, Majk Xheksonin.
Mendoj, derisa e dëgjoj duke folur: mirë, shumë mirë në qoftë se me të vërtetë mendon siç flet e, siç po shihet, mendon ashtu siç mendonte përfaqësuesi i Misionit amerikan në Kosovë, Lari Rosin.
Pas këshilltarit politik të komandantit britanik në Kosovë, Majk Xhekson, erdhi në takim, po ashtu në shtëpinë time, një diplomat i ri gjerman dhe erdhi me një përkthyese shqiptare, të cilën nuk e kisha takuar ndonjëherë tjetër. Ma sollën orarin e udhëtimit në takimin nesër në Prizren, me kancelarin gjerman, Gerhard Shrëder. Mbas pyetjes sime nëse duhet të shkoj i vetëm në atë takim apo mund të marr edhe dikë tjetër, diplomati gjerman m’u përgjigj buzëqeshur:
– Merrni kë të doni.
Dhe kjo përgjigje e tij m’u ndal në mendje si përgjigje shumë më liridashëse se ç’ishin përgjigjet e tjera të ndërkombëtarëve në Kosovë ndaj pyetjeve tona.

23.7.1999
E premte.
Në orën 13:00 me helikopter ushtarak gjerman fluturuam për në Prizren. Fluturuam me dy helikopterë: në njërin jam unë me Visar Rekën dhe me Sabri Kiçmarin, kurse në tjetrin është Hashim Thaçi me Edita Tahirin.

Prej lartësisë, që nuk është e madhe, shikoj fshatrat mes Prishtinës dhe Prizrenit. Rrënime të mëdha. Shumë, shumë gërmadha kanë hapur gojën drejt qiellit dhe ose i luten Zotit për mëshirë ose mallkojnë egërsinë ushtarake-policore-paraushtarake serbe, që aq pamëshirshëm i ka rrënuar. Dëgjoj jehonën e kujës së grave, piskamën e fëmijëve dhe gjëmën e meshkujve.
Në Prizren arrijmë pas njëzet minutash udhëtim përmbi tokë.
Prej mendjes nuk më largohen pamjet e fshatrave të rrënuara dhe jehona e vajtimeve të grave.
Më çojnë në një sallë.
Nuk mund ta marr me mend se çka ishte më parë: sallë apo kasolle e shtazëve – e lopëve.
Është e mbushur me uniforma.
Njëri prej të uniformuarve më thotë se duhet të nënshkruhem në librin e mysafirëve.
Posa e marr lapsin kimik në dorë, që të vë nënshkrimin ku kërkohej, në sy më përplaset kancelari gjerman duke u përshëndetur me Hashim Thaçin. Mbasi nënshkruhem përshëndetet edhe me mua e me të tjerët.
Zëmë vendet.
Karshi kancelarit Shrëder ulet Hashimi.
Shrëderi është ai që e tregojnë televizionet: as më shumë e as më pak. Ka të veshur një këmishë me mëngë të shkurtra. E unë jam uniformizuar me setër e kravatë!
Sytë e tij janë të mëdhenj e të kaltër: janë përbërësi trupor i tij më identifikues.
E merr fjalën shpejt. Dhe na thotë se kishte dëshirë të takohej me ne për të mësuar ç’mendojmë për perspektivën e zhvillimit të demokracisë në Kosovë dhe të marrëdhënieve, të marrëdhënieve të ndërsjella, e thekson, të partive tona. Kush e di se çka krejt i është thënë prej të huajve dhe prej disa tanëve për këto marrëdhënie.
Nuk e zgjat shumë.
Gjermanët flasin pak po punojnë shumë. E ne e tjerrim shumë muhabetin, gati thashë mut-habetin, dhe punojmë pak!
Edhe pyetjet që bëri, i bëri disi asnjanshëm, disi i çmobilizuar. Mendoj: janë punë të vogla për të këto për të cilat ka ardhur këtu. Më habitën, megjithatë, pyetjet që na bëri: ishin pyetje për çështje të dorës së tretë, për çështje të dorës së tretë në kohën kur do të duhej të pyeste për çështje të dorës së parë mos për Gjermaninë atëherë gjithsesi për Kosovën.
Mbas kancelarit Shrëder e mori fjalën Hashimi. I është mbushur mendja Hashimit apo ia kanë mbushur mendjen Hashimit disa nga bashkëpunëtorët se kudo e kurdo duhet ta marrë fjalën i pari nga kosovarët, ta marrë fjalën i pari edhe kur do të ishte më mirë që, si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, për të huajt imagjinare, që s’e njeh kush, madje as LDK-ja, ta merrte i fundit, dhe ashtu në fjalën e kryeministrit, t’i nyjëtonte çështjet më të rëndësishme, shpesh keq të shpërndara e keq të tjerra në diskutimet e të tjerëve para tij, sidomos të tjerrtarit të LDK-së!
Flet për rolin e UÇK-së, për përpjekjet që po bëjmë për normalizimin e jetës, për veprimtarinë politike, për Qeverinë e Përkohshme. Flet gjatë, por jo aq gjatë sa foli atë ditë në mbledhjen e Këshillit Kalimtar të Kosovës në krye me Bernard Kushnerin.
Mbas Hashim Thaçit fjalën e mori Edita Tahiri. Dhe foli për synimet e LDK-së sot, dhe foli siç foli, siç s’duhej, në mbledhjen me Dan Evertsin dhe Knut Volebekun. Dhe, foli prapë për problemin e dy qeverive tona. Prapë mbrojti ish-“institucionet”, që ia mbanin paqen Millosheviçit në Kosovë! Prapë na solli plagë politike. Prapë na e zbriti nivelin e mbledhjes! Bukoshi dhe Rugova nuk e lënë Edita Tahirin e shkretë rehat, po e mjelin aq sa mund ta mjelin ata haduma duke e detyruar të blegërojë për “institucionet” e LDK-së nën dhunën e terrorin e regjimit të Millosheviçit, madje edhe para Gerhard Shrëderit!
Në fund e mora fjalën unë. Dhe, fola për njëmendësinë e ndryshuar në Kosovë; për rolin e NATO-s e të Gjermanisë në ndryshimin e kësaj njëmendësie; për rolin që mund të luajë Gjermania në rindërtimin e Kosovës. Dhe fola për problemet që na shqetësojnë sot: për sigurinë ende të pasigurt, për ndarjen e Mitrovicës si vatër e destabilizimit të Kosovës, për paritetin 1 serb – 1 shqiptar në punësim si pengesë e demokratizimit të Kosovës, për privatizimet, për rrënimin e institucioneve të kulturës me qëllim cenimin e identitetit të popullit shqiptar. E të tjera.
Mbas fjalës sime kancelari Shrëder pyeti, prapë, se si qëndron puna e bashkëpunimit mes partive shqiptare?
Edita Tahiri dhe Hashim Thaçi bënë polemikë.
Hashim Thaçi e ngre çështjen e mjeteve që kanë dhënë shqiptarët në Gjermani – çështjen e tre përqindëshit, që mbahen në bankat gjermane si pronë e Bujar Bukoshit dhe e Kryesisë së LDK-së!
Edita Tahiri iu përgjigj duke ngritur çështjen e Fondit Vendlindja thërret, që e kanë tharë e shterur komandantët e UÇK-së!
Niveli i bisedës bie poshtë, tepër poshtë!
Biseda ndotet!
Ndërhyj: nuk është e nevojshme sot të flitet për “imtësi” të tilla.
Kancelari Shrëder e përfundoi takimin me ne duke na falënderuar për pjesëmarrje. Dhe kështu mori fund një takim pothuaj i dështuar, në të cilin ne s’thamë gjithë ç’duhej të thoshim, por thamë edhe çka nuk do të duhej të thoshim!
Kancelari i Gjermanisë e filloi takimin me fjalë për çështje të dorës së tretë dhe e përfundoi edhe më keq: pa thënë çka do të bëjë Gjermania dhe çka do të bëjë Bashkimi Evropian dhe çka do të bëjnë ndërkombëtarët që Kosova të shërohet sa më mirë e sa më shpejt prej plagëve të shumta që ia ka shkaktuar regjimi i Sllobodan Millosheviçit. Mund të jetë se ai ashtu edhe kishte dashur: të parandalonte që të flasim për ato plagë. Megjithëse diçka thamë, por edhe këto që thamë i zhvlerësoi Edita Tahiri duke ringjallur polemikën për politikën e “institucioneve” të nënshtrimit, e tre përqindëshit, e të Fondit “Vendlindja thërret” dhe duke na fundosur ashtu në një bërrakë ku më së shumti u përlloç vetë ajo, por s’e la pa përlloçur as Hashim Thaçin!
U kthyem në Prishtinë me helikopter në ora 15:15 minuta.
Në orën 20:00, TVSH, në emisionin për Kosovën, dha lajmin për takimin e Hashim Thaçit me kancelarin gjerman, Gerhard Shrëder, dhe për mosardhjen e kryetarit të LDK-së, Ibrahim Rugova, në këtë takim. Gazetari, që kishte bërë lajmin, Bujar Muharremi, na injoroi ne të tjerëve në takimin me kancelarin Shrëder si të mos ishim fare as aty as të gjallë! Kjo ishte teknologjia politike dhe informuese e gazetarit Bujar Muharremi, në mendjen e të cilit ishin salduar primitivizmi dhe stalinizmi!
Dhe kjo alkimi e tij kundërdemokratike ndoshta shprehte edhe dëshirën, mund të ishte edhe kërkesën, e atij që e veçoi si të vetmin subjekt me të cilin duhet të merret televizioni i quajtur TVSH në emisionin për Kosovën: edhe kërkesën e Hashim Thaçit!

