Rivarrosen shtatë viktimat e masakrës së Rezallës

Në Rezallë të Skenderajt, të shtunën më 9 tetor u rivarrosën mbetjet mortore të shtatë personave, që u vranë në luftën e fundit në Kosovë më 1998-99.

Mbetjet mortore të këtyre shtatë viktimave u gjetën në varrezën masive në Kizhevak të Serbisë. Disa mbetje mortore të dy viktimave ishin gjetur më herët në Rudnicë të Serbisë dhe iu bashkuan mbetjeve të tjera mortore që u gjetën në Kizhevak.

Rivarrimi i shtatë viktimave u bë pasi Instituti i Mjekësisë Ligjore bëri ekzaminimet e nevojshme. Ceremonia e varrimit u organizua nga Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe nga Komuna e Skenderajt.

Mbetjet mortore të shtatë viktimave civile shqiptare u kthyen në Kosovë më 30 shtator dhe ato iu dorëzuan autoriteteve të Kosovës në pikëkalimin kufitar në Merdare.

Në ditën kur u kthyen mbetjet mortore, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi nga Merdarja se masakra e Rezallës “është një nga dëshmitë e gjenocidit të Serbisë në Kosovë”.

Viktimat ishin nga fshati Rezallë, ku më 5 prill të vitit 1999, në masakrën e kryer në këtë fshat u vranë 98 persona.

Qindra shqiptarë të vrarë nga Kosova janë gjetur në varreza masive në Serbi, të cilët ishin bartur nga forcat serbe për t’i fshehur krimet. Deri tash nga Serbia në Kosovë janë kthyer mbetje mortore të rreth 1,000 personave. Rreth 1,600 persona, kryesisht shqiptarë, vazhdojnë të jenë të zhdukur./ KultPlus.com

Sot pritet të kthehen në Kosovë trupat e viktimave të masakrës së Rezallës të zhvarrosur në Kizhevak

Viktimat e Masakrës së Rrezallës të zhvarrosura nga varreza masive në Kizhevak, Serbi, do të riatdhesohen sot në Republikën e Kosovës.

Kështu kanë njoftuar nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur.

“Komisioni Qeveritar i Republikës së Kosovës për Persona të Zhdukur, në koordinim me familjet, në vazhdimësi ka kërkuar që riatdhesimi i këtyre eshtrave të ndodhë sa më parë. Bazuar në raportet e identifikimit, eshtrat e zhvarrosura në Kizhevak iu përkasin shtatë identifikimeve të reja të nga masakra e Rrezallës si dhe dy ribashkimeve me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë, të Rashkës, Serbi”, thuhet në njoftimin e Komisionit ditë më parë.

Riatdhesimi i mbetjeve mortore të viktimave do të realizohet në bashkëpunim me përkrahjen e familjeve, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Policisë së Kosovës – Sektorit për Krime Lufte , Ministrisë së Mbrojtjes dhe Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Para arkivoleve të viktimave të masakrës së Rezallës, të zhvarrosura nga varrezat masive në Kizhevak të Serbisë sot në pikën kufitare në Merdare do të bëjë homazhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. / KultPlus.com

Në Kizhevak gjenden mbi 10 mbetje mortore, dyshohet se u përkasin familjarëve të zhdukur nga Rezalla

Në Kizhevak të Serbisë, janë gjetur mbi 10 mbetje mortore të cilat dyshohet se u përkasin civilëve shqiptare të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kryetari i Këshilli koordinues për të zhdukurit dhe krimet e luftës, Ahmeti Grajqevci në një konferencë për medie tha se tashmë procesi në Kizhevak po përmbyllet dhe dyshimet janë se mbetjet mortore i takojnë familjarëve të zhdukur nga Rezalla.

Grajqefci ka kërkuar nga Serbia që të tregojë vendndodhjen e personave të zhdukur gjatë luftës.

“Ai proces që po përmbyllet aty si po duket se është komplet i familjarëve të Rezallës edhe 6 trupa iu mungojnë dhe për trupat tjerë mbetet që Serbia të tregojë se ku janë. Ne nga Serbia kërkojmë rrugëtimin e njerëzve të gjallë që i ka marr nga Kosova, vendndodhjen e tyre dhe përfundimin e tyre. Serbia çdo gjë e di fort mirë dhe e ka të shkruar dhe të filmuar dhe institucionet kryesore të shtetit e dinë përfundimin e familjarëve tanë se ku janë. Serbia shpresoj që një ditë do t’i tregojë qytetarët veçse kanë filluar t’i tregojnë, madje edhe njerëzit më eminentë të Serbisë që të tregojnë se është diskutuar për varrezat masive në Serbi”, tha ai.

Haki Kasumi ish-koordinator i Këshillit Koordinues i Asociacioneve të Familjarëve të të Zhdukurve të Kosovës i cili e kishte kryesuar këtë vizitë tha se deri më tani dyshohet për mbi 10 mbetje mortore ADN-ja e të cilëve pritet të dërgohet për verifikim në laboratorët e Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur.

“(Dyshohet) Deri më tani diku mbi 10 mbetje mortore të trupave të shqiptarëve ekskluzivisht civilë të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë…09\26 Në bazë të gjurmëve rreth mbetjeve trupore të viktimave në vendin Kizhevak aludohej edhe nga ekspertët se lidhen me masakrën e Rezallës. Trupat janë trajtuar në mënyrë profesionale ishin vënë në vendin e planifikuar dhe aty vazhdon proces i përpunimit, nxjerrjes së ADN-së nga pjesët kockore të gjetura të cilat në mënyrë profesionale dhe të duhur do të përcillen në laboratorët e Komisionit Ndërkombëtar të Personave të Zhdukur, i cili komision bazën e ka dhe është organizatë profesionale dhe ka bërë analizën e AND-së të 70 për qind të mbetjeve mortore të identifikuara deri më tash nga të pagjeturve tanë…Procesi është në vazhdim por shpresa dhe gjurmët e gjetura, gjësendet, letërnjoftimet pastaj orët e rrobat korrespondojnë me ato të gjeturat më parë dhe korrespondojnë me masakrën e 5 majit 1999 në Rezallë“, tha Kasumi.

Gërmimet në Kizhevak të Rashkës në Serbi kanë nisur në fund të vitit të kaluar dhe më pas u ndërprenë për shkak të kushteve atmosferike ku tani më 5 maj kanë rifilluar gërmimet.

Më shumë 1.640 njerëz nga Kosova, shumica shqiptarë, ende konsiderohen si të zhdukur. / Gazeta Express / KultPlus.com