Mandati i tij – mandat i gjithëkohshëm

Shkruan: Rexhep Qosja

Adem Demaçi, Baca Adem u nda nga jeta. Ndarja e tij nga jeta pikëlloi gjithë shqiptarët kudoqofshin ata.
Adem Demaçi ishte dhe mbetet Baca Adem, i gjithëkohshëm në historinë e popullit shqiptar: i gjithëkohshëm me Emrin e tij, me Veprën e tij, me Lavdinë e tij.

Në jetën dhe në historinë e popullit shqiptar ai ishte i veçantë me çdogjë e me të gjitha.

Ai e jetonte Idealin e tij; ai e jetonte Fjalën e tij; ai e jetonte gjithë Veprën e tij.

Ideali i tij, Fjala e tij ishte, është dhe do të jetë përgjithmonë njëkohësisht Ideal i Kombit shqiptar, Fjalë për Kombin shqiptar.

Herët, në rini ai u bë Mësuesi historik, politik, kulturor, kombëtar e moral i rinisë shqiptare në Kosovë.

Ai u bë Mësuesi i qëndrimit të drejtë, të papërkulshëm, të dinjitetshëm, që nuk e përkulnin levërditë, premtimet, kercënimet, burgjet.

Ai u bë parathënësi i lirisë dhe i pavarësisë së Kosovës.

Ai u bë parathënësi i bashkimit kombëtar shqiptar.

Idealin e madh të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës ai e jetoi me 28 vjet burgje dhe me shumë përndjekje e krajata para dhe pas burgjeve.

Dhe këto 28 vjet burgje dhe këto përndjekje e krajata u bënë dëshmi sipërore që të gjithëve – bashkëkombësve dhe të huajve u deshmonin se Adem Demaçi po ia dhuronte rininë, pjekurinë, dhuntinë krijuese kësaj lirie dhe pavarësie të Kosovës.

Me këtë sakrificë madhështore historike ai e dëshmoi burrërinë, vendosmërinë, parimësinë politike e morale edhe kur doli prej burgjeve.

Sot kur Baca Adem u nda prej nesh vetëm me trupin e tij e do rendi të vetëpyetemi: cka bëmë ne për te.

Sot kur u nda vetëm me trup prej nesh e do rendi te vetëpyetemi se çka bënë për të ata që e sundojnë politikisht e shtetërisht Kosovën sot.

Përgjigjet janë dëshpëruese!

Ata që edhe në ditët e luftës çlirimtare e vallëzonin vallen e paqes turpëruese nën dhunën dhe terrorin e regjimit serb i dhuruan Baces Adem mohime, denoncime, përjashtime, fyerje!

Ata të tjerët që pas luftës e bënë dhe po e bëjnë demokracinë e Kosovës – demokraci rurale e private e privuan Bacën Adem prej çdo mundësie që të bëhej çka para të gjithëve i takonte të bëhej: që të bëhej i pari i Madh i Kosovës.

Nuk i lejuan të bëhej kryetar i Kosovës; nuk i lejuan të bëhej as kryetar i Kuvendit të Kosovës; nuk i lejuan të bëhej as kryeministër i Kosovës; nuk i lejuan të behëj as minister i Kosovës! Prej ish të burgosurve politikë u propozua që të bëhej deputet i Kosovës, por nuk e lejuan kandidimin e tij as për deputet të Kuvendit të Kosovës ata që edhe për kandidime vendosnin!

Popuj të tjerë, me tradita politike, shtetërore e morale, i zgjedhin senatorë apo deputetë të përjetshëm figurat politike me merita të veçanta në historinë politike, kulturore e qytetëruese të tyre.

Politikanët dhe shtetarët e Republikes Jugafrikane e bënë Nelson Mandelen figure politike e morale botërore, sepse ashtu e meritonte Mandela dhe sepse ashtu e donin interesat politike e shtetërore të asaj Republike.

Por pushtetaret e sotëm të Kosovës nuk i lejuan Adem Demaçit të bëhet as deputet katërvjecar i Kuvendit të Kosovës!

Pse? Pse e cenuan kështu Adem Demaçin dhe pse e cenuan kështu Republikën e Kosovës.

Ata që nuk ia lejuan Adem Demaçit as tre minuta fjalë në Parlamentin e Kosoves, ata që e privuan prej të drejtës së tij sipërore që të bëhej çka i takonte të bëhej në Kosovë, u frikësuan prej tij: prej etikës së tij politike e shtetërore, prej burrërisë së tij, prej nderit të tij, prej vendosmërisë së tij, prej parimësisë së tij, prej humanizmit të tij, dhe u frikësuan sepse ai, Baca Adem, nuk do t’i lejonte të bëjnë çka bënë e çka po bëjnë: ai nuk do t’i lejonte të zhvasin Kosovën, ai nuk do t’i lejonte te plackisin pasurite e përbashkëta të Kosovës, ai nuk do t’i lejonte të bëhen milionerë duke përdorur e shpërdorur siç po i shpërdorin postet politike e shtetërore të Kosovës shtetërisht të privatizuar prej tyre.

Dhe, ai nuk do t’i lejonte t’i sjellin Kosovës aq tragjikomedi politike, ekonomike, diplomatike, kombëtare e ndërkombetare qe po ia sjellin asaj sot!

Por, o cfare ironie!

Ata që nuk e lejuan të bëhet as kryetar i Kosovës, as kryetar i Parlamentit të Kosovës, as kryeministër i Kosoves, as minister i Kosovës, madje as deputet i Kosovës, ata dje mbajtën akademi për të në sallën gati përgjysmë të zbrazët të Parlamentit të Kosovës dhe ata mbajtën fjalime në atë akademi për të.

Ata shpallen tri ditë zie për të.

Sot ata mbajtën edhe një akademi për të që e quajtën ceremoni dhe e mbajtën në sheshin para Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku u rrjeshtuan njëri pas tjetrit në radhë të parë për ta përdorur lavdinë e Bacës Adem për interesat e
tyre pushtetore.

Prehu i qetë në dheun e Kosovës, Bacë i dashur.

I privilegjove për të të nderuar kështu të ndarë nga jeta ata që këtë privilegj në asnjë mënyrë dhe me asgjë nuk e merituan!

Vepra jote mendore e morale, veprimtaria jote politike kombëtare, lavdia jote historike, burrëria jote, ecja jote gjithmonë e dinjitetshme do të edukojnë gjithmonë rininë tonë dhe do ta lëvizin përparueshëm historinë shqiptare.
Ti ishe më shumë se kryetar i Kosovës, ti ishe më shumë se kryetar i Parlamentit të Kosovës, ti ishe më shumë se kryeministër i Kosovës, ti ishe më shumë se ministër i Kosovës, ti ishe më shumë se deputet i Kosovës.

E si të mos ishe! Ti na dhurove si trashëgim mospajtimin me pushtimin, me çdo lloj pushtimi, me çdo lloj pushtimi e nënshtrimi në të cilin ishte dikur Kosova, por ti na dhurove si trashëgim edhe mospajtimin me të gjitha të këqijat që cenojnë interesat e përgjithshme shoqërore: mospajtimin me korrupsionin, mospajtimin me nepotizmin, mospajtimin me zhvatjen e pasurive të përbashkëta të Kosovës, mospajtimin me genjeshtrat, mashtrimet dhe arrivizmet që e kanë mbuluar sot Kosovën.
Ti ishe dhe mbetesh ndjenja, ndërgjegja dhe mendja historike në çastet më të vështira te popullit shqiptar.

Mandati yt është mandat i përjetshëm në historinë e gjithë popullit shqiptar.

Qosja: Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte fetarisht tolerant

Sot në Institutin Albanologjik në Prishtinë filloi hapja e edicionit të nëntë të “Javës së Albanologjisë”, shkruan KultPlus. Kjo Konferencë Shkencore, sivjet i kushtohet 550-vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Dhjetëra studiues, shkrimtarë e figura të njohura kishin zënë vend në sallën e Institutit të Albanologjisë.

Gili Hoxhaj

Drejtori i Institutit të Albanologjisë, Hysen Matoshi në fjalën e tij theksoi simpoziumin shkencor që u mbajt para 50 vitesh në Prishtinë në 500 vjetorin e vdekjes së heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

“Sot në një kontekst të ri gjeopolitik në 10 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës ku ende përballemi me identitetin e kontekstuar të Kosovës si shtet që pret anëtarësimin në organizëm të ndryshëm ndërkombëtar, dua të them se Konferenca për Skënderbeun nuk e përmban atë klimë të entuziazmit të 68-es, duke lenë më shumë mundësi për qasje akademike, shkencore, për diskutime dhe argumentime të mbështetura në një bazë më të gjerë e më të verifikueshme studimore”, u shpreh Matoshi.
Ai tutje u shpreh se tradita shkrimore e nxjerrë Gjergj Kastrioti Skënderbeun si personalitetin më të trajtuar të historisë shqiptare.

“Ndonëse jemi të vetëdijshëm që përmasa e tij historike është rimodeluar me elemente që ndonjëherë shkojnë përtej prezantimit objektiv, Skënderbeu është burim frymëzimi që në kontekste të ndryshme historike që nga Rilindja Kombëtare e këtej ka luajtur rol të rëndësishëm për ndërgjegjësimin tonë kombëtar”, u shpreh tutje Matoshi.