17.9.1999
Në orën 9:00, me Visarin, Visar Rekën, shkuam në takim me komandantin e KFOR-it, gjeneralin britanik, Majkël Xhekson.
Është i vendosur në ndërtesën e Kosova-filmit, në Dragodan.
E kanë ndërruar plotësisht pamjen e mjedisit ku janë vendosur anglezët e jashtëzakonshëm. Uniforma të bukura, automobila, autoblinda, tanke, helikopterë. Rend, rregull kudo, në të gjitha anët.
Në parazyrën e gjeneral Xheksonit më bie në sy një si tabelë jo shumë e madhe, në të cilën është shënuar orari i punëve të tij të sotme. Aty është i shënuar edhe takimi me mua.
Gjeneral Xhekson më pret në zyrë, i buzëqeshur, i çlirët.
Çohet e ulet afër meje.
Pyetja e parë që më bën pas disa fjalëve që diplomatët i quajnë fjalë kortezie është:
– Si ju duket situata sot? Si e vlerësoni gjendjen?
Heshtje e shkurtër.
– Ardhja e KFOR-it na ka sjellë shpresë për ardhmërinë. Por, ende ballafaqohemi me shumë probleme që i shohim dhe presim probleme që nuk mund t’i parashikojmë. Disa prej problemeve që më duken më shqetësuese, sipas mendimit tim, janë:
1. ndarja e Mitrovicës, 2. prania e rusëve, sidomos në aeroportin e Prishtinës, 3. kërkesat që, edhe mbas të gjitha atyre krimeve që bëri regjimi i Millosheviçit ndaj nesh, Kosova është pa sistemin e vet të mbrojtjes, 4. përqendrimi i serbëve në Fushë të Kosovës, në Rahovec, në Shtërpcë, në rrethinë të Gjilanit, domethënë në enklava, që mund të bëhen enklava terrorizmi kundër nesh e kundër KFOR-it dhe 5. insistimi i Misionit të OKB-së në autonominë e Kosovës edhe pas kësaj lufte që bëri UÇK-ja bashkë me forcat e NATO-s gjatë fushatës së bombardimeve!
Gjeneral Xheksoni përgjigjet ngadalë, përqendrueshëm, ndaj të gjitha shqetësimeve të mia që ia numëroj.
Pranisë së rusëve nuk i kushton farë rëndësie.
Çështjen e sigurimit tonë, vetjak, të mbrojtjes sonë vetjake, e konsideron çështje shumë serioze, por shton se ushtria kushton shumë, kurse ne tani për tani jemi mbrojte pa pagesë, thotë duke qeshur.
Drojën tonë nga përsëritja e autonomisë dhe “sovraniteti” nën Jugosllavinë e mbetur e mënjanon me pohimin se NATO prej Kosovës nuk do të shkojë pa u caktuar statusi përfundimtar i Kosovës.
Ndahem prej tij me përshtypjen: gjenerali Xhekson është anglez i vërtetë sepse është politikan i jashtëzakonshëm edhe kur është ushtarak.
Desha t’i thosha se në pjesën e Mitrovicës, në të vërtetë në krejt Mitrovicën dhe Veriun e saj, do të ishte mirë të shpallej gjendje e jashtëzakonshme, kurse në Kosovë të zbatohet i ashtuquajturi Plani i Marshallit, si në Gjermani pas Luftës së Dytë Botërore, që do ta rindërtonte Kosovën e shkatërruar nga regjimi pushtues gjakatar i Millosheviçit. Por, nuk i thashë! /KultPlus.com

Rexhep Qosja promovon vëllimin e tetë të ditarit “Dëshmitar në kohë historike”

Në ambientet e Institutit Albanologjik, akademik Rexhep Qosja promovoi vëllimin e tetë të ditarit “Dëshmitar në kohë historike”, botuar nga Shtëpia Botuese “Toena” me të cilën ka bashkëpunim të gjatë, shkruan KultPlus.

Irena Toçi nga botimet “Toena”, hapi ngjarjen duke treguar për bashkëpunimin më se 20-vjeçar me Qosjen.

“Jemi krenar që ai është pjesë e kolanës së botimeve të Shtëpisë sonë botuese. Është një nga emrat më përfaqësues të historiografisë e letërsisë, shkrimtar mjaft i njohur, politikan, eseist, publicist, politikan e mbi të gjitha studiues i letërsisë. Ky ditar që sot prezantojmë është projekt shumë i madh. Deri më tani janë botuar tetë vëllime të këtij ditari, që është dëshmi historike”, tha ajo në fjalën hyrëse.

Vëllimi i tetë i “Dëshmitar në kohë historike” përfshinë vitet 1999-2001, që janë vitet e protektoratit dhe dalja e Kosovës nga lufta. Shtëpia Botuese “Toena”, ditarët e Qosjes që ai i mban që nga viti i largët 1966, i konsideron si projekte shumë të rëndësishme të veprimtarisë botuese.

Gjatë promovimit të këtij libri, ishin pjesëmarrës figura të rëndësishme të jetës kulturoro-politike shqiptare si Ambasadori i Shqipërisë për Kosovën Qemal Minxhozi, politikania shqiptare Valentina Leskaj e shkrimtari Fatos Kongoli.

Historiani dhe politikani shqiptar Paskal Milo, që ishte pjesëmarrës në panel, tha se ndihet i nderuar për mundësinë që të flas për profesor Qosjen.

“Nuk flas me imponim. As që të kryej ndonjë detyrë, por e ndjej atë që kam thënë dhe që e them sot. Kam emocione sepse kam qenë dëshmitar i atyre ngjarjeve që profesori përshkruan në këtë vëllim. Kam qenë dëshmitar aktiv kur fatet tona u kryqëzuan, në mënyrë të pazgjidhshme dhe ku kontributet tona të përbashkëta sollën veprën historike të papërsëritshme, lirinë e Kosovës dhe Pavarësinë e saj”, tha ai mes tjerash, derisa potencoi se shqiptarët kanë me se të krenohen. Për librin e ri të Qosjes, Milo u shpreh: “Padyshim që libri është dëshmi e pashlyeshme e historisë jo vetëm të Kosovës, por fare mirë mund ta quajmë dëshmi edhe për Shqipërinë”.

Drejtori i Institutit Albanologjik të Kosovës Hysen Matoshi, bëri një rezyme për ditarët, ku përmendi ditarin e famshëm të Ana Frangut, derisa për vëllimin e tetë të profesor Qosjes pati fjalë të mira.

“Vëllimi i tetë i kësaj kolane kronologjike e ofron këtë qasje, kalimin e Kosovës nga një vend i robëruar, në një shtet. Vëllimi i ngjan një jetëshkrimi, ku bëhet dallimi i Qosjes si mendimtar dhe Qosjes si besimtar në institucione. Përsiatja racionale akademike, pragmatizmi politik funksionalizohet me një kontekst të vështirë qeverisjeje në të cilin shfaqen dilemat e tij të mëdha”, potencoi Matoshi, kurse shkrimtari dhe profesori i njohur Agim Vinca po ashtu pati fjalë të mira për Qosjen, të cilin e konsideroi figurë të rëndësishme për kulturën shqipe.

“Në letërsinë dhe kulturën shqiptare, për herë të parë në mos edhe të fundit lexuesi shqiptar ka një vepër në formë ditari me tetë vëllime, me mijëra faqe tekst. Po që se i marrim parasysh edhe veprat “Paqja e përgjakshme” kushtuar Konferencës së Rambujesë dhe “Tronditja e shekullit” për 78 ditët e bombardimeve, të shkruara në formë ditari, atëherë janë gjithsej 12 vëllime të veprës së gjerë të Akademik Rexhep Qosjes në formë ditari”, u shpreh Vinca.

Akademik Qosja, pranoi edhe dhurata. Shkrimtari Mexhid Mehmeti, i cili tha se e ka adhuruar Qosjen qysh prej viteve 60, gjatë këtij promovimi shfrytëzoi rastin t’ia dhurojë disa libra të tij dhe një portret të Qosjes, i cili në fund i falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen.

“Dua t’ju falënderoi të gjithëve sepse më keni nderuar me ardhjen e juaj në këtë promovim. Edhe unë ju kam nderuar e ju nderoj, kur them ju i drejtohem atij të cilit i takoj unë dhe ju bashkërisht, popullit”, përfundoi Qosja.