Në emër të kryeministrit, Ramush Haradinaj, fjalën e mori Jahja Lluka, kryetari i Komisionit Qeveritar për shënimin e vitit të Gjergj Kastriotit. Lluka tha se janë shumë të interesuar t’ua japin fjalën shkencës që ta thotë fjalën për kryeheroin kombëtar.

“Ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë më institutet Kosovë- Shqipëri, të cilat i falënderoj për të gjitha konferencat që janë mbajtur dhe për atë që do të mbahet më 16 tetor në Prishtinë, me pjesëmarrje të shumë shkencëtarëve nga të gjitha meridianët e botës. Më pas do ta vazhdojmë në Prizren me vurjen e kompozicionit të skulpturave të tre liderëve të lidhjes, të cilat me vendim të UNMIKU-t janë hekur për një kohë. Lidhja Shqiptare e Prizrenit e ka vendin e vet dhe duhet t’ua kujtojmë gjithë njerëzve që Lidhja është para gjithë neve”, tha Lluka në fjalën e tij.

Më pas fjalën e mori rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës, Marenglen Verli i cili pasi përshëndeti të pranishmit, u shpreh se kjo ceremoni shënon një rast të rrallë e solemn që në emër të Akademisë së Studimeve Albanologjike të Tiranës, të thotë disa fjalë për këtë konferencë dedikuar heroit kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeun. Ai gjatë fjalimit të tij tha se Gjergj Kastrioti Skënderbeu, kampioni i madh e emblema e luftës ka shumë ngjashmëri me emblemën e paqes dhe mirësisë, Nënë Terezën.

“Pas qindra vitesh të bëmat e princit të Arbërit, ende përcjellin mesazhe me vlerë dhe joshin artistë, studiues e historian nga të gjitha fushat tjera nga e gjithë bota, që frymëzohen dhe duan të njohin për së afërmi epokën skënderbiane. Kudo që jetojnë shqiptarët, ky ka qenë vit i Gjergj Kastriot- Skënderbeut. Për të përkujtuar këtë veprimtari, ne jemi sot këtu por janë edhe veprimtari të tjera jo vetëm në botën shqiptare, ai përkujtohet edhe në vende të tjera gjatë këtij viti të Skënderbeut”, tha në fjalën e tij Verli.

Kurse akademiku Rexhep Qosja lexoi kumtesën e tij me titull “Gjegj Kastrioti- Skënderbeu dhe shqiptarët sot”, duke theksuar se edhe pse ky vit ka nxjerrë shumë njohuri për Gjergj Kastriotin Skënderbeun, prapë nuk dihen të gjitha që do duhej të diheshin, për jetën, fëmijërinë, pamjen, veshjen, armët, strategjinë ushtarake e politikën e tij.

“Skënderbeu është figura më e madhe e historisë shqiptare si organizues dhe si prirës ushtarak e luftëtar, kundër pushtimeve të Perandorisë Osmane. Ajo rëndësi historike Skënderbeut do ti njihet edhe nga vendet më të njohura të Evropës. Rëndësia e tij në botën shqiptare nuk është vetëm ushtarake por është shumë e gjerë, është rendësi edhe politike dhe shtetndërtuese, pikërisht qe ishte e tillë, madhore dhe historike, figura e tij kurrë nuk do të jetë e përvetësuar nga një shtet tjetër për shkaqe etnike të atij shekulli, apo prej ndonjë bashkësie fetare apo shteti për shkaqe fetare apo shkaqe ideologjike e politike apo për shkaqe pseudoshkencore”, u shpreh në fjalën e tij Qosja.

Qosja tha se dihet sa do duhej të dihej as për gjendjen shoqërore, ekonomike, shpirtërorë të shqiptarëve të asaj kohe. Ai më tutje tha edhe pse për pamjen e Skënderbeut kanë shkruar shumë historianë, shkrimtarë, e piktorë, portretin më të saktë e ka sjellë Marin Barleti në veprën e tij.
Qosja: Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte fetarisht tolerant

Qosja në kumtesën e tij lexoi edhe një pjesë lidhur me qëndrimin e Skënderbeut ndaj fesë. Ai tha se të dhënat e tij e nxjerrin si një shtetas tolerant fetarisht, madje në një kohë ku Evropa nuk ishte shumë tolerant fetarisht.

“Historianët dhe publicistët tanë kanë shkruar shumë për përkatësinë fetare të Skënderbeut, disa prej tyre thonë se ai i kishte provuar tri fe, katolike, ortodokse dhe myslimane. Disa të tjerë thonë se feja ortodokse ishte feja e besimit të tij, disa thonë se feja e tij ishte feja katolike e cila është e vërteta për qëndrimin e tij ndaj fesë, unë nuk mund ta them me bindje të krijuar prej të dhënave botërore se cilës fe ai i takonte shpirtërisht dhe zyrtarisht por unë me bindje të krijuar nga disa vepra që i kam lexuar për jetën, politikën dhe shtetin që kishte krijuar ai dhe sidomos me bindje të krijuar prej sjelljeve të tij si kryekomandues i luftës 25 vjeçare kundër osmane, si prirës politik e shtetëror i shqiptarëve të Arbërisë, mund të them se Gjergj Kastrioti Skënderbeu ishte politikan, krijues, kryekomandant dhe shtetar fetarisht tolerant”, tha Qosja në fjalën e tij.

Qosja më tutje u shpreh mbi çmitizimin e figurës së Gjergj Kastriotit- Skënderbeut, duke thënë se ai nuk është shndërruar në mit nga trajtimet zmadhuese që nuk kanë munguar por nga trajtimet realiste e objektive mbi karakterin e tij.

“Skënderbeu është figurë historike të cilën gojëdhënat, historiografia, letërsia dhe artet e kanë bërë figurë mitike, për këtë arsye disa historianë, studiues e shkrimtarë janë shprehur këtë vit se Skënderbeun duhet ta trajtojmë realisht dhe ta çmitizojmë. Jam kundër këtij qëndrimi ndaj figurës së Skënderbeut dhe jam kundër edhe sepse Skënderbeun nuk e kanë bërë mit trajtimet zmadhuese që nuk kanë munguar por në radhë të parë trajtimet realiste, objektive me të vërtetat për karakterin e tij, për natyrën e tij, politikën e tij dhe luftërat e udhëhequra prej tij dhe për luftëtaret madhore të udhëhequra prej tij. Nuk thuhet kot se nuk ka shoqëri pa mite dhe nuk thuhet se çështja e identiteteve është e ndërtuara edhe me mite dhe jo vetëm se ruhen por edhe ndërtohen mite të reja”, u shpreh Qosja në fjalën e tij.

Ai tha se miti i Skënderbeut ka filluar të ndërtohet në të gjallë të tij por përcaktues në zhvillimet e mëtejme e ka luajtur Rilindja Kombëtare Shqiptare, pasi që këto janë dy epokat më të mëdha në historinë shqiptare. Skënderbeu ka arritur të bëhet një faktor me rendësi të madhe evropiane në kohën në të cilën jetoj, për shumë arsye krijuesit e mëdhenj të Rilindjes Kombëtare do të bëhen shembulli madhështor mitik për ndërtimin shpirtëror dhe atdhetar shqiptar, andaj historia shqiptare nuk duhet të privohet nga miti i Skënderbeut.

“Ta privojmë historinë tonë prej këtij miti, ta privojmë kombin tonë prej këtij miti, jo…jo dhe jo sepse ashtu do të pajtoheshim me përpjekjen për ndryshim e vetëdijes dhe kujtesës kolektive të popullit shqiptar, sepse ashtu do të varfëronim identitin tonë kolektiv sepse ashtu do të dobësonim fuqinë e përbashkësisë së historisë tonë, sepse do të privoheshim prej një madhërie historike që ka filluar epokën e madhe të humanizmit e renesancës historike.

Miti i Gjergj Kastriotit të Skënderbeut është mit fuqidhënës edhe në politikën edhe kulturën, qytetërimin edhe në etiken e popullit shqiptar dhe përpjekjet për bashkimin kombëtar dhe bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, sot dhe gjithmonë ”, u shpreh në fund Qosja.


Poashtu në hollin e Institutit u hap ekspozita për Gjergj Kastriotin Skënderbeun ndërsa u shpalosen gravura nga autorë e botime të ndryshme. Ndërsa poshtë xhamit ishin vendosur përplot botime, fragmente botimesh e poezi për Gjergj Kastriot- Skënderbeun. Kjo ekspozitë ishte hapur më parë në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani”, ndërsa sot erdhi si bashkëpunim mes këtyre dy institucioneve. Në sesionin e dytë të Konferencës, fjalën e mori, Alfred Moisiu.