Pas përurimit, të pranishmit patën mundësinë ta takojnë autorin, të diskutojnë me të dhe të marrin nënshkrime nga ai. / B. Meholli / KultPlus.com

Akademik Qosja nesër promovon librin e ri, lexoni disa pjesë të shkëputura prej tij

Nesër në Institutin Albanologjik promovohet libri më i ri i akademik Rexhep Qosjes “Dëshmitar në kohë historike”, Ditari VIII, Koha e protektoratit (1999-2001).

Ftesa për promovimin e librit është postuar në profilin e akademikut në Facebook.

Në vazhdim mund të lexoni disa shkëputje nga libri:

F T E S Ë

Të nderuar miq, ju ftoj të merrni pjesë në promovimin e librit tim të fundit “Dëshmitar në kohë historike”, Ditari VIII, Koha e protektoratit (1999-2001).

E Enjte, 6 Qershor, Ora 12:00
Instituti Albanologjik – Prishtinë

Mirë u takofshim.

Rexhep QOSJA

Disa shkëputje nga ditari:

10.7.2000

Në diskutimin e tij Hashim Thaçi thotë se vetëm Ibrahim Rugova e mbështet Marrëveshjen e mirëkuptimit Kushner-Artemije, që e kthen Kosovën shumë mbrapa! Mjerisht kjo Marrëveshje ndoshta miratohet nesër në Këshillin e Përkohshëm Administrativ!

Të gjithë diskutuesit e kundërshtuan atë Marrëveshje.
Si më tutje? Sipas këtij mospajtimi me atë Marrëveshje?
– Mbledhja e sotme, – thotë Hashimi, – është vetëm konsultuese. Domethënë: për si më tutje as Hashimi vetë e as Partia që kryeson nuk paskan menduar!

Në diskutimin tim të shkurtër thash:
– Pse kjo mbledhje është vetëm konsultuese? Në këtë mbledhje do të duhej të krijohej qëndrim i përbashkët për shumë çështje për të cilat nuk i kemi njësuar qëndrimet. Dhe, ky qëndrim i përbashkët do të duhej të krijohej në konsultime me udhëheqjet e partive para se të mbahej kjo mbledhje. Kolegët e PDK-së dua t’i pyes: a e keni ngrirë pjesëmarrjen në të gjitha nivelet e strukturave të përbashkëta?

***

23.11.2000

Sot afër shtëpisë së tij është vrarë gazetari e publicisti i njohur, zëdhënësi i LDK-së, Xhemajl Mustafa.

Ky lajm i zi më tronditi shumë.

Xhemajl Mustafa ishte njeri i qetë, i urtë, nuk bënte keq, nuk fliste keq, shkruante për veprat letrare e shkencore të atyre me të cilët pajtohej dhe të atyre me të cilët mund të mos pajtohej politikisht. Ai kishte shkruar fare mirëkuptueshëm edhe për ndonjë vepër timen.

Kush mund ta ketë vrarë? Kush?
Nuk vriten krijuesit! Nuk vriten gazetarët!
Ç’është kjo dhunë shkatërruese, që po na rrezikon si popull! Edhe stacione të huaja televizive e japin lajmin për vrasjen e

Xhemajl Mustafës, për këtë vrasje më zi se kriminale! E dënoj me mendje e me shpirt këtë vrasje skajshëm tragjike.

14.6.2000

Me vonesë, diku rreth mesditës, marr vesh se Bernard Kushneri ia ka ndaluar hyrjen në Kosovë kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha. Mbrëmë ia kishte çuar atij një letër në Kukës, ku ai kishte mbërritur me shumë partizanë të tij, me të cilën e kishte njoftuar se nuk i lejohet hyrja në Kosovë. I pezmatuar, i pezmatuar dhe i fyer për shkak të kësaj ndalese, Sali Berisha, në stilin e tij bolshevik, do të deklarojë po në Kukës se:

– I gjallë ose i vdekur do të hyj në Kosovë!

Për fatin e tij dhe të familjes së tij, Sali Berisha menjëherë ishte nisur shëndosh e mirë për në Tiranë.

21.3.2000

– Jam shumë i befasuar, kolegë të nderuar, që institucionet e arsimit e të shkencës janë përjashtuar prej Buxhetit të konsoliduar të Kosovës. Ne kemi një Departament, që quhet Departamenti i Arsimit e i Shkencës, dhe ky Departament, siç e thotë edhe emri, përbëhet prej dy përbërësve institucionalë – prej arsimit dhe prej shkencës. Si është e mundshme, prandaj, që ky Departament të mos ketë trajtim të njëjtë në Buxhetin e Kosovës me departamentet e tjera, por një pjesë e përmbajtjes së tij, e quajtur shkencë, të përjashtohet prej Buxhetit! Unë nuk jam në gjendje ta kuptoj, dhe nuk jam në gjendje ta kuptoj sepse nuk ia gjej arsyet qëndrimit të tillë shpërfillës ndaj institucioneve tona shkencore! Pse ndodh kjo? Pse ndodh kështu? Cilat janë arsyet e kësaj shpërfilljeje?

Këto institucione shkencore, të quajtura Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës, Instituti Albanologjik i Kosovës, Instituti i Historisë i Kosovës, janë institucione shkencore të themeluara prej Kuvendit të Kosovës, kurse tani i bën të paqena dikush që unë nuk po e di se kush është ai! As Këshilli i Përkohshëm Administrativ, as Departamenti i Arsimit dhe i Shkencës nuk i ka hequr prej regjistrit të rrogave as prej Buxhetit të Kosovës.

Kush i ka hequr?

Unë, si anëtar i këtij Këshilli, nuk kam mandat për mbylljen e institucioneve të lartpërmendura shkencore të Kosovës dhe këtë mandat edhe po të donte të ma jepte dikush unë kurrë nuk do ta pranoja.

Unë nuk pajtohem me qëndrimin e paraqitur këtu ndaj këtyre institucioneve.

Unë, jo vetëm nuk pajtohem, por edhe protestoj ndaj këtij qëndrimi.

15.3.2001

KTV-ja ka zhvilluar bisedë (intervistë) me Arbën Xhaferin. Gazetari, me pyetjet që i bën, i jep mundësi të nxirret nga lloçi në të cilin është zhytur në paraqitjet e mëparshme. Nxirret deri diku, vetëm deri te molla e gushës, kurse prej gushës e më lart – me sytë e me gojën mbetet në lloç! I dënon edhe më tej luftëtarët, por thotë se në Maqedoni ka probleme të pazgjidhura. Ka probleme të pazgjidhura, thotë Arbeni, kurse vetë merr pjesë në pushtetin që nuk i zgjidh ato probleme dhe dënon ata që kërkojnë vetëflijueshëm zgjidhjen e tyre! Kuku, Arbën, çka po bën!

18.8.2000

Ylli, Luani dhe Eduardi më flasin edhe për Historinë e Shqipërisë, që po punohet në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë. Ende nuk e kanë vendosur se si do të quhet: Histori e Shqipërisë apo Histori e popullit shqiptar. I kanë ftuar disa historianë dhe disa anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, që të diskutojnë rreth kësaj historie dhe u kanë propozuar që, mundësisht, të botohet si vepër e dy akademive. Ata të Prishtinës, thanë, e kanë propozuar Zekeria Canën si përfaqësues të historianëve të Kosovës në bisedën rreth kësaj çështjeje. Dhe, më tej, ata të Prishtinës kanë kërkuar që në këtë bisedë dhe në punën rreth historisë në fjalë Prishtina të jetë e përfaqësuar me aq autorë sa edhe Tirana! Por, teksti është pothuaj gati dhe nuk ka sesi të futen si autorë emra që s’kanë bërë punë! Dhe, më tej, thanë se janë posaçërisht shumë të befasuar nga sjellja agresive e njëfarë Hivzi Islamit. Gjatë bisedës, në një çast, ai farë Hivziu u ka thënë, i nevrikosur, tepër i nevrikosur, ndoshta i çekuilibruar:

– Kosova ua ka thyer hundën dy perandorive – otomane e serbe dhe do t’ia thyejë edhe Shqipërisë!

Kjo i ka lënë pa tekst akademikët dhe historianët e Shqipërisë, që po merrnin pjesë në bisedën me kolegët e tyre nga Kosova për tekstin e Historisë në fjalë. Por, pas disa çastesh, mbasi e kishte marrë veten, akademik Luan Omari i ishte drejtuar me këto fjalë atij:

-Ae di ti se çka po flet?!
Heshtje e gjatë.

***

Rexhep Qosja, “Dëshmitar në kohë historike”, Ditari VIII, Koha e protektoratit (1999-2001).

“Sfinga e gjallë”, shfaqja që zhbiron në dramën e vrasjeve politike të pasluftës, vjen premierë në TKK

Në Teatrin Kombëtar të Kosovës pritet të jepet premiera e shfaqjes ”Sfinga e gjallë”, përcjellë KultPlus.

Me regji të Blerta Nezirajt, drama ”Sfinga e gjallë” e shkrimtarit dhe intelektualit të mirënjohur nga Kosova, Rexhep Qosja, vjen e “ri-vizituar’ dhe e fuzionuar me shkrime e citate goditëse, po të Rexhep Qosjes, por edhe me dokumente e kronika të ndryshme të kohës. 

E shkruar në vitet e 70-ta, si një dramë e fuqishme që flet për gjakmarrjen e vëllavrasjet absurde të asaj kohe, “Sfinga e gjallë” e tanishme zhbiron dramën e tabuizuar të pasluftës në Kosovë dhe vrasjet politike ‘misterioze’ të disa prej intelektualëve, gazetarëve e politikanëve kosovarë.

Pas përfundimit të luftës disa nga ‘lordët e luftës’ në Kosovë qenë përfshi në një valë të vrasjeve të kundërshtarëve politik – kryesisht zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovë – të cilët paraprakisht etiketoheshin si ‘ ‘bashkëpunëtor të armikut’ e ‘sabotues të luftës çlirimtare’’. Rreth 20 vite nga ajo periudhë, gati asnjë nga këto vrasje nuk është zbardhur. Nuk ka pasur vullnet politik për një gjë të tillë nga asnjëra palë, madje as nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila, për më tepër, këto vrasje i ka marketizuar dhe përdorur për qëllimet e veta politike. Edhe komemoracioni publik për të vrarët është shndërruar në një ritual komik. Të gjithë – madje edhe vet vrasësit – ‘vajtojnë’, të gjithë ‘thërrasin për drejtësi’, të gjithë i duan “vrasësit prapa grilave” dhe të gjithë ua njohin “meritat të vrarëve”.

Në sfondin e këtillë të këtij makabriteti politik e shoqëror, viktimat e vetme megjithatë kanë ngelur të vrarit dhe ndoshta familjet e ngushta të tyre.

Kjo shfaqje u dedikohet këtyre të vrarëve dhe atij pak grushti njerëzish të guximshëm që akoma dhe sot, me dinjitet, vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për vrasjet politike të pasluftës.

Në shfaqje luajnë aktorët: Fatmir Spahiu, Adrian Morina, Edona Reshitaj, Armend Smajli, Ylber Bardhi, Shpejtim Kastrati, Dukagjin Podrimaj.

“Sfinga e gjallë” vjen premierë në Teatrin Kombëtar të Kosovës më datë 27 maj, në ora 21:00.

 Skongrafia dhe kostumet: M. Nurullah Tuncer // Kompozitor: Gabriele Marangoni // Koreograf: Gjergj Prevazi // Ass regjisor:  Imer Mushkolaj

Skulptor: Burim Berisha // Ass. skenograf: Gent Jetullahu // Inspicient: Bajram Mehmetaj // Dritat: Mursel Bekteshi // Toni: Arben Aliu

Organizator: Beqir Beqiri // Mjeshtër skene: Aziz Maloku // Rrobaqepës: Shemsi Avdiu // Dekoraterë: Rrahman Mehmeti, Hasan Buzaku, Fatmir Avdiu // Rekuiziterë: Xhemail Gllavica e Driton Musliu // Garderoberë: Fahredin Ahmeti e Linda Ahmeti // Grimi: Flori Hasani, Myrvete Tahiri, Fatime Bejiqi Brajshori // Furnizues: Hysen Kuleta. / KultPlus.com

Qosja: Kur fshatari e zbulon qytetin thjesht e pushton, zbaton ligjet e deleve dhe pulave

Shkrimtari dhe akademiku Rexhep Qosja ka shkëputuar një pjesë nga romani i tij më i ri që pritet të publikohet pas disa muajve.

Ai ndër të tjerash shkruan se ‘’Kur fshatari e zbulon qytetin thjesht e pushton, zbaton ligjet e deleve dhe pulave’’.

Ja postimi i plotë në Facebook:

Me prejardhje fshatare, Alberto arriti në Napoli në moshën njëzet vjeçare dhe e pushtoi si rrufeja që pushton thatësirën, si çdo fshatar që kurorëzohet me kryeqytetin.

Fshatari është i dështuar vetëm në qoftë se mbetet në fshat, por kur e zbulon qytetin, ai thjesht e pushton. Ndaj qytetarit në qytet zbaton ligjet e deleve dhe te pulave. Ndaj psikologjisë së koklavitur të politikanëve sillet si ndaj qenve që ruajnë tufat e deleve. Kjo është logjika e tij fitimtare. Me këtë logjikë ai e zhdukë çdo konkurrencë. Shtazët i bën njerëz, e njerëzit i bën shtazë.

Paolo Sorentino, Të gjithë kanë të drejtë (roman)

Fragment i cituar në romanin tim të ri që do të botohet pas disa muajve. / KultPlus.com

Qosja: Vepra dhe emri i Blushit do të mbesin përgjithmonë në historinë e kulturës shqiptare

Akademiku Rexhep Qosja, me rastin e ndarjes nga jeta të gazetarit, shkrimtarit dhe skenaristit të njohur, Kiço Blushi, ka thënë se ai ushtroi ndikim çlirues, përparues, qytetërues, demokratizues në jetën e në krijimtarinë shpirtërore shqiptare.

“Me pikëllim të madh e mësova lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit, skenaristit, publicistit dhe veprimtarit të shquar kulturor Kiço Blushi. Të gjithë ata që e njohën, të gjithë ata që e takuan siç pata fatin ta njoh e ta takoj edhe unë, nuk do ta harrojnë kurrë. Me fjalën e tij gjithmonë të ndershme, gjithmonë të qartë e të vendosur, me përkushtimet e tij mendore e ndjenjore ndaj të drejtës e të vërtetës, ai ushtroi ndikim çlirues, përparues, qytetërues, demokratizues në jetën e në krijimtarinë shpirtërore shqiptare. Vepra e tij dhe emri i tij mbesin përgjithmonë në historinë e kulturës së popullit shqiptar”, ka shkruar Qosja.

Qosja i ka shprehur ngushëllime edhe familjarëve.

“Familjarëve, miqve e dashamirëve të tij të shumtë u shpreh ngushëllimet e mija më të thella”, përfundoi ai.

Blushi vdiq mbrëmë në moshën 75-vjeçare. / KultPlus.com

Rexhep Qosja: Reagim ndaj letrës së 30 shkrimtarëve dhe publicistëve

Me vonesë disaditore e vërejta dhe e lexova letrën e shkruar prej filozofit, shkrimtarit e publicistit, Bernar-Henri Levy, e të nënshkruar prej njëzet e nëntë shkrimtarëve e publicistëve të tjerë, mes të cilëve edhe prej pesë fituesve të Çmimit Nobel për letërsi.

Në këtë letër për shumë arsye bëhet thirrje që Bashkimi Evropian të mbrohet, që atdhetarët e këtij Bashkimi ta mbrojnë atë intelektualisht prej shkatërruesve të cilët gjithnjë e më të zëshëm po shihen e dëgjohen nëpër disa sheshe e nëpër disa institucione evropiane!

Nuk prisja se kjo letër qëllimlartë do të më befasonte siç më befasoi jo vetëm me disa nga mendimet që thuhen në të, po më shumë me disa nga çështjet që në të heshten.

Për këtë arsye, si lexues i veprave e i shkrimeve të disave prej nënshkruesve të kësaj letre, mund të them:
Jam i zhgënjyer.

Jam i zhgënjyer sepse ata e ngritën zërin me shumë vonesë.

Jam i zhgënjyer sepse ata e ngritën zërin vetëm kundër të këqijave që, siç e theksojnë, mund të ndodhin në Evropë pas zgjedhjeve të majit për Parlamentin Evropian në qoftë se fitojnë ata që duan të ringjallin një të kaluar të errët.

Jam i zhgënjyer sepse të këqijat që, thonë, se mund të ndodhin në Evropë pas zgjedhjeve të majit – ksenofobia dhe antisemitizmi po ndodhin tashmë në disa vende të Evropës.

Jam i zhgënjyer sepse i heshtën disa nga të këqijat e tjera që po ndodhin në Evropë dhe tragjeditë që po ndodhin në ujërat jugore të Evropës.

Jam i zhgënjyer sepse nuk e thanë asnjë fjalë keqardhjeje për tragjedinë më të madhe të shekullit në të cilin kemi hyrë: për tragjedinë e viktimave të luftërave, që në disa vende të Lindjes së Mesme e të Afërme po ndodhin edhe nën patronatin politik e ushtarak evropian!

Jam i zhgënjyer sepse me asnjë fjalë keqardhjeje nuk shkruan për rrënimet barbare të tri qytetërimeve të lashta në ato vende të Lindjes së Mesme e të Afërme që po ndodhin edhe nën patronatin politik e ushtarak të disa vendeve të Evropës!

Jam i zhgënjyer sepse asnjë fjalë keqardhjeje nuk u shpreh për islamofobinë që po përshtrihet në Evropë, e nxitur edhe prej terrorizmit – kësaj të keqeje skëterrore, kundërnjerëzore, që po e bëjnë madje edhe në disa vende që u kanë dhënë strehimin, individë dhe grupe të ndryshme me besim islamik duke keqpërdorur islamin për qëllimet e veta politike, ideologjike e të tjera.