Më pas fjalën e mori, ish-presidenti, Alfred Moisiu i cili tha se ia vlen të flitet për figurën e Skënderbeut andaj duhet të nxirren në dritë veçmas për brezin e ri, pasi që nëse nuk dihet se nga vijnë duhet të dimë se nga po shkojmë. “Gjergj Kastrioti ka qenë heroi ynë kombëtar dha emër kombi të arbrit. Ne jemi krenar që po e përkujtojmë figurën e tij madhështore. Për të janë shkruar disa libra të cilët flasin për forcën e tij udhëheqësi si drejtues e ushtarak dhe për kontributin e tij si mbrojtës i civilizimit evropian. Mendoj se studimi i artit luftarak e taktikës së Skënderbeut në atë kohë, është i nevojshëm, do me thënë se ka shumë fenomene interesante dhe konkluzione që vlejnë të njihen më mirë edhe nga studiuesit e sotëm ushtarak”, u shpreh Moisiu. “Java e Albanologjisë” do të zgjat deri më 21 qershor në Institutin Albanologjik të Kosovës./ KultPlus.com


Tre shkrimtarë të njohur shqiptarë në një fotografi të rrallë (FOTO)

Dritëro Agolli, Rexhep Qosja dhe Alfred Uçi janë tre emra të njohur që kanë kontribuar në letërsinë dhe gjuhën shqipe, shkruan KultPlus.

KultPlus sot ju përcjellë një fotografi ku shihen së bashku Dritëro Agolli, Rexhep Qosja dhe Alfred Uçi. Fotografia është shkrepur në vitin 1972 në Tiranë, ndërsa është publikuar ditë më parë nga Micky Haxhiislami./ KultPlus.com

Pas Jakup Krasniqit, edhe Rexhep Qosja refuzon dekoratën e Thaçit

Shkrimi i plotë i Qosjes:

PSE NUK E PRANOJ DEKORATËN E KËTIJ REGJIMI
Prej medieve mësova se qenkam i dekoruar me Medaljen Presidenciale në 10-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës: i dekoruar për pjesëmarrje në Konferencën e Rambujesë e të Parisit për Kosovën në vitin 1999.
Është kjo Dekoratë e çmuar sepse është dekoratë për dhjetëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës.
Ajo u sjell nderim dhe mburrje atyre që u jepet.
Do të doja, prandaj, që prej ndërgjegjes sime të mos isha i detyruar ta refuzoja këtë çmim!
Pse e refuzoj?
E refuzoj sepse është çmimi i dhënë prej një regjimi, i cili me politikën e brendshme dhe me politikën e jashtme i ka sjellë dhe po i sjell shumë dëme dhe komprometime shtetit të Kosovës sot.
Kam shkruar qindra e qindra faqe të botuara në librat e mi dhe kam dhënë shumë e shumë biseda e deklarata disa prej të cilave janë botuar dhe emetuar në një varg mediesh të shtypura dhe elektronike në Evropë e në SHBA, në të cilat kam shquar domosdonë dhe rëndësinë kombëtare, historike dhe etike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të luftës së saj çlirimtare.
E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre të huajve që e quanin terroriste!
E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre tanëve që e quanin kur grup terrorist, kur grup individësh të frustruar, kur dorë të zgjatur të Serbisë.
E kam mbrojtur UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare dhe prej atyre që edhe në ditët kur masakroheshin familje shqiptare e digjeshin shtëpitë e tyre organizonin zgjedhje që i quanin “të lira dhe demokratike”, duke e bërë ashtu të ligjshëm regjimin e dhunës e të terrorit të Millosheviqit në Kosovë!
E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre tanëve që në asnjë mënyrë dhe nën kurrfarë kushtesh nuk dëshironin që në delegacionin shqiptar për bisedime me përfaqësues të pushtuesit apo me përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare të merrnin pjesë edhe përfaqësues të UÇK-së!
E kam mbrojtur UÇK-në prej atyre tanëve që nën kurrfarë kushtesh nuk ishin të gatshëm të pranonin qeverinë e përkohshme për të cilën tri organizimet tona ishim marrë vesh në Rambuje!
E kam mbrojtur UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare prej atyre që me kryetarin e Serbisë do të nënshkruajnë Marrëveshje për krijimin e Qeverisë kuislinge në prill të vitit 1999!
Dhe, duke mbrojtur UÇK-në dhe luftën e saj çlirimtare prej kundërshtarëve dhe prej armiqve të jashtëm e të brendshëm unë natyrshëm kam mbrojtur edhe të parët e sotëm të Kryesisë, të Kuvendit e të Qeverisë së Kosovës, që me bashkëpunëtorët e tyre e sundojnë Kosovën edhe kur janë, por edhe kur s’janë në krye të institucioneve të saj!
Them kështu sepse sundimi i tyre shtrihet në mënyra të ndryshme, të dukshme e të padukshme, me mjete të lejueshme e të palejueshme!
Por, ja, pas luftës, ata nuk janë ata që ishin dhe nuk janë as me dëshirat e as me idealet e tyre.
Gatishmërinë e sakrificës e kanë zëvendësuar me përkushtimin ndaj përfitimeve!
Idealin e lirisë e kanë zëvendësuar me idealin e pasurisë!
Idealin e bashkimit kombëtar, të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, e kanë zëvendësuar me idealin feudal të kombit kosovar!
Domethënë: lartësinë e treguar në luftë e kanë zëvendësuar me mjerim material dhe karrierist të treguar në paqe!
Por, sjelljet politike, të pashmangshme, të natyrshme, që bënë ata në paqe e do të bënin edhe të tjerë në vendin e tyre, u mbuluan prej shumë e shumë të këqijave, dëmeve që i sollën e po i sjellin Kosovës në paqe!
Ata sot shikohen dhe gjykohen mosdurueshëm prej numrit më të madh të bashkëkombësve, që e kanë kokën për të menduar të pavarur me të.
Pse jo.
Duke qenë në pozita të larta politike ata u pasuruan, u bënë milionerë kushedi të safishtë shumë shpejt!
Ata shumë shpejt i pasuruan vëllezërit, motrat, në përgjithësi familjarët!
Ata shumë shpejt, duke qenë në pozita, i pasuruan, i bënë milionerë shumë nga bashkëpunëtorët e tyre!
Nga pozitat e tyre ata nuk e panë popullin, nuk i panë punëtorët, nuk i panë të varfrit, nuk i panë të braktisurit, të nënçmuarit!
Nga pozita e tyre ata nuk e panë rininë!
Nga pozitat e tyre ata i panë të heshtur duke u shpërngulur zemërthyer në botën e huaj të rinjtë e skamnorët.
Nga pozitat e tyre ata harruan Kosovën e varfër.
Korrupsionin e përshtrirë e të përthelluar ata e bënë dukuri tragjike që, siç e thonë edhe juristët, që u kanë dalë duarsh, mbrohet edhe me ligj!
Nepotizmin, këtë dukuri primitive në shekullin 21, ata e bënë politikë të punësimit dhe jo vetëm!
Për të sendërtuar më lehtë e më shpejt qëllimet e tyre ata rikthyen censurën në disa media, në disa televizione, më së pari në televizionin publik të Kosovës RTK, i cili cënsurën staliniste të kohës së autonomisë e ktheu në censurë neofashiste të kohës sonë – të kohës së pavarësisë!
Me punësimin e familjarëve, të afërmve, miqve, partiakëve; me lartësinë e rrogave të të parëve, të nënkryetarëve, të ministrave, të zëvendësministrave, të zëvendëskryeministrave, të këshilltarëve, të truprojave të tyre, më të larta se të tjerëve në Ballkanin Perëndimor; me nga disa rroga të njerëzve të tyre të shpërndarë në institucione e në borde të ndryshme ku duhet ta bëjnë ligj fjalën e tyre ata; me pensionet e veçanta për të gjithë zyrtarët; me privilegje të veçanta të realizuara qoftë edhe përmes udhëtimeve për turizëm e qejfe në botën e jashtme; përmes përdorimit privat të automjeteve zyrtare, të drekave e darkave të paguara me paratë e taksapaguesve; me celularët e tyre shtetërorë, me censurën, me të gjitha këto e shumëçka tjetër ata e bënë shtetin e Kosovës shtet privat të tyre!
Kosovën e të gjithëve, Kosovën e lirë e të pavarur, që menduam se është shtet i të gjithë neve, ata e bënë shtet privat edhe me ato marrëveshjet që nënshkruan si i nënshkruan, pa këshilluar Kuvend, studiues, juristë, historianë: Marrëveshjen për Bashkësinë e Komunave Serbe, Marrëveshjen për Vijën Kufitare me Malin e Zi dhe Gjykatën Speciale. Kur u dolën si u dolën punët marrëveshjesore ata e filluan lojën tragjikomike me arsyetime, mohime, pohime e mashtrime, që e tregojnë nivelin e tyre të ulët dhe etikën e tyre politike të paqenë edhe prej një ane prej së cilës nuk e tregojnë të këqijat e tjera që ia solli Kosovës regjimi i tyre!
Me të gjitha këto dhe me një varg të tjerash me të cilat nuk mund të merrem në këtë shkrim, ata sot janë bërë shkaktarë të çoroditjes politike e të degradimit të shumanshëm të Kosovës, që ia ka shëmtuar e rrënuar pamjen në Evropë e në botë përgjithësisht, duke sjellë edhe një izolim të saj, që mund të ketë çmim të shtrenjtë! Dhe, ky izolim i saj u pa edhe prej shpërfilljes nga shtetet evropiane dhe BE-ja në kremtimin e 10-vjetorit të Pavarësisë.
Krijimtaria ime historiko-letrare, historike, letrare artistike e publicistike dhe veprimtaria ime politike më obligojnë që të them:
NUK E PRANOJ DEKORATËN E PARË DHE TË FUNDIT QË MË JEPET PREJ REGJIMIT TË TYRE!
Dhe, nuk e pranoj sepse pajtimi me një dekoratë të dhënë prej një regjimi të tillë është në kundërshtim me mendësinë time,me konceptin tim për demokracinë, me domethënien, me humanizmin dhe me etikën sociale të krijimtarisë sime shkencore, publicistike e letrare artistike.
Rexhep QOSJA
Prishtinë, 18 shkurt 2019

Rexhep Qosja: ‘Jam pajtuar’

“Jam pajtuar” me vendimin e kryetarit të atëhershëm të LDK-së, Ibrahim Rugovës, për ndërtimin e Shtëpisë së Bardhë, që do të ishte e ngjashme me Shtëpinë e Bardhë të Josip Broz Titos në Dedinje të Beogradit, apo madje me Shtëpinë e Bardhë të SHBA-ve në Uashington!!!

Gjithashtu “jam pajtuar” me propozimin e kryetarit të dikurshëm të Kuvendit të Kosovës, Nexhat Dacit, për ndërtimin e Rezidencës madhështore në Gërmi për pritjen e delegacioneve të huaja dhe pushimet e zyrtarëve të lartë të Kosovës!!!

“Po pajtohem” tani me propozimet që u dhanë prej presidencës dhe prej qeverisë për ndërtimin e objekteve madhështore shtetërore: të Rezidencës presidenciale, të Rezidencës qeveritare, të Rezidencave ministrore, të Rezidencave të ndryshme Kuvendore e të disa rezidencave të tjera në 20 hektarë në Prishtinën e Re afër Hajvalisë!!!

Mbas të gjitha këtyre pajtimeve “u pajtova” që t’i çojmë në botën e jashtme të gjithë të rinjtë dhe të gjithë të pjekurit që s’kanë mbërrijtur vetë ende të shkojnë, domethënë u pajtova që t’i çojmë në botën e jashtme të gjithë ata që në Kosovë s’kanë me çka të jetojnë dhe të gjithë ata që jetojnë me 1.70 cent në ditë!

Më në fund “u pajtova” që politikën tonë shembullore për integrime euroatlantike ta dëshmojmë konkretisht jo duke sjellë Vlera evropiane në Kosovë, po duke çuar në Evropë pamjet e sulltanateve tona arkitekturore presidenciale, qeveritare e kuvendore!!!

Dhe kështu do dëshmojmë se jemi shteti më i zhvilluar, më i përparuar, më i pasur e më i kulturuar në kontinentin europian dhe në perëndim në përgjithësi.

Dhe kështu do të dëshmojmë se kemi kastën e politikanëve më të ditur, më qartpamës, me demokratë, më europianë, më amerikanë, më perëndimorë të merituar për saraje të tilla sulltanore!!!

Rexhep QOSJA

Rexhep Qosja, bënë thirrje për protestë kundër korrupsionit

Shkrimtari Rexhep Qosja e ka konsideruar një protestë të rëndësishme protestën që ka ndodhur ditë më parë në Prishtinë kundër ndotjes së ajrit. Sipas shkrimtarit pikërisht fakti që ajo ishte organizuar nga të rinjtë pati ndikim duke bërë kështu që Kuvendi i Kosovës të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme.

Mirëpo për shkrimtarit ndotja e ajrit nuk është e keqja e parë e as e fundit që po i ndodh “Kosovës së lirë, të pavarur dhe pseudodemokratike”, pasi që sipas tij ajo po vuan nga një ndotje shpirtërore siç është korrupsioni.

“Përpos prej ndotjes së ajrit, Kosova, sidomos, Prishtina, vuan shumë edhe prej një ndotjeje tjetër: prej një ndotjeje shpirtërore, që quhet korrupsion. Ndotja e quajtur korrupsion në Prishtinë dhe në Kosovë në përgjithësi është përshtrirë aq sa politikanët e Bashkimit Evropian e quajnë korrupsion pandemik”, është shprehu ai duke theksuar se ndotja shpirtërore, e quajtur korrupsion, po e rrezikon shtetin, demokracinë, ekonominë, por të pacenuara prej saj nuk janë as arsimi, shëndetësia, shkenca dhe kultura.

“Por, ndotja shpirtërore, që po na gërryen së paku qe shtatëmbëdhjetë vjet, e quajtur korrupsion, nuk po mund të pakësohet, nuk po mund të parandalohet, nuk po mund të mënjanohet dhe gjasat janë pothuajse kurrfarë të ndodhë kjo. Për këtë ndotje, në disa pikëpamje shumë më rrezikuese sesa ndotja e ajrit, as Kuvendi e as Qeveria e Kosovës nuk kanë mbajtur ndonjëherë mbledhje të zakonshme e lëre më mbledhje të jashtëzakonshme. Të rinjtë tanë të cilët ashtu angazhueshëm, ashtu vetëdijshëm, ashtu ndërgjegjshëm protestuan kundër ndotjes së ajrit, nuk do të duhej të heshtnin, të mos protestonin ndaj të këqijave, ndaj padrejtësive, ndaj fatkeqësive që po ia sjell Kosovës korrupsioni me përbërësit e tij nepotizmin dhe konfliktin e interesit”, është shprehur ai duke shtuar tutje se janë pikërisht të rinjtë ata të cilët mund të luajë rol të veçantë për shpëtimin dhe për shërimin e Kosovës nga kjo e keqe e madhe.

Më poshtë mund të gjeni të plotë shkrimin e kritikut letrar dhe politikanit, Rexhep Qosja:

HESHTJE E DËMSHME

Më në fund ndodhi një protestë e rëndësishme.
Ishte kjo protestë jo për të marrë pushtet, por për të mënjanuar të këqijat.
Ishte kjo protestë e organizuar prej një numri të rinjsh.
Ishte kjo protestë e rëndësishme qoftë pse e organizuan të rinjtë, qoftë pse ishte protestë kundër ndotjes së ajrit me të cilën Prishtina qe disa ditë po renditet e para në botë.
Megjithëse me pjesëmarrës më pak se ç’do të duhej, kjo protestë nuk shkoi kot.
Fryt i saj dhe i disa reagimeve të të rinjve para saj ishte mbledhja e jashtëzakonshme dyditore, më 1 e 2 shkurt, që përfundoi me 2 shkurt, e Kuvendit të Kosovës.
Prej diskutimeve të përgatitura mirë, të argumentuara, të bindshme të disa deputeteve dhe të disa deputetëve mësuam se ndotjen alarmante, rrezikuese të ajrit në Prishtinë, nuk na e ka shkaktuar natyra po ne vetvetes.
Për më tepër, prej diskutimeve në këtë mbledhje dyditore mësuam se fajtorë kryesorë të ndotjes aq rrezikuese të ajrit në Prishtinë janë në radhë të parë ato struktura shtetërore, që nuk zbatojnë ligjet me të cilat parashihet mbrojtja e qytetarëve prej të këqijave të ndryshme natyrore, jonatyrore, politike, pushtetore. E të tjera.
Ndotja e ajrit nuk ishte e keqja e parë e as e fundit që po i ndodh Kosovës së lirë, të pavarur dhe pseudodemokratike.
Përpos prej ndotjes së ajrit, Kosova, sidomos, Prishtina, vuan shumë edhe prej një ndotjeje tjetër: prej një ndotjeje shpirtërore, që quhet korrupsion.
Ndotja e quajtur korrupsion në Prishtinë dhe në Kosovë në përgjithësi është përshtrirë aq sa politikanët e Bashkimit Evropian e quajnë korrupsion pandemik.
Ndotja shpirtërore, e quajtur korrupsion, po e rrezikon rëndë shtetin, po e rrezikon rëndë demokracinë, po e rrezikon rëndë ekonominë, por të pacenuara prej saj nuk janë as arsimi, shëndetësia, shkenca dhe kultura!
Ndotja e ajrit do të mund të pakësohet shpejt, për disa ditë a disa javë, më në fund mund t’i gjendet për një kohë më të gjatë edhe zgjidhja e duhur, ashtu si i kanë zgjidhur situatat e këtilla të tjerë para nesh.
Por, ndotja shpirtërore, që po na gërryen së paku qe shtatëmbëdhjetë vjet, e quajtur korrupsion, nuk po mund të pakësohet, nuk po mund të parandalohet, nuk po mund të mënjanohet dhe gjasat janë pothuajse kurrfarë të ndodhë kjo.
Për këtë ndotje, në disa pikëpamje shumë më rrezikuese sesa ndotja e ajrit, as Kuvendi e as Qeveria e Kosovës nuk kanë mbajtur ndonjëherë mbledhje të zakonshme e lëre më mbledhje të jashtëzakonshme.
Të rinjtë tanë të cilët ashtu angazhueshëm, ashtu vetëdijshëm, ashtu ndërgjegjshëm protestuan kundër ndotjes së ajrit, nuk do të duhej të heshtnin, të mos protestonin ndaj të këqijave, ndaj padrejtësive, ndaj fatkeqësive që po ia sjell Kosovës korrupsioni me përbërësit e tij nepotizmin dhe konfliktin e interesit.
Në qoftë se kanë varur qafën mësimdhënësit, pedagogët e tyre, në qoftë se kanë varur qafën gjysmintelektualët dhe çerekintelektualët, në qoftë se po heshtin baballarët e tyre, të rinjtë duhet të ngrenë kokat se vetëm ashtu kokëngritur mund të shohin deri ku duhet të shihet: mund të shohin larg, përtej murit të gënjeshtrave propagandistike, mund ta shohin qartë njëmendësinë e Kosovës.
Nuk thuhet kot: ardhmëria është e të rinjve. Ata, të rinjtë, kanë jo detyrë po mision që të bëjnë krejt ç’mund të bëjnë për shëndetin shpirtëror, moral, prandaj edhe politik e shtetëror të atdheut të tyre, në të vërtetë për të ardhmen e tyre e të shtetit të tyre.
Mbas protestës kundër ndotjes së ajrit në Prishtinë e në Kosovë, që njëherë për njëherë nuk iu shkoi kot, të rinjtë tani nuk duhet të heshtin, por duhet të çohen në protesta kundër ndotjes shpirtërore – kundër korrupsionit me përbërësit e tij të quajtur nepotizëm dhe konflikt i interesit, me të cilat po rrezikohet seriozisht e ardhmja e tyre.
Të rinjtë tanë kanë mision të ngrenë zërin, në protesta dhe në demonstratë, kundër oligarkëve politikë, kundër zhvatjeve, mashtrimeve, gënjeshtrave të tyre dhe, në to, të kërkojnë përgjegjësinë e tyre, të kërkojnë përgjigjet si u pasuruan aq shpejt, ku i morën paratë me të cilat u pasuruan aq shumë e aq pangopshëm dhe varësisht prej rezultateve të hetimit të pasurive të tyre, të familjarëve të tyre, të disa bashkëpartiakëve e disa miqve të tyre të kërkojnë nacionalizimin e pasurive të krijuara paligjshëm apo duke keqpërdorur funksionet politike, partiake e shtetërore, në të vërtetë të kërkojnë prej organeve përkatëse të drejtësisë të kryejnë detyrat e tyre të ligjshme, përkatësisht t’u dalin zot Kosovës e pasurisë saj.
Të rinjtë tanë kanë mision e jo thjesht detyrë që të ngrenë zërin, në protesta e në demonstratë, kundër oligarkisë politike: që ka dëshmuar se qëllimi i saj parësor dhe i paharruar ishte dhe është pasurimi; që me sjelljet e saj, me pangopësinë e saj, me pensionet e jashtëzakonshme, me beneficionet e me privilegjet e saj e ka bërë Kosovën shtet privat; që ka kapur gjyqësorin, i cili fjalës vetting ende nuk ia ka mësuar kuptimin dhe rëndësinë; që në Kuvendin e Kosovës, që në Qeverinë e Kosovës, që në ministritë e Kosovës, që në institucionet shtetërore të Kosovës ka sjellë dhe vazhdon të sjellë edhe ish bashkëpushtetarë të regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe bijtë e tyre; që me pozita e me privilegje të tjera në njërën anë e blen përkushtimin e një vargu kundërshtarësh politikë, kurse, në anën tjetër, pa ngurrime ka shpërfillur dhe vazhdon të shpërfillë njerëz të merituar, të aftë dhe sakrifikues për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës; që ka blerë dhe vazhdon të blejë shërbimet propagandistike të disa gazetarëve e pronarëve të medieve me të cilët ka krijuar klasën “elitore” të Kosovës, në të vërtetë klasën e përvetësuesve të pasurive të Kosovës; që zhvendosjen e të rinjve e të të varfërve e ka bërë figurë të ekzistencës në shtetin e Kosovës; që merr vendime me lehtësinë e padurueshme për çështje jetike të Kosovës e të njerëzve të saj e më pas që ato vendime dhe masa të miratuara dje i mohon sot, të miratuara sot i mohon nesër, i rikthen pasnesër e i mohon prapë tejpasnesër, duke e bërë kështu tragjikomike politikën shtetërore të Kosovës e duke e përdhosur skajshëm imazhin e Kosovës në botë; që me politikën e saj ka përmbysur dhe vazhdon të përmbysë kodet kulturologjike dhe etike në veprimtarinë shtetërore; që universitetet e Kosovës, më të shumta në numër se universitetet e Gjermanisë apo Anglisë,i ka mbushur me familjarë, partiakë e miq të vet, të shumtët analfabetë a gjysmanalfabetë të dijeve që gjoja ua shpjegojnë studentëve, disa prej të cilëve kanë magjistruar e kanë doktoruar me procedura të jashtëzakonshme, që s’i mbulon asnjë ligj e asnjë venom dhe asnjë etikë! E të tjera e të tjera.
I shikuar dhe i trajtuar si një ndotje e rëndë, shumë dëmtuese dhe shëmtuese, shoqërore, ekonomike, shtetërore, shpirtërore e morale, me përshtrirje të gjerë e të thellë, korrupsioni po krijon përfytyrim jo vetëm të neveritshëm, por për më tepër përfytyrim joqytetërues për dinjitetin e Kosovës e të popullit të saj jo vetëm në Evropë.
Është detyrë jo vetëm shoqërore, por edhe atdhetare që të bëjmë krejt ç’mund të bëjmë për shërimin e Kosovës prej kësaj të keqeje aq dëmsjellëse e aq komprometuese, që është e do të jetë pengesë jo vetëm për integrimet euroatlantike të Kosovës, por edhe për liberalizimin e vizave.
Të rinjtë tanë duhet të dinë se zhvatësit e pasurive të Kosovës janë zhvatës edhe të ardhmes së tyre në Kosovë!
Të rinjtë tanë e kanë dëshmuar dhe mund ta dëshmojnë se janë ajo forca më e rëndësishme, më e çmuar shoqërore, morale dhe atdhetare që mund të luajë rol të veçantë për shpëtimin, për shërimin e Kosovës nga kjo e keqe e madhe.
Të rinj e të reja!
Dhurojani Kosovës këtë rol tuajin të pazëvendësueshëm, këtë përkushtim tuajin atdhetar!
Dhe, mos harroni se ata zyrtarë që shkencën, profesionalizmin dhe etikën s’i bëjnë përbërës kuptimorë dhe vlerësues të politikës ata nuk mund ta demokratizojnë, ta zhvillojnë e ta përparojnë vendin.
Dhe, mos harroni se Kosovën e lirë, idealin e aq shumë brezave, duhet ta bëjmë shtet vërtet demokratik, shtet vërtet të së drejtës, që u siguron dinjitet të barabartë të gjithëve, shtet të drejtësisë sociale, që u siguron punësim e jetë të dinjitetshme të gjithëve e jo siç është sot: shtet i privatizuar i oligarkisë politike dhe i propagandistëve të saj medialë e të tjerë, që edhe privilegjet, pasurimet, lukset dhe mashtrimet e kësaj oligarkie i heshtin duke i larë e duke i lyer protagonistët e tyre politikë e shtetërorë.
/ KultPlus.com

Për një këshillë mbarëkombëtare për Vitin e Skënderbeut

Shkruan Rexhep Qosja.

Qeveria e Shqipërisë e ka shpallur vitin 2018 Vit të Skënderbeut.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka propozuar themelimin e një Komisioni të posaçëm për organizimin dhe përurimin e këtij viti

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka kërkuar, njëkohësisht, nga qytetarët që të japin ide, sugjerime e propozime për kalendarin e aktiviteteve që do të mbahen gjatë këtij Viti.

Edhe pse me vonesë, po i përgjigjem tash kësaj kërkese të Kryeministrit.

Viti 2018, si vit i Skënderbeut, është Vit i figurës më të madhe, më të rëndësishme e më largpamëse në historinë e popullit shqiptar.

Është ky Vit që do të shënohet në Shqipërinë shtetërore, në Kosovë, në Maqedoni dhe kudo ka tjetër shqiptarë në Ballkan dhe në Botë.

Është ky Vit që do të shënohet prej institucioneve shtetërore, prej institucioneve shkencore, prej Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, prej Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, prej lidhjeve e shoqatave të shkrimtarëve, të krijuesve të tjerë të arteve, prej shoqatave të ndryshme kulturore, prej partive e prej grupeve të ndryshme partiake e jopartiake.

Është ky Vit që do të shënohet në mënyra të ndryshme: me akademi shtetërore, me akademi shkencore, me manifestime e me veprimtari politike, kulturore, argëtuese. E të tjera. E të tjera.

Mund të besohet se gjatë gjithë këtyre akademive, manifestimeve e veprimtarive të tjera shënuese do të sillen të dhëna të reja, shqyrtime të reja, gjykime e vlerësime të reja shkencore, historike, kulturore, politike për figurën e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, për kohën e tij, për trajtimin e tij të deritashëm në historiografinë, në letërsinë e në artet kombëtare dhe në historiografinë, në letërsinë e në artet evropiane e botërore.

Mund të pritet që në gjithë këto manifestime e veprimtari shkencore, kulturore, artistike, politike, shtetërore, argëtuese të ketë edhe shumë retorikë e patos.