Jam i zhgënjyer sepse këta, tridhjetë shkrimtarët e publicistët e shquar, që u paraqitën si ndërgjegje e zgjuar e Evropës së Re, nuk paskan vërejtur se si kolonializmi klasik në disa pjesë të Afrikës e të Azisë, është zhvilluar tashmë në kolonializëm modern, domethënë në neokolonializëm.

Jam i zhgënjyer sepse kërkesat shtetkrijuese, që u dëgjuan në Barcelonë, i identifikuan me shpërthimet nacionaliste dhe ksenofobe që po dëgjohen qe sa kohë, sidomos në Budapest, në Varshavë, në Vjenë, në Dresden e ku tjetër.

Jam i zhgënjyer sepse politikë “që nuk e denjëson inteligjencën dhe kulturën” e quajtën vetëm politikën që do të bëhet në Evropë në qoftë se në zgjedhjet e majit për Parlamentin Evropian fitojnë “shkatërruesit e idesë evropiane” dhe harruan se politikë e tillë po lulëzon tashmë në disa vende të Evropës, sidomos në vendet ish komuniste qoftë edhe të Bashkimit Evropian!

Jam i zhgënjyer sepse Evropën e quajtën “të braktisur edhe nga dy aleatë të mëdhenj që në shekullin e kaluar e shpëtuan dy herë nga vetëvrasja: njëri përtej La Manshit dhe tjetri përtej Atlantikut” dhe, kur shkruan kështu, këta dy aleatë, të përfytyruar gabimisht si kundërshtarë të BE-së, i imagjinuan në të njëjtin kontekst politik me Rusinë e Putinit, e cila e dëshiron rrënimin e këtij Bashkimi të Evropës, duke vepruar ku mundet e si mundet për atë rrënim! Është interesant se në këtë letër nënshkruesit e saj, me dashje a padashje, na e përkujtuan qëndrimin e krijuar në kohën e Napoleon Bonapartës kur u tha: Anglia është për Evropën çka është Shejtani për njerëzimin!

Jam i zhgënjyer sepse në letrën manifest politik nuk u sqarua se çfarë duhet të jetë Bashkimi Evropian që, besoj, s’do të mund ta plagosin “varrmihësit e idesë evropiane”: do të jetë Evropë e pluralizmit kombëtar, kulturor, fetar apo Evropë e totalitarizmit evropianist; do të jetë Evropë e kombeve të barabarta apo Evropë e dy-tre rrathëve me barazi të ndryshme të përbërësve kombëtarë të saj; Evropë, si e thotë evropiani i shumëdëshiruar, Karl Markus Gaus, e shumë gjuhëve apo e Evropë e vetëm disa gjuhëve, që do të na e mësojë barbarinë; Evropë e pastruar prej të gjitha paragjykimeve të së kaluarës apo Evropë në të cilën racizmin e dikurshëm të Lëkurës do ta zëvendësojë racizmi i Kuletës?

Bashkimi Evropian është ideja, është projekti, është ideali më madhështor në historinë e Evropës. Ai është premtimi politik, kulturor, qytetërues, human, etik, që popujve të Evropës u sjell besimin se kurrë më nuk do të përjetojnë luftëra botërore, as luftëra ballkanike, as Kongrese të Berlinit si ai i vitit 1878, as Konferenca të Londrës si ato të viteve 1913 e 1915, as Konferencë të Paqes si ajo e Parisit e vitit 1919, as “rende” të tmerrshme fashiste, staliniste, naziste; është premtim që popujve të Evropës u sjell besimin ndaj lirive, barazisë së dinjiteteve dhe të mirëqenies së tyre e të pasardhësve të tyre.

Shqiptarët e duan sot Evropën e këtillë, dhe e duan shumë përkushtueshëm duke u përpjekur që të sjellin vlerat e saj në jetën e tyre dhe duke u përpjekur që të plotësojnë kushtet që Shqipëria e Kosova, siç janë sot apo, edhe më mirë, të bashkuara, të bëhen anëtare të saj sa më shpejt.

Gëzuar Evropë e dashur!/ KultPlus.com

Qosja përkujton albanologun francez Kristian Gut

Akademik Rexhep Qosja ka përkujtuar albanologun dhe përkthyesin francez Kristian Gut i cili ndërroi jetë ditë më parë në moshën 87 vjeçare.

Qosja ka thënë se Gut e ka dashur popullin shqiptar, për shkak se ka njohur dhe trajtuar me shumë përkushtim historinë shqiptare.

“E gjithë përmbajtja e veprimtarisë dhe e krijimtarisë së tij të gjatë, shumëvjeçare, që përbën qëllimin kryesor të studimeve të tij të gjithanshme, janë historia, gjuha, zakonet, traditat, folklori, letërsia e popullit shqiptar”, thuhet në reagimin e Qosjes.

Ky është shkrimi i Qosjës:

VDEKJA E KRISTIAN GYTIT

Humbje e madhe për kulturën shqiptare

U nda nga jeta albanologu Kristian Gyt.

U nda nga jeta në moshën 87 vjeçare, por u nda nga jeta duke mbetur i përjetshëm dhe i lavdishëm në historinë dhe kulturën shqiptare.

Studiuesit e shquar Remzi Përnaska dhe Enver Hysa kanë sjellë shumë të dhëna për jetën e tij, për natyrën e tij, për krijimtarinë e tij shkencore, për angazhimet e tij të gjithanshme kulturore, shoqërore dhe institucionale, në përgjithësi për përkushtimet e tij ndjenjore e mendore.

Prej këtyre të dhënave shihet se Kristian Gyt ka qenë ose drejtues, ose pjesëmarrës i shumë institucioneve, i shumë organizatave dhe i shumë shoqatave të Francës, në të cilat është punuar dhe punohet për historinë e Shqipërisë e të popullit shqiptar, për kulturën dhe qytetërimin shqiptar.

E gjithë përmbajtja e veprimtarisë dhe e krijimtarisë së tij të gjatë, shumëvjeçare, që përbën qëllimin kryesor të studimeve të tij të gjithanshme, janë historia, gjuha, zakonet, traditat, folklori, letërsia e popullit shqiptar.

Kristian Gyt ishte njëri prej njohësve më të mirë dhe njëri prej trajtuesve më të gjithanshëm të gjithë atyre vlerave që përbënin të kaluarën dhe të atyre që përbëjnë të përtashmen shpirtërore shqiptare.

Për shkak se e ka njohur aq gjithanshëm dhe e ka trajtuar aq përkushtueshëm historinë e popullit shqiptar, për shkak se e ka njohur dhe e ka trajtuar aq gjithanshëm krijimtarinë e tij shpirtërore, Kristian Gyt e ka dashur popullin shqiptar.

Dhe, për shkak se e ka dashur aq përkushtueshëm popullin shqiptar ai ka marrë pjesë me punë, me veprimtari shoqërore e kulturore, me studime shkencore kudo është folur për të: në tubime të ndryshme, në sesione, në simpoziume, në konferenca e në kongrese shkencore albanologjike, ballkanologjike, evropiane e botërore.

Për shkak se e ka dashur aq përkushtueshëm popullin shqiptar ai e ka përkthyer Kanunin e Lekë Dukagjinit. Dhe, për të njëjtat arsye, ai ka përkthyer vepra letrare, studime e trajtesa shkencore të autorëve shqiptarë.

Sa shumë të dhënat e reja, sa shumë gjykimet e reja, sa shumë vlerësimet e reja janë të përmbajtura në studimet dhe në përgjithësi në shkrimet e në ligjëratat e tij për historinë shqiptare, për gjuhën shqipe, për zakonet adetet, kanunet, në përgjithësi për krijimtarinë shpirtërore të popullit shqiptar.

Është dukshëm e qartë se Kristian Gyt ka shkruar shumë në sasi e me shumë cilësi për ne, për shqiptarët, por ne jo sa duhet dhe sa e ka merituar kemi shkruar e bërë për të.

Shumësia e lëndëve, e temave, e çështjeve, e problemeve që ka trajtuar ai në studimet e tij shqiptare ka merituar shumë më tepër kujdes, paraqitje e popullarizim prej nesh.

Përkushtimi yni si popull e si shtete ndaj gjithë veprimtarisë së tij, ndaj gjithë krijimtarisë së tij mendore, ndaj gjithë studimeve të tij shqiptare nuk do të ishte vetëm shprehje e nderimit tonë për të, për Veprën e tij të madhe albanologjike, por edhe nevojë mendore e morale e kohës sonë për atë Vepër e për atë intelektual francez, evropian, botëror.

Studiuesit e historisë dhe kulturës shqiptare si Kristian Gyt, miqtë e përkushtuar si Kristian Gyt, albanologët e shquar si Kristian Gyt gjithmonë e kanë nderuar dëshmueshëm dhe gjithmonë e kanë dashur dëshmueshëm popullin shqiptar me dhembjet, me idealet e me të arriturat e tij.

E duan, natyrisht, dukshëm dhe sot.