Por, mund të besohet se gjatë gjithë këtyre manifestimeve e veprimtarive shkencore, politike, shtetërore, kulturore e argëtuese do të prodhohen edhe kiç mendime, kiç gjykime e kiç vlerësime.

Mund të pritet gjithashtu që në të gjitha këto manifestime e veprimtari do të prodhohet edhe jo pak kiç atdhetarizëm.

Për të qenë Viti i Skënderbeut i shënuar më mirë e më suksesshëm, në pikëpamje shkencore, kulturore, artistike, politike, shtetërore më dinjitetshëm e më ndikueshëm jo vetëm në përpjesëtime gjithëkombëtare e, pse jo, edhe më gjerë, mendoj se duhet të formohet Këshilli i quajtur Këshilli Mbarëkombëtar për Vitin e Skënderbeut, i cili do të merret me “organizimin dhe përurimin e këtij Viti” në gjithë hapësirën shqiptare e në diasporë.

Nuk është vonë për krijimin e këtij Këshilli Mbarëkombëtar, i cili do të përbëhej prej përfaqësuesve politikë e shtetërorë, prej përfaqësuesve të organizatave qytetare, prej historianëve, prej shkrimtarëve e krijuesve të arteve të tjera, prej publicistëve të Shqipërisë shtetërore, të Kosovës, të Maqedonisë, të Malit të Zi, të Luginës së Preshevës, të Arbëreshëve të Italisë dhe shqiptarëve të diasporës evropiane e amerikane.

Për vitin kushtuar një figure madhore historike, mbarëkombëtare e gjithëkohore, siç është Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, i cili në jetën e vet bashkoi Idenë e madhe mbarëkombëtare dhe Shpatën për mbrojtjen dhe sendërtimin e saj, doemos duhet të ketë edhe një Këshill i tillë Mbarëkombëtar. Apo jo?

Qosja: Nga Instituti Albanologjik është bërë rezistencë ndaj Serbisë dhe Jugosllavisë

Në shënimin e rithemelimit të këtij institucioni, organizatorët kanë prezantuar katër drejtuesit e këtij institucioni, nëpër periudha të ndryshme kohore, shkruan KultPlus.

Gili Hoxhaj

Sot Instituti Albanologjik i Kosovës mbajti një Akademi solemne me anë të se cilës u festua pesëdhjetëvjetori i rithemelimit të Institutit Albanologjik të Kosovës, shkruan KultPlus.
Ky institut kishte mbledhur katër drejtues të këtij institucioni gjatë këtij gjysmë shekulli: Rexhep Qosja, Sadri Fetiu, Fazli Syla, ndërsa i pari që mori fjalën në këtë ceremoni ishte drejtuesi i tanishëm i këtij institucioni, Hysen Matoshi.

Ai në fjalën e tij u shpreh se ky takim është mbledhur për të shënuar një jubile të veçantë dhe për të theksuar disa nga shenjat identifikuese të arritjeve të këtij institucioni kërkimor shkencor që janë të lidhura me kontekste specifike, shoqërore dhe kombëtare. Ai në fjalën e tij tha se themelimi i institutit në vitin 1953 dhe mbyllja e tij vetëm pas dy vitesh të funksionimi shënojnë përpjekjen e parë për krijimin e kapaciteteve institucionale në fushën e studimeve shqiptare në Kosovën e atëhershme.

“Rithemelimi i institucionit u përcoll me një intensitet tjetër të funksionalizimit qoftë në planin e strukturimit të tij, qoftë në planin e aktiviteteve dhe të botimeve shkencore”, u shpreh Matoshi sot në fjalën e tij. Ai shtoi se falë punës së palodhshme të 134 punonjësve që shprehin dijen, kreativitetin dhe punën e palodhshme, sot pas pesëdhjetë vitesh mund të flasim për arritje të konsiderueshme në Institutin e studimeve Albanologjike.

Disa nga arritjet e këtij institucioni përfshijnë 610 vëllime me botime albanologjike, revista, monografi, materiale studimore ku përfshin 152 numra të revistës “Gjurmime albanologjike”, 75 numra të revistës “Gjuha shqipe”, 14 vëllime të materialeve të konferencës “Java e albanologjisë”, 27 vëllime me folklor shqiptar, dhjetëra fjalorë të gjuhës shqipe, kompleti akademik i Rexhep Qoses prej 40 veprave, është përgatitur për botim kompleti i Anton Cettës. Pas tij fjalën e mori akademiiku Rexhep Qosja, i cili u shpreh se në këtë pesëdhjetë vjetor theksoi mospraninë e përfaqësuesve të institucioneve në celebrimin e këtij pesëdhjetë vjetori të Institutit Albanologjik.

“Në këtë pesëdhjetëvjetor nuk po shoh asnjë përfaqësues, asnjë financues të Institutit, kjo do të thotë se institucionet shtetërore munden pa Institutin, unë them jo, sepse Instituti mundet pa ta, sepse ata kanë mandat të përkohshëm, por studiuesit ata që punojnë në institut, krijueset e arteve kanë mandat të përjetshme dhe i ftoj të gjithë ata që punojnë në Institut se kontratat e tyre mund të jenë të përhershme nëse ata bëhen krijues të dalluar”, ishin fjalët e Rexhep Qoses në fjalimin e tij sot në Institutin Albanologjik të Kosovës.

Ai tutje u shpreh se ky institut është tejet i rëndësishëm, pasi që ka qenë edhe vendi ku është zhvilluar një pjesë e rezistencës politike, intelektuale dhe ideologjike. “ Pas vitit 1968, dhe veçmas gjatë vitit 1981 në këtë Institut është bërë rezistencë ndaj Serbisë dhe Jugosllavisë”, ai tutje shtoi se shkrimet që janë shkruar në këtë Institut kanë bërë jehonë edhe në botë, ku janë marrë informatat e para për gjendjen e atëhershme në Jugosllavi.

Qosja po ashtu shtoi se ky Institut është i rëndësishëm për Kosovën jo vetëm me punën e tij kërkimore por edhe me jetëshkrimin dhe biografinë e tij institucionale me të cilën ka luajtur rol të madh në emancipimin e Kosovës në atë kohë. Ai tha se ky institucion është i rëndësishëm për krejt popullin shqiptar, jo vetëm për punën kërkimore por edhe për faktin se ka vënë në pah dhe e ka bërë të dukshme thesarin e popullit të shqiptarëve në Jugosllavinë e atëhershme.

“Ky institucion ka bërë një punë kolosale me rëndësi të jashtëzakonshme pasi që e ka ruajtur e ka sistemuar, e ka mbrojtur dhe e ka vënë ku duhet në pjesë të madhe të traditës sonë kulturore “, tha Qosja.

Pas tij fjalën e mori, Xhavit Jashari – përfaqësues i shoqatave të dala nga lufta, tha se Instituti Albanologjik gjatë gjithë veprimtarisë së tij shkencore dhe kombëtare është dëshmuar në lidhjen e tij parimore të projekteve në mbrojtjen e identitetit shqiptar, duke shtuar se ka qenë institucion ku janë afirmuar idetë e luftës për liri. Me këtë rast Jashari po ashtu ndau një mirënjohje për Institutin Albanologjik të Kosovës, Hysen Matoshit.

Ai me të pranuar këtë mirënjohje u shpreh se kjo mirënjohje e obligon edhe më tutje punën e këtij Institucioni./ KultPlus.com

Rexhep Qosja, Nikolla Spathari dhe Rudi Vata “Qytetarë Nderi’ nga Bashkia Malësi e Madhe

Me iniciativën e kryetarit të bashkisë Tonin Marinaj, këshilli i bashkisë Malësi e Madhe ka miratuar me shumicë votash nismën për të shpallur qytetar nderi disa nga figurat që kanë kontribuar në fushat e tyre përkatëse.

Rexhep Qosja lindur në Vuthaj të Kelmendit me motivacionin: “Për vlerat e larta në fushën e studimeve gjuhësore, krijimtarisë letrare dhe etno-kulturore shqiptare në përgjithësi dhe për kontributin e tij atdhetar në themelimin e Kosovës së pavarur në veçanti”.

Nikolla Spathari lindur në fshatin Goraj-Budishë Kastrat me motivacionin: “Për vlera të pamohueshme në fushën e krijimtarisë letrare dhe etno-kulturore, me kontribut në lartësimin e trevës sonë Malësi e Madhe e më gjërë”.

Rudi Vata lindur në Shkodër me motivacionin: “Për vlera të pamohueshme në fushën e futbollit e me kontribut në lartësimin e trevës sonë Malësi e Madhe e më gjerë”. Bashkia Malësi e Madhe kohët e fundit ka shpërndarë disa tituj nderi personaliteteve të shquara, të cilët kanë ngritur lart emrin e Malësisë Madhe, raporton atsh./ KultPlus.com

‘Vdekja e një mbretëreshe’ e Rexhep Qosjes në Teatrin Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’

‘Vdekja e një mbretëreshe’ është vepra e parë artistike që ngrit në art historinë e mbretëreshës Teutë, e njohur si gruaja e parë tutore (kujdestare), ajo u vu në krye të shtetit Ilir e të ushtrisë, duke mbretëruar e komanduar në vitet 230-228 p.e.s.