Nderimi ynë për ta, përkushtimi ynë ndjenjor e mendor ndaj tyre duhet të jetë gjithnjë e më i dukshëm, më mbarëkombëtar.

Për të gjitha arsyet e sipërthëna nderimi ynë, kujtimi ynë për albanologun e madh, për mikun tonë të madh Kristian Gyt do të jetë i përjetshëm. I përjetshëm dhe i dëshmuar me përkushtime konkrete historike, shkencore, shtetërore.

Me familjen e tij, me miqtë, bashkëpunëtorët dhe me të gjithë ata që e kanë dashur e çmuar, unë, si mik dhe adhurues i Veprës së tij, i Etikës së tij intelektuale, ndaj dhembjen dhe pikëllimin./ KultPlus.com

Ta ruajmë si mit a ta ç’mitizojmë Skëndërbeun

Nga Rexhep Qosja

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është figura më e madhe historike në historinë e popullit shqiptar.

Gjatë, Skënderbeu ishte figura më e madhe e historisë shqiptare si organizues dhe si prijës ushtarak i luftërave njëzet e pesëvjeçare kundër pushtimeve të Perandorisë Osmane.

Ajo rëndësi historike Gjergj Kastriotit-Skënderbeut do t’i njihet edhe prej shteteve më të njohura evropiane.

Rëndësia e Skënderbeut në historinë e popullit shqiptar, ndërkaq, nuk është vetëm ushtarake, por është më e gjerë: ajo është rëndësi, njëkohësisht, edhe politike, shtetkrijuese, shtetërore e qytetëruese.
Pikërisht pse ishte e tillë, madhore historike, figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut do të jetë: kur e kur e përvetësuar prej ndonjë shteti tjetër për shkaqe etnike; kur e kur e përvetësuar prej ndonjë bashkësie fetare për shkaqe fetare; kur e kur e keqshpjeguar prej ndonjë publicisti a kronisti të huaj apo madje edhe vendorë për shkaqe politike dhe ideologjike e kur e kur e thjeshtësuar në pikëpamje historike për shkaqe pseudoshkencore!

Por, edhe të gjitha këto trajtime, sado ndërsjellshëm kundërshtimore, deshën s’deshën autorët e tyre, do t’i shërbejnë mitit të Skënderbeut.

Sivjet kemi mësuar shumë për Skënderbeun, por, megjithatë, kjo nuk do të thotë se tani, në 550-vjetorin e vdekjes së tij, dihen të gjitha që do të duhej të dihen për jetën, për fëmijërinë, për pamjen, për veshjen, për luftërat, për strategjinë luftarake, për politikën e tij. Nuk dihet, sa do të duhej të dihej, sidomos për gjendjen shoqërore, ekonomike, shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve në kohën e Skëndërbeut. Rrjedhimisht nuk dihet ende sa do të duhej të dihej se si, përpos përmbajtjeve politike, jetën e Skëndërbeut e përcaktonin përmbajtjet praktike, sociale, fetare, etike, metafizike.
Nuk e dimë, sa do të duhej të dimë për ta kuptuar më tërësisht jetën e tij, se cila ishte fryma e kohës.

Pamja e tij

Si dukej Skënderbeu?

Si dukej Ai kanë shkruar historianët tonë dhe kronistë e historianë të huaj; por, edhe shumë shkrimtarë, piktorë, skulptorë e krijues të tjerë shqiptarë e të huaj.

Sipas të gjitha gjasave, portretin më të saktë, sado të solemnizuar, të Skënderbeut e ka bërë historianë i tij i parë i madh, Marin Barleti. Dëgjoni ç’thotë ai: ”Shtati i tij i lartë dhe i hedhur, krahët që s’ishin parë më të bukura te njeri; qafa e fuqishme dhe e përkulur si e atletëve; gjerësia e supeve e admirueshme; ngjyra e bardhë si e derdhur në të kuq të padukshëm; shikimi i syve as i egër, as i fjetur por shumë i këndshëm. Këto ia rritnin shumë virtytet e tjera dhe dukeshin se ia shtonin mirësinë shpirtërore”.

Kështu të pashëm, duke i shtuar edhe vija të reja hijeshisë së tij, Gjergj Kastriotin do ta shohin edhe historianë evropianë.

Megjithëse e akuzojnë pse kishte braktisur sulltanin, pamjen pamatshëm përshtypjebërëse të Skënderbeut e tregojnë edhe historianë e kronistë osmanë, disa prej tyre e tregojnë, madje, me gjuhë adhuruese.

Veshja e tij

Si vishej Skënderbeu?

Historiani Kristo Frashëri, padyshim historiani më i shquar e më i përkushtuar i tij, thotë se “për veshjen e tij të përditshme mund të thuhet fare pak… ai vishej me dolloma prej stofi skarlati, e cila lidhej me një bres të gjerë, siç e shohim në disa piktura të hershme dhe siç ishte veshja e qarqeve të kamura të shoqërisë italiane. Dollomaja ishte e gjatë deri në kyçet e këmbëve… veshjen që mbante Skënderbeu në fushën e betejës nuk e njohim…”

Prej disa autorëve ballkanikë, mund të mësohet, ndërkaq, se Skënderbeu, në luftë vishte një jelek, të leshtë, të zi, të shtruar përbrenda me zhgun të kuq, që i mbërrinte deri në bel, me mëngë që ia mbulonin krahët gati deri te bërrylat.

Përpos shpatës së madhe, Skënderbeu përdorte edhe një shpatë të shkurtër, me dy teha. Dhe, këto dy shpata e bënin edhe më të dukshme se që ishte veshjen e tij.

Njeri prej këtyre autorëve do të shfaqë edhe një mendim që nuk ka mundë të dëshmohet as për të gjallë të Skënderbeut e as pas vdekjes së tij. Dhe ky mendim imagjinar është: me dy shpatat e tij Skënderbeu kishte vrarë rreth dymijë armiq!

Kushtet në të cilat u rrit, jetoi, sundoi dhe luftoi

Kushtet në të cilat do të rritet, do të jetojë, do të sundojë dhe do të luftojë Skënderbeu ishin të rënda.
Bashkësitë krahinore dhe principatat shqiptare, cila më pak e cila më shumë, kishin prapambetur në krahasim me ato evropiane.

Numri i bashkësive krahinore dhe i principatave në hapësirën gjeografike, që më vonë do të quhej Ballkan, ishte vërtet i madh.

Kufijt mes tyre ishin shumë të paqëndrueshëm: ata mund të zgjeroheshin dhe mund të ngushtoheshin varësisht prej sunduesve dhe varësisht prej zhvillimit të tyre të përgjithshëm.

Dhe, këta kufij të tyre, lehtë, kaloheshin prej kaçakëve dhe plaçkitësve të shumtë.

Megjithëse shoqëri pak e diferencuar, shoqëria shqiptare, megjithatë, ishte shoqëri me një vetëdije shtetërore po thuaj të formuar.

Kjo vetëdije ishte formuar që nga fundi i shekullit XII kur krijohet shteti i 14 bashkësive krahinore i quajtur Arbëria, por edhe nën ndikimin e shteteve të huaja.

Mund të thuhet kështu sepse hapësira Ballkanike, si thonë historianët, kurrë s’kishte qenë pa pushtim të perandorive. Aty ishin përshtrirë Perandoria e Aleksandrit të Madh, Perandoria e Romës, Perandoria e Bizantit dhe Perandoria Osmane.

Krijimi i shtetit

Dëshmia kryesore se Skënderbeu prej Edrenesë, ku mbahej peng, kthehet në vendlindje me vetëdije të vendosur shtetkrijuese është Kuvendi i Lezhës dhe i Besëlidhjes, të krijuar në vitin 1444, që ishin themeli i Arbërisë së tij.

Besëlidhja, na thonë historianët, ishte një lidhje (aleancë) politike dhe ushtarake, që me kohë do të bëhet edhe lidhje administrative, diplomatike dhe shtetërore. Institucioni më i lartë, vendimmarrës, i kësaj Lidhjeje do të bëhet Kuvendi i anëtarëve të Besëlidhjes, kurse Skëndërbeu “i parë ndër të barabartët”!

Historianëve e të tjerëve, shqiptarë a të huaj, që kur e kur kishin thënë fjalë shpërfillëse për Skëndërbeun shtetkrijues mund t’u jipet përgjigja: Arbëria që krijoi ai ishte shtet, shtet në kuptimin e plotë të fjalës shtet. Ky shtet kishte tokën e vet, kishte popullsinë e shtetit, kishte administratën shtetërore, kishte forcën mbrojtëse shtetërore, kishte diplomacinë shtetërore, kishte simbolet shtetërore, kishte kryeqytetin dhe kishte sundimtarin atëherë të quajtur Zot i Arbërisë, që ishte Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Politika e tij e jashtme

Të dhënat jetëshkrimore për të na tregojnë se përpos strateg ushtarak, Gjergj Kastrioti- Skënderbeu ishte edhe shtetar me prirje politike largpamëse.

I vetëdijshëm se luftërat e shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë ishin pjesë e luftërave ç’është e vërteta ende të pakta të disa vendeve evropiane kundër këtyre pushtuesve, ai kujdesej të mbante lidhje me ato vende. Dhe, me Vatikanin. Në sajë të këtyre lidhjeve ai shpresonte të siguronte përkrahje politike e ndihma ushtarake dhe materiale.

Mund të besohet se përmes politikës së jashtme, Skëndërbeut i vinin ndikime politike, shtetore e të tjera prej vendeve evropiane, por mund të besohej se me atë politikë të tij ai edhe ndikonte në to.

Qëndrimet ndaj fesë

Historianët dhe publicistët tanë sivjet kanë folur në mediet elektronike dhe kanë shkruar në gazeta , në revista e në libra për përkatësitë fetare të Skënderbeut shumë më tepër se ndonjë vit tjetër.

Disa prej tyre thonë se ai i kishte provuar tri fe: katolike, ortodokse dhe myslimane.

Disa të tjerë thonë se feja ortodokse ishte feja e besimit të tij.

Historianë e publicistë të tjerë thonë, ndërkaq, se feja e tij, në vitet e fundit të jetës, ishte feja katolike.

Cila është e vërteta për qëndrimin e Skënderbeut ndaj fesë?

Unë nuk mund të them me bindje të krijuar prej të dhënave të bëra botore deri sot se cilës fe ai i takonte shpirtërisht dhe zyrtarisht: asaj katolike apo asaj orotdokse.

Por, unë me bindje të krijuar prej disa veprave që kam lexuar për jetën, për politikën dhe për shtetin që kishte krijuar ai e, sidomos, me bindje të krijuar prej veprimeve të tij si kryekomandues i luftës 25 vjeçare kundërosmane edhe si prijës politik e shtetëror i shqiptarëve të Arbërisë mund të them se Gjergj Kastrioti –Skënderbeu ishte politikan, prijës, kryekomandant dhe shtetar, fetarisht tolerant, kur e kur ndoshta indiferent ndaj fesë.

Si ndodhi që Skënderbeu të bëhet ashtu tolerant, kur e kur ndoshta indiferent, ndaj fesë në një kohë kur Evropa s’dukej fetarisht shumë tolerante?
Një faktor i pamohueshëm që ndikon në qëndrimin e tij tolerant ndaj fesë është animizmi që, edhe në kohën e tij, gëzonte përkushtim të veçantë prej njerëzve, që në pjesën më të madhe ishin fshatarë.Animizmi ishte besim i shumëkohshëm i shqiptarëve.

Siç shkruajnë disa historianë evropianë, Perandoria Osmane, sidomos në shekujt e saj të parë dhe në kohën kur kishte jetuar Skënderbeu, ishte një perandori tolerante ndaj feve. Mund të besohet se kjo tolerancë do të jetë një mësim të cilin Skënderbeu nuk do ta harrojë kur të kthehet në Atdhe.

Skënderbeu në Perandorinë Osmane do ta provojë atë që për konvertimet në këtë Perandori do të thotë historiani anglez Mark Mazover: “Kalimi në fenë e re shpesh ishte vetëm shtim i besimeve të reja mbi të vjetrat e jo akt i mohimit të të vjetrave dhe kalim i tërësishëm në të rejat”.

Në jetën e në mendësinë e Skënderbeut, mund të hamendjesohet se do të ndikojë edhe një ngjarje e madhe: pushtimi i Konstantinopojës prej sulltan Mehmetit II. Historiani anglez që posacituam, Mark Mazover, do të shkruajë:”Rënien e Konstantinopojës më 1453 të krishtërët e shpjegonin si dëshmi të shpërfytyrimit të krishtërimit, si mosukses përfundimtar të Bizantit si sistem imperial dhe si dënim prej Perëndisë për mëkatat njerëzore”.

E ky mësim që ua kishte sjellë evropianëve rënia e Konstantinopojës, s’kishte sesi të mos ndikonte edhe në Skënderbeu dhe ta pajiste jo me bindjen se krishtërimi vërtet na ishte shpërfytyruar, por me bindjen se do të jetë më mirë për shqiptarët, për shtetin e tij dhe për të që të jetë jo katolik a ortodoks tepër i përkushtuar, por Gjergj Kastriot –Skënderbe tolerant deri në indiferencë ndaj feve.

Ta ruajmë si mit a ta çmitizojmë Skëndërbeun?

Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është figurë historike, të cilën gojëdhëna, historiografia, letërsia e artet e tjera e kanë bërë figurë mitike.

Për këtë arsye disa historianë, publicistë dhe krijues të tjerë janë shprehur sivjet: Skënderbeun duhet ta trajtojmë realisht e ta çmitizojmë.

E them menjëherë: jam kundër këtij qëndrimi ndaj figurës historike të Skënderbeut.

Dhe, jam kundër, përpos të tjerash, edhe sepse Skëndërbeun s’e kanë bërë mit trajtimet ndjenjore, zmadhuese, që nuk kanë munguar, po në radhë të parë trajtimet objektive, realiste, me të vërteta për karakterin e tij, për natyrën e tij, për politikën e tij, për luftërat e udhëhequra prej tij dhe për Rolin e tij madhor në historinë e popullit shqiptar.

Nuk thuhet kot se nuk ka popull dhe nuk ka shoqëri pa mite.

Dhe, nuk thuhet kot se qenia e popujve, e identiteteve dhe e qytetërimeve të tyre gjithmonë e gjithkund është ndërtuar mbi mite.

Jo vetëm se ruhen mitet e mëparshme, por krijohen edhe mite të reja.

Identitetet kolektive kanë traditë të pasur e të gjatë, shpesh të ndërtuar në mite.

Historia na mëson se në qoftë se përmbysen mitet e derisotme, shoqëria do të krijojë mite të tjera. E ato mitet e tjera mund të jenë të gjithfarshme. Po të përmbysej miti i madhërishëm i Skëndërbeut në historinë mbi pesëshekullore shqiptare traditat tona historike e kulturore do të varfëroheshin pamasë!

Skënderbeu dhe Rilindja Kombëtare

Prej shtjellimit të sipërthënë mund të shihet, besoj, se miti i Skenderbeut kishte filluar të ndërtohej për të gjallë të tij.

Por, rolin më të madh në ndërtimin e këtij miti, pothuajse përcaktues për shpjegimet e pastajme, e ka luajtur Rilindja Kombëtare Shqipëtare.

Pse pikërisht Rilindja Kombëtare?

Epoka e Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe Epoka e Rilindjes Kombëtare janë dy epoka të mëdha, më të mëdhatë, në historinë shqiptare.

Epoka e Skënderbeut është epokë e madhe e veprimit për liri: të mbrojtjes së lirisë dhe të sendërtimit të saj politik e shtetëror.

Epoka e Rilindjes Kombëtare është epokë e madhe e mendimit për krijimin e kulturës kombëtare dhe politikës si segment i saj.

Siç dihet, epokat e mëdha historike, gjatë ndërtimit dhe sendërtimit të tyre, e thërrasin njëra tjetrën – epokat e pastajme, natyrisht, i thërrasin epokat e përparme.
Epoka e RIlindjes sonë Kombëtare e thërret, e kërkon, e bën nxitje, frymëzim të vetes Epokën e Skënderbeut.
E kuptueshme: sistemet e tyre qëllimore e vlerore në shumë pika janë të përputhshme.

Epoka e Skënderbeut është epokë me shumë veprime dhe me shumë etikë.

Epoka e Rilindjes Kombëtare është epokë me shumë ide dhe po ashtu me shumë etikë.

Në të janë përmbledhur shumë risi mendore e vlerësuese. Njëra prej tyre është, fjala vjen, vetëdija se krim nuk është vetëm vrasja e njeriut, por krim është edhe vrasja e lirisë, e të drejtës dhe e të vërtetës: kur vriten liria e drejta dhe e vërteta vritet lehtë jo vetëm trupërisht por edhe shpirtërisht njeriu; kur vriten liria, e drejta dhe e vërteta vritet lehtë sistemi i vlerave me vlerat e tij.

Epoka e Rilindjes Kombëtare këtë vetëdije e gjen të krijuar e të zbatuar në Epokën e Skënderbeut, siç e kishte gjetur edhe në Epokën e kulturës antike greke dhe në Epokën e Iluminizmit evropian, para së gjithash francez.

Në Epokën e Rilindjes Kombëtare njëkohësisht shquan vetëdija e krijuesve të saj se vepruesve politikë, shtetërorë, shoqërorë dhe krijuesve të ideve e të veprave të rëndësishme diturore, letrare, artistike në përgjithësi mund t’u bëhen përmendore në qoftë se personifikojnë ngjarje, bëma, procese, ide, vepra krijuese që duhet të kujtohen përgjithmonë e të ruhen në Mendimoren Kombëtare. Dhe, ato përmendore bëhen për të ndriçuar në të sotmen e në të ardhmen me mësime atdhetare, mendore e etike e për të frymëzuar brezat e ardhshëm.