Kjo monodramë e shkruar nga shkrimtari kosovar Rexhep Qosja, është përshkrim i mendjes së një mbretëreshe e cila po përjeton çastet e fundit të mbretërimit të saj. Kjo monodramë vjen në skenën e Teatrit Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’ nën regjinë e Arjeta Dhimës, shkruan KultPlus.

Kjo shfaqje vjen e interpretuar nëpërmjet vetë regjisores Arjeta Dhima, Josif Sina dhe Klejdi Metaj.
Përmes koreografisë së Glodian Imerajt do të përcillen qartë mesazhet e rëndësishme si dhe do të theksojnë qëndrimin ndaj çështjeve për të cilat kjo shfaqje flet: tradhtia, servilizmi, romanca, ndjenjat e një nëne dhe infantilitetin e një populli që shkon si kopeja pas bariut.

Kjo monodramë vjen nga I ACT studio më 19 dhe 20 shtator në Teatrin Eksperimental ‘Kujtim Spahivogli’. Kostumet për këtë shfaqje i ka bërë Enisa Arapi, drejtor artistik Andi Begolli ndërsa motive nga ninullë-Shpat Deda./ KultPlus.com

Akademikët i shkruajnë letër kryeministrit Rama

9 anëtarë nderi të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, nga Italia, Kosova, Greqia, Holanda dhe Mali i Zi, iu drejtuan kryeministrit Edi Rama me një letër, ku i apelojnë atij që të mos e shpërbëjë strukturën aktuale të akademisë, pas deklaratave te tij publike qe pasuan zgjedhjet për kryetarin atje.

Eliminimi i këtij institucioni sipas 9 profesorëve, do të çonte në një pikë pa kthim që mund të dëmtojë të ardhmen e kërkimit shkencor në Shqipëri.

Anëtarët e nderit në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, thonë se shkrirja e akademisë, do të sillte krijimin e strukturave të tjera të cilat do të jenë në varësi tërësore nga politika, ashtu siç akademia, sipas tyre është ndodhur shpesh herë gjate viteve të tranzicionit.

9 akademikët në letrën drejtuar kryeministrit e përkrahin atë për idenë e reformimit të këtij institucioni, por sipas tyre, potenciali i nevojshëm për ta bërë këtë, ekziston aktualisht në Akademinë e Shkencave.

Sipas tyre detyra për rilindjen e Akademisë së Shkencave i takon kryeministrit ndërsa kolegët e tyre kanë detyrën e realizimit të reformimit të institucionit drejt standardeve moderne të kërkimit shkencor, shkruan GSH.

Letra e plotë:

Shkëlqesia Juaj Zoti Kryeministër

Ne, nënshkruesit e kësaj letre publike, në cilësinë e anëtarëve të nderit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Ju drejtohemi me këtë apel të sinqertë, me qëllim që Ju të mos vijoni drejt shpërbërjes së institucionit në të cilin e kemi për krenari të jemi pjesë. Për më tepër Ju ftojmë të bëheni promotor i hapjes së një faze të re të dialogut me botën akademike, duke vazhduar në qëllimin përfundimtar të propozimit të një reforme të mundshme dhe rigoroze të sektorit delikat të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor.
Edhe ne, nënshkruesit, ndajmë bindjen se pjesa më e madhe e kohës që ishte në dispozicion për të ndërmarrë një proces radikal reformues të Akademisë ka kaluar jo në mënyrë efikase, dhe se sot, ndoshta, është më se e nevojshme dhe e përshtatshme transformimii saj në një qendër kërkimore moderne dhe konkurruese ekselente.

Për shkak të ndjenjës së përgjegjësisë individuale dhe kolektive, ne mendojmë se lëvizja drejt eliminimit të institucionit do të çojë në një pikë pa kthim, që mund të dëmtojë të ardhmen e kërkimit shkencor në Shqipëri. Kjo është ajo që ne themi, pa ushqyer supozimin se disponojmë zgjidhje përfundimtare dhe efektive, dhe pa pretenduar të zëvendësojmë pritshmëritë legjitime të programit të ri qeveritar që do të bëni. Por, ndonjëherë kurajoja për të qendruar dhe për të diskutuar mund të rezultojë më përmbushëse e ndoshta edhe më e dobishme, duke evituar të biem në gabime të pariparueshme si ato kur në të njëjtën kohë bashkë me ujërat e pista hedhim edhe foshnjen. Akademia e Shkencave, si institucionet e tjera publike shqiptare, ka përjetuar tranzicionin e gjatë dhe të pafund nga diktatura në demokraci, që ka tronditur shoqërinë shqiptare. Ju vetë e keni bërë të vetëdijshme atë, kur keni theksuar nevojën për të ngritur strukturat publike shqiptare, në radhë të parë universitetet, në një regjim normaliteti.

Formula Juaj “të bëjmë shtet” ishte më e pranuara, sa më të dukshme ishin mosfunksionimet burokratike, padrejtësitë sociale, format korruptive, që, në kompleksitetin e tyre, rrënojnë shoqërinë shqiptare dhe fshikullojnë qytetarët në jetën e tyre të përditshme. Në vitet kur shqiptarëve u mohohej e drejta për t’u ndjerë “qytetarë europianë” shumë nga ne kanë qenë mbështetës aktivë të kërkesave të paraqitura në universitetet tona nga studentët e vendit Tuaj, të cilët, të dekurajuar nga kushtet e universiteteve shqiptare, synonin të studionin jashtë vendit. Ata ishin të rinj që linin shuma të konsiderueshme si “peng” për t’iu përmbajtur standardeve që i përulnin dhe i poshtëronin. Megjithatë, u arrit që shumë prej tyre të diplomohen, disa të vazhdojnë trajnimet e tyre shkencore jashtë shtetit dhe në disa raste edhe të rekrutohen në universitetet tona. Gjithë kjo ndodhi në sintoni dhe me mbështetjen e plotë të kolegëve tanë të shquar nga universitetet publike shqiptare dhe Akademia e Shkencave. Ka qenë një periudhë e gjatë tranzicioni që ende nuk ka mbaruar, por që, edhe falë ndërhyrjes Tuaj të vendosur reformuese prej disa vitesh, është karakterizuar nga një ndryshim i rëndësishëm i trendit.

Ne e gjejmë në universitetet, të cilat, ndërsa ende ankohen për hendekun me standardet evropiane (por ne i sigurojmë ata se kjo nuk është “primati” negativ ekskluziv i Shqipërisë). Megjithatë nuk mund të thuhet se janë në të njëjtin nivel me anarkinë e njëzet viteve të kaluara, ndërkohë që ka një burim optimizmi në rrugën e ndërmarrë nga universitetet shqiptare për të rindërtuar besimin tek familjet dhe studentët, duke iu bashkuar përpjekjeve të sinqerta të stafit akademik për realizimin e trajnimeve shkencore gjithnjë e më konkurruese.

Ne nuk e fshehim se xhepat e mëdhenj të rezistencës pasive pengojnë një përfundim të mirë të procesit reformues, por ky argument është fitimprurës vetëm për ata që nuk kanë kulturë qeveritare dhe i dorëzohen populizmit të zakonshëm: “sa më keq të shkojë, aq më mirë”. Sigurisht nuk është kjo tema më e përshtatshme për të trajtuar çështjen që në këto ditë ka shpërthyer në mënyrë mediale duke supozuar trajtat e një improvizimi dhe jo të një serie dramatike të vështirësisë institucionale që lëngonte prej kohësh dhe që akoma nuk ka gjetur zgjidhjet e duhura. Akademia e Shkencave ka vuajtur kërcënime politike, duke pësuar censurë të pashembullt, që, sipas nesh, përfshihet dhe ajo në faktorët që e kanë zvogëluar dhe sjellë në gjendjen komatike që ajo ndodhet sot.