Përfundimi

Gjergj Kastrioti – Skëndërbeu është figura më e madhe në historinë e popullit shqiptar për një varg arsyesh historike mbi të cilat është ndërtuar dhe qëndron pacenueshëm miti i tij. Dhe, këto arsyje janë:
1. Emri i tij qëndron gjerësisht e thellësisht në themelet e vetëdijes sonë kombëtare,
2. Ai e ndërtoi idealin e luftës për liri dhe pavarësi të popullit të cilit i takonte – të popullit shqiptar.
3. Ai e organizoi dhe e kryekomandoi luftën njëzetepesë vjeçare kundër Perandorisë Osmane, që po përshtrihej në gjithë Ballkanin dhe po rrezikonte Atdheun e tij,
4. Ai prej bashkësive krahinore dhe principatave krijoi shtetin e tyre të bashkuar shqiptar, të quajtur Arbëria,
5. Ai, i pari, i bashkoi në një shtet shqiptarët e përkatësive të ndryshme fetare,
6. Ai e shprehu me jetën e tij dhe e predikoi me politikën e tij tolerancën fetare që, kur e kur, sendërtohej si menjanëri (indiferencë) fetare, dhe e bëri historike idenë e njësisë së shqiptarëve,
7. Ai ndërtoi politikën e jashtme të shtetit që krijoi, që mbështetej në bashkëpunimin me mbretëritë dhe principatat evropiane dhe në përkrahjen e tyre,
8. Ai me Arbërinë e tij arriti të merrej me çështje botërore dhe të bëhet faktor me rëndësi të madhe evropiane në kohën në të cilën jetoi,
9. Ai idesë së shtetit dhe rëndësisë së tij për ata që e përbëjnë ia flijoi jetën e vet e fatin e pasardhësve të vet në kohën kur sundimtarë të tjerë ballkanikë kishin pranuar të bëhen vasalë të Sulltanit dhe ashtu Etikën politike e bëri thelb kuptimor të Shtetit.

Për këto arsye krijuesit e mëdhenjë të Rilindjes Kombëtare Shqiptare do t’i shquajnë, duke i lartëvlerësuar, vlerat e tij mendore, morale, politike, shtetërore dhe përbashkuese në historinë shqiptare në përgjithësi. Mendësinë e tij, Veprën e tij heroike, Rolin e tij përbashkues në përpjekjet e tyre për krijimin e Shqipërisë dhe për krijimin e shqiptarit ata, rilindësit, do t’i bëjnë Shembullin madhështor, Mitik, për ndërtimin shpirtëror dhe atdhetar të shqiptarëve.

Ta privojmë historinë tonë prej këtij miti? Jo.

Ta privojmë Kombin shqiptar prej këtij miti? Jo.

Jo, jo, sepse ashtu do të pajtoheshim me përpjekjen për ndryshimin e vetëdijes dhe të kujtesës kolektive të popullit shqiptar.

Jo, jo, sepse ashtu do të varfëronim identitetin tonë kolektiv, sepse ashtu do të dobësonin fuqinë e përbashkësisë në historinë tonë, sepse ashtu do të privoheshim prej një Madhërie historike që e kishte filluar Epokën e Madhe të Humanizmit dhe Renesansës në Historinë tonë.

Miti i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut është Mit fuqidhënës edhe në jetën, edhe në politikën, edhe në kulturën e qytetërimin, edhe në etikën e popullit shqiptar sot.

Sot dhe gjithmonë.

Gashi: Qosja qe 10 vjet nuk ka shkuar në mbledhjet e Akademisë, por merr pagë

Shkëlzen Gashi në Rubikon të KTV-së ku bashkë me Kushtrim Koliqin lansuan raportin “Kriza në Akademi” – Vlerësim i shoqërisë civile për akademinë e shkencave dhe të arteve, foli edhe për akademikun Rexhep Qosja.

Ai përmendi rregulloren, sipas se cilës, nëse nuk marrin pjesë në mbledhjet e Akademisë deri në gjashtë muaj, atëherë anëtari duhet të përjashtohet mirëpo diçka e tillë nuk ka ndodhur me Rexhep Qosjen, i cili, sipas tij, ndonëse vazhdimisht e kritikon këtë institucion, ai ka kohë që nuk ka qenë në këto mbledhje.

“Sipas rregullores së Akademisë, nëse një anëtar nuk shkon në mbledhjet e saj për gjashtë muaj atëherë ai përjashtohet e profesor Qosja po besoj që ka një dekadë që nuk ka shkuar dhe po ashtu përjashtohet nëse dikush e denigron akademinë”, ka thënë ai.

Ndërsa, i pyetur nëse Qosja vazhdon të merr pagë nga Akademia, Gashi ka thënë se beson që po mirëpo më mirë që të pyetet edhe vetë ai.

“Me paratë e Akademisë botohen memoaret e kryeakademikut Daci”

Shkëlzen Gashi ka pohuar të ketë dëgjuar që Nexhat Daci, kryetar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me paratë e institucionit që drejton, ka publikuar memoaret e veta.

“Duke ardhur këtu [në Rubikon] dëgjova që kryetari me para të akademisë ka financuar publikimin e memoareve të tij personale. Është botim luksoz dhe u kushton taksapaguesve të Kosovës”, ka thënë Gashi.

“Memoaret nuk janë kategori e veprave shkencore”, ka shtuar ai.

Gashi: Akademia është politizuar nga LDK-ja

Një ndër qëllimet kryesore të AshAK-ut është realizimi i projekteve shkencore me interes në zhvillimin e vendit. Mirëpo sipas Shkëlzen Gashit, deri tash as edhe një projekt shkencor në kuadër të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve, nuk është realizuar.

“As edhe një projekt shkencor me interes për vendin nuk është bërë. Ata janë shumë të mbyllur, po iu bëjmë thirrje publike t’i publikojnë, ata është mirë m’i publiku buxhetet, raportet e auditimit, qëllimet e tyre, projektet shkencore, sa janë realizu dhe çka ka ndodh me to”, ka thënë Gashi.

“Nuk ka. Janë të mbyllur edhe ndaj gazetarëve e anëtarëve të shoqërisë civile. Natyrisht që kur kanë me promovu diçka, do të vijnë. Mirëpo kur i thirr t’i sfidosh, lere që nuk do të vijnë, po nuk kanë me kthyer fare përgjigje”.

Sipas Gashit, pika që është zbatuar në listën e qëllimeve të kësaj akademie, është ajo e 11-a me renditje.

“Asnjë akademi nuk ka objekt dhe kushte më të mira. Nuk është problemi të objekti po edhe te honorarët dhe mëditjet që i marrin. Nuk duhet me harru që Kosova është vendi më i varfër në Evropë”, ka thënë ai.

“Objekti është shumë i bukur po duket se po hyn në një objekt të fantazmave sepse nuk është askush. Ai objekt është bërë për me punu po aty gjen veç disa punëtorë të administratës, nuk është askush”, ka thënë Kushtrim Koliqi nga organizata “Integra”.

Autori i këtij raporti, Shkëlzen Gashi ka thënë se politizimi i Akademisë filloi nga vitet ’90 dhe kjo nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

“Nga 22 anëtarë të rregullt të AShAK-ut, pak më shumë se gjysma, 12 prej tyre, kanë qenë të angazhuar nëpër parti politike. 8 tetë në LDK dhe prej tyre më vonë dy në Lidhjen Demokratike të Dardanisë, dy në PFK, një në LBD dhe një në ORA”.

“Kurse nga 16 anëtarë korrespodentë, gati gjysma, shtatë prej tyre, kanë qenë të angazhuar nëpër parti politike, katër në LDK, dy në PDK dhe një në PSD”.

“Prej viteve të 90-ta është politizuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës”, ka thënë tutje Gashi.

Në Rubikon të KTV-së, Shkëlzen Gashi dhe Kushtrim Koliqi lansuan raportin “Kriza në Akademi” – Vlerësim i shoqërisë civile për Akademinë e Shkencave dhe Artëve të Kosovës, me përkrahjen e projektit Promovimi i Shoqërisë Demokratike– i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Danimarkës dhe i menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile.

Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe e organizatës Integra.

Autori Shkëlzen Gashi bëri të ditur se për realizimin e këtij raporti përveç metodave tjera provuan të intervistonin edhe anëtarët e akademisë mirëpo nuk morën përgjigje pozitive.

“Diku 10 prej tyre, udhëheqës të seksioneve, kryetarët, ish udhëheqësit, të gjitha janë përgjigje negative. I vetmi prej anëtarëve që ka kthyer përgjigje pozitive është Fetah Podvorica. Jo rastësisht është përgjigj pasi studimet master dhe PHD nuk i ka në universitetet shqipfolëse por në Paris. Prej që ai është udhëheqës i seksionit të shkencave natyrore dhe redaktor i revistës ‘Kërkimet’, numri i fundit i saj ka dalë në anglisht”, ka thënë Gashi.

“Anëtarët si ata të rregullt dhe korrespodent të Akademisë së arteve i kanë të publikuara biografitë e tyre goxha të detajuara mirëpo nuk i kanë në ndonjë format të CV-së”, ka thënë ai./KultPlus.com