Duke i prerë qendrat nevralgjike jetike, institutet historikë, të cilët përbënin motorin e vërtetë propulsiv të kërkimit shkencor gjatë periudhës komuniste, Akademia u katandis në një strukturë të thjeshtë honorifike me burime njerëzore të kufizuara e me pak stimuj, shpesh e akuzuar se ishte në “opozitë” dhe disa herë “bashkëudhëtare” e qeverive të ndryshme; duke iu nënshtruar akuzave dhe shpifjeve më të rënda , pa patur asnjë zë, të brendshëm ose të jashtëm, që të ngrihet për të kujtuar se kjo është e njëjta Akademi e Shkencave, që në periudhën më obskurantiste të historisë së Shqipërisë kishte përfaqësuar, në të mirë dhe të keq, një pikë referimi dinjitoze dhe të respektuar për albanologjinë ndërkombëtare, për të cilin asnjë studiues i huaj – ne të parët – nuk ia mohoi kurrë rolin e bashkëbiseduesit të privilegjuar. Ajo që ka ndodhur në më shumë se dy dekada ka qenë një sulm serioz ndaj lirisë së shkencës dhe së drejtës së shenjtë të kërkimit shkencor për t’u organizuar në përputhje me procedurat dhe standardet e miratuara në çdo pjesë të botës demokratike. Tentativat e sabotimit të funksionit primar, të diskreditimit të profilit profesional, të pikturimit si të një karikaturë e së shkuarës, të braktisjes në fatin e vet dhe madje deri në frikësimin e atyre që guxojnë të propozojnë përpjekje të ndrojtura për ta përshtatur atë me nivele më të pranueshme; për më tepër këtyre u janë shtuar forma të pashpjegueshme të imobilitetit, strategji konfuze që kurrë nuk u konsoliduan në projekte të vërteta dhe reale, teorema të tymosura të asimiluara nga leximi i nxituar i statuteve të të tjerëve që konsideroheshin si të përshtatshme për Shqipërinë, siç ishin ato të Anglisë, Francës ose Italisë, vende plotësisht ndryshe dhe që me të drejtë mburren me eksperienca të konsoliduara në këtë sektor. E gjitha kjo ndodhi pa hapur një diskutim të sinqertë edhe të zgjatur në kohë, për situatën aktuale dhe për shkaqet që e sollën atë, mbi hipotezën e një reforme të mundshme të përshtatshme për potencialin e një vendi në zhvillim si Shqipëria, dhe për të përmbushur njëkohësisht pritshmëritë për një specializim të lartë të gjeneratave të reja dhe për një vleftësim të avancuar të mallrave dhe burimeve ekonomike, mjedisore, kulturore dhe industriale të vendit. Me një fjalë, një projekt të vërtetë dhe të përshtatshëm i cili shikonte të ardhmen e Akademisë pa iu nënshtruar domosdoshmërisht polemikave të paqarta dhe debatit të kryer këto ditë nga filozofët e rinj me qëndrim gjakftohtë, nga të cilat Shqipëria duket se ka mrekullisht me shumicë pas rrëzimit të regjimit të vjetër.

Zoti Kryeministër,

Nuk Ju fshehim se eliminimi përfundimtar i Akademisë së Shkencave nga tabloja institucionale e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor trondit ndërgjegjet tona për një arsye tjetër që mendojmë se është e nevojshme të ngrejmë: ajo krijon një mundësi shumë më të dëmshme nga sa mund të jetë në vetvete tentativa e shkrirjes, që është ajo e ndërtimit të strukturave alternative në varësi tërësore nga politika, nga stinët dhe humori i saj. Në botën e sotme shumë të globalizuar, është më e nevojshme të sigurohet autonomia e kërkimit shkencor, duke e bërë atë gjithnjë e më të lirë nga kushtëzimi i jashtëm i interesave të politikës, përfshirë dhe ato të industrisë. Në asnjë vend të botës nuk përndiqet shërbimi i shkencës, me përjashtim të vendeve nën diktaturë. Autonomia në mjediset e shkencës dhe promovimi shkencor është në fakt një nevojë thelbësore për të matur jo vetëm shkallën e demokratizimit të brendshëm të një vendi, por edhe për për të studiuar aftësinë e tyre për të identifikuar dhe zhvilluar, në një autonomi të përsosur dhe të vetëdijshme, bashkëpunime të frytshme dhe të qëndrueshme me institucionet ndërkombëtare akademike dhe universitare në bazë të interesave të përbashkëta kërkimore. Ndërhyrjet e jashtme mund të jenë shkak i ndryshimit të procedurave normale të protokollit dhe shpesh ndikojnë në bashkëndarjen e projekteve me interes reciprok të dyanshëm të partnerëve, për shkak të faktit se gjuhët e shkencës dhe politikës shpesh nuk takohen dhe nuk ndajnë të njëjtën gramatikë bazë. Duke ripërsëritur këtë parim universal, ne ripërtërijmë gatishmërinë tonë për të marrë pjesë në çdo diskutim me kolegët tanë akademikë shqiptarë për të filluar stinën e re të rilindjes së Akademisë së Shkencave. Ne jemi plotësisht të bindur se aty ekziston potenciali, burimet dhe vullneti për të ringjallur fatet e institucionit prestigjioz që për vite me radhë i ka dhënë shkëlqim dhe orientim albanologjisë. Akademia nuk u ndërtua as nga godina dhe as nga pagat, por nga burrat bujarë, intelektualët e apasionuar, studiues eruditë me vlera të respektuar nga kolegët e tyre në botë, si Aleks Buda, Eqrem Çabej, Mahir Domi, Shaban Demiraj, Ylli Popa, Kristo Frashëri, Jorgo Bulo, Stefanaq Pollo, Dhimitër Shuteriqi, Selaudin Betekshi, Petrit Gaçe, Petraq Pilika dhe eksponentët e tjerë të shumtë të brezit të parë të akademikëve, që ditën të disenjojnë një rol dhe një funksion për Akademinë “e tyre”, duke u ofruar brezave të ardhshëm me angazhimin e tyre një model të jetës dhe të shkencës, me respekt për kolegët dhe me pasion për kërkimin. Ndjekësve të tyre u takon detyrimi, pikërisht në këtë moment të vështirë dhe të papërsëritshëm që të imitojnë shembullin e tyre bujar.

Juve, Zoti Kryeministër, ju takon detyra të nisni “Rilindjen” e Akademisë, kolegëve tanë u takon ajo e realizimit, edhe me kontributin tonë të pa interes nëse do të na kërkohet.

Për sa më sipër, mbetemi në dispozicion kur dhe nëse Juve e shihni të nevojshme t’Ju takojmë personalisht për të ofruar bashkëpunimin tonë.

Ju falenderojmë për vëmendjen Tuaj.

Prof.
ALIU Ali Anëtar nderi Kosovë
ALTIMARI Francesco Anëtar nderi Itali
DJUROVIĆ Momir Anëtar nderi Mal i Zi
ISMAJLI Rexhep Anëtar nderi Kosovë
J. D. DRENTH Pieter Anëtar nderi Hollandë
JOCHALAS Titos Anëtar nderi Greqi
MANDALÀ Matteo Anëtar nderi Itali
PIERONI Andrea Anëtar nderi Itali
QOSJA Rexhep Anëtar nderi Kosovë

Qosja për Ylli Popën: Yll në jetën mendore, shkencore, arsimore e kulturore shqiptare

Akademiku Rexhep Qosja ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjes e akademikut Ylli Popa i cili vdiq para dy ditë në moshën 87 vjeçare. Popa, për një periudhë 10 vjeçare drejtoi Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, shkruan KultPlus.

Qosja është shprehur I pikëlluar për këtë humbje të madhe e cila sipas tij ka lënë zbrazëti në jetën mendore, shkencore, arsimore e kulturore shqiptare.

Letra e Rexhep Qosjës:

Me pikëllim të madh e mësova lajmin për ndarjen nga jeta të Akademik Ylli Popës. Me ndarjen e tij nga jeta mbetet zbrazëti e madhe në jetën mendore, shkencore, arsimore e kulturore shqiptare.

Dhe si të mos mbesë zbrazëti ashtu e madhe? Ylli Popa ishte i madh në shumë pikëpamje.

Ylli Popa ishte i madh me shumë dhunti të cilat ia kishte dhuruar natyra.

Ylli Popa ishte i madh me shumë virtyte të jashtëzakonshme.

Ai ishte vërtet Yll në jetën mendore, shkencore, arsimore e morale shqiptare.

Ai ishte i madh si intelektual. Me atë mendjen e tij larghedhëse ai i parashihte idetë e reja dhe ndryshimet e reja mendimore, shoqërore e politike. Me qartpamjen e tij që e bënte njëkohësisht shumë të guximshëm si intelektual ai arriti i pari që t’i parathotë ndryshimet politike e shoqërore të fundit të viteve të tetëdhjeta dhe të fillimit të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar.
Ai ishte i madh si studiues shkencor. Ai u bë themelues i dijeve dhe i institucioneve të reja në disa fusha të mjekësisë shqiptare, në mënyrë të veçantë të kardiologjisë shqiptare.

Ai ishte i madh si arsimdashës dhe si mësimdhënës në arsimin shqiptar. Ai ishte njëri prej pedagogëve më të çmuar e më të dashur në këtë arsim. Duhet të dëgjohen studentët e tij se ç’thonë për njeriun Ylli Popa dhe se si i kujtojnë ligjëratat e paharruara të pedagogut të jashtëzakonshëm Ylli Popa.
Ai ishte i madh si organizues, si planifikues e si reformues në institucionet që drejtonte. Risitë që do të sjellë në këto institucione do t’i çojnë përpara ato dhe do të çojnë përpara dijen, arsimin, kulturën dhe mendimin shqiptar në përgjithësi.

Ai ishte i madh si njeri, si njeri në kuptimin më të lartë të kësaj fjale. Në Ylli Popën ishin bashkuar për mrekulli mendja më larghedhëse dhe zemra më bujare që përbënin tërësinë e quajtur etikë e lartë e Ylli Popës.

Ylli Popa do të mbahet mend si njëri nga baballarët më të mëdhenj të jetës arsimore, shkencore e kulturore shqiptare, që me veprën e tij mendore dhe me etikën e tij njerëzore do të ndriçojë përgjithmonë në historinë kombëtare shqiptare.

I mburrur që e njoha, i mburrur që gëzova kujdesin e tij si mjek i madh, i mburrur që mësova prej mendjetores së tij jashtëzakonisht të pasur, kurrë të shterrshme, familjes së tij dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë u shpreh ngushëllimet e mia më të thella. / KultPlus.